The Elemental Reason – Arsyeja Elementare
Last Updated on 25/01/2026 by Monika
Nga Erl Kodra
Shënim:
Isha në dilemë nëse është ide e mirë të shkruaj këtë tekst, si detyrim ndaj vetes dhe ndaj jush. Në fund vendosa se ajo që vjen më pas, ka rëndësi. Teksti i mëposhtëm është dëshmia ime autentike.
_____________________________________
Kur isha i vogël e ngrija kryet drejt qiellit dhe numroja yjet. Imagjinata ime merrte krahë në përpjekje për të kuptuar se sa larg mund të jenë ato dritëza të vogla, ndërsa Hana e plotë më ngjante me një fytyrë plot trishtim. Unë pata privilegjin që fëmijërinë e kam kaluar mes malesh rrëzë Alpeve Shqiptare, aty ku natyra shfaqet me gjithë madhështinë e saj; me verë të nxehtë dhe të thatë, dhe dimër të ftohtë dhe të ashpër. Qielli i Alpeve gjatë verës është kristal i qartë.
Unë nuk e di se çfarë ndodhi me mua, por unë nuk mund ta hiqja mendjen nga yjet. Çdo çast e gjeja veten duke menduar në mënyrë të pavullnetshme për ato dritëza të forta, si të vendosura me dorë në blunë e errët të natës. Dikur shkoja të flija me mendjen tek ai mister i përjetshëm dhe i padeshifrueshëm, për t’u përsëritur çdo herë; ditën dhe natën, papushim.
Dikur fillova të shkruaj poezi që çuditërisht ishin të mbushura me imazhe dhe metafora yjesh. Ishte e pamundur që të shkruaja katër vargje pa atë përmasë që kishte përfshirë gjithë qenien time, njëlloj imazhizmi hermetik që më tërhiqte si graviteti. Unë kisha mbetur brenda një misteri ekzistencial prej të cilit nuk mund të largohesha më kurrë. Të paktën jo pa u përpjekur të kuptoj se çfarë do të thotë “të ekzistosh”? Jo në kuptimin literal të fjalës, por në kuptimin më të thellë dimensional.
Unë jetoj në Tokë – një planet plot jetë në mes të Universit. Që energjinë e merr nga një yll i vogël që e quajmë Diell. Toka ka edhe një satelit të bukur që quhet Hanë. Me ujë të bollshëm në dete dhe oqeane, tokë, male, fusha, dhe një atmosferë plot oksigjen. Me miliona specie të gjalla që formojnë sistemin e vetëm kompleks të jetës që ne njohim në Univers. Ne kemi fatin të jemi banorë të një mrekullie kozmike, dhe unë jam një ndër individët me fat ndër miliarda qenie të gjalla në këtë planet.
Çdo milisekondë të ekzistencës time unë bashkëveproj me universin. Trupi im i bindet fushës gravitacionale, marr rreze dielli, mushkëritë e mia mbushen me oksigjenin që është krijuar miliarda vjet më parë në yjet e largët, ndërsa hekuri në gjak përcjell këtë oksigjen në çdo qelizë të trupit tim. Unë ha ushqim që është krijuar nga po e njëjta materie, përmes të njëjtave procese. Kështu bashkë-ekzistojmë rreth 8 miliardë njerëz dhe miliona specie të tjera. Jeta është madhështore, por …
Por çfarë do të thotë “të ekzistosh”? Çdo njëri prej jush mund të bëjë të njëjtën pyetje vetes, dhe do të kuptojë se jeta e tij, ekzistenca e tij, është e lidhur pazgjidhshmërisht me tre gjëra njëkohësisht:
Aftësinë që ka qenia e tij për të ruajtur formën njerëzore në kohë,
Të ndërveprojë me mjedisin ku jeton, të marrë frymë, të ushqehet,
Dhe të ruajë kompleksitetin dhe funksionin e organeve që e mbajnë trupin dhe mendjen e tij në funksion.
Çdonjëra prej këtyre vetive është jetike për ekzistencën. Nuk ka asnjë alternativë tjetër përveçse përmbushjes.
Dikur unë isha “një atlet” i lindur. Vrapoja papushim mbrëmjeve të verës bashkë me vëllezërit e mi, zabeleve dhe rrgajave. Herë-herë ndaloja dhe shikoja qiellin dhe pyesja veten: çfarë jam unë, çfarë është ky gur, çfarë është kjo pemë, po ai krua? Pse rrjedh papushim? E merrja gurin në dorë, e shikoja me ngulm, pandërprerje, dhe imagjinoja grimcat e gurit ngjitur me njëra-tjetrën, duke i dhënë gurit atë formë të ngurtë, të njëtrajtshme, hermetike. Pastaj shihja pemën dhe gjethet që lëviznin lehtë nën flladin e mbrëmjes. Po pse fryn era? A është ajo e gjallë? Dhe pse vdes njeriu po nuk mori frymë, të mbushë mushkëritë me ajër?
Në orën e biologjisë përpija çdo fjalë të mësuesit. Dikur ndjeva se nuk më mjafton ajo që lexoja në librat e shkollës, dhe fillova të gjurmoj çdo gjë të shkruar rreth kimisë, biologjisë, fizikës, yjeve, Diellit, planetëve. Por nuk po gjeja akoma “pse”-në që kërkoja.
Pse ekzistojmë? Jo thjesht unë si individ, por pse ekzistojmë të gjithë, unë, ti, njerëzit e tjerë, pemët, toka, gurët, ajri, yjet, planetët, mollët, arat, makinat, rrugët. Sepse ndërkohë e kisha kuptuar se unë jam pjesë e këtij realiteti që e perceptoja dhe e përjetoja si realitet.
Ndërkohë që atëherë kuptova se gjithçka ishte e lidhur me njëra-tjetrën; në një unitet të pazgjidhshëm, të pandashëm, të pandërprerë. Por akoma nuk e dija se çfarë ishte; Toka me ujin, uji me bimët, bimët me tokën, toka me bimët, bimët me ajrin, ajri me dritën, drita me Diellin, Dielli me Tokën, toka me gurët, gurët me malet, malet me borën, bora me dimrin, dimri me pranverën, pranvera me shiun, shiu me lumin, lumi me detin, deti me oqeanin, oqeani me valët, valët me baticën, batica me Hanën, Hana me yjet, yjet me galaktikat, galaktikat me Universin, Universi i lidhur me mua. Unë i dija të gjitha këto. Por nuk po e gjeja “pse”-në. Më dukej se më mungonte diçka shumë e thjeshtë, që e kisha në rrëzë të gjuhës, gati për ta thënë, por në çastin e fundit më zhdukej, dhe në mendjen time ngrihej një mur. I pakapërcyeshëm.
Pa vetëdije ndaloja dhe vëzhgoja për minuta të tëra foletë e milingonave, ato qytete në miniaturë, me rrugë dhe trotuare, me kthesa, kryqëzime dhe bulevarde, që ato gjallesa të vogla popullonin të njëjtin planet ku ekzistoja edhe unë. I mahnitur nga ndërveprimi dhe koherenca e pashoqe me të cilën kishin ndërtuar mbretërinë minimale në shkallët e ekzistencës. Çfarë mahnie!
Kështu, kalova vitet më të mira të jetës mes meditimit, leximeve dhe poezisë hermetike.
Në grimën e vogël
Në grimën e vogël të kthesës së murrme,
Me frymën e thellë të thelbit tragjik,
Lëviz mbi qerpik pak pluhur i verdhë
Në mal bie ylli i fundit atë natë,
Pranë grimës së vogël, në malin e rrallë
Të heshtur, pa frymë janë gurët e drurët,
Një djalë syjeshil lëkundet në degë,
Pamja trishtohet vetiu në harresë…
Nuk ka asnjë perde, koha ndalon
As drita nuk bie, as nata nuk vjen
Të mbushësh pesë gishtat e dorës me dhé
Të heshtësh së mbrami si guri në varr
Të bësh dashuri me tokën, ngadalë.
Në degët e lisit varur një emër,
Si zog i murosur këndon bukurinë
E heshtjes së gjatë se koha ndaloi,
E zërat nuk bien nga qielli gjithmonë
I fundit ra ylli në malin përballë.
Tiranë 2005
Mëngjesin e 20 Tetorit 2025, si zakonisht dola në ballkon të tymos një cigare. Dielli i vjeshtës sapo kishte prekur kurorat e kuqrremta të lisave përballë shtëpisë. Kafja e nxehtë dhe aroma e fortë e duhanit më dhanë atë lloj qetësie përhumbëse, një gjendje që unë e kërkoja pa vetëdije, i gatshëm të shkruaja ndonjë varg nëse më vinte në mendje. Por çuditërisht fillova të mendoj për Diellin që po u jepte atë dritë argjendi gjetheve të lisave. Dhe mendova:
Çfarë bukurie! Dhe unë, vëzhguesi, që e kuptoj se sa unike është kjo pamje, që e di se kjo harmoni ka diçka të përbashkët, që nuk ndalet asnjëherë, edhe nëse qielli është me re, bie borë apo shi; është natë apo ditë. “Pse”-ja filloi të më sillej rrotull, të më pushtonte qenien, sepse e ndjeja sa afër isha.
Po sikur rrezet e Diellit të ndalonin? Ato grimcat e vogla që quhen fotone, të ndalonin së udhëtuari me 300,000 kilometra në sekondë? Domethënë, jo të shuhej Dielli, por të ndalonin fare, në vend, të rrinin pezull. Çfarë ndodh?
Skenari ishte i llahtarshëm. Për një moment desha ta largoj atë tmerr nga mendja. Por jo, sepse ndjeja se diçka po ndodhte në mendjen time, dhe nuk doja ta humbisja atë çast, ato momente që mund të ishin vendimtare për të zgjidhur enigmën. Po pse drita rrjedh me atë shpejtësi? Pse jo më pak ose më shumë? Po sikur të ndalojë? Domethënë, të rrijë pezull.
Ah, realiteti që kisha parasysh “filloi” të zhdukej. Nuk ishte errësirë, sepse errësira nënkupton mundësinë e dritës. Sepse gjysmën e jetës ne e kalojmë pa dritën e Diellit, por e dimë se …
“Dielli në mëngjes do lindi përsëri,
Qytetit t’i bëjë dritë e lulet t’i harlisë”
Por nuk kishte asgjë, sepse drita nuk përcillej, informacioni kishte ndalur, ndërveprimi kishte pushuar, dhe bashkë me të, edhe realiteti. Nuk kishte asgjë. Ishte zhdukur hapësira, sepse edhe hapësira kërkon dritë. Dhe drita nuk funksionon ndryshe, përveçse me 300,000 kilometra në sekondë. Edhe pemët para meje u zhdukën, bashkë me ballkonin; edhe unë u zhduka. Nuk kishte mbetur asgjë, Hiçi Absolut. As unë, as bota, as Universi. Ishte Anulimi Absolut. Gjithçka u fshi. Fup.
I etur, kisha djegur paketën e duhanit. Pastaj mora celularin dhe i shkrova vetes një mesazh:
E = C x I x K ≠ 0
Shënim i redaksisë:
Lexuesit që dëshirojnë të njihen më në detaje me dokumentet e përmendura në këtë shkrim, mund t’i shkarkojnë ato duke klikuar në linqet e mëposhtme.
https://papers.ssrn.com/sol3/papers.cfm?abstract_id=6087226
https://papers.ssrn.com/sol3/papers.cfm?abstract_id=5847503
