Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 January 2026Main stream

Edhe pak ditë vendi duhet të dorëzojë raportin në UNESCO për zonat në mbrojtjen e kësaj organizate

24 January 2026 at 18:06


Deri më 1 shkurt, Shkupi dhe Tirana kanë kohë që në UNESCO të dorëzojë raport që duhet të tregojë se çfarë kanë bërë në 8 muajt e fundit, për të siguruar që rajoni rreth Liqenit të Ohrit të mos jetë në listën e zonave të rrezikuara nën mbrojtjen e UNESCO-s. Ministri i Kulturës, Zoran Lutkov, në vend që të japë sqarime për zbatimin e rekomandimeve dhe vërejtjeve të UNESCO-s për vite me radhë, justifikim kërkon nga pala shqiptare.

“Një nga problemet më të mëdha në të gjithë këtë proces është se që nga viti 2016 pala shqiptare ka hyrë në të gjithë këtë proces dhe kjo e bën komunikimin pak më të vështirë. Ata kishin zgjedhje më parë, ndryshim të qeverisë, dhe ne kishim zgjedhje gjithashtu, dhe kështu që për një periudhë të gjatë asgjë nuk ndodhi në 6-7 vitet e fundit. Komunikimi është shumë i rëndësishëm në të gjithë procesin. Ne mund të plotësojmë një pjesë të madhe të rekomandimeve tona që kemi si Ministri e Kulturës, por nëse në anën tjetër nuk plotësohet, ka kritika nga komisioni i UNESCO-s”, tha Zoran Lutkov – Ministër i Kulturës.

Lutkov tha se raporti është duke u përgatitur dhe muajin e kaluar u ngrit një shtab krize për të punuar mbi rekomandimet. Ai pretendon se shumë gjëra janë bërë deri më tani, pa specifikuar se cilat janë ato.

“Shumë gjëra janë bërë, nuk mund të them se nuk janë bërë, shpresoj se në bazë të asaj që kemi bërë deri tani dhe asaj që do të bëjmë këto ditë, do të kemi një vlerësim pozitiv dhe nuk do të futemi në listën e rrezikut”, shtoi Zoran Lutkov – Ministër i Kulturës.
Konstantin Georgievski, aktivist civil thotë se nuk ka aktivitete serioze, sistematike dhe të koordinuara që mund të përmirësojnë realisht situatën në mbrojtjen e rajonit të Ohrit.

“Do të kemi pasoja në të ardhmen dhe gjeneratat e ardhshme do të na urrejnë për të njëjtën arsye pse nuk kemi ndërmarrë asgjë më shumë. UNESCO nuk është një armik i zhvillimit ekonomik, UNESCO nuk është një eliminator i zhvillimit ekonomik, UNESCO është një organizatë në të cilën ne u bashkuam vullnetarisht në vitet 1980, dhe është e jona të ndjekim rregullat siç bëjnë shumë vende të tjera”, u shpreh Konstantin Zdraveski – Shoqata Ekologjike EKOMENLOG.

Një nga vërejtjet më të mëdha është urbanizimi i tepërt dhe problemi i ndërtimeve të paligjshme. /Alsat.mk

Nesër në Tetovë dhe Kumanovë do të testohet sistemi "Safe City", MPB jep detaje

24 January 2026 at 11:58


Ministria e Punëve të Brendshme i ka njoftuar qytetarët se në kuadër të projektit „Qyteti i Sigurt“, nesër, më 25 janar, do të zbatohen aktivitete për testimin, kalibrimin dhe verifikimin e pajisjeve të vendosura (kamerave) për mbikëqyrje të komunikacionit në zonën e qyteteve të Kumanovës dhe Tetovës, informon Telegrafi Maqedoni.

Siç thuhet në njoftim aktivitetet do të realizohen në intervalin kohor nga ora 08:00 deri në 20:00, me ç’rast në secilin lokacion me kamerë të vendosur procedura do të kryhet një herë dhe do të zgjasë pak, përafërsisht nga 15 deri në 30 minuta.

Gjatë zbatimit të aktiviteteve në lokacionin konkret, komunikacioni përkohësisht nuk do të lejohet derisa zgjat procedura, pas së cilës do të vazhdojë të zhvillohet normalisht.U bëjmë thirrje qytetarëve dhe gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që t’i respektojnë kufizimet e përkohshme, si dhe të tregojnë mirëkuptim, durim dhe bashkëpunim me qëllim të realizimit të papenguar dhe të sigurt të aktiviteteve të planifikuara.

Kujtojmë se zbatimi aktiv i sistemit "Qyteti i Sigurt" do të fillojë prej më 1 shkurt, pasi dje në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ligji u miratua me 81 vota pro. /Telegrafi/

Yesterday — 23 January 2026Main stream

Sela: Kamerat nga "Safe City" janë vendosur në komunat me shumicë shqiptare, po ndodh zhvatje e qytetarëve

23 January 2026 at 19:47


Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ka kritikuar vendosjen në funksion të sistemit "Safe City", informon Telegrafi Maqedoni.

Ai thotë se ky sistem ka për qëllim zhvatjen e qytetarëve, pasi nëpër rrugët ku janë vendosur kamerat e sigurisë në komunikacion, nuk ka as semaforë e as parkingje dhe sipas tij janë vendosur në lagjet ku banojnë shumicë shqiptare.

"Është për të ardhur keq kur sheh që edhe projektet që promovohen për të mirën e përgjithshme, sigurinë e qytetarëve siç ka qejf ta thot qeveria, për qëllim ka zhvatjen e një kategorie qytetarësh! Nqs keni dlieme se në xhepin e kujt synohet të goditet është më se e qartë. -Shihni ku implementohet projekti “Safe City”-Shkupi, Kumanova, Tetova?!-Shihni shpërndarjen e kamerave te Safe City në Shkup,ku janë më shumë të koncentruara në numër? Në Çair, Saraj, Butel?! Janë komunat me shumicë shqiptare. Janë hyrje daljet e shqiptarëve për në Shkup.Janë vendet me (pa) infrasktrukturë të komunkacionit dhe rrugor më të vjetër. Pa semaforë por me kamera për te zhvat! Pa parkingje por me gjoba! Pa sinjalistik rrugore por me denime të majme… E pra të dashur shqiptar, EKSPLOATIMI ska brina, kështu ngjan", shkruan Sela.

Sela ka përmendur dhe faktin se Maqedonia e Veriut do të duhet të kthejë edhe kredinë prej dy miliardë eurove, e që sipas tij, ajo kredi do të kthehet nga gjobat që do të paguajnë qytetarët nga sistemi i MPB-së.

"Meqë ra fjala Maqedonia e Veriut këtë vit duhet të kthej rreth 2 miliard euro kredi! Do i kthejme ne ku më pak është investuar, edhe nga projekti “Safe City”. Kështu pra ngjan Eksploatimi…P.S. Jam i vetëdijshëm që do më akuzojnë se gjithckaje i jap konotacion etnik. Jo unë për hir të së vërtetës, asnjëherë unë dhe Aleanca për Shqiptarët, por ata që na drejtojnë gishtin. Po është e vërtetë ne skemi hesht dhe sdo të heshtim kurrë…", shkruan Sela.

Kujtojmë se ligji për aktivizimin e kamerave të sigurisë nga "Safe City" u miratua në Kuvend sot me 81 vota.

Për këtë ligj votuan, OBRM-PDUKM, VLEN, E Majta, Bejxhan Iljaz si dhe deputeti i pavarur Ilir Demiri. /Telegrafi/

Iseni: Nga 1 shkurti do të fillojë zbatimi i "Safe City", BDI doli kundër sigurisë së qytetarëve

23 January 2026 at 15:17


Zv. ministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni njofton se nga 1 shkurti fillon zbatimi i Ligjit për Kundërvajtje apo siç njihet zbatimi i projektit "Safe City".

Iseni thotë se "Safe City" ka përqëllim rritjen e sigurisë së qytetarëve në trafik.

“Safe City” nuk janë kamerat. Është jetë e shpëtuar. Është fundi i kaosit në rrugë dhe i papërgjegjshmërisë që ka marrë jetë njerëzish", shkruan Iseni në profilin e tij në Facebook.

Ai poashtu ka akuzuar BDI-në se zgjodhi të dalë kundër sigurisë së qytetarëve.

"Nga premtime për mbështetje, kaluan në sabotim të ligjit jetik, vetëm për pazare të ulëta politike.Sot u pa qartë: Siguria publike për ta vlen më pak se interesat partiake. Kjo tregon edhe diçka tjetër, Ali Ahmeti nuk e kontrollon as grupin e vet të deputetëve, e jo më shtetin.

VLEN nuk tërhiqet dhe nuk frikësohet. “Safe City” do të zbatohet, me ose pa BDI-në. Ne jemi në anën e qytetarëve, jo të pazareve. Kush është kundër sigurisë, është kundër njerëzve", shkruan Iseni./Telegrafi/

Shaqiri: Ligjin për Kundërvajtje do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese

23 January 2026 at 14:07


Deputetët e ASH-së së Taravarit paralajmërojnë iniciativë në Gjykatën Kushtetuese, kundër sistemit “Safe City”. Deputeti Rijad Shaqiri tha se ndryshimet në ligjin për kundërvajtje janë në kundërshtim me nenin 9 të Kushtetutës.

“Do të shtrojmë kërkesë në kuadër të Gjykatës Kushtetuese për kushtetutshmërinë e këtij ligji pasi është në kundërshtim me nenin 9 të Kushtetutës. Ligjet duhet të sillen në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut”, tha në intervistë për "Alsat" Rijad Shaqiri, Deputet i ASH-së së Taravarit.

Shaqiri tha se ASH-ja e Taravarit është kundër idesë së kreut të BDI-së Ahmeti për një njësi zgjedhor me prag prej 5%. Ai tha se për ASH-në modeli i pranuar do të ishte me tetë njësi zgjedhore.

“Hipotetikisht nëse ne shkojmë me një njësi zgjedhore, cila është garancia që ne mund të mbikëqyrim procesin zgjedhor në pjesën e Maqedonisë Lindore ku dihet se ajo pjesë është e boshatisur.

Ne jemi kundër idesë që të ketë një njësi zgjedhore. Ne jemi për lista të hapura mirëpo me tetë njësi zgjedhore”, u shpreh Rijad Shaqiri, Deputet i ASH-së së Taravarit.

Shaqiri tha se me BDI-në janë partnerë në AKI dhe se asnjëherë nuk do të ndodhë që kjo strukturë e udhëhequr nga Taravari të shkrihet në BDI, pavarësisht vendimit gjyqësor për vulat e partisë.

Kujtojmë se sot në Kuvend me 81 vota "pro" kaluan ndryshimet ligjore për Ligjin për Kundërvajtje, sipas të cilës nga 1 shkurti mundësohet zbatimi i projektit "Safe City" në qytetet e Shkupit, Tetovës dhe Kumanovës.

Kalon Ligji për kundërvajtje, "Safe City" nis zbatimin nga shkurti

23 January 2026 at 13:44


Me 81 vota “për” dhe 19 “kundër, në Kuvend kaloi Ligji për kundërvajtje, me të cilin do të finalizohet projekti "Safe City" dhe i njëjti do të hyjë në fuqi nga 1 shkurti.

Kundër ndryshimeve në këtë ligj ishin 19 deputetë ndërsa nuk kishte asnjë të përmbajtur.

Pro votuan deputetët e OBRM-PDUKM-së, VLEN-it, ZNAM-it, "Të Majtës" dhe deputeti i pavarur tashmë, Ilir Demiri.

Deputetja e BDI-së, Rina Ajdari u shpreh kundër “Safe Cityt”, ashtu sikurse edhe Rijad Shaqiri dhe Ilire Dauti. Pasi ndryshimet e Ligjit u votuan me 81 vota, deputetja e BDI-së, Rina Jadari kërkoi votim veçmas dhe të hapur, ndërkohë që sërish dolën 81 vota “për”.

Me këto ndryshime, projekti "Safe City" do të mund të zbatohet nga 1 shkurti./Telegrafi/

ASH, Taravari: Zbatimi i "Safe City" ngre shqetësime serioze juridike, sociale dhe kushtetuese

23 January 2026 at 13:24


Aleanca për Shqiptarët, krahu i Arben Taravarit, shpreh qëndrimin e saj kritik ndaj Ligjit për Kundërvajtje, në të cilin përfshihet edhe projekti “Safe City”, duke vlerësuar se zbatimi aktual i këtij projekti ngre shqetësime serioze juridike, sociale dhe kushtetuese.

"Së pari, Aleanca për Shqiptarët vëren se nuk po zbatohet Ligji për përdorimin e gjuhëve, veçanërisht në komunikimin zyrtar me qytetarët, përfshirë edhe njoftimet dhe sanksionet që burojnë nga projekti “Safe City”.

Kjo përbën shkelje të drejtpërdrejtë të të drejtave gjuhësore të qytetarëve shqiptarë dhe është e papranueshme në një shtet multietnik. Së dyti, kërkojmë rishikim të lartësisë së dënimeve dhe të pjesës së tolerancës, me qëllim që qytetarët të mos dëmtohen padrejtësisht. Siguria në komunikacion është e rëndësishme dhe e domosdoshme, por ajo nuk duhet të realizohet në kurriz të mirëqenies dhe jetesës së qytetarëve, përmes dënimeve disproporcionale dhe pa ndjeshmëri sociale.

Së treti, Aleanca për Shqiptarët thekson se zbatimi selektiv i projektit “Safe City” vetëm në disa qytete është i padrejtë dhe diskriminues. Nëse ky projekt synon rritjen e sigurisë publike, atëherë ai duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë në të gjithë territorin e shtetit, dhe jo vetëm në tre qytete.", thonë nga ASH.

Nga atje kërkojnë nga institucionet kompetente që urgjentisht të adresojnë këto vërejtje, të hapin debat publik dhe të sigurojnë që çdo projekt i tillë të jetë në përputhje me ligjin, barazinë dhe interesin real të qytetarëve./Telegrafi/

BDI vendos: Nuk do ta votojmë ligjin për "Safe City"

23 January 2026 at 13:01


Bashkimi Demokratik për Integrim ka vendosur që mos ata votojë sot propozim ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kundërvajtje, ligj ky që duhet të hyjë në fuqi, që të mund të fillojë funksionimi i sistemi “Safe City” nga 1 shkurti.

Koordinatorja e grupit parlamentar të Frontit Evropian (BDI), Rina Ajdari për TV21 tha se nuk do të votojnë, ndërsa adresoi disa kërkesa për ndryshime.

Kujtojmë se ligji në fjalë kërkon mbështetja me shumicë prej dy të tretash në Kuvend. Paraprakisht, edhe LSDM ka paralajmëruar se nuk do të votojë për ndryshimet e Ligjit.

Before yesterdayMain stream

Kallëzim penal ndaj 14 pjesëtarëve të Ushtrisë, dyshohen për bashkim kriminal dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare

22 January 2026 at 10:32


Sindikata e Pavarur e Ushtarëve Profesionalë njoftoi se më 20 janar 2026, ka dorëzuar kallëzim penal në institucionet kompetente kundër 14 pjesëtarëve të Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Sipas njoftimit të sindikatës, kallëzimi ka të bëjë me dyshimet për kryerjen e veprave penale "keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar" (neni 353 i Kodit Penal), "bashkimit kriminal" (neni 394) dhe "punës së pakujdesshme në shërbim" (neni 353-c).
Siç thnë nga sindikata, personat e raportuar janë 11 oficerë dhe tre nënoficerë, të punësuar në njësi të ndryshme të Ushtrisë. Midis tyre janë komandanti i Brigadës së 1-rë të Këmbësorisë, komandanti i Batalionit të 2-të të Këmbësorisë, tre punonjës në Petrovec, tre punonjës në Shtip, si dhe gjashtë anëtarë të komisioneve disiplinore në Shtip.

Sindikata thekson se ankesa i referohet dëmit të supozuar material të shkaktuar ndaj anëtarëve të Ushtrisë dhe buxhetit të shtetit.
Në deklaratë thuhet se sindikata ka apeluar në të kaluarën për respektimin e të drejtave të ushtarëve profesionistë dhe për zbatimin konsistent të Ligjit për Shërbimin në Ushtri, por, sipas tyre, pa sukses.

Sindikata gjithashtu informon se, siç pretendojnë ata, katër gjeneralë aktualisht po veprojnë kundër tyre dhe anëtarëve të saj, për të cilët njoftojnë se do të paraqesin raporte përkatëse në periudhën e ardhshme.

Për më tepër, Sindikata e Pavarur e Ushtarëve Profesionistë i bëri thirrje presidentes së vendit dhe komandantit suprem të Ushtrisë, Gordana Siljanovska-Davkova, të rishikojë vendimet për promovime dhe emërime në pozicione ushtarake përgjegjëse.

Siç deklarojnë ata, kjo është kallëzimi i pestë penal që sindikata ka ngritur kundër punonjësve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë, dhe ata i bëjnë apel Prokurorisë Themelore Publike të veprojë mbi raportet e paraqitura.

Filipçe: LSDM nuk do të mbështet ligjin për zbatimin e "Safe City"

21 January 2026 at 14:12


Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, thekson se grupi parlamentar i partisë së tij nuk do ta mbështesë Ligjin për Kundërvajtjet, i cili është i rëndësishëm për zbatimin e sistemit "Safe City".

Ai përsëriti se nuk janë kundër sigurisë në trafik, por, thotë ai, nuk mund të lejojmë që sistemi të zbatohet pjesërisht.

"Ne jemi gjithashtu për sigurinë e të dhënave personale, të cilat qeveria përsëri nuk po i komenton dhe as nuk po përpiqet t'i rregullojë. Pamë që u ulën në mbledhjen e liderëve, u pajtuan, kështu që do të shohim se çfarë do të sjellë tregu.

Ne jemi një opozitë konstruktive, por nuk jemi të kontrolluar. Nuk do të lejojmë veten të mbështesim një ligj në të cilin nuk rregullohen aspekte serioze, siç është baza e të dhënave e madhe", tha Filipçe në një konferencë për shtyp në selinë e LSDM-së.

"Safe City" do të fillojë më 1 shkurt. Pas njoftimeve të BDI-së se do të japë dritën jeshile, ajo do të ketë shumicën e nevojshme prej dy të tretash për korrigjime ligjore në Parlament. Megjithatë, ata kërkojnë që vërejtjet e tyre të zbatohen.

Për momentin sistemi "Safe City" është në fazën testuese./Telegrafi/

Trençevska: Kemi frikë nga abuzimet me "Safe City", nuk e dimë kush e kontrollon atë

20 January 2026 at 12:12


Nënkryetarja e LSDM-së, Jovanka Trençevska, është skeptike në lidhje me Ligjin për Kundërvajtjet, i cili është i rëndësishëm për funksionimin e projektit "Safe City".

"Mbikëqyrja mbi të gjithë sistemin nuk është në ligj dhe kjo është një çështje që duhet të diskutohet. Kemi frikë nga abuzimi.

Prandaj, duhet të ketë një mekanizëm për mbikëqyrje dhe kontroll. Mënyra se si është ngritur sistemi, nuk e dimë kush e kontrollon dhe nuk e dimë nëse do të ketë abuzime, dhe duke mësuar nga sundimi dhe praktika e pushtetit të OBRM-PDUKM-së, me të vërtetë kemi dyshime. Kush e ushqen softuerin dhe kompjuterin? Faktori njerëzor, në fund të fundit. Kemi frikë nga çdo lloj abuzimi", tha Trençevska në emisionin "360 gradë".

Trençevska pohon se si projekt, LSDM e mbështet atë, duke theksuar se është koha për të ndaluar numrin e viktimave të aksidenteve rrugore. Megjithatë, sipas saj, ata do të diskutojnë brenda partisë një qëndrim përfundimtar në lidhje me një votim të mundshëm për Ligjin për Kundërvajtjet.

Sistemi "Safe City", sipas njoftimeve nga autoritetet, duhet të fillojë zyrtarisht funksionimin më 1 shkurt./Telegrafi/

Nikolloski kërkon mbështetje nga opozita për ligjin për "Safe City", Filipçe: Ekziston mundësia për abuzime me këtë sistem

19 January 2026 at 16:27


Zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolloski kritikoi opozitën LSDM dhe BDI për qasjen e tyre, duke shprehur shpresën se do të reflektojnë dhe do të mbështesin zgjidhjet ligjore, veçanërisht ato që kërkojnë shumicë prej dy të tretash, sipas premtimeve të dhëna në takimin e liderëve.

Po kryetari i LSDM-së Venko Filipçe tha se ligji do ta ketë mbështetjen e tyre, mirëpo kanë dy çështje të cilat do t’i parashtrojnë në Kuvend.

“Lidhur me ligjin, dua të bëj një dallim të qartë midis dy gjërave. Së pari, mbështetja jonë që do të ketë ky ligj nga aspekti i sigurisë në trafik, kjo është diçka që është e nevojshme në Shkup në të gjitha qytetet e mëdha dhe kudo në rrugët e vendit. Por ka dy aspekte shumë të rëndësishme për të cilat pushteti nuk po përgjigjet.

Së pari, çfarë do të ndodhë me sasinë e madhe të të dhënave që gjeneron ky sistem, duke pasur parasysh se OBRM-PDUKM është e njohur për abuzimin me të dhëna të tilla, dhe e dyta është shuma e gjobave. Shuma e dënimeve është diçka e rëndësishme që duhet të bisedohet dhe këto dy pyetje do t’i ngremë në Kuvend”, thotë Filipçe./TV21/

Maqedoni, Safe City me mangësi fillestare, priten përmirësime në 3 deri në 6 muajt e ardhshëm

18 January 2026 at 17:54



Numri një i ekzekutivit, Hristijan Mickoski deklaroi sot se duhet të rregullohet çështja e të dhënave të qytetarëve që mblidhen nga ana e sistemit Safe City, duke pranuar se ky sistem nuk është i përsosur dhe se për këtë është diskutuar edhe në takimin e fundit koordinativ me udhëheqësinë e MPB-së. Por, ai tha se do të duhet një periudhë e caktuar pas zbatimit të sistemit, për të rregulluar të gjithë mangësitë që do t’i vërejmë gjatë implementimit.
“Duhet të ketë protokolle, për shumë çështje duhet të kemi protokolle, e kemi biseduar dje. Gajtë implementimit, do të vërejmë se shumë gjëra mungojnë. Në të vërtetë, askush nuk ka qenë i përsosur 100% menjëherë kur ka zbatuar këtë projekt. Është logjike që në 3 deri 6 muajt e ardhshëm të kemi harmonizime të caktuara. Por, gjithashtu atë që do ta përsëris, mua më gëzon fakti që kemi arritur aspektin human të këtij projekti, ndërsa ai është më pak viktima si pasojë e aksidenteve në trafik”, u shpreh Mickoski.
Në lidhje me miratimin e ligjeve për shkelje në Kuvend, që kanë të bëjnë me sistemin Safe City, Mickoski tha se pavarësisht pasigurisë rreth mbështetjes nga LSDM, është e rëndësishme që ky sistem tashmë po i arrin qëllimet e tij themelore dhe po ndihmon në mbrojtjen e jetëve njerëzore.
“Kjo do të thotë që qytetarët e respektojnë këtë projekt dhe kjo është dëshmi se ligjet mund të respektohen. Jam i lumtur që kjo po ndodh dhe dua t’i falënderoj qytetarët, shoferët dhe t’u bëj thirrje të jenë të ndërgjegjshëm”, deklaroi Mickoski.
Kujtojmë se, lideri i LSDM-së, Venko Filipçe të shtunën duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve për këtë temë, tha se mbështesin ligjet që lidhen me sigurinë në trafik, por se fillimisht duhet që në Kuvend të zhvillohet diskutim mbi lartësinë e dënimeve dhe të dhënat e qytetarëve që mbledh sistemi I ri në trafik.



Maqedoni, ministri i Mbrojtjes mbështet shërbimin e detyrueshëm ushtarak

17 January 2026 at 12:00


Ministri i Mbrojtjes, Vlado Misajlovski, mbështet idenë e futjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Maqedoni, por thekson se vendi aktualisht nuk ka burime të mjaftueshme financiare dhe hapësinore për zbatimin e tij. Ai e bëri këtë deklaratë gjatë një vizite në kazermën e Velesit "Alekso Demnievski-Bauman".
"Unë personalisht e inkurajoj këtë veprim. Të rinjtë duhet të kenë mundësinë për një përvojë të tillë, por financat dhe kapacitetet duhet të merren parasysh. Në këtë moment, nuk është e zbatueshme, por në të ardhmen, nëse vlerësohet si e nevojshme, jam i gatshëm ta zbatoj", theksoi Misajlovski.
Vizita ishte rasti për betimin ceremonial të 296 ushtarëve të rinj profesionistë, përfshirë 26 vajza, të cilët do të shërbejnë në Komandën e Stërvitjes dhe Doktrinës. Ministri njoftoi se për shkak të interesit të lartë për karrierën ushtarake, një konkurs i ri rekrutimi do të shpallet deri në fund të vitit.
Përveç kësaj, Misajlovski njoftoi se është përgatitur një vendim mbi statusin e ushtarëve profesionistë mbi moshën 45 vjeç, i cili do të publikohet së shpejti dhe do të përcaktojë se si do të kujdesen për ta pas përfundimit të shërbimit aktiv.

Sindikata kërkon rritje pagash për personelin e Ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes në RMV

15 January 2026 at 15:56


Në dy vitet e fundit, paga e personelit të Ushtrisë dhe e të punësuarve në Ministrinë e Mbrojtjes nuk ka shënuar asnjë rritje. Ndërkohë, nga janari i vitit 2024, me ndryshimet në ligjin për shërbim në Armatë, është ndryshuar edhe sistemi i llogaritjes së pagave, gjë që ka ndikuar negativisht te të punësuarit.

Sipas kryetarit të Sindikatës së Mbrojtjes, Mario Jurishiq, kërkesat e tyre janë të qarta, ata kërkojmë rritje të pikëve për pagën bazë për 20 %, rishikim të sistemit të pagave, i cili sipas tij, duhet të bazohet në shpenzimet jetësore dhe nivelin e inflacionit në vend, si dhe zgjidhjen e statusit të ushtarëve profesional deri në pensionim.

“Kërkojmë rritje të pikëve për pagë bazë për 20 %. Kërkojmë revidim të sistemit të cilat do të jenë në bazë të harxhimeve jetësore dhe inflacionit në vend dhe kërkojmë zgjidhjen e statusit të ushtarëve profesional deri në pensionimin. Nëse e llogarisim pagën e të punësuarve të mbrojtjes, në të gjitha nivelet, ushtar profesional, civil, nën oficer dhe oficer, do të shohim se pagat janë të njëjta edhe në shkurt të 2024 por edhe në dhjetor me pagën e fundit të vitit 2025. Për këtë arsye kërkojmë që ky sistem të rishqyrtohet sepse pjesëtaret tonë nuk mund t’i blejë gjerat e njëjta me atë pagë që i ka blerë në shkurt të 2024 dhe të blejë të njëjtat në vitin 2025”, tha Mario Jurishiq – Kryetar i sindikatës së Mbrojtjes.

Sipas sindikatës, lidhur me kërkesat e tyre është zhvilluar edhe një takim me ministrin e Mbrojtjes, por gjatë takimit u është bërë e ditur se nuk janë planifikuar mjete për rritje të pagave për vitin e ardhshëm. Sipas kryetarit të sindikatës, Mario Jurishiq, pa këto ndryshime rrezikohet stabiliteti social i personelit ushtarak. Ai theksoi se zgjidhja duhet të arrihet përmes dialogut, por nëse nuk ka marrëveshje, anëtarësia do të vendosë se cilët hapa do të ndërmerren në të ardhmen për realizimin e kërkesave./Alsat/

Përmes sistemit “Safe City” u identifikua 18 vjeçari që goditi një grua për vdekje në Shkup

10 January 2026 at 14:30


18 vjeçari që e goditi për vdekje gruan e moshuar një ditë më parë, së bashku me babin e tij janë arratisur jashtë vendi.

Ministria e Punëve të Brendshme bënë me dije se ka ngritur kallëzim penal kundër katër personave në lidhje me aksidentin e djeshëm të trafikut në rrugën “Fronti Popullor” në Shkup, ku 18 vjeçari S.S. e goditi 79 vjeçaren L.J., dhe njejta nga lëndimet e marra ndërroi jetë, ndërsa shoferi iku nga vendi i ngjarjes me automjetin “Volkswagen Passat”.

Policia ka arrestuar dy personat që kanë ndihmuar në arratisjen e tyre, ndërsa për dy të arratisurit kanë lëshuar fletëarrest.

Identifikimi i autorit të veprës penale, tregon policia është bërë përmes kamerave të “Qyteti të Sigurt” dhe kontrolleve shtesë të kamerave të ndërtesave përreth, si dhe deklaratave të dëshmitarëve. Është vërtetuar se automjeti ka qenë në pronësi të babait të 18 vjeçarit.

MPB: Më 1 shkurt do të fillojë zbatimi i sistemit "Safe City"

6 January 2026 at 16:41


Autoritetet e MPB-së aktualisht janë duke punuar në miratimin e disa akteve ligjore dhe në përditësimin e sistemit "Safe City" me të dhëna të sakta, ndërkohë që po vendosen edhe kamera të tjera të sigurisë përgjatë korridoreve 8 dhe 10.

Këto kamera, sipas autoriteteve të MPB-së, së shpejti do të vihen në funksion për fazën e testimit, ndërsa pas përfundimit të testimit dhe miratimit të akteve ligjore, më 1 shkurt do të fillojë zbatimi i plotë i sistemit “Qyteti i Sigurt” në të gjithë territorin e vendit, bëjnë të ditur nga MPB.

“Aktualisht, sistemi “Qyteti i Sigurt” funksionon në territorin e qytetit të Shkupit, ndërsa së shpejti planifikohet aktivizimi i tij edhe në Kumanovë dhe Tetovë. Pajisjet tashmë janë të vendosura edhe në korridoret 8 dhe 10 dhe në çdo moment pritet të fillojë detektimi i shkeljeve në trafik edhe atje. Gjatë vitit 2026 është paraparë që sistemi të fillojë të funksionojë në të gjithë territorin e shtetit. Tanindodhemi në një periudhë testuese, gjatë së cilës qytetarët marrin vetëm paralajmërim për shkeljen e trafikut të kryer. Është paraparë që nga data 01.02.2026 sistemi të funksionojë plotësisht dhe të fillojë sanksionimi i qytetarëve që kryejnë shkelje të evidentuara nga kamerat", deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Goce Andreevski.

Nga MPB deklaruan se periudha e deritanishme e testimit të sistemit “Qyteti i Sigurt” ka treguar rezultate të shkëlqyera. Sipas autoriteteve, qytetarët nga dita në ditë kanë përmirësuar sjelljen dhe mënyrën e vozitjes në rrugët e vendit, duke u treguar më të përgjegjshëm dhe duke respektuar rregullat e komunikacionit.

Gjatë zbatimit të këtij sistemi parashihet të ketë një tolerancë të vogël të shpejtësisë, por kjo tolerancë do të vlejë vetëm për tejkalime minimale dhe nuk do të përjashtojë përgjegjësinë penale apo administrative për shkeljet që mund të shkaktojnë rrezik në komunikacion. Përfaqësuesit e MPB-së vlerësojnë se përmes këtij sistemi do të rritet siguria e qytetarëve në komunikacion dhe do të ulet ndjeshëm numri i aksidenteve të rënda në trafik me pasoja fatale.

Mbi 17 mijë aksidente dhe mbi 27 mijë viktima ka pasur gjatë katër viteve të fundit në Maqedoninë e Veriut

4 January 2026 at 10:30


Me më shumë se 17,000 aksidente trafiku dhe mbi 27,000 viktima në katër vjet, statistikat shtetërore tregojnë se Maqedonia ka një rritje të vazhdueshme të rreziqeve në trafik.

Në këtë kontekst, po lançohet edhe sistemi më i gjerë automatik i kontrollit të trafikut - "Qyteti i Sigurt", i cili ka regjistruar dhjetëra mijëra shkelje në ditë gjatë periudhës së testimit, duke ngritur pyetjen nëse teknologjia e përparuar mund ta ndalë ciklin në rritje të aksidenteve të trafikut.

Numri i aksidenteve të trafikut, sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave, i cili në vitin 2021 arriti në 4,069, u ul pak në 3,952 në vitin 2022. Megjithatë, në vend që të vazhdojë trendin në rënie, vitin pasardhës numri rritet përsëri në 4,274, dhe në vitin 2024 arrin në 4,526 aksidente.

Paralelisht me rritjen e aksidenteve, rritet edhe numri i viktimave. Pas një rënieje të ndjeshme në vitin 2022, kur u regjistruan 6,420 viktima, ka një rritje tjetër - 7,105 në vitin 2023 dhe 7,298 në vitin 2024. Krahasuar me pikën më të ulët në vitin 2022, kjo është një rritje prej gati 900 personash në vetëm dy vjet.

Rritja e numrit të vdekjeve është veçanërisht alarmante.

Ndërsa 116 persona vdiqën në vitin 2021, në vitin 2022 numri rritet në 124, në vitin 2023 arrin në 127, dhe në vitin 2024 shënon vlerën më të lartë - 142 viktima.

Shumica e vdekjeve në vitin 2024 janë shoferë, gjithsej 85, të ndjekura nga 33 pasagjerë dhe 24 këmbësorë.

Edhe pse numri i vdekjeve të këmbësorëve ka rënë pak, humbja e jetës midis shoferëve është më e larta në katër vitet e fundit.

Lëndimet janë gjithashtu në rritje. Numri i personave të lënduar rëndë dhe lehtë, i cili ishte 6,659 në vitin 2021, zvogëlohet në 6,296 në vitin 2022, por rritet në 6,978 në vitin 2023 dhe arrin në 7,156 të lënduar në vitin 2024.

Në përmbledhje, dy vitet e fundit tregojnë një rritje të vazhdueshme dhe të qartë të numrit të aksidenteve, numrit të të lënduarve dhe numrit të vdekjeve.

Në të njëjtën kohë, shteti po lançon sistemin më kompleks për kontrollin automatik të trafikut - "Qyteti i Sigurt". Sistemi përfshin një rrjet kamerash stacionare dhe mobile, radarë, integrim me bazat e të dhënave dhe krijim automatik të raporteve. Shkeljet (shpejtësi, kalim i semaforit të kuq, automjete të paregjistruara, parkim i paligjshëm) dokumentohen në mënyrë dixhitale, dhe njoftimet dhe urdhër-pagesat do të dërgohen elektronikisht, me një zbritje për pagesën në kohë.

Periudha e provës së sistemit "Qytet i Sigurt" filloi më 1 dhjetor 2025 dhe sipas informacionit nga Ministria e Punëve të Brendshme, në periudhën e parë të provës u regjistruan 110 mijë shkelje në 24 orë, ndërsa të nesërmen, më 2 dhjetor, u regjistruan gjithsej 50,652 shkelje, që përfaqëson një përgjysmim të numrit të shkeljeve të regjistruara. Nga këto, 48,861 janë shkelje të shpejtësisë, 1,366 për semaforë të kuq dhe 425 për automjete të paregjistruara.

MPB: Instalimi i kamerave për "Safe City" në Kumanovë, ende nuk është përfunduar plotësisht

3 January 2026 at 20:42


Përveç Shkupit, Kumanova dhe Tetova janë komunat në të cilat po lançohet “Safe City”, sistemi elektronik për zbulimin e shkeljeve të trafikut. Në Kumanovë kamerat në fjalë janë në instalim e sipër.

Të njejtat tashmë janë instaluar në disa pjesë të qytetit. Periudha e testimit është duke vazhduar, por sistemi nuk është ende plotësisht aktiv.

Duke filluar nga hyrja e Kumanovës, kamerat “Safe City” janë instaluar tashmë përgjatë dy bulevardeve kryesore, zonës qendrore dhe rrugëve rajonale.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme njohton se instalimi i kamerave në Kumanovë nuk është përfunduar ende plotësisht.

“Po punojmë për zbulimin e pikave kritike ku do të instalohen kamerat. Tani për tani, është duke u zhvilluar një periudhë testimi në të cilën duhet të përcaktojmë nëse ka ndonjë mangësi dhe palogjikshmëri në sistem” – thonë nga MPB.

Nga 1 shkurti, kur edhe përfundon periudha testuese, qytetarët nuk do të marrin më paralajmërime, por gjoba.

Banorët e Kumanovës shpresojnë se sistemi do të kontribuojë në rregullimin e trafikut kaotik në qytet. Ata presin që gjobat ti edukojnë qytetarët të mos i shkelin rregullat në komunikacion.


Agjencia e Kadastrës e përmbylli vitin 2025 me mbi 1.040.000 lëndë të zgjidhura

2 January 2026 at 17:30


Agjencia e Kadastrit së patundshmërive në vitin 2025 ka zgjidhur gjithsej 1.040.137 lëndë, gjë që, thuhet në kumtesë, paraqet tregues të qartë për efikasitetin e rritur dhe përkushtimin e vazhdueshëm në sigurimin e shërbimit cilësor dhe me kohë. Paralelisht me këtë, nga Kadastri thonë se tërësisht janë zgjidhur lëndët e mbetura, ndërsa të gjitha kërkesat vijuese po zgjidhen me kohë, pa ngecje dhe në afatet ligjore.

Në mënyrë shtesë, deri te Sektori për kontroll dhe mbikëqyrje pranë Agjencisë së Kadastrit, janë parashtruar 577 ankesa, prej të cilave 556, respektivisht 96,4 për qind, janë përpunuar tërësisht dhe janë mbyllur.

Në pjesën e regjistrit grafik të tokës ndërtimore, u pranuan 3.878 lëndë, nga të cilat 3.863, respektivisht 99,6 për qind, u zgjodhën me sukses, gjë që tregon nivel të lartë efikasiteti dhe shpejtësie.

Në vitin 2025, në Agjencinë e Kadastrës përmes sistemit elektronik e-Qeveria u paraqitën gjithsej 416 kërkesa për mendime dhe u përgjigjën plotësisht, duke e bërë përqindjen e realizimit të këtij lloji kërkesash 100 për qind.

“Një nga angazhimet kryesore të menaxhmentit ishte ulja sistematike e ngarkesës së rasteve të mbetura, si dhe përpunimi me kohë i kërkesave të sapopranuara. Në këtë drejtim, numri i rasteve aktuale të pazgjidhura është ulur për 47,4 për qind, ndërsa numri i rasteve të pranuara aktualisht në vitin 2025 është rritur për tetë për qind, krahasuar me vitin 2024”, njofton Agjencia e Kadastrës së patundshmërive.

❌
❌