Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 17 January 2026Main stream

12:50 Përmbytjet, Rama me kryebashkiakët: Mbetjet, dëm të pariparueshëm për natyrën! Do ngremë Task Force

By: Klara
17 January 2026 at 12:50

Kryeministri Edi Rama tha në takimin me kryebashkiakët në Golem, se përmbytjet nuk erdhën vetëm nga faktorë natyrorë, por edhe nga dora e njeriut.

Sipas kreut të qeverisë, nga qytetarët ka hedhje të plastikës në rrugë, çka ka sjellë dhe bllokim të kanaleve.

“Meqë është takimi i parë i vitit edhe takohemi sy më sy, ju uroj të keni vit sa më të mbarë familjarisht dhe profesionalisht, patjetër politikisht të gjithë bashkë. Sot jemi këtu, në vijim të takimve të organizuara, për të çelur vitin, duke diskutuar për sfida dhe për të vënë disa piketa rrugës dhe për të përcaktuar çështjet kryesore që do duhet të merremi bashkarisht. Dua ta filloj me faktin që viti nisi me një situatë tejet të vështrë atmosferike, që preku një pjesë jo të vogël të komunitetit, të territoreve  dhe që na përballi me sfidën e emergjencës, në kushtet që emergjencat po bëhen sistematike dhe po marrin një profil tjetër, si rezultat i ndryshimeve klimatike. Kemi më shumë thatësirë, zjarre dhe kemi më shumë befasira në aspektin e atmosferës ku krijohen vorbulla si ajo e ditëve të para të vitit, të cilat sipas ekspertëve janë vorbulla që mund të trajtohen në gjuhën e përditshme si ngërçe në fluksin e qarkullimeve të ajrit dhe krijojnë reshje shiu dhe dëbore me intensitet shumë të lartë.

Në këto kushte, nuk ka shumë për të bërë në përballimin e intensitetit të lartë të reshjeve, por ka elementë që lidhen me njeriun dhe pamë sesi kjo situatë u ndërlikua edhe nga papërgjegjshmëria rrëqethëse e shumëkujt ndër ne, që si qytetar apo si vizitor shqip folës kryesor, sepse nuk janë turistët e huaj që hedhin shishe plastike në rrugë, që e konsideron këtë vend si landfill dhe hedh shishen e zbrazur të ujit, të pijes alkoolike dhe gjithë kjo sasi e madhe që hidhet rrugëve, ku lidhet edhe mungesa e menaxhimit të mbetjeve në territoret rurale, mblidhet dhe falë erës dhe ujërave nga këto situata, vjen dhe bllokon pika kyçe të rrjetit të kullimit, siç ndodhi në Shkozet, Gjirokastër, në disa pika të tjera, ku pavarësisht punës së bërë dhe kemi raportin e përditësuar të ministrisë së Bujqësisë, në bashkëpunimin me çdo bashki, në nëntor ishin pastruar të gjitha. Kryetarja e bashkisë Durrës më çoi video, se si po mbushej pika kyçe në Shkozet pasi u pastrua. Kur gjendemi para kësaj situate agresioni të mbetjeve të plastike, që është ndikimi i njeriut, duhet të angazhohemi për të marrë ofensivë të përbashkët, të rrisim ndjeshmërinë, të krijojmë për ta vënë në kontroll këtë faktor. Ajo që ndodh me plastikën, derdhet në det, ka dëme të pariparueshme për jetesën e detit, ka dëme të pariparueshme për cilësinë e ushqimeve tona. Duhet të bëjmë çmos për ta frenuar këtë lemeri papërgjegjshmërie qytetare. Ky është krim shqiptar, nuk është krim ku mund të vëmë gishtin për të gjetur bashkëfajtorë. Për këtë duhet të marrim masa të shpejta. I kam kërkuar ministrit të Pushtetit Vendor të ngrejë një Task Force, për të konceptuar një plan me 3 faza, të përbashkët, që nga sensibilizimi, tek veprimi në shumë dimensione.”, theksoi ai./K.M

12:40 “Fake news”-et për motrën e tij, reagon Taulant Balla

By: Klara
17 January 2026 at 12:40

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së ka reaguar në lidhje me “fake news”-et se motra e tij Alba Balla qëndron pas subjekteve të kontrolluara mbrëmjen e kaluar nga SPAK-u.

Balla thekson se gënjeshtra udhëton shpejt, por e vërteta mbërrin gjithmonë. Balla nënvizoi se lajmet e rreme janë një problem i rëndë shëndetësor për shoqërinë dhe demokracinë.

Më tej bën thirrje për mediat se para se të publikojnë lajmet për klikime pa asnjë verifikim duhet të ndalen dhe të kontrollojnë burimin pasi dëmi që shkaktojnë me lajmet e rreme është real.

“Besoj se të gjithë biem dakort se duhen krijuar instrumenta në duart e qytetarëve për të kuptuar të vërtetat gjysmë të vërtetat dhe gënjeshtrat me bisht. Gënjeshtra udhëton shumë shpejt por e vërteta mbërrin gjithmonë.

Në një kohë kur lajmet e rreme përhapen me shpejtësi alarmante dëmi që shkaktojnë është real. Keqiformim, zemërim dhe humbje besimi. Klikimi dhe çdo shpërndarje pa verifikim i jep forcë gënjeshtrës prandaj të ndalemi, të kontrollojmë burimin dhe të mendojmë kritikisht. Është një akt përgjegjësie qytetare. E vërteta nuk ka nevojë të bërtasë ajo qëndron dhe kur zëri i saj është pak më i qetë.

Ah se harrova, kishte dalë bufi me sorrat me lajme të rreme prej mëngjesit meqë ai i mbrëmshmit kishte qene i rremë.  Unë ja kam marrë dorën këtij maskarai por lajmet e rreme janë një problem shëndetësor i rëndë për shoqërinë dhe demokracinë të cilat duhen kuruar dhe gjetur ilaçe për t’i trajtuar”, thekson Balla në reagimin e tij.

CNA pak më parë solli dhe reagimin e Alba Ballës motrës së Taulant Ballës e cila ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me subjektet e kontrolluara nga SPAK, as nuk i njeh dhe as nuk ka hyrë ndonjëherë në atë kullë ku u ushtruan kontrollet.

“As e njoh, as nuk e kam idenë, jam në shtëpi me fëmijët e mi, as s’kam pasur ndonjë lidhje kurrë në jetën time me ‘call center’-a apo me njerëzit e tyre. As me godinën, në atë godinë nuk kam hyrë asnjëherë dhe jo më të kem zyra”, ka deklaruar për CNA, Alba Balla./ K.M

12:30 Gati 15 mijë vota ndryshim, rinumërimi i pjesshëm shton dyshimet për keqpërdorime

By: Klara
17 January 2026 at 12:30

Procesi i rinumërimit të një të tretës të vendvotimeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit ka sjellë ndryshime të dukshme të votat e kandidatëve për deputetë qysh në ditët e para.

Deri më tani procesi i rinumërimit, që nisi më 13 janar, është përfunduar në 18 komuna dhe janë numëruar 262 vendvotime nga gjithsej 914 sosh.

Megjithatë, edhe me kaq vendvotime të rinumëruara, ndryshimi në votat për kandidatë brenda partive politike është i dukshëm.

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka llogaritur se ndryshimet arrijnë në gati 15 mijë vota ndryshim dhe, sipas një postimi të tij në rrjetin Facebook, më së shumti ndryshime ka lista e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Deri më tani, del që 7.719 fletëvotimeve me votë për PDK-në iu ishte modifikuar vota për kandidatë. Më pas vjen Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me 2.947 vota dallim, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 1.676 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 639.

“Këto janë dallime substanciale, sidomos meqë shfaqen në një kontekst ku rinumërimi është duke u zhvilluar për vetëm 1/3 e vendvotimeve në nivel vendi. Për më keq, vërehet që votat e këtyre kandidatëve janë ndryshuar kryesisht nga qendrat komunale prej nga vijnë këta kandidatë”, shkroi Cakolli.

Në qendrat komunale të numërimit, çdo fletëvotim kalon përmes disa kontrolleve: lexohet me zë të lartë nga një numërues, shfaqet në ekran përmes kamerës dhe regjistrohet në sistem elektronik nga një zyrtar tjetër, ndërsa një person i tretë e verifikon fletën.

Megjithatë, manipulimi thuhet se bëhet në fazën e leximit të votave për kandidatë. Kur një fletëvotim i takon një partie, ai përmban edhe vota për disa kandidatë. Numëruesi mund të ndryshojë verbalisht numrin e kandidatit të votuar, duke e zëvendësuar me numrin e një kandidati tjetër.

Kështu, sistemi regjistron votë për kandidatin e gabuar, edhe pse fletëvotimi real tregon diçka tjetër. Numri i votave për parti nuk ndryshon, vetëm ndryshon numri i votave për kandidatë brenda të njëjtës parti.

Cakolli kishte thënë më herët gjatë javës se procesi i numërimit nuk përcillet me kontrolle të hollësishme të fletëvotimeve, duke mundësuar kështu manipulimet, dhe se në këtë ka ndikuar edhe fakti që numërimi ishte realizuar në kohë festash.

Sipas Çohu dhe Cakollit, mënyra të tilla të keqpërdorimit janë vërejtur në pothuajse secilin proces zgjedhor në Kosovë dhe se zgjidhja për këtë problem do të ishte skanimi teknologjik i fletëvotimeve në vend të numërimit tradicional nga zyrtarët.

Cilat janë pasojat?
Së voni, Organizata joqeveritare Çohu ka publikuar një hulumtim që tregon se mbi 90 për qind e rasteve për manipulimet zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose me gjoba.

Kjo do të thotë se nëse ndonjë zyrtar vërtetohet se ka manipuluar votat gjatë numërimit, ai ka pak gjasa të ndëshkohet me burg për këtë gjë.

Por, pasojat mund të jenë më të mëdha për institucionet, pasi rinumërimi, i cili pritet të zgjasë deri në dy javë, mund ta vonojë edhe më shumë themelimin e institucioneve të reja, në një kohë delikate për institucionet.

Kuvendi i ri duhet të nxitojë për të kaluar marrëveshje ndërkombëtare financiare për vendin, si dhe ta zgjedhë presidentin e ri deri më 4 mars, para se Vjosa Osmanit t’i mbarojë mandati në prill.

Këto afate mund të bëhen edhe më vështirë të arritshme nëse vendoset për rinumërim të plotë – gjë që megjithatë sipas Cakollit mbetet opsioni më i mire tani që është vërtetuar se ka pasur shumë ndryshime në vota gjatë numërimit në qendra komunale,.

Gjatë javës, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, e përsëriti për REL-in mesazhin e kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, se nëse pas rinumërimit vërehen manipulime të mundshme me votat e kandidatëve brenda subjekteve politike, komisioni do t’i çojë në organet kompetente anëtarët e ekipeve të numërimit./K.M

12:20 Kritikat e mediave greke për Ramën, reagon Mitsotakis: E njoh prej vitesh, është politikan që ka mënyrë të veçantë të shprehuri

By: Klara
17 January 2026 at 12:20

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis ka zhvilluar një intervistë paraditen e së shtunës në një televizion grek, ku ndër të tjera, pati edhe një reagim për homologun shqiptar, Edi Rama, në lidhje me origjinën e grekëve.

Batutat e shkëmbyera nga Rama në Abu Dhabi me moderatori greku John Defterios, u trajtuan si ironi dhe ofendime për të dhe Greqinë.

Mitsotakis deklaroi se Ramën e njeh prej vitesh dhe se është politikan me një me një mënyrë të veçantë shprehjeje.

“ E njoh atë prej shumë vitesh dhe është një politikan me një mënyrë të veçantë shprehjeje, shpesh thotë gjëra që nuk duhet t’i thotë. Këtë herë bëri një gabim, të cilin megjithatë e kuptoi dhe e korrigjoi.”, tha Mitsotakis.

Kryeministri grek shtoi se donte që kjo çështje të ishte tashmë e mbyllur.

Mediat greke iu referuan organizimit në Abu Dhabi ku pjesë e panelit të moderuar nga John Defterois, ishte kryeministri Edi Rama dhe ai i Malit të Zi Milojko Spajiç.

Fillimisht gazetari u korrigjua nga dy kryeministrat për shqiptimin e emrit “për shkak të origjinës” tha Rama, më pas diskutimi u zhvendos në fushën e ekonomisë. Gjatë një diskutimi shifrash për një projekt të Shqipërisë me Arabinë Saudite, Rama e korrigjoi shifrën, duke theksuar se bëhej fjalë për mbi 1 miliard euro, dhe shtoi: “Kur flisni për paratë tuaja, shtoni tre zero. Kur flisni për paratë e të tjerëve, hiqni tre zero.”

Në këtë kuadër diskutimesh, Rama iu drejtua gazetarit Defterios duke i thënë “ti nuk je pasardhës i Platonit dhe Aristotelit siç mendon”.

“Mendoni se keni monopol mbi filozofinë dhe jeni trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të Platonit dhe Aristotelit, por nuk jeni”, ishte deklarata e shkëputur nga Edi Rama, i cili iu drejtua gazetarit greko-amerikan John Defterios pasi ky i fundit i shqiptoi emrin gabim.

“Jam i mahnitur nga reagimi i disa mediave në Athinë e i ndonjë politikani të lodhur grek lidhur me tonet e mia aspak tendencioze, po me humor miqësor gjatë bashkëbisedimit me gazetarin e nderuar John Defterios në panelin e organizuar gjatë Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi!

Është e pabesueshme që një fjali e thënë me humor, të shkëputet totalisht nga konteksti e të kthehet në polemikë publike me pathos nacionalist, gjë që fatkeqësisht në Athinën mediatike ndodh shpesh”, ishte reagimi i kryeministrit Rama pas kryqëzimit nga mediat greke./K.M

12:10 ‘Më ka trishtuar ndeshja kundër Serbisë’, Taulant Xhaka ‘hap zemrën’: Jap jetën për këtë fanellë

By: Klara
17 January 2026 at 12:10

Taulant Xhaka, ish-mesfushori që ka luajtur 30 ndeshje dhe ka shënuar 1 gol me kombëtaren shqiptare të futbollit, ka “hapur zemrën” dhe ka rrëfyer përvojën e tij me ekipin kuqezi. Në rubrikën “Legjendat Flasin” të FSHF-së, Xhaka ka treguar se i ka mbetur peng ndeshja kundër Serbisë dhe ngjarjet në Beograd në tetorin e vitit 2014.

– Taulant, kur e shikon sot fanellën kuqezi. Çfare ndjen realisht? Jo si futbollist, por si njeri.

Jam fans i Shqipërisë, i skuadrës. Nder dhe besoj që është fanella më e bukur në botë.

– A ka debutim më të bukur se ai i yti, kundër Portugalisë me fitore? Si e kujton atë ndeshje, na i përshkruan dot emocionet?

Me shumë emocione, ka qenë debutimi im me Kombëtaren me fitore. Ka qenë si ëndërr, nuk e kam kuptuar shumë por pas fitores, e kam kuptuar dhe e gjithë familja ka qenë krenare me mua.

– A ke një moment me Kombëtaren që nuk e ke treguar kurrë?

Jo nuk ka pasur momente specifike. Të lumtura kam pasur shumë ,të trishtuar për ndeshjen kundër Serbisë.

– Ti ke qenë gjithmonë një lojtar i karakterit të fortë. Çfare sakrifice personale ke bërë për Kombëtaren që pak e dinë?

S’kam bërë sakrifica të madhe por gjithmonë e kam dhënë maksimumin. Kisha vdekur për këtë fanellë.

– Çfarë do të thotë për ty të mbash peshën e përgjegjësisë në fushë, sidomos në ndeshje vendimtare?

Normal që ke përgjegjësi shumë, duhet të jesh lider dhe duhet t’i mbash lojtarët e rinj afër vetes.

– Si e sheh Kombëtaren sot, krahasuar me vitet kur ti ishe pjesë aktive e saj?

Kanë ecur shumë përpara. Janë lojtarë shumë të rinj, me shumë talent. Është shumë më mirë tani se përpara.

– A shikon ndonjë lojtar të Kombëtares aktuale që ju ngjan juve?

Qazim Laçi. Ka edhe numrin tim, 14 siç e kam pasur unë kur kam qenë pjesë e Kombëtares.

– A mendon se ky grup ka mentalitetin e duhur për të përballuar presionin e play-off-eve?

Po absolutisht. Çdo lojtar luan në ekipet e tyre, kanë kualitet. Besoj që mund t’ia dalin.

– Sa e rëndësishme është mbështetja e tifozëve shqiptarë në momente kyçe dhe çfare mesazhi ke për ta sot?

Tifozët janë shumë të rëndësishëm se na kanë përkrahur gjithmonë. Janë lojtari i 12-të për ne.

– Taulant Xhaka në një fjali për Shqipërinë dhe fanellën kuqezi.

Është nder dhe krenari.

– Nëse sot do ishe në dhomën e zhveshjes para ndeshjes së parë kundër Polonisë në fazën play-off, çfarë do t’i thoje ekipit?

Jepni maksimumin. Luani si gjithmonë me zemër dhe fitorja vjen automatikisht”, tha mes të tjerash Taulanti./K.M

12:00 NBA/ Clippers fiton në shtesë, Durant i jep suksesin Houston! Humbje për Chicago Bulls e Minnesotan

By: Klara
17 January 2026 at 12:00

Në NBA koha shtesë foli për Los Angeles Clippers, që arriti një fitore të rëndësishme jashtë fushe ndaj Torontos, duke triumfuar 117-121. Protagonist për miqtë ishte James Harden, i cili shkëlqeu me 31 pikë dhe 10 asist.

Fitore në transfertë regjistroi edhe Cleveland, që mposhti Philadelphia 115-117 në sekondat e fundit të takimit. Performancë të jashtëzakonshme zhvilloi Tyson, autor i 39 pikëve.

Indiana fitoi 127-119 ndaj New Orleans, në një ndeshje ku diferencën e bëri dyshja Siakam-Huff, që së bashku realizuan 56 pikë.

Triumf dramatik edhe për Brooklyn, që falë 26 pikëve të Porter dhe 23 të Clowney, mposhti Chicago 112-109 në momentet e fundit të sfidës.

Houston ngjitet në vendin e pestë në Konferencën e Perëndimit pas fitores 110-105 ndaj Minnesota. Kevin Durant ishte i pandalshëm me 39 pikë, ndërsa u mbështet edhe nga Sengun, që shtoi 25 pikë.

Në ndeshjen tjetër, Sacramento triumfoi 128-115 ndaj Washington, me Russell Westbrook protagonist absolut, autor i 26 pikëve.

Rezultatet në NBA:

Indiana – New Orleans, 127-119

Philadelphia – Cleveland, 115-117

Brooklyn – Chicago, 112-109

Toronto – Clippers, 117-121

Houston – Minnesota, 110-105

Sacramento – Washington, 128-115/K.M

11:50 Aksidenti tr*gjik tek ”Ura e Dajlanit”, caktohet “arrest në burg” për shoferin

By: Klara
17 January 2026 at 11:50

Last Updated on 17/01/2026 by Klara

Çështja penale me Nr. 26 Akti, me objekt “Vleftesimin e ligjshem te arrestit dhe caktimin e mases se sigurimit ndaj shtetasit A. Xh. i dyshuar per kryerjen e vepres penale”Drejtimi i mjetit ne menyre te parregullt” te parashikuar nga neni 291 K.Penal dhe “Shkelja e rregullave te qarkullimit rrugor”,parashikuar nga neni 290/3 K.Penal”

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës (Kërkuese), përfaqësuar nga Prokurore Znj. Matilda Fetau.

Kjo çështje është në shqyrtim pranë Gjyqtarit të gatshëm Z. Orgent Nazaj.
Seanca gjyqësore zhvillohet në datë 17.01.2026, ora 10:00.

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, për çështjen e sipërcituar, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka disponuar me Vendimin Nr. 26, datë 17.01.2026, ku ka vendosur: “Arrest në burg”./K.M

11:40 Kontrollet për pagat në ndërtim, ministri Malaj: Duhet të mbrojmë pensionet e së ardhmes

By: Klara
17 January 2026 at 11:40

Ministri i Financave Petrit Malaj thotë se kontrolli në sektorin e ndërtimit do të synojë të formalizojë ekonominë dhe të rrisë deklarimin real të pagave të punonjësve. Ministri sqaron se në fokus të këtyre kontrolleve që do të nisë administrata tatimore do të jenë pagat më të ulta se tregu, me qëllim që të mbrohen kontributet shoqërore të punonjësve dhe të garantohet pensioni i së ardhmes.

“Përfundon faza e ndërgjegjësimit, nis faza e kontrollit në sektorin e ndërtimit. Pas një fushate ndërgjegjësimi, Administrata Tatimore nis kontrollet në terren ndaj subjekteve me risk për nëndeklarim pagash me fokus sektorin e ndërtimit. Kontrollet do të fokusohen në subjektet të cilat kanë paga më të ulëta se tregu, me synim mbrojtjen e kontributeve shoqërore dhe të drejtës për pension në të ardhmen. Mbetemi të angazhuar për formalizimin e ekonomisë dhe garantimin e konkurrueshmërisë në treg”, shkruan ministri Malaj./K.M

11:30 “RTSH duhet të mbyllet”/ Deputetja: Televizioni publik nuk është organ qeveritar që të merret kryeministri

By: Klara
17 January 2026 at 11:30

Kryeministri Edi Rama një ditë më parë në mbledhjen e Grupit Parlamentar ka deklaruar se RTSH duhet të mbyllet përkohësisht dhe të kthehet në transmetim kur të reformohet.

Kjo deklaratë e kryeministrit ka ndezur reagime në radhët e opozitës. Deputetja Ina Zhupa është shprehur se RTSH nuk është organ qeveritar që të merret kryeministri.

Ajo hodhi akuza duke thënë se është mazhoranca ajo që ka ndikuar në dështimin e televizionit duke ndërhyrë në emërime, duke e zhytur në borxhe.

Deklarata e Ina Zhupës:

Larg çdo modestie, jam një nga njerëzit që kam zhvilluar betejat më të forta publike dhe institucionale kundër humnerës ku vendimet politike të mazhorancës po e çonin Radio Televizionin Publik Shqiptar.

Në një kohë kur RTSH vidhej, kur punonjësit shkarkoheshin dhe kur fondet keqpërdoreshin, mazhoranca i quante këto “reforma”, me qëndrime publike, para syve të publikut dhe institucioneve.

Merrni dhe lexoni procesverbalet 2021-maj 2025 të komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, por edhe deklaratat dhe betejat publike dhe do rikujtoni pathosin e mazhorancës për sukseset e RTSH!

Pyetja themelore është kjo: kur dhe pse u krijuan borxhet në RTSH dhe kjo situatë që flet Rama sot?

Borxhet dhe situata problematike lindën pikërisht nga kapja politike e RTSH-së, nga shkelja flagrante e ligjit për Këshillin Drejtues dhe nga emërimet politike të drejtorëve, pa asnjë standard profesional dhe ligjor.

Nëse ka dikush që duhet të kërkojë falje sot, ajo është mazhoranca socialiste dhe vetë Kryeministri, pa urdhrat e të cilit askush në këtë mazhorancë nuk merr as frymë. Ata kapën Këshillin Drejtues me pseudoopozitë dhe pazare politike në vitet e opozitës së kërpëratave dhe emëruan drejtor pas drejtori njerëz politikë, të paaftë dhe shkatërrimtarë të interesit publik.

Le të kërkojnë falje për emërimet e Thoma Gëllçit, Enkel Jotit, Alfred Pezës. Për secilin prej tyre u shkatërruan mekanizmat ligjorë vetëm që të vendosej “njeriu i duhur” politikisht në krye të RTSH-së. Rezultati ishte borxh, korrupsion dhe degradim institucional.

Fajtore është politika qeveritare që ia dorëzoi këtë institucion çdo hajduti dhe militanti, në vend që t’ia besonte profesionistëve. Dështimin e tyre politik mos ia faturojnë televizionit publik dhe qindra punonjësve që kanë lidhur jetën dhe dinjitetin profesional me këtë institucion.

Diskutimi anti RTSH është thellësisht hipokrit dhe antieuropian. Për mbylljen e kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian kërkohet financim i qëndrueshëm i medias publike. Çdo vend anëtar i BE-së ka një media publike funksionale, me disa kanale, me rol kulturor, informues dhe edukues. (Një listë po e bashkëngjit me foto)

“RTSH duhet të mbyllet”/ Deputetja: Televizioni publik nuk

Raportet e progresit të Bashkimit Europian kanë kërkuar qartazi që RTSH të ketë: garanci ligjore për pavarësinë editoriale dhe mekanizma që shmangin ndikimin politik në vendimmarrjen redaksionale.

A mund të ndryshohet dhe të reformohet RTSH pa financim?!

Si mund të ofrohet një shërbim dinjitoz publik pa të ardhura të garantuara?! Si mund të dal kryeministri dhe të tremb publikisht çdo biznes që mund të shërbente si sponsor i programeve të RTSH që të tërhiqet se rrezikon që të mbyllet dhe çdo gjë të ngelet pezull?!

RTSH është aset kombëtar, i rregulluar me ligj, pjesë e monitorimit të detyrimeve të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Diskursi i Kryeministrit mund t’u shërbejë oligarkëve mediatikë, duke shuar festivalin kombëtare, orkestrën e RTSH-së, të drejtat televizive për kampionatet sportive, emisionet kulturore, shëndetësore, transmetimin e dedikuar të Kuvendit t? Shqipërisë. Mund t’u shërbejë edhe oligarkëve të ndërtimit, të interesuar për truallin e lakmuar të RTSH-së në zemër të Tiranës, pranë Kryeministrisë.

Por nuk mund dhe nuk do të jetë kurrë në shërbim të publikut shqiptar, as në përputhje me standardet europiane që kjo mazhorancë pretendon se ndjek.

RTSH ka nevojë për më pak politikë, më shumë ligj dhe më shumë përgjegjësi. RTSH nuk është organ qeveritar që të merret kryeministri, po pasuri kombëtare në varësi të parlamentit. Një institucion që sigurisht duhet të bëjë reforma, duhet të rris llogaridhënien, duhet të rris të ardhurat autonome, duhet të rris audiencën por kurrsesi nuk duhet të mbyllet!/K.M

10:50 Në kërkim nga Britania për trafik droge, arrestohet në Shkodër 33-vjeçari

By: Klara
17 January 2026 at 10:50

Në vijim të kontrolleve të kryera bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, strukturat e DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe dhe me mbështetjen e shërbimeve të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Wanted”, si rezultat i të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi në kërkim:

-B. B., 33 vjeç, banues në fshatin Premal.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, me qëllim ekstradimin në Mbretëria e Bashkuar, pasi Gjykata e Magjistraturës në Westminster, Mbretëria e Bashkuar, ka lëshuar ndaj tij, urdhër arresti për veprën penale “Shkelja e ligjit për lëndët narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme./K.M

10:40 Arratisja e Altin Ndocit/ Dalin sot para gjykatës zyrtarët e arrestuar

By: Klara
17 January 2026 at 10:40

Ditën e sotme do të dalin para Gjykatës së Durrësit për tu njohur me masën e sigurisë 8 zyrtarët e arrestuar.

Mes të arrestuarëve janë zëvendës shefi i policisë, pesë efektivët që shoqëronin Ndocin në Spitalin e Durrësit, specialistja e informacionit dhe kryeinfermieri.

Mbi ta rëndon akuza shpërdorim i detyrës. Kujtojmë se një ditë më parë është vënë në pranga ish-drejtori i burgut të Durrësit Indrit Cerloj dhe mjekja Ylfete Sema.

Të dy janë të arrestuar për veprën  penale Shpërdorim detyre. Për Ylfete Semën është vendosur masa arrest në shtëpi./K.M

10:30 Volodymyr Zelensky: Furnizimet e mbrojtjes tonë ajrore janë të pamjaftueshme

By: Klara
17 January 2026 at 10:30

Presidenti Volodymyr Zelensky i ka cilësuar furnizimet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës si “të pamjaftueshme”, duke zbuluar se disa sisteme kishin qenë “pa raketa” deri në mëngjesin e së premtes.

“Mund ta them këtë hapur sepse sot i kam ato raketa”, tha presidenti, duke shtuar se Ukraina kishte marrë një “paketë të konsiderueshme” më herët gjatë ditës.

Komentet e tij vijnë pas disa ditësh bombardimesh intensive ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, që kanë lënë mijëra njerëz pa ngrohje dhe energji elektrike gjatë një dimri tejet të ftohtë.

Shkollat në Kiev do të qëndrojnë të mbyllura deri në shkurt, ka njoftuar kryetari i bashkisë së kryeqytetit, ndërsa qyteti vazhdon të përballet me mungesa të rënda energjie, në kushtet kur temperaturat kanë zbritur deri në -19°C.

Zelensky u bëri thirrje aleatëve të Ukrainës të ofrojnë “dërgesa të shpejta” të raketave të disponueshme dhe tha se këto dërgesa nuk do të thotë “se dimri do të mbarojë për ne nesër”.

“Dhe nuk do të thotë se nesër armiku do të ndalojë bombardimet ndaj nesh”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Ukraina mbështetet te partnerët e saj perëndimorë për disa sisteme jetike të mbrojtjes ajrore, të cilat, sipas Zelensky-t, kërkojnë “furnizime të vazhdueshme me raketa”.

“Sigurimi i këtyre paketave kërkon përpjekje të jashtëzakonshme, gjak dhe jetë njerëzish.”

Ai kritikoi vendet që “grumbullojnë” këtë lloj municioni: “Nëse ne jemi në luftë, na nevojitet realisht. Dhe në disa vende nuk ka luftë.”

Të premten në mbrëmje, ai tha se Ukraina kishte “informacione inteligjence” se Rusia po përgatitej për sulme në shkallë të gjerë.

Furnizimet janë të pamjaftueshme”, shkroi ai në Telegram. “Po përpiqemi t’i përshpejtojmë gjërat dhe është e rëndësishme që partnerët tanë të na dëgjojnë.”

Më herët këtë javë, Kievi shpalli gjendje emergjence në sektorin e energjisë dhe emëroi ish-kryeministrin Denys Shmyhal si ministër të Energjisë për të përballuar situatën.

Zyrtarët ukrainas akuzuan gjithashtu Moskën se po shfrytëzon qëllimisht një dimër jashtëzakonisht të ftohtë.

Shmyhal i tha parlamentit ukrainas të premten se Moska po “llogarit se mund të na thyejë përmes terrorit energjetik” dhe urdhëroi kompanitë shtetërore të rrisin importet e energjisë.

Mijëra punonjës të sektorit energjetik po punojnë me shpejtësi për të rikthyer furnizimin me energji në mbarë vendin, duke riparuar centralet dhe nënstacionet e goditura nga sulmet ruse.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, tha se pjesa më e madhe e kryeqytetit kishte mbetur pa ngrohje dhe me një “mungesë të madhe energjie elektrike” për herë të parë që nga fillimi i luftës.

Ai i tha agjencisë së lajmeve Reuters se nivelet e energjisë elektrike kishin rënë në më pak se gjysmën e asaj që nevojitej.

Ora policore në qytet, e vendosur pas nisjes së pushtimit të plotë rus në shkurt 2022, është lehtësuar për t’u lejuar banorëve akses në qendra emergjente që ofrojnë ngrohje dhe energji elektrike.

Klitschko kishte sugjeruar më herët këtë javë që banorët të largoheshin nga Kievi, nëse ishte e mundur, për të ulur presionin mbi burimet kritike.

Po të premten, Zelensky tha se negociatorët ukrainas ishin nisur drejt SHBA-ve për bisedime të mëtejshme mbi një armëpushim të mundshëm.

Bisedimet e së shtunës mbahen në Miami, Florida dhe do të përqendrohen te garancitë e sigurisë dhe një paketë rindërtimi pas luftës për Ukrainën, tha ambasadorja e vendit në SHBA, Olha Stefanishyna.

Delegacioni ukrainas do të përfshijë kreun e zyrës së Zelensky-t, Kyrylo Budanov, dhe sekretarin e Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare të Ukrainës, Rustem Umerov./K.M

10:20 Ndotja e ajrit rrit rrezikun e hipertensionit në fëmijëri

By: Klara
17 January 2026 at 10:20

Fëmijët mund të përfundojnë me presion të lartë të gjakut për shkak të ekspozimit ndaj ndotjes së ajrit, thotë një studim i ri.

Ekspozimi ndaj smogut para dhe pas lindjes rrit shanset e një fëmije për të pasur presion më të lartë të gjakut midis moshës 5 dhe 12 vjeç, raportojnë studiuesit në numrin e marsit 2026 të revistës Environmental Research.

Studimi lidhi konkretisht presionin e gjakut në fëmijëri me ndotjen nga grimcat e imëta.

“Këto gjetje i shtohen provave në rritje se ekspozimi i hershëm ndaj ndotjes së ajrit nga grimcat e imëta mund të ndikojë në shëndetin kardiometabolik të fëmijëve, madje edhe në nivele relativisht të ulëta”, tha studiuesja kryesore Yu Ni. Ajo është profesoreshë asistente e epidemiologjisë dhe biostatistikës në Universitetin Shtetëror të San Diegos.

Tensioni i lartë i gjakut tek fëmijët po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm, duke u rritur me gati 80% gjatë dy dekadave të fundit, thanë studiuesit në shënimet e tyre paraprake. Ai mund të çojë në probleme shëndetësore afatgjata, si sëmundje të zemrës dhe funksion të dëmtuar të veshkave.

Për studimin, studiuesit analizuan të dhëna nga më shumë se 4,800 fëmijë që morën pjesë në një studim të financuar nga Institutet Kombëtare të Shëndetit mbi mënyrën se si ndikimet mjedisore mund të ndikojnë në shëndetin e një fëmije.

Studiuesit krahasuan shëndetin e fëmijëve midis moshës 5 dhe 12 vjeç me nivelet e ndotjes së ajrit të jashtëm gjatë çdo tremujori të shtatzënisë, gjatë gjithë shtatzënisë dhe gjatë dy viteve të para të jetës së fëmijës.

Fëmijët e ekspozuar ndaj niveleve më të larta të ndotjes nga grimcat para dhe pas lindjes kishin mesatarisht presion më të lartë të gjakut, zbuluan studiuesit. Ekspozimi gjatë tremujorit të parë duket se ka pasur ndikimin më të madh, treguan rezultatet.

Ishte e lidhur me presion më të lartë sistolik të gjakut – presionin në arteriet tuaja kur zemra juaj rreh – dhe një gjasë më të madhe të presionit të lartë të gjakut në fëmijëri.

Megjithatë, studiuesit zbuluan se ekspozimi i nënave ndaj një lloji tjetër ndotësi të ajrit – dioksidit të azotit – shoqërohej me një presion pak më të ulët të gjakut tek fëmijët. Ky efekt ishte më i fortë gjatë shtatzënisë së mesme dhe të vonë.

“Gjetjet e papritura në lidhje me dioksidin e azotit sugjerojnë se nevojiten më shumë kërkime për të kuptuar se si ky lloj ndotjeje e ajrit mund të ndikojë në trupat në zhvillim të fëmijëve, si dhe nëse faktorë të tjerë mjedisorë mund të luajnë një rol, siç është zhurma e transportit”, tha Ni./K.M

10:10 Studimi: Gjenetika dhe virusi luajnë rol kyç në sklerozën multiple

By: Klara
17 January 2026 at 10:10

Gjenetika duket se ndihmon në përcaktimin se kush zhvillon sklerozë të shumëfishtë (MS), thonë dy studime të reja.

Gjenetika e një personi bashkëvepron me një infeksion me virusin Epstein-Barr (EBV) për të shkaktuar një reaksion të rëndë autoimun që çon në sklerozë të shumëfishtë, raportuan studiuesit këtë javë në revistën Cell.

“Përveç infeksionit EBV, faktorët gjenetikë luajnë gjithashtu një rol”, tha studiuesi kryesor Roland Martin në një njoftim për shtyp. Ai është profesor i neurologjisë dhe neuroimunologjisë në Universitetin e Cyrihut në Zvicër.

Në mënyrë specifike, gjenetika lejon që qelizat imune të infektuara nga virusi të vazhdojnë të prodhojnë antitrupa që synojnë mielinën, mbështjellësin mbrojtës që mbulon neuronet, thanë studiuesit.

Ky sulm autoimun ndaj mielinës dhe dëmtimi pasues i sistemit nervor është një shenjë dalluese e sklerozës multiple, thanë studiuesit. Ai shkakton paralizën, humbjen e shikimit dhe lodhjen që gjendet në sklerozën multiple.

Rezultatet e dy studimeve i shtohen provave në rritje se virusi Epstein-Barr është i përfshirë si në shkaktimin e sklerozës multiple ashtu edhe në formësimin e përparimit të saj, thanë studiuesit.

Çdokush që ka sklerozë të shumëfishtë (SM) është infektuar më parë me virusin Epstein-Barr, thanë studiuesit në shënimet e tyre paraprake.

Megjithatë, rreth 95% e njerëzve të shëndetshëm e mbajnë gjithashtu virusin, duke ngritur pyetjen se çfarë tjetër ndodh që shkakton sklerozën multiple te disa, por jo te të gjithë.

Për studimin e ri, studiuesit përdorën minj laboratori për të eksploruar mekanizmat e fshehura të sklerozës multiple, duke parë konkretisht qelizat B – qelizat imune që prodhojnë antitrupa.

Virusi Epstein-Barr mund të infektojë qelizat B, duke bërë që ato të prodhojnë antitrupa të qelizave T gjuetarë/vrasës që synojnë mielinën, thanë studiuesit.

Normalisht, këto qeliza B të ndryshuara do të mbylleshin nga mekanizma të rreptë të sigurisë imunitare që hyjnë në veprim përpara se ato të shkaktojnë dëm.

Por këto mekanizma sigurie drejtohen nga proteina të quajtura Antigjene të Leukociteve Njerëzore (HLA), dhe studiuesit zbuluan se ndryshimet në gjenet që nxisin HLA mund të lejojnë që qelizat B të infektuara të vazhdojnë të rrotullohen jashtë kontrollit.

Tek minjtë eksperimentalë, qelizat B të infektuara me EBV shkaktuan dëmtime në mielinë që ngjanin shumë me lezionet e hershme të sklerozës multiple, thanë studiuesit.

“Roli i EBV në sklerozën multiple ka qenë mjaft misterioz për një kohë të gjatë. Ne kemi identifikuar një sërë ngjarjesh, përfshirë infeksionin me EBV, që duhet të ndodhë në një sekuencë të përcaktuar qartë për të shkaktuar inflamacion të lokalizuar në tru”, tha hetuesi kryesor Tobias Derfuss , një udhëheqës i grupit kërkimor në Universitetin e Bazelit në Zvicër.

“Ndërsa kjo nuk i shpjegon plotësisht të gjitha aspektet e sklerozës multiple, mund të jetë shkëndija që ndez inflamacionin kronik në tru”, tha ai në një njoftim për shtyp.

Ekspertët kryesisht pajtohen se si qelizat B ashtu edhe virusi Epstein-Barr janë të përfshira në sëmundje, por studiuesi i lartë Nicholas Sanderson , një udhëheqës projekti në Universitetin e Bazelit, tha se nuk ka konsensus se si.

“Modeli që del nga puna e ekipit tonë është shumë i thjeshtë dhe për këtë arsye shumë bindës”, tha ai në një njoftim për shtyp. “Me pak fjalë, ne sugjerojmë që qelizat B të infektuara nga virusi shkaktojnë lezione.”

Martini vuri në dukje përfitimet e mundshme nga gjetjet.

“Studimi ynë tregon se si faktorët më të rëndësishëm të rrezikut mjedisor dhe gjenetik mund të kontribuojnë në sklerozë të shumëfishtë dhe të shkaktojnë një përgjigje autoimune që synon përbërësit e mielinës në tru”, tha ai.

“Gjetjet tona zbulojnë mekanizma që mund të synohen nga terapitë e reja”, shtoi Martin./K.M

10:00 Kontrollet e zhvilluara dje nga SPAK, gazetarja: Hetim i përbashkët me autoritetet italiane, lidhet me call center-at

By: Klara
17 January 2026 at 10:00

Detaje të reja janë zbuluar nga kontrollet e SPAK të zhvilluara ditën e djeshme. Gazetarja Klodiana Lala raporton se hetimi është kryer në bashkepunim me italianet në lidhje me call centera.

Kontrollet mësohet se janë kryer me vendim te GJKKO, firmosur nga prokurori Vladimir Mara.

Janë kontrolluar ditën e djeshme 6 kate të kulles./K.M

09:50 “Do thyenim rrjetin…”, duet mes Oriola Marashit dhe Alketa Vejsiut?

By: Klara
17 January 2026 at 09:50

Asnjë natë live nuk i ngjan tjetër në spektaklin e talenteve të rinj, “X Factor Kids”. Performanca të ndjera, këngë të kënduara me shpirt, emocione, lot, por edhe batuta, të gjitha të transmetuara në ekranin e Tv Klan.

Teksa të gjithë anëtarët e jurisë jepnin komentin e tyre për performancën e Ersës, Pirro Çako, ishte në qetësi, diçka po mendonte… Në imagjinatën e tij mesa duket ishte një duet mes Alketa Vejsiut Oriola Marashit.

Alketa Vejsiu: Çfarë ke more Pirro Çako shumë të menduar po të shikoj.

Pirro Çako: Po, po ju shikoja ju të dyjave në një duet!

Alketa Vejsiu: Mua dhe Oriolën?

Pirro Çako: Po!

Alketa Vejsiu: Në cilin version?

Pirro Çako: Nuk ka rëndësi, por ju shikoj.

Alketa Vejsiu: Ashtu?! Bukur një ide shumë e mirë do të ishte.

Fifi: Unë do të shkruaja një baladë.

Oriola Marashi: E sigurt që do e kishim thyer gjithë rrjetin!/K.M

09:40 Këmbimi valutor, 17 janar 2026

By: Klara
17 January 2026 at 09:40

Këtë të shtunë, një dollar amerikan do të blihet me 82.6 lekë dhe shitet me 83.6 lekë.

Euro blihet me 96.1 lekë dhe do të shitet me 96.9 lekë.

Franga zvicerane blihet me 102.8 lekë dhe shitet me 103.8 lekë.

Paundi britanik blihet me 110.5 lekë dhe shitet me 111.5 lekë.

Dollari kanadez këmbehet me 59.3 lekë në blerje dhe me 60.5 lekë në shitje./K.M

Euro dhe paundi në minimumin historik/ Kursi i këmbimit, 17 janar 2026

09:30 Rocco Commisso dhe pasioni për futbollin, nga New York Cosmos te Fiorentina! Krenaria dhe gëzimi i tij ishte ‘Viola Park’

By: Klara
17 January 2026 at 09:30

Një portret i presidentit të Fiorentinës, i cili ndërroi jetë në moshën 76-vjeçare. Ai përuroi qendrën sportive në verën e vitit 2024.

Fiorentina mban zi për ndarjen nga jeta të presidentit të saj, Rocco Commisso. I lindur në Marina di Gioiosa Ionica më 25 nëntor 1949, ai emigroi me familjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që në fëmijëri, ku ndërtoi një karrierë të jashtëzakonshme sipërmarrëse që kulmoi me themelimin e Mediacom, e cila u bë një nga gjigantët e kabllove optike në botë.

Sipas Forbes, pasuria e tij neto vlerësohej në afërsisht 8 miliardë dollarë që nga tetori 2023. Një tifoz i apasionuar i futbollit, ai bleu New York Cosmos në vitin 2017, por pika e kthesës në karrierën e tij sportive erdhi më 6 qershor 2019, me blerjen e Fiorentinës.

“Unë jam një tifoz, më thërrisni Rocco”, ishin fjalët e tij të para drejtuar tifozëve kur e pritën në stadumin ‘Artemio Franchi’ për prezantimin e tij zyrtar.

Që atëherë, Fiorentina, nën drejtimin e tij, ka përjetuar momente suksesi dhe zhgënjimi, me trajnerë të ndryshëm, nga Montella te Iachini, nga Prandelli te Italiano, nga Palladino te Pioli dhe tani Vanoli.

Ai ia besoi organizimin e klubit në Firenze mikut të tij dhe krahut të djathtë Joe Barone, i cili shërbeu si drejtor i përgjithshëm. Vdekja e papritur e Barones më 19 mars 2024, i shkaktoi atij një pikëllim të madh dhe la një boshllëk të pambushshëm.

Me ‘Vjollcët’, ai ndoqi prej kohësh ëndrrën e fitimit të trofeve, duke iu afruar disa herë me dy finale të Ligës së Konferencës dhe një finale të Kupës së Italisë. Verën e kaluar, ai investoi mbi 92 milionë euro në tregun e transferimeve, duke u përpjekur t’u sillte kënaqësi tifozëve në vitin e tyre të njëqindtë, përpara se të ndërronte jetë ndërsa ekipi po kalonte një periudhë të vështirë.

Trashëgimia e tij më e prekshme mbetet ‘Viola Park’, i përuruar në verën e vitit 2024, të cilin ai gjithmonë e konsideronte një burim krenarie të thellë. Një qendër sportive e konceptuar si “shtëpia e Fiorentinës”, e destinuar të mbajë përgjithmonë emrin e tij.

Mbi 20 hektarë, 12 fusha stërvitore, ambiente mjekësore të teknologjisë së fundit, palestra dhe hapësira të dedikuara për sektorin e të rinjve dhe ekipin e femrave, për një investim total prej afërsisht 120 milionë eurosh. Një projekt që mishëron vizionin e tij për të ardhmen, një fokus tek të rinjtë dhe një dashuri të vërtetë për Firenzen dhe Fiorentinën./K.M

09:00 “Sjellje prej dive”, JLo kritikohet për veprimin e saj në tapetin e kuq të Golden Globes

By: Klara
17 January 2026 at 09:00

Një video e publikuar nga tapeti i kuq i Golden Globes ka ndezur diskutime në rrjet, pasi disa përdorues pretendojnë se Jennifer Lopez ka shfaqur një qëndrim “prej dive” gjatë regjistrimit të Glambot-it.

Momenti që po qarkullon online tregon këngëtaren dhe aktoren gjatë xhirimit të klipit të famshëm slow-motion, por ajo që ka tërhequr vëmendjen e fansave është sjellja e saj pas përfundimit të videos. Sipas komentuesve, Lopez duket e ftohtë dhe pothuajse nuk e përshëndet fare regjisorin e Glambot-it, Cole Walliser, i cili është një figurë shumë e dashur dhe e respektuar në tapetet e kuq të Hollivudit.

Fakti që videoja u publikua nga vetë Walliser ka shtuar edhe më shumë spekulimet, me disa që besojnë se klipi është një mesazh i nënkuptuar për një ndërveprim jo fort të këndshëm.

 

Të tjerë, nga ana tjetër, e mbrojnë Lopez-in, duke thënë se momenti mund të jetë keqinterpretuar dhe se presioni dhe nxitimi i tapetit të kuq shpesh ndikojnë në sjelljen e yjeve./K.M

08:50 Alarmi u vu nga autoritetet italiane/ Përmban substancë të rrezikshme për fëmijët, AKU tërheq nga tregu qumështin formulë “BEBA”

By: Klara
17 January 2026 at 08:50

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka njoftuar bllokimin dhe tërheqjen nga tregu të disa produkteve të formulës për fëmijë, pas një alarmi të ardhur nga Sistemi Evropian i Njoftimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshët (RASFF).

Sipas njoftimit, Shqipëria është informuar nga RASFF se pas kontrolleve të kryera nga autoritetet italiane, është konstatuar prania e substancës Cereulide në formulë për fëmijë me origjinë nga Holanda, e cila përbën një rrezik potencial për shëndetin e njeriut.

Produktet e identifikuara janë:

BEBA PRE 800G – Lot nr. 51250346AA, skadencë 05.2027

BEBA PRE 800G – Lot nr. 51720346AA, skadencë 06.2027

BEBA PRE 800G – Lot nr. 51660346AC, skadencë 06.2027

BEBA 1 800G – Lot nr. 51180346AB, skadencë 04.2027

BEBA 1 800G – Lot nr. 51450346AA, skadencë 05.2027

BEBA 1 800G – Lot nr. 51660346AB, skadencë 06.2027

BEBA SUPREME PRE 800G – Lot nr. 51720742F3, skadencë 06.2027

BEBA SUPREME 2 800G – Lot nr. 51550742F1, skadencë 06.2027

BEBA SUPREME 2 800G – Lot nr. 51550742F2, skadencë 06.2027

AKU bën me dije se, pas kryerjes së kontrolleve dhe ndjekjes së plotë të gjurmueshmërisë, sasia e produktit është bllokuar dhe do të asgjësohet.

Autoriteti u bën thirrje konsumatorëve që nëse e kanë blerë këtë produkt dhe e kanë ende në përdorim, ta kthejnë menjëherë në pikat e shitjes, duke shmangur përdorimin e tij./K.M

❌
❌