Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 11 January 2026Main stream

15:30 Goli i 11-të sezonal, Muriqi nuk di të ndalet në Spanjë

By: Klara
11 January 2026 at 15:30

Vedat Muriqi, vazhdon të shënojë pa u ndalur në Spanjë, aty ku është pjesë e skuadrës së Mallorcas.

Sulmuesi i Kosovës, ka gjetur sërish rrugën e rrjetës në La Liga, ndaj Rayo Vallecano në transfertë. Në minutën e 30-të, Muriqi shfrytëzoi një krosim të Lato nga e majta dhe me kokë e dërgoi topin në fundin e rrjetës.

Vendasit kishin kaluar të parët në avantazh, ndërsa Mallorca barazoi me golin e Muriqit.

Ky është goli i 11-të në La Liga për 31-vjeçarin, duke konfirmuar formën e shkëlqyer në Spanjë, në 18 ndeshje të luajtura.

Sa i përket ndeshjes, Rayo Vallecano, me Ivan Balliun në fushë, të futur si zëvendësues, e ka mbyllur pjesën e parë në avantazh 2-1./KM

15:20 Sulme ruse gjatë natës në të gjithë Ukrainën/ 4 viktima dhe 20 të plagosur nga 150 dronë

By: Klara
11 January 2026 at 15:20

Rusia qëlloi më shumë se 150 dronë gjatë natës deri të dielën duke synuar vende në të gjithë Ukrainën.

Sulmi la të vrarë të paktën katër persona dhe plagosi 20 të tjerë.

Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se kanë kapur 125 dronë nga ajri, por konfirmuan se të paktën 25 dronë sulmues goditën objektivat e tyre.

Ata shtuan se breshëria e fundit e Moskës kishte në shënjestër kryesisht Kharkivin, Khersonin, Zaporizhzhian dhe Dnipropetrovskun, të cilët u shënjestruan edhe në sulmet e natës.

Zyrtarët lokalë në rajonin jugor të Zaporizhzhias thonë se sulmet kishin në shënjestër zonat e banimit dhe infrastrukturën energjetike.

Më shumë se 385,000 shtëpi u prekën nga ndërprerjet e energjisë elektrike, gazit ose ujit, në një kohë kritike ndërsa temperaturat ranë në 10 gradë Celsius./KM

15:10 Morën 40 mijë euro përmes mashtrimit/ 3 në pranga, 2 në kërkim, njërit i zbulohet dhomë kanabisi

By: Klara
11 January 2026 at 15:10

Last Updated on 11/01/2026 by Klara

Katër persona u vunë në pranga dhe dy të tjerë u shpallën në kërkim, pasi i morën një shtetasi te rrethrrotullimi i Rinasit 40 000 euro, duke e mashtruar nëpërmjet komunikimeve në një aplikacion se ishin të njohur të tij.

Njërit prej të arrestuarve iu zbulua një dhomë banese e përshtatur me pajisje elektrike për kultivim të bimëve narkotike.

Gjatë operacionit policor të koduar “Skema” u sekuestruan dhjetëra bimë Cannabisi, llamba dhe ventilatorë që shërbenin për kultivimin e tyre në ambiente të mbyllura, sasi Kokaine dhe Cannabisi, 4 celularë dhe 1 automjet tip “Audi Q5” me të cilin 5 shtetasit janë larguar pasi morën shumën e eurove.

Njoftimi:

Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posacme Operacionale në DVP Tiranë, Komisariatet e Policisë të  Kavajës dhe Divjakës, pas administrimit të kallëzimit nga një 55-vjeçar, se ishte mashtruar nga disa shtetas të panjohur prej tij, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Skema”, në kuadër të të cilit u identifikuan dhe u vunë në pranga shtetasit:

-K. T., 36 vjeç, banues në Divjakë, I. Gj., 24 vjeç, banues në Divjakë, A. L., 39 vjeç dhe E. Rr., 38 vjeç, banues në Kavajë. Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit E. B., 34 vjeç dhe L. M., 35 vjeç.

Shtetasit K. T, I. Gj, A. L, E. B dhe L. M, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në anë të mashtrimit duke iu prezantuar si i njohuri i tij, i kanë marrë shumë prej 40.000 euro një 55-vjeçari.

Në vijim, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit A. L, ku është gjetur dhe shtetasi E. Rr, është zbuluar një ambient i përshtatur me pajisje elektrike, për kultivim të bimëve narkotike.

Në kuadër të operacionit, shërbimet e Policisë kanë gjetur e sekuestruar dhjetëra bimë Cannabisi, pajisje (llamba dhe ventilatorë) që shërbenin për kultivimin e tyre në ambiente të mbyllura, sasi Kokaine dhe Cannabisi, 4 celularë dhe 1 automjet tip “Audi Q5”.

Punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./KM

15:00 Pse truri lodhet më shpejt nga informacioni negativ

By: Klara
11 January 2026 at 15:00

Psikologët kanë vënë re se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj lajmeve negative po shkakton lodhje mendore dhe ndjesi apatie. Ky fenomen po njihet si “news fatigue”.

Truri përpunon informacionin negativ më intensivisht, gjë që rrit stresin dhe ul përqendrimin. Kjo shpjegon pse shumë njerëz po kufizojnë konsumimin e lajmeve.

Ekspertët rekomandojnë pushime digjitale dhe balancim të përmbajtjes për të mbrojtur shëndetin mendor./KM

14:50 Ish-aktori i “High School Musical” bie në pranga, arrestohet për pornografi me fëmijë

By: Klara
11 January 2026 at 14:50

Ish-aktori i Disney-t, Matt Prokop, i njohur më së miri për rolin e tij në “High School Musical 3: Senior Year”, u arrestua nga autoritetet në Qarkun Victoria, Teksas.  34-vjeçari po mbahet në paraburgim pa lirim me kusht dhe përballet me akuza të shumta, përfshirë posedimin e pornografisë me fëmijë, sipas TMZ.

Matt Prokop u arrestua më 24 dhjetor 2025 dhe, siç konfirmohet nga autoritetet lokale, mbetet në paraburgim në burgun e qarkut. Përveç akuzës për posedim të pornografisë me fëmijë, i njëjti informacion thotë se ai përballet gjithashtu me një akuzë për rezistencë ndaj arrestimit dhe dy akuza për rezistencë ndaj arrestimit, kontrollit ose transportimit.

Mediat lokale (Crossroads Today) e lidhin arrestimin me një shkelje të dyshuar të kushteve të lirimit me kusht nga një çështje e mëparshme, pasi në maj 2024 ai u arrestua dhe u akuzua për sulm të rënduar dhe rezistencë ndaj arrestimit.

Matt ka qenë më parë në qender te mediave për akuzat për dhunë në familje nga ish-partnerja e tij, Sarah Hyland, një aktore në serialin televiziv “Modern Family”. Në vitin 2014, Hyland e akuzoi atë për abuzim verbal dhe fizik gjatë marrëdhënies së tyre pesëvjeçare, me dokumentet e gjykatës në atë kohë që pretendonin se ai e kishte shtyrë atë në një automjet dhe e kishte kapur për fyti gjatë një grindjeje. Pas ndarjes së tyre, ai gjithashtu bëri kërcënime të dhunshme, duke përfshirë kërcënimin për të vrarë qenin e saj dhe për t’i vënë flakën shtëpisë së saj./KM

14:40 Zjarr i madh në Argjentinë/ Digjen mbi 5,500 hektarë në provincën e Patagonisë

By: Klara
11 January 2026 at 14:40

Një zjarr i madh pyjor në Argjentinën jugore ka djegur më shumë se 5,500 hektarë, thanë autoritetet, ndërsa qindra zjarrfikës dhe vullnetarë luftuan për të kontrolluar flakët që kërcënonin komunitetet e vogla.

Zjarri shpërtheu të hënën në Puerto Patriada, rreth 1,700 km (1,050 milje) në jugperëndim të Buenos Aires në rajonin e Patagonisë, dhe që atëherë ka rrethuar Epuyen, një qytet me 2,000 banorë.

Gati 500 persona janë të vendosur, me përforcime që priten nga Kordoba dhe Kili.

Zjarret janë aktive në provinca të tjera të Patagonisë, duke përfshirë Neuquen, Rio Negro dhe Santa Cruz. Rajoni humbi 32,000 hektarë nga zjarret në fillim të vitit 2025./KM

14:20 Medikamenti anti-tumoral u ndalua të përdoret në BE/ Agjencia e Barnave në Shqipëri e miraton për t’u shitur në farmaci

By: Klara
11 January 2026 at 14:20

Alarmi evropian për ilaçin antitumorial Nilotinib Pharmascience, ka rënë në vesh të shurdhër në Shqipëri.

Kur shteti shqiptar aspiron të anëtarësohet në BE, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore i ka hapur rrugën e regjistrimit, medikamentit të pasigurtë të prodhuar në Maltë, i cili është ndaluar për përdorim nga vende të Bashkimit Europian.

Ishte Agjencia Europiane e Barnave që në maj të 2024 vendosi pezullimin e dhjetërave ilaçeve të klinikës indiane Synapse Labs, mes të cilave përfshihej edhe Nilotinib i Pharmascience, ku specifikohej në pikën 5 se për to nuk duhej vijuar procesi i regjistrimit, pasi informacioni klinik u vlerësua i pasaktë dhe janë hasur parregullsi serioze gjatë studimeve klinike me të dhëna jo të besueshme.

Në mbrojtje të shëndetit të popullatës, autoritetet rregullatore në Danimarkë, Spanjë, Francë e vende të tjera të BE pezulluan ose refuzuan regjistrimin e këtij medikamenti, pas dyshimeve shqetësuese mbi sigurinë e tij. Por për Agjencinë Kombëtare të Barnave në Shqipëri alerti i Agjencisë Europiane të Barnave nuk ishte i vetmi, pasi edhe analizat laboratorike në fazën fillestare rezultuan problematike pas aplikimit nga distributori shqiptar Megapharma, në pronësi të biznesmenit Rasim Hamzaraj dhe ndikimin e Klodian Allajbeut.

Përballë sinjaleve shqetësuese, AKBPM-në në shkelje të ligjit i dha dritën jeshile Megapharmës të ripërsëriste analizat, ndonëse qartazi nuk i kishte përmbushur kriteret laboratorike. Më konkretisht, sipas informacioneve, në qershor 2025, gjatë procesit të regjistrimit të Nilotinib nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKBPM), u konstatuan rezultate laboratorike të papranueshme për seritë: G0404C, dhe G0405C, që ndërprenë aplikimin.

Megjithatë, në tetor 2025, për arsye të paqarta dhe pa u marrë në konsideratë: rezultatet laboratorike negative, vendimet detyruese të Agjencisë Europiane të Barnave, AKBPM zëvendësoi mostrat fillestare me mostra të tjera dhe ri-aktivizoi aplikimin.

“Rezultatet analitike kanë qenë në përputhje me specifikimet e miratuara për të gjithë parametrat e testuar, me përjashtim të parametrit të disolucionit. Është e rëndësishme të theksohet se metodika e analizimit të disolucionit për lëndën aktive Nilotinib nuk është e përshkruar në Farmakopenë Europiane, pra jemi në kushtet e një metodike in-house të zhvilluar nga prodhuesi dhe me ndjeshmëri shumë të lartë. Duke qenë para këtij fakti, Agjencia ka ndërprerë procedurën e autorizimit të tregtimit deri në sqarimin e kësaj problematike.

Gjithashtu AKBPM ka komunikuar me Agjencinë Hungareze, si vendi referent ku është i autorizuar dhe qarkullon ky bar.  Agjencia Hungareze ka pezulluar përkohësisht lotet e barit të analizuara nga AKBPM të cilat pasi janë analizuar nga Laboratori i tyre kanë rezultuar brenda specifikimeve. Pavarësisht vendimit, është e justifikueshme të kërkohen mostra të reja për të përsëritur procedurat analitike për të 2(dy) formëdozat e sipërpërmendura”, thuhen në informacioni e AKBPM.

Akoma më shqetësues është fakti se, sipas një përgjigjeje zyrtare të AKBPM-së, për Nilotinib Pharmascience të përfaqësuar në Shqipëri nga Megapharma është aplikuar një trajtim lehtësues, ndërsa aplikimi për të njëjtin medikament (Nilotinib) nga kompania Zentiva është refuzuar. Ky standard i dyfishtë administrativ ngre dyshime serioze për shkelje të parimit të barazisë para ligjit dhe favorizim selektiv të interesave private.

“Laboratori i Kontrollit raportoi rezultate të ngjashme për parametrin e disolucionit të Nilotinib Zenetiva. Në vijim, kompania u njoftua për refuzimin e aplikimit. Paralelisht, për këtë çështje u informua edhe Agjencia Rumune e Barnave, e cila deri më sot nuk ka përcjellë një qëndrim zyrtar lidhur me produktin në fjalë, ndryshe nga Agjencia Hungareze e Barnave e cila ka dhënë një përgjigje zyrtare”, thuhet në dokument.

 Dyshimet thellohen edhe më tej. Burime zbulojnë se AKBPM ka modifikuar metodën e analizës laboratorike, pasi edhe mostrat zëvendësuese nuk përmbushnin kriteret e disolucionit, test kyç për të vërtetuar se medikamenti çliron lëndën aktive në organizëm në mënyrë të sigurt dhe efektive. Ndonëse në përgjigje të kërkesës për informacion AKBPM deklaron se këto medikamente nuk janë ende të autorizuara për tregtim në Shqipëri.

Në një deklaratë zyrtare të publikuar më 30 dhjetor 2025, AKBPM deklaron se këto medikamente nuk janë ende të autorizuara për tregtim në Republikën e Shqipërisë. Por, sipas infomacioneve të marra nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Nilotinib është autorizuar për tregtim pikërisht në të njëjtën datë, duke ngritur dyshime serioze për transparencën dhe vërtetësinë e informacionit zyrtar të publikuar nga institucioni.

Interesit mediatik se përse janë mbajtur dy qëndrime të ndryshme për të njëjtin ilac të paraqitura nga operatorë të ndryshëm, dhe nëse është marr në konsiderate përfshirja e një laboratori tjetër ndërkombëtar të pavarur për të verifikuar saktësinë e analizave, morëm një përgjigje pa përgjigje.

“Sa i përket trajtimit administrativ të aplikimeve të ndryshme për të njëjtin produkt, çdo aplikim shqyrtohet në përputhje me kërkesat e Ligjit105/2014 “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik””.

Në këtë situatë, na mbetet të bëjmë sërish pyetje këtë herë publikisht që kërkojnë përgjigje urgjente: Përse të dhënat laboratorike janë “lehtësuar”, relativizuar apo rishikuar vetëm për një kompani të caktuar, ndërkohë që aplikimi i Zentivas është refuzuar pa asnjë mundësi korrigjimi apo trajtimi të barabartë?

Cili është kriteri objektiv, teknik apo ligjor që justifikon këtë diferencim ekstrem në vendimmarrje? A ekzistojnë kontakte, ndikime apo interesa të jashtme që kanë orientuar AKBPM-në drejt një trajtimi preferencial për Pharmascience / Megapharma? Interesat e kujt është e detyruar të mbrojë ky institucion: interesin publik dhe sigurinë e pacientëve apo interesat e industrisë farmaceutike?/KM

13:50 Aktori turk Can Yaman lirohet nga burgu pasi u arrestua nga një operacion antidrogë, personazhe të tjerë të famshëm nën hetim!

By: Klara
11 January 2026 at 13:50

Kanabis, kokainë, marihuanë, pilula të ndryshme, mbetje lëngjesh të panjohura, një peshore precize dhe municione të ndryshme. Dhe madje edhe një dhomë sekrete, me shumë gjasa e përdorur për prostitucion, ku dyshohet se janë bërë regjistrime për qëllime shantazhi. Policia turke bastisi disa klube nate në metropol të premten në mbrëmje, si dhe hotelin Bebek, një hotel luksoz në Bosfor në anën evropiane të qytetit, pronari i të cilit, producenti Muzaffer Yıldırım, ishte arrestuar tashmë ditët e fundit.

Hetimi, i kryer nga Zyra Kundër Kontrabandës, Narkotikëve dhe Krimeve Financiare e Prokurorisë së Përgjithshme të Stambollit, ka vazhduar në valë që nga fundi i tetorit, me bastisje në klube nate, hotele dhe biznese të tjera në Stamboll, si dhe operacione në Izmir, Denizli dhe Muğla. Midis të arrestuarve janë biznesmenë dhe menaxherë klubesh nate, modele dhe personazhe të famshëm, ndikues në mediat sociale, gazetarë dhe personalitete televizive, siç është ish-menaxheri i Habertürk, Mehmet Akif Ersoy, si dhe presidenti i Klubit Sportiv Fenerbahçe, Sadettin Saran, i cili u lirua me kusht pasi u mor në paraburgim dhe i ka mohuar të gjitha akuzat.

Dje, përveç aktorit Can Yaman , i njohur gjithashtu për audiencën italiane për rolet e tij në seriale televizive të njohura, siç është ribërja e fundit e “Sandokan”, u arrestuan gjashtë persona të tjerë shumë të njohur në Turqi, përfshirë Selen Görgüzel, 46 vjeç, një ndjekëse e rregullt në emisione televizive dhe eventesh ku i pëlqen të shprehë mendimin e saj me forcë, por edhe një këngëtare pop dhe performuese në klubet më ekskluzive të Stambollit, dhe një numër të madh ndjekësish në mediat sociale (ajo ka një milion ndjekës në Instagram). Gjithashtu të arrestuara janë Nilüfer Batur Tokgöz, 46 vjeç, një ish-prezantuese televizive; dhe Ayse Saglam, një shkrimtare dhe kritike letrare. Akuzat janë të rënda: posedim droge ose stimuluesish për përdorim personal, lehtësim i përdorimit të drogës dhe inkurajim i një personi për t’u angazhuar në prostitucion, si dhe ofrim i një vendi për prostitucion.

Hetimi deri më tani ka çuar në arrestimin e 36 personave, me 26 të dyshuar të kërkuar në arrati, të cilët me shumë gjasa janë arratisur jashtë vendit: Kasım Garipoglu, djali i Hayyam Garipoglu, kryetarit të bordit të Grupit Garipoglu, dhe Mert Vidinli, një person me ndikim i njohur për miqësinë me shumë personazhe të famshëm. Autoritetet kanë urdhëruar gjithashtu sekuestrimin e aseteve të shtatë individëve të dyshuar për përfshirje në pastrim parash.

Në qendër të hetimit janë Hoteli Bebek dhe vila e Kasım Garipoglu, ku dyshohet se mbaheshin festa droge me personazhe të famshëm.

Të premten në mbrëmje, 200 oficerë policie kontrolluan me imtësi hotelin luksoz në Bosfor, duke zbuluar një dhomë sekrete ku dyshohet se konsumohej drogë dhe zhvilloheshin takime seksuale me prostituta, të gjitha nën syrin vigjilent të kamerave sekrete që dyshohet se regjistronin gjithçka për shantazh. Dhoma me sa duket nuk ishte gjetur në kontrollet e mëparshme, por këtë herë u krye një kontroll shumë i plotë, duke mbuluar çdo zonë të hotelit. Gazetarja Merve Tokaz raportoi incidentin drejtpërdrejt në CNN Türk. “Për çfarë shërbente kjo dhomë sekrete? Kush hyri në të? Çfarë krimesh u kryen? Kush i bëri regjistrimet dhe për çfarë qëllimi? A po shantazhohej dikush?” pyeti prezantuesi i lajmeve Nihat Uludağ.

Përgjigjet e këtyre pyetjeve do të duhet të jepen në fazën tjetër të hetimit. Dje, hetuesit heshtën dhe as nuk dhanë detaje mbi vendndodhjen e dhomës. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Stambollit lëshoi ​​vetëm një deklaratë: “Si pjesë e hetimit, shtatë të dyshuar janë arrestuar, të cilët janë mbajtur përgjegjës për krimet e posedimit të narkotikëve për përdorim personal, lehtësimit të përdorimit të drogës dhe nxitjes, lehtësimit ose ofrimit të ambienteve për prostitucion. Hetimi është duke vazhduar.”/K.M

13:40 Skandal me pagat në QSUT/ Punonjësit ende në pritje për pagesën e dhjetorit

By: Klara
11 January 2026 at 13:40

Punonjësit e personelit shëndetësor të QSUT-së, përfshirë mjekë, infermierë, sanitarë dhe personelin përgjegjës, nuk kanë marrë ende pagën e muajit dhjetor 2025.

Pavarësisht se vazhduan punën gjatë festave të fundvitit dhe punojnë në periudha emergjencash civile, ende nuk u është paguar muaji i kaluar i punës, teksa sot kalendari shënon 11 Janar.

Ky problem prek gjithë shërbimin e QSUT-së, dhe sipas informacioneve, mungesa e pagave shtrihet edhe në spitalet e tjera të vendit.

Punonjësit shëndetësorë kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për zgjidhjen e situatës dhe apelojnë për vëmendje dhe reagim publik, duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të të drejtave të tyre financiare, sidomos në një sektor kaq të rëndësishëm si ai shëndetësor./K.M

13:30 Një boksier, një shofer kamioni dhe një artist/ Qindra protestues të vrarë në Iran

By: Klara
11 January 2026 at 13:30

Mbi 100 protestues janë vrarë si pasojë e shtypjes brutale të protestuesve nga Qeveria gjatë demonstratave të vazhdueshme mbarëkombëtare kundër pushtetit klerikal të Iranit.

Radio Farda e Radios Evropa e Lirë (REL) ka verifikuar vdekjen e 25 protestuesve deri më 9 janar, përfshirë pesë të mitur, megjithëse besohet se numri i vërtetë i viktimave është më i lartë.

Demonstratat shpërthyen në pazaret e kryeqytetit, Teheran, më 28 dhjetor. Prej atëherë, ato janë përhapur në dhjetëra qytete dhe qyteza në gjithë vendin me rreth 92 milionë banorë.

Më shumë se gjysma e vdekjeve të verifikuara nga REL-i kanë ndodhur në provincat perëndimore Lorestan, Ilam dhe Kermanshah.

Këto tri provinca të varfra janë shtëpi e pakicave etnike dhe janë goditur rëndë nga përkeqësimi i krizës ekonomike të Iranit, duke i nxitur demonstratat.

Shumica dërrmuese e protestuesve të vrarë janë burra të rinj dhe shumica vdiqën nga plagët e shkaktuara nga armët e zjarrit. Forcat iraniane kanë përdorur taktika të ashpra, përfshirë qëllimin në drejtim të turmave të protestuesve.

Praktikanti ligjor

Të paktën shtatë protestues janë vrarë në Lorestan, shtëpia e grupit etnik lor. Pesë u vranë vetëm në qytetin e vogël Azna.

Mes tyre ishte Ahmad Reza Amani, 28 vjeç, praktikant në shoqatën vendëse të avokatëve. Ai u qëllua për vdekje nga forcat e sigurisë gjatë një proteste më 1 janar.

Mustafa Fallahi, 15 vjeç, u vra gjithashtu gjatë demonstratës në Azna. Një tjetër adoleshent, Taha Safari 16 vjeç, u qëllua dhe më pas vdiq nga plagët.

Amir Hossam Khodayarifard u vra nga forcat e sigurisë gjatë një proteste në qytetin Kohdasht të Lorestanit më 1 janar. Dega lokale e Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) tha se Khodayarifard ishte anëtar i forcës paramilitare Basij, një pretendim i hedhur poshtë nga familja e tij.

Ahad Ebrahimi është një tjetër protestues i vrarë në Lorestan. Ai u qëllua për vdekje gjatë një proteste në qytetin Noorabad më 1 janar.

Badibuillderi dhe boksieri

Dhjetëra protestues u mblodhën më 3 janar pranë një ndërtese dykatëshe të përdorur nga IRGC-ja në qytetin Malekshahi të provincës Ilam. Ndërsa demonstruesit brohorisnin slogane kundër pushtetit dhe hidhnin gurë drejt ndërtesës, anëtarët e IRGC-së u ngjitën në çati dhe hapën zjarr mbi turmën.

Pesë njerëz u vranë në një nga incidentet më vdekjeprurëse që nga shpërthimi i protestave.

Fares Aghamohammadi, Mehdi Emamipur dhe Latif Karimi ishin ndër të qëlluarit për vdekje. Karimi ishte një ish-anëtar i IRGC-së, i cili u qëllua pasi u bëri thirrje forcave të sigurisë të mos qëllonin mbi protestuesit, sipas djalit të tij. Familjarët e tij i thanë Radios Farda se ai ishte mes protestuesve.

Reza Azimzadeh, 27 vjeç, badibuillder, ishte një tjetër protestues i vrarë më 3 janar në Malekshahi. Një sportist tjetër, boksieri Mohammad Reza Karami, u plagos gjatë protestës dhe më pas vdiq në spital.

Shoferi i kamionit

Tre protestues u vranë në provincën Kermanshah më 3 janar. Mes tyre ishin vëllezërit Rasul dhe Reza Kadivorian, të dy punëtorë ndërtimi.

Më i madhi, Reza 20 vjeç, u qëllua për vdekje gjatë protestës. Vëllai i tij, Rasul 17 vjeç, u qëllua dhe u plagos, por më vonë vdiq në spital.

Në qarkun Haris të Kermanshahut, një shofer kamioni 42-vjeçar u vra gjatë një proteste më 2 janar. Autoritetet pretenduan se Ali Azizi ishte anëtar i IRGC-së, një pretendim i mohuar nga familja e tij.

Trajneri i futsallit

Në provincën jugore Fars, Khodadad Shirvani-Manfard, u qëllua në kokë nga afër gjatë protestave më 1 janar në qytetin Marvdasht.

Të afërmit e 33-vjeçarit i thanë Radios Farda se ai u vra pranë një stacioni policor. Video të publikuara në rrjetet sociale treguan protestuesit duke e bartur trupin e tij.

Dy të tjerë – përfshirë Amir Mohammad Kohkan, 26 vjeç, trajner futsalli, dhe Mansur Mokhtari – u qëlluan për vdekje nga forcat e sigurisë në Marvdasht. Të afërmit e Kohkan i thanë Radios Farda se ai vdiq nga një plagë plumbi në kraharor.

Artisti i hip-hopit

Të paktën katër persona janë vrarë në provincën jugperëndimore Chaharmahal dhe Bakhtiari. Mes tyre janë Sajjad Valamanesh Zeilaei, 20 vjeç, dhe Ahmad Jalil, 21 vjeç, të dy të vrarë gjatë një tubimi në qytetin Lordegan më 1 janar.

Soroush Soleimani, 28 vjeç, i cili thuhej se ishte artist hip-hopi, u qëllua për vdekje më 4 janar gjatë protestave në Hafeshjan. Video treguan protestues duke i vënë flakën një ndërtese në qytet.

Pronari i dyqanit

Qyteti i shenjtë shiit i Qomit ka përjetuar disa protesta që janë shndërruar në vdekjeprurëse.

Hossein Rabiei vdiq pasi pësoi plagë plumbi në kraharor. Një zyrtar lokal në Qom tha se 34-vjeçari, pronar dyqani, vdiq pasi shpërtheu një granatë dore që ai po mbante. Ky pretendim është hedhur poshtë nga familja e tij.

Mohammad Nuri vdiq në Qom më 2 janar. Të afërmit e tij thanë se ai u qëllua në kraharor.

Në provincën qendrore Isfahan, Dariush Ansari Bakhtiarvand u vra gjatë një proteste në qytetin Foladshahr më 1 janar. Pamje të trupit të tij të pajetë në një spital janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale.

Policia ka pretenduar se 37-vjeçari u vra pas një përleshjeje me persona të panjohur, por të afërmit e tij thanë se ai u ndoq dhe u vra nga oficerë të sigurisë pasi kishte marrë pjesë në protestën në Foladshahr./ K.M

13:20 Ndryshime në drejtimin e policisë, kreu i DVP Durrës pritet të kalojë në Korçë

By: Klara
11 January 2026 at 13:20

Drejtori i Policisë së Durrësit, Vilson Bala, pritet të transferohet në qytetin e Korçës.

Mësohet se tashmë është bërë propozimi zyrtar për transferimin e Balës, ndërsa pritet firmosja e urdhrit përkatës nga autoritetet kompetente.

Vilson Bala aktualisht mban postin e drejtuesit të Policisë së Durrësit, ndërsa më herët, ai ka mbajtur edhe detyrën e shefit të Operacionales.
Ende nuk ka një njoftim zyrtar mbi emrin e pasardhësit të tij në Durrës, ndërsa pritet që në ditët në vijim Policia e Shtetit të konfirmojë zyrtarisht transferimin dhe emërimet e reja./K.M

13:10 Semani del nga shtrati, përmbytje në fshatin Mbrostar, banorët kërkojnë ndihmë nga shteti

By: Klara
11 January 2026 at 13:10

Lumi Seman ka dalë nga shtrati në fshatin Mbrostar, duke shkaktuar përmbytje dhe dëme të konsiderueshme në zonë. Si pasojë e rritjes së nivelit të ujit, janë përmbytur stalla bagëtish dhe pulari.

Në zonën e prekur ka qenë i pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili ka zhvilluar takime me fermerët e dëmtuar. Banorët kanë shprehur shqetësimin për situatën dhe kanë kërkuar ndihmë urgjente nga shteti për nxjerrjen e bagëtive nga uji dhe për minimizimin e dëmeve të mëtejshme.

Autoritetet po monitorojnë situatën, ndërsa pritet angazhimi i strukturave përkatëse për ndërhyrje në terren dhe mbështetje të fermerëve të prekur nga përmbytjet./K.M

13:00 Telefonat pa aplikacione, koncepti që sfidon smartphonët

By: Klara
11 January 2026 at 13:00

Një rrymë e re teknologjike po promovon telefona minimalistë, pa aplikacione sociale dhe pa shpërqendrime. Këto pajisje synojnë rikthimin e fokusit dhe reduktimin e varësisë digjitale.

Prodhuesit e këtyre pajisjeve raportojnë rritje të interesit, veçanërisht nga profesionistë dhe studentë që kërkojnë përqendrim maksimal. Funksionet bazë si thirrjet dhe mesazhet mbeten prioritet.

Ky koncept po hap debat mbi mënyrën se si teknologjia duhet t’i shërbejë njeriut, dhe jo ta kontrollojë atë./KM

12:50 “Viti i kthesës për pensionet”/ Rama: Janarin e ardhshëm marrin dyfishin e shtesës

By: Klara
11 January 2026 at 12:50

Kryeministri Edi Rama, në episodin e sotëm të podcastit “Flasim” u ndal gjerësisht te politikat për pensionet.

Rama deklaroi se sipas kategorive përkatëse, pensionistët që prej këtij janari përfitojnë një rritje, që çdo janar do të dyfishohet.

“Ashtu siç u zotuam në fushatën e 83 mandateve dhe siç ngritëm 83 kartona të gjelbër në Kuvend pro rritjes graduale të pensioneve gjatë këtij mandati historik, tanimë e kemi nisur kthesën. Sipas kategorive përkatëse, pensionistët që prej këtij janari përfitojnë një rritje, që çdo janar do të dyfishohet. Pra janarin e ardhshëm do të marrin dyfishin e shtesës së këtij janari. Janarin pas tij, trefishin e shtesës së këtij janari, pastaj katërfishin e këtij janari dhe në Shqipërinë 2030 do të ndalet ky progresion tek pesëfishimi i shtesës së mirëseardhur të janarit të këtij viti.

Kjo kthesë është një çlirim i madh për mua. U deshën vite reformash, u desh një përpjekje e madhe për rritje ekonomike, u desh një përmirësim rrënjësor në mbledhjen dhe administrimin e të ardhurave, u desh shumëçka që të vinim në pikën ku një Shqipëri tjetër nga ajo e dhjetë viteve më parë, të bëhej vendi i rritjes së pensioneve, pa minuar themelet e stabilitetit financiar të shtëpisë sonë të përbashkët.

Unë e di se si i kam shtrënguar dhëmbët për të bërë durim, se si ndihesha se si sikletosesha, se si mezi i nxirrja fjalët kur thosha s’ka mundësi, nuk kemi lekë për ta bërë, s’është e mundur, duhet fillimisht të rrisim mundësitë e shtetit, s’e bëjmë dot se nuk mund të minojmë shtëpinë, ku rriten fëmijët tanë… E pra duruam, por më në fund erdhëm në këtë pikë, sepse punuam çdo ditë për kthesën që sapo ka nisur dhe më e mira është e gjitha përpara për gjyshet dhe gjyshërit e këtij vendi”,-deklaroi Rama./K.M

12:40 Ushtronin prostitucion në Elbasan/ Arrestohen në flagrancë 3 shtetase kolumbiane

By: Klara
11 January 2026 at 12:40

Arrestohen në flagrancë 3 shtetase kolumbiane që ushtronin prostitucion në 2 apartamente në qytetin e Elbasanit.

Vënia në pranga e shtetaseve D. P., 20-vjeç, D. M., 18-vjeç, J. D., 34-vjeç, u krye në përfundim të, operacionit policor të koduar “Transit”.

U procedua penalisht në gjendje të lirë pronarja e apartamentit.

Gjatë operacionit u sekuestruan shuma parash të valutave të ndryshme, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme, dokumente identifikimi dhe celularë.

Njoftimi:

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve i DVP Elbasan, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale, si rezultat i hetimeve intensive të kryera me metoda speciale, në drejtimin e Prokurorisë, finalizuan operacionin e koduar “Transit”.

Nga hetimet u provua se në dy apartamente në qytetin e Elbasanit ushtrohej prostitucion nga shtetase të huaja, të cilat kontaktonin klientët nëpërmjet faqeve në internet.

Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë shtetaset:

D. P., 20 vjeçe, D. M., 18 vjeçe, J. D., 34 vjeçe, të treja shtetase kolumbiane, për veprën penale “Prostitucioni”.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen M. J., 34 vjeçe, pronare e apartamentit ku kryhej aktiviteti i paligjshëm, për veprën penale “Mbajtja e ambienteve për prostitucion”.

Gjatë kontrollit në ambientet e ushtrimit të kësaj veprimtarie të paligjshme, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma parash të valutave të ndryshme, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari, celularë dhe dokumente të ndryshme. 

Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.   

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme./K.M

11:50 Roma merr fitoren e dytë radhazi, kryeqytetasit nuk falin në shtëpi

By: Klara
11 January 2026 at 11:50

Roma regjistroi fitoren e dytë radhazi në Serinë A, pasi mposhti 2-0 Sassuolon, në duelin e javës së 20-të.

Pas pjesës së parë të mbyllur pa gola, verdhekuqtë reaguan në të dytën. Kone zhbllokoi takimin në minutën e 76-të, ndërsa Soule vulosi fitoren me golin e dytë tre minuta më vonë.

Sukses i rëndësishëm për kryeqytetasit, që ngjiten në vendin e tretë me 38 pikë.

Sassuolo regjistron humbjen e tretë në pesë ndeshjet e fundit dhe mban vendin e 12-të me 23 pikë të grumbulluara./KM

11:40 “Ziejnë 700 tenxheret politike”/ Rama për përmbytjet: Rezultat i ndryshimeve klimatike

By: Klara
11 January 2026 at 11:40

Kryeministri Edi Rama i cilësoi sot përmbytjet e ndodhura gjatë ditëve të fundit në vend si një fenomen të krijuar nga ndryshimet e shumta klimatike.

Në fjalën e tij në podcastin “Flasim”, Rama deklaroi se prekja nga uji e 13,160 hektarëve të është një ngushëllim i madh krahasuar me 10 vite më parë.

“Kjo javë ka qenë tejet e ngarkuar me reshje e me dëborë, një gjendje atmosferike e zgjatur dhe e rëndë, e cila nuk ka prekur thjesht Shqipërinë për ndonjë arsye të lidhur me vendin tonë, nga ato arsyet që ziejnë në 700 tenxheret politike mediatike të mexhelisit shqiptar, por ka prekur një hartë të tërë nga Italia në Greqi, nga Mali i Zi në Kosovë e deri lart në Serbi, në Kroaci, e nga Maqedonia e Veriut e deri në Turqi, ku Stambolli përjetoi një situatë filmash apokaliptikë, ku i njëjti i ftohtë, i njëjti shi, e njëjta dëborë e të njëjtat përmbytje e bllokime, kanë krijuar të njëjtën situatë psikologjike për njerëzit.

Një masë ajri e ftohtë nga veriu është përplasur me ajër të ngrohtë e të lagësht nga Mesdheu, dhe ka krijuar pikërisht këtë vorbull atmosferike mbi Evropën Juglindore, duke sjellë reshje të vazhdueshme dhe temperatura të ulëta.

Prandaj edhe lumenjtë rriten përsëri para se të bien. Prandaj edhe toka mbetet e ngopur me ujë. Prandaj edhe reshjet e shiut e të dëborës marrin përmasa anormale.

Ndryshimi klimatik nuk do të thotë vetëm vera më të nxehta, por do të thotë stinë të çrregullta, sisteme atmosferike të ngadalta, ku nuk ka qarkullim normal të këtyre flukseve, prandaj edhe krijohen vorbulla dhe pastaj të papriturat e një moti  më ekstrem e më këmbëngulës në atë ekstremitetin e vet.

Më shumë thatësira e më shumë zjarre, më shumë vorbulla atmosferike e më shumë përmbytje, është tashmë një kuadrat i ri i klimës ku jetojmë, e cila nuk është më klima ku jemi rritur.

Por, unë jam shumë krenar për faktin se në çdo situatë emergjence, ne jemi më të gatshëm, më të përgatitur, më efikasë, falë investimeve masive që kemi bërë gjatë kësaj dekade, rreth çerek miliardë euro në infrastrukturën e kullimit e të mbrojtjes, si edhe falë investimit në strukturën e Emergjencave Civile, që sot kanë skuadra të stërvitura, pajisje bashkëkohore e çdo vit më shumë mjete.

Një fakt: Të dalësh nga kjo vorbull atmosferike me vetëm 13 mijë e 160 hektarë të mbuluara nga uji, është realisht një ngushëllim shumë i madh dhe një tregues se jetojmë në një Shqipëri tjetër, sepse kjo vorbull deri 10 vjet më parë do kishte përmbytur e papenguar dy apo trefishin e kësaj sipërfaqeje, sikundër edhe ka ndodhur”,-u shpreh Rama./KM

11:30 Reshje bore, bllokohet aksi Krujë–Qafë Shtamë, izolohen disa fshatra

By: Klara
11 January 2026 at 11:30

Reshjet e dëborës gjatë orëve të natës në Malësinë e Krujës kanë sjellë probleme në qarkullim, duke bërë që niveli i dëborës të arrijë në mbi 25 centimetra. Si pasojë, aksi rrugor Krujë–Qafë Shtamë është bllokuar, ndërsa disa fshatra të zonës kanë mbetur të izoluara.

Autoritetet lokale po monitorojnë situatën dhe pritet ndërhyrja e mjeteve borëpastruese për normalizimin e qarkullimit, sapo kushtet e motit ta lejojnë.

Deri më tani nuk raportohet për problematika të tjera, ndërsa banorët janë këshilluar të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes për shkak të kushteve të vështira atmosferike./KM

11:20 Rrëzohet avioni privat në Kolumbi, humbin jetën gjashtë persona, mes tyre edhe këngëtari i njohur

By: Klara
11 January 2026 at 11:20

Gjashtë persona kanë humbur jetën në një aksident ajror në Kolumbinë qendrore . Midis viktimave ishte këngëtari 34-vjeçar kolumbian Jason Jimenez, i cili ishte jashtëzakonisht i njohur në atdheun e tij dhe në vende të tjera të Amerikës Latine.

“Nuk ka të mbijetuar”, tha për Radion Caracol, koloneli Alvaro Bello i agjencisë kolumbiane të aviacionit civil.

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

Aeroplani privat u rrëzua pranë aeroportit Paipa gjatë rrugës për në Medellin, në veriperëndim të Kolumbisë, sipas Ministrisë së Transportit.

Videot e postuara në platformat e mediave sociale tregojnë momentin kur avioni përplaset në një fushë dhe shpërthen në flakë./KM

11:10 “Ti nuk do të jesh kurrë vetëm”, Rama për përmbytjet: Kemi gati planin për dëmshpërblimet e familjeve të prekura

By: Klara
11 January 2026 at 11:10

Kryeministri Edi Rama ka nisur episodin e radhës të podcastit “Flasim”, ku deklaroi se plani për shpërndarjen e dëmshpërblimeve për familjet e prekura nga përmbytjet është tashmë gati dhe se qeveria do të qëndrojë pranë çdo qytetari të goditur nga fatkeqësitë natyrore.

Kreu i qeverisë nënvizoi se puna e institucioneve nuk përfundon me përmirësimin e kushteve të motit, por do të vijojë me riparimin e dëmeve në infrastrukturë dhe kompensimin e plotë të familjeve të prekura. Ai bëri me dije se ekipet e verifikimit janë në terren që nga dita e parë, ndërsa Ministria e Financave ka përgatitur tashmë të gjithë planin me skenarët e dëmshpërblimit.

Duke iu referuar së kaluarës, kryeministri kujtoi borxhet e trashëguara nga përmbytjet në zonën e Shkodrës, të cilat sipas tij u shlyen plotësisht nga qeveria aktuale.

 

“Ti nuk do të jesh kurrë vetëm”. Kjo është motoja ime dhe e jona sa herë fatkeqësi të ndryshme godasin vendin e njerëzit, që nga tërmeti shkatërrues i mijëra e mijëra shtëpive e deri tek sikleti rrënues i një familjeje të goditur nga uji, zjarri apo nga ndonjë fatkeqësi tjetër.

Dhe dua t’u përcjell përsëri, të dëmtuarve nga kjo goditje e fatkeqësisë kësaj here, se ne do t’i qëndrojmë me të njëjtin dinjitet njerëzor, shtetëror dhe politik çdo detyrimi ndaj tyre, qoftë për banesat, qoftë për gjënë e gjallë.

Puna jonë intensive nuk mbyllet me përmirësimin e situatës së motit, por do të vazhdojë me riparimin e dëmeve në infrastrukturë dhe të çdo dëmi në familjet e prekura nga uji. Ekipet tona të verifikimeve janë në terren që nga dita e parë, ndërkohë që Ministria e Financave e ka të përgatitur tanimë të gjithë planin me skenarët e dëmshpërblimit. Presim rezultatin përfundimtar të verifikimeve për të kaluar në fazën e dëmshpërblimeve.

E mos harroni, kur ne erdhëm në qeveri, në malin e borxheve që na lanë trashëgim aleatët e sotëm të fatkeqësive, ishin edhe dy kodra të larta borxhesh nga përmbytjet e zonës së Shkodrës.

Ne i shlyem një më një ato borxhe për ata njerëz dhe nuk kemi hyrë më në asnjë borxh të kësaj natyre me njerëzit e këtij vendi, sepse erdhëm për të ndërtuar një Shqipëri tjetër dhe kjo është Shqipëria tjetër, që nuk i le vetëm njerëzit e saj. Kurrë më!”, tha ai./KM

❌
❌