Programuesi ndërron jetë nga arresti kardiak pas orëve të gjata pune
Një programues kinez ka ndërruar jetë në spital pasi u rrëzua pa ndjenja ndërsa po punonte nga shtëpia në fund të vitit të kaluar.
Gao Guanghui (emër i transliteruar), 32 vjeç, dyshohet se ka vdekur si pasojë e një arresti kardiak, gjë që e ka shtyrë familjen të besojë se shkaku i vdekjes ishte puna e tepruar.
Sipas mediave kineze, ai ishte promovuar së fundmi në pozitën e menaxherit të departamentit dhe, para vdekjes, kishte punuar vazhdimisht me orar të zgjatur.
Përveç detyrave të programimit, ai ishte përgjegjës edhe për menaxhimin dhe shërbimin ndaj klientëve pas shitjes, çka bënte që të kthehej vonë në shtëpi, ka treguar bashkëshortja e tij për mediat kineze.
Raportohet se Gao kishte qenë duke punuar më 29 nëntor, ditë e shtunë, raportojnë mediat.
“Ai tha se nuk ndihej shumë mirë dhe donte të ulej pak në dhomën e ndenjjes për të përfunduar disa punë”, ka deklaruar një anëtar i familjes.
Ai humbi ndjenjat dhe u dërgua me urgjencë në spital, por ndërroi jetë pavarësisht përpjekjeve për ta reanimuar.
Gao u shpall i vdekur rreth orës 13:00 të asaj dite, por familja pretendon se ai vazhdonte të merrte mesazhe nga kolegët në një grup në WeChat edhe ndërsa po luftonte për jetën.
Sipas një anëtari të familjes, atij i ishte kërkuar të përpunonte porosi dhe të përfundonte detyra urgjente që duhej të dorëzoheshin të hënën në mëngjes.
Familja e Gaos ka aplikuar më pas për kompensim nga shteti për dëmtim të lidhur me punën, por ende nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Bashkëshortja e tij ka kërkuar gjithashtu kthimin e sendeve personale nga vendi i punës, por ka pretenduar se disa prej tyre ishin hedhur tashmë, ndërsa ato që iu dorëzuan nuk ishin paketuar siç duhet. /Telegrafi/
