Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 January 2026Main stream

Pranimi i Shqipërisë në “Bordin e Paqes”, Bardhi depoziton disa amendamente në projektligjin e ratifikimit të marrëveshjes

By: Fax Web
22 January 2026 at 10:53

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Kuvend amendamente për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë në Kartën e Bordit të Paqes”.

Në kërkesën drejtuar Komisionit për Punët e Jashtme dhe Kuvendit, deputeti Gazment Bardhi thekson se ndryshimet synojnë garantimin e kushtetutshmërisë së projektligjit, duke argumentuar se Shqipëria në marrëveshjet ndërkombëtare duhet të përfaqësohet nga institucione dhe jo nga individë të përmendur me emër.

PD propozon riformulimin e titullit dhe të nenit 1 të projektligjit, si dhe shtimin e një neni të ri, ku parashikohet që Shqipëria të përfaqësohet në Bordin e Paqes nga Presidenti i Republikës ose, me autorizimin e tij, nga Kryeministri, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.

 

Ghebreyesus: Tërheqja amerikane nga OBSH është humbje për të gjithë

By: Fax Web
22 January 2026 at 10:41

Sot shënohet një vit që kur presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi tërheqjen e Shteteve të Bashkuara  te Amerikës nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), vetëm disa orë pas marrjes së detyrës.

Sipas marrëveshjes mes SHBA-së dhe agjencisë së OKB-së me seli në Gjenevë, tërheqja hyn zyrtarisht në fuqi sot, pasi u përmbush periudha e detyrueshme njëvjeçare e njoftimit.

Teorikisht, një nga kushtet e parashikuara në marrëveshje për t’u tërhequr nuk është përmbushur, pasi SHBA nuk i ka paguar plotësisht kontributet financiare siç ishte rënë dakord.

Megjithatë, OBSH-ja nuk ka mjete për të kërkuar pagesën apo për të refuzuar tërheqjen.

“Shpresoj që SHBA ta rishqyrtojë vendimin dhe të rikthehet në OBSH,” tha në Gjenevë drejtori i përgjithshëm Tedros Adhanom Ghebreyesus, duke shtuar se nga ky hap humbasin të gjithë.

“Tërheqja është humbje për SHBA-në dhe gjithashtu humbje për pjesën tjetër të botës,” tha Tedros, duke theksuar se çështja nuk ka të bëjë me paratë, por me bashkëpunimin dhe solidaritet.

Pakënaqësia e Trumpit me OBSH-në daton që nga pandemia e koronavirusit.

Ai u përpoq ta nxirrte SHBA-në nga organizata gjatë mandatit të tij të parë. Por, pasardhësi i tij, Joe Biden, u bë president para se të përfundonte afati njëvjeçar dhe e anuloi urdhrin e Trumpit.

Trump e akuzon OBSH-në për keqpërdorim fondesh dhe për menaxhim të dobët të pandemisë.

Mbahet sot në Gjykatën Kushtetuese seanca për Ballukun, GJKKO: Nuk do të marrim pjesë

By: Fax Web
22 January 2026 at 09:47

Këtë të enjte është parashikuar seanca në Gjykatën Kushtetuese për çështjen e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Kryeministri kërkon zgjidhjen e mosmarrëveshjes me gjykatën e posaçme dhe SPAK, ndërsa Prokuroria e Posaçme është në pritje të shqyrtimit të kërkesës së tyre të depozituar në Kuvend për autorizim për arrestimin e zv.kryeministres.

Në gjykatë sapo kanë mbërritur dy prokurorët e çështjes.

GJKKO përmes një reagimi zyrtar ka njoftuar nuk do të dërgojë përfaqësues me argumentin se “nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë”.

“Ju informojmë se GJKKO nuk do të marrë pjesë në këtë seancë plenare pasi vlerëson se nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë.

Në një shtet demokratik të së drejtës, të bazuar në parimin e sundimit të ligjit dhe të ndarjes së pushteteve, një gjykatë nuk mund të thirret dhe as të legjitimohet si palë në një gjykim kushtetues për të bërë parashtrime apo për të mbrojtur një vendim të dhënë prej saj. Pjesëmarrja e GJKKO-së si palë e interesuar në Gjykatën Kushtetuese do të cenonte parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e brendshme të pushtetit gjyqësor”-thuhet në njoftim.

 

I dehur në timon, arrestohet 43-vjeçari në Durrës! Tentoi të korruptojë punonjësit e policisë

By: Fax Web
22 January 2026 at 09:07

Një 43-vjeçar u vu në pranga nga policia në Durrës, pasi drejtonte automjetin në gjendje të dehur dhe tentoi të korruptojë punonjësit e policisë duke u ofruar para, me qëllim shmangien e testit të alkoolit.

Nga kryerja e testit të alkoolit rezultoi se ky shtetas drejtonte automjetin në gjendje të dehur, në masën 0.92 mg/l.

43-vjeçari akuzohet për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.

Njoftimi i policisë

Policia Rrugore e Durrësit godet një tjetër rast të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore.

Drejtonte automjetin në gjendje të dehur dhe për të shmangur testin e alkoolit, u ofroi para punonjësve të Policisë, vihet në pranga 43-vjeçari.

Shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore në DVP Durrës, gjatë monitorimeve të qarkullimit për identifikimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor, në rrugën “Vllazërimi”, kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin Xh. S.

Drejtuesi i automjetit, në momentin e ndalimit, ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë, duke u ofruar para, me qëllim shmangien e testit të alkoolit.

Nga kryerja e testit të alkoolit rezultoi se ky shtetas drejtonte automjetin në gjendje të dehur, në masën 0.92 mg/l.

Në përfundim të veprimeve të kryera, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Xh. S., 43 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.

Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Qeveria gjermane ende po e shqyrton bordin e paqes të Trump

By: Fax Web
22 January 2026 at 09:04

“Ne kemi një këshill paqeje, dhe ai është Kombet e Bashkuara”, tha politikani i CDU-së gjatë një vizite në kryeqytetin kenian, Nairobi. Në të njëjtën kohë, ai pranoi se Kombet e Bashkuara duhet të reformohen dhe të bëhen më efektive – ashtu siç Trump ka kërkuar vazhdimisht.

Sipas ministrit, qeveria gjermane ka ende disa pyetje në lidhje me këtë Këshillin e Paqes. “Këto mbeten pa përgjigje deri më sot. Por ne do t’i diskutojmë ato në një dialog konstruktiv.” Ndërkohë, Gjermania demonstron “çdo ditë përmes veprimeve të saj praktike se sistemi i OKB-së është sistemi ynë i paqeruajtjes, një sistem që meriton mbështetjen tonë të plotë”.

Paraardhësja e Wadephul, Annalena Baerbock, shprehu një pikëpamje të ngjashme. Presidentja aktuale e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së i tha Agjencisë Gjermane të Shtypit se Këshilli i Sigurimit i OKB-së i kishte dhënë “Këshillit të Paqes” një mandat ligjërisht të detyrueshëm sipas ligjit ndërkombëtar me një detyrë të përcaktuar qartë: Organi duhet të veprojë në një bazë kalimtare në konfliktin midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës. Grupi militant islamist Hamas, i cili shkaktoi luftën në territorin palestinez me sulmin e tij të madh ndaj Izraelit në tetor 2023, klasifikohet si një organizatë terroriste nga shumë shtete.

Baerbock e hedh poshtë idenë që “Këshillit të Paqes” t’i besohen detyra globale, siç synon tani Trump. Ajo argumenton se Kombet e Bashkuara ekzistojnë tashmë si një organizatë ndërkombëtare, detyra dhe qëllimi i së cilës është ruajtja e paqes botërore dhe sigurisë ndërkombëtare. Sipas politikanes së Partisë së Gjelbër, të gjitha shtetet anëtare, pavarësisht nga madhësia, forca ekonomike apo ushtarake e tyre, kanë një vend dhe një votë në Kartën e OKB-së e kjo për “arsye shumë të mirë”.

“Nëse disa shtete tani përpiqen të zbatojnë ligjin e më të fortit, kjo aleancë ndërrajonale – pavarësisht të gjitha dallimeve të tjera – duhet të mbrohet qartë dhe me vendosmëri për t’u vetëmbrojtur dhe për të mbrojtur rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, theksoi Baerbock.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, Trump do të bëjë një njoftim në lidhje me “Këshillin e Paqes” këtë të enjte në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës. Raportet e medias tregojnë se ai do të nënshkruajë më pas të ashtuquajturën kartë, rregulloren e saj. Drafti është dërguar në afërsisht 60 vende, përfshirë Rusinë dhe Kinën./DW/

Shqiperia ne Bordin e Paqes, Kuvendi mblidhet per ratifikimin e marreveshjes

By: Fax Web
22 January 2026 at 09:02

Kuvendi mblidhet në seancë plenare për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”. Në urdhrin për thirrjen e seancës nga kryetari i Kuvendit Niko Peleshi thuhet se marrëveshja kërkon shumicë absolute votash për miratim. Seanca do të nisë me fjalën e nismëtarit, më pas do shprehet komisioni përgjegjës për Europën dhe Punët e Jashtme ndërsa parashikohen diskutime dhe votimi.

Duke qenë se pjesëmarrja e Republikës së Shqipërisë në Bordin e Paqes konsiderohet zhvillim me rëndësi të veçantë për politikën e jashtme dhe diplomacinë e vendit, kërkesa për miratimin e këtij projektligji me procedurë të përshpejtuar bëhet në përputhje me parashikimin e nenit 83, pika 2, të Kushtetutës. Projektligji synon ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes. Këshilli i Ministrave ka miratuar, në parim marrëveshjen më 21 janar.

Marrëveshja synon krijimin e Bordit të Paqes si një organizatë ndërkombëtare, me personalitet ligjor ndërkombëtar, me qëllim promovimin e stabilitetit, rivendosjen e një qeverisjeje të besueshme e të ligjshme, si dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti. Bordi i Paqes do të ndërmarrë funksione të tilla të ndërtimit të paqes në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe në përputhje me këtë Kartë, duke përfshirë zhvillimin dhe përhapjen e praktikave më të mira të mundshme për t’u zbatuar nga të gjitha shtetet dhe komunitetet që kërkojnë paqe.

Seanca plenare u kërkua pasditen e sotme nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste përmes një shkrese zyrtare, për ratifikimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes për pranimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes.

Pezullimi i zv.kryeministres, Qeveria dhe GJKKO perballen sot ne Kushtetuese

By: Fax Web
22 January 2026 at 09:01

Qeveria dhe SPAK do të përballen sot në Gjykatën Kushtetuese për rastin e zv.kryeministres Belinda Balluku. Seanca në Kushtetuese me relator Sandër Becin. Edhe pse në Gjykatën Kushtetuese do të shqyrtohet çështja për pezullimin e Ballukut, ajo nuk është palë dhe nuk do të jetë e pranishme. Kjo sepse Edi Rama i ka vënë firmën e tij kësaj çështjeje.

Përfaqësuesit e tij do të jenë përballë SPAK dhe GJKKO, sepse kryeministri mendon se një prokuror dhe një gjykatës nuk mund të pezullojnë një ministër. Sipas tij kjo kompetencë ndahet mes kryeministrit, Kuvendit dhe Presidentit, ndaj edhe këto dy institucione janë thirrur sot si palë të interesuara.

SPAK do të përfaqesohet në Kushtetuese nga dy prokuroret e çështjes, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko. Presidenti i Republikës do të përfaqësohet nga Ilir Rusmali këshilltar, Hemioni Braho shef kabineti dhe Eriola Shia Drejtore e përgjithshme, ndërsa Kuvendi nga drejtoresha juridike, Mimoza Arbi.

Kryeministri Rama argumenton se sipas kushtetutës, edhe një ministër gëzon imunitetin e deputetit, dhe siç këtij të fundit asnjë gjykatë nuk mund t’i pezullojë ushtrimin e mandatit, kjo nuk mund t’i ndodhë as ministrit. Ndaj Rama kërkon të zgjidhet konflikti duke i interpretuar ky nen Kushtetues.

Në përfundim, dy janë rrugët e daljes, ose gjykata vendos se SPAK dhe GJKKO kishin të drejtë dhe do të pezullojnë sërish Ballukun, ose i japin të drejtë Ramës dhe pezullimi hiqet përfundimisht.

Moti i keq godet Greqinë/ Si ndodhën tragjeditë me dy të vdekur, humb jetën një grua dhe roja bregdetare

By: Fax Web
22 January 2026 at 08:55

Moti i keq që goditi pasditen e djeshme periferitë jugore të Atikës rezultoi vdekjeprurës. Një grua 56-vjeçare humbi jetën në Ano Glyfada, pasi u rrëmbye nga ujërat e rrëmbyeshme të shiut.

Ngjarja e rëndë ndodhi pak pas orës 20:00 të mërkurën, kur viktima, duke u kthyer nga puna, tentoi të kalonte rrugën në kryqëzimin e rrugëve Kyrillou dhe Methodiou me Konstantinou Paleologou. Në atë moment, një përrua i fuqishëm zbriste nga mali drejt rrugës Kyrillou dhe Methodiou, duke e rrëmbyer gruan dhe duke e bllokuar nën një automjet që ishte zhvendosur më parë nga sasia e madhe e ujit.

Banorët e zonës, të cilët panë skenën, njoftuan menjëherë autoritetet. Zjarrfikësit arritën në vendngjarje dhe e nxorën 56-vjeçaren nga poshtë makinës, por fatkeqësisht ajo ishte pa ndjenja dhe nuk arriti të mbijetojë.

Një dëshmitar okular përshkroi momentet dramatike: “Ajo po kalonte rrugën për t’u kthyer në shtëpi. Përroi e mori menjëherë. U bllokua nën makinë dhe nuk mundëm ta shpëtonim. Uji ishte shumë i fortë, me gurë. Vetëm këmbët e saj dukeshin. Ishte 56 vjeçe dhe kishte familje, një vajzë”. Autoritetet po hetojnë rrethanat e ngjarjes, ndërsa moti i keq ka shkaktuar probleme të shumta në zonë, me përmbytje dhe dëme materiale. Sakaq, një aksident tragjik ndodhi në Astros të Kynourias, ku një roje bregdetare 53-vjeçare humbi jetën gjatë ushtrimit të detyrës. Viktima mbante gradën nëntoger dhe shërbente si oficer në Departamentin Portual të zonës.

Sipas njoftimit zyrtar të Rojës Bregdetare Helenike, 53-vjeçari ndodhej në patrullim këmbësor në port, së bashku me komandantin e Departamentit Portual. Gjatë ankorimit të anijeve, një valë e fortë e rrëmbeu, duke i shkaktuar një dëmtim të rëndë në kokë.
Yesterday — 21 January 2026Main stream

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniveristar Durrës shpallet i pafajshëm, Gjykata rrëzon akuzat

By: Fax Web
21 January 2026 at 20:35

Gjykata e Shkallës së Parë e Rrethit Gjyqësor Durrës ka shpallur të pafajshëm Hazbi Likën, Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Durrës, me vendim të dhënë më 21 janar 2026.

Vendimi i gjykatës rrëzon plotësisht akuzat ndaj tij, duke konfirmuar se nuk ekziston asnjë përgjegjësi penale në ngarkim të Likës.

Më 2 korrik 2025, ai ishte pezulluar përkohësisht nga detyra me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe me vendim penal të kësaj gjykate. Pas shqyrtimit të çështjes dhe vijimit të procedurave ligjore, Lika u rikthye në detyrë më 22 tetor 2025.

Vendimi i sotëm përbën një përfundim të qartë dhe përfundimtar në shkallën e parë, duke rivendosur plotësisht figurën ligjore dhe profesionale të drejtuesit të arsimit në qarkun Durrës.

Fier, 55 vjeçari mbetet i varur jashtë apartamentit. Panik te banorët

By: Fax Web
21 January 2026 at 19:53

FIER ,  Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në lagjen “15 Tetori” në Fier, ku një burrë rreth 55-vjeç, me profesion mësues i gjuhës angleze, ka rrezikuar jetën pas rënies nga kati i tretë të pallatit ku banonte.

Sipas informacioneve paraprake, 55-vjeçari ndodhej në banesën e tij së bashku me bashkëshorten, kur për rrethana ende të paqarta ka rënë jashtë ndërtesës, duke mbetur i varur dhe në gjendje tejet të rrezikshme. Situata ka shkaktuar panik te banorët e zonës.

Në vendngjarje kanë mbërritur dy automjete zjarrfikëse, të cilat kanë mundësuar shpëtimin e tij, ndërsa forcat e policisë kanë siguruar perimetrin dhe kanë ndjekur procedurat hetimore.

I lënduari është transportuar me urgjencë në Urgjencën Kirurgjikale të Spitalit të Përgjithshëm të Fierit, ku aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor. Forcat e policisë ndodhen edhe në ambientet e spitalit për të vijuar hetimet.

Burime bëjnë me dije se 55-vjeçari është baba i dy djemve që jetojnë në Tiranë. Shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes mbeten ende nën hetim nga autoritetet.

Policia njofton:
“Rreth orës 17:50, në lagjen “Apollonia”, Fier, shtetasi A. D., 55 vjeç, dyshohet se është vetëhedhur nga kati i tretë i pallatit ku banonte. Aktualisht ndodhet në spital për ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor vijon të jetë në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të rastit.”

Lezhë/ Makina del nga rruga dhe përmbyset, një i plagosur

By: Fax Web
21 January 2026 at 19:51

Një aksident i frikshem rrugor ka ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin Lezhë–Ishull Lezhë, pranë lagjes SMT.

Një automjet tip Benz ka humbur kontrollin dhe është përplasur me një shtyllë ndriçimi, për t’u përmbysur më pas në mes të rrugës.

Fatmirësisht, drejtuesi i mjetit ka shpëtuar pa pësuar lëndime dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila ka nisur hetimet për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit

Sali Berisha denoncon qeverisjen socialiste: Partia e krimit po shkatërron Shqipërinë

By: Fax Web
21 January 2026 at 19:39

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një bashkëbisedim me qytetarët në Njësinë 2 të Tiranës, ku kritikoi ashpër qeverisjen e Partisë Socialiste dhe akuzoi kryeministrin Edi Rama për korrupsion, ndikim të krimit të organizuar dhe pengim të rotacionit demokratik.

“Opozita ka mbijetuar furtuna dhe kurrë nuk është zhdukur. U ngritëm më të fortë, sepse qëndruam më të fortë me shqiptarët”, deklaroi Berisha, duke përmendur sfidat që sipas tij ka kaluar PD-ja gjatë viteve të fundit. Ai theksoi se gjatë periudhave kur Partia Demokratike ka qenë në pushtet janë marrë vendime të vështira, gjithmonë në shërbim të një ideali, dhe përmendi rritjen e pagave, pensioneve dhe ndërtimin e infrastrukturës si arritje të qeverisjes së tij.

Megjithatë, Berisha shtoi se korrupsioni i qeverisë aktuale është shumë më i thellë. “Edhe gjatë qeverisjes sonë kishte korrupsion, por kishte luftë të madhe kundër keqqeverisjes. Tani korrupsioni ka kapur majat”, u shpreh ai.

Ai akuzoi Partinë Socialiste se ka lindur nga krimi dhe vazhdon të veprojë sipas interesave kriminale. Sipas Berishës, sistemi i patronazhistëve dhe ndikimi i krimit të organizuar kanë penguar rotacionin demokratik dhe kanë favorizuar manipulimin e zgjedhjeve. “Rama ka shndërruar zgjedhjet në farsë. Votat janë vjedhur në 2021 dhe 2025. Një qeveri që vjedh votat e qytetarëve nuk ka legjitimitet”, deklaroi kreu demokrat.

Gjatë bashkëbisedimit, Berisha dëgjoi shqetësimet e qytetarëve dhe ripërsëriti nevojën për të mbrojtur pluralizmin, demokracinë dhe ligjin në vend, duke u angazhuar për një opozitë aktive dhe vigjilente

Kryeministri Rama pritet të takojë Ivanka Trump në Vlorë

By: Fax Web
21 January 2026 at 18:58

Kryeministri Edi Rama do të takojë në Vlorë vajzën e Presidentit amerikan, Ivanka Trump.

Vajza e Presidentit Donald Trump, Ivanka, dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, kanë mbërritur këtë të mërkurë në qytetin bregdetar mes masash të larta sigurie.

Mësohet se vizita e çiftit Trump-Kushner lidhet drejtpërdrejt me investime strategjike në sektorin e turizmit në Shqipëri.

Ata do të zhvillojnë një takim me studio arkitekturore për të diskutuar rreth mënyrës së realizimit të projekteve turistike në ishullin e Sazanit dhe në Zvërnec.

Për këto projekte janë ftuar të marrin pjesë mbi 60 studio arkitekturore, vendase dhe ndërkombëtare, të cilat do të prezantojnë ide dhe koncepte zhvillimi me standarde të larta, duke e kthyer jugun e Shqipërisë në një destinacion të turizmit luksoz.

Dhëndri i Presidentit amerikan ka marrë statusin e investitorit strategjik vitin e kaluar, pas prezantimit të projektit të tij turistik në ishullin e Sazanit, me një sipërfaqe prej 562 hektarësh, i cili është përdorur vetëm si bazë ushtarake.

Vlera e investimit parashikohet të jetë 1.4 miliardë euro. Projekti parashikon “marinë turistike, struktura akomoduese elitare, rezidenca me standard të lartë, zona gastronomike dhe zona shplodhëse me shërbime në funksion të tyre”.

Dosja 5D, lirohet nga qelia Taulant Tushe! Apeli i Gjykatës së Posaçme kalon në arrest shtëpiak ish-drejtorin e Bashkisë Tiranë

By: Fax Web
21 January 2026 at 18:40

Gjykata e posaçme e Apelit ka ndryshuar masën e sigurimit për Taulant Tushen, i arrestuar në kuadër të çështjes së 5D.

Apeli i Posaçëm e ka liruar nga qelia duke e dërguar në masën e sigurimit arrest në shtëpi.

Taulant Tusha, ish-drejtor i Planifikimit të Punëve Publike dhe komisionit të prokurimeve publike në bashkinë e Tiranës, akuzohet për shkelje të barazisë në tendera, e kryer dy herë dhe e kryer në bashkëpunim.

Për periudhën 2016-2020, SPAK ka zbuluar se “5D Konstruksion” sh.p.k ka marrë 12 tendera publikë, duke shkelur rregullat e prokurimit dhe duke siguruar përfitime prej rreth 192.7 milionë lekësh.

Po kjo kompani, ka marrë pjesë në tendera të organizuar nga UKT, Bashkia Tiranë, “Tirana Parking” dhe “Klubi Sportiv Tirana”, duke u favorizuar nga të pandehurit që ushtronin funksione publike. Përfitimet monetare janë përdorur për blerjen e pasurive dhe financimin e aktiviteteve të tjera tregtare.

VanHorn takim me ministren e Shëndetësisë, në fokus inovacioni dhe transparenca në shëndetësi

By: Fax Web
21 January 2026 at 18:34

E ngarkuara me Punë e Ambasadës Amerikane në Tiranë, Nancy VanHorn, ka zhvilluar një takim me ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala.

Në një reagim të publikuar në Facebook, Ambasada Amerikane bën të ditur se gjatë takimit u diskutuan mënyrat se si inovacioni dhe transparenca mund të transformojnë kujdesin shëndetësor në Shqipëri.

Sipas Ambasadës, palët shqyrtuan edhe rolin që kompanitë farmaceutike dhe teknologjia amerikane mund të luajnë në përmirësimin e ofrimit dhe cilësisë së shërbimeve publike të shëndetit, me synim rritjen e aksesit për të gjithë qytetarët.

“Gjatë takimit të tyre të parë zyrtar, Nancy VanHorn dhe ministrja Evis Sala diskutuan se si inovacioni dhe transparenca mund të ndikojnë pozitivisht në sistemin shëndetësor, si dhe mënyrat konkrete për të përmirësuar shërbimet e shëndetit publik”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Vendimet e qeverisë/ Erlind Sulo emërohet zv.ministër i Infrastrukturës, lirohen nga detyra prefektët

By: Fax Web
21 January 2026 at 18:05

Këshilli i Ministrave ka miratuar një sërë emërimesh dhe lirimesh nga detyra në institucionet shtetërore, gjatë mbledhjes së sotme, të datës 21 janar 2026. Vendimet u bënë publike nga Agjencia për Media dhe Informim, e cila njoftoi se njëherësh u miratuan edhe emërime dhe lirime nga detyra të disa funksionarëve në institucione shtetërore.

Sipas njoftimit zyrtar të qeverisë, Erlind Sulo është emëruar zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, duke iu bashkuar ekipit drejtues të këtij dikasteri.

Këshilli i Ministrave ka vendosur që Emiljan Jani, prefekt i Qarkut të Durrësit, të lirohet nga kjo detyrë, ndërsa në vend të tij Adrian Gurra u emërua prefekt i Qarkut të Durrësit.

Po ashtu, janë bërë ndryshimeedhe në Qarkun e Korçës. Sipas njoftimit të qeverisë, Nertil Jole, prefekt i Qarkut të Korçës, është liruar nga kjo detyrë, ndërkohë që Florinda Zegullaj u emërua prefekte e Qarkut të Korçës. Në listën e lirimeve nga detyra përfshihet edhe Inspektorati i Përgjithshëm. Qeveria ka vendosur që Shkëlqim Hajdari, inspektor i Përgjithshëm i Inspektoratit të Përgjithshëm, të lirohet nga detyra.

Përveç ndryshimeve në poste drejtuese, Këshilli i Ministrave ka miratuar edhe një sërë vendimesh të rëndësishme me ndikim në politikat publike për vitin 2026. Një nga vendimet kryesore lidhet me shëndetësinë, ku sipas njoftimit zyrtar, qeveria vendosi miratimin e financimit të shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2026.

Në fushën e sportit, qeveria ka miratuar përcaktimin e kritereve dhe të procedurave të shpërndarjes së grantit nga buxheti i shtetit për një sërë institucionesh dhe organizatash sportive. Sipas njoftimit, përfitues do të jenë Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, Komiteti Paralimpik Kombëtar Shqiptar, Organizata Kombëtare Antidoping, federatat sportive olimpike, fondacionet sportive, si dhe Këshilli i Arbitrazhit Sportiv.

Një tjetër vendim i rëndësishëm ka të bëjë me administratën publike. Këshilli i Ministrave ka miratuar planin vjetor të pranimit në institucionet e Administratës Shtetërore për vitin 2026. Sipas qeverisë, numri i vendeve vakante të planifikuara për rekrutim gjatë vitit 2026 është gjithsej 1067, të ndara sipas niveleve drejtuese dhe kategorisë ekzekutive. Në kuadër të zhvillimit ekonomik, qeveria ka vendosur shpalljen e disa zonave me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore në bashkitë Dibër, Memaliaj dhe Tepelenë, duke synuar nxitjen e zhvillimit lokal dhe mbështetjen e ekonomive rurale.

Vendime janë marrë edhe në sektorin energjetik. Këshilli i Ministrave ka miratuar ndërtimin e një centrali eolik në njësinë administrative Mollaj, Bashkia Korçë, si dhe ndërtimin e një centrali fotovoltaik në Vlashaj, njësia administrative Shupenzë, Bashkia Bulqizë. Sipas njoftimit, këto investime nuk janë objekt koncesioni dhe nuk përfitojnë nga masat mbështetëse.

Vendimet e marra në mbledhjen e 21 janarit 2026 reflektojnë një kombinim të ndryshimeve në drejtimin e institucioneve shtetërore dhe miratimit të politikave zhvillimore për vitin e ardhshëm, me fokus në shëndetësi, sport, administratë, ekonomi dhe energji.

Lirohet nga detyra drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha

By: Fax Web
21 January 2026 at 17:49

Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave vendosi lirimin nga detyra të drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha.

Vendimi është marrë në bazë të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 27 të ligjit nr.8576, datë 3 shkurt 2000, “Për bibliotekat në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

Sipas vendimit, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ngarkohet për zbatimin e tij. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe do të publikohet në “Fletoren Zyrtare”.

Kuvendi mblidhet nesër/ Mazhoranca kërkesë për miratimin e pjesëmarrjes së Shqipërisë në Bordin e Paqes

By: Fax Web
21 January 2026 at 17:30

Ditën e nesërme, më 22 janar, në orën 10:00 do të zhvillohet seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë për ratifikimin e aderimit të vendit në Bordin e Paqes për Gazën.

Sipas urdhrit të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, seanca do të mblidhet me kërkesën e një të pesta të deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

Rendi i ditës së seancës plenare përfshin njoftime dhe shqyrtimin e projektligjit titulluar.

“Për miratimin, në parim, të marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, paraqitur nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”.

Ky hap përbën një moment të rëndësishëm në politikën e jashtme të Shqipërisë, duke shënuar përfshirjen e vendit në një mekanizëm ndërkombëtar për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Gazës.

Kuvendi duhet të respektojë rregulloren/PD: Nuk kemi marrë njoftim për seancë plenare këtë javë

By: Fax Web
21 January 2026 at 17:26

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka bërë të ditur se deri në orën 16:40 të ditës së sotme nuk ka marrë asnjë njoftim nga Kryetari i Kuvendit për zhvillimin e një seance plenare gjatë kësaj jave.

Sipas njoftimit, me vendim të mazhorancës në seancën plenare të datës 19 janar 2026, në Kalendarin e Punimeve të Kuvendit është përcaktuar se këtë javë nuk do të zhvillohet seancë plenare. Seanca e rradhës është planifikuar për të mbajtur më 27 janar.

Partia Demokratike thekson se sipas pikës 3 të nenit 27/1 të Rregullores së Kuvendit, mbledhja e seancës plenare dhe rendi i ditës duhet të njoftohen për deputetët dhe publikun si rregull 7 ditë përpara, por jo më vonë se 2 ditë përpara datës së caktuar.

“Në respekt të transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve, Kuvendi duhet të respektojë rregullat e parashikuara nga Kushtetuta dhe Rregullorja, duke garantuar përgjegjshmërinë e secilit deputet gjatë ushtrimit të funksionit të tij kushtetues,” thekson Grupi Parlamentar i PD-së në njoftim.

GJKKO zbardh 42 argumentet për burgimin e vëllezërve Duka dhe grupit për vrasjen e Santiago Malkos

By: Fax Web
21 January 2026 at 17:25

GJKKO  ka shpallur këtë të martë vendimin për vrasjen e ish-policit Santiago Malko, ngjarje e ndodhur më 27 gusht 2019 në Tiranë.

Sipas njoftimit zyrtar të GJKKO-së, trupa gjykuese vendosi dënimin me 30 vite burg për të pandehurin Leonard Duka, i cili u gjet fajtor për përfshirje në vrasjen e Malkos.

Ndërkohë, Erlis Duka u shpall i pafajshëm për akuzën e vrasjes, si edhe për të gjitha episodet e tjera që lidhen me armëmbajtjen pa leje.

Për të, gjykata vendosi heqjen e masës së sigurisë, duke e liruar plotësisht nga të gjitha akuzat.

GJKKO dënoi me 25 vite burg Fatmir Hysenin, i njohur me nofkën “Doça”, si edhe Aleksandër Manxhakun. Po ashtu, me 25 vite burg u dënua edhe Oltian Loga.

Më herët, për këtë çështje janë dënuar edhe Blendi Teta dhe Ilir Selmani.

Santiago Malko u ekzekutua në gusht të vitit 2019, pasi grupi kriminal, sipas hetimeve, kishte dështuar në një atentat të planifikuar ndaj Ervis Martinajt, të cilin e konsideronte si kundërshtar të përbetuar.

Sipas dosjes hetimore, përplasja mes Leonard Dukës dhe Ervis Martinajt lidhej me konfliktet për kontrollin e lojërave të fatit.

Njoftimi i GJKKO:

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurve Leonard Duka, Erlis Duka, Fatmir Hyseni (alias Musai), Aleksandër Maxhaku, Oltian Loga dhe Dritan Agaj”.

2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Rudina Palloj, Elsa Ulliri dhe Gerd Hoxha, me vendimin nr. 5, datë 21.01.2026 vendosi:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Leonard Duka, për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, në dëm të viktimës S.M (ngjarja e datës 27.08.2019), parashikuar nga nenet 78, pg 2 në lidhje me nenet 28/4 dhe 334, pika 2 të Kodit Penal, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 28 (njëzet e tetë) vite burgim.

2. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Leonard Duka, për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 278, pg 1 në lidhje me nenet 28/4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja d) të K.Pr.Penale, pasi nuk provohet që e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Leonard Duka, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a pg 1 i Kodit Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 5 (pesë) vite burgim.

4. Deklarimin fajtor të të pandehurit Leonard Duka, për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit, parashikuar nga neni 278 paragrafi 3 të Kodit Penal, (municionit) (ngjarja e datës 08.04.2019), parashikuar nga neni 278 pg 3 i Kodit Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 4 (katër) muaj burgim.

5. Deklarimin fajtor të të pandehurit Leonard Duka, për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”(armët e zjarrit) (ngjarja e datës 08.04.2019), parashikuar nga neni 278 pg 4 i Kodit Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.

6. Pushimin e çështjes në ngarkim të të pandehurit Leonard Duka, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve (ngjarja e datës 08.04.2019), parashikuar nga neni 283 pg 1 i Kodit Penal, në referim të nenit 387, pika 1 dhe 328 pika 1, të K.Pr.Penale, pasi fakti nuk përbën vepër penale.

7. Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehuri Leonard Duka dënohet me një dënim të vetëm prej 30 (tridhjetë) vite burgim.

8. Llogaritja e dënimit fillon nga dita e arrestimit dhe dënimi me burgim nga i pandehuri Leonard Duka do të vuhet në një burg të sigurisë së lartë, në referim të parashikimeve të nenit 16, pika 1, shkronja a) të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.

9. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Erlis Duka, për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, në dëm të viktimës S.M,(ngjarja e datës 27.08.2019) parashikuar nga nenet 78 pg 2 në lidhje me nenet 28/4 dhe 334, pika 2 të Kodit Penal, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja d) të K.Pr.Penale, pasi nuk provohet që e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

10. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Erlis Duka, për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 278, pg 1 në lidhje me nenet 28/4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja d) të K.Pr.Penale, pasi nuk provohet që e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. 11. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Erlis Duka, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a pg 1 i Kodit Penal, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja d) të K.Pr.Penale, pasi nuk provohet që e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. 12. Bazuar në nenet 261 dhe 389 të Kodit të Procedurës Penale, heqjen e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj të pandehurit Erlis Duka me vendimin nr. 145 datë 10.10.2019 të ish/Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë. 13. Deklarimin fajtor të të pandehurit Fatmir Hyseni (alias Musai), për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, në dëm të viktimës S.M,(ngjarja e datës 27.08.2019) parashikuar nga nenet 78 pg 2 në lidhje me nenet 28/4 dhe 334, pika 2 të Kodit Penal, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 25 (njëzet e pesë) vite burgim. 14. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Fatmir Hyseni (alias Musai), për kryerjen e veprës penale“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 278, pg 1 në lidhje me nenet 28/4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja d) të K.Pr.Penale, pasi nuk provohet që e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. 15. Deklarimin fajtor të të pandehurit Fatmir Hyseni (alias Musai), për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a pg 2 i Kodit Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim. 16. Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehuri Fatmir Hyseni (alias Musai) dënohet me një dënim të vetëm prej 25 (njëzet e pesë) vite burgim. 17. Llogaritja e dënimit fillon nga dita e ekzekutimit dhe dënimi me burgim nga i pandehuri Fatmir Hyseni (alias Musai) do të vuhet në një burg të sigurisë së lartë, në referim të parashikimeve të nenit 16, pika 1, shkronja a) të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”. 18. Deklarimin fajtor të të pandehurit Aleksandër Maxhaku, për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, në dëm të viktimës S.M,(ngjarja e datës 27.08.2019) parashikuar nga nenet 78 pg 2 në lidhje me nenet 28/4 dhe 334, pika 2 të Kodit Penal, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 25 (njëzet e pesë) vite burgim. 19. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Aleksandër Maxhaku, për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 278, pg 1 në lidhje me nenet 28/4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja d) të K.Pr.Penale, pasi nuk provohet që e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. 20. Deklarimin fajtor të të pandehurit Aleksandër Maxhaku, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a pg 2 i Kodit Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim. 21. Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehuri Aleksandër Maxhaku dënohet me një dënim të vetëm prej 25 (njëzet e pesë) vite burgim. 22. Llogaritja e dënimit fillon nga dita e ekzekutimit dhe dënimi me burgim nga i pandehuri Aleksandër Maxhaku do të vuhet në një burg të sigurisë së lartë, në referim të parashikimeve të nenit 16, pika 1, shkronja a) të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”. 23. Deklarimin fajtor të të pandehurit Oltian Loga, për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, në dëm të viktimës S.M,(ngjarja e datës 27.08.2019) parashikuar nga nenet 78 pg 2 në lidhje me nenet 28/4 dhe 334, pika 2 të Kodit Penal, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 25 (njëzet e pesë) vite burgim. 24. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Oltian Loga, për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 278, pg 1 në lidhje me nenet 28/4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja d) të K.Pr.Penale, pasi nuk provohet që e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. 25. Deklarimin fajtor të të pandehurit Oltian Loga, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a pg 2 i Kodit Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim. 26. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Oltian Loga, për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit, parashikuar nga neni 278 paragrafi 3 të Kodit Penal, (municionit) (ngjarja e datës 08.04.2019), parashikuar nga neni 278 pg 3 i Kodit Penal, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja d) të K.Pr.Penale, pasi nuk provohet që e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. 27. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Oltian Loga, për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i ameve, armeve shpërthyese dhe i municionit”(armët e zjarrit) (ngjarja e datës 08.04.2019), parashikuar nga neni 278 pg 4 i Kodit Penal, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja d) të K.Pr.Penale, pasi nuk provohet që e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. 28. Pushimin e çështjes në ngarkim të të pandehurit Oltian Loga, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve (ngjarja e datës 08.04.2019), parashikuar nga neni 283 pg 1 i Kodit Penal, në referim të nenit 387, pika 1 dhe 328 pika 1, të K.Pr.Penale, pasi fakti nuk përbën vepër penale. 29. Deklarimin fajtor të të pandehurit Oltian Loga, për kryerjen e veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, parashikuar nga neni 323 pg 1 i Kodit Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 6 (gjashtë) muaj burgim. 30. Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehuri Oltian Loga dënohet me një dënim të vetëm prej 25 (njëzet e pesë) vite burgim. 31. Llogaritja e dënimit fillon nga dita e ekzekutimit dhe dënimi me burgim nga i pandehuri Oltian Loga do të vuhet në një burg të sigurisë së lartë, në referim të parashikimeve të nenit 16, pika 1, shkronja a) të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”. 32. Deklarimin fajtor të të pandehurit Dritan Agaj, për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, në dëm të viktimës S.M,(ngjarja e datës 27.08.2019) parashikuar nga nenet 78 pg 2 në lidhje me nenet 28/4 dhe 334, pika 2 të Kodit Penal, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 25 (njëzet e pesë) vite burgim. 33. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Dritan Agaj, për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 278, pg 1 në lidhje me nenet 28/4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja d) të K.Pr.Penale, pasi nuk provohet që e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. 34. Deklarimin fajtor të të pandehurit Dritan Agaj, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a pg 2 i Kodit Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim. 35. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Dritan Agaj, për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit, parashikuar nga neni 278 paragrafi 3 të Kodit Penal, (municionit) (ngjarja e datës 08.04.2019), parashikuar nga neni 278 pg 3 i Kodit Penal, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja d) të K.Pr.Penale, pasi nuk provohet që e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. 36. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Dritan Agaj, për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”(armët e zjarrit) (ngjarja e datës 08.04.2019), parashikuar nga neni 278 pg 4 i Kodit Penal, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja d) të K.Pr.Penale, pasi nuk provohet që e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. 37. Pushimin e çështjes në ngarkim të të pandehurit Dritan Agaj, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve (ngjarja e datës 08.04.2019), parashikuar nga neni 283 pg 1 i Kodit Penal, në referim të nenit 387, pika 1 dhe 328 pika 1, të K.Pr.Penale, pasi fakti nuk përbën vepër penale. 38. Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehuri Dritan Agaj dënohet me një dënim të vetëm prej 25 (njëzet e pesë) vite burgim. 39. Llogaritja e dënimit fillon nga dita e ekzekutimit dhe dënimi me burgim nga i pandehuri Dritan Agaj do të vuhet në një burg të sigurisë së lartë, në referim të parashikimeve të nenit 16, pika 1, shkronja a) të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”. 40. Në bazë të nenit 190, pika 1 të K.Pr.Penale e sekuestruara, disponohen si më poshtë: – Automjeti tip “Skoda Roomster’’ me targa **** – të konfiskohet duke kaluar në favor të shtetit; – Automjeti Volkzvagen Golf 5 me targë **** – të konfiskohet duke kaluar në favor të shtetit; – Aparat celular i shtetasit R.M, i markës Huawei seria P30, me nr.IMEI: **** dhe IMEI 2: ****, me kartë SIM me nr.telefoni ****, nr. telefoni **** – t’i kthehet personit që i përket. – Portofol Luis Vuiton ngjyrë e zezë (gjetur në automjetin Audi8) i cili në brendësi të tij ka katër kartëmonedha 50 euro, 1 kartëmonedhë 20 euro,1 kartëmonedhë 10 euro, një kartë Credins Bank, dhe një copë letër e verdhë – t’i kthehet personit që i përket. – Automjeti mercedez benz CLS me targa **** – të qëndrojë në ruajtje në funksion të proçedimit të ndarë. – Dy telefonat e viktimës S.M: Celular i markës IPHONE X me nr. IMEI **** me kartë SIM me nr. **** dhe Blackberry me kartë Sim Telekom me nr. **** – të qëndrojë në ruajtje në funksion të proçedimit të ndarë. – Dy aparate celulare të të pandehurit Leonard Duka: Një aparat celular i markës Samsung me nr. IMEI: **** dhe IMEI 2: **** dhe një aparat celular me mbishkrimin **** me nr. të stampuar në pjesën e pasme të tij **** me nr. IMEI: **** dhe IMEI 2: **** – të qëndrojë në ruajtje në funksion të proçedimit të ndarë. – Aparat celular i markës Samsung i të pandehurit Dritan Agaj me nr. IMEI : **** dhe IMEI2: **** – të qëndrojë në ruajtje në funksion të proçedimit të ndarë. – Aparate celulare të markës: Samsung model SM-G965F me nr.IMEI **** dhe IMEI2: ****; Samsung model SMJ320FN me nr.IMEI: ****; IPHONE model A1586 me nr. IMEI: **** ku brenda tij ka kartën SIM me nr.serial **** – të qëndrojë në ruajtje në funksion të proçedimit të ndarë. – Një USB me mbishkrimin ****, sekuestruar në automjetin Skoda me targë ****; Një fletore me vija të gjera ku në kapakun e saj ka mbishkrimin “****” në faqen e parë fillon me muajin Qershor, e shkruar me shkrim dore dhe vijon me targën e automjetit **** etj; Një DVR me nr.serial ****, IP adrese **** (e sende te tjera të lëna në ruajtje në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë) – të qëndrojë në ruajtje në funksion të proçedimit të ndarë. 41. Shpenzimet procedurale në fazën e hetimeve paraprake si dhe shpenzimet gjyqësore (sipas formularit përkatës bashkëlidhur) i ngarkohen të pandehurve te deklaruar fajtorë, në mënyrë solidare. 42. Kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar. Tiranë, më datë 21.01.2026 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

 

❌
❌