Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 17 January 2026Main stream

Snopçe: VLEN heshti për diasporën dhe kontribuoi në përjashtimin e saj

17 January 2026 at 20:32


Deputeti i ASH-së, Halil Snopçe, ka reaguar ashpër ndaj koalicionit VLEN, duke e akuzuar për heshtje të vazhdueshme dhe mungesë reagimi lidhur me çështjen e diasporës.

Sipas Snopçes, për disa herë është ushtruar trysni ndaj kryeministrit Mickoski, me kërkesë që qeveria të ndryshojë vendimin për heqjen e diasporës nga përllogaritja e numrit të këshilltarëve komunalë. Në të gjitha këto raste, siç thekson ai, VLEN ka zgjedhur të heshtë.


“Disa herë kemi ushtruar trysni ndaj Mickoskit dhe kemi kërkuar që qeveria të ndryshojë vendimin për heqjen e diasporës nga përllogaritja e numrit të këshilltarëve. Në të gjitha këto raste, VLEN ka heshtur.
VLEN asnjëherë nuk e ngriti zërin për uljen e numrit të këshilltarëve në komunat kryesisht shqiptare, si pasojë e heqjes së diasporës nga kjo përllogaritje.
Heqja e diasporës nga ana e qeverisë ka pasur ndikim negativ për komunat shqiptare edhe në aspektin ekonomik, pasi në shpërndarjen e mjeteve financiare nga qeveria diaspora nuk merret parasysh. Edhe në këtë rast, VLEN vazhdoi të heshtë.Në zgjedhjet e përsëritura në Gostivar dhe Vrapçisht u shkel ligji, duke mos u lejuar votimi më 28 dhjetor, kur mërgata ishte në vendlindje. Zgjedhjet u shtynë për më 11 janar me qëllim që të pengohej votimi i diasporës. Edhe këtu, VLEN heshti. Ne ushtruam disa herë trysni ndaj ministrit të Drejtësisë, Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit, por VLEN vazhdoi me heshtje totale.
Në Kuvend lexuam emrat e 130 personave të vdekur (aq sa na lejonte koha), të cilët ende figuronin në listat zgjedhore dhe nuk ishin fshirë. Kërkuam sqarime, por VLEN vazhdoi me heshtjen totale.
Si përfundim, VLEN është ai që e fshiu diasporën nga llogaritjet, që nuk e mori atë në konsideratë dhe që nuk tregoi asnjë interes për përfshirjen e saj. Me heshtjen e tij totale, VLEN kontribuoi drejtpërdrejt në mos­përfshirjen e diasporës. Prandaj, është paturpësi dhe imoralitet të akuzohen të tjerët për çështjen e diasporës” ka shkruar Snopçe

Iseni: Për një vit e gjysmë janë avancuar 300 shqiptarë në polici

17 January 2026 at 20:01


Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni në intervistën “1+1” në TVM2 duke folur për projektin “Safe City”, ka thënë se insistohet që nga fillimi që njoftimet me SMS nga policia të arrijnë edhe në gjuhën shqipe.
Kjo sipas tij është folur edhe në takimin e fundit të liderëve të thirrur nga kryeministri Hristijan Mickoski, të cilën e ka hapur njëri nga liderët e VLEN, Bilall Kasami.
“Meqë ka pasur edhe kërkesa tjera në lidhje me ‘Safe City’ që janë adresuar periudhën e fundit, ajo që duhet të japim përgjigje është se SMS porositë vijnë në gjuhë maqedone. Për neve kjo normalisht paraqet problem dhe duhet ta ngrisim këtë çështje më lart. Në takimin e fundit të liderëve është diskutuar edhe kjo që SMS-të për gjobat të vijnë edhe në gjuhën shqipe, ku njëri nga liderët e VLEN e ka ngritur këtë çështje si shumë të rëndësishme”, ka thënë Iseni.
Sipas tij, janë dakorduar edhe pikat e mëparshme në lidhje me përfaqësimin e gjuhës shqipe siç është ajo te uniformat, veturat dhe gjithkund tjetër që këto të rregullohen në bazë të kushtetutës.
“Qëndrojmë decid në këtë dhe unë kam ngritur zërin që nga fillimi që çdo material madje që del nga kabineti im të jetë në dygjuhësi dhe jemi duke u munduar që të sanojmë problemet e qeverisjes së kaluar”, ka theksuar Iseni.
Lidhur me avancimin e shqiptarëve në pozita udhëheqëse në MPB, Iseni ka thënë se në këtë aspekt qëndrojmë shkëlqyeshëm.
“Për një vit e gjysmë janë avancuar rreth 300 shqiptarë, pra sa u përket avancimeve në pozita, ka prej ish zv/ministrave që për një periudhë katërvjeçare nuk kanë arrit t’i arrijnë dhjetëra. Është për lëvdatë, por nuk kemi bërë shumë reklamë apo piar dhe kemi lënë që veprat të flasin vetë”, ka nënvizuar numri dy i MPB-së, Astrit Iseni.

Për shkak të defektit pa ngrohje qendrore një pjesë e Qendrës, Aerodromit, Novo Lisiçes, Kisella Vodës dhe Autokomandës

17 January 2026 at 19:29


EMV Furnizimi me ngrohje informon se për shkak të defektit në rrjetin distributiv në këtë moment ka ndërprerje të dërgesës së energjisë ngrohëse tek konsumatorët nga Qendra, Aerodromi, Lisiçe e Re, Kisella Voda dhe Autokomanda.
“Ekipet e EMV Furnizimi me ngrohje janë në terren me qëllim të detektimit të saktë të defektit dhe izolimit me qëllim të vendosjes së dërgesës normale të energjisë ngrohëse”, thuhet në informatën e publikuar në ueb faqen e kompanisë.
Për informata shtesë, konsumatorët mund të paraqiten në Qendrën për kujdes të konsumatorëve në numrat e telefonit (02) 3076 200 и 075 400 100.

Aliu: Ligji kundër duhanpirjes është evropian

17 January 2026 at 18:58


Ligji i propozuar për mbrojtje nga duhanpirja, i përgatitur nga Ministria e Shëndetësisë, i cili parasheh ndalim të duhanpirjes në hapësira të mbyllura publike dhe të punës, ka shkaktuar reagime të ndara në opinion. Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, përmes një komunikate theksoi se ky ligj është në përputhje me standardet evropiane dhe rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve.

“Duhanpirja është zgjedhje personale e qytetarit, por hapësira e përbashkët e mbyllur që përdoret nga i gjithë kolektivi nuk guxon të jetë vend ku zgjedhja e individëve shndërrohet në rrezik për shëndetin e të tjerëve. Ligji i propozuar për mbrojtje nga duhanpirja nuk rregullon nëse dikush do të pijë duhan apo jo, por vetëm përcakton qartë se ku nuk lejohet kjo, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të të gjithë personave të pranishëm”, tha Azir Aliu.
Sa i përket objekteve hoteliero-gastronomike dhe ndikimit të ligjit në punën e tyre, Aliu vlerëson se ai nuk do të ketë ndonjë ndikim negativ.
Përvojat nga vendet evropiane që tashmë kanë zbatuar zgjidhje të tilla ligjore, si Irlanda, Mbretëria e Bashkuar dhe shumë të tjera, tregojnë se këto masa nuk përbëjnë goditje për gastronominë dhe të ardhurat e saj, por një tranzicion drejt një ambienti më të rregulluar, më cilësor dhe më të parashikueshëm në objektet hoteliero-gastronomike”, deklaroi Azir Aliu.

​Maqedoni, heqja e vizave të emigrimit për SHBA nuk nënkupton përkeqësim të marrëdhënieve me vendin

17 January 2026 at 18:18


Vendimi për pezullimin e vizave të emigrimit për qytetarët nga Maqedonia e Veriut, i marrë nga SHBA, është miratuar në kuadër të politikës së tyre të përforcuar të migrimit, vlerëson ish-ambasadori i vendit në SHBA, Vasko Naumovski. Në një deklaratë për Alsat, Naumovski theksoi se pavarësisht këtij vendimi, për vizat e qëndrimit në SHBA, të cilat janë më të kërkuarat nga qytetarët tanë, do të mund të aplikohet më tej.

“Përkohësisht i ngrijnë procedurat për vizat e emigrimit, me qëllim të verifikohet nëse i gjithë ai sistem për përdorimin e ndihmës sociale është në përputhje me ligjet e tyre apo jo. Bëhet fjalë vetëm për ndërprerje të përkohshme të lëshimit të vizave të emigrimit, dhe jo për ato turistike, apo vizitat afariste apo vizat studentore të cilat në masë më të madhe përdoren nga qytetarët tanë”, Deklaroi Vasko Naumovskit, ish-ambasador i Maqedonisë në SHBA.

Menjëherë pas vendimit që Maqedonia e Veriut të shtohet në listën e vendeve për të cilat nuk do të lëshohen viza emigrimi për qëndrim në SHBA, kryeministri Hristijan Mickoski tha se megjithatë së shpejti pret lajme të mira nga Uashingtoni. Sipas Naumovskit, lajmet e mira mund të jenë në drejtim të heqjes së vizave turistike për hyrje në SHBA, diçka për të cilën ai thotë se po negociohet rreth 15 vite.
“Po ndërmerren disa hapa në fusha të ndryshme, me qëllim që të plotësohen kriteret që qytetarët e Maqedonisë të jenë pjesë e qytetarëve të cilëve nuk do t’u nevojiten viza për hyrje në SHBA. Ky është një qëllim afatgjatë dhe besoj se në periudhën përpara nesh, ai dialog do të intensifikohet dhe eventualisht të presim rezultate në atë drejtim”, Tha Vasko Naumovski, ish-ambasador i Maqedonisë në SHBA.

Nga ana tjetër, sipas të dhënave të fundit të Departamentit të Shtetit, numri i vizave të emigrimit nga Maqedonia në SHBA ka shënuar ulje në dekadën e fundit. Kështu, në vitin 2024 numri i vizave të lëshuara për shtetas të Maqedonisë ishte 573, ndërsa në vitin 2016 ky numër kishte qenë 1.354. /Alsat.mk

Sistemi Qytet i Sigurt, Filipçe: Do të kërkojmë debat për dënimet

17 January 2026 at 17:51


Projekti Sejf Siti pritet që javën tjetër të miratohet në kuvend, por kabineti i kryeparlamentarit Afrim Gashi ende nuk ka caktuar seancë për këtë çështje. Nëse kordinatorët e grupeve parlamentare për disa pika i kanë sqaruar deputetët e BDI-së, social demokratët do të kërkojnë debat në kuvend për çështjen e gjobave dhe fatin e të dhënave në sistem.


Kryetari i LSDM-së Venko Filipçe tha se e mbështesim ligjin në pjesën me të cilin rregullohet një pjesë e trafikut dhe ulet rreziku nga fatëkeqësi por duhet diskutuar këto dy çështje.


“E para në kontekstin aktual sa i takon pozitës ekonomike të qytetarëve, do të duhet të flitet për lartësinë e dënimeve dhe e dyta se kush i kontrollon sasinë e madhe të të dhënave të cilat I mbledh sistemi Sejf Siti. Bëhet fjalë për një qeveri e cila ka histori të keqpërdorimeve të shërbimeve të sigurisë, ndjekje, përgjime të një pjese të madhe të qytetarëve. Nuk jemi komod që thjesht kjo pjesë të kaloj pa diskutim. Dyshojmë se këto të dhëna mund ti keqpërdorin për interesa të ngushta partiake. Andaj do të debatohet në kuvend për këto dy çështje”, deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.


Gjobat që parashikohen pas regjistrimit të shkeljeve në kamerat e sigurisë janë nga 15 deri në 300 euro. Kryeministri Hristijan Mickoski optimist se ligji për kundërvajtje do të kalojë në kuvend dhe nga një shkruti do të nis jetësimi I të njëjtit.


Edhe partitë tjera koalicioni VLEN, lëvizja E Di por edhe E Majta janë shprehur për bashkëpunim rreth miratimit të ligjit.

Gastronomët në Ohër dhe Strugë kërkojnë nga Qeveria të shtyjë hyrjen në fuqi të ligjit të ri për duhanin

17 January 2026 at 17:27


Gastronomët në Ohër dhe Strugë kërkojnë nga qeveria të shtyjë hyrjen në fuqi të ligjit të ri për duhanin ose deri në fund të sezonit veror në mënyrë që të kenë kohë të përshtaten me rregullat e reja. Ata gjithashtu përgatisin një peticion që do t’ia dorëzojnë autoriteteve kompetente.
“Përmendet se është nga 1 marsi. Do të thosha nëse mund të shtyhet për të paktën një ose dy muaj. Dhe atje, diku nga 1 maji, kur do të jetë ngrohtë të sugjerohet si i tillë që vizitorë të shkojnë ku është më ngrohtë, ndërsa për më tej të mendohet për ato zona të pirjes së duhanit që duhet të jenë brenda. Ka sisteme të tilla, janë të shtrenjta, por nëse dikush mendon se duhet të ketë pirje duhani në lokal, ata do të investojnë në një sistem të tillë”, tha Kërste Blazheski, Kryetar i HOTAM.
Gastronomët druajnë se ligji i ri me të gjitha dispozitat që ofron tani do të ndikojë ndjeshëm në qarkullimin e tyre dhe në numrin e vizitorëve.
“Pirja e duhanit zvogëlon turistët ata që duan të vijnë në pushime. Dikush dëshiron të pijë duhan, dikush nuk dëshiron, dhe ne si hotelierë duhet t’u sigurojmë kushte. Pasi thuhet se ligji duhet të jetë i rreptë në hapësirë të mbyllur, të mbyllet gjithçka, dhe njerëzit të dalin jashtë për të pirë duhan, kjo do të zvogëlojë qarkullimin tonë. Me siguri do të reflektohet, sepse me vetë rezervimet që na vijnë, 45% e kërkesave janë me kushte nëse mund të pihet duhan apo jo”, u shpreh Musa Rashid, pronar hoteli.
“Nëse e bëjmë këtë tani, do të jetë rigoroze, në mars ka ende ditë të ftohta, ku do të duhet të dalim jashtë, sepse nuk kemi tarraca të hapura në tre anë dhe është e pamundur t’i ngrohim në temperatura 0 gradë. Ata do të diskriminohen në një mënyrë, por derisa të gjendet mënyra e duhur, ligji do të duhet të shtyhet, ne të përgatitemi dhe të gjejmë një zgjidhje të përshtatshme, që do të jetë e mirë për të gjithë”, deklaroi Kërste Blazheski, Kryetar i HOTAM.
Ata shpresojnë se qeveria do t’i shqyrtojë kërkesat dhe vërejtjet e tyre. Bëhet fjalë për një industri që gjeneron 7,7% të Prodhimit Bruto Vendor, me mbi 30,000 punonjës dhe një qarkullim vjetor prej mbi 500 milionë euro.

Objektet pa leje në Tetovë, afati deri më 3 mars për legalizimin e tyre

17 January 2026 at 16:54


Mbi 3000 shtëpi të ndërtuara pa leje në komunën e Tetovës, të cilëve përshka të mungesës të dokumentacionit ju është refuzuar lënda për legalizim, kanë mundësi që deri më 3 Mars ti dërzojn edhe një herë dokumentet e nevojshme për legalizim thoën nga komuna e Tetovës.
Ata thonë se bëhët fjalë për ndërtimet gjatë periudhës 2011-2018. Siaps tyre shumica e shtëpive të ndërtuara pa leje dhe pa dokumente janë në qytet, por ka edhe në fshatrat e Tetovës.
“Deri më 3 Mars është thirrja që kemi bërë që të gjithë qytetarët që kanë probleme pronaore juridike, mungesë të dokumentacionit ti sjellin në mënyrë që këta lënd të përfundohen.Nga gjithsej 14451 lënd që janë numri për momentin është rreth 3000 lënd.Pra janë 3000 lëndë që kanë probleme dokumentacioni ose probleme të ndryshme,dhe thirrja është deri më 3 Mars të sjellin dokumentat se pas këtij afati nuk do mund të legalizohen të njejtat.Bëhët fjalë për objekte që kanë mungesë dokumentacioni. Thirrja vlene vetëm për ato ndërtime që janë ndërtuar gjatë periudhës 2011-2018-të,shumica e objekteve janë në qytet por ka edhe në fshatrat e Tetovës,por dokumentet që janë pa dokumentacion të nevojshëm janë në qytet” deklaroi Alili, zëdhënës i komunës së Tetovës.
Por, mbetet në pikëpyetje shtëpit që janë ndërtuar në vakëf të BFI-së, të cilët nuk arrin të gjejn një zgjedhje ligjore. Nga komuna e Tetovës thonë se ky probleme është i kahëmotshëm.
“Ai është si problem i më hershëm. Shumica e shtëpive aty janë ndërtuar la leje dhe pa kriter ndërtimit, dhe është pornlem i veçant dhe sigurisht që do merren masa”, u shpreh zëdhënësi i komunës se Tetovës Albion Alili.
Ndërkohë, nga Myfteni e Tetovës, janë përgjigjur shkurt duke theksuar se kjo temë një herë duhet diskutuar në organet më të larta të BFI-së. Myftiu Selver Xhemaili, tha se ka gadishmëri për të diskutuar me institucione relevante.
Nga ana tjetër edhe shumë vikend shtëpiza presin legalizim në Kodër të Diellit, ndërsa gjatë vizitës së fundit në qendrën turistike Kodra e Diellit, kryeministri i vendit Hristijan Mickovski, është deklaraur i prer që as ka ligj për ta e as do ketë.

Vazhdon aksioni për largimin e objekteve ilegale në hapësirat publike në Kumanovë

17 January 2026 at 16:21


Në Kumanovë ka vazhduar aksioni për largimin e objekteve dhe paisjeve të përkohshme hotelerike, të vendosura ilegalisht në sipërfaqet publike në qytet.
Bëhet fjalë për aktivitet të filluar para festave të fundvitit në zonën qendrore të Kumanovës, e që nën mbykqyrjen e organeve kompetente komunale ka vazhduar këtë muaj.
“Aktualisht, pronarët po largojnë teracën verore të objektit të hotelerisë “La Vita”. Por vendime për largimin e paisjeve të këtilla kanë marrë pronarët e objekteve në sheshin e qytetit dhe në ish-kazermën në Bedinjë. Të gjitha objektet e hotelerisë që zënë zonat e trafikut publik dhe nuk kanë leje për instalimin e pajisjeve urbane në përputhje me ligjin do të largohen”, thonë nga Komuna e Kumanovës.
Autoritetet komunale thonë se në Kumanovë ka rreth njëzet objekte hotelierike me pajisje urbane të vendosura ilegalisht, dhe largimi i tyre do të kryhet në bazë të prioritetit. Nëse pronarët nuk e bëjnë këtë, do të angazhohet një kompani nga ana e komunës. Për këtë qëllim, në buxhetin e vitit 2026, komuna ka parashikuar katër milionë denarë, ose rreth 65 mijë euro.
Qytetarët janë kryesisht të kënaqur me këtë vendim, pasiqë me vendosjen e objekteve apo paisjeve të këtilla, vështirësohej kalimi i tyre nëpër trotuare.

VLEN: Pas ndarjes rezident–jorezident, BDI dhe Taravari duan ta zhdukin diasporën edhe nga votimi

17 January 2026 at 15:46


Deklaratat e Arben Taravarit dhe bashkëpartiakut të tij, Isen Shabanit, për dështimin e censusit në Gostivar dhe Vrapçisht janë hipokrizi e pastër dhe tentativë për të fshehur fajtorin e vërtetë, Bashkimin Demokratik për Integrim dhe kryetarin e saj, Ali Ahmetin.
Të flasësh sot për “lista të papastruara” dhe për “5–6 mijë të vdekur në lista zgjedhore”, ndërkohë që BDI për 20 vite ka fituar zgjedhje pikërisht me këto lista, është mashtrim i qëllimshëm i opinionit. Nëse listat janë problem, atëherë fajin ta kërkojnë te partneri i tyre politik, BDI-ja, e cila kurrë nuk kishte interes t’i pastronte.Por problemi është edhe më i thellë dhe më i rrezikshëm.
Pas regjistrimit të fundit të popullsisë, BDI e ndau popullatën në rezidentë dhe jorezidentë, duke zhvlerësuar numrat realë të shqiptarëve dhe duke nxjerrë jashtë loje qindra mijë bashkatdhetarë nga diaspora. Ishte pikërisht BDI ajo që propozoi dhe votoi metodologjinë skandaloze të regjistrimit, e cila goditi drejtpërdrejt përfaqësimin e shqiptarëve në institucione.
Sot, Taravari dhe Isen Shabani po shkojnë edhe një hap më tej: pas përjashtimit të diasporës nga regjistrimi real, tani duan ta heqin edhe nga lista e votuesve. Kjo është vazhdimësi e së njëjtës politikë antishqiptare, e paketuar me retorikë të rreme për “pastrim listash”.
VLEN e bëri të qartë në takimin e fundit të liderëve:Diaspora nuk është problem, diaspora është zgjidhje.Përjashtimi i saj nga votimi është grusht ndaj demokracisë dhe vullnetit të shqiptarëve, kudo që jetojnë.
Censusi nuk u arrit sepse BDI për dy dekada i detyroi qytetarët të largohen nga vendi, me korrupsion, kapje institucionesh dhe politikë të mbyllur klanore. Sot, të njëjtët njerëz kanë paturpësinë ta përdorin mërgimin si alibi për dështimet e tyre.
Problemi nuk ra nga qielli, por BDI e krijoi atë, Taravari e mbron këtë problem, ndërsa neve si VLEN na mbet që ti rregullojmë gabimet e tyre.

Maqedoni, gripi ka marrë hov në vend, kapacitetet e mbushura nëpër spitale

17 January 2026 at 15:10


Në vend është shtuar numri i pacientëve që ankohen me viruse dhe gripin sezonal. Mjekët thonë se është mirë që në simptomat e para të vizitohet mjeku amë për terapinë adekuate të sëmundjes.
Sipas mjekut Harkan Memedi, simptomat e para të infeksioneve janë me temperaturë të lartë, kollitje, molisje të trupit dhe zakonisht këto simptoma zgjasin një javë.
“Çdo prind kur e sheh që ndryshon sjellja e fëmijës apo ka çdo ndryshim që e vëren te fëmija, menjëherë e konsulton mjekun amë dhe normal kur ka infeksione, ku me anë të analizave të gjakut, me kontrollin që e bën mjeku amë i tregohet prindit apo fokusohet prindi në çfarë gjendje është fëmija. Zakonisht infeksionet virusale kalojnë deri në një javë, mirëpo ka infeksione virusale kur vetëm se imuniteti është i ulur te fëmija dhe atëherë mund të mbërthen edhe ndonjë infeksion tjetër bakterial, i cili e prolongon atë gjendje të fëmijës dhe mund të vijë te disa komplikime që mund të përfundojnë edhe në spital, mirëpo zakonisht shumica e rasteve kalojnë deri në një javë.”, – deklaroi pediatri, Harkan Memedi.
Memedi thekson se është mirë të bëhen analiza laboratorike për të vërtetuar që pacienti vuan nga ndonjë virus apo baktere.
“Kemi shumë faktorë që ndikojnë. Është sezoni i dimrit që paraqiten infeksionet respiratore, ku ndikon njëjtë ndotja e ajrit, mbyllja e njerëzve në një hapësirë, ku nuk mund ta dish a është i infektuar a jo, ku mund të merren infeksionet virusale apo bakteriale, për atë arsye është sezoni i gripave. Është prezent në të gjithë botën, jo vetëm tek ne. Nuk është diçka e re, po ndodh çdo vit kur fillon sezoni i dimrit. Shumica e infeksioneve virusale zakonisht fillon me temperaturë të lartë trupore dy deri në tre ditë. Prindi vetëm që brengoset me atë temperaturë ku mjeku amë e konstaton që përveç temperaturës nuk ka kollitje që e aludon deri tek infeksionet bakteriale dhe me atë e fton prapë për dy ditë të vijë në kontroll, sepse dy ditë i duhen trupit që të krijojë antitruptha dhe pas analizave laboratorike vërtetohet se a bëhet fjalë për virus apo baktere.”, – deklaroi pediatri, Harkan Memedi.
Mjekët thonë se kapacitetet në spitale janë të mbushura me fëmijë që janë me viruse të ndryshme dhe me grip. Njëherësh rekomandojnë për kujdes të shtuar në këtë periudhe të dimrit.
Të përdoret ushqim i shëndetshëm, supa të ngrohta, çaj, si dhe te evitohen daljet në ambiente të mbyllura pa nevojë që të mos përhapet virusi edhe më shumë.

Trefishohet numri i punëtorëve të huaj në Maqedoni

17 January 2026 at 14:46


Numri i punëtorëve të huaj në Maqedoninë e Veriut është trefishuar në pesë vitet e fundit, duke reflektuar ndryshime të thella në tregun e punës dhe në strukturën e fuqisë punëtore. Nga rreth 1.700 punëtorë të huaj në vitin 2021, ky numër është rritur në mbi 6.000 në vitin 2025. Trendi i rritjes së punëtorëve të huaj është i dukshëm edhe në jetën e përditshme, veçanërisht në Shkup, ku ata gjithnjë e më shpesh shihen të angazhuar në hotele, restorante si banakierë dhe pastrues, por edhe në kantieret e ndërtimit. Kjo prani e shtuar pasqyron mungesën e fuqisë punëtore vendore në disa sektorë kyç të ekonomisë.
Sipas dispozitave ligjore në Maqedoninë e Veriut, kuota për punësimin e shtetasve të huaj nuk duhet të tejkalojë 5 për qind të popullsisë në moshë pune. Megjithatë, të dhënat e fundit tregojnë se Qeveria ka vendosur ta rrisë ndjeshëm kuotën për lejet e punës për vitin 2025, duke e çuar atë në 10.000 angazhime.
Sipas vendimit që hyn në fuqi më 16 janar, 9750 leje janë të destinuara për punësim të rregullt të shtetasve të huaj, 200 leje për të huaj me përvojë specifike dhe 50 leje për angazhime sezonale. Nga totali, 4500 leje janë për punëtorë të rinj, ndërsa 5250 janë për vazhdimin e lejeve të punëtorëve të huaj që tashmë janë të punësuar në vend. Ministria e Ekonomisë dhe Punës do të monitorojë shfrytëzimin e kuotës dhe ndikimin në tregun e punës. Gjatë vitit të kaluar, Agjencia e Punësimit ka lëshuar gjithsej 8.509 opinione pozitive për leje pune, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme ka miratuar 6.128 leje qëndrimi për punëtorë të huaj. Bizneset kanë kërkuar prej vitesh rritje të kuotave, duke theksuar mungesën kronike të fuqisë punëtore në sektorë të caktuar.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit, interesimi më i madh për punësimin e të huajve nga viti 2020 e këtej është evidentuar në ndërtimtari, industrinë përpunuese, akomodimin dhe shërbimin ushqimor, si dhe në tregtinë me shumicë dhe pakicë.
Me vite, në krye të listës së punëtorëve të huaj kanë qenë shtetasit nga Turqia. Vetëm vitin e kaluar rreth 2.800 prej tyre ishin të angazhuar në Maqedoni, kryesisht si pasojë e investimeve të mëdha turke. Pas tyre renditen punëtorët nga Bangladeshi (rreth 1600), si dhe nga Nepali dhe India (rreth 1100). Në vendin e pestë janë shtetasit e Kosovës, me 406 leje qëndrimi. Të dhënat historike tregojnë se numri i shtetasve të huaj me leje të rregullt pune në Maqedoni është rritur nga 918 në vitin 2007 në mbi 3.000 në vitin 2016. Në periudhat e mëhershme, kur kuotat ishin më të ulëta, këto vende pune kryesisht zinin punëtorë nga rajoni, si Kosova, Shqipëria dhe Serbia. Në pesë vitet e fundit, këto trende kanë ndryshuar ndjeshëm.
Vetëm në periudhën 01.01.2024 – 31.12.2024 janë paraqitur gjithsej 9.079 kërkesa, nga të cilat 844 kërkesa për dhënie leje pune dhe 8.233 kërkesa nga MPB për dhënie mendimi lidhur me shfrytëzimin e kuotës dhe nevojat e tregut të punës. Si rezultat, janë miratuar 815 vendime për leje pune, ndërsa një numër i vogël kërkesash janë refuzuar, tërhequr ose kanë mbetur të pazgjidhura. Profesionet ku janë angazhuar më së shumti punëtorë të huaj përfshijnë: menaxherë, punëtorë ndërtimi, zdrukthëtarë, elektricistë, operatorë makinerish, por edhe sportistë profesionistë, kryesisht futbollistë. Ata janë punësuar kryesisht në Shkup, Manastir, Tetovë, Kumanovë, Ohër, Prilep, Strumicë, Veles dhe Gjevgjeli.
Para vitit 2020, rritja e numrit të të huajve ishte e lidhur kryesisht me privatizimin e bankave, hyrjen e kapitalit të huaj në sektorët e telekomunikacionit, ushqimit, birrës, tekstilit, energjetikës, duhanit, metalurgjisë, dhënien me koncesion të aeroporteve, si dhe hapjen e institucioneve arsimore private, ku u angazhua edhe personel mësimor nga jashtë. Në vitet e fundit, hapja e bizneseve në teknologjinë informatike, ndërtimtari, hoteleri, si dhe angazhimi i mjekëve specialistë të huaj në spitalet private, e ka rritur edhe më tej numrin e profesionistëve të huaj që punojnë në Maqedoni.

Ndalohet një person në Tetovë, sulmoi dhe ofendoi policët

17 January 2026 at 14:17



SPB Tetovë njofton se dje (11.01.2026) në ora 13:00 në rrugën “Boro Vuliq” në Tetovë, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor Tetovë, kanë privuar nga liria personin Sh.M.(52) nga Tetova.
Siç thonë nga SPB, i njëjti është sjellë në mënyrë agresive ndaj policëve dhe i ka fyer gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
“Sh.M. është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rasti ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës”, thonë nga SPB Tetovë.

MSH Maqedoni: Projektligji për mbrojtjen nga duhani përcakton se ku nuk mund të praktikohet kjo gjë

17 January 2026 at 13:40


Projektligji për mbrojtjen nga pirja e duhanit, i përgatitur nga Ministria e Shëndetësisë, parashikon ndalimin e pirjes së duhanit në hapësirat e mbyllura publike dhe të punës, në përputhje me standardet evropiane dhe rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Kjo përcakton një rregull të qartë dhe universal që mbron të gjithë qytetarët, pa përjashtime dhe pa zona gri.
Sipas standardeve të shëndetit publik, pirja e duhanit është një zgjedhje personale, por një hapësirë e përbashkët e brendshme nuk duhet të jetë një vend ku kjo zgjedhje bëhet rrezik për shëndetin e të tjerëve.
Ligji nuk rregullon nëse dikush do të pijë duhan, por përcakton qartë se ku nuk mund të praktikohet, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të të gjithë të pranishmëve.
Cilësia e ajrit të brendshëm lidhet drejtpërdrejt me rezultatet shëndetësore. Ajri i pastër do të thotë më pak acarim i traktit respirator, më pak sulme astme dhe një rrezik të reduktuar të zhvillimit të sëmundjeve kronike.
Projektligji e trajton ekspozimin ndaj tymit të duhanit si çështje të sigurisë dhe shëndetit në punë, dhe jo si çështje të stilit të jetesës. Në institucionet e ushqimit, është stafi që ekspozohet ndaj tymit të cigareve dhe produkteve të tjera të duhanit dhe nikotinës për më gjatë dhe më intensivisht, prandaj shteti ka një detyrim të qartë për të mbrojtur të drejtën e punonjësve për një mjedis pune të shëndetshëm dhe të sigurt.
“Përvojat nga vendet evropiane që tashmë kanë zbatuar zgjidhje të tilla ligjore, si Irlanda, Mbretëria e Bashkuar dhe shumë të tjera, tregojnë se këto masa nuk përbëjnë goditje për gastronominë dhe të ardhurat e saj, por një tranzicion drejt një ambienti më të rregulluar, më cilësor dhe më të parashikueshëm në objektet hoteliero-gastronomike”,- shpjegon ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Ai shton se masa të tilla mundësojnë frekuentim më të madh nga familjet, turistët dhe qytetarët që preferojnë ajër të pastër, gjë që në afat të gjatë përfaqëson përfitim të drejtpërdrejtë edhe për vetë objektet gastronomike./Telegrafi/

Minoski: “TVSH-ja ime” është projekt i mirë, një pjesë e mjeteve u kthehen qytetarëve

17 January 2026 at 13:09


Ish-ministri i Financave, Kiril Minoski, në emisionin “Biznis21” në TV21, vlerësoi se projekti “TVSH-ja ime” është një nismë e mirë, pasi një pjesë e mjeteve të mbledhura nga tatimi mbi vlerën e shtuar kthehen drejtpërdrejt te qytetarët.
Sipas tij, ky projekt dërgon një mesazh pozitiv për qytetarët që paguajnë rregullisht tatime, duke i inkurajuar ata të kërkojnë dhe të mbledhin kuponë fiskalë.
“Në këtë mënyrë dërgohet një mesazh i mirë për njerëzit që paguajnë tatime. Segmenti i dytë lidhet me kontrollin në sferën tatimore, por që të ndihen të gjitha efektet pozitive të këtij projekti, sidomos në aspektin e kontrollit dhe lëshimit të kuponëve fiskalë, është e domosdoshme digjitalizimi i plotë i punës së Drejtorisë së të Ardhurave Publike, në koordinim edhe me institucionet e tjera”, tha Minoski.
Ai theksoi se vetëm përmes një sistemi të avancuar dhe të ndërlidhur digjital mund të përmirësohet kontrolli fiskal dhe të rritet efikasiteti i administratës tatimore.

Maqedoni, sot nuk do të mbahet “Marshi i Engjëjve”, shtyhet për shkak të festës

17 January 2026 at 12:40


Shoqata e qytetarëve “16 Mars 2025” njoftoi se sot nuk do të mbahet “Marshi i Engjëjve”. Siç bëhet e ditur nga shoqata, vendimi për shtyrje është marrë në shenjë respekti ndaj festës së madhe ortodokse Vodici, një periudhë kur besimtarët mblidhen shpirtërisht, bekohet uji dhe rikujtohet domethënia e hirit hyjnor.
“Në frymën e festës, ditët para Vodicës ia kushtojmë lutjes së qetë, përulësisë dhe paqes së brendshme — për engjëjt tanë, për shëndet në të gjitha familjet dhe për të gjithë ata që ecin bashkë me ne”, thuhet në njoftim.
Nga shoqata theksojnë se qëllimi i këtij vendimi është të tregohet respekt ndaj traditës shpirtërore dhe zakoneve fetare, me shpresë që mëshira hyjnore të jetë me të gjithë.

Maqedoni, ministri i Mbrojtjes mbështet shërbimin e detyrueshëm ushtarak

17 January 2026 at 12:00


Ministri i Mbrojtjes, Vlado Misajlovski, mbështet idenë e futjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Maqedoni, por thekson se vendi aktualisht nuk ka burime të mjaftueshme financiare dhe hapësinore për zbatimin e tij. Ai e bëri këtë deklaratë gjatë një vizite në kazermën e Velesit "Alekso Demnievski-Bauman".
"Unë personalisht e inkurajoj këtë veprim. Të rinjtë duhet të kenë mundësinë për një përvojë të tillë, por financat dhe kapacitetet duhet të merren parasysh. Në këtë moment, nuk është e zbatueshme, por në të ardhmen, nëse vlerësohet si e nevojshme, jam i gatshëm ta zbatoj", theksoi Misajlovski.
Vizita ishte rasti për betimin ceremonial të 296 ushtarëve të rinj profesionistë, përfshirë 26 vajza, të cilët do të shërbejnë në Komandën e Stërvitjes dhe Doktrinës. Ministri njoftoi se për shkak të interesit të lartë për karrierën ushtarake, një konkurs i ri rekrutimi do të shpallet deri në fund të vitit.
Përveç kësaj, Misajlovski njoftoi se është përgatitur një vendim mbi statusin e ushtarëve profesionistë mbi moshën 45 vjeç, i cili do të publikohet së shpejti dhe do të përcaktojë se si do të kujdesen për ta pas përfundimit të shërbimit aktiv.

LSDM: Maqedonia po bëhet vend i "botës së tretë"

17 January 2026 at 11:20


Nga LSDM thonë se vendimi Shteteve të Bashkuara të Amerikës që t'i suspendojnë vizat për qytetarët e Maqedonisë nuk është "pauzë teknike", por paralajmërim.
"Po bëhemi vend i botës së tretë. Maqedonia sot po e paguan çmimin e politikave të gabuara të Mickoskit që çojnë në izolim dhe humbje besimi te partnerët strategjik", thuhet në njoftimin e LSDM-së.
Sipas tyre, kjo qeveri po bën aktivitete anti-amerikane me bashkëpunëtorët e Mickoskit siç është Stoilkoviqi, i cili ka lidhje direkte me Moskën.
"Po ashtu jemi dëshmitarë të fushatës kundër BE-së. Në vend të reformave, me qëllim provokohen kundërshtimet e Greqinë dhe Bullgarinë, sërish hapen çështjet me të vetmin qëllim të arsyetohet izolimi", thuhet në njoftimin e LSDM-së./Telegrafi/

Ndalohet 57-vjeçari nga Tetova, ka incizuar 18 vjeçaren

17 January 2026 at 10:39


Siç njoftojnë nga MPB, sot është arrestuar 67 vjeçari nga Tetova i cili për një periudhë të gjatë ka shqetësuar 18 vjeçaren. Siaps raportit policor, ai ka ndjekur atë dhe ka incizuar me telefon mobil.
"Pardje rreth orës 12:10, në rrugën 'Jadranska', zyrtarët policorë kanë arrestuar E.I (57), pas denoncimit të mëhershëm. Në denoncim është theksuar se 57 vjeçari vazhdimisht ka ndjekur vajzën pa lejen e saj", thuhet në raportin e policisë.
Nga SPB Tetovë njotojnë se pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të parashtrohet denoncim./Telegrafi/

Më së shumti borë në Kodrën e Diellit

17 January 2026 at 10:14



Temperatura më e madhe në Maqedoni sot është regjistruar në Kodrën e Diellit me -4 gradë celsius, kurse temperatura më e madhe në Gjevgjeli me 6 gradë celsius.
Në Shkup temperatura në mëngjes ishte -3 gradë celsius, më pas Tetova dhe Mavrova me -2, në Shtip dhe Berovë -1 gradë celsius, dhe 0 në Shkup, Kumanovë, Demir Kapi, Kavadar dhe Krushevë.
Temperatura mbi 1 gradë celsius ka në Kriva Pallanka, Prilep, Strumicë, Veles, Ohër, Manastir dhe Vinicë.
Po ashtu bora më e madhe sot në mëngjes është regjistruar në Kodrën e Diellit me 25 centimetra borë kurse në Mavrovë dhe Krushevë me 7 centimetra borë./Telegrafi/

❌
❌