Berberi 30-vjeçar Sokol Daci, i cili u plagos me armë zjarri në Lezhë mbrëmjen e së dielës sapo ka mbërritur në spitalin e Traumës.
Sipas informacioneve paraprake ndodhet ne gjendje stabel. 30-vjeçari ka tre plagë, një në shpatull, një në bark dhe një në këmbë.
Dyshohet se 30-vjeçari Sokol Daci nuk ka qenë objektiv i atentatit dhe plumbat e kanë kapur aksidentalisht teksa ishte brenda ne berberhane.
30-vjeçari është pronar i berberhanes ku ka ndodhur ngjarja. Objektivi i atentatit dyshohet se ka qenë një person tjetër që ka qenë brenda në berberhane, shkruan A2 CNN.
Dyshohet se autoret kanë qëlluar me breshëri plumbash dhe më pas janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja.
Ngjarja ka ndodhur në qendër të Rrilës. Autorët kanë ndaluar makinën para berberhanes dhe kanë qëlluar me breshëri plumbash.
Një person është therur me thikë mbrëmjen e sotme në Fushë Kosovë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00, në rrugën “Nëna Terezë”, ndërsa i lënduari është dërguar për trajtim mjekësor.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 20:00 kemi marrë informatën për një lëndim trupor të ndodhur në rrugën ‘Nëna Terezë’ në Fushë Kosovë. I njëjti është dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti”, ka deklaruar Ahmeti.
Policia nuk ka dhënë ende detaje të tjera lidhur me motivet apo personat e përfshirë në rast.
Gazetari-aktivisti Blerim Shala kanë zbardhur detaje nga përgatitjet për Konferencën e Rambujesë, duke theksuar se lideri politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, ka vepruar nën presion të madh nga komandantët e zonave dhe se kjo ndikoi në dyshimet e tij ndaj konferencës
Surroi rrëfeu se gjatë diskutimeve për qeverinë e përkohshme, Thaçi ishte skeptik dhe vendosi të mos merrte pjesë në një takim kyç me zyrtarët amerikanë, përfshirë Madeleine Albright, James Dobbins dhe Richard Holbrooke.
Surroi ka thënë se në atë moment u angazhua personalisht për të siguruar që dokumenti të pranohej dhe u nënshkrua nga pesë persona, duke përfshirë Ibrahim Rugovën, Rexhep Qosjen, Thaçin, Surroin dhe Blerim Shalën.
Blerim Shala
Shala shtoi se presioni ka ardhur kryesisht nga përfaqësues lokalë të UÇK-së dhe spekulime të ndryshme që qarkullonin rreth marrëveshjes, duke e bërë Thaçin të dyshojë për suksesin e konferencës.
Ai vlerësoi gjithashtu rolin e Madeleine Albrightit, e cila sipas tij ishte përkushtuar maksimalisht për të mos i lënë palët shqiptare vetëm dhe për të siguruar finalizimin e marrëveshjes.
“Mendoj që ka qenë në presion të madh (Thaçi)... prej UÇK-së, prej përfaqësuesve lokalë të UÇK-së, pastaj ka pasur spekulime të llojllojshme, të cilat e kemi ndi edhe unë edhe ti. Pastaj u dashke me i konsultu Hillin dhe ekipin e zonjës Albright, a janë të vërteta jo, se spekulimet e tilla që kjo është veç konferencë provizore, e cila me gjasë ka përhapë Adem Demaçi, ndoshta edhe dikush nga UÇK-ja, se kjo është konferencë provizore, amerikanët s’janë të interesuar të ketë sukses, duhet të ketë konferencë tjetër në Amerikë, dhe atje do të vendoset”, rrëfeu Shala, në një bashkëbisedim në podcastin PIKË, publicisti Veton Surroi.
Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË, publicisti Veton Surroi dhe gazetari Blerim Shala kanë diskutuar për qëndrimin e ish-të burgosurit politik Adem Demaçi për Konferencën e Rambujesë.
Sipas Surroit, Demaçi kishte një oscilim të madh gjatë periudhës përpara konferencës dhe refuzoi të merrte rolin e shefit politik të UÇK-së, duke vendosur të mos merrte pjesë aktive në negociata.
Shala ndërkohë ka thënë se kishte një rivalitet mes të burgosurve politikë të asaj kohe.
“Ai kishte një vullnet dhe pasion të jashtëzakonshëm, por nuk kuptoi momentumin e luftës dhe vendosi të mos shkojë në Rambuje”, tregoi Shala.
Megjithatë, Surroi dhe Shala treguan se delegacioni shqiptar arriti të ruajë marrëveshjen dhe të siguronte pranimin e saj për pak, pavarësisht dyshimeve dhe shqetësimeve që lindën nga mosangazhimi i Demaçit.
Shala vuri në dukje gjithashtu rolin vendimtar të profesor Rexhep Qosjes dhe të pjesëtarëve të tjerë të delegacionit, të cilët këmbëngulën që marrëveshja të pranohej.
Biznesmeni dhe ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar publikisht pas përmendjes së emrit të tij në dosjen e Jeffrey Epstein, duke folur për një rast pabesie shumëvjeçare nga një person të cilit, sipas tij, i kishte besuar për më shumë se 20 vjet.
Në një reagim të gjatë, Pacolli shprehet se përballja me faktet e asaj që ai e cilëson si pabesi ka qenë një nga momentet më të shëmtuara të jetës së tij, ndërsa thekson se faktet po dalin çdo ditë në dritë.
Sipas Pacollit, veprimet në fjalë nuk kanë qenë të kufizuara vetëm në mashtrime apo falsifikim dokumentesh, por kanë përfshirë tentativa për poshtërim, vjedhje, përbuzje, gënjeshtra dhe veprime të tjera që ai i cilëson si të ulëta.
Ai shton se, përballë pamundësisë për të marrë përgjegjësi, personi i përfshirë ka tentuar të dëmtojë gjithçka që ai ka ndërtuar ndër vite, përfshirë reputacionin, moralin dhe pronën.
Pacolli bën të ditur se faktet e këtyre veprimeve, të ndërtuara ndër vite, do t’i publikojë një nga një sapo të nisë trajtimi i tyre në gjykatat penale dhe civile në Kosovë, Shqipëri, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Libi, vende ku sipas tij janë konsumuar këto veprime.
Ai thekson se rasti është aq i rëndë, sa ka nisur të përmbledhë të gjitha faktet edhe në një libër, të cilin paralajmëron se do ta promovojë publikisht.
Sipas Pacollit, ky angazhim ka dy qëllime kryesore: rritjen e vetëdijes se pabesia nuk mund të kalojë pa pasoja dhe dërgimin e një mesazhi për ata që mund të gjenden në situata të ngjashme, se besimi te njerëzit është i natyrshëm, por kontrolli është i domosdoshëm, veçanërisht në raportet profesionale dhe të bashkëpunimit.
Reagimi i Pacollit vjen pas përmendjes së emrit të tij në disa dokumente të publikuara në kuadër të dosjes së Jeffrey Epstein, të bëra publike nga autoritetet amerikane./Telegrafi.
Pas rinumërimit, Fikrim Damka nga partia e turqve “KDTP”, është i vetmi që e ka humbur mandatin e deputetit.
Koordinatorja Nacionale e Zgjedhjeve në Prokurorinë e Shtetit, Laura Pula, tha se Damka gjithsesi duhet të intervistohet në rastin ku dyshohet se ka pasur manipulime të votave.
“Me siguri që po [që duhet të intervistohet]”, ka thënë Pula.
“Gjithsesi. Unë sa e di, e kemi vetëm një rast që një deputet e ka humbur mandatin, edhe është ky deputet [Fikrim Damka]. Nuk e kam vërejtur që ka mandate të humbura për deputetë të tjerë, pavarësisht tendencave që t’iu rrisin numrin e votave me qindra a mijëra, prapë nuk kanë arritur kuotën e saktë nga vendi prej nga vijnë për me u ba deputetë”.
“Prandaj, është i vetmi ky kandidat që e ka humbur mandatin e deputetit dhe pa mëdyshje që duhet të intervistohet”, tha Pula në Klan Kosova.
“Të jemi të qartë, kjo është çështje ekskluzive e Kryeprokurorit të Prokurorisë përkatëse për ta vazhdu hetimin deri në fund”.
Pas rreth tetë orësh bllokimi, është hapur lëvizja me një korsi në aksin rrugor Librazhd-Qafë Thanë të Shqipërisë, pjesë e Korridorit VIII, nyja kryesore lidhëse e juglindjes së vendit me Tiranën.
Bllokimi u shkaktua nga shembja e një masivi të madh shkëmbor pranë fshatit Dragostunjë, çka la të bllokuar në rrugë mijëra qytetarë për disa orë. Fatmirësisht, nga ky incident nuk u raportuan persona të lënduar.
Segmenti ku ndodhi rrëshqitja është aktualisht pjesë e punimeve për hapjen e gjurmës së re të Korridorit VIII, në kuadër të projektit të zgjerimit të rrugës.
Sipas ekspertëve të pavarur, ndërhyrjet e pastudiuara në shpatin e malit mund të kenë ndikuar në shembjen masive. Megjithatë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka mohuar që punimet të jenë shkaku i incidentit, duke ia atribuar situatën motit të keq dhe reshjeve, shkruan Oranews.
Ekipet e ndërhyrjes punuan për orë të tëra në terren, duke kryer shembjen e kontrolluar të faqes së malit, me qëllim eliminimin e çdo rreziku të mëtejshëm për qarkullimin e mjeteve.
Gjatë kohës së bllokimit, gra, fëmijë dhe të moshuar u detyruan të qëndrojnë për orë të tëra në trafik, ndërsa policia rrugore rekomandoi përdorimin e aksit alternativ Maliq-Lozhan-Moglicë-Gramsh-Elbasan për drejtuesit e mjeteve që udhëtonin drejt Tiranës.
Bllokimi i këtij aksi përkoi me ditën e diel, kur fluksi i lëvizjes është i shtuar për shkak të kthimit të qindra pushuesve nga juglindja e vendit, duke e rënduar edhe më tej situatën në qarkullim.
Axhire Memelli, 94 vjeçe, banore e fshatit Sinicë në Devoll, vijon të jetë aktive dhe të menaxhojë jetën e saj në mënyrë të pavarur, pavarësisht se jeton e vetme.
Gjatë jetës së saj, ajo ka përjetuar humbje të mëdha, duke mbetur pa bashkëshort dhe pa fëmijë. Megjithatë, Memelli nuk e ka lejuar vetminë të ndikojë në përditshmërinë e saj, duke ruajtur një stil jete aktiv dhe të disiplinuar.
Ajo tregon se dita e saj kalon duke u marrë me punët e shtëpisë dhe kujdesin për mjedisin përreth, ndërsa shëndeti i saj, sipas saj, ka qenë i qëndrueshëm. Përveç ilaçeve për tensionin e gjakut, ajo thotë se nuk vuan nga sëmundje të tjera serioze.
Sekretin e jetëgjatësisë së saj, Axhire Memelli e lidh me durimin, punën e vazhdueshme dhe respektin ndaj të moshuarve, vlera që thotë se i ka mësuar nga vjehrra e saj dhe i ka zbatuar gjatë gjithë jetës.
Në prag të 94-vjetorit, historia e saj përbën një shembull të vullnetit për të jetuar, pavarësisë dhe dinjitetit personal, duke dëshmuar se mosha nuk është pengesë për të qenë aktive dhe e përfshirë në jetën e përditshme.
Ish-sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjørn Jagland, i njohur për deklaratat e tij të ashpra ndaj Kosovës, është përfshirë së fundmi edhe në dokumentet e publikuara që lidhen me financierin e dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein.
Në vitin 2004, Jagland kishte deklaruar se mafia kishte marrë nën kontroll një pjesë të madhe të qeverisjes së Kosovës, duke thënë se “Kosova prodhon pak gjëra të tjera përveç krimit”. “Kur dihet se Afganistani prodhon 75 për qind të opiumit në botë dhe se pjesa më e madhe e tij kalon përmes Kosovës, ka arsye serioze për të dhënë alarmin”, kishte shtuar ai.
Ndërkohë, emri i Jaglandit është përmendur në dokumentet e lidhura me Jeffrey Epsteinin, ku në një shkëmbim emailesh të publikuara del se ai dhe familja e tij kishin plane për një udhëtim në ishullin privat të Epsteinit, pranë “Virgin Islands” në Detin Karaibe, gjashtë vjet pasi Epstein ishte dënuar për tentim të blerjes së shërbimeve seksuale nga të mitur.
E-mailet zbulojnë detaje të planifikimit të udhëtimit, mënyrën e transportit dhe personat që do t’i prisnin Jaglandin dhe familjen e tij pas mbërritjes në ishull, ku dyshohet se kanë ndodhur shumë nga abuzimet seksuale për të cilat Epstein u akuzua më vonë. Megjithatë, në një e-mail të datës 11 prill, njëra nga bashkëpunëtoret e Epsteinit njofton se udhëtimi ishte anuluar.
Në përgjigjen e tij, Jagland, i cili në atë kohë ishte sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, kishte shkruar se nuk mund të udhëtonte për shkak të aneksimit të Krimesë nga Rusia, ka raportuar Dagbladet.
Jagland kishte vizituar Shqipërinë edhe në maj të vitit 2012, ku kishte zhvilluar takime me krerët e lartë të shtetit shqiptar. Sipas dokumenteve, gjatë asaj vizite ai kishte vënë re edhe një tjetër detaj, për të cilin një ditë më vonë kishte komunikuar me Jeffrey Epsteinin përmes emailit, duke e njoftuar se kishte qenë në Shqipëri. Në dokumentin që mban datën 25.maj. 2012 Jagland shkruan: “Jeffrey, jo, nuk kam telefonuar ende. Kam qenë në Tiranë (Shqipëri), vajza të mrekullueshme”.
Në bazë të dokumenteve të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA, del se komunikimi i Thorbjørn Jaglandit me Epsteinin ishte i vazhdueshëm, raporton Koha.
Publikimi i dokumenteve të reja nga dosja e Jeffrey Epstein, të bëra publike nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë në faqen e tij zyrtare, ka nxjerrë në pah edhe komunikime ku përmenden emra të lidhur me Kosovën.
Email-i, i dërguar nga Konsulli i Republikës së Kosovës në Tajlandë në atë kohë, mban titullin “Kush është Behgjet Pacolli?” dhe i drejtohet Jeffrey Epstein.
Në të njëjtin komunikim, përmendet edhe emri i konsulles së atëhershme të Kosovës në Tajlandë, Mom Luang Rajadasari Jayankura, e cila thuhet se ka kërkuar që materiali t’i përcillet Epstein-it.
E njëjta konsulle përmendet edhe në një email tjetër të vitit 2012, ku flitet për një takim të mundshëm në New York. Në atë email përmendet se “princesha nga Tajlanda do të jetë në Kombet e Bashkuara me presidenten e Kosovës”, duke i shprehur dëshirën për një takim gjatë asaj jave.
Edhe pse presidentja nuk përmendet me emër, në vitin 2012 presidente e Kosovës ishte Atifete Jahjaga.
Mom Luang Rajadasari Jayankura ka folur më herët publikisht për rolin e saj në lobimin për njohjen e Kosovës nga Tajlanda dhe shtete të tjera.
Në një tekst autorial, ajo përshkruan bashkëpunimin me Behgjet Pacollin, duke theksuar se ishte njohur me të në Filipine në nëntor të vitit 2011 dhe se kishte vendosur të angazhohej për mbështetjen ndërkombëtare të Kosovës.
Ajo shkruan se kishte investuar përpjekjet e saj për njohjen e Kosovës, duke e cilësuar këtë si një të drejtë legjitime të shtetit të Kosovës për të ekzistuar si entitet sovran në sistemin ndërkombëtar politik, social dhe ekonomik.
Publikimi i këtyre email-eve nuk përmban akuza penale ndaj personave të përmendur, por dëshmon për komunikime dhe kontakte që janë bërë publike në kuadër të dokumenteve zyrtare të dosjes Epstein.
Gjatë vizitës së tij në Jerusalem javën e kaluar, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dhënë një intervistë për The Jerusalem Post, ku ka folur për antisemitizmin, marrëdhëniet me Izraelin, historinë e Shqipërisë gjatë Holokaustit dhe luftën në Lindjen e Mesme.
Rama mori pjesë në konferencën ndërkombëtare kundër antisemitizmit “Generation Truth”, të organizuar nga Ministria izraelite për Çështjet e Diasporës dhe Luftën kundër Antisemitizmit, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.
Në fjalën e tij në skenë në Jerusalem, ai citoi Talmudin: “Talmudi na mëson se kush shpëton një jetë të vetme, është sikur të ketë shpëtuar gjithë botën.”
Në intervistën për The Jerusalem Post, Rama shpjegoi se mesazhi i tij ishte universal: “Ka të bëjë me njerëzimin. Historia tregon se fillon me hebrenjtë, por nuk mbaron me hebrenjtë Antisemitizmi nuk është thjesht urrejtje ndaj hebrenjve, por një sulm ndaj arkitekturës morale të vetë njerëzimit.”
Duke folur për lidhjen e tij personale me Jerusalemin, Rama tregoi se u rrit në Shqipërinë komuniste, të izoluar nga bota, ku Izraeli paraqitej si armik: “Që fëmijë isha i fiksuar pas Jerusalemit. Jetonim në një vend totalisht të izoluar dhe na mësonin se duhej të përgatiteshim për ‘betejën e madhe’, sepse ‘ata’ do të vinin për ne. ‘Ata’ ishin imperialistët amerikanë, social-imperialistët sovjetikë dhe sionistët izraelitë.
Një kanal ishte versioni zyrtar, gazetat e Partisë Komuniste, që flisnin për ushtrinë sioniste që vret dhe dëbon palestinezë. Kanali tjetër ishte Bibla e gjyshes sime, një katolike shumë besimtare. Bibla ishte e ndaluar, por ajo e kishte.”
Pas rënies së komunizmit, Rama u shpreh se filloi të mësonte më shumë për historinë e Izraelit dhe Jerusalemit: “Pas rënies së komunizmit nuk mund të shkoja në Izrael sepse nuk kishte lidhje ajrore apo detare. Por fillova të mësoj më shumë dhe kur erdha për herë të parë, dashuria vetëm u rrit.”
Gjatë intervistës, Kryeministri rikujtoi edhe historinë e Shqipërisë gjatë Holokaustit dhe kodin e nderit “Besa”, duke theksuar se Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë ku numri i hebrenjve u rrit gjatë Luftës së Dytë Botërore: “Kur Shqipëria u bë i vetmi vend në Europë që nuk dorëzoi asnjë hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore, popullsia hebraike u rrit gjatë luftës.”
Ai shtoi se Shqipëria ka dorëzuar mbi 3.700 emra hebrenjsh të shpëtuar pranë Yad Vashem. Rama përshkroi edhe kërkesat e nazistëve gjatë luftës: “Nazistët erdhën me dy kërkesa: listat e hebrenjve dhe listat e arit. Përgjigjja ishte e thjeshtë dhe përfundimtare: ‘Ari mund ta merrni, hebrenjtë janë tanët për t’i mbrojtur’. Kjo nuk është legjendë, është fakt.”
Duke folur për situatën aktuale globale, Rama paralajmëroi për rikthimin e hapur të antisemitizmit: “Antisemitizmi po rikthehet hapur dhe pa turp, shpesh i maskuar si kritikë politike, ankth kulturor apo, edhe më keq, si superioritet moral. Urrejtja nuk fillon me dhunë. Fillon me gjuhën. Fillon me indiferencën. Fillon me justifikimet.”
Në lidhje me sulmin e 7 tetorit dhe luftën që pasoi, Kryeministri Rama ishte i drejtpërdrejtë: “Terrorizmi nuk është këndvështrim. Është krim kundër njerëzimit. Masakra e 7 tetorit nuk ishte rezistencë. Ishte vrasje masive. Vuajtjet e palestinezëve janë reale dhe vërtet zemërthyese.
Është çmenduri të mjegullosh vijat morale apo të legjitimosh terrorin në emër të proporcionalitetit. Paqja nuk mund të nënkuptojë neutralitet ndaj terrorit.”
Rama theksoi gjithashtu se Shqipëria mbetet një vend mik për hebrenjtë dhe Izraelin: “Nuk ka pasur asnjë shenjë antisemitizmi ndaj turistëve hebrenj në Shqipëri. Mendoj se është normale të jesh mik me Izraelin, por është nder të konsiderohesh një mik i afërt i Izraelit.”
Gazetarja e njohur Rezarta Reçi ka ndërruar jetë këtë të diel, pas një beteje disa-vjeçare me një sëmundje të rëndë.
Lajmi për ndarjen e saj nga jeta është bërë i ditur nga familjarët përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Rezarta jonë u shua në paqe mes njerëzve të zemrës, dashurisë, respektit dhe përkushtimit të miqve, të afërmve dhe mjekëve që i qëndruan pranë në të gjithë sfidën e saj të viteve të fundit”, shkruhet në mesazhin e familjes.
Sipas njoftimit, pritja për homazhe do të zhvillohet pranë Agjencisë Funerale “Univers”, në rrugën “Bardhyl”, duke nisur nga mbrëmja e sotme, në orën 20:30, deri në momentin e përcjelljes për në banesën e fundit.
Ceremonia mortore do të mbahet ditën e nesërme, më 2 shkurt 2026, në orën 15:00, në Tiranë.
Rezarta Reçi ka qenë një emër i njohur në gazetari, e vlerësuar për profesionalizmin dhe përkushtimin e saj ndër vite, ndërsa ndarja e saj nga jeta ka sjellë reagime të shumta ngushëllimi nga kolegë, miq dhe qytetarë.
Prej disa orësh vijon bllokimi i aksit rrugor Librazhd–Qafë Thanë, si pasojë e rënies së dheut dhe gurëve në rrugë, duke paralizuar qarkullimin në një nga segmentet më të rëndësishme lidhëse në vend.
Sipas pamjeve të publikuara nga Top Channel, në trafik kanë mbetur të bllokuara edhe ambulanca. Në një rast, një i sëmurë që po transportohej me ambulancë nga Librazhdi drejt Tiranës është detyruar të kalojë me barrelë mbi rrugën e mbuluar nga dheu dhe gurët.
Si pasojë e bllokimit, mijëra automjete kanë mbetur në trafik për orë të tëra, ndërsa situata ka shkaktuar vonesa të mëdha dhe rrezik për shëndetin e qytetarëve.
Ndërkohë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka reaguar këtë të diel me një njoftim zyrtar lidhur me situatën në aksin Elbasan–Qafë Thanë.
Sipas ARRSH-së, bllokimi ka ndodhur në zonën e fshatit Dragostunjë, për shkak të rënies së një masivi gurësh dhe materialesh inerte në rrugë.
Autoriteti bën të ditur se menjëherë pas bllokimit janë angazhuar mjetet dhe punëtorët e kontraktorit të mirëmbajtjes për pastrimin e aksit dhe rikthimin e qarkullimit në normalitet.
“Në aksin Elbasan–Qafë Thanë, në fshatin Dragostunjë, ka pasur rënie të një masivi gurësh dhe materialesh. Menjëherë kontraktori dhe shërbimet e mirëmbajtjes kanë ndërhyrë me mjete dhe punëtorë për të kthyer gjendjen e aksit në normalitet sa më parë. Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë përdoruesve të rrugës”, njofton ARRSH.
Puna për hapjen e plotë të aksit vijon, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.
Katër paqeruajtës britanikë u shndërruan në simbol humanizmi dhe guximi në ditët e para të pasluftës në Kosovë, menjëherë pas nënshkrimit të dorëzimit të forcave serbe në qershor të vitit 1999.
Bëhet fjalë për Lain Laidlaw, Martin Calder, John Potts dhe Gary Robertson, të cilët vetëm një ditë pas mbërritjes në Kosovë, më 16 qershor 1999, shpëtuan dy vajza të reja shqiptare që ishin kapur nga paramilitarë serbë dhe po përgatiteshin të dhunoheshin seksualisht para familjarëve të tyre.
Për këtë akt heroik, gazeta britanike The Mirror i kishte cilësuar ata si “heronj”, duke e bërë publik rastin vetëm një ditë pas ndërhyrjes së tyre vendimtare.
Pas më shumë se dy dekadash, kjo ngjarje është rikthyer sërish në vëmendje.
Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka bërë thirrje publike për t’i gjetur dhe për t’u takuar personalisht këta katër ish-paqeruajtës.
“Ju lutem ndani: A keni shërbyer në Kosovë në vitin 1999? Po përpiqem të gjej zotërinjtë e mëposhtëm që shpëtuan dy gra të reja në Kosovë”, ka shkruar Kearns në thirrjen e saj.
Gjatë luftës së viteve 1998–1999, mbi 13 mijë civilë shqiptarë u vranë, rreth 20 mijë gra dhe burra u dhunuan seksualisht, ndërsa mbi 1,600 persona vazhdojnë të figurojnë ende të zhdukur.
Rasti i shpëtimit të dy vajzave shqiptare nga paqeruajtësit britanikë mbetet një nga shembujt më të fuqishëm të ndërhyrjes humanitare dhe të rolit që forcat ndërkombëtare luajtën në mbrojtjen e civilëve në ditët më të errëta të historisë së Kosovës./Telegrafi.
Please share: Did you serve in Kosovo in 1999? I’m trying to find the following gentlemen who saved a pair of young women in Kosovo.
Deputeti i Bundestagut gjerman, Adis Ahmetoviq, ka mbajtur një fjalim të fortë në Parlamentin gjerman, ku ka folur për ngjarjet në Kosovë në vitin 1999, duke theksuar se mijëra njerëz u bënë viktima të masakrave të regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Gjatë fjalimit, Ahmetoviq kritikoi ashpër përdorimin e vazhdueshëm të narrativit se bombardimet e NATO-s në ish-Jugosllavi në vitin 1999 kanë krijuar një precedent, duke theksuar se ky diskurs po përdoret shpesh, madje edhe nga e djathta ekstreme, për të legjitimuar shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Ai theksoi se ky narrativ përdoret edhe në debatet aktuale në Bundestag, përfshirë diskutimet mbi politikën e jashtme të kancelarit federal, dhe paralajmëroi se një qasje e tillë rrezikon të relativizojë luftën agresive të Rusisë kundër Ukrainës.
“Sa herë që e përdorni këtë narrativ, harroni viktimat e Srebrenicës të vitit 1995, sepse atëherë nuk pati ndërhyrje humanitare. Sa herë që e përdorni këtë narrativ, harroni mbi të gjitha edhe viktimat në Kosovë. Shumë mijëra njerëz u bënë viktima të masakrave të Millosheviqit”, deklaroi Ahmetoviq.
Ahmetoviq shtoi se ndërhyrja humanitare e vitit 1999, e mbështetur edhe nga Bundestagu gjerman, ishte vendimtare për të parandaluar përsëritjen e një gjenocidi në Ballkanin Perëndimor.
Ai akuzoi disa deputetë për mbrojtje të narrativëve që, sipas tij, janë kundër demokracisë dhe të drejtave të njeriut, duke përfshirë edhe mbrojtjen e figurave si Millosheviqi.
Për këtë fjalim, Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka falënderuar publikisht deputetin Ahmetoviq, duke e vlerësuar qëndrimin e tij të qartë.
“Faleminderit, i dashur Adis, për qëndrimin tënd të qartë dhe fjalët e tua të drejtpërdrejta”, ka shkruar Ajeti./Telegrafi.
Me një ceremoni solemne të enjten në qytetin e Plevenit, Bullgaria dërgoi një kontingjent të ri ushtarak në Komandën Rajonale të KFOR-it-Perëndim (RC-Ë) në Kosovë.
Formacioni, i komanduar nga Kapiteni Georgi Valkanov, përbëhet nga 97 pjesëtarë të forcave të armatosura bullgare.
Në ceremoninë e zhvilluar morën pjesë zëvendësministri i Mbrojtjes Radoslav Iliev, zëvendësshefi i Mbrojtjes gjeneral-lejtënant Krasimir Kanev, komandanti i Forcave Tokësore gjeneralmajor Deyan Deshkov, zëvendëskomandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta kundëradmirali Galin Manev, si dhe përfaqësues të autoriteteve lokale dhe shtetërore.
Në fillim të ceremonisë, Kanev shqyrtoi trupat, ndërsa Ati Krasimir Krastev nga Kisha e Trinisë së Shenjtë në Pleven kryesoi një bekim për shëndet dhe sukses në mision.
“Shërbimi i paqes është shërbim i Zotit”, tha prifti gjatë fjalës së tij.
Në fjalën e tij, zëvendësministri Iliev theksoi rëndësinë e misionit: “Pjesëmarrja në operacionin e NATO-s në Kosovë është një detyrë shumë e përgjegjshme me rëndësi për sigurinë dhe paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Misioni juaj është të siguroni, garantoni dhe demonstroni aftësitë e Aleancës për të ruajtur sigurinë dhe rendin në rajon”.
Gjeneral-lejtënant Kanev shtoi se përvoja e fituar në misione ndërkombëtare do të jetë e vlefshme jo vetëm për detyrat në Kosovë, por edhe për karrierën e pjesëtarëve të kontingjentit.
“Në kontekstin e ndryshimeve gjithnjë e më dinamike në peizazhin politik dhe ekonomik global, përvoja në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit bëhet gjithnjë e më e rëndësishme”, theksoi ai.
Ceremonia përfundoi me një marshim solemn të kontingjentit përmes Sheshit Vazrazhdane. Kontingjenti do të vendoset në Kampin Villaggio Italia, pranë Pejës, në pjesën perëndimore të Kosovës.
Gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, personeli ushtarak bullgar do të kryejë detyrat e tij si pjesë e elementit të mbështetjes kombëtare, duke përfshirë pozicione në selinë e Komandës Rajonale të KFOR-it-Perëndim dhe si kompani manovrimi me seksion logjistik dhe njësi mjekësore brenda batalionit shumëkombësh të misionit paqeruajtës të NATO-s.
Dy ekspertë të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë në fushën e balistikës e kanë kaluar me sukses testin ndërkombëtar ‘Firearms Examination 2025-5262’ (Ekzaminim i armëve të zjarrit).
Fejsal Lutfiu dhe Lutfi Raci janë dy ekspertët e suksesshëm në testin ndërkombëtar.
“Pas publikimit zyrtar të rezultateve nga kompania ndërkombëtare Collaborative Testing Services (CTS), është konfirmuar se ekspertët e balistikës nga AKF kanë kaluar testin me rezultate të larta, duke dëshmuar nivel të lartë profesional, saktësi shkencore dhe përputhshmëri me standardet më të avancuara ndërkombëtare në fushën e ekzaminimit të armëve të zjarrit” – thuhet në njoftimin e Agjencisë më 29.01.2026.
Sipas Agjencisë së Forenzikës, ky sukses përbën një dëshmi dhe përkushtim të vazhdueshëm të Agjencisë për rritjen e kapaciteteve profesionale, sigurimin e cilësisë së ekspertizës forenzike dhe forcimin e besueshmërisë ndërkombëtare në proceset e ekzaminimit balistik.
Agjencia ka shtuar se vazhdon të investojë në zhvillimin profesional të stafit të saj, duke synuar zbatimin e praktikave më të mira ndërkombëtare në shërbim të drejtësisë dhe sigurisë publike.
Një studim i fundit mbi çmimet e darkës për dy persona në vendet e Evropës ka zbuluar se një darkë në një restorant mesatar, pa pijet, mund të kushtojë shumë ndryshëm në varësi të vendit ku gjendeni.
Sipas të dhënave për vitin 2026 nga portali Ferrygogo, çmimet mesatare të një darke për dy persona në Evropë variojnë nga rreth £17.35 (rreth 20 €) deri mbi £139.56 (rreth 160.86 €) — me diferencë të ndjeshme mes vendeve veri‑perëndimore dhe juglindore.
Në këtë listë, Kosova renditet si vendi me darkën më të lirë për dy persona në Evropë, me një mesatare prej rreth £17.35 (20 €) për një vakt tre‑kursesh në një restorant të nivelit të mesëm, raporton ferrygogo.
Në krye të listës së vendeve më të shtrenjta janë Zvicra dhe Danimarka, ku çmimet e një darke për dy persona janë ndër më të lartat në kontinent.
Çmimet në Evropë: nga më lirët te më të shtrenjtë
Vendet me darkën më të lirë (për dy persona):
Kosova – rreth £17.35 / 20 €
Maqedonia e Veriut – rreth £21.15 / 24.38 €
Moldavia – rreth £26.30 / 30.32 €
Bosnja e Hercegovina – rreth £26.68 / 30.75 €
Serbia – rreth £33.26 / 38.34 €
Vendet me darkën më të shtrenjtë (për dy persona):
Në qytete të caktuara, çmimet mund të jenë edhe më të larta: në Lugano dhe Zug të Zvicrës, një darkë për dy persona mund të arrijë deri në £139.56 (160.86 €).
Vlerësime të tjera për pushime dhe vlera turistike
Studimi sugjeron se disa vende të Mesdheut ofrojnë një kombinim të mirë midis çmimeve të ushqimit dhe eksperiencave turistike.
Për shembull, Portugalia, Spanja, Greqia, Shqipëria dhe Mali i Zi ofrojnë vlerë të mirë për turistët që dëshirojnë të shijojnë një darkë të këndshme pa çmime të larta, ndërsa vendet e veriut të Evropës mbeten më të kushtueshme për shpenzimet e restoranteve.
Këto të dhëna janë nxjerrë nga hulumtimi i çmimeve mesatare të një darke tre‑kursesh për dy persona në restorante të klasit të mesëm, pa përfshirë pijet, në Europë për vitin 2026./Telegrafi.
Kompania furnizuese me energji elektrike KESCO ka kërkuar që çmimi i energjisë për vitin 2026 të rritet për 21.3 për qind.
Kërkesa është dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), e cila do të vendosë nëse do ta aprovojë apo jo këtë propozim.
Sipas dokumenteve të aplikimit për të hyrat maksimale, pas marrjes në konsideratë të shpenzimeve të pritshme, kërkesa e Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU) për vitin 2026 arrin në 528.78 milionë euro.
Për krahasim, të hyrat e lejuara për vitin 2025 kanë qenë rreth 435 milionë euro. Nëse rritja aprovohet, kjo do të jetë hera e tretë në katër vitet e fundit që çmimi i energjisë elektrike rritet.
Ndërkohë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një vizite të enjten në Qendrën e Inovacionit të Kosovës, derisa ishte duke folur për kursimin e energjisë, tha se qytetarët pëlqejnë të kenë temperatura të larta brenda apartamenteve.
“Duhet me menaxhu faktin që po ngrohemi shumë me rrymë. Përveç që ngrohemi me rrymë, ne ngrohemi shumë me rrymë. Temperaturat nëpër dhoma i kemi dukshëm më të larta se sa që është normale. Kena qejf nxehtë”, tha Kurti.
Ai gjithashtu shtoi se menaxhimi i konsumit, sidomos për ngrohjen, është i rëndësishëm dhe se rritja ekonomike do të kërkojë përdorim më të madh të energjisë./Telegrafi.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në ceremoninë e zbulesës së medaljonit të kujtesës për Ilir Merturin në qytetin e Klinës, në parkun që mban gjithashtu emrin e tij.
Ky akt u realizua në kujtim të viktimave të tragjedive të fundjavës së janarit 1999, kur forcat serbe vranë 30 shqiptarë në Rogovë të Hasit, Goden dhe Bishtazhin të Gjakovës.
Sipas Kurtit, 21 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë Vesel Avdylin, Naim Gashin dhe Ilir Merturin, ranë duke mbrojtur popullatën civile, ndërsa nëntë civilë u ekzekutuan pa mëshirë.
“Medaljoni i kujtesës që zbuluam sot për Ilir Merturin është shenjë e respektit shtetëror për flijimin e tij dhe e angazhimit tonë për të vërtetën historike. Është gjithashtu kujtesë që na thërret çdo ditë, që ta mbajmë Kosovën ashtu siç e deshën ata: të lirë, të zhvilluar e të përparuar, të denjë për sakrificën e tyre”, tha Kurti.
Kryeministri u përkul me nderim para të gjithë atyre që dhanë jetën për liri dhe riafirmoi zotimin për dinjitet qytetar, drejtësi shoqërore dhe paqe të sigurt në Republikën e Kosovës.
“Lavdi dëshmorëve Merturi, Gashi dhe Avdyli, dhe të gjithë dëshmorëve të të gjitha epokave të kombit shqiptar! Nderim të gjithë martirëve të lirisë”, shtoi Kurti.
Ceremonia në Klinë shërben si një kujtesë e përhershme e sakrificës së dëshmorëve dhe përpjekjes për të ruajtur lirinë dhe dinjitetin e Kosovës.