Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 18 January 2026Main stream

Rusia sulmon rëndë disa rajone të Ukrainës! Disa të vrarë e të plagosur, bllokadë energjetike

By: A R
18 January 2026 at 15:00

Dy persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën gjatë një sulmi masiv me dronë nga Rusia në disa rajone të Ukrainës. Presidenti Volodymyr Zelensky konfirmoi sulmin, duke theksuar shkatërrimet që janë bërë në disa qytete si Sumy, Kharkiv, Dnipro, Zaporizhzhia dhe Odesa.

Sulmi, që përfshiu mbi 200 dronë, goditi të paktën 15 lokacione. Në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, një qytetar humbi jetën. Kryebashkiaku foli për dëme të konsiderueshme në infrastrukturën energjetike të qytetit.

Kjo valë e re agresioni rus ka shkaktuar ndërprerje masive të energjisë në qytetet kryesore, përfshirë kryeqytetin Kiev. Ndërsa temperaturat arrijnë deri në -16°C, situata është përkeqësuar, duke i lënë banorët në kushte mbijetese.

Zelensky njoftoi se kishte urdhëruar përshpejtimin e importeve të energjisë elektrike dhe pajisjeve shtesë për të ndihmuar në përballimin e krizës energjetike në rritje.

Sulmet me dronë vijnë ndërkohë që zyrtarët amerikanë dhe ukrainas po zhvillojnë bisedime për paqen në Miami, me qëllim krijimin e garancive të sigurisë dhe një pakete rimëkëmbjeje pas luftës për Ukrainën. Shtetet e Bashkuara e kanë shtyrë Ukrainën të pranojë një kornizë paqeje për ta paraqitur më pas në Moskë, por Rusia ka shfaqur pak interes për këto përpjekje diplomatike, duke kërkuar lëshime të mëdha nga Ukraina.

Ndërkohë, në rajonin e Kaukazit të Veriut, në Ossetinë Veriore, një sulm me dron ukrainas në një ndërtesë banimi në qytetin Beslan plagosi dy fëmijë dhe një të rritur.

Lufta në Ukrainë, në vitin e saj të katërt, nuk tregon shenja se mund të përfundojë, ndërsa të dyja palët vazhdojnë të përshkallëzojnë veprimet ushtarake.

Përfundon gati gjysma e rinumërimit, kërkohet hetim dhe rinumërim i plotë në Kosovë

By: A R
18 January 2026 at 14:51

Në pothuajse gjysmën e vendvotimeve që supozohet t’i nënshtrohen procesit të rinumërimit të votave për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, ky proces tashmë ka përfunduar.

Rinumërimi i i një të tretës së vendvotimeve nisi më 13 janar, pasi u vërejten dallime në fletëvotimet me votat për kandidatët brenda subjekteve politike.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se procesi ka përfunduar në 19 komuna dhe se tani fillimisht do të vazhdojë me rinumërimin në Prizren dhe pastaj me komunat e tjera.

Në Prizren deri tash janë numëruar 172 nga 235 vendvotime dhe kjo komunë prin dukshëm me numrin e fletëvotimeve me gabime.

Megjithatë, edhe me kaq vendvotime të rinumëruara, ndryshimi në votat për kandidatë brenda partive politike është i dukshëm.

Ndryshime ka pasur edhe te votat për kandidatët e partive joshumicë. Sipas votave të rinumëruara deri më tani, jashtë Kuvendit mund të mbetet ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damkën, nga Partia Demokratike Turke e Kosovës.

Për shkak të ndryshimit në numër të votave, para tij tani ka dalë kandidati Ergul Mazreku. Damkës i janë hequr 68 vota deri më tani, ndërsa Mazrekut i janë shtuar 15.

Meqë deri tani janë gjetur dhjetëra mijëra fletëvotime me gabime, rinumërimi i plotë është përmendur si opsion i vetëm edhe nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ky i fundit shkroi në Facebook se “pa rinumërim të tërësishëm, nuk sigurohet integriteti i këtyre zgjedhjeve”, duke shtuar se Prokuroria duhet të nisë hetime lidhur me manipulimet e mundshme.

Në mesin e deputetëve të LDK-së që, deri tash, rezultojnë të kenë marrë më shumë vota se që u takonin është edhe Anton Quni.

Ai ka shkruar në Facebook se kjo është bërë pa dijeninë apo dashjen e tij dhe e quajti këtë një operacion kriminal që i ka “njollosur personalitetin dhe karrierën”.

Ngjashëm ka reaguar edhe kandidati tjetër i LDK-së, Driton Selmanaj, të cilit deri tash rezulton të i jenë shtuar 983 vota më shumë se që i takonin, gjatë numërimit në qendra komunale.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës reagoi ndaj këtyre zhvillimeve, duke thënë se po i përcjell ato dhe se manipulimet e votave janë të papranueshme.

“Eliminimi i çdo dyshimi është në interes të kandidatëve, institucioneve dhe qytetarëve. Partia Demokratike e Kosovës i pret konkluzionet zyrtare të organeve përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me besimin se e vërteta dhe vullneti i qytetarëve do të reflektohen saktë dhe në përputhje me ligjin”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Ndërkohë, Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka bërë thirrje në Facebook që Prokuroria të nisë hetimet dhe ndjekjet penale për manipulimin e votave të kandidatëve.

“Emrat e komisionerëve për secilën tavolinë numërimi në QKN dihen. Por këto manipulime nuk janë bërë krye në veti nga komisionerët. Dhjetëra e qindra vota të shtrembëruara në një vendvotim të vetëm, e mijëra në nivel komune – kryesisht për kandidatë të caktuar dhe në komunat e tyre – nuk janë as rastësi, as gabim njerëzor“, tha ai.

Cakolli shtoi se “përfshirja e kandidatëve të caktuar në këto skema është shumë e mundshme. Kështu që, hetimi, pashmangshëm duhet t’i përfshijë edhe ata”.

Kur ishin numëruar pak më shumë se 200 vendvotime, Cakolli kishte llogaritur se më së shumti ndryshime ka pikërisht lista e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Në qendrat komunale të numërimit, çdo fletëvotim kalon përmes disa kontrolleve: lexohet me zë të lartë nga një numërues, shfaqet në ekran përmes kamerës dhe regjistrohet në sistem elektronik nga një zyrtar tjetër, ndërsa një person i tretë e verifikon fletën.

Megjithatë, manipulimi thuhet se bëhet në fazën e leximit të votave për kandidatë. Kur një fletëvotim i takon një partie, ai përmban edhe vota për disa kandidatë. Numëruesi mund të ndryshojë verbalisht numrin e kandidatit të votuar, duke e zëvendësuar me numrin e një kandidati tjetër.

Kështu, sistemi regjistron votë për kandidatin e gabuar, edhe pse fletëvotimi real tregon diçka tjetër. Numri i votave për parti nuk ndryshon, vetëm ndryshon numri i votave për kandidatë brenda të njëjtës parti.

Cakolli kishte thënë më herët gjatë javës se procesi i numërimit nuk përcillet me kontrolle të hollësishme të fletëvotimeve, duke mundësuar kështu manipulimet, dhe se në këtë ka ndikuar edhe fakti që numërimi ishte realizuar në kohë festash.

Sipas Çohu dhe Cakollit, mënyra të tilla të keqpërdorimit janë vërejtur në pothuajse secilin proces zgjedhor në Kosovë dhe se zgjidhja për këtë problem do të ishte skanimi teknologjik i fletëvotimeve në vend të numërimit tradicional nga zyrtarët.

Cilat janë pasojat?

Së voni, Organizata joqeveritare Çohu ka publikuar një hulumtim që tregon se mbi 90 për qind e rasteve për manipulimet zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose me gjoba.

Kjo do të thotë se nëse ndonjë zyrtar vërtetohet se ka manipuluar votat gjatë numërimit, ai ka pak gjasa të ndëshkohet me burg për këtë gjë.

Por, pasojat mund të jenë më të mëdha për institucionet, pasi rinumërimi, i cili pritet të zgjasë deri në dy javë, mund ta vonojë edhe më shumë themelimin e institucioneve të reja, në një kohë delikate për institucionet.

Kuvendi i ri duhet të nxitojë për të kaluar marrëveshje ndërkombëtare financiare për vendin, si dhe ta zgjedhë presidentin e ri deri më 4 mars, para se Vjosa Osmanit t’i mbarojë mandati në prill.

Këto afate mund të bëhen edhe më vështirë të arritshme nëse vendoset për rinumërim të plotë – gjë që megjithatë sipas Cakollit mbetet opsioni më i mire tani që është vërtetuar se ka pasur shumë ndryshime në vota gjatë numërimit në qendra komunale,.

Gjatë javës, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, e përsëriti për REL-in mesazhin e kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, se nëse pas rinumërimit vërehen manipulime të mundshme me votat e kandidatëve brenda subjekteve politike, komisioni do t’i çojë në organet kompetente anëtarët e ekipeve të numërimit.

U bllokua gjatë motit të keq, hapet rruga Qukës-Qafë Plloçë

By: A R
18 January 2026 at 14:41

Hapet rruga Qukës-Qafë Plloçë. Sot ka filluar qarkullimi vetëm për mjetet që kanë destinacion fshatrat e Pogradecit që lidhen me këtë rrugë.

Duhet theksuar që është bërë largimi i gjithë masivit shkëmbor që ra rreth dhjetë ditë më parë si shkak i shirave dhe motit të keq që përfshinë Qarkun e Korçës.

Aktualisht firma është duke pastruar trupin e rrugës nga balta ndërsa mjetet me destinacion Elbasanin apo anasjelltas me drejtim Korçën do të vijojnë qarkullimin normal ditën e hënë.

Rruga ka patur problematika të shumta sa i përket rrëshqitjeve të dherave dhe shkëmbinjve nga skarpatet çfarë ka sjellë bllokimin e rrugës dhe pezullimin e lëvizjeve të mjeteve.

“Do marr valixhet dhe do iki…”/ Gruaja e ErikLloshit sqaron për herë të parë si është marrëdhënia mes tyre

By: A R
18 January 2026 at 14:31

Ka folur për herë të në “Fan Club” bashkëshortja e Erik Lloshit, Romina, pas aludimeve se marrëdhënia mes tyre është krisur për shkak të pjesëmarrjes së këngëtarit në BBV.

Ajo sqaroi se nuk ishte dakord për hyrjen e tij në Big Brother, por tashmë e mbështet atë plotësisht, megjithëse nuk i përkrah sjelljet e tij të agravuara.

“Nuk kam qenë kurrë dakord të futej në Bigh Brother. Jam larg televizionit dhe nuk e kam dashur. Kam dashur që jetën personale ta kisha timen dhe të mos isha në syrin e publikut.

Eriku ka pak temperament të vështirë, është shumë gjaknxehtë. Kjo ka qenë arsyeja pse i kam thënë të mos futej në Big Brother se njerëzit aty luajnë me çdo kartë. Ai është njëri shumë i drejtë dhe jo aq agresiv sa e portretizojnë.

Eriku ka marrë ftesë dhe më parë dhe i kam thënë kategorisht jo, këtë herë nuk më dëgjoi. I thashë do marr valixhet dhe do të iki në shtëpi. Tashmë e mbështes totalisht, padiskutim. Tek Eriku ka gjëra që më pëlqejnë dhe disa që nuk i përkrah”-u shpreh bashkëshortja e këngëtarit.

U sekuestrua Ferrari dhe qindra kompjuterë! Detaje nga aksioni i SPAK kundër call-center: Kontroll në 28 ambiente

By: A R
18 January 2026 at 13:55

Tetë persona janë vënë në pranga me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme në një aksion kundër mashtrimeve me call center. Si pasojë e këtij operacioni janë shpallur në kërkim tre persona të tjerë për mashtrim kompjuterik, ndërsa janë kontrolluar edhe 28 ambiente: banesa, automjete, zyra, garazhde etj.

Hetimet nisën më datë 9 janar pasi në Byronë Kombëtare të Hetimit u paraqitën disa gazetarë italianë të emisionit investigativ “Le Iene”, të cilët gjatë një hulumbimi kishin identifikuar një call center në Tiranë që mashtronte italianë dhe europianë për investime në kriptomonedha të ndryshme.

“Gjatë kontrolleve të ushtruara në 28 ambiente; banesa, automjete, zyra, garazhde, etj, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, qindra pajisje kompjuterike të cilat janë në proces verifikimi, sisteme monitorimi të kamerave, sisteme të rrjetit kompjuterik, pajisje memorizuese, server, dokumente të Qendrës së Thirrjeve, subjektit “Infinite” shpk dhe subjekteve të tjerë në proces verifikimi.

Gjithashtu janë sekuestruar edhe automjete të përdorur nga autorët e dyshuar, motomjete si dhe një automjet luksoz i markës Ferrari, që dyshohet se i përket organizatorëve të këtij aktiviteti.

Prokuroria e Posaçme vijon kryerjen e veprimeve hetimore për inventarizimin e të gjitha pajisjeve kompjuterike, sekuestrimin, analizimin e tyre si dhe identifikimin e të gjithë viktimave të veprës penale, në bashkëpunim me autoritetet e huaja.

Falenderojmë Policinë e Shtetit për mbështetjen e dhënë në fazën e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Posaçme si edhe gjatë veprimeve të mëtejshme për identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar”-njofton SPAK.

Aksioni në dy pallate në Tiranë, reagon SPAK: U arrestuan 6 persona në flagrancë, një ditë para aksionit u boshatisën zyrat

By: A R
18 January 2026 at 13:47

Gjashtë persona janë vënë në pranga me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme në një aksion kundër mashtrimeve me call center. Si pasojë e këtij operacioni janë shpallur në kërkim tre persona të tjerë për mashtrim kompjuterik, ndërsa janë kontrolluar edhe 28 ambiente: banesa, automjete, zyra, garazhde etj.

Hetimet nisën më datë 9 janar pasi në Byronë Kombëtare të Hetimit u paraqitën disa gazetarë italianë të emisionit investigativ “Le Iene”, të cilët gjatë një hulumbimi kishin identifikuar një call center në Tiranë që mashtronte italianë dhe europianë për investime në kriptomonedha të ndryshme.

Drejtuesit e aktivitetit kriminal kishin ngritur një qendër e mirëorganizuar e thirrjeve telefonike, me poste pune të ndara, role të përcaktuara dhe staf që operonte në gjuhën italiane, franceze, spanjolle dhe gjermane.

Nga veprimet e para hetimore të BKH-së, rezultoi se organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale kishin një strukturë të sofistikuar sigurie, me disa perimetra mbrojtës, duke përdorur jo vetëm kamerat filmike statike, por edhe personel civil vëzhgimi, jashtë kësaj Qendre.

Po ashtu, për shkak të njoftimit nga ana e këtyre të fundit, brenda natës është boshatisur ambienti ku ishte ngritur call center-i, për ta zhvendosur në një godinë tjetër. Por gjithçka u zbulua nga hetimet, duke goditur grupin në fjalë.


Si nisi hetimi

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rregjistroi procedimin penal nr.03/2026, për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit Kompjuterik”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal ,“Pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Procedimi u regjistrua në datën 9 Janar në Byronë Kombëtare të Hetimit pas paraqitjes së gazetarëve italianë të emisionit investigativ “Le Iene”, që trasnmetohet në Mediaset. Ata kanë dorëzuar materiale të punës së tyre.

Gjatë këtij hulumtumi është identifikuar një Qendër Thirrjesh (Call Center) që ndodhet në Tiranë, në ndërtesën “Atti Tower”, në rrugën “Ibrahim Rugova”, përballë Katedrales Ortodokse, nga ku, autorët e mirëorganizuar dyshohet se kanë mashtruar shtetas italianë dhe europianë për investime në kriptomonedhave të ndryshme.

Investigimi mori shkas nga ankesat e disa shtetasve italianë të mashtruar nga Qendra e Thirrjeve. Gazetarët italianë mundën të infiltrojnë një shtetas italian, i cili nisi të punojë aty dhe realizoi regjistrimin e të dhënave në ambientet e Qendrës së Thirrjeve. Nga të dhënat rezulton se në këtë veprimtari dyshohet të jenë përfshirë shtetas italianë, rezidentë në Itali dhe të tjerë që jetojnë në Shqipëri, ndërsa transaksionet kryheshin në kriptovaluta, në portofolet e monedhave virtuale të menaxhuara nga drejtuesit e këtij aktiviteti të kundraligjshëm, duke përdorur platforma mashtruese.

Duke iu referuar materialeve video bëhet fjalë për një Qendër Thirrjesh, që ndodhej në katin e 9-të dhe të 13-të të “Atti Tower”. Nga pamja e përgjithshme, dinamika e komunikimit dhe veprimet e personit që kryen regjistrimin apo edhe personave të tjerë, shihet se është një qendër e mirëorganizuar e thirrjeve telefonike, me poste pune të ndara, role të përcaktuara dhe staf që operonte në gjuhën italiane, franceze, spanjolle dhe gjermane.


Strukturë e sofistikuar sigurie, si u boshatis ambienti gjatë natës

Pas regjistrimit të këtij procedimi penal, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë nisur menjëherë puna për identifikimin e organizatorëve dhe dokumentimin e aktiviteti kriminal të mashtrimit.

Nga veprimet e para hetimore të BKH-së, rezultoi se organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale kishin ngritur një strukturë të sofistikuar sigurie, me disa perimetra mbrojtës, duke përdorur jo vetëm kamerat filmike statike, por edhe personel civil vëzhgimi, jashtë kësaj Qendre.

Ekzistojnë indicie të qarta se mbrëmjen e datës 15 Janar 2026, pas përfundimit të punës, pjesëtarë të këtij personeli vëzhgues, kanë njoftuar pronarët e Qendrës për një ndërhyrje të mundshme. Pas kësaj, në orët e para të mëngjesit të datës 16 Janar 2026, janë larguar pajisjet dhe është boshatisur edhe ambienti i Qendrës së Thirrjeve.

Pas ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Posaçme, nr.85, datë 15.1.2026, hetuesit e BKH-së konstatuan në datën 16 Janar 2026, boshatisjen e ambientit dhe largimin e pajisjeve dhe personelit. Falë veprimeve të shpejta dhe të pandërprera hetimore u bë i mundur identifikimi i personave dhe automjeteve të përdorura për largimin e pajisjeve kompjuterike dhe sistemeve nga Call Center-i. Pas gjurmimit të tyre, në një kohë të shkurtër, u realizua kapja në flagrancë e disa shtetasve, të cilët kishin transportuar gjatë natës materiale drejt një ambient tjetër të marrë me qira në “Downtown One”, në Bulevardin Bajram Curri.

Pas kapjes në flagrancë të këtyre shtetasve, hetuesit kanë bërë kontrollin me iniciativë të ambientit në katin e 5-të të godinës, ku është konstatuar një Qendër tjetër Thirrjesh, në ndërtim e sipër. Aty u gjetën pajisje kompjuterike, telefona, hard disqe, laptopë, karta të ndryshme SIM, dokumente, blloqe me shënime. Personat e kapur në flagrancës, po transportonin një kosh mbeturinash, i cili përmbante sende të dyshuara të marra nga Qendra e Thirrjeve në rrugën “Ibrahim Rugova”, të cilat ishin duke i asgjësuar.


8 të arrestuar, 3 në kërkim

Në kushtet e kapjes në flagrancë është kërkuar mbështetja e punonjëve të Policisë të Drejtorisë Vendore Tiranë.

Shtetasit e arrestuar në flagrancë janë 6 persona me inicialet: R.Gj., D.Q., E.Gj., E.M.,R.P.,O.K..

Gjithashtu, paralelisht me identifikimin e Qendrës së dytë të thirrjeve, në sajë të veprimeve verifikuese, janë nxjerrë dhe ekzekutuar urdhrat e ndalimit për shtetasit me inicialet; K.K. dhe H.XH., si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në bashkëpunimin, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 143/b, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Në ecuri të veprimeve hetimore, në datë 17.1.2026, janë lëshuar dhe urdhrat e ndalimit për tre shtetas të tjerë, të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në bashkëpunimin, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga netet 143/b, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal, të cilët nuk janë gjetur deri në këto momente.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në 28 ambiente; banesa, automjete, zyra, garazhde, etj, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, qindra pajisje kompjuterike të cilat janë në proces verifikimi, sisteme monitorimi të kamerave, sisteme të rrjetit kompjuterik, pajisje memorizuese, server, dokumente të Qendrës së Thirrjeve, subjektit “Infinite” shpk dhe subjekteve të tjerë në proces verifikimi. Gjithashtu janë sekuestruar edhe automjete të përdorur nga autorët e dyshuar, motomjete si dhe një automjet luksoz i markës Ferrari, që dyshohet se i përket organizatorëve të këtij aktiviteti.

Prokuroria e Posaçme vijon kryerjen e veprimeve hetimore për inventarizimin e të gjitha pajisjeve kompjuterike, sekuestrimin, analizimin e tyre si dhe identifikimin e të gjithë viktimave të veprës penale, në bashkëpunim me autoritetet e huaja.


Apeli i SPAK: Mos u bëni pjesë e veprimtarive të paligjshme

“Falenderojmë Policinë e Shtetit për mbështetjen e dhënë në fazën e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Posaçme si edhe gjatë veprimeve të mëtejshme për identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar“, njoftoi SPAK.

Prokuroria e Posaçme falenderon në mënyrë të veçantë edhe stafin e emisionit investigativ italian “Le Iene” të  “Mediaset”, falë punës të së cilëve, u bë e mundur inicimi dhe hetimi i këtij rasti të mashtrimit masiv në Qendrën e Thirrjeve në Shqipëri.

Gjithashtu, SPAK u tërheq vëmendjen qytetarëve dhe medias për fenomenin e mashtrimit online përmes Qendrave të Thirrjeve (Call Center) dhe kjo është një veprimtari që do vazhdojë të ndiqet me prioritet edhe në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë.

Nga ana tjetër, një apel u shkon edhe shtetasve që punojnë në këto qendra, për t’u ndërgjegjësuar dhe për t’u mos bërë pjesë e veprimtarive të paligjshme.

Terror i ICE në Minneapolis: Nën hetim guvernatori dhe kryebashkiaku! Mobilizohet Garda Kombëtare

By: A R
18 January 2026 at 13:39

Operacionet kundër emigrantëve të parregullt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kthehen në terror për qytetarët në Minneapolis. Qeveria federale ka hapur hetime ndaj kundërshtarëve politikë, ndërsa agjentët e Agjencia Amerikane për Imigracionin dhe Doganat (ICE), po kryejnë bastisje të ashpra. Në Minesota janë vënë nën hetim guvernatori Tim Walz dhe kryebashkiaku i Minneapolis-it, Jacob Frey, të dy demokratë, të akuzuar se po pengojnë aktivitetet e ICE. Ky vendim i pazakontë konsiderohet pjesë e një linje më të ashpër të administratës Trump.

Një nga episodet më tronditëse ndodhi në restorantin familjar El Tapatio, në Willmar. Katër agjentë të ICE hynë në lokal, u ulën për të ngrënë dhe vetëm pasi përfunduan vaktin, pritën jashtë punonjësit dhe arrestuan tre prej tyre, shkruan La Repubblica. Ngjarja shkaktoi frikë dhe protesta. Autoritetet thanë se po kërkonin një emigrant të hyrë ilegalisht nga Meksika dhe se arrestimet ishin të lidhura me këtë operacion.

Edhe restorante të tjera meksikane janë kthyer në objektiv. Pronarët raportojnë prani të vazhdueshme të automjeteve të ICE rreth bizneseve të tyre, duke trembur klientët dhe punonjësit. Bizneset kanë kaluar vetëm në porosi online për arsye sigurie.

Në Minneapolis janë dërguar rreth 2 mijë agjentë federalë, ndërsa automjete të ICE patrullojnë qytetin prej ditësh. Kjo ka rritur tensionin mes banorëve, por edhe protestat e aktivistëve. Guvernatori Walz ka njoftuar mobilizimin e Gardës Kombëtare të shtetit.

Prapaskenat në Venezuelë: Njeriu i hekurt i Maduros bashkëpunoi me SHBA për rrëzimin e tij

By: A R
18 January 2026 at 13:31

Detaje të reja po dalin në dritë dy javë pas ndërhyrjes historike të Shteteve të Bashkuara në Venezuelë, që çoi në kapjen e presidentit Nicolás Maduro. Sipas një investigimi të agjencisë së lajmeve Reuters, rezulton se Diosdado Cabello, ministri i Brendshëm dhe njeriu më i fuqishëm i sigurisë në regjimin e vjetër, kishte mbajtur kontakte sekrete me Uashingtonin muaj para operacionit.

Ky zbulim është tronditës, pasi Cabello jo vetëm që ishte krahu i djathtë i Maduros, por ai vetë është i akuzuar për narkotrafik në SHBA dhe mbi kokën e tij rëndon një shpërblim prej 25 milionë dollarësh. Duket se SHBA-të e përdorën atë si një “pykë” për të garantuar që ushtria dhe milicitë e armatosura të mos reagonin me dhunë gjatë ndërhyrjes amerikane. Zyrtarët e Uashingtonit e kishin paralajmëruar prerë Cabellon që të mbante nën kontroll aparatin e tij të sigurisë, i cili mbeti i paprekur edhe pas rënies së liderit.

Në këto biseda sekrete, që mendohet se kanë nisur që në javët e para të presidencës Trump, është diskutuar për akuzat penale ndaj tij dhe sanksionet personale. Ndonëse nuk është e qartë nëse atij i është premtuar një rol në qeverinë e ardhshme, roli i tij u konsiderua vendimtar për të shmangur një gjakderdhje në rrugët e Karakasit.

Kjo shpjegon edhe lëvizjen e papritur të kreut të forcave armatosure, i cili i premtoi besnikëri të menjëhershme presidentes së re të përkohshme, Delcy Rodríguez. Paradoksi është i madh: Rodríguez dhe Cabello, edhe pse kanë shërbyer në kupolën e regjimit socialist, kanë qenë rivalë të ashpër brenda lëvizjes.

Situata mbetet delikate për administratën amerikane, pasi njeriu që po garanton qetësinë gjatë tranzicionit demokratik është i njëjti person që për vite me radhë ishte arkitekti i shtypjes së përgjakshme të opozitës. Besueshmëria e Cabellos mbetet një pikëpyetje e madhe që shqetëson zyrtarët në Uashington.

Dhunohen kunatat në Korçë, njëra arrestohet, tjetra nën hetim

By: A R
18 January 2026 at 13:23

Një rast dhune në familje është regjistruar në qytetin e Korçës, ku dy shtetase, kunata mes tyre, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj njëra-tjetrës.

Sipas Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasen M. R., 58 vjeçe, banuese në Korçë.

Ndërkohë, materialet procedurale u referuan në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasen K. R., 43 vjeçe, gjithashtu banuese në Korçë.

Policia bën me dije se shtetasja K. R. është pajisur me urdhër mbrojtjeje, ndërsa materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprën penale “Dhuna në familje”.

Dënim i rëndë në Angli, trajneri përjashtohet për 12 vite nga futbolli

By: A R
18 January 2026 at 13:15

Trajneri Ryan Hamilton, është dënuar me 12 vite përjashtim nga çdo aktivitet futbollistik pas akuzave të rënda për sjellje të papërshtatshme seksuale dhe abuzive ndaj lojtareve të tij te skuadra e Sutton Coldfield.

Sipas dokumenteve të Federatës Angleze, Hamilton akuzohet për dërgimin e fotove dhe videove të turpshme përmes platformave Snapchat dhe WhatsApp drejt futbollisteve.

Komisioni disiplinor konstatoi gjithashtu se ai përdorte një gjuhë agresive dhe frikësuese, duke poshtëruar sportistet deri në atë pikë sa disa prej tyre kërkonin të largoheshin nga futbolli. Pesë vajza denoncuan sjelljen e tij në policinë e Birmingham-it në tetor të vitit 2024, duke paraqitur prova për një periudhë dyvjeçare.

Ndonëse Hamilton i ka mohuar akuzat dhe nuk ka bashkëpunuar plotësisht me autoritetet, FA vendosi masën drastike të pezullimit. Sipas vendimit, sjellja e tij kishte krijuar një mjedis frike dhe pasigurie brenda klubit.

Finalisti i AGT habit kryeministrin, Dashnor Bushi truke magjie me Ramën (VIDEO)

By: A R
18 January 2026 at 13:06

Finalisti i Albania’s Got Talent Dashnor Bushi ka qenë i ftuari i radhës në podcastin “Flasim” me kryeministrin Edi Rama.

I njohur për truket e magjisë që bën, ai habiti gjithë shqiptarinë. Por numrat e magjistarit kanë habitur edhe kryeministrin Rama.

Loja me tletra dhe me shkrimin e emrave ishin disa nga truket që kryeministrin e lanë pa fjalë.

Dashnor Bushi tha se loja me letra ka qenë pasioni i tij që nga rinia.

Në komunizëm nuk kishim kohë të kishim letra dhe unë i vodha një pako. Letrat janë pasioni im, kërkon punë dhe aftësi. Ta hedhësh letrën lart e të të kthehet mbrapsht, mua më ka marrë shumë kohë”, tha Bushi.

VIP-at me NIPT në rrjetet sociale/ Influencerëve dhe blogerëve që nuk regjistrohen në QKB do t’iu bllokohen llogaritë

By: A R
18 January 2026 at 12:52

Ndryshimet e reja ligjore që janë publikuar ne fletoren zyrtare si pjese e paketës fiskale, e shtrijnë tashmë qartë aktivitetin ekonomik edhe në internet.

Çdo person që gjeneron të ardhura online nga blogerët te influencerët konsiderohet subjekt tregtar dhe është i detyruar të publikojë në faqen apo profilin e tij të dhënat bazë si NIPT-in, emrin e subjektit, adresën dhe kontaktin.

Por si do ti identifikoje administrata tatimore dhe çfarë do të ndodhë me individët që refuzojnë t’i publikojnë këto të dhëna?

Ndryshimi në ligjin për procedurat tatimore ka përcaktuar mënyrën qe do të ndiqet për të kontrolluar aktivitetin ekonomik online qe gjeneron të ardhura ne rrjete të ndryshme sociale. Pas njoftimit zyrtar që do tu dërgohet nga administrate tatimore kështu VIP-at do të formalziojnë punën e tyre në rrjetet sociale. Këta individë do të jenë të identifikueshëm bazuar në të ardhurat të depozituata në llogarinë e tyre bankare.

“Edhe unë si biznes i kam këto të dhëna të ekspozuara, duke filluar nga nipti, adresa, të dhëna të subjektit edhe këta individë duhet t’i kenë të publikuara në llogarinë e tyre sociale. Mund të them që ka individë influencer që vijnë ne zyrën time për tu trajtuar si një subjekt tregtar pasi tani vet po ja kërkojnë edhe bizneset që bashkëpunojnë të cilët në fund duhet të kenë një fature për pagesat e kryera. Është një kërkesë e mëparshme tashme e realizuar dhe shumë mirë te gjithë që kryejnë këtë lloj aktiviteti ta zbatojnë”- shprehet audituesi ligjor Avni Tobli.

Ligji parashikon ashpërsim të masave në raste të moszbatimit të tij. Nëse brenda 15 ditëve nga marrja e njoftimit zyrtar nuk merren masa për publikimin e të dhënave, i kërkohet AKEP që këtyre influencerave tu bllokohet llogaria në rrjete sociale dhe aplikim të gjobës në rastet kundërshtuese.

Nevoja për këto ndryshime u diktua edhe nga kontrollet e kryera nga administrata tatimore. Sipas të dhënave zyrtare, vetëm nga monitorimi vjetor janë identifikuar rreth 100 profile në rrjete sociale që në vitin 2025 gjeneruan mbi 33 milionë euro të ardhura, të depozituara në llogari bankare individuale. Shifra që, sipas ekspertëve, tregojnë për një ekonomi online në rritje, por edhe për nivele të larta informaliteti, që tashmë synohet të futen brenda sistemit tatimor.

Horoskopi ditor për nesër, e Hënë 19 Janar 2026

By: A R
18 January 2026 at 12:42

Dashi

Jeta juaj ne çift do jete shume e turbullt gjate kësaj dite. Asgjë nuk do ece si e kishit menduar. Beqaret do kenë takime pa fund dhe do mund ta gjejnë personin qe aq shume kane ëndërruar. Shume gjera kane për te ndryshuar për ta. Gjendja e financave do jene me e mire se me pare. Do mund te kryeni edhe disa transaksione me rëndësi.

Demi

Edhe pse kohet e fundit rutina ka mbizotëruar ne jetën tuaj ne çift, sot gjerat kane për te ndryshuar rrënjësisht. Do bëheni një me partnerin dhe do krijoni një ambient fantastik. Beqaret duhet t’i njohin mire personat qe do ju bëjnë ftesa para se te pranojnë propozimet e tyre. Ne planin financiar priten goxha probleme dhe vështirësi. Kujdes!

Binjaket

Pjesa me e madhe e atyre qe janë ne një lidhje do kalojnë një dite interesante dhe te mbushur me te papritura te këndshme. Shfrytëzoni çdo moment. Beqaret duhet te dalin dhe te njohin sa me shume persona. Sot fati do jete ne anën e tyre. Ne planin financiar gjerat do ecin me se miri. Do keni aq para sa te kryeni shpenzimet e duhura.

Gaforrja

Do ju duhet te harxhoni goxha kohe sot për te zgjidhur te gjitha problemet e mbetura pezull. Gjithsesi fale bashkëpunimit te ngushte me partnerin, do e keni gjithçka me te lehte. Beqaret do realizojnë takime mbresëlënëse te cilat mund t’ua ndryshojnë te ardhmen. Financat duhen pasur me kujdes se kurrë me pare. Gjendja mund te përkeqësohet nga ndonjë pakujdesi e vogël.

Luani

Te gjitha keqkuptimet qe kishin lindur ne jetën tuaj ne çift, sot do te shuhen njëherë e përgjithmonë. Do dashuroheni ashtu si ta ndjeni me atë qe keni ne krah. Beqaret do takohen me persona vërtet interesante, me te cilët mund te krijojnë pa frike një lidhje. Gjendja financiare do jete goxha me e mire nga sa e kishit menduar, kjo fale ndihmës se yjeve.

Virgjeresha

Do ketë edhe momente delikate sot ne jetën tuaj ne çift kështu qe tregoheni te kujdesshëm me çdo veprim. Ata qe kane pasur mosmarrëveshje te shumta mund te mendojnë edhe t’i japin fund gjithçkaje. Beqaret nuk duhet te nxitohen qe te marrin vendime sepse do pendohen shpejt. Dite e bukur dhe plot fat për financat. Gjendja do jete e qëndrueshme.

Peshorja

Do përjetoni ndjesi te forta gjate kësaj dite juve qe jeni ne një lidhje dhe gjerat do ecin me se miri. Shfrytëzoni çdo sekonde deri ne maksimum. Beqaret nuk do i marrin seriozisht ftesat qe do ju behet dhe do pendohen shume shpejt për këtë gjë. Financat do varen nga mënyra sesi ju do i menaxhoni ato. Tregohuni sa me te kujdesshëm me shpenzimet.

Akrepi

Do keni shume mosmarrëveshje sot me partnerin tuaj dhe asgjë nuk do ece si e kishit menduar. Nuk do ndaleni dot se e kritikuari atë. Beqaret nuk duhet te bëjnë asnjë çmenduri sepse gjerat mund t’iu kthehen ne kahun e kundërt. Gjendja financiare nuk do ketë asnjë tronditje sado te vogël. Do dini mire si ti menaxhoni ato para qe keni.

Shigjetari

Do kaloni plot çaste te lumtura sot pranë atij qe dashuroni dhe nuk do keni aspak dëshirë te ndaheni për ndonjë çast. Beqaret do jene te pafat ne dashuri, por kjo nuk do te thotë qe do mërziten. Miqtë do i mbajnë pranë dhe do i argëtojnë. Financat do jeni goxha delikate. Mos bëni çmenduri sepse do mbeteni pa para shume shpejt. Nuk do dini nga te shkoni me pas.

Bricjapi

Qëndrojini besnike partnerit tuaj gjate kësaj dite nëse doni qe marrëdhënia juaj me te të vazhdoje për një kohe te gjate. Beqaret do kenë çaste entuziazmuese dhe te mbushura me takime interesante. Shfrytëzoni secilin prej tyre. Financat mundohuni t’i menaxhoni me shume kujdes derisa gjendja te behet akoma me e qëndrueshme.

Ujori

Dashuria ne çift do jete akoma me e madhe sot. Te dy me partnerin do keni te njëjtat ide dhe mendime mbi jetën dhe gjerat do ju shkojnë me se miri. Beqaret nuk do kenë ditën më me fat kështu qe do ju duhet ende te presin edhe pak për te gjetur dashurinë e madhe. Financat do varen nga mënyra sesi ju do i menaxhoni gjerat. Tregohuni te kujdesshëm.

Peshqit

Mos kërkoni aventura te tjera sot juve qe jeni ne një lidhje sepse do shkatërroni çdo gjë te bukur qe keni ndërtuar deri me tani. Beqaret do kenë mundësi edhe për aventura fantastike, por edhe për dashuri serioze dhe afatgjata. Gjithçka do jete ne dorën e tyre. Financat do jene goxha te kënaqshme. Do i kryeni shpenzimet e domosdoshme pa asnjë problem.

“Ramën do ta rrëmbejnë si Maduro”, ftesa e Trump që hodhi në kosh propagandën e Berishës

By: A R
18 January 2026 at 11:53

Pas zhvillimeve në Venezuelë, ku Presidenti Maduro u rrëmbye gjatë natës nga forcat DEA dhe u dërgua në SHBA, ku do të gjykohet nga një Gjykatë Federale, në Shqipëri, opozita e drejtuar nga Berisha, por dhe tarafi i tij i afërt mediatik, ngritën një propagandë ngjashmëria sikur edhe në Shqipëri me Edi Ramën ishte duke u përgatitur të ndodhte e njëjta skemë.

Nuk është hera e parë që një opozitë e lodhur dhe e paaftë për t’u reformuar ndërton propagandën e saj me ëndrra me sy hapur që zgjasin aq sa zgjat edhe gjumi i drekës.

Berisha filloi të përgëzojë aksionin e SHBA, duke u shprehur i gatshëm edhe për një bashkëpunim që edhe në Shqipëri të ndodhte e njëjta gjë.

Fill pas kësaj ndodhi anulimi i vizave me SHBA-të, ku Shqipëria ishte një ndër 72 shtete, mes të cilave do të kishte një rishikim të procesit të vizave.

Pavarësisht deklaratave nga DASH dhe Ambasada Amerikane në Tiranë, që kjo nuk ishte ndalim për të gjithë shqiptarët apo llojet e vizave, sepse bëhej fjalë vetëm për një kategori të caktuar, sërish opozita dhe Berisha u shfaq e ngazëllyer, sepse tani nuk do të ishte vetëm Berisha ‘non grata’, por do të ishin të gjithë shqiptarët. Kuptohet kjo, falë Edi Ramës.

Qershia mbi tortë ishte publikimi i lajmit nga vetë Edi Rama se ai kishte marrë një ftesë nominale nga presidenti Trump për të qenë pjesë i Bordit të Paqes për rindërtimin e Gazës.

Sapo Rama publikoi lajmin, filloi histeria duke dyshuar në vërtetësinë e lajmit, gjë që edhe kjo vijoi vetëm 12 orë nga publikimi, sepse këtë të diel në mëngjes, vetë Rama e bëri ftesën publike.

Të gjitha këto zhvillime duket se e hedhin në kosh propagandën e Berishës dhe të njerëzve të tij përrreth, të cilët me patjetër duan një Shqipëri dhe një Edi Ramë që t’i ngjajë forcës së tyre dhe liderit të tyre politikë, të shpallur ‘non grata’ dhe të mos ftuar dhe pranuar në asnjë tryezë të rëndësishme ndërkombëtare.

Si e tillë, ata ëndërrojnë me sy hapur, mirëpo ëndrra të tilla fatmirësisht zgjasin aq sa zgjat gjumi./ TemA  

Bordi i Paqes, Rama: Nuk janë ftuar të gjitha shtetet e OKB-së, Shqipëria s’do paguajë 1 mld euro

By: A R
18 January 2026 at 11:45

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me ftesën që i ka bërë Presidenti amerikan, Donald Trump, që Shqipëria të jetë pjesë e Bordit të Paqes. Kreu i qeverisë thotë se nuk janë të vërteta lajmet që në Bordin e Paqes janë ftuar të gjitha shtetet e OKB-së, që Shqipëria do të paguajë 1 miliardë euro apo që palestinezët do të vijnë në Shqipëri.

“Tenxheret politike mediatike po bubullojnë e gërrgërrojnë aq fort sa thua se në Bordin e Paqes së Presidentit Trump nuk është ftuar Shqipëria, po një vend armik i Shqipërisë! Në Bordin e Paqes janë ftuar të gjitha shtetet e OKB. GËNJESHTËR! Shqipëria do të paguajë 1 miliardë EURO. GËNJESHTËR! Palestinezët do të vijnë në Shqipëri. GËNJESHTËR”, shkruan Rama.

Sipas Ramës, këto lajme janë “të pjella” nga” mllefi i injorancës dhe inati i ligësisë”. Ai theksoi se ky është një moment i jashtëzakonshëm për Shqipërinë dhe se për të personalisht ka rëndësi vetëm besimi i shumicës së shqiptarëve. Sa i përket lajmeve, ai theksoi se janë “teneqera të zhurmshme të Shqipërisë së vjetër”, ndërsa qeveria po mundohet të ndërtojë një Shqipëri tjetër, “të dinjitetshme ndërkombëtarisht dhe të respektuar botërisht”.

“E vërteta është shumë e thjeshtë se sa ç’pjell, sidomos në çdo rast kur nderohet Shqipëria, mllefi i injorancës dhe inati i ligësisë: Tenxheret politike e mediatike të mexhelisit tonë janë teneqera të zhurshmshme Shqipërisë së vjetër, ndërsa kjo që po vazhdojmë të ndërtojmë me shumë mund e këmbëngulje të madhe është një Shqipëri Tjetër, e dinjitetshme ndërkombëtarisht dhe e respektuar botërisht. Sa për mua personalisht, rëndësi ka vetëm besimi i shumicës së shqiptarëve, që më kanë ngjitur e mbajtur katër herë në majën e shtetit shqiptar dhe respekti i atyre që janë në majat e botës a të Europës, i cili më duhet mbi të gjitha për të nderuar e lartësuar Shqipërinë. Ky është një moment i jashtëzakonshëm i Shqipërisë, ku tërbimi i tenxhereve thjesht na siguron se sa më shumë lehin qentë, aq më përpara është duke shkuar karvani”, shkruan Rama në X.

“Kasapi i Groznit” në gjendje kritike, djali trashëgimtar mes jetës dhe vdekjes

By: A R
18 January 2026 at 11:37

Epoka e përgjakshme e familjes Kadyrov në Çeçeni mund të jetë duke shkuar drejt fundit. Ramzan Kadyrov, 49 vjeç, lideri autoritar i republikës çeçene dhe një nga aleatët më brutalë të Vladimir Putin-it, ndodhet në gjendje shëndetësore të dëshpëruar. Prej kohësh ai vuan nga insuficiencë renale dhe, sipas burimeve ukrainase, gjendja e tij është përkeqësuar ndjeshëm që prej dhjetorit.

Situata komplikohet edhe më shumë nga fakti se djali i tij 18-vjeçar, Adam Kadyrov, i konsideruar trashëgimtari i regjimit dhe tashmë i emëruar ministër i Brendshëm, ndodhet në terapi intensive pas një aksidenti shumë të rëndë automobilistik. Sipas disa zërave, ai është transportuar me urgjencë në Moskë. Nervozizmi në Kremlin është në nivele të larta, pasi suksesi dinastik i regjimit totalitar çeçen është tani në pikëpyetje.

Epoka Kadyrov nisi me Akhmad Kadyrov, babanë e Ramzanit dhe gjyshin e Adamit. Gjatë Luftës së Dytë Çeçene, ish-myftiu tradhtoi kauzën separatiste dhe u rreshtua me Putin-in, duke u bërë president i Çeçenisë në vitin 2003. Ai u vra tre vjet më vonë në një atentat. Pas një lufte të dhunshme për pushtet, Ramzan Kadyrov mori drejtimin dhe nga viti 2007 instaloi një regjim represiv brutal.

Rrëmbime, zhdukje, vrasje të opozitarëve dhe gazetarëve, një aparat spiunazhi gjithpërfshirës, masakra kolektive dhe spastrime të egra kundër komunitetit LGBTQ+ u bënë shenja dalluese të regjimit të njohur si “Kasapi i Groznit”. Kadyrov kultivoi një imazh të dhunshëm, duke u shfaqur me Rolex, kallashnikovë dhe luks ekstrem, ndërsa rindërtoi Groznin me fondet e Kremlinit, përfshirë edhe një xhami gjigante.

Gjatë luftës në Ukrainë, Kadyrov u rikthye në skenë me shfaqje propagandistike: në vitin 2022, njerëzit e tij dështuan në një tentativë për të vrarë Volodymyr Zelensky-n, ndërsa ai vetë pretendonte se ishte në front, edhe pse gazetarët lokalizuan telefonin e tij në Grozni. Megjithatë, batalionet çeçene luftuan realisht përkrah ushtrisë ruse dhe, që nga viti 2023, kanë zëvendësuar pjesërisht mercenarët e Wagner, sidomos në Donbas.

Adam Kadyrov u shfaq për herë të parë publikisht në vitin 2016, kur ishte vetëm 9 vjeç dhe u hodh nga i ati në një ndeshje arteve marciale pa mbrojtje, duke shkaktuar reagime edhe në Moskë. Në moshën 15-vjeçare, ai u filmua duke rrahur brutalisht një të burgosur të pambrojtur, akt për të cilin Ramzan Kadyrov u shpreh “krenar” dhe e dekoroi. Për shumë vëzhgues, kjo ishte ceremonia e kurorëzimit të trashëgimtarit. Sot, gjithçka duket sërish në ajër.

Nëse shëndeti i Ramzan Kadyrov dhe i djalit të tij nuk përmirësohet, Çeçenia dhe Moska mund të përballen me një vakuum pushteti të rrezikshëm, me pasoja të paparashikueshme për rajonin dhe për strategjinë e Kremlinit.

Analiza e “La Repubblica”: Bordi i Paqes, “OKB”-ja private e Donald Trump

By: A R
18 January 2026 at 11:19

Harrojeni Gazën. Përveç një përmendjeje të shkurtër në letrën e ftesës drejtuar rreth 60 krerëve të shteteve dhe qeverive, në dokumentet themeluese të Bordi të Paqes së Donald Trump nuk ka asnjë referencë reale për Gazën. Mesazhi është i qartë: Fokusi nuk është më një territor i vetëm, por bota mbarë, ajo që presidenti amerikan është i bindur se është i destinuar ta udhëheqë dhe “ta shpëtojë”.

Sipas një konsensusi mes analistëve, pikërisht në këtë drejtim synon të shkojë Bordi i Paqes. Një strukturë, rregullat dhe karakteristikat e së cilës u zbuluan dje nga e përditshmja izraelite Haaretz, që në vizionin e themeluesit duhet të sjellë paqen dhe prosperitetin në zonat e botës të goditura nga konflikte dhe tensione.

Një ambicie që ngjan shumë me atë që 51 shtetet themeluese të Kombeve të Bashkuara shpallën 80 vite më parë. Dhe pikërisht për këtë arsye, njoftimi i Trump tingëllon ironik: ai erdhi në të njëjtën ditë kur Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së përkujtonte përvjetorin, duke paralajmëruar për “forca të fuqishme” që po përpiqen të “mbytin bashkëpunimin ndërkombëtar”.

“Ne vazhdojmë përpara, pavarësisht gjithçkaje”, tha António Guterres, me ton të zymtë, ndërsa mandati i tij përfundon në fund të dhjetorit.

Fjalët luftarake të Guterres nuk fshehin realitetin: dy vitet e fundit kanë qenë më të vështirat ndonjëherë për OKB-në, e goditur, diskredituar dhe dobësuar nga armiqësia e hapur e SHBA-ve. Kjo u konkretizua fillimisht me shkurtime të rënda financiare, e më pas, më 7 janar, me daljen e SHBA-ve nga 31 agjenci të OKB-së, të cilat Trump i ka quajtur “joefikase, të dëmshme ose të kushtueshme”.

Mes tyre janë agjenci që merren me klimën, mjedisin, të drejtat e grave, ndërtimin e paqes dhe mbrojtjen e viktimave të konflikteve të armatosura dhe dhunës seksuale.

Janë pikërisht këto struktura dhe i gjithë sistemi që rrotullohet rreth “Pallatit të Qelqtë” në Nju Jork që Trump synon t’i zëvendësojë me Bordin e Paqes.

Sipas kartës themeluese të parë nga Haaretz, Bordi i Paqes do të punojë për “rivendosjen e një qeverisjeje të besueshme dhe legjitime dhe për garantimin e një paqeje të qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti”, duke marrë rolin e organizatave të tjera ekzistuese.

Pa e përmendur drejtpërdrejt OKB-në, dokumenti e kritikon në mënyrë të nënkuptuar, duke theksuar nevojën për “një organizëm ndërkombëtar për ndërtimin e paqes më fleksibël dhe më efektiv” dhe duke shtuar se paqja e qëndrueshme kërkon “guximin për të braktisur institucione që shumë shpesh kanë dështuar”.

Në kartë thuhet qartë se Donald J. Trump do të jetë Presidenti inaugurues i Këshillit për Paqen, pa asnjë afat mandati, as të lidhur me presidencën amerikane. Trump do të ketë të drejtën ekskluzive për të ftuar shtetet, për të rinovuar ose revokuar anëtarësinë e tyre, për të emëruar dhe shkarkuar anëtarë dhe për të vendosur veto mbi çdo vendim. Vetëm një shumicë prej dy të tretash do t’u lejonte vendeve të tjera të bllokonin vendimet e tij. Shtetet që dhurojnë të paktën 1 miliard dollarë do të kenë vend të përhershëm.

Sipas Financial Times, që citon burime pranë administratës Trump, në krye të prioriteteve të Bordit të Paqes janë Ukraina dhe Venezuela, dy nga krizat ushtarake dhe politike më komplekse të momentit.

Po çfarë shansi ka një iniciativë e tillë? Reagimet e para janë thellësisht skeptike. Edhe pse pak liderë janë të gatshëm të kritikojnë hapur Trump, aq më tepër pas vendosjes së tarifave ndaj vendeve që kundërshtuan idenë e marrjes së Groenlandës nga SHBA-të, diplomatë dhe analistë shprehin dyshime serioze për një organ global nën mbikëqyrje amerikane.

Situata i ngjan episodit simbolik të ditëve të fundit: fituesja e Nobelit për Paqen, Maria Corina Machado, i dhuroi Trump medaljen e saj, ndërsa ai kurrë nuk e ka fshehur zhgënjimin që nuk e ka marrë vetë çmimin. Komiteti norvegjez reagoi menjëherë, duke sqaruar se të kesh medaljen nuk do të thotë të jesh fitues i Nobelit.

Mesazhi, i përkthyer në diplomaci globale, është i qartë: Mund ta krijosh OKB-në tënde, por ajo nuk do të jetë kurrë vërtet OKB-ja.

Shkrim nga La Repubblica

Shiste ilaçe të skaduara dhe kontrabandë në farmaci, arrestohet 42-vjeçari

By: A R
18 January 2026 at 11:06

Një skemë e rrezikshme e tregtimit të medikamenteve të skaduara dhe kontrabandë është goditur nga policia e Fierit, pas një hetimi disamujor të koduar “Skadenca”. Në pranga ka rënë një 42-vjeçar me iniciale B. B., i cili akuzohet se furnizonte farmacitë e qytetit me ilaçe që rrezikonin jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Gjatë kontrollit në banesën e autorit, e cila shërbente si magazinë klandestine, policia gjeti dhe sekuestroi mbi 4 mijë kuti me barna. Nga këto, 1635 kuti ishin me afat përdorimi të kaluar, ndërsa 2654 të tjera ishin pa faturë tatimore dhe dyshohet se janë futur kontrabandë në Shqipëri.

Sipas hetimeve, 42-vjeçari i shpërndante këto medikamente prej një kohe të gjatë me qëllim përfitimin, duke fshehur të ardhurat dhe duke shmangur detyrimet shtetërore. Operacioni u ndoq me metoda speciale hetimi në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, duke siguruar prova të mjaftueshme për ndalimin e tij në flagrancë.

Tashmë i arrestuari do të përballet me drejtësinë për disa vepra penale, ku më e rënda është ajo e tregtimit të barnave të rrezikshme për jetën. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme.

Netanyahu kundër SHBA-ve: Bordi për Paqen në Gaza është armiqësor ndaj Izraelit

By: A R
18 January 2026 at 10:58

Dy ente të ndara, të thirrura të punojnë së bashku për Gazën dhe për të koordinuar qeverinë teknike palestineze që do të veprojë nën drejtimin e Ali Sha’at, inxhinier dhe ish-zëvendësministër i Autoritetit Kombëtar Palestinez. Bëhet fjalë për dy struktura, përbërja e të cilave u njoftua nga Shtëpia e Bardhë mes të premtes dhe së shtunës, por që brenda më pak se 24 orësh janë përfshirë nga polemika të forta.

Struktura e parë është “Komiteti Ekzekutiv”, organi që do të ketë rolin më të drejtpërdrejtë në rindërtimin e Rripit të Gazës. Në përbërjen e tij janë përfshirë figura kyçe ndërkombëtare: Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio; i dërguari special, Steve Witkoff; dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner; ish-kryeministri britanik, Tony Blair dhe presidenti i Bankës Botërore, Ajay Banga.

Po ashtu janë përfshirë përfaqësues të Turqisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Ajo që bie në sy është mungesa e plotë e përfaqësuesve palestinezë dhe gjithashtu mungesa e anëtarëve të qeverisë izraelite. Në grup ndodhet vetëm një biznesmen izraelit i afërt me qeverinë, Marc Rowen, por kjo nuk ka mjaftuar për kryeministrin Benjamin Netanyahu.

Mbrëmjen e djeshme, Netanyahu ka shpërndarë një notë të rrallë kritike ndaj Shtëpisë së Bardhë, duke deklaruar se përbërja e komitetit është “në kundërshtim me politikën izraelite”.

Struktura e dytë është “Bordi i Paqes”, krijimi i të cilit ishte njoftuar nga Trump që në tetor, paralelisht me armëpushimin në Gaza. Sipas parashikimeve të publikuara nga Haaretz, synimi real i këtij organi shkon shumë përtej Gazës: ai do të merret me paqen dhe stabilitetin në të gjitha zonat e prekura nga konflikti, aty ku “mjetet dhe diplomacia tradicionale kanë dështuar”.

Trump ka ftuar në këtë këshill dhjetëra krerë shtetesh dhe qeverish. Sipas Ynet, i ftuar është edhe Benjamin Netanyahu, ndërsa mes emrave të tjerë përmenden presidenti argjentinas Javier Milei, presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, kryeministri kanadez Mark Carney dhe shumë të tjerë. Ftesa i ka shkuar edhe kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

Në total, sipas Haaretz, bëhet fjalë për rreth 60 vende, lista dhe rregullore që gazeta izraelite ka pasur mundësinë t’i shohë. Mes vendeve të ftuara, është edhe Italia.

Në krye të bordit do të jetë vetë Donald Trump. Mandati i tij mund të ndërpritet vetëm në rast dorëheqjeje ose sëmundjeje të rëndë dhe nuk lidhet me mandatin e tij si president i SHBA-ve, çka do të thotë se ai mund ta mbajë postin edhe pas largimit nga Shtëpia e Bardhë.

Tjetër veprimtari prostitucioni në Durrës, arrestohet organizatorja nga Armenia

By: A R
18 January 2026 at 10:48

Policia e Durrësit ka goditur një tjetër veprimtari prostitucioni në këtë qytet. Në fazën e 13-të të operacionit “STORM”, është vënë në pranga një 52-vjeçare nga Armenia, e dyshuar si organizatore, ndërsa u procedua penalisht një 22-vjeçare nga Peruja dhe tre shtetas shqiptarë.

“Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të realizuara gjatë fazave të operacionit policor të koduar “STORM”, për goditjen e shfrytëzimit për prostitucion, pas një hetimi dyjavor me metoda speciale,  finalizoi fazën e 13-të të këtij operacioni. Si rezultat i operacionit, në zonën e Vollgës, Durrës, u arrestua në flagrancë shtetasja L. H., 52 vjeçe, lindur dhe banuese në Armeni, e dyshuar si organizatore e këtij rasti të shfrytëzimit për prostitucion, për veprat penale “Prostitucioni” dhe “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”. Gjithashtu, gjatë operacionit u procedua penalisht një 22-vjeçare nga Peruja, si dhe tre shtetas nga qarku Durrës, për veprën penale “Prostitucioni””, njofton Policia.

Sipas policisë, shtetaset kishin marrë me qira dy apartamente në zonën e Vollgës dhe të Plazhit, të cilat i përdornin për prostitucion. Gjatë ndërhyrjes, dyert e banesave u hapën me ndihmën e zjarrfikësve, pasi ato refuzuan të bashkëpunonin.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pasaporta, para, karta telefoni dhe sende të tjera. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.

❌
❌