Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 February 2026Main stream

Nga Durrësi në Spanjë, vihet në pranga shqiptari i shpallur në kërkim prej më shumë se 20 vitesh

By: A R
8 February 2026 at 12:59

Një shtetas shqiptar, i arratisur që nga viti 2004 dhe i kërkuar për trafik droge dhe mbajtje të paligjshme armësh, u arrestua në Spanjë falë një operacioni ndërkombëtar të koordinuar mes Karabinierëve të Fermos dhe policisë spanjolle.

Ai tani ndodhet në dispozicion të Gjykatës Qendrore Kombëtare të Madridit, në pritje të procedurave të dorëzimit.

Shqiptari ishte shpallur fajtor për shpërndarje të kokainës, deri në 340 doza mesatare ditore, si dhe për furnizim me heroinë, kokainë dhe marihuanë. Ai gjithashtu posedonte në mënyrë të paligjshme rreth 2 kg marihuanë dhe municione pa leje, me qëllim furnizimin e palëve të treta.

Ai kërkohej për vuajtjen e një dënimi të mbetur prej gati katër vjetësh burg dhe një gjobe prej afërsisht 9,000 eurosh për komplot për shpërndarjen e narkotikëve dhe komplot për posedimin e armëve, të dyja të kryera në provincë.

Gjatë hetimeve, autoritetet arritën të lokalizonin shqiptarin fillimisht në zonën e Durrësit dhe më pas në Spanjë, duke mundësuar arrestimin e tij.

Irani sfidon SHBA-në: Nuk heqim dorë nga pasurimi i uraniumit

By: A R
8 February 2026 at 12:48

Ministri i Jashtëm iranian, Abaz Araghchi, hodhi poshtë mundësinë që Teherani të hiqte dorë nga pasurimi i uraniumit gjatë negociatave me Uashingtonin, duke këmbëngulur se vendi i tij nuk do të frikësohej nga kërcënimi amerikan për luftë.

Araghchi u shpreh në një forum të mbajtur në Teheran se Republika Islamike ka shumë pak besim tek Uashingtoni dhe madje dyshon se pala amerikane është serioze për negociatat e rinisura së fundmi.

“Pse këmbëngulim kaq shumë për pasurimin dhe refuzojmë të heqim dorë, edhe nëse na shpallet luftë? Sepse askush nuk ka të drejtë të na diktojë si të sillemi. Nuk frikësohemi nga dislokimi i tyre ushtarak në rajon,” theksoi ministri, duke iu referuar vendosjes së aeroplanmbajtëses amerikane USS Abraham Lincoln në Detin Arabik.

Ndërkohë, vendet perëndimore dhe Izraeli – i vetmi vend në Lindjen e Mesme që zotëron armë bërthamore – pretendojnë se Irani synon të zhvillojë një bombë të tillë. Por Araghchi i hodhi poshtë këto pretendime:

“Kanë frikë nga bomba jonë atomike, kur nuk kemi të tilla. Bomba jonë atomike është forca për t’i thënë ‘jo’ fuqive të mëdha,” u shpreh ai.

Deklaratat e tij erdhën një ditë pasi negociatorët amerikanë Steve Witkof dhe Jared Kushner vizituan aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln, duke sinjalizuar mundësinë e një operacioni ushtarak amerikan ndaj Iranit. Të dy ishin më pas në Oman për negociata të tërthorta me delegacionin iranian të drejtuar nga Araghchi, takim që presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi si “shumë të mirë”.

Megjithatë, pas takimit, Trump vendosi sanksione të reja ndaj naftës së Republikës Islamike dhe 14 mjeteve detare që e transportojnë atë. Ai gjithashtu nënshkroi një urdhër ekzekutiv për vendosjen e tarifave ndaj vendeve që vazhdojnë të bëjnë biznes me Iranin, pavarësisht sanksioneve amerikane.

Vendimi për Ballukun, Meksi: Kur gjykata zgjedh barazimin, alarm serioz për reformën në drejtësi

By: A R
8 February 2026 at 12:40

Ish-deputetja socialiste Ermelinda Meksi ka analizuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që dha rezultatin 4-4, duke sjellë si pasojë pezullimin e Belinda Ballukut si zv.kryeministre.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Meksi e sheh vendimin e Kushtetueses jo si rastësi, ku sipas saj ai tregon ekuilibër frike nga gjyqtarë që luajtën si aktorë racionalë dhe jo si gjykatë.

Meksi thekson që kur një gjykatë zgjedh barazimin ose mosvendimin ky është alarm serioz dhe ekzistencial për reformën në drejtësi.

“Jo vetëm si statisticiene, probabilitetin e rezultatit 4–4 nga Gjykata Kushtetuese e konsideroja të lartë.  Kjo sepse ky është rezultati më i pritshëm kur kostoja e çdo alternative tjetër është më e lartë se kostoja e mosvendimit. Pra rezultati 4–4 nuk është rastësi, por ekuilibër frike nga gjyqtarë që menduan/ luajtën si aktorë racionalë. jo si gjykatë. Një sistem që e prodhon mosvendim si strategji optimale është një sistem i komprometuar, me rrezikikun që në të ardhmen:

Çdo çështje me ngarkesë politike të përfundojë në mosvendim, Jurisprudenca të ndërtohet mbi heshtje, jo norma, Gjykata të përdoret si valvul presioni, jo si standard kushtetues. Kur një gjykatë zgjedh barazimin/ mosvendimin ky është alarm serioz ekzistencial për reformën në drejtësi”, shkruan Meksi në një postim në rrjetet sociale”.

Sipas Meksit, koston e mosvendimit e paguan sistemi, ndërkohë Kushtetuta mbetet pa interpretim autoritar dhe konflikti shtyhet.

Pasi koston e mosvendimit nuk e paguan: as gjyqtari i cili nuk ndëshkohet, nuk humb mandatin, nuk penalizohet, as Gjykata si institucion ku vendimi 4–4 quhet “proceduralisht korrekt” as  palët politike ku secila e lexon si fitore ose si shmangie të humbjes. Koston e mosvendimit e paguan sistemi: Kushtetuta mbetet pa interpretim autoritar, konflikti shtyhet , riciklohet, precedenti krijon normën e heshtjes, kurse publiku mëson se barazimi është rrugë e sigurt.

Përfundimi: Mosvendimi është strategji pa çmim individual, por me kosto kolektive të padukshme: ai çon në erozionin e autoritetit kushtetues dhe besimin e publikut. Prandaj për të evituar këtë kosto duhet një mekanizëm korrektues efektiv që ta bëjë mosvendimin të kushtueshëm individualisht dhe institucionalisht, në mënyrë që Gjykata të prodhojë një rezultat material, edhe kur është e ndarë. Që publiku të kuptoj më mirë integritetin e çdo rezultati , gjyqtari duhet të shpjegojë publikisht arsyet pse votoi pro ose kundër’, vijon postimin e saj Meksi.

Lumi i Shalës si Tajlanda: “Reise Reporter” e konsideron si një perlë natyrore europiane

By: A R
8 February 2026 at 12:35

“Ujëra të kristalta, shkëmbinj të thepisur, natyrë e paprekur: ajo që ju pret në veri të Shqipërisë në lumin e Shalës mund të konkurrojë edhe me Tajlandën”.

Kështu nis artikulli i një nga agjencitë gjermane të udhëtimeve, “Reise Reporter”, për një nga atraksionet turistike të vendit tonë, siç është Lumi i Shalës.

“Reise Reporter” e konsideron Shalën një perlë natyrore evropiane dhe një lumë i pastër që rrjedh në formë gjarperuese përmes natyrës së paprekur. Ky vend natyror në Alpet Shqiptare është aq piktoresk saqë e meriton edhe krahasimin me Tajlandën.

Sipas agjencisë gjermane, Lumi i Shalës është një mjedis idilik, duke krijuar një adrenalinë për të gjithë ata që kërkojnë aventurat dhe janë dashamirës të natyrës. Për të shijuar lumin unik shqiptar dhe formacionet mbresëlënëse shkëmbore përgjatë tij, ka struktura akomoduese të vogla në formë bujtinash, të cilat ofrojnë dhoma të thjeshta gjatë sezonit të verës dhe duhet të rezervohen paraprakisht.

“Reise Reporter” shkruan se për të lëvizur rreth lumit dhe për të eksploruar grykat, ujëvarat dhe burimet natyrore përgjatë tij, ka ture me kajak ose varka për të gjithë vizitorët.

Ndër të tjera, agjencia gjermane e udhëtimeve sugjeron për vizitorët se koha më e mirë për të vizituar lumin e Shalës me sa më pak turma turistësh janë muajt maj, qershor dhe shtator. Ndërsa në korrik dhe gusht, përveç temperaturave shumë të larta, ka shumë vizitorë.

Gjermanja “Reise Reporter” e mbyll artikullin duke treguar edhe mënyrën se si mund të udhëtohet drejt lumit idilik, nëpërmjet varkave ose motoskafeve në liqenin e Komanit.

Çudira nga dosja e “Epstein”, ekskursioni (për fosile dinozaurësh) i pedofilit me elitën amerikane

By: A R
8 February 2026 at 12:25

Nga dosjet e Epstein, që duket se nuk kanë fund, dalin gjithmonë detaje dhe personazhe të rinj.

Ose, të paktën, disa ngjarje tashmë të njohura dhe disa figura që ishin njohur si të lidhura më shumë ose më pak me Jeffrey Epstein vazhdojnë të ndërthuren në një rrjet të vështirë për t’u shpjeguar.

Një nga këto ngjarje lidhet me kocka dinosauri dhe fosile. Personazhet kryesore, përveç financierit pedofil që vdiq në burg në 2019 dhe të fejuarës së tij Ghislaine Maxwell, e cila po vuan një dënim të gjatë, janë edhe Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr. (i njohur si RFK Jr.), dhe paleontologu i famshëm Jack Horner.

Në një email të 4 gushtit 2012, Epstein i shkruante Maxwell:

Në kërkim të dinosaurëve dhe fosileve me Jack Horner, gjetëm guaska dhe fosile 90 milion vjeçare.

Ajo i përgjigjej:

Shumë bukur. Por nuk kishim shkuar me të dhe me Bobby Kennedy-n për të kërkuar fosile në North Dakota?

Epstein konfirmonte: Po!

Jack Horner është një nga paleontologët më të njohur amerikanë dhe ka qenë këshilltar për filmin “Jurassic Park”. Personazhi kryesor, Alan Grant, është frymëzuar pikërisht nga Horner, siç e ka konfirmuar vetë ai në një intervistë për Smithsonian Magazine në 2014-ën:

Mendoj se Grant është një përzierje mes meje dhe Bob Bakker (një tjetër paleontolog i njohur).

Që Horner të kishte qenë të paktën një herë mysafir në një nga pronat e Epstein (me gjasë në fermën e tij në New Mexico) ishte zbuluar më parë nga email-et publike, ku ai shkruante se “Jeffrey dhe vajzat ishin mysafirë të këndshëm”.

Referenca te “vajzat” mund të jetë e pafajshme, por dikush ka rikthyer një artikull të People nga 2016-a, ku Horner thoshte se ishte “larguar nga puna” në Museum of the Rockies, ku kishte qenë kurator për mbi 30 vjet, për një marrëdhënie me një studente (jo të tijën).

Horner, atëherë 65 vjeç, u martua me të renë, 19-vjeçare, në 2012-ën. U divorcua 4 vite më vonë: asgjë e paligjshme, por dosjet e Epstein hedhin një hije të errët mbi gjithçka.

Në email të tjera, Horner fton Epstein në Montana.

Ekskursioni për gjetjen e fosileve në Dakota me RFK Jr. ishte përmendur gjithashtu nga Maxwell në bisedat e saj me zëvendësministrin e Drejtësisë Todd Blanche dhe nga vetë Kennedy.

Kur në 2023-in kandidonte si i pavarur për presidencë (Trump më pas e tërhoqi, duke i ofruar një ministër si “shpërblim”), RFK Jr. për t’u mbrojtur nga akuzat e lidhjes me Epstein deklaroi në Fox News se kishte fluturuar me avionin e financierit vetëm dy herë: herën e parë në 1993 për të shkuar në Florida me gruan dhe fëmijët për të vizituar nënën e tij dhe herën e dytë “kur mori fëmijët për të kërkuar fosile në Pine Ridge Reservation, South Dakota”.

Por edhe kjo paraqet një problem, sepse mbledhja e fosileve në një rezervë si Pine Ridge pa lejen e fiseve të vendaseve që jetojnë aty është një shkelje e ligjit për pronësinë.

Kjo duket pak krahasuar me skandalet e tjera që dalin nga biblioteka e Epstein.

Por situata bëhet më shqetësuese nëse rezulton se ishte i përfshirë direkt edhe paleontologu më i famshëm amerikan.

Artikulli, marrë nga Corriere della Sera

Zyrtari i lartë i KiE: Paraburgimi në Shqipëri, pesë herë më i lartë se mesatarja e BE-së

By: A R
8 February 2026 at 12:06

Shqipëria vazhdon të përballet me sfida serioze në fushën e paraburgimit, si në drejtim të numrit të lartë të personave në paraburgim, ashtu edhe në kohëzgjatjen e tij, vlerëson Gianluca Esposito, drejtor i përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit në Këshillin e Evropës, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSh).

Sipas Espositos, situata aktuale paraqet arsye reale për shqetësim.

Ai i referohet raportit më të fundit të Komitetit të Këshillit të Evropës për Parandalimin e Torturës (CPT), i cili evidenton se Shqipëria vazhdon të ketë një nga normat më të larta të burgosjes midis shteteve anëtare të Këshillit të Evropës. CPT gjithashtu identifikoi një përdorim në rritje të paraburgimit, duke rezultuar në mbipopullim në disa nga qendrat e paraburgimit.

“Sipas statistikave zyrtare, që nga nëntori 2025, në burgjet e Shqipërisë kishte 4578 të burgosur, nga të cilët 58% ishin në paraburgim. Shkalla e paraburgimit në Shqipëri prej 94,6 personash për 100 mijë banorë është gati katër ose pesë herë më e lartë se mesatarja e BE-së”, tha Esposito.

Ai theksoi se, një tjetër çështje kyçe në Shqipëri është kohëzgjatja e paraburgimit.

Mesatarja prej 253 ditësh (8,4 muaj) është mjaft e lartë, nënvizoi Esposito.

“Paraburgimi i gjatë dhe mungesa e arsyetimit të mjaftueshëm u identifikuan gjithashtu nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në disa vendime kundër Shqipërisë (Hysa kundër Shqipërisë, Strazimiri kundër Shqipërisë, Delijorgji kundër Shqipërisë)”, tha Esposito.

Duke folur për rreziqet kryesore që lidhen me paraburgimin e zgjatur, Esposito thekson se kjo fushë është ndër më të ndjeshmet e drejtësisë penale, pasi prek drejtpërdrejt liritë individuale dhe parimin themelor të prezumimit të pafajësisë.

Sa i përket masave që duhet të merren për përmirësimin e kushteve dhe menaxhimit të paraburgimit, ai nënvizon se nevojiten njëkohësisht përmirësime materiale dhe reforma sistemike.

“Hapi i parë për të përmirësuar kushtet është ulja e mbipopullimit. Megjithatë, kjo nuk bëhet vetëm duke ndërtuar më shumë burgje, por duke kufizuar në mënyrë aktive përdorimin dhe kohëzgjatjen e paraburgimit dhe duke i dhënë përparësi alternativave ndaj paraburgimit, duke përfshirë zbatimin e regjimit jondëshkues të paraburgimit në përputhje me prezumimin e pafajësisë”, tha ai.

Esposito vëren se kuadri ligjor në Shqipëri është kryesisht në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Problemi kryesor, thekson ai për ATSh, “është përdorimi i tepërt dhe i paarsyetuar mjaftueshëm i paraburgimit, veçanërisht në gjykatat e shkallës së parë dhe gjatë shqyrtimeve periodike”.

“Masat për të zvogëluar përdorimin e tepërt të paraburgimit duhet të adresohen në mënyrë sistematike. Ndryshimet legjislative duhet të mbështesin këto objektiva, por faktorët kryesorë janë praktika gjyqësore dhe kultura ligjore”, tha Esposito.

Duke iu referuar standardeve evropiane, ai rikujton se, sipas jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, paraburgimi duhet të jetë një masë e jashtëzakonshme dhe të përdoret vetëm si mjet i fundit, kur masat më pak kufizuese rezultojnë të pamjaftueshme.

“Përmirësimi i paraburgimit është thelbësor sepse ka të bëjë me individë që supozohen të pafajshëm dhe liria e të cilëve kufizohet vetëm për të siguruar administrimin e duhur të drejtësisë”, tha Esposito.

“Fushat prioritare duhet të jenë përmirësimi i cilësisë së arsyetimit gjyqësor, rritja e përdorimit kuptimplotë të alternativave ndaj paraburgimit dhe sigurimi i shqyrtimit periodik substancial dhe efektiv”, shton ai.

Duke pasur parasysh këtë, roli i Këshillit të Evropës është të ndihmojë në sigurimin që paraburgimi të kryhet në përputhje me të drejtat themelore dhe dinjitetin njerëzor. Këshilli i Evropës ofron një qasje gjithëpërfshirëse që kombinon ekspertizën ligjore, ndërtimin e kapaciteteve dhe monitorimin, të gjitha të bazuara në standardet evropiane të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit”, shton Esposito.

“Në Shqipëri, ne kemi një projekt bashkëpunimi të hartuar posaçërisht me autoritetet shqiptare që adreson sfidat që lidhen me paraburgimin, ndër të tjera. Projekti bazohet në nevojat konkrete të identifikuara së bashku me autoritetet shqiptare përmes gjetjeve dhe rekomandimeve të CPT-së dhe jurisprudencës përkatëse të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Ai synon të përkthejë standardet evropiane në përmirësime praktike në legjislacion dhe praktikën gjyqësore”, shprehet më tej Esposito.

Drejtori i përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit në Këshillin e Evropës shprehet mirënjohës për bashkëpunimin konstruktiv me autoritetet shqiptare dhe besimin se do të ndërmerren veprimet e nevojshme për adresimin e kësaj çështjeje.

Ai shton se Shqipëria mund të përfitojë nga praktikat e mira të vendeve të tjera evropiane, ku paraburgimi përdoret si masë e fundit, me arsyetim individual, shqyrtim të rregullt gjyqësor, përdorim të gjerë të alternativave dhe mbrojtje të posaçme për personat në situata të cenueshme.

“Standardet evropiane mbi paraburgimin janë përfshirë në shumë praktika të mira në të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Evropës. Hulumtimet krahasuese kanë treguar se pavarësisht ndryshimeve midis sistemeve ligjore, problemet që ndikojnë në vendimet e paraburgimit janë të zakonshme në të gjitha shtetet anëtare dhe të vështira për t’u trajtuar. Qasjet efektive ndajnë karakteristika të përbashkëta, duke përfshirë përdorimin e paraburgimit si masë e fundit, arsyetimin individual, shqyrtimin e rregullt gjyqësor, përdorimin e gjerë të alternativave ndaj paraburgimit, aksesin në këshillim ligjor dhe mbrojtje të tjera procedurale, dhe konsideratën specifike për personat në një situatë të cenueshme. Këshilli i Evropës promovon shkëmbimin e praktikave të tilla, të përshtatura me kontekstin ligjor kombëtar dhe traditën ligjore”, thekson Esposito.

“Lëre gangsterin jashtë, me mua mos u merr”/ Rogerti ‘përplaset’ me Luizin: Po ja nxin fytyrën babait tënd

By: A R
8 February 2026 at 11:57

Hyrja e Luizit në shtëpinë e Big Brother VIP 5 duket se nuk është pritur aspak mirë nga Rogerti, i cili nisi menjëherë debatet me fituesin e edicionit të dytë të BBV.

Në darkën pas Prime-t, nisën menjëherë debatet mes dy banorëve.

Pjesë nga debati

Rogerti: O ti debil, o legen… Mua mos më prek më me dorë. A dëgjon?! Mua më me dorë mos më prek më me dorë se ta tregoj vendin mirë. A më njeh? I ke pas thënë njerëzve dikur: ‘Lëre gangsterin jashtë’. Tani po të them unë lëre gangsterin jashtë. Me mua mos u kap. Si brenda, si jashtë, ta nxjerrë shtyllën kurrizore. Dëgjo bobin këtu. A dëgjon? Jo me mua. O biond, jo me mua. Mos më prek më me dorë. Nuk më provokon dot. Kujdes! Nëse do të luash, luaj si zotëri që je. Mua me dorë mos më prek më.

Luizi: Je duke ia nxirë fytyrën babait kështu.

Rogerti: Babai im është tifozi yt. Mos u merr me atë punë ti.

Luizi: Fisi Sterkaj, kam respekt për ju. Se ku e keni gjetur këtë?! Këta Sterkajt janë të mirë. Janë burra po të them për atë Zot, me ‘RR’.

Rogerti: Mbylle gojën, mos më fol mua për mbiemrin. O zhuls. O lojtar legen që ke lënë lekët në bixhoz. Mbylle gojën. në rregull?

Horoskopi ditor për nesër, e Hënë 9 Shkurt 2026

By: A R
8 February 2026 at 11:46

Dashi

Një ditë disi e lodhshme për ju kjo e hënë. Dashuria, me hënën kundër, nuk po shkojnë si duhet. Tregoni kujdes me fjalët që mund të shkaktojnë debate të panevojshme. Sa i përket punës nuk jeni në ditët më të mira. Problemet e reja i bashkëngjiten atyre që ende nuk janë zgjidhur.

Demi

Energjia nuk mungon por Marsi po ndikon në krijimin e problemeve, duke komplikuar marrëdhënien me të tjerët. Këto duhet duhet të merreni me zgjidhjen e problemeve që ju rrethojnë. Kohë e vështirë për ekonominë tuaj dhe administrimin e parave.

Binjakët

Këto ditë nuk duhet të debatosh por të përpiqesh që të zgjidhësh problemet. Çiftet që po përjetojnë më shumë probleme janë lidhjet e krijuara së fundmi por që fatmirësisht kanë Venusin përkrah. Puna ecën mirë, gjëra pozitive duken në sfond.

Gaforrja

Hëna jo harmonike po i komplikon pak raportet. Ke dëshirë të dalësh dhe të takosh njerëz, por kjo dëshirë e jotja nuk po realizohet. Në punë do të dalin shanse të reja.

Luani

Ditë e keqe për ju, debatet janë të pashmangshme, veçanërisht në ambjentin familjar. Në dashuri duhet kujdes me qëllim që ta përmirësosh raportin. Në punë nuk është e nevojshme të kërkosh shumë për momentin. Me buxhetin duhet kujdes.

Virgjëresha

Ka pak rrëmujë, pasi nuk është gjithçka si do ta doje. Raportet me të tjerët janë të ndërlikuara ku debatet do të krijoheshin lehtë. Në punë nuk je i kënaqur.

Peshorja

Nëse nga ana fizike je pak dobët, pjesa tjetër është pozitive. Në dashuri mund të jesh i lirë, i kënaqur, edhe falë Hënës së favorshme. Në punë propozimet e tua do të vlerësohen. Nëse keni debatuar, paqja po vjen për ju.

Akrepi

Ky nuk është një moment ideal, problemet janë të shumta, por mund të shfrytëzosh situatën për të sqaruar disa aspekte në jetën tënde sentimentale. Në punë mund të arrish më shumë, por duhet të kesh parasysh vonesat e kësaj periudhe.

Shigjetari

Mundohu të mos bësh shumë gjëra bashkë por një nga një. Në dashuri situata është e ndërlikuar, duhet të tregohesh i kujdesshëm që gjërat të mos përkeqësohen. Miqësia ecën mirë. Në punë duhet të provosh të jesh më pozitiv.

Bricjapi

Sot nuk je në ditë të mirë. Duhet të bësh kujdes dhe të shmangësh debatet edhe pse kjo mund të jetë e vështirë në pjesën e dytë të ditës. Kujdes me buxhetin, këto ditë mund të dalin shumë shpenzime.

Ujori

Venusi dhe Hëna në favorin tënd, e bëjnë më të lehtë dashurinë. Shmang diskutimet me ata që nuk të kuptojnë. Në punë do të ketë ndryshime dhe ndoshta edhe rimendime.

Peshqit

Ditë e mbushur, pak e ndërlikuar. Janë të shumta gjërat që duhen menduar. Në dashuri, nëse ka probleme është momenti të zgjidhen. Edhe një ish mund të jetë në qendër të mendimeve të tua. Puna, për momentin nuk është në kohën më të mirë.

Të dehur në timon dhe tentativa korrupsioni, 6 të arrestuar në Durrës

By: A R
8 February 2026 at 11:37

Policia Rrugore e Durrësit ka intensifikuar monitorimin e qarkullimit rrugor, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë. Si rezultat i kontrolleve të shtuara, ka shkuar në 6 numri i shtetasve të arrestuar, të cilët drejtonin automjetet në gjendje të dehur dhe tentuan të korruptonin punonjësit e Policisë për t’iu shmangur testit të alkoolit dhe arrestimit.

Gjatë fundjavës, në kuadër të planit të masave “Fundjava”, janë vënë në pranga 5 drejtues automjetesh, të cilët u konstatuan duke drejtuar mjetet në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi. Dy prej tyre kanë tentuar të shmangin procedurat ligjore duke u ofruar shuma parash punonjësve të Policisë Rrugore.

Shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore në DVP Durrës, gjatë kontrolleve në rrugët “Petrit Llaftiu” dhe “Taulantia”, konstatuan dy automjete që kryenin manovra të rrezikshme. Pas ndalimit, drejtuesit e tyre, shtetasit N. N. dhe H. M., tentuan të korruptonin efektivët e Policisë.

Nga testet e alkoolit rezultoi se shtetasi N. N. drejtonte automjetin me 1.62 mg/l alkool, ndërsa shtetasi H. M. me 1.57 mg/l alkool në gjak. Gjatë muajit janar, janë arrestuar gjithashtu 4 drejtues automjetesh për të njëjtën vepër penale dhe tentativa korrupsioni ndaj Policisë Rrugore.

Po gjatë monitorimeve, u arrestuan edhe shtetasja D. M., e cila rezultoi me 1.22 mg/l alkool, dhe shtetasi D. Ç., me 2.21 mg/l alkool në gjak. Ndërkohë, në rrugën “Hysen Kertusha” u arrestua shtetasi R. D., banues në Durrës, i cili drejtonte automjetin pa leje drejtimi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Policia Rrugore e Durrësit u bën apel drejtuesve të automjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos drejtojnë mjetet në gjendje të dehur, të respektojnë sinjalistikën dhe të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të automjetit.

Sërish rrëshqitje dherash në Currila të Durrësit, bllokohet aksi që të çon drejt Kallmit

By: A R
8 February 2026 at 11:27

Janë rikthyer sërish rrëshqitjet e dherave në zonën e Kodrës së Currilave në Durrës, raporton A2CNN.

Si rezultat i reshjeve që kane vijuar përgjatë gjithë natës, mëngjesin e sotëm është bllokuar aksi që të çon drejt Kallmit, ndërsa ndërmarrjet e bashkisë po bëjnë të mundur pastrimin.

Fenomeni i erozionit është rikthyer frikshëm në këtë zonë, që vazhdimisht regjistron rrëshqitje dherash dhe bllokim të lëvizjes. Sasia e konsiderueshme e dherave që ka rënë në asfalt shtrihet përgjatë ngjitjes së malores mbi Ferrarën.

Rama: Rihapja e TikTok-ut jo dorëzim e mbyllje sysh, vendosen filtra për mbrojtjen e fëmijëve

By: A R
8 February 2026 at 11:00

Kryeministri Edi Rama tha sot gjatë episodit të radhës të podkastit flasim se rihapja e TikTok-ut nuk është tërheqje dhe dorëzim. Kreu i qeverisë tha se janë vendosur mekanizma të reja dhe filtra për mbrojtjen e fëmijëve, raporton A2CNN.

“Kështu që, ajo që pata paralajmëtar ka ndodhur sepse me TikTok kemi vendosur, jo vetëm një komunikim, por kemi vendosur dhe një bazë të re dhe për këtë arsye Vendimi i Këshillit të Ministrave nuk është tërheqje, nuk është dorëzim dhe aq më pak pastaj nuk është mbyllje sysh siç është komentuar me sa më thonë, por është rezultat i një procesi serioz, rishikimi dhe i një pune konkrete adresimi real të shqetësimeve për sigurinë dhe për filtrat e nevojshëm që të ketë shumë më tepër kontroll në kuptimin e mirë të fjalës, jo censure, por kontroll mbi gjithë aktivitetin dhe mbrojtje të fëmijëve dhe më të rinjve, në radhë të parë”, tha Rama.

Ushtria ruse ngadalëson në Ukrainë, shkak i ftohti dhe mungesa e Starlink

By: A R
8 February 2026 at 10:46

Përparimi i ushtrisë ruse në Ukrainë ka nisur të ngadalësohet. Sipas planeve të Vladimir Putinit, forcat ruse në këtë fazë duhej të kishin marrë Donbass-in dhe të kishin rrethuar Zaporizhzhian për ta detyruar Volodymyr Zelenskyn të kërkonte armëpushim. Por situata në terren po rezulton shumë më e vështirë nga sa ishte parashikuar në Moskë.

Pas disa sukseseve gjatë muajve të fundit të vitit 2025, forcat ukrainase po mbajnë pozicionet dhe në disa zona kanë kaluar edhe në kundërsulm.

Sipas të dhënave të “Deep State”, një platformë analistësh ushtarakë ukrainas, në nëntor ushtria ruse kishte pushtuar 505 kilometra katrorë, në dhjetor 445, ndërsa në janar vetëm 245 kilometra katrorë. Ndërkohë, humbjet në njerëz dhe pajisje nuk janë ulur, çka do të thotë se Rusia po përdor të njëjtat burime për rezultate dukshëm më të vogla, shkruan Corriere della Sera.

Një rol kyç në ngadalësimin e ushtrisë ruse po luan vala e të ftohtit ekstrem, e cila po vështirëson operacionet sulmuese ruse. Forcat ukrainase, të pozicionuara kryesisht në mbrojtje, përfitojnë nga avantazhet e terrenit dhe nga përdorimi në shkallë të gjerë i dronëve ajrorë dhe tokësorë, të nxitur nga ministri i ri i Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov.

Gjithashtu vendimi i Elon Musk për t’ua mohuar forcave ruse përdorimin e sistemit satelitor Starlink ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në front. Sipas Institute for the Study of War, mungesa e këtij sistemi ka detyruar Rusinë të ulë numrin e sulmeve dhe në disa zona të ndalojë plotësisht avancimin, veçanërisht në jug të Zaporizhzhias.

Këto zhvillime kanë favorizuar edhe avancime të vogla të forcave ukrainase në Kupiansk dhe rreth Pokrovskut, ndërsa në Rusi janë shtuar zërat kritikë nga blogerët pro-luftës.

Pavarësisht kësaj, komanda ruse po përpiqet të kursejë forcat për një ofensivë të paralajmëruar në fund të pranverës. Megjithatë, analistët vlerësojnë se ushtria ruse po përballet me probleme serioze organizative dhe me humbje të mëdha ditore, të cilat janë gjithnjë e më të vështira për t’u zëvendësuar.

Sipas oficerit ukrainas Biletskyi, nëse fronti mbahet deri në fund të pranverës, Moska do të detyrohet të hyjë në negociata serioze.

Demonstratat kundër Lojërave Olimpike, reagon ashpër Meloni: Janë armiq të Italisë!

By: A R
8 February 2026 at 10:37

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka reaguar ashpër kundër incidenteve të shkaktuara dje në demonstratën e Milanos kundër Lojërave Olimpike.

Kryetarja e qeverisë italiane i konsideroi protestuesit si “armiq të Italisë”, raporton A2CNN.

Armiqtë e Italisë po demonstrojnë kundër Lojërave Olimpike, duke bërë që imazhet të përfundojnë në televizionet e mbarë botën. Të tjerë prenë kabllot hekurudhore për të parandaluar nisjen e trenave. Edhe njëherë solidarizohem me policinë, qytetin e Milanos dhe të gjithë ata që shohin se puna e tyre u shkatërrua nga këto banda kriminelësh“, shkruan Meloni në rrjetet sociale.

“Amnistia Penale, lirim i menjëhershëm për 447 të burgosur”/ Rama: Zgjidhje e qartë politike

By: A R
8 February 2026 at 10:29

Kryeministri Edi Rama gjatë podcastit të tij “Flasim” nënvizoi miratimin e projektligjit për amnistinë penale, i cili parashikon lirimin e menjëhershëm të 447 personave nga burgjet, ulje dënimesh për qindra të tjerë dhe pushimin e ndjekjes penale për vepra të lehta.

Sipas tij, ky projektligj synon të përqendrojë drejtësinë tek rastet me rrezik real për shoqërinë, duke shmangur përdorimin disproporcional të ndëshkimit penal, dhe gjithashtu pritet të ulë mbipopullimin në institucionet penitenciare dhe kostot shoqërore që lidhen me to.

Rama theksoi se amnistia nuk prek krimet e rënda, përfshirë vrasjet, dhunën, korrupsionin dhe krimin e organizuar, dhe është pjesë e një strategjie më të gjerë për të adresuar problematikën e paraburgimit në vend.

“Një tjetër vendim që besoj ia vlen të nënvizohet është miratimi i projektligjit për amnistinë penale. Një akt me ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e sistemit tonë të drejtësisë penale, por dhe në frymën e kësaj drejtësie.

Dhe ky projekt përfshin lirimin e menjëhershëm të 447 personave nga institucionet e vuajtjes së dënimit, ulje dënimi për qindra persona të tjerë, aministimin nga masat alternative të shërbimit të proves, si dhe pushimin e ndjekjes penale për vepra penale të lehta.

Është një vendim që përfaqëson përsëri e përsëri një zgjedhje të qartë politike. Ta orientojmë drejtësinë drejt veprave që paraqesin rrezik real për shoqërinë dhe të shmangim përdorimin disproporcional të forcës represive të shtetit, përmes ndëshkimit penal për raste që nuk e justifikojnë përdorimin e forcës.

Kjo natyrisht do të sjellë pastaj efekt të vetin anësor, por shumë të rëndësishëm edhe uljen e mbipopullimit në burgje, uljen e kostove, por edhe rritjen e investimeve për të rritur cilësinë e jetës në institucionet tona penitenciare.

Ligji është i qartë. Ka kufij të mirëpërcaktuar. Nuk përfshin asnjë vepër të rëndë penale, krime kundër jetës, dhunës, korrupsioni, krimi i organizuar janë të përjashtuara nga amnistia.

Dhe në ndërkohë është një hap konkret që do të pasohet nga të tjerë në raport me idenë totalisht të keqshfrytëzuar dhe të keqpërdorur të paraburgimit

Paraburgimi është një plagë në Shqipëri. Një plagë e evidentuar më së miri dhe më së qarti nga Komiteti për parandalimin e torturës i Këshillit të Europës. Një plagë me të cilën përballet çdo ditë shoqëria dhe ne jemi të vendosur që do të ndërhyjmë për ta shëruar këtë plagë me masa të tjera me atë që e kam quajtur reflektim i madh dhe për të cilin po punojmë me një sërë partneresh shumë të rëndësishëm europian për të bërë ndërhyrjet e duhura dhe pa humbur shumë kohë”, tha Rama.

Momenti vendimtar në Hagë po afrohet, a do të shpallen të pafajshëm ish-krerët e UÇK-së?

By: A R
8 February 2026 at 10:21

Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është në kilometrin e fundit, dhe pak hapa kanë mbetur deri te vendimi i trupit gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës, në Hagë, për akuzat ndaj tyre për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.

Për çfarë akuzohen ish-krerët e UÇK-së?

Akt-akuza e Prokurorit të Specializuar në Hagë kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, përmban gjithsej 10 akuza.

Ata akuzohen për veprat penale që përbëjnë krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje.

Sipas akt-akuzës, krimet e paraqitura aty janë kryer në periudhën prej marsit të vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999, në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Në fillim të javës së ardhshme pritet të nisin deklaratat përmbyllëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Mbrojtësit të Viktimave dhe të ekipeve mbrojtëse të ish-eprorëve të UÇK-së, të cilët ndodhen në qendrën e paraburgimit të asaj që njihet si Gjykata Speciale, në Holandë, që nga nëntori i vitit 2020.

Çfarë ka ndodhur deri më tani?

Akt-akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katërshes së UÇK-së u konfirmua më 26 tetor të vitit 2020. Me t’u bërë publike, më 5 nëntor të po atij viti, të akuzuarit u dërguan në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Pastaj nisi procedura paraprake, kur u mbajtën një sërë konferencash statusore, e u prezantuan materiale dhe prova të ndryshme. Gjykimi nuk filloi deri më 3 prill të 2023-it.

Për 3 ditë rresht, palët mbajtën deklaratat e tyre hyrëse. Fillimisht, prokurorët dhe mbrojtësit e viktimave.

Prokurorët e specializuar njoftuan se do të paraqisnin dëshmi se të akuzuarit ishin anëtarë të asaj që e konsiderojnë “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, që gjoja kishte shënjestruar kundërshtarët e perceptuar të UÇK-së. Në deklaratat hyrëse, ata thanë se ajo kishte udhëhequr një “luftë speciale” kundër atyre që i konsideronte “bashkëpunëtorë” dhe “tradhtarë”.

Në fjalimin e tij në nisje të gjykimit, prokurori i specializuar, Alex Whiting, deklaroi se “shumica e viktimave të të pandehurve ishin bashkëkombës shqiptarë të Kosovës”.

“Në zellin e tyre për të goditur dhe eliminuar ata që i konsideronin kundërshtarë, të pandehurit mbështetën dhe zbatuan një politikë që shpesh i viktimizonte edhe të vetët e tyre”, tha Whiting.

Ndërkaq, përmes deklaratave të tyre hyrëse, për 2 ditë me radhë, duke nisur nga 4 prilli i vitit 2023, ekipet mbrojtëse argumentuan se UÇK-ja s’kishte një komandë fikse, duke hedhur poshtë akuzën se ata ishin pjesë e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, siç pretendon Prokuroria.

 seancën e 4 prillit, u deklarua edhe vetë Thaçi.

Ai tha se është vërtetuar se UÇK-ja nuk ka kryer veprën e trafikimit të organeve, akuzë që ishte bërë nga ish-senatori zviceran, Dick Marty, që u konkretizua në një raport të Këshillit të Evropës më 2011. Pikërisht ky raport shërbeu si pikënisje për krijimin e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës, me seli në Hagë.

“Bota tani e di sot, si rezultat i këtij procesi, se nuk kishte trafikim organesh dhe se Shtëpia e Verdhë nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë se edhe unë, edhe UÇK-ja, populli i Kosovës dhe gjithë shqiptarët, jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë, dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr. Pra, kjo sakrificë ia ka vlejtur”, u shpreh Thaçi.

Që nga prilli i vitit 2023, e deri në dhjetorin e vitit 2025, palët paraqitën prova e thirrën dëshmitarë në gjykatore.

Në rastin ndaj katërshes së UÇK-së vlerësohet se janë 155 viktima pjesëmarrëse. Zyra e Prokurorit të Specializuar ftoi në gjykatore 125 dëshmitarë, ndërkaq 117 të tjerë dorëzuan dëshmitë e tyre me shkrim.

Një nga dëshmitarët e Prokurorisë ishte edhe Fadil Geci, i cili në tetor të vitit 2024 dëshmoi në Hagë se “Thaçi ka menduar të na shfarosë”.

“Kjo është e vërteta… me krejt familjen, qëllimi i tij ka qenë të na shfarosë”, shprehej Geci.

Në prill të vitit 2025, Prokuroria e Specializuar përmbylli fazën e prezantimit të dëshmitarëve, ndërkaq më vonë, gjatë atij muaji, e përmbylli paraqitjen e provave, duke prezantuar mijëra prova materiale, që tha se mbështesnin akuzat e saj.

Dy viktima u thirrën në gjykatore nga mbrojtësit e viktimave, ndërkaq shtatë dëshmitarë u ftuan nga ekipet mbrojtëse.

Dëshmitarët e mbrojtjes

Në shtator, ekipet mbrojtëse të Thaçit dhe Krasniqit nisën thirrjen e dëshmitarëve, dhe paraqitjen e provave të tyre. Ekipi i Veselit dhe ai Krasniqit zgjodhën të mos paraqisnin as prova, e as të thërrisnin dëshmitarë.

I pari që doli para togave të zeza ishte James Rubin, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, i cili për 3 ditë rresht, në shtatorin e 2025-tës, dëshmoi në mbrojtje të Thaçit. Ai tha se ish-presidenti i Kosovës kishte rol kryesisht politik në UÇK, dhe s’kishte kompetenca për vendime ushtarake, duke shtuar se për çdo vendim të rëndësishëm ai duhej të merrte miratimin e komandantëve të zonave. Rubin dëshmoi se nuk kishte informacione që e lidhnin Thaçin dhe Krasniqin me pretendimet për vrasje.

Në gjykatë u paraqit edhe Christopher Hill, diplomat i pensionuar amerikan, që kishte qenë i dërguar i Washingtonit gjatë luftës në Kosovë. Edhe ai ishte në të njëjtën linjë se Thaçi nuk ishte përgjegjës në UÇK, duke theksuar se nuk kishte informacione se Thaçi kishte urdhëruar aktivitete të paligjshme.

Ish-komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s, Wesley Cark, ishte dëshmitari i fundit i mbrojtjes së Thaçit. Për 2 ditë rresht, në nëntor e 2025, ai dëshmoi për rolin e UÇK-së dhe të Thaçit. Sipas gjeneralit të pensionuar amerikan, Thaçi nuk mban përgjegjësi për aktet e dhunës në Kosovë.

Njeriu kryesor i fushatës së NATO-s ndaj caqeve serbe dëshmoi se UÇK-ja nuk kishte zinxhir komandues funksional, e as hierarki të plotë, dhe nëse do të kishte diçka të tillë, sipas tij, do të ishte e pamundur që SHBA-ja dhe NATO-ja të mos ishin në dijeni.

Ai i tha trupit gjykues se UÇK-ja nuk ishte terroriste dhe se pjesëtarët e saj luftuan për lirinë e tyre.

Deklaratat përmbyllëse

Me përmbylljen e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes, gjykimi kaloi në fazën tjetër: Dorëzimi i dosjeve përfundimtare nga palët, deri në fund të janarit.

Ndërkaq, nga 9 deri më 18 shkurt, palët do të mbajnë deklaratat përmbyllëse.

Fillimisht do të ketë radhën Prokuroria, ekipet e mbrojtësve të viktimave, dhe më pas nga 11 shkurti do të jetë radha e ekipeve mbrojtëse të të pandehurve.

Pas përmbylljes së deklaratave, çështja kalon te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen dhe ta shpallin atë.

Nga Gjykata në Hagë më herët kanë treguar se gjykatësit mund të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit edhe për 2 muaj, dhe në raste të jashtëzakonshme edhe më gjatë.

Teksa ky gjykim po shkon drejt fundit, Thaçi pritet të ketë ende punë me Dhomat e Specializuara, pasi ndaj tij pritet që së shpejti të nisë gjykimi për një rast të ndarë kundër administrimit të drejtësisë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000./Marrë nga REL

“GJK lejoi rimarrjen peng të qeverisë”, Rama për vendimin ndaj Ballukut: U bëmë shembull i një budallallëku botëror

By: A R
8 February 2026 at 10:11

Kryeministri Edi Rama ka komentuar për herë të parë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila la në fuqi vendimin e GJKKO për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra e zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, teksa është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tendera.

“Me një mjet të paparë dhe dëgjuar në botën demokratike si pezullimi i një anëtari qeverie. Kështu Shqipëria bëhet për herë të dytë në muaj shembulli i parë një budallallkëku botëror se GJK u mbyt në ujin e turbullt të atyre të arsyes e mos arsyes. 

Por fakti se mosvendimmarrja e GJK ë kthen në fuqi pezullimin e ministres, e cila pavarësisht se qartësia është një luks i rrallë që mund ta kërkosh por vështirë ta gjesh në turbullirën e 700 tenxhereve nuk akuzohet për korrupsion, as nga vetë prokurori që e shpiku pezullimin. 

Sidoqoftë zhbërja e kësaj shpikje 100% Made in Albania e drejtësisë së re, të papjekur, mbetet një domosdoshmëri për të rigarantuar pavarësinë ekzekutive të parlamentit”, tha Rama.

Irani kërcënon SHBA-në: Në rast të një sulmi amerikan, do të godasim bazat e tyre në rajon

By: A R
8 February 2026 at 10:03

Ministri i Jashtëm i Iranit Abbas Aragchi paralajmëroi se Irani do të sulmojë bazat amerikane në rajonin e Lindjes së Mesme, nëse Uashingtoni synon territorin iranian. “Nëse sulmohemi, ne do të shënjestrojmë bazat amerikane në rajon”. – u shpreh ai gjatë një interviste për rrjetin Al Jazeera.

Ndërsa të premten në Oman u mbajtën negociatat indirekte, Aragchi tha se Teherani dhe Uashingtoni ranë dakord që bisedimet bërthamore duhet të rifillojnë së shpejti. Ai u shpreh se Teherani është i hapur për arritjen e një marrëveshjeje, por shtoi se çështjet që lidhen me programin raketor të Iranit dhe pasurimin e uraniumit ishin të panegociueshme.

“As tani e as në të ardhmen nuk mund të ketë negociata për raketat, sepse kjo është një çështje e mbrojtjes” – nënvizoi kryediplomati iranian. Ai kritikoi atë që cilesoi si një doktrinë dominimi që i lejon Izraelit të zgjerojë arsenalin e tij ushtarak, ndërkohë që u bën presion vendeve të tjera në rajon që të çarmatosen.

Komentet e Aragchit erdhën një ditë pasi me ndërjetësimin e Omanit, delegacione nga Teherani dhe Uashingtoni zhvilluan bisedimet e para që nga sulmet amerikane në qershor të vitit të kaluar. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se diskutimet ishin shumë të mira dhe palët do të takohen sërish javën e ardhshme, ndërsa vetë kryediplomati iranian i quajti një fillim i mirë.

“Irani duket se dëshiron shumë të arrijë një marrëveshje. Duhet të shohim se çfarë marrëveshjeje është ajo”- u tha Trump gazetarëve në bordin e Air Force One. Pavarësisht zhvillimeve të fundit, ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv që parashikon tarifa dytësore me vlerë 25% ndaj vendeve që importojnë mallra nga Irani.

Vendimi i Kushtetueses për Ballukun, Rama: Ne do ta vazhdojmë betejën pavarësisht pafuqisë së gjykatës!

By: A R
8 February 2026 at 09:56

Në podcastin e tij “Flasim”, si çdo ditë të fundit të javës, kryeministri Edi Rama foli për momentet më kyçe të javës politike.

Sot, 8 shkurt, u ndal fillimisht te vizita e tij në Vatikan, duke thënë se ishte me peshë të veçantë prezantimi i tij me Papa Leonin XIV.

“Një njeri me dritë dhe mirësi të thellë. Folëm për Shqipërinë, rajonin, botën dhe që e ftova të jetë i pranishëm në festën e madhe, për 130-vjetorin e shpalljes së Zojës së Këshillit të Mirë, mbrojtësja e Shqipërisë. Nuk e di a do të jetë e mundur, por ftesa u bë dhe Papa u shpreh shumë i interesuar”, tha Rama.

Më tej, foli për debatin e madh të kohëve të fundit për pagat e gjyqtarëve.

“Pretendojnë se ne duam t’u ulim pagat dhe në një insistim krejt të pajustifikueshëm, thonë se pagat e tyre po ulen për shkak se pagat e të tjerëve po rriten. Ajo që kemi bërë me reformën në drejtësi, ka qenë shprehja e vullnetit të fortë edhe në drejtim të rritjes së pagave për gjyqtarët”, tha kreu i qeverisë, duke shtuar se “kështu u thye piramida e pagave”.

“Gjykatësit nuk mund të kenë një rritje pagash të përjetshme mbi të tjerët. Shpresoj që Kushtetuesja t’i vërë vulën njëherë e mirë këtij debati absurd që e dëmton besueshmërinë  e gjykatësve, padrejtësisht. Nuk janë të gjithë, janë një përfaqësi, që ka vajtur në Gjykatë Kushtetuese, ne jemi palë dhe kundër, fuqimisht kundër idesë, jo kundër tyre”, theksoi kryeministri.

“Shembull i parë i një budallallëku botëror”, e quajti vendimin e Kushtetueses për çështjen e Belinda Ballukut.

“Pavarësisht se qartësia është një luks i rrallë, që vështirë ta gjesh në turbullirën e 700 tenxhereve mediatike e politike, ministrja nuk akuzohet për korrupsion…

Ne do ta vazhdojmë këtë betejë, ku fatkeqësisht na mban akoma sot pafuqia e Kushtetueses për të marrë një vendim të thjeshtë, një vendim po aq të nevojshëm”, tha Rama, duke shtuar “se lajthitja e drejtësisë së re”, po krijojnë kosto për këtë shumicë qeverisëse.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese, nuk e gjeti forcën për të mos lejuar rimarrjen peng të qeverisë shqiptare.

“Gjykatësit nuk mund të kenë rritje të përjetshme pagash”, Rama: E ftova Papën që të vizitojë Shqipërinë…

By: A R
8 February 2026 at 09:44

Në podcastin e tij “Flasim”, si çdo ditë të fundit të javës, kryeministri Edi Rama foli për momentet më kyçe të javës politike.

Sot, 8 shkurt, u ndal fillimisht te vizita e tij në Vatikan, duke thënë se ishte me peshë të veçantë prezantimi i tij me Papa Leonin XIV.

“Një njeri me dritë dhe mirësi të thellë. Folëm për Shqipërinë, rajonin, botën dhe që e ftova të jetë i pranishëm në festën e madhe, për 130-vjetorin e shpalljes së Zojës së Këshillit të Mirë, mbrojtësja e Shqipërisë. Nuk e di a do të jetë e mundur, por ftesa u bë dhe Papa u shpreh shumë i interesuar”, tha Rama.

Më tej, foli për debatin e madh të kohëve të fundit për pagat e gjyqtarëve.

“Pretendojnë se ne duam t’u ulim pagat dhe në një insistim krejt të pajustifikueshëm, thonë se pagat e tyre po ulen për shkak se pagat e të tjerëve po rriten. Ajo që kemi bërë me reformën në drejtësi, ka qenë shprehja e vullnetit të fortë edhe në drejtim të rritjes së pagave për gjyqtarët”, tha kreu i qeverisë, duke shtuar se “kështu u thye piramida e pagave”.

“Gjykatësit nuk mund të kenë një rritje pagash të përjetshme mbi të tjerët. Shpresoj që Kushtetuesja t’i vërë vulën njëherë e mirë këtij debati absurd që e dëmton besueshmërinë e gjykatësve, padrejtësisht. Nuk janë të gjithë, janë një përfaqësi, që ka vajtur në Gjykatë Kushtetuese, ne jemi palë dhe kundër, fuqimisht kundër idesë, jo kundër tyre”, theksoi kryeministri.

“Duan më pak bashki”, deputeti i PD: Qeveria synon ndërhyrjen në pushtetin vendor

By: A R
8 February 2026 at 09:38

Reforma Territoriale ka rikthyer përplasjet politike në Kuvend duke hapur një debat të fortë mbi mënyrën se si do të riorganizohet pushteti vendor në Shqipëri.

Bledion Nallbani, deputet i Partisë Demokratike, i ftuar në studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN, u shpreh se mazhoranca synon ndërhyrjen në pushtetin vendor.

“Ne ende nuk e kemi filluar diskutimin teknik në komision. Kemi bërë vetëm një takim të përbashkët të komisionit të reformës. U diskutua përsa i përket pjesës së ekspertëve që do të ketë në mbështetje komisioni edhe gjithë stafit mbështetës. Kemi ditën e mërkurë një takim të komisionit të reformës, ku do të përcaktohen edhe nominalisht ekspertët, por edhe do të miratohet dhe plani i punës së reformës. Nuk kemi hyrë në diskutime teknike, nga ajo që kemi dëgjuar dhe që flitet në media nga ana e mazhorancës ata synojnë një pakësim të numrit të bashkive. Nga ana tjetër, me sa kam dëgjuar synojnë edhe një ndërhyrje në kompetencat dhe jo për mirë me sa kemi informacion, por nëqoftëse do duhet të ecnim, në fakt duhet të ecnim në decentralizimin e mëtejshëm të pushtetit vendor, me sa duket do vazhdojmë të kemi centralizim kompetencash, gjë që nuk ka si të jetë në interes të qytetarit”, tha Nallbati.

“Ajo që e ka shpallur kryeministri është se nuk kemi pse të kemi 61 bashki. Po flitet për 32. Ky është problem, që në Shqipëri jetohet edhe ky vend zhvillohet sipas fantazisë së Edi Ramës. Partia Demokratike nuk ka marrë pjesë në reformën e 2014, ka qenë kundër zvogëlimit të numrit të bashkive, ka qenë për një zvogëlim të numrit të përgjithshëm, sepse atëhere ishin edhe komunat. Ka pasur nevojë për një ndërhyrje, por jo atje ku e çoi mazhoranca në 61 bashki dhe ne jemi të bindur që ka nevojë për një riformatim edhe një ndërhyrje të fortë në kompetencë apo në kuadrin e decentralizimit, jo të centralizimit. Ne jemi për një numër më të madh bashkish, jo për një reformë siç u dizenjua. Ajo reformë nuk ishte një reformë administrative territoriale, por ishte një reformë mirëfilltazi politike. U dizajnuan kufijtë e bashkive me kalkulime të qarta elektorale”, shtoi deputeti demokrat.

❌
❌