Bajram Curri, atdhetari dhe luftëtari i kryengritjeve antiosmane
TIRANË, 16 janar/ATSh/ Më 16 janar të vitit 1862, lindi në Gjakovë, Bajram Curri.
Ai ishte një ndër protagonistët kryesorë të lëvizjes kombëtare dhe proceseve shtetformuese shqiptare në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX.
Veprimtaria politike e Bajram Currit nisi me angazhimin në Lidhjen e Pejës (1899-1900). Veproi si një prej drejtuesve kryesorë në kryengritjet antiosmane (1908-1912) duke luftuar për autonominë e Shqipërisë dhe për mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit.
Bajram Curri kontribuoi në zhvillimin e arsimit në Kosovë. Ai mbështeti klubin “Bashkimi” të Shkupit në përpjekjet për përhapjen e shkollave shqipe dhe zbatimin e alfabetit të Kongresit te Manastirit.
Si komandant, udhëhoqi kryengritjet e viteve 1910–1912, ndërsa pas shpalljes së Pavarësisë u integrua në jetën politike të shtetit të ri. Gjithashtu luftoi edhe në Kosovë kundër zgjedhës serbe. Shprehu mospajtimin me vendimet e Fuqive të Mëdha në kuadër të Konferencës së Londrës të vitit 1913. Në vitin 1918 u zgjodh anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe qe një ndër udhëheqësit kryesorë të tij.
Në vitin 1920, ai mori pjesë në Kongresin e Lushnjës, ku u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar. Në zhvillimet e brendshme politike të viteve ’20 të shek. XX, ai u rreshtua me krahun liberal-demokratik, duke mbështetur Lëvizjen e Qershorit dhe qeverinë e Fan Nolit.
Jeta e tij u ndërpre më 29 mars të vitit 1925 në Dragobi, duke mbetur në historiografinë shqiptare si një simbol i qëndresës për bashkim, liri dhe organizim shtetëror. /j.p/
The post Bajram Curri, atdhetari dhe luftëtari i kryengritjeve antiosmane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.