Normal view
-
- Diella vlerësohet me çmimin Future Fit Seal/ Rama: Krenarë për ç’ka kemi bërë në drejtim të teknologjisë
Diella vlerësohet me çmimin Future Fit Seal/ Rama: Krenarë për ç’ka kemi bërë në drejtim të teknologjisë
Kryeministri Edi Rama ka komentuar në podcastin e tij “Flasim” mbi vlerësimin e platformës Diella me çmimin Future Fit Seal në edicionin e këtij viti të Samitit Botëror të Qeverisjes në Dubai.
Rama e ka cilësuar këtë njohje si një arsye për krenari për arritjet e Shqipërisë në fushën e teknologjisë dhe përdorimit të inteligjencës artificiale në shërbim të interesit publik.
Ai theksoi gjithashtu se vendosja e Shqipërisë në piedestalin e vendeve që marrin çmime nga ky samit prestigjioz përfaqëson një inkurajim të madh dhe një njohje ndërkombëtare të përpjekjeve të vendit në drejtim të inovacionit teknologjik dhe përmirësimit të marrëdhënies mes shtetit dhe qytetarëve.
“Edi Rama: Vlerësimi i Diellës me çmimin Future Fit Seal në edicionin e këtij viti të çmimeve të Samitit botëror të qeverisjes në Dubai, është një tjetër arsye për të qenë krenarë për ç’ka kemi bërë në drejtim të teknologjisë edhe të futjes së inteligjencës artificiale në funksion të interesit publik, por është dhe një inkurajim shumë i madh dhe shumë domethënës, kur ke parasysh faktin se Shqipëria vendoset në piedestalin e vendeve që marrin çmime nga ky samit prestigjioz.
Një nga platformat globale për të ardhmen e qeverisjes, aty ku diskutohet sesi teknologjia po e riformëson marrëdhënien mes shtetit dhe qytetarëve, dhe ku Shqipëria vendoset edhe një herë në fokus, këtë herë për një produkt për të cilin ne po vazhdojmë punën dhe mbi të cilin, jo vetëm shqiptarët, por dhe bota do të dëgjojnë të reja të tjera më shpejt sesa vonë”, tha Rama.
“Amnistia Penale, lirim i menjëhershëm për 447 të burgosur”/ Rama: Zgjidhje e qartë politike
Kryeministri Edi Rama gjatë podcastit të tij “Flasim” nënvizoi miratimin e projektligjit për amnistinë penale, i cili parashikon lirimin e menjëhershëm të 447 personave nga burgjet, ulje dënimesh për qindra të tjerë dhe pushimin e ndjekjes penale për vepra të lehta.
Sipas tij, ky projektligj synon të përqendrojë drejtësinë tek rastet me rrezik real për shoqërinë, duke shmangur përdorimin disproporcional të ndëshkimit penal, dhe gjithashtu pritet të ulë mbipopullimin në institucionet penitenciare dhe kostot shoqërore që lidhen me to.
Rama theksoi se amnistia nuk prek krimet e rënda, përfshirë vrasjet, dhunën, korrupsionin dhe krimin e organizuar, dhe është pjesë e një strategjie më të gjerë për të adresuar problematikën e paraburgimit në vend.
“Një tjetër vendim që besoj ia vlen të nënvizohet është miratimi i projektligjit për amnistinë penale. Një akt me ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e sistemit tonë të drejtësisë penale, por dhe në frymën e kësaj drejtësie.
Dhe ky projekt përfshin lirimin e menjëhershëm të 447 personave nga institucionet e vuajtjes së dënimit, ulje dënimi për qindra persona të tjerë, aministimin nga masat alternative të shërbimit të proves, si dhe pushimin e ndjekjes penale për vepra penale të lehta.
Është një vendim që përfaqëson përsëri e përsëri një zgjedhje të qartë politike. Ta orientojmë drejtësinë drejt veprave që paraqesin rrezik real për shoqërinë dhe të shmangim përdorimin disproporcional të forcës represive të shtetit, përmes ndëshkimit penal për raste që nuk e justifikojnë përdorimin e forcës.
Kjo natyrisht do të sjellë pastaj efekt të vetin anësor, por shumë të rëndësishëm edhe uljen e mbipopullimit në burgje, uljen e kostove, por edhe rritjen e investimeve për të rritur cilësinë e jetës në institucionet tona penitenciare.
Ligji është i qartë. Ka kufij të mirëpërcaktuar. Nuk përfshin asnjë vepër të rëndë penale, krime kundër jetës, dhunës, korrupsioni, krimi i organizuar janë të përjashtuara nga amnistia.
Dhe në ndërkohë është një hap konkret që do të pasohet nga të tjerë në raport me idenë totalisht të keqshfrytëzuar dhe të keqpërdorur të paraburgimit
Paraburgimi është një plagë në Shqipëri. Një plagë e evidentuar më së miri dhe më së qarti nga Komiteti për parandalimin e torturës i Këshillit të Europës. Një plagë me të cilën përballet çdo ditë shoqëria dhe ne jemi të vendosur që do të ndërhyjmë për ta shëruar këtë plagë me masa të tjera me atë që e kam quajtur reflektim i madh dhe për të cilin po punojmë me një sërë partneresh shumë të rëndësishëm europian për të bërë ndërhyrjet e duhura dhe pa humbur shumë kohë”, tha Rama.
-
- Vendimi për hapjen e Tik Tok/ Rama: Kemi vendosur mekanizma të reja sigurie për mbrojtjen e fëmijëve
Vendimi për hapjen e Tik Tok/ Rama: Kemi vendosur mekanizma të reja sigurie për mbrojtjen e fëmijëve
Kryeministri Edi Rama në podcastin “Flasim” komentoi vendimin e Këshillit të Ministrave për rihapjen e Tik Tok, pas bllokimit për gati një vit. Rama tha se ky vendim erdhi pas vendosjes së filtrave dhe mekanizmave të reja mbrojtës.
“Këtë javë doli dhe vendimi i Këshillit të Ministrave për të hequr masën e bllokimit të TikTok. Është një vendim që e pata lajmëruar kur pata shpjeguar në më shumë se një rast, jo vetëm këtu, por edhe në mediat ndërkombëtare, që për befasinë tonë të këndshme, pozitive, TikTok ishte shumë i hapur, ishte shumë aktiv në ndërtimin e një dialogu me ne, pasi ne bëmë bllokimin.
Dhe nuk është TikTok që na ka çuar në gjyq, por është ç’të të them ç‘është, kush është, dihet kush është, që na ka çuar në gjyq edhe për TikTok. Por çfarë t’i thuash! Kështu që, ajo që pata paralajmëtar ka ndodhur sepse me TikTok kemi vendosur, jo vetëm një komunikim, por kemi vendosur dhe një bazë të re dhe për këtë arsye Vendimi i Këshillit të Ministrave nuk është tërheqje, nuk është dorëzim dhe aq më pak pastaj nuk është mbyllje sysh siç është komentuar me sa më thonë, por është rezultat i një procesi serioz, rishikimi dhe i një pune konkrete adresimi real të shqetësimeve për sigurinë dhe për filtrat e nevojshëm që të ketë shumë më tepër kontroll në kuptimin e mirë të fjalës, jo censure, por kontroll mbi gjithë aktivitetin dhe mbrojtje të fëmijëve dhe më të rinjve, në radhë të parë.
Ky ishte dhe qëllimi i bllokimit, interesi publik mbrojtja e fëmijëve. Dhe kjo ishte dhe vija e dialogut dhe sot TikTok është serish i aksesueshëm sepse janë vendosur mekanizma të rinj sigurie. Ka filtra të rinj mbi përmbajtjen, ka kontrolle efektive dhe mënyra raportimi dhe trajtimi të shkeljeve që nuk ishin më parë. Kështu që kjo është e gjitha”, tha Rama.
-
- Balluku/ Rama: Kushtetuesja nuk gjeti forcë, do e vazhdojmë këtë betejë. Për të gjithë ata që vunë buzën në gaz…
Balluku/ Rama: Kushtetuesja nuk gjeti forcë, do e vazhdojmë këtë betejë. Për të gjithë ata që vunë buzën në gaz…
Kryeministri Edi Rama ka komentuar në podcastin e tij “Flasim” vendimin e Gjykatës Kushtetuese për lënien në fuqi të vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra të zv/kryeministren Belinda Balluku. Rama tha se kjo situatë rikthen në fuqi pezullimin e një anëtareje të qeverisë dhe përbën një precedent të rrezikshëm për demokracinë.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese dështoi të marrë një vendim të domosdoshëm për të garantuar pavarësinë e pushtetit ekzekutiv nga ai gjyqësor, duke lejuar, siç u shpreh Rama, përdorimin e një mekanizmi të paprecedentë në vendet demokratike, si pezullimi i një ministri pa nisur ende procesi gjyqësor.
Kryeministri theksoi se beteja për shtetin ligjor dhe parimet demokratike do të vijojë, duke e konsideruar këtë çështje si thelbësore për funksionimin e institucioneve dhe për rrugën europiane të Shqipërisë.
“Shënimi i fundit i ditës, por jo për nga rëndësia, është ai që lidhet me Gjykatën Kushtetuese, e cila nuk e ka gjetur dot forcën për të mos e lejuar rimarrjen peng të qeverisë së Shqipërisë me një mjet të paparë dhe të padëgjuar në botën demokratike, siç është pezullimi i një anëtari qeverie nga një prokuror dhe një gjykatës në një seancë paraprake, pra pa filluar akoma gjyqi.
Kështu, Shqipëria bëhet për herë të dytë, në dy muaj, shembulli i parë i një budallallëku botëror sepse Gjykata Kushtetuese u mbyt me lugën e ujit të turbullt të tyre që Servantes në librin e tij të famshëm Don Kishoti i Mançës i quan arsyet e Mosarsyes.
Por fakti është që mosvendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese e kthen në fuqi pezullimin e ministers, e cila, që të jemi shumë të qartë, pavarësisht se qartësia është një luks dhe një luks i rrallë që mund ta kërkosh, por vështirë ta gjesh në turbullirën e 700 tenxhereve politike e mediatike, nuk akuzohet për korrupsion, as nga vetë prokurori që shpiku pezullimin e anëtarit të qeverisë me vendim të një seance të mbyllur të përgatitjes së një gjyqi.
Sidoqoftë, zhbërja e kësaj shpikjeje 100% “Made in Albania” e drejtësisë së re dhe e drejtësisë ende të papjekur shqiptare, e cila nuk ka lidhje me rastin dhe çështjen konkrete po me një parim të panegociueshëm të demokracisë mbetet një domosdoshmëri për të rigarantuar pavarësinë ekzekutive të parlamentit nga pushteti gjyqësor.
Kështu që, ne do ta vazhdojmë këtë betejë, ku na thirri me pahir çartja antidemokratike e pezullimit të një anëtari qeverie dhe ku fatkeqësisht na mban akoma sot pafuqia e Gjykatës Kushtetuese për të marrë një vendim sa të thjeshtë, – është vendim shumë i thjeshtë se mjafton të marrësh shembull çdo vend të botës që do apo të gjithë vendet e botës bashkë dhe nuk do të gjesh dot një gjë të ngjashme, – por një vendim po aq dhe të nevojshëm për të mos e lënë Shqipërinë vendin e vetëm në planet, ku sot aktualisht me këtë brutalitet të rilegjitimuar nga kjo mosvendimmarrje vetë Presidenti i Republikës mund të pezullohet nga i pari prokuror që gdhihet me këtë ide në kokë.
Në ndërkohë, kam dhe diçka tjetër. Kujtdo që ka vënë buzën në gaz apo ka nxjerrë gjuhën jashtë pas mosvendimit të Kushtetueses dhe e bën hosana dhe fërkon duart me kuturisjet e modës së re të arresteve pa gjyq, të cilat arritën një kulm të ri këtë javë me 30 e kusur fletë-arresti të prera nga një prokuror në Durrës, i cili në fakt nuk paraburgosi vetëm veten e vet, – se të gjitha çfarë kishte rreth e rrotull për një çështje që nuk përmbush asnjë kusht, zero, hiç nga ato që Këshilli i Europës dhe drejtësia demokratike përcakton si kushte të domosdoshme për arrestin, – i futi në një thes, – u them një gjë, – kush beson se përpjekja e natyrshme për shtetin ligjor e të gjithëve bashkë, e jona, qeveri, parlament, drejtësi, me të gjitha të përpjetat dhe të tatëpjetat e saj, arritjet dhe lajthitjet e drejtësisë së re, do të prodhojë ndonjëherë kosto për këtë shumicë qeverisëse, të cilat do ta kthejnë në punë mullirin e prishur të opozitave, gabon ditë dhe natë sepse nuk kupton atë që e kupton shumë qartë populli shqiptar, njeriu i zakonshëm i Shqipërisë. Lufta për drejtësi, për shtet ligjor demokratik, për Shqipërinë europiane në Bashkimin Europian, ka vetëm një garant, ende sot për sot, mua dhe këtë shumicë qeverisëse. Kaq e thjeshtë është!”, tha Kryeministri Edi Rama.
Vizita në Vatikan/ Rama: Ftova Papa Leonin XIV, të vizitojë Shqipërinë
Kryeministri Edi Rama komentoi sot në podcastin e tij “Flasim” vizitën e fundit në Vatikan, duke e cilësuar si një “moment të veçantë” dhe duke dhënë lajmin e rëndësishëm për ftesën që i bëri Papës Leoni XIV për të vizituar Shqipërinë. Gjatë vizitës, Rama u ndal në Bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë, ku ruhet shëmbëlltyra e Shën Mërisë nga Shkodra e vitit 1467, një ndalesë që, siç theksoi ai, asnjë kryetar shqiptar nuk e kishte bërë më parë.
Kryeministri Rama foli gjithashtu për momentet emocionale të qëndrimit në Vatikan, për bisedat me Papën Leonin XIV rreth Shqipërisë, rajonit dhe botës, duke e ftuar atë që të marrë pjesë në festimet për 130-vjetorin e shpalljes së Zojës së Këshillit të Mirë si mbrojtëse e Shqipërisë.
“Momenti i veçantë i kësaj jave ishte vizita në Vatikan dhe ndryshe nga vizitat e mëparshme kjo vizitë kishte brenda saj edhe një veçori tjetër të paharrueshme, ndalesën në Bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë, Regina di Albania, aty ku ruhet shëmbëlltyra e Shën Mërisë, shkëputur nga muri i kishës së vjetër të Shkodrës në vitin 1467.
Asnjë kryetar shteti apo qeverie shqiptare nuk e kishte shkelur pragun e kësaj bazilike, kjo edhe për turpin tim, që këtë ndalesë e kuptova si shumë të rëndësishme vetëm së fundmi. Bazilika ka dhe një specifikë tjetër.
Ajo është një destinacion i rëndësishëm nën kujdesjen e Urdhrit agustinian që është dhe Urdhri i Papa Luanit të XIV apo të Leonit të XIV.
Nëse të mëparshmit i thoshim Gjon Pali II, këtij do t’i themi Luani i XIV. Papa Luani i XIV apo Leoni i XIV, ndalesën e parë apo gjënë e parë që bëri pasi u zgjodh dhe pasi doli tymi i bardhë mbi Selinë e Shenjtë ishte pikërisht vizita në bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë. Dhe lutja përpara pikërisht atij imazhi të ardhur nga Shkodra.
Një tjetër moment emocionues ishte edhe qëndrimi në sallën e pritjes përpara audiencës me Papa Luanin XIV ku u ktheva mbrapa në kohë.
Në po atë sallë, në pritje të takimit të paharrueshëm me Papa Françeskun, pasi ai ishte zgjedhur Papë dhe pasi unë isha zgjedhur kryeministër, dhe prej ku, u krijua baza e një miqësie të jashtëzakonshme, e një miqësie, e cila është një ndër gjërat më të bukura të jetës time. E për këtë arsye, edhe homazhi në varrin e thjeshtë, po shumë të bukur, të Papa Françeskut, i cili u bë dhe një mik i madh i Shqipërisë, i cili e mbajti gjithmonë vendin tonë në lutjet e tij, duke përcjellë mesazhe të vazhdueshme dashurie, afërsie, respekti, mirësie për popullin shqiptar, ishte absolutisht prekës.
Nga ana tjetër, patjetër që ishte me një peshë të veçantë, siç mund të kuptohet edhe prezantimi me Papa Luanin XIV. Një karakter, një natyrë krejt e ndryshme nga e Papa Françeskut, por një njeri me një dritë, me një mirësi të thellë, me të cilin sigurisht që folëm për Shqipërinë, folëm për rajonin, folëm për botën dhe të cilin e ftova që të jetë i pranishëm në festën e madhe të komunitetit katolik, pikërisht për 130 vjetorin e shpalljes së Zojës së Këshillit të Mirë nga Papa Luani XIII, mbrojtësja e Shqipërisë, Regina Di Albania. Nuk e di a do të jetë e mundur, por gjithsesi ftesa u bë dhe Papa u shpreh shumë i interesuar. Në dërkohë që edhe takimi me Sekretarin e Shtetit kardinalin Parolin ishte pjesë e vizitës, kënaqësi e veçantë, një njeri i rrallë, një personalitet i madh, një njohës i jashtëzakonshëm i punëve të botës dhe po ashtu një dashamirës i jashtëzakonshëm i Shqipërisë”, tha Rama.
-
- “Kërkojnë qiqra në hell”/ Rama për pagat e gjyqtarëve: Janë vendosur në syrin e një cikloni popullor. Shqiptarët nuk e mbështesin
“Kërkojnë qiqra në hell”/ Rama për pagat e gjyqtarëve: Janë vendosur në syrin e një cikloni popullor. Shqiptarët nuk e mbështesin
Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish debatin mbi kërkesën e gjyqtarëve për rritje pagash, gjatë podcastit të tij të përjavshëm “Flasim”.
Duke iu referuar zhvillimeve të javës politike, Rama theksoi se çështja e pagave të gjyqtarëve ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik, ndërsa nënvizoi se rritja e tyre nuk mund të jetë e përhershme dhe se sistemi i pagave duhet të respektojë hierarkinë shtetërore. Ai shprehu pritshmërinë që Gjykata Kushtetuese të japë një vendim përfundimtar, duke vënë “vulën” mbi këtë çështje.
“Përsëri ështja e pagave të gjyqtarëve ka qëndruar në rendin e ditës. Ka pasur shumë komente, ka pasur shumë çudira, ka pasur dhe shumë absurditete që e kanë shoqëruar këtë debat, ku për fat të keq përmes disa shoqatash, 2 shoqata gjyqtarësh dhe 1 shoqatë prokurorësh, që gjykatësit janë vetëvendosur në syrin e një cikloni popullor, në kuptimin e një pakënaqësie popullore, lidhur me kërkesën e tyre për të rritur pagat dhe këtë e tregojnë, jo vetëm të dhënat e anketimit tonë të brendshëm, që janë rreth 90% e shqiptarëve që e refuzojnë idenë që gjykatësve duhet t’u rriten pagat, madje ka një përqindje të tyre që thonë duhet të ulen pagat, gjë që është absolutisht e padrejtë, e pamundur dhe e pamenduar nga askush. Ndërkohë që vetë gjykatësit pretendojnë që ne duam t’i ulim pagat dhe më e bukura në një insistim të një arsyetimi absolutisht të pajustifikueshëm për nga shëndeti logjik, zërat që e përfaqësojnë atë kategori thonë se pagat e tyre po ulen për shkak se pagat e të tjerëve po rriten.
Domethënë, edhe një here, çfarë ne kemi bërë me reformën në drejtësi, ka qenë shprehja e një vullneti shumë të fortë edhe në drejtim të rritjes së pagave të gjyqtarëve.
U kemi dhënë atyre mesazhin që taksapaguesit shqiptarë do bëjnë një sakrificë dhe do të paguajnë ekstra për të gjithë ata ndër ju, që pasi të kalojnë procesin e vettingut, do të përballen me sfidën e madhe të pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe të ndërtimit të një ngrehine solide, bazuar mbi parimet dhe vlerat e Kushtetutës dhe të jetës demokratike, të atij pushteti në shërbim të qytetarëve dhe si garant i barazisë përpara ligjit dhe këtë bëmë, duke thyer praktikisht piramidën e pagave në çdo vend të botës. Ka një piramidë pagash, e cila fillon me Presidentin e Republikës dhe zbret. Ndërkohë që, në mënyrën më të vetëdijshme pagat e gjyqtarëve, ne i rritëm mbi të gjithë. I rritëm mbi të gjithë për ato arsye që thashë, por nuk i vendosëm mbi të gjithë me idenë që sa herë do rriten këto, do rriten dhe këto dhe që Shqipëria do t’u bëka vendi i vetëm në planet ku mbi të gjithë, dhe të gjitha është kasta e gjykatësve.
Kjo nuk mund të ndodhë dhe kjo nuk ka për të ndodhur. Të paktën jo me me mua dhe Partinë Socialiste të Shqipërisë si shumicë qeverisëse dhe jo në asnjë mënyrë, si një sfidë ndaj pushtetit gjyqësor, por si një thirrje, si një domosdoshmëri e brendshme e shtetit që të gjitha kategoritë e shërbëtorëve të tij, përfshirë dhe gjykatësit të kenë sensin e së drejtës dhe sensin e shtetit, duke mos kërkuar “qiqra në hell’ as më tepër pastaj, duke përdorur dhe gurin dhe arrën që gjykatësit kanë në dorë vetë. Kjo është shumë e thjeshtë dhe kjo është dhe arsyeja pse unë nuk kam hyrë në asnjë polemikë, me asnjë person se nuk ka asgjë personale në këtë, ndërkohë që siç ndodhi, jam sulmuar personalisht dhe është sulmuar qeveria nga autorët e deklaratës së një shoqate të gjykatësve që jam i bindur që nuk janë konsultuar me të gjithë gjykatësit për tekstin se jam i sigurtë që do t’i thoshin “Ej, po çfarë po bëni, ne jemi këtu për të kërkuar diçka për veten tonë, por nuk jemi këtu për të bërë politikë dhe për të sulmuar qeverinë e kësaj republike si të ishim parti politike”, apo jo?
Gjithësesi, mendoj që pozitive është që nuk ka pasur reagim të reagimit tim. Nuk dua të bëj polemikë, dua vetëm të them që gjykatësit nuk mund të kenë një rritje pagash të përjetshme mbi të gjithë të tjerët, dhe gjykatësit nuk mund ta rrisin pagën e tyre me 2 mijë dhe 3 mijë euro në muaj, plus nga ajo që marrin, që është më e lartë sesa ç’marrin sot të gjithë të tjerët.
Kjo nuk ka për të ndodhur! Nuk mund të ndodhi!
Nuk duhet të ndodhi dhe shpresoj që Gjykata Kushtetuese t’i vëri vulën një herë e mirë këtij debati absurd dhe këtij debati që e dëmton në sytë e opinionit publik besueshmërinë, padrejtësisht, besueshmërinë e gjykatësve, sepse në këtë rast kemi, thashë një përfaqësi, nuk janë të gjithë, nuk është i gjithë komuniteti që është vendosur në llogore.
Ka një përfaqësi që ka vajtur në Gjykatën Kushtetuese dhe ne jemi atje palë, dhe jemi kundër fuqimisht kundër, dhe jo kundër tyre, por kundër idesë se këtu mund të jetë edhe në këtë rast, ‘alla shqiptarshe’ që s’ndodh në asnjë vend të botës. Kaq e thjeshtë është kjo!”, tha Rama.
Atentati ndaj gjeneralit në mes të Moskës, i dyshuari ekstradohet nga Dubai në Rusi
Një burrë është arrestuar dhe po ekstradohet në Rusi, i dyshuari kryesor se ka qëlluar oficerin e lartë të inteligjencës ushtarake në Moskë.
Lieutenant Gjeneral Vladimir Alexeyev u qëllua disa herëme armë zjarri pranë një pallati në kryeqytetin rus, Moskë, në atë që autoritetet e kanë cilësuar si një tentativë vrasjeje.
Ai ndodhet aktualisht në spital pas një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) njoftoi se autori i dyshuar ishte arrestuar në Dubai dhe po ekstradohet drejt Rusisë.
Hetimet për ngjarjen po vijonë, ndërsa Ukraina nuk ka bërë ende asnjë koment për sulmin ndaj gjeneralit.
Ky incident ndodh ndërsa SHBA-të po përpiqen të arrijnë një marrëveshje paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë deri në mars, pavarësisht mungesës së progresit mbi koncesionet territoriale.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se amerikanët “duan të bëjnë gjithçka deri në qershor” për të finalizuar marrëveshjen.
Ndërkohë, sulmet ruse ndaj Ukrainës kanë vijuar, pasi mbi 400 dronë dhe rreth 40 raketa u lëshuan të shtunën, 7 shkurt, duke goditur rrjetin elektrik, impiantet e prodhimit të energjisë dhe nënstacionet e shpërndarjes.
Kurbin/ Shiu rrit prurjet, hidrovorët në punë të plotë për të shmangur përmbytjet
Reshjet e dendura të shiut që përfshinë zonën e Kurbinit gjatë natës nuk kanë shkaktuar probleme me përmbytje, ndonëse intensiteti i tyre ka rritur ndjeshëm nivelin e kanaleve kulluese. Situata paraqitet më e ndjeshme në zonën e Adriatikut dhe Fushë Mamurrasit, por fatmirësisht uji nuk ka depërtuar në sipërfaqet e tokave bujqësore.
Sipas informacioneve nga strukturat vendore, dy hidrovorët në zonën e Adriatikut janë vënë në punë me kapacitet të plotë për të përballuar prurjet e ujit dhe për të shmangur rrezikun e përmbytjeve.
Kjo situatë rikthen në vëmendje përmbytjet e mëdha që përfshinë Kurbinin rreth një muaj më parë, të cilat shkaktuan dëme të konsiderueshme në bujqësi dhe në disa banesa të zonës.
-
- Media franceze “Ulysse News”: Udhëtim në Shqipëri, nga gjiret magjike, në qytetet e gurta dhe shtigjet e qeta malore
Media franceze “Ulysse News”: Udhëtim në Shqipëri, nga gjiret magjike, në qytetet e gurta dhe shtigjet e qeta malore
Shqipëria nuk është më një vend i panjohur! Ajo është tashmë nën radarin e turistëve ndërkombëtarë, e lehtë për t’u arritur, dhe ende mund të duket e egër në mënyrë surprizuese, shkruan Vincent Mabire në një artikull të botuar në median franceze të udhëtimeve “Ulysse News”. Sekreti është të ngadalësoni ritmin sa duhet, për t’i dhënë vendit mundësinë të shfaqë anën e tij më të bukur , nga gjiret magjike joniane, te qytetet e gurta dhe shtigjet e qeta malore.
Nëse pyesni vizitorët pse janë dashuruar me Shqipërinë, shumica do të fillojnë me detin e saj të kristaltë. Pastaj, do të flasin për një qytet malor ku perëndimi i diellit të lë pa frymë, për një sit romak të fshehur mes pishave, ose për një vakt të shijshëm që ishte shndërruar në një bisedë të gjatë dhe të paharrueshme. Kjo është magjia e vërtetë e Shqipërisë: ajo shpërblen kuriozitetin dhe ritmin e ngadaltë, jo shpejtësinë!
Kombinoni kohën në plazh, eksplorimet kulturore dhe natyrën e gjallë, dhe do të përjetoni një udhëtim të paharrueshëm në këtë vend të mrekullueshëm. Pse Shqipëria duket si një destinacion i ri edhe pasi është bërë trend? Magjia e Shqipërisë nuk qëndron vetëm te çmimet e përballueshme!
Ajo vjen nga ndjesia se vendi ende po zbulon veten, në kohë reale, sidomos kur largohesh nga pikat më të njohura të plazhit! Në Tiranë, kjo energji ndihet menjëherë: kafenetë janë të mbushura, lagjet ndryshojnë shpejt, dhe qyteti kombinon ngjyra të guximshme me histori të freskët.
Ajo që e bën Shqipërinë të ndryshme nga shumë destinacione klasike mesdhetare është diversiteti i peizazhit. Në një udhëtim të vetëm, mund të vizitoni bregdetin e Jonit, qytetet e vjetra të listuara në UNESCO dhe në fund të përfundoni në ajër të pastër malor. Nuk keni nevojë të jeni një adhurues i historisë për të shijuar vendet kulturore të Shqipërisë.
Këto vende janë të vendosura në peizazhe magjepsëse dhe e tregojnë qartë historinë nëse lexoni secilën pllakë. Niseni turin me Butrintin dhe një nga qytetet e listuara në UNESCO. Parku Arkeologjik i Butrintit ndodhet pranë bregdetit jugor, mjaftueshëm afër për të kaluar disa ditë në plazh dhe për të rifreskuar mendjen!
Është një vend ku mund të shëtisni nëpër shumë epoka, i rrethuar nga gjelbërimi dhe uji. Gjithashtu, vizitoni Sarandën dhe zgjidhni një mjedis praktik ku mund të notoni në det, të kaloni një mëngjes kulturor dhe në mbrëmje të relaksoheni pranë bregut. Ju rekomandojmë të zbuloni qytetet e vjetra, dyshen klasike, Beratin dhe Gjirokastrën, për disa arsye të mira! Berati është i ndritshëm, i butë dhe piktoresk ndërsa Gjirokastra është shkëmbore, e pjerrët dhe emocionuese.
Të dy qytetet është më mirë të eksplorohen ngadalë, duke bërë një shëtitje pasdite vonë dhe duke shijuar një darkë të qetë në një nga restorantet aty pranë. Nëse nuk keni shumë kohë në dispozicion, zgjidhni vetëm një nga qytetet dhe zbuloni sa më shumë që të mundeni!
Një natë e vetme mund të jetë magjike, nëse arrini herët dhe shijoni një shëtitje para perëndimit të diellit.
Gjithashtu, vizitoni Durrësin, dhe zbuloni amfiteatrin romak që daton në fillim të shekullit II pas Krishtit, një monument i historisë së gjatë dhe të lashtë të qytetit bregdetar.
Vija bregdetare jugore, e njohur si Riviera Shqiptare, është vendi ku “lindin” kartolinat. Aty do të gjeni ujëra të kristalta ngjyrë bruz, rrugë buzë shkëmbinjve dhe plazhe që duken shumë të pastra për të qenë reale.
Por ka një detaj të rëndësishëm: koha. Në korrik dhe gusht, destinacionet kryesore bregdetare mund të duken të mbipopulluara.
Zgjidhja nuk është e ndërlikuar, por strategjike. Planifikoni kohën që do të shpenzoni në plazh për të shijuar momente relaksi.
Shkoni herët, dhe gjeni një vend ku ka hije dhe lëvizni për shëtitje panoramike pasi të bjerë vapa.
Qendroni larg zonave më të nxehta dhe vizitojoni ato gjatë ditës. Kështu shijoni pamjet,shmangni kaosin dhe shpesh shpenzoni më pak. Saranda është një nga destinacionet më të mira në jug, ndërsa Vlora mund të jetë një pikë e mirë orientimi për në veri, në varësi të itinerarit tuaj!
Në brendësi të Shqipërisë, udhëtimi fillon të marrë frymë. Zhurma e plazhit zëvendësohet nga lugina, lumenj dhe qytete që ecin me një ritëm tjetër.
Nëse kërkon një destinacion të lehtë dhe të qetë, ktheje vështrimin nga Liqeni i Ohrit, në lindje. Është vendi ideal për mëngjese të ngadalta, shëtitje buzë liqenit dhe një ritëm udhëtimi të butë.
Për një itinerar të fokusuar te natyra, zona e lumit Vjosë është një zgjedhje shumë e mirë, sidomos nëse të pëlqejnë hapësirat e gjera dhe ideja e një Shqipërie më të egër e më autentike.
Në skajin verior, Alpet Shqiptare ofrojnë një “wow” krejt tjetër: maja të thepisura, fshatra të vegjël dhe shtigje ecjeje që mund të kthehen në pikën kulmore të gjithë udhëtimit tuaj. Çelësi është të pranosh lëvizje më të ngadalta dhe të planifikosh më pak ndalesa. Dy ose tre netë në të njëjtën zonë malore shpesh vlejnë më shumë sesa një xhiro e shpejtë që të lë pa frymë.
Një udhëtim i paharrueshëm në Shqipëri rrallëherë ka të bëjë me të bërë sa më shumë gjëra! Ka të bëjë me krijimin e një ritmi të natyrshëm. Mbani mend se gjatë verës, vendet kulturore shijohen më së miri në mëngjes, ndërsa pasditet i përkasin detit, dhe drekave të gjata. Shqipëria ofron më të mirën e saj kur i jepni kohë të ndalet dhe t’ju prekë!
Jep dorëheqjen shefi i Washington Post
Drejtori ekzekutiv i Washington Post ka dhënë dorëheqjen, vetëm disa ditë pasi një e treta e stafit të gazetës u pushua nga puna.
Në një email dërguar stafit, Will Lewis tha: “Gjatë mandatit tim, janë marrë vendime të vështira për të siguruar të ardhmen e qëndrueshme të The Post, në mënyrë që për shumë vite të publikojë lajme jopartiake me cilësi të lartë për miliona klientë çdo ditë”.
“Dua të falënderoj Jeff Bezos për mbështetjen dhe udhëheqjen e tij gjatë gjithë mandatit tim si Drejtor Ekzekutiv dhe Botues. Institucioni nuk mund të kishte një pronar më të mirë”, shtoi ai.
“The Post” tha se Jeff D’Onofrio, drejtori financiar, do të shërbejë si botues dhe drejtor ekzekutiv në detyrë.
Ndryshe, Lewis, një ish-drejtor ekzekutiv i Dow Jones dhe botues i Wall Street Journal, u emërua në këtë rol në Washington Post në vitin 2023.
Ai mori përsipër detyrën nga Fred Ryan, i cili kishte shërbyer si botues dhe drejtor ekzekutiv për gati një dekadë.
Mandati i tij kishte qenë i vështirë që nga fillimi, i shënuar nga shkurtime vendesh pune dhe një plan i dështuar riorganizimi që çoi në largimin e ish-redaktores Sally Buzbee.
Gazeta Washington Post humbi gjithashtu dhjetëra mijëra abonentë pas urdhrit të Bezos në fund të fushatës prsidenciale amerikane, i cili tërhoqi mbështetjen e pritur për Kamala Harris për presidente, dhe ndryshimeve të mëvonshme për t’i kthyer faqet editoriale në një drejtim më konservator.
Raundi i fundit i shkurtimeve të vendeve të punës u njoftua nga gazeta për stafin të mërkurën, me disa zyra të huaja, seksionin e sportit dhe mbulimin e librave që do të mbyllen.
Zelensky: SHBA synon përfundimin e luftës në Ukrainë deri në qershor
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara u kanë vendosur Ukrainës dhe Rusisë një afat të ri për arritjen e një marrëveshjeje paqeje, duke propozuar që lufta të përfundojë deri në muajin qershor. Ai u tha gazetarëve se të dyja palët janë ftuar të marrin pjesë në një raund të ri bisedimesh javën e ardhshme.
Sipas Zelenskyt, administrata e presidentit amerikan Donald Trump “me shumë gjasë do të ushtrojë presion” mbi Ukrainën dhe Rusinë për t’i dhënë fund luftës deri në fillim të verës. “Ata thonë se duan që gjithçka të përfundojë deri në qershor,” tha ai. “Do të bëjnë gjithçka për ta mbyllur luftën dhe duan një kalendar të qartë për të gjitha ngjarjet.”
Zelensky shtoi se, nëse afati i ri i qershorit nuk respektohet, Uashingtoni ka gjasa të rrisë presionin ndaj të dyja palëve për të arritur një marrëveshje.
Para se të merrte detyrën, Donald Trump kishte premtuar se do ta “përfundonte luftën brenda 24 orësh”. Më vonë, i dërguari i tij special për Ukrainën, Keith Kellogg, sugjeroi se një marrëveshje mund të arrihej brenda 100 ditëve nga inaugurimi i Trumpit.
Pasi kjo nuk ndodhi, presidenti amerikan vendosi një afat të ri për arritjen e një marrëveshjeje në gusht të vitit të kaluar, i cili gjithashtu kaloi pa ndonjë përparim. Në dhjetor, Trump deklaroi se një draft-marrëveshje për përfundimin e luftës ishte pothuajse “95% gati”.
Këtë javë u zhvilluan në Abu Dhabi dy ditë bisedimesh paqeje të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, por ato nuk sollën një përparim të dukshëm. Megjithatë, Kyrylo Budanov, kreu i zyrës presidenciale të Ukrainës, i cilësoi negociatat trepalëshe si “vërtet konstruktive”.
Zelenskyy tha të shtunën se administrata Trump po propozon që raundi i ardhshëm i bisedimeve trepalëshe të mbahet në SHBA, me shumë gjasë në Miami, brenda një jave. “Ne e kemi konfirmuar pjesëmarrjen tonë,” u shpreh ai.
Ai la të kuptohet se afati i ri i qershorit mund të lidhet me fushatën e zgjedhjeve afatmesme në SHBA. “Zgjedhjet [afatmesme] janë padyshim më të rëndësishme për ta [amerikanët]. Të mos jemi naivë,” tha Zelensky.
Në përfundim, ai theksoi: Nëse rusët janë vërtet të gatshëm ta përfundojnë luftën, atëherë është thelbësore të vendoset një afat.
Trump planifikon takimin e parë të Bordit të Paqes
Administrata Trump po planifikon një takim të “Bordit të Paqes” më 19 shkurt në Uashington, sipas një zyrtari amerikan dhe një diplomati nga një vend që ishte i ftuar.
SHBA-të dërguan ftesa për eventin dhe e përshkruan takimin si “mbledhja inauguruese e Bordit të Paqes”, sipas një ftese të parë nga CNN.
Është planifikuar të mbahet në Institutin Amerikan të Paqes, të cilin presidenti Donald Trump e ka riemëruar sipas emrit të tij.
Zyrtari amerikan tha se takimi synon pjesërisht të jetë një mbledhje fondesh, por theksoi se detajet ende po përpunohen.
Mbledhja, e raportuar për herë të parë nga Axios , do të jetë hera e parë që grupi mblidhet që nga një ceremoni nënshkrimi në Forumin Ekonomik Botëror në Davos muajin e kaluar.
Rreth dy duzina vende janë anëtarësuar në Bordin e Paqes.
Nuk është e qartë se cilat vende do të marrin pjesë në takimin e 19 shkurtit dhe në çfarë niveli do të përfaqësohen ato.
Bordi i Paqes është pritur me skepticizëm në lidhje me mandatin e tij dhe me pyetje nëse po kërkon të zëvendësojë Kombet e Bashkuara.
Shumica e aleatëve evropianë të SHBA-së nuk kanë rënë dakord të bashkohen dhe Izraeli nuk e ka nënshkruar zyrtarisht kartën për t’u bashkuar me organizatën pavarësisht se ka pranuar ofertën e Trumpit për t’u bashkuar me organizatën, megjithëse kryeministri Benjamin Netanyahu njoftoi se Izraeli do ta bënte këtë.
Bordi, i kryesuar nga Trump, fillimisht u paraqit si një organ i kufizuar i ngarkuar me mbikëqyrjen e rindërtimit të Rripit të Gazës, i cili u shkatërrua nga një luftë dyvjeçare me Izraelin.
Megjithatë, sipas draftit të kartës, misioni i tij është zgjeruar që atëherë për të trajtuar konfliktet në të gjithë botën.
Takimi i ardhshëm vjen ndërsa administrata po punon për të çuar përpara Fazën 2 në planin e saj të paqes për Gazën dhe për të siguruar mbështetje për rindërtimin e saj.
Prokuroria franceze heton ish-ministrin e Kulturës Jack Lang për lidhje me Jeffrey Epstein
Prokurorët për krimet financiare në Francë kanë njoftuar se kanë hapur një hetim paraprak ndaj ish-ministrit të Kulturës, Jack Lang, lidhur me marrëdhëniet e tij me Jeffrey Epstein, financierin amerikan të akuzuar për abuzime seksuale, i cili vdiq në vitin 2019.
Jack Lang, një figurë e rëndësishme e qeverive socialiste franceze nga vitet 1980 deri në fillim të viteve 2000, po hetohet për dyshime mbi “pastrim të të ardhurave që rrjedhin nga evazioni fiskal”.
Hetimi pason publikimin nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë të të ashtuquajturave “dosje Epstein”, të cilat dokumentojnë lidhje mes familjes Lang dhe Epstein.
Lang, 86 vjeç, i ka mohuar akuzat dhe i ka cilësuar ato si “të pabazuara”. Në një deklaratë për AFP, ai tha se hetimi “do të hedhë dritë mbi akuzat që vënë në dyshim ndershmërinë dhe nderin tim”.
Disa orë pas njoftimit për hapjen e hetimit, Lang ofroi dorëheqjen nga posti i drejtorit të Institutit të Botës Arabe, një institucion që synon të promovojë bashkëpunimin dhe shkëmbimet mes Francës dhe vendeve arabe. Në një letër drejtuar ministrit të Jashtëm Jean-Noël Barrot, të parë nga AFP, ai shprehet se do ta paraqesë zyrtarisht dorëheqjen në mbledhjen e ardhshme të bordit drejtues.
Deri më tani, ish-ministri kishte refuzuar presionet për t’u larguar nga kjo detyrë. Barrot, i cili e kishte thirrur Lang për bisedime, konfirmoi se kishte marrë në konsideratë ofertën e dorëheqjes dhe se do të nisë procedurat për gjetjen e një pasuesi.
Në dosjet Epstein, emri i Jack Lang përmendet afro 700 herë.
Në hetim është përfshirë edhe vajza e tij, Caroline Lang, 64 vjeçe, e cila këtë javë dha dorëheqjen nga posti i kryetares së sindikatës franceze të producentëve të filmit.
Jack Lang ka deklaruar se nuk kishte dijeni për krimet e Epstein në kohën kur ishte takuar me të rreth 15 vite më parë. Epstein ishte dënuar në Florida në vitin 2008 për kërkim të shërbimeve seksuale nga një e mitur.
Ish-ministri, i cili ka shërbyer si ministër i Kulturës nga viti 1981 deri më 1993 dhe më pas si ministër i Arsimit, tha se ishte prezantuar me Epstein nga regjisori dhe aktori amerikan Woody Allen. Sipas tij, Epstein i ishte dukur “i apasionuar pas artit, kulturës dhe kinemasë”.
Në një intervistë për radion RTL, Lang e përshkroi Epstein si “bujar” dhe “i sjellshëm”, duke shtuar: “Kur takoj njerëz, nuk u kërkoj të shoh dosjen penale”.
Sipas detajeve të publikuara nga media franceze, Lang dyshohet se i është drejtuar Epstein-it në disa raste për mbështetje financiare ose favore, përfshirë përdorimin e makinës dhe avionit privat të tij për veten dhe familjen.
Caroline Lang i tha portalit Mediapart se ishte takuar me Epstein në vitin 2012, kur ai i kishte shprehur interes për të investuar te artistë të rinj francezë dhe ndërkombëtarë. Ajo deklaroi se avokatët e Epstein kishin krijuar një kompani, Prytanee LLC, me seli në Ishujt e Virgjër Amerikanë.
Sipas Mediapart, Caroline Lang zotëronte gjysmën e aksioneve të kësaj kompanie, por ajo mohoi të kishte investuar ose përfituar fonde prej saj. Një email i përfshirë në dosje sugjeron se ajo kishte kontribuar me njohuritë e saj në fushën e artit. Ajo e cilësoi veten “jashtëzakonisht naive”.
Duke njoftuar dorëheqjen nga sindikata e producentëve, ajo u shpreh: “Nuk dua që kjo situatë të dëmtojë në asnjë mënyrë organizatën”.
Dosjet nuk sugjerojnë se Jack Lang apo vajza e tij kanë qenë të përfshirë në krimet seksuale të Epstein.
Publikimi më i fundit i dosjeve Epstein nga qeveria amerikane, që përfshin miliona dokumente, përmban emra të personave të pasur dhe me pushtet nga e gjithë bota. Përmendja në këto dokumente nuk nënkupton domosdoshmërisht përfshirje në veprimtari të paligjshme.
Jeffrey Epstein vdiq në burg në Nju Jork në vitin 2019, ndërsa priste gjyqin për akuza të trafikimit seksual.
Japonia voton mes dëborës në zgjedhjet e parakohshme, Takaichi pritet të fitojë bindshëm
Qytetarët japonezë po votojnë në kushte të vështira atmosferike, ndërsa sondazhet parashikojnë një fitore të thellë për koalicionin qeverisës të kryeministres Sanae Takaichi.
Qytetarë në mbarë Japoninë iu drejtuan qendrave të votimit mes reshjeve të dendura të borës, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të thirrura nga kryeministrja Sanae Takaichi. Sipas sondazheve, koalicioni i saj pritet të sigurojë një shumicë të qartë në Dhomën e Ulët të Parlamentit.
Këto janë zgjedhjet e para të mbajtura në mes të dimrit në Japoni pas 36 vitesh. Takaichi vendosi t’i shpallë ato menjëherë pas fitores në garën për drejtimin e Partisë Liberale Demokratike (LDP), duke synuar të marrë një mandat të fortë nga votuesit.
Sondazhet tregojnë se LDP-ja, në koalicion me Partinë e Inovacionit Japonez, mund të fitojë deri në 300 nga 465 vendet parlamentare, një rikthim i rëndësishëm pas humbjes së shumicës për shkak të skandaleve të korrupsionit dhe krizës së kostos së jetesës.
Takaichi ka fituar popullaritet duke premtuar ulje taksash dhe subvencione, megjithëse kritikët dyshojnë se rritja e shpenzimeve do të ndihmojë një ekonomi që po përballet me ngadalësim dhe me një borxh publik shumë të lartë.
Motit i keq pritet të ndikojë në pjesëmarrjen e votuesve, veçanërisht në rajonet veriore dhe lindore. Votimi i hershëm shënoi rreth 4.6 milionë votues, 2.5% më pak se në zgjedhjet e vitit 2024, rënie që i atribuohet kushteve atmosferike.
Në disa zona, përfshirë prefekturën Niigata, u raportuan reshje të mëdha bore. Autoritetet njoftuan për pezullimin e dhjetëra linjave hekurudhore dhe trageteve, si dhe anulimin e mbi 50 fluturimeve. Reshje të rralla bore u regjistruan edhe në Tokio.
Admiruese e ish-kryeministres britanike Margaret Thatcher, Takaichi njihet për qëndrime të forta nacionaliste dhe për mbështetjen e rritjes së kapaciteteve mbrojtëse të Japonisë. Ajo gëzon mbështetje të lartë, veçanërisht te votuesit e rinj, ndërsa vlerësimet për qeverinë e saj kanë qëndruar mbi 70% që nga tetori.
Megjithatë, analistët paralajmërojnë se popullariteti personal i kryeministres mund të mos mjaftojë për të kompensuar dëmin që i është bërë LDP-së nga skandalet e korrupsionit dhe nga një opozitë më e bashkuar se më parë.
Zgjedhjet konsiderohen një provë e rëndësishme politike për Takaichin, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në politikën e jashtme, ku ajo ka përballur kritika për përkeqësimin e marrëdhënieve me Kinën dhe afrimin e saj të hapur me Shtetet e Bashkuara.
Parashikimi i motit, 8 shkurt 2026
Ditën e sotme (e diel 8 shkurt), vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.
Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura, megjithatë nuk do të mungojnë kthjellime të herëpashershme kryesisht përgjatë vijës bregdetare e lokalisht në jug gjatë orëve të pasdites.
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj
Dashi- Kjo ditë parashikohet që të jetë e qetë. Ata që janë vetëm do të jenë të parezistueshëm. Në sferën profesionale ju pret një periudhë intensive.
Demi- Në dashuri yjet parashikojnë realizimin e një dëshire që e keni pasur prej kohësh, e cila do të vijë si një dhuratë. Në punë mund të ndiheni të lodhur për shkak të ngarkesës që do të keni.
Binjakët- Partneri/ja do të bëjë gjithçka për t’iu lumturuar. Do të kaloni një ditë të kënaqshme dhe një mbrëmje harmonike. Në sferën profesionale, yjet do ju favorizojnë.
Gaforrja- Parashikohen pavendosmëri në raportin në çift. Kjo situatë do të vijojë të jetë e rëndë, duke bërë që të ndiheni të lodhur. Në sferën profesionale nuk do të keni mundësi shumë të mira për të marrë atë që prisni.
Luani- Kjo ditë fundjave do të jetë mjaft e qetë. Në raportin në çift mos e xhelozoni partnerin/en tuaj. Në punë do të përballeni me një mundësi shumë të mirë, e cila mund të çojë në rritjen tuaj profesionale.
Virgjëresha- Përgatituni që në raportin në çift të përballeni me surpriza, disa prej tyre shumë të kënaqshme. Në sferën profesionale, përgatituni për të shijuar frytet e punës tuaj.
Peshorja- Mundohuni që t’i jepni partnerit/es më shumë besim dhe nuk do të pendoheni. Në rastin e situatave të komplikuara mos refuzoni mundësinë e një ndryshimi në sferën e ndjenjave, prisni dhe vlerësoni me qetësi.
Akrepi- Në raportin në çift do të mundoheni të bëni vetëm atë që ndjeni se duhet të bëni, për të përjetuar momente të mira. Dikush prej jush mund të jetë në kontakt me persona jo shumë të këndshëm.
Shigjetari- Pritet një e shtunë shumë interesante, e cila do të sjellë lajme të mira në dashuri. Yjet garantojnë ekuilibër në shenjë.
Bricjapi- Kjo e shtunë do të jetë vërtetë me fat dhe parashikohet një ditë e bukur. Bëni mirë që të dëgjoni këshillat e miqve pasi do të jenë vërtetë me vlerë dhe koha do ju japë të drejtë.
Ujori- Kjo është një ditë shumë e favorshme në jetën sentimentale. Është një periudhë shumë e favorshme dhe jo vetëm në dashuri.
Peshqit- Kjo ditë do të jetë disi më e zbehtë se normalja. Do t’iu duhet të merreni me gjëra praktike, por që në fund të fundit do të rezultojnë të mërzitshme.
Kushtetuesja rrëzon padinë e Ramës/ Rikthen pezullimin për zëvendëskryeministren
Rikthehet masa e pezullimit për zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Pas 3 javësh shqyrtim, Gjykata Kushtetuese nuk arriti të marrë dot një vendim shumice për padinë e kryeministrit Edi Rama, duke rrëzuar kërkesën, për shkak se 8 gjyqtarët u ndanë në 4 pro dhe 4 kundër.
4 gjyqtarë, sipas vendimit, kërkuan ashtu si kryeministri që për masën e pezullimit të kërkohet dhënia e autorizimit paraprak nga Kuvendi, pasi për nga shkalla dhe intensiteti i saj prek funksionin kushtetues politik të ministrit dhe cenon ndarjen dhe balancimin e pushteteve.
4 të tjerët argumentuan se në masat për të cilat duhet kërkuar autorizim paraprak nga Kuvendi, nuk parashikohet masa ndaluese e pezullimit sipas Kodit të Procedurës Penale, edhe pse pranojnë se kjo masë në vetvete pamundëson ushtrimin e funksioneve të ministrit dhe ndërhyn edhe në veprimtarinë e Këshillit të Ministrave.
Kurse njëzëri, gjykata vlerësoi se ministri nuk e ka të garantuar imunitetin edhe pse është i zgjedhur nga qytetarët, pasi ministrat i nënshtrohen ligjit dhe mbahen përgjegjës nëse e shkelin atë.
Këtë vendim e komunikoi vetë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Fiona Papajorgji në një takim të mbyllur për mediat, pa praninë e anëtarëve të tjerë, duke refuzuar t’u përgjigjet pyetjes se cilët gjyqtarë votuan pro dhe cilët kundër padisë së kryeministrit.
Ndërkohë, në fund të vitit të kaluar, ishte po kjo Gjykatë Kushtetuese e cila pranoi padinë e kryeministrit për ta shqyrtuar, atëherë gjyqtarët u ndanë 5 me 3.
Por me këtë vendim 4-4, ku nuk u arrit shumicë numerike, Gjykata Kushtetuese në fakt i dha të drejtë Gjykatës së Posaçme për masën e pezullimit nga detyra të Belinda Ballukut, kurse qeverisë, ndonëse e rrëzoi, nuk i shpjegoi as se si mund të funksionojë ende normalisht me një zv.kryeministre dhe ministre të pezulluar.
A do të zbatohet përkohësisht marrëveshja për Mercosur? Von der Leyen po llogarit rreziqet
Presidentja e Komisionit Evropian nuk ka marrë ende një vendim mbi zbatimin e përkohshëm të marrëveshjes së tregtisë së lirë me Mercosur.
Ursula von der Leyen është në parim pro, por është ende duke vlerësuar rreziqet e kësaj vendimi. Tema duhej të diskutohej dje në Paris me Emmanuel Macron, si dhe në samitin informal të krerëve të shteteve dhe qeverive javën e ardhshme.
Von der Leyen dëshiron të dijë cilët liderë e konsiderojnë zbatimin e përkohshëm të marrëveshjes Mercosur si një çështje ekzistenciale në planin e politikës së brendshme. Do të konsultohen liderët e Francës, Polonisë, Irlandës dhe Austrisë.
Në llogaritjen e rrezikut, von der Leyen duhet të marrë parasysh edhe Parlamentin Evropian, i cili, nëse do të rrëzonte ratifikimin, do ta dështonte përfundimisht marrëveshjen me Mercosur.
Megjithë presionet e kancelarit gjerman, Friedrich Merz, për zbatimin e përkohshëm, von der Leyen ka ende pak kohë për të përfunduar vlerësimet e saj.
Kërkohet një ratifikim nga një prej katër vendeve të Amerikës së Jugut (Brazili, Argjentina, Paraguaji dhe Uruguaji). Paraguaji pritet të jetë i pari pas disa muajsh.
Epstein mund të ketë punuar për Izraelin?!/ Reagon Netanyahu
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka përdorur vëmendjen e ripërtërirë ndaj dosjeve Epstein për të sulmuar paraardhësin e tij Ehud Barak, duke deklaruar se Jeffrey Epstein “nuk ka punuar për Izraelin”.
E përditshmja The Jerusalem Post raportoi se lidhjet e ish-kryeministrit Barak me Epstein morën vëmendje të gjerë mediatike pasi të dy u takuan disa herë në vitet 2015 dhe 2016, vite pas dënimit të parë penal të Epsteinit.
Fotografi të qarkulluara në atë kohë tregonin Barakun duke hyrë në rezidencën e Epsteinit në Manhattan, New York.
Në komentin e tij të parë publik mbi dokumentet e Epsteinit, Netanyahu tha se “marrëdhënia e pazakontë dhe e ngushtë e Epsteinit me Ehud Barakun nuk sugjeron se Epsteini ka punuar për Izraelin, ajo provon të kundërtën”.
“I mbërthyer pas humbjes së tij zgjedhore nga më shumë se dy dekada më parë, Baraku prej vitesh ka tentuar në mënyrë obsesive të minojë demokracinë izraelite duke bashkëpunuar me të majtën radikale anti-sioniste në përpjekje të dështuara për të rrëzuar qeverinë izraelite të zgjedhur”, tha Netanyahu, duke iu referuar administratës së tij.
Netanyahu akuzoi Barakun se është angazhuar “në aktivitete publike dhe prapa skenave për të minuar qeverinë e Izraelit, përfshirë nxitjen e lëvizjeve masive të protestës, shkaktimin e trazirave dhe ushqimin e narrativave të rreme mediatike”. Ndryshe, Baraku prej vitesh ka qenë një kritik i zëshëm i Netanyahut dhe ka bërë thirrje të përsëritura për largimin e qeverisë.