Transaksionet në euro nivele rekord/ BSH: Dyfishohet vlera e tyre në 4 vitet e fundit
Transaksionet në monedhën europiane kanë shënuar një tjetër rekord në ekonominë shqiptare. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2025, përmes AIPS–EURO u transferuan mbi 6.3 miliardë euro, nga rreth 5.2 miliardë euro në 2024.
Nëse bëjmë një krahasim të shifrave me vitin 2022 vlera e pagesave rezulton se është rritur me rreth 50% fakt ky që tregon se qarkullimi i monedhës europiane ka vijuar të shënoj rekord në ekonominë shqiptare.
Rritja e numrit të transaksioneve në vlerë dhe në numër tregon se bizneset dhe qytetarët po përdorin më shumë sistemet bankare për lëvizje parash duke shmangur Cash-in çka ndikon në uljen e informalitetin në ekonomi.
Por gjithashtu kjo justifikon dobësimin e euros në tregun shqiptar dhe revanshin e lekut. Zyrtarisht shtimi i fluksit të euros lidhet me fluksin turistik, remitancat por edhe investimet sidomos në blerjen e pasurive të paluajtshme.
Aktualisht euro po këmbehet me rreth 96 lekë ose niveli më i ulët i regjistruar përgjatë gjithë vitit. Pavarësisht se Banka e Shqipërisë ka rritur rezervën valutore duket se kjo nuk ka dhënë efekte në kursin e këmbimit.
Banka qendrore parashikon të tërheqë nga tregu rreth 350 milionë euro për efekt të rezervës valutore por edhe për të stabilizuar kursin e këmbimit gjatë 2025 duke e rritur nivelin me 100 milionë euro përgjatë vitit të ardhshëm.
Sistemi AIPS Euro i mundëson qytetarëve shqiptarë kryerjen e pagesave në euro brenda vendit me kosto shumë më të ulët dhe brenda një afati kohor shumë më të shkurtër./abcnews.al