Musine Kokalari, intelektualja që sfidoi regjimin komunist
TIRANË, 23 janar/ATSh/ Më 23 janar të vitit 1946 u arrestua intelektualja shqiptare Musine Kokalari.
Një prej intelektualeve më në zë të Shqipërisë, Musineja do të spikaste që në moshë të hershme për veprimtarinë e saj politike dhe letrare.
Musine Kokalari lindi në 10 shkurt 1917 në Adanë të Turqisë. Tre vite pas lindjes së saj, familja e Musinesë u kthye në Shqipëri. Mësimet e para i mori në qytetin e Gjirokastrës. Studimet e larta i kreu në Itali, në Universitetin e Romës, ku u diplomua me rezultate të larta në degën e Letërsisë. Deri në vitin 1944 botoi dy libra: “Seç me thotë nënua plakë” dhe “Rreth vatrës”.
Vendosja e regjimit komunist do të sillte ndryshime rrënjësore në jetën e Musinesë. Në nëntor 1944 iu pushkatuan pa gjyq dy vëllezërit, Mumtas e Vesel Kokalari, ndërsa ajo u burgos për disa ditë. Më 23 janar 1946 u arrestua për herë të dytë. Procesi gjyqësor e dënoi me 20 vite heqje lirie. Në gjyqin e zhvilluar Musine Kokalari do të shprehej:
“Unë s’jam fajtore. S’jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj. Ju fituat në zgjedhje, por në burg nuk duhet të jem. Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen.”
Musine Kokalari vuajti 16 vite në burg, dhe më pas u internua në Rrëshen të Mirditës, ku jetoi në kushte tejet të vështira ekonomike dhe plotësisht e izoluar nga shoqëria.
Ndërroi jetë në vitin 1983 nga një sëmundje e rëndë. Pas shembjes së diktaturës, figura dhe vepra e saj dolën në pah dhe u vlerësuan nga institucionet shtetërore. Në vitin 1993 iu dha titulli “Martir i demokracisë”.
/a.f/r.e/
The post Musine Kokalari, intelektualja që sfidoi regjimin komunist appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.