Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 15 January 2026Main stream

Janevska: Vazhdimisht angazhohemi që t'i mbrojmë nxënësit nga ajo që mund t'ua dëmtojë shëndetin

15 January 2026 at 17:46


"Investimi në parandalimin e të rinjve nga veset paraqet investim afatgjatë, në krahasim me ndërhyrjen. Vazhdimisht angazhohemi që përmes edukimit, t’i mbrojmë nxënësit nga ajo që mund t’u dëmtojë shëndetin, ndërsa mbështetja nga partnerët ndërkombëtarë është veçanërisht e rëndësishme për ne".

Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në takimin e punës me përfaqësuesin rajonal të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) për Evropën Juglindore, Danillo Rici, si dhe me përfaqësues të zyrës së UNODC-së në Shkup.

Siç njoftojnë nga kabineti i saj, Janevska në takim theksoi bashkëpunimin e shkëlqyer me agjencinë e KB-së veçanërisht në fushën e parandalimit dhe të përforcimit të sistemit arsimor si faktor kyç në përballimin e sfidave bashkëkohore shoqërore.

“Në takim u theksuan edhe aktivitetet vijuese si dhe ndryshimet ligjore që kanë të bëjnë me parandalimin në sistemin arsimor, ndërsa u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit përmes zgjerimit të fushave në kuadër t Programit Rajonal të UNODC-së për Evropën Juglindore 2024–2029. Takimi i sotëm konfirmoi se ekziston interes i përbashkët për vazhdimin dhe avancimin e bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e parandalimit përmes arsimit”, theksoi Janevska.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për drogën dhe krimin (UNODC) është agjenci e KB-së që në nivel global trajton tregtinë e paligjshme të drogës, krimit, terrorizmit dhe korrupsionit, duke ofruar kërkime, ndihmë teknike dhe mbështetje për qeveritë në zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, forcimin e kapaciteteve dhe rritjen e ndërgjegjësimit publik, ndërsa kryesisht financohet përmes kontributeve vullnetare.

Ndërron jetë një foshnje në Spitalin e Kavadarit, Ministria e Shëndetësisë inicion kontroll inspektues

15 January 2026 at 15:34


Ministria e Shëndetësisë kumtoi se ka inicuar që Inspektorati sanitar dhe shëndetësor shtetëror (ISSHSH) të kryejë kontroll inspektues në Spitalin e përgjithshëm në Kavadar lidhur me rastin me vdekjen e foshnjes dymuajshe.

Nga spitali sot kumtuan se foshnja me iniciale U.M. te ata është pranuar për shkak të të vjellave të mëdha pas ushqyerjes. SPB Veles paraprakisht kumtoi se mbrëmë në RPB Kavadar u denoncua se rreth orës 21:35 në repartin për fëmijë në Spitalin e përgjithshëm Kavadar ka vdekur një foshnjë dymuajshe.

“Sipas denoncimit, foshnja u hospitalizua më 12.01.2026, por ka vdekur, edhe krahas ndihmës së dhënë mjekësore dhe rianimimit. Mjeku ka konstatuar vdekjen, ndërsa pas urdhërit të prokurorit publik, trupi është dëeguar në autopsi”, kumtoi SPB Veles.

Asnjë shtetas i Maqedonisë së Veriut në Iran deri më tani nuk ka kërkuar ndihmë nga MPJ

15 January 2026 at 14:50


Asnjë qytetar i Maqedonisë së Veriut në territorin e Iranit deri më tani nuk ka kërkuar ndihmë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme (MPJdheTJ), ndërsa shefi i diplomacisë, Timço Mucunski. shfaq bindje se të gjitha resurset janë gati nëse ka nevojë për evakuim edhe përkundër asaj që nuk kemi përfaqësi rezidente diplomatiko-konsullare në atë shtet.

“Për momentin nga ne nuk është kërkuar ndihmë nga një qytetar i Maqedonisë së Veriut në territorin e Iranit”, deklaroi sot ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.

Ai përkujtoi se MPJdheTJ para disa ditëve e kumtoi thirrjen me të cilën i informoi qytetarët se nuk duhet të udhëtojnë në Iran për shkak të gjendjes së përkeqësuar të sigurisë.

“Atje me të vërtetë ka tendencë të përkeqësimit të gjendjes së sigurisë dhe kumtuam disa kontakt-telefona nga MPJ dhe nga nga Ambasada jonë në Ankara, Republika e Turqisë, të cilët mund të ndihmojnë të mobilizohet shteti nëse ekziston nevoja për evakuim të qytetarëve tanë. Me Iranin bashkëpunimi bilateral nuk është në nivelin më të lartë. këtë e dini, nuk kemi përfaqësi rezidente diplomatiko-konsullare në atë shtet, por të gjitha resurset tona janë gati për t’i vënë në disponim nëse ka nevojë për evakuim të qytetarëve tanë”, tha Mucunski në pyetjen e gazetarëve gjatë vizitës në Odën ekonomike për teknologji informatike dhe komunikuese -MASIT.

Për shkak të gjendjes së përkeqësuar të sigurisë në Republikën islamike të Iranit, MPJdheTJ pardje u bëri thirrje qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, të cilët ndodhen në territorin e këtij shteti, ta braktisin vendin në kushtet e para të mundshme dhe të sigurta. Njëkohësisht, bëri thirrje edhe të shtyhen të gjitha udhëtimet në Iran, të cilat nuk janë të domosdoshme.

Siç informuan nga Ministria, tashmë janë vënë në dispozicion disa kapacitete për asistencë të shtetasve të RMV-së përmes SOS telefonit kujdestar 24-orësh +389 75 268 736, adresës elektronike globalsos@mfa.gov.mk, si dhe përmes telefonit kujdestar të përfaqësisë diplomatiko-konsullare të RMV-së në Ankara: +90 539 456 97 10.

Arlinda Kadri-Shahinoviq dhe Suzana Joshevska-Anastasovska zyrtarisht anëtare të Këshillit Gjyqësor, bëhet betimi solemn në Kuvend

15 January 2026 at 13:51


Anëtarët e sapozgjedhur të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Suzana Joshevska-Anastasovska dhe Arlinda Kadri-Shahinoviq, sot në Kuvend realizuan betimin solemne para kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi.

Avokatja Suzana Joshevska-Anastasovska, së bashku me profesoreshën Arlinda Kadri-Shahinoviq, përpara dy ditësh në Kuvend u zgjodhën si anëtare të Këshillit Gjyqësor me propozim të presidentes Gordana Siljanovska-Davkova.

Këshilli Gjyqësor përbëhet nga 15 anëtarë, prej të cilëve tetë zgjidhen nga radhët e gjyqtarëve, tre zgjidhen nga Kuvendi dhe dy anëtarë janë me propozim të presidentit të shtetit. Anëtarë, pa të drejtë vote, janë gjithashtu kryetari i Gjykatës Supreme dhe ministri i drejtësisë.

Mandati i anëtarëve të zgjedhur zgjat gjashtë vjet me të drejtë një rizgjedhjeje, ndërsa kryetarit të Gjykatës Supreme dhe ministrit të drejtësisë, me përfundimin e funksionit të tyre, i përfundon edhe mandati në Këshill.

Mucunski për vendimin e SHBA-ve për vizat: Në gjashtë muajt e ardhshëm do të habiteni pozitivisht me politikën e vizave ndaj RMV-së

15 January 2026 at 13:12


"Bëhet fjalë për pauzë në procedurat që lidhen me vizat e emigrantëve. Nuk është listë e zezë apo pezullim. Mendoj se është korrekte para opinionit të themise kjo nuk ndikon në të gjitha procedurat e tjera të vizave për Shtetet e Bashkuara". Kështu komentoi Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, vendimin e djeshëm të Shteteve të Bashkuara për të ndaluar përpunimin e vizave të emigrantëve për qytetarët e 75 vendeve, përfshirë Maqedoninë e Veriut.

Ai tha se "nëse jeni biznesmen, i cili dëshiron të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara, do të jeni të lirë të aplikoni për vizë".

"Nëse jeni student që dëshiron të studiojë në Shtetet e Bashkuara ose dëshiron të udhëtojë përmes "Work and travel", nuk ka asnjë pengesë. Kupa Botërore në futboll do të mbahet në Amerikë, nëse dëshironi të udhëtoni si turist, ky vendim nuk do të ketë asnjë ndikim tek ju. Jemi në komunikim me Ambasadën Amerikane në Shkup në lidhje me vizat e emigrantëve dhe ambasada jonë komunikon me Departamentin Amerikan të Shtetit. Sipas informacioneve tona, numri më i vogël i aplikimeve në vendin tonë është për këtë lloj vize dhe ato janë për qytetarë të një kategorie më të vjetër. Nuk ka kufizim për të gjitha llojet e tjera të vizave", shtoi kreu i diplomacisë së RMV-së.

Sipas Mucunskit, perceptimi i vendimit të SHBA-së të kujton historinë me tarifat.

"Lëreni pak në dorë të kohës, lëreni në dorë të komunikimit tonë dhe faktit që kemi bashkëpunim të shkëlqyer me partnerin tonë strategjik. Në periudhën e ardhshme, ndoshta në gjashtë muajt e ardhshëm, do të befasoheni pozitivisht nga ajo që mund të ndodhë në zhvillimin e politikës së vizave të SHBA-së ndaj vendit tonë, domethënë, do të fillojmë të mbyllim çështje që kemi tentuar t'i mbyllim për 20 vjet. Jemi proaktivë dhe po punojmë për një zgjidhje. Qytetarët nuk duhet të shqetësohen", tha ministri.

Risteski për ligjin kundër pirjes së duhanit: Duhet të mbështetet çdo ligj që mbron shëndetin

15 January 2026 at 12:42


Duhet të ketë mbështetje për çdo ligj që mbron shëndetin e qytetarëve, deklaroi sot zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski, i cili mori pjesë në një aktivitet në Komunën e Kisella Vodës.

Ai u pyet nëse është planifikuar një takim me hotelierët në lidhje me ligjin e paralajmëruar kundër pirjes së duhanit.

“Ligji i ri për duhanpirjen që po shpallet është nën kompetencë të Ministrisë së Shëndetësisë, jo të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës. Sigurisht, do të ketë takime me hotelierët dhe të gjithë në mënyrë që të njihen, para së gjithash nga Ministria për ligjin e ri. Unë konsideroj se duhet të ketë mbështetje për çdo ligj që mbron në radhë të parë shëndetin e qytetarëve dhe se gradualisht rregullativën ligjore ta përshtatim dhe harmonizojmë me rregullativat ligjore evropiane”, u përgjigj Risteski.

"Për një Maqedoni më të pastër" dorëzon peticion në qeveri, kërkon që të ketë gjoba për hedhjen e mbeturinave nëpërmjet "Safe City"

15 January 2026 at 11:41


Organizata "Për një Maqedoni më të pastër" ka mbledhur 1,000 nënshkrime, nëpërmjet të cilave do të kërkojë që sistemi i shkeljeve të trafikut "Safe City" të përmirësohet dhe gjithashtu të zbulojë hedhjen e mbeturinave dhe bishtat e cigareve nga automjetet.

Siç informon organizata përmes një postimi në rrjetet sociale, peticioni iu dorëzua Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme. "Për një Maqedoni më të Pastër" deklaron se presin një përgjigje.

Teksti i peticionit tregon se sistemi "Safe City" tashmë funksionon në një fazë testimi dhe lëshon paralajmërime për shkelje të trafikut përmes mbikëqyrjes me video, prandaj, sipas iniciatorëve, ekziston një mundësi reale që ai të përmirësohet në fusha të tjera me interes publik.

"Problemi është hedhja e mbeturinave, veçanërisht bishtat e cigareve dhe mbeturinat e vogla nga automjetet në lëvizje, të cilat, sipas peticionit, kanë pasoja për mjedisin dhe sigurinë publike. Bishtat e cigareve janë lloji më i zakonshëm i mbeturinave në rrugë dhe përgjatë rrugëve, se ato përmbajnë substanca toksike dhe se dekompozimi i tyre zgjat deri në 10 vjet", thuhet në peticion.

Peticioni thekson gjithashtu rrezikun e zjarreve, duke deklaruar se hedhja e bishtave të cigareve nga automjetet mund të jetë një nga shkaqet e zjarreve në pyje në vend. Përveç kësaj, theksohet se një sjellje e tillë prish rendin publik dhe lë një imazh negativ të vendit.

Sipas iniciatorëve, kamerat e "Safe City" tashmë njohin shkelje të ndryshme të trafikut, kështu që sistemi mund të përmirësohet me një algoritëm për zbulimin e objekteve të hedhura nga automjetet, një praktikë që, siç deklarojnë ata, ekziston tashmë në disa vende dhe qytete evropiane.

Fillon procesi për zgjedhjen e prokurorit të ri publik, Kuvendi shpall konkursin

15 January 2026 at 11:12


Procesi për zgjedhjen e prokurorit të ri publik ka filluar, me Kuvendin që ka shpallur konkursin. Pas skadimit të afatit dhe kryerjes së përzgjedhjes administrative, Këshilli i Prokurorëve Publikë do të duhet të japë një mendim pozitiv ose negativ për kandidatët që plotësojnë kushtet.

Pastaj, nga ata që kanë vlerësim pozitiv, Qeveria do të zgjedhë njërin dhe do t'ia paraqesë propozimin Kuvendit.

Pasardhësi i Kocevskit do të zgjidhet me shumicë të thjeshtë prej 61 votash.

Së shpejti do të zgjidhet edhe kryetar i ri i Prokurorisë së Shkupit. Pesë kandidatë kanë aplikuar për të pasuar Bubevskin. Seanca e këshillit është planifikuar për të martën.

Sekuestrohen 166 dërgesa postare, kallëzim penal ndaj një kompanie dhe ndaj një personi në Maqedoni

15 January 2026 at 10:25


Drejtoria e Doganave njofton se kanë parashtruar kallëzim penal ndaj një kompanie postare dhe ndaj një personi, pasi sipas Doganës, kompania ofronte në mënyrë të paligjshme shërbime postare.

Nga Drejtoria e Doganave thonë se kompania bënte kontrabandë të dërgesave.

“Inspektorët doganorë të Departamentit të Hetimeve, në një veprim të koordinuar me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Drejtorinë e të Ardhurave Publike, Agjencinë Postare dhe Inspektoratin Shtetëror të Tregut, kanë kryer një kontroll në një kompani që ofronte ilegalisht shërbime postare ndërkombëtare dhe kontrabandonte mallra. Gjatë kontrollit, u gjetën gjithsej 166 dërgesa postare me mallra të ndryshme, me një vlerë totale prej gati 240 mijë denarësh".

"Mallrat e kontrabanduara u sekuestruan, dhe nga ana e inspektorëve u ngritën kallëzime penale kundër një personi juridik dhe një personi fizik për veprën penale të fshehjes së mallrave që janë objekt i kontrabandës dhe mashtrimit doganor. Konkretisht, kompania kryente trafik postar ndërkombëtar pa licencë të duhur, duke i transportuar dërgesat postare me mjete përmes pikave kufitare pa i deklaruar ato tek autoritetet doganore".

"Më pas ato i ruante ilegalisht në një depo të cilën e posedonte me qëllim që ti transportonte deri te klientët, dhe për të cilat duhet të paguhej”, thonë nga Drejtoria e Doganave.

Taravari: Nuk kemi asgjë të përbashkët me BDI-në

15 January 2026 at 09:53


“Nuk kemi asgjë të përbashkët me BDI-në”, kjo ishte përgjigja e Taravarit për thirrjen e BDI-së për t’u bashkangjitur në parti.

Taravari tha se nuk kanë asgjë të përbashkët me BDI-në pasi kjo e fundit është parti e majtë dhe ASH-ja është e djathtë, por pavarësisht kësaj, Taravari tha se duhet të vazhdojë bashkëpunimi me BDI-në, sipas tij, deri në hapjen e negociatave me BE-në.

Ai foli edhe për VLEN-in, duke thënë se ata nuk do të bëhen parti.

“Kjo që na ndodhi neve, ASH-së me VLEN-in, tash është duke i ndodhur Billall Kasamit”, tha në Click Plus Arben Taravari duke e parashikuar largimin e Lëvizjes Besa nga VLEN. Siç tha Taravari, u akuzua se ishte pengesë për bashkimin e VLEN-it, por shtoi se, që nga fundi i majit të vitit të kaluar u tha se VLEN do të shndërrohet në pari që nuk është bërë./TV21/

Komunikacioni në Maqedoni, mjegull në rrugën Shkup - Tetovë

15 January 2026 at 09:15


Trafiku në rrugët shtetërore po zhvillohet në kushte dimërore, në rrugë kryesisht të thata. Në rrugën Shkup - Tetovë vërehet dukshmëri e zvogëluar për shkak të mjegullës nga 50 deri në 100 metra.

Nga NP "Rrugët e Maqedonisë" thonë se të gjitha rrugët janë të kalueshme. Në disa rrugë që kalojnë nëpër prerje dhe përrenj, është e mundur shfaqja e rrëshqitjeve të vogla të dheut.

Prej atje apelojnë për vozitje të kujdesshme të automjeteve, respektim të sinjalistikës së vendosur të trafikut, si dhe përshtatje të shpejtësisë sipas kushteve të rrugës.

LSDM: Qeveria teknike duhet të mbetet, kushtet në shoqëri janë njëjtë si në vitin 2016

15 January 2026 at 08:52


Partia opozitare LSDM thekson se Qeveria teknike duhet të mbetet. Sipas tyre, shfuqizimi mund të ndodhë në momentin kur shoqëria të jetë gati, dhe për këtë, reformat sipas standardeve evropiane janë të nevojshme, veçanërisht në fushën e gjyqësorit.

"Kur të zbatohen të gjitha ligjet e reformës që janë pjesë e rekomandimeve të BE-së dhe misionit të vlerësimit, në sferën e gjyqësorit, prokurorisë, policisë, ligjit dhe sundimit të ligjit, në atë moment ne si shtet do të jemi gati të shfuqizojmë qeverinë teknike".

"Kjo është thelbësore. Deri atëherë, qeveria teknike duhet të mbetet. Sepse kushtet në shoqëri janë të njëjta si në vitin 2016, krimi, korrupsioni, institucionet e kapura, partishmëria, kontrolli mbi gjyqësorin. Pas gjithçkaje që i kemi sjellë publikut, është kristalin e qartë për qytetarët".

"Gjithçka që shpallëm është bërë realitet. Ne kemi ekspozuar të gjitha planet e qeverisë dhe të gjitha hapat e planifikuar. Koalicioni i tenderit OBRM-PDUKM-ZNAM nuk dëshiron dialog, por një alibi për thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme për të cilat është rënë dakord tashmë. Ata nuk duan reforma për BE-në, por një mbulesë për izolimin e qëllimshëm të vendit", thonë nga LSDM.

Gashi për takimin e liderëve: Më gëzon fakti që Kuvendi po kthehet në epiqendër të zgjidhjes së problemeve

14 January 2026 at 22:49


Kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi, ka komentuar ngjarjet e fundit politike në vend në një intervistë për Televizionin Alsat.
Gashi ka komentuar takimin e sotëm të liderëve të partive politike në vend. Ai ka nënvizuar rëndësinë e kthimit të institucionit të Kuvendit në epiqendër.
“Do kisha dashur të nënvizoj dy elemente. I pari është nga informacionet që kam për takimin që ka rrjedhur brenda liderëve, ka qenë një takim shumë konstruktiv, mendoj se u tha edhe nga vet pjesëmarrësit. Dhe më gëzon shumë fakti që si demokraci po piqemi. Dialogu është i hapur, kemi mundësi të ulemi, të diskutojmë. Duhet ta kuptojmë se kjo është demokracia parlamentare. Duhet shpesh të ulemi në tavolinë edhe me ata që nuk mendojnë si ne. Dhe mendoj se kjo është një vlerë e shtuar. Dhe ky fakt më gëzon. Dhe elementi i dytë më gëzon fakti që Kuvendi po kthehet në një qendër ku do të duhet të zgjidhen çështjet".
"Gjatë kohë Kuvendi ka qenë vetëm çështje kolaterale-anësore ku të gjitha marrëveshjet janë bërë diku tjetër dhe janë implementuar në Kuvend. Më gëzoi shumë fakti që liderët janë marrë vesh që bisedimet konkrete për zgjidhjen e problemeve do të vazhdojnë nesër në Kuvend në nivel të koordinatorëve për ligjet konkrete, për zgjidhjet konkrete ”, deklaroi Gashi.

Inspektorati Shtetëror i Tregut do të forcohet me 40 inspektorë të rinj

14 January 2026 at 22:04


40 inspektorë të rinj do ta forcojnë ekipin e Inspektoratit shtetëror të tregut në periudhën e ardhshme, të cilët do të ndihmojnë edhe në kontrollet e shtuara të punës së objekteve gastronomike, siç parashikon propozim- ligji i ri për mbrojtjen nga pirja e duhanit. Ministri i ekonomisë Besar Durmishi tha se pas këtyre punësimeve do të bëhet analizë për të parë nëse ka nevojë për inspektorë të tjerë.

“Pra, rreth 40 është numri i inspektorëve të ri që do të shpërndahen në të gjithë shtetin. E dimë se ka pjesë në të gjitha qytetet, kështu që do të shohim si do të ecin punët pas këtij forcimi dhe nëse ka nevojë për punësime shtesë, do të dalim para opinionit dhe do ta njoftojmë këtë”, tha Besar Durmishi, ministër i ekonomisë.

Numri i inspektorëve në Inspektoratin shtetëror të punës dhe në Inspektoratin shtetëror të tregut është rreth 200. Durmishi tha se ka informuar Qeverinë se ka nevojë për punësime të reja.

“Te Inspektorati shtetëror i punës kemi, mos gaboj me shifrat, 80 të punësuar, pra 80 inspektorë, ndërsa te Inspektorati shtetëror i tregut rreth 120. Që nga koha kur këto dy inspektorate, sipas ndryshimeve të ligjit, e humbën të drejtën e subjektit juridik dhe hynë në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, që atëherë kam informuar Qeverinë se duhet të kemi më shumë inspektorë në këto dy inspektorate, veçanërisht në Inspektoratin shtetëror të tregut”, u shpreh Besar Durmishi, ministër i ekonomisë.

Pikërisht inspektorët e Inspektoratit shtetëror të tregut dhe të Inspektoratit të punës do të duhet të kryejnë kontrolle të shtuara për të gjitha objektet gastronomike që nuk do ta respektojnë ndalimin e pirjes së duhanit, ndërsa gjobat do të lëvizin nga 100 euro për personat fizikë, deri në 5.000 euro për kompanitë më të mëdha që nuk do t’i respektojnë dispozitat e reja ligjore pasi ato të hyjnë në fuqi.

Propozim- ligji për mbrojtjen nga pirja e duhanit tashmë është publikuar në Regjistrin nacional elektronik të rregulloreve dhe i njëjti do të duhet t’i nënshtrohet debatit publik nga palë të ndryshme të interesuara, para se të shkojë përpara deputetëve në Kuvend./Alsat/

Yesterday — 14 January 2026Main stream

Vënia në funksion e sistemit “Safe City”, tema e vetme në të cilën u pajtuan të gjitha partitë politike

14 January 2026 at 21:13


Ndryshimet ligjore për vënien në funksion të sistemit “Safe City”, mbase ishte tema e vetme në të cilën u pajtuan të gjitha partitë politike gjatë takimit të sotëm të liderëve, ku mungoi opozitarja LSDM.

Pikë tjetër ku kanë arritur dakordësi, megjithatë jo marrëveshje është miratimi i ndryshimeve ligjore që janë pjesë e agjendës reformuese. Këtu, bëjnë pjesë ligjet për gjyqësor dhe prokurori, të cilat i kërkon Bashkimi Evropian.

Pra, të gjitha partitë pajtohen se duhet të votohen ligjet reformuese.

Megjithatë, ndonëse pajtohen, liderët nuk kanë arritur marrëveshje si të largohet “Elefantin prej dhome”, respektivisht problemi me Bullgarinë. Të gjithë u pajtuan sot se janë për Bashkimin Evropian, megjithatë nuk arritën marrëveshje për ndryshimet kushtetuese.

LSM do të protestojë, kërkon rritjen e pagës minimale

14 January 2026 at 20:27


Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë ditët në vijim do të përcaktojë datën e protestës së punëtorëve, përmes së cilës ata do të kërkojnë rritjen e pagës minimale në 600 euro, si dhe rritjen e pagave të tjera me 100 euro.

Ndërkohë, punëdhënësit janë të mendimit se e drejta për të protestuar është legjitime, por sipas tyre, ata duhet të luftojnë për të ardhura personale më të larta në sektorët që kanë pagat më të ulëta.

“Jemi të fundit në rajon si me pagat minimale ashtu edhe me ato mesatare dhe me të gjitha pagat e tjera si punëtorë. Për këtë qëllim, gjatë kësaj jave do të kemi një kryesi dhe këshillim drejtuar organeve më të larta të Federatës së Sindikatave të Maqedonisë për të përcaktuar vetëm vendin dhe kohën kur do të dalim në një protestë të madhe të punëtorëve dhe e njëjta do të bëhet para një organizate të punëdhënësve dhe para Qeverisë, duke pasur parasysh se as sektori privat dhe as ai publik nuk i respektojnë marrëveshjet kolektive dhe nuk i vlerësojnë realisht punëtorët", deklaroi Ivan Pesheski nga LSM.

“Sindikata duhej që në këtë periudhë të përpiqet me marrëveshje kolektive sektoriale për të rritur pagën minimale në ato sektorë që mund ta paguajnë vërtet, por në sektorë që aktualisht kanë një pagë mesatare më pak se 31 mijë denarë, kërkesa juaj për një pagë minimale prej 36 mijë denarësh, do të thotë në një farë mënyre që nuk jeni serioz, ju intereson vërtet nëse kompanitë do të mbeten, nëse numri i punëtorëve do të ulet apo nëse kompanitë në Maqedoni do të mbyllen", theksoi Angell Dimitrov nga Organizata e Punëdhënësve.

Sipas njoftimeve, protesta do të zhvillohet në gjysmën e dytë të janarit.

Filipçe për takimin e liderëve: Nuk prodhoi asnjë zgjidhje për problemet me të cilat përballet shteti

14 January 2026 at 19:37


Disa orë pas takimit dhe pasi i analizoi deklaratat e liderëve, kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, tha se ky takim nuk prodhoi asnjë zgjidhje për problemet kyçe me të cilat përballet shteti.

Qeverisë, sipas tij, po i shpejtohet për zgjedhjet të reja. Kjo, për shkak se vendi po futet në borxhe të reja dhe me mungesa të mëdha buxhetore për paga dhe subvencione.

Filipçe përsëriti se janë kundër shfuqizimit të Qeverisë teknike me arsyetimin se shtetit dhe shoqëria nuk është gati për një gjë të tillë. Megjithatë, ai paralajmëroi mbështetje vetëm për ligjet e agjendës reformuese.

SHBA pezullon përkohësisht dhënien e vizave edhe për Maqedoninë e Veriut

14 January 2026 at 18:59


Departamenti Amerikan i Shtetit pritet të pezullojë përpunimin e aplikimeve për viza për qytetarë nga rreth 75 shtete, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, duke filluar nga 21 janari 2026. Masa është pjesë e një rishikimi më të gjerë të procedurave që lidhen me kriterin e ashtuquajtur “public charge”.

Sipas mediave amerikane, vendimi bazohet në një dokument të brendshëm të dërguar seksioneve konsullore, ku thuhet se pezullimi do të zgjasë për një periudhë të pacaktuar, derisa të përfundojë rivlerësimi i mënyrës së kontrollit dhe marrjes së vendimeve për aplikantët. Përjashtimet do të jenë shumë të kufizuara.

Në listën e vendeve të prekura figuron emërtimi “Macedonia”, që në kontekst ndërkombëtar i referohet Maqedonisë së Veriut, së bashku me dhjetëra shtete nga Evropa, Azia, Afrika dhe Amerika Latine, si Rusia, Irani, Afganistani, Brazili, Nigeria dhe të tjera.
Aktualisht nuk ka sqarime të detajuara se si kjo pauzë do të ndikojë në: llojet e ndryshme të vizave (turistike, studentore, pune), aplikimet që janë tashmë në proces.

Departamenti i Shtetit pritet të publikojë udhëzime shtesë përmes përfaqësive diplomatike dhe kanaleve zyrtare.

Vdes një 75-vjeçare nga grupi në Shkup, rritet numri i të hospitalizuarve

14 January 2026 at 18:19


Gripi mori viktimën e parë për këtë vit. Në Klinikën Infektive në Shkup ndërroi jetë një grua 75-vjeçare me shumë sëmundje kronike, e pa vaksinuar kundër gripit sezonal.

Drejtor i Klinikës Fadil Cana ka konfirmuar se bëhet fjalë për një pacientë tek e cila laboratorikisht u konfirmua influenza A dhe që kishte shumë komorbiditete.

Të paktën dy pacientë të tjerë janë në gjendje kritike dhe me respirator, ndërsa disa të tjerë marrin mbështetje me oksigjen. Aktualisht janë të hospitalizuar 25 pacientë, kryesisht të moshuar. Gjatë javës së parë të këtij viti, Instituti i Shëndetit Publik ka regjistruar 1.725 raste gripi.

KSHZ i konfirmoi kryetarët e rinj të komunave ku kishte përsëritje të zgjedhjeve

14 January 2026 at 17:49


Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) në seancën e sotme i konfirmoi emrat e Valbon Limanit dhe Isen Shabanit nga Aleanca Kombëtare për Integrim, Oner Jakullovskit nga koalicioni “Maqedonia Juaj” dhe Arian Ibrahimit nga Partia Demokratike e Turqve, për kryetarë të rinj të komunave Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë Rostushë dhe Qendër Zhupë.

Zëdhënësi i KSHZ-së, Abdush Demiri tha se Komisioni i obligon komisionet zgjedhore komunale të veprojnë sipas Kodit zgjedhor dhe menjëherë t’i publikojnë rezultatet përfundimtare nga votimi i mbajtur më 11 janar.

Angellço Ristov nga KSHZ-ja u përqëndrua në vendvotimin në Gostivar, ku nuk u realizua votim.

“Para se Komisioni të publikojë rezultatet përfundimtare, KSHZ-ja duhet të marrë vendim për moszbatimin e votimit në vendvotimin 0782 për Komunën e Gostivarit, me ç’rast në këtë vendvotim më 11 janar në pajtim me nenin 104, paragrafi 2 nga Kodi zgjedhor, për shkak të motit të keq, nuk u zbatua votimi”, sqaroi Ristov në fillim të seancës.

Ai tha se në këtë vendvotim janë regjistruar vetëm 23 persona me të drejtë vote, ndërsa ka mundur të konstatohet se në numrin e votuesve të regjistruar, nuk ndikon – në bazë të rezultateve të arritura ndaj kandidatëve për kryetar të komunës.

❌
❌