Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 7 January 2026Main stream

08:40 SPAK kërkoi lejimin e arrestimit të Ballukut, BIRN: Zvarritja pa afat e mbledhjes për zëvendës kryeministren, precedent i rrezikshëm

By: Klara
7 January 2026 at 08:40

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi refuzoi për të disatën herë kërkesën e opozitës për mbledhjen e Këshillit të Mandateve për çështjen Balluku, sjellje që sipas ekspertëve të ligjit, bie ndesh me frymën e Rregullores dhe cenon parimin kushtetues të barazisë para ligjit.

Deputetët e Partisë Demokratike, anëtarë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ngjitën më kot të martën shkallët e Kryesisë së Kuvendit në pritje për të zhvilluar mbledhjen e kërkuar prej tyre për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku.

Kërkesa e tyre u refuzua për herë të tretë nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.

Peleshi nuk iu përgjigj të martën pyetjeve të BIRN mbi arsyet e shtyrjes pa afat të thirrjes së Këshillit që prej mbledhjes së vetme të zhvilluar më 19 dhjetor, ndërkohë që një këshilltar i tij referoi një përgjigje zyrtare të dhënë prej tij më datë 24 dhjetor për anëtarët e opozitës.

Në këtë letër, Peleshi e justifikonte refuzimin për thirrjen e mbledhjes me kërkesën e mbrojtjes së Ballukut për 3 javë kohë për t’u njohur me dokumentacionin përkatës në mënyrë që të zhvillohej një proces i rregullt ligjor.

“Për sa kohë ky proces nuk është përmbyllur dhe palët nuk janë pajisur realisht me kohën e nevojshme për ushtrimin e kësaj të drejte, nuk plotësohen kushtet procedurale për caktimin e një date të re mbledhjeje,” shkruan kreu i Kuvendit në përgjigje.

Opozita e hedh poshtë argumentin e Peleshit dhe e akuzon këtë të fundit se me refuzimin për të mbledhur Këshillin po kryen vepër penale.

“Sot përfundoi edhe afati 3 javë që iu dha Ballukut. Duke nisur nga nesër, çdo sekondë vonesë nënkupton shpërdorim detyre nga Peleshi,” deklaroi të martën kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi.

Dhënia e autorizimit për caktimin e një mase sigurie ndaj deputetit parashikohet në nenin 118 të Rregullores së Parlamentit, pa afate të qarta për shyrtimin paraprak. Sipas këtij neni, kryetari i Kuvendit është i detyruar që t’u kalojë anëtarëve të Këshillit dhe deputetit në fjalë kërkesën e Prokurorisë dhe dokumentet shoqëruese, ndërkohë që i bën të ditur këtij të fundit koha në të cilën Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të fillojë shqyrtimin e kërkesës.

Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli brenda 2 javëve harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit dhe shqyrtimi i kësaj kërkese vendoset si pikë e parë e rendit të ditës në seancën pasardhëse.

Sipas ekspertëve të ligjit, Kuvendi në rastin e Ballukut po shtyn pa afat shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, çka sipas tyre bie në kundërshtim me frymën e dispozitave ligjore dhe vendos një precedent të rrezikshëm të qëndrimit të Kuvendit.

Erida Skëndaj, drejtuese e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, i tha BIRN se, shtyrja pa afat e mbledhjes së këtij këshilli, “nuk është në frymën e nenit 118 të Rregullores së Kuvendit dhe dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, dhe cenon parimin kushtetues të barazisë para ligjit”.

Skëndaj arsyeton se mospërcaktimi i afateve të qarta në Rregullore ka krijuar një artificë për të vonuar procesin, duke shfrytëzuar një boshllëk ligjor në dëm të administrimit të procesit hetimor në afat të arsyeshëm, sikurse po ndodh aktualisht. Nga ana tjetër, Skëndaj thekson se konsiderohet “shkelje” mosrespektimi i parashikimit të Rregullores së Kuvendit për mbledhjen e Këshillit kur këtë e kërkon ½ e anëtarëve të saj.

“Kjo sjellje dëmton veprimtarinë e organeve të drejtësisë të ngarkuara me luftën kundër pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të nivelit të lartë,” tha Skëndaj.

Për avokatin Gentjan Serjani, “ky rast krijon një precedent të rrezikshëm institucional, ku qëndrimi politik vendoset mbi detyrimin ligjor”.

“Një qasje e tillë cenon parimin e shtetit të së drejtës dhe nënkupton se, ndonëse Rregullorja është miratuar me konsensus për t’u zbatuar në mënyrë strikte, interesat politike kanë diktuar shmangien nga zbatimi i saj “gërmë për gërmë”. Një praktikë e tillë minon besueshmërinë e institucioneve parlamentare dhe autoritetin e vetë Rregullores së Kuvendit,” tha ai.

Sipas Serjanit, sjellja e anëtarëve të Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit dëshmon qartazi mosfunksionimin e Rregullores së Kuvendit në rastin konkret dhe kjo strukturë që duhej të garantonte respektimin e normave procedurale, është pikërisht ajo që ka kryer një shkelje flagrante të pikës 6 të nenit 13 të Rregullores së Kuvendit

“Kjo dispozitë përcakton shprehimisht se Këshilli mblidhet me kërkesë të Kryetarit të Kuvendit ose të gjysmës së anëtarëve të tij, se rendi i ditës caktohet nga Kryetari dhe se mbledhja është e vlefshme vetëm kur janë të pranishëm jo më pak se pesë anëtarë. Mosrespektimi i këtyre kritereve procedurale përbën një shkelje të drejtpërdrejtë dhe të pajustifikueshme të Rregullores,” arsyeton Serjani.

Kuvendi nuk mund luajë rolin e gjykatës

Edhe pse justifikimi kryesor për shtyrjen pa afat të mbledhjes për imunitetin e Ballukut lidhet me fitimin e kohës së mjaftueshme për t’u njohur me provat e sjella nga SPAK, asnjë prej deputetëve socialistë, anëtarë të këtij Këshilli, nuk e ka tërhequr USB-në me 16 mijë faqe të dorëzuar në Kuvend.

Vetë kryeministri Rama në konferencën vjetore për mediat pranoi këtë fakt, ndërsa ironizoi përmbajtjen e dosjes si e mbushur me dokumente arkivore të ministrisë.

“USB-në e sjellë nga Prokuroria nuk e ka tërhequr asnjë deputet i PS dhe nuk e ka tërhequr as ministrja, avokati. Që të jemi shumë të qartë. Për të mos krijuar asnjë shteg që pastaj të tjerët të thonë ‘i kanë nxjerrë këta ato,” tha Rama duke lënë të hapur mundësinë e rrëzimit të kërkesës së SPAK.

“Këshilli i Mandateve nuk është një zyrë noterie, është një kuazi gjykatë, dhe Parlamenti nuk noterizon kërkesat që vijnë,” shtoi ai.

Juristët megjithatë argumentojnë se Këshilli i Mandatave nuk mund të sillet si një gjykatë dhe se detyra e tij është vetëm të shohë nëse kërkesa e prokurorisë është ligjërisht në rregull dhe jo të marrë përsipër të shyrtojë provat hetimore.

“Sipas standarteve të Komisionit të Venecias, nëse kërkesa për kufizimin e imunitetit shqyrtohet në detaje, përveç se bie ndesh me parimin e prezumimit të pafajësisë, krijon perceptimin publik se jemi në kushtet e një procesi politik,” tha Skëndaj nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

Për rrjedhojë, shton ajo, “argumentat e shtyrjes pa afat të mbledhjes së Këshillit, për të marrë kohë mbi leximin e të gjitha dokumenteve në dosje dëmtojnë efikasitetin e hetimit, pasi Këshilli nuk është organ gjyqësor, duke krijuar kushtet e favorizimit të funksionarit publik, veçanërisht kur ky vazhdon të mbajë poste të larta publike”.

Edhe për anëtarin e PD-së në këtë Këshill, Oerd Bylykbashi, Kuvendi nuk mund të kthehet në gjykatë dhe të shqyrtojë provat hetimore të prokurorisë, por shikon vetëm nëse kërkesa e prokurorisë nuk ka karakter politik.

“Unë e kam marrë, por nuk e kam hapur USB-në e prokurorisë, sepse si deputet më bind relacioni i SPAK, ku referohen të dhëna të mjaftueshme pse kërkohet masa e sigurisë për ministren,” tha Bylykbashi./ BIRN/K.M

08:30 Aksioni ‘blic’ në Fier, të arrestuarit janë babë bir! Sekuestrohen edhe 20 kg kanabis

By: Klara
7 January 2026 at 08:30

Policia e Fierit zhvilloi një natë më parë një operacion të befasishëm në qytet, ku arrestuan dy persona.

Sot burimet bëjnë me dije se në pranga kanë ranë babë e bir edhe pse identiteti i tyre nuk është zbuluar ende.

Gjatë këtij operacioni blutë sekuestruan 2 pistoleta, 2 kallashë, 2 granata, qindra fisheke dhe  rreth 20 kikogram kanabis./K.M

08:20 Vërshime masive në Kosovë/ Shpallet gjendje e jashtëzakonshme në dy komuna, shtyhet procesi mësimor

By: Klara
7 January 2026 at 08:20

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar vërshime në gjithë territorin e Kosovës, duke përmbytur dhjetëra shtëpi e biznese dhe duke detyruar autoritetet të shpallin gjendje të jashtëzakonshme në dy komuna.

Për shkak të situatës, është shtyrë fillimi i procesit mësimor në shkollat e zonave më të goditura.

Një nga vatrat kryesore të krizës është Komuna e Rahovecit, ku niveli i ujit ka hyrë në banesa dhe ka dëmtuar rëndë infrastrukturën familjare.

Në fshatin Fortesë, ujërat kanë përmbytur katin e parë të shtëpisë së Fatmir Popajt, duke i shkatërruar pothuajse të gjitha pajisjet shtëpiake.  “Vërshimet kanë nisur në mëngjes dhe uji hyri menjëherë brenda. Askush nuk erdhi të na shohë. Prej mëngjesit deri në orën 14:00 kemi qenë vetëm duke pastruar, por kemi frikë se uji mund të rikthehet sërish”, shprehet ai.

Shërbimet e zjarrfikësve dhe ekipet e mbrojtjes civile kanë ndërhyrë në disa zona për evakuime dhe largimin e ujit, ndërsa qeveria pritet të vlerësojë sot shtrirjen e dëmeve dhe nevojën për fonde emergjente.

Situata mbetet kritike në disa komuna të Rrafshit të Dukagjinit dhe të Anamoravës, me paralajmërime se reshjet mund të vazhdojnë edhe në orët e ardhshme./K.M

08:10 Përndiqej nga dy fansat e fiksuar, “Leyla” ngre padi! Prokuroria kërkon 6 vite burg

By: Klara
7 January 2026 at 08:10

Last Updated on 07/01/2026 by Klara

Shkurtin e kaluar, Cemre Baysel pati telashe me dy fansa të fiksuar pas saj. Kur aktorja gjendej në rulotin e saj gjatë xhirimeve në lagjen “Sarıyer Büyükdere”, të dyshuarit Emirhan G. dhe Murat S. nisën ta ndiqnin e vëzhgonin.

Ata telefonuan një numër celulari që kishin shtënë në dorë, i cili i përkiste nënës së yllit të serialit “Leyla”, Fatime Baysel. Dy djemtë e telefonuan nënën e aktores për t’i thënë që ishin në sheshxhirim, donin të takoheshin me Cemre dhe të bënin një foto me të.

Ndërsa Fatime Baysel po i tregonte së bijës për situatën, të dyshuarit bënë 18 porosi në emër të Cemre. Kur ajo i ktheu mbrapsht, stafi telefonoi dy të dyshuarit që më pas u kapën. Mes tyre nisi një debat dhe pas një padie nga Baysel, Emirhan G. dhe Murat S. u arrestuan.

Ata u liruan pas një garancie pasi dhanë deklaratat e tyre, por janë nën vëzhgim.

Pas përmbylljes së hetimit, është ngritur një padi. Edhe pse në deklaratat e tyre, të dyshuarit fajësojnë njëri-tjetrin, hetimi tregon se krimi është kryer në bashkëpunim.

Ata akuzohen për “përndjekje” dhe “marrje dhe shpërndarje e paligjshme e të dhënave personale”, për të cilat prokuroria kërkon 6 vite dënim me burg. Gjyqi do të mbahet në ditët në vijim./K.M

08:00 BB: Tre drejtimet për ndërhyrje afatshkurtra në skemën e pensioneve

By: Klara
7 January 2026 at 08:00

Last Updated on 07/01/2026 by Klara

Banka Botërore sugjeron se përmirësimi i skemës publike të pensioneve në afat të shkurtër mund të arrihet edhe pa një ristrukturim të plotë të sistemit, por përmes një sërë masash që adresojnë dobësitë aktuale të skemës kontributive.

Të rritet presioni mbi pagesën e kontributeve

Theksi kryesor i Bankës në dokumentin e fundit “Rritja e Qëndrueshmërisë Fiskale” mbetet te rritja e numrit të kontribuuesve dhe rregullsisë së pagesës së tyre si kusht bazë për pensione të mjaftueshme dhe financiarisht të përballueshme.

Një nga problematikat kryesore të skemës ka të bëjë me daljen e parakohshme nga tregu i punës ose punën e zezë. Të dhënat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore tregojnë se për personat që dolën në pension në vitin 2022, kontributi i fundit mesatar ishte regjistruar në vitin 2013, rreth nëntë vite para daljes në pension. Ky hendek tregon rënien e pjesëmarrjes në tregun e punës në moshat mbi 50 vjeç dhe nevojën për politika që nxisin qëndrimin më gjatë në tregun formal të punës.

Përvoja e vendeve të OECD-së dhe Bashkimit Europian tregon se programe trajnimi për të rriturit dhe heqja e barrierave për punonjësit në fund të karrierës mund të japin rezultate pozitive, ndërsa për Shqipërinë kërkohet një analizë më e thelluar e tregut të punës për këtë grup-moshë.

Kush nuk plotëson kushtet, të rritet ndihma sociale, jo pensioni

Një tjetër rrezik për qëndrueshmërinë e sistemit janë indeksimet progresive apo rritjet e forta të pensioneve minimale. Këto masa mund të dëmtojnë perceptimin e drejtësisë në sistem dhe të ulin nxitjen për kontribute, duke përforcuar nën-raportimin e pagave, i cili sipas krahasimit të të dhënave të ISSH-së me Anketën e Forcës së Punës është tashmë një fenomen i përhapur. Në vend të rritjeve të përgjithshme, një qasje më efikase do të ishte mbështetja e familjeve me të ardhura të ulëta përmes skemave të ndihmës sociale, pa shtrembëruar logjikën e kontributeve të pensioneve.

Sfidë serioze mbetet edhe mbulimi i ulët dhe zbatimi i dobët i detyrimeve. Pavarësisht subvencioneve të larta për punonjësit ruralë, numri i kontribuuesve aktivë në zonat rurale ka rënë në vetëm 25 mijë persona në vitin 2022. Zhvillimet pas ndryshimeve të vitit 2024 tregojnë se pensioni social ka dekurajuar kontributet, ndërsa heqja e tij nuk konsiderohet e realizueshme politikisht. Në këtë kontekst, politikat pritet të fokusohen në stimuj më të mirë, thjeshtim procedurash, komunikim më efektiv dhe rishikim të skemave vullnetare. Edhe pensionet private, ndonëse janë rritur ndjeshëm gjatë dekadës së fundit, mbulojnë më pak se 3% të të punësuarve, kryesisht për shkak të fleksibilitetit të ulët dhe mungesës së përfitimeve afatshkurtra, çka i bën më pak tërheqëse për emigrantët dhe punonjësit informalë.

Skemë e posaçme për emigrantët

Migracioni i lartë mbetet një faktor kyç që rëndon mbi sistemin e pensioneve. Mbi 2.2 milionë shtetas shqiptarë jetojnë jashtë vendit, shumica në moshë pune. Kjo rrit raportin e varësisë së të moshuarve dhe ul bazën e kontribuuesve. Ekspertët theksojnë nevojën për skema të posaçme sigurimesh shoqërore për emigrantët, që të ofrojnë mbrojtje dhe ndaj rreziqeve të tjera sociale. Ndonëse Shqipëria ka disa marrëveshje për transferimin e të drejtave, kërkohet koordinim më i mirë i të dhënave, projeksione afatgjata dhe skema vullnetare më të përshtatura.

Sipas Bankës Botërore një rol të rëndësishëm luan edhe edukimi dhe komunikimi publik mbi pensionet. Rënia e viteve të kontributeve tek pensionistët e rinj tregon mungesë ndërgjegjësimi për lidhjen mes kontributeve dhe nivelit të pensionit. Instrumente si kalkulatorët e pensioneve, që parashikojnë përfitimet bazuar në historikun individual të kontributeve, mund të rrisin transparencën, besimin dhe nxitjen për pjesëmarrje më të madhe në sistem, duke përforcuar qëndrueshmërinë e tij në afat të shkurtër dhe të mesëm./ Monitor

06:45 Tensionet në Venezuelë/ Holanda tërhiqet nga misionet amerikane kundër drogës në Karaibe

By: Klara
7 January 2026 at 06:45

Holanda po zvogëlon pjesëmarrjen e saj në misionet kundër drogës të udhëhequra nga SHBA-të në Karaibe. Ky veprim vjen si një reagim ndaj numrit në rritje të të vdekurve nga sulmet ushtarake amerikane ndaj anijeve të dyshuara se përdoren për kontrabandën e narkotikëve.

Ministri i Mbrojtjes Ruben Brekelmans tha se forcat holandeze do të vazhdonin ndalimin e drogës brenda ujërave territoriale holandeze, por nuk do të përdornin anijen e saj detare për ndalime në det të hapur të lidhura me Operacionin Amerikan “Shtiza Jugore”.

Operacioni, i nisur në shtator, ka shkaktuar më shumë se 100 viktima në mbi 20 sulme ndaj anijeve që SHBA-të thonë se po transportonin drogë.

“Ne kemi punuar së bashku me amerikanët në luftën kundër narkotikëve për shumë vite, por në një mënyrë tjetër. Kur shohim kontrabandë droge, ne përpiqemi të arrestojmë dhe ndjekim penalisht ata që janë përgjegjës. Jo duke qëlluar anijet”, tha Brekelmans.

Një zëdhënës i ministrisë holandeze të Mbrojtjes tha se bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara nuk është ndërprerë plotësisht, duke vënë në dukje se Holanda ka punuar me Shtetet e Bashkuara dhe partnerë të tjerë për shumë vite përmes Task Forcës së Përbashkët Ndëragjenciale Jug.

Ajo që ka ndryshuar, tha zëdhënësi, është roli i anijes holandeze të stacionit, e cila aktualisht po vendoset për monitorimin e situatës së sigurisë rajonale në vend që të përdoret për misione droge.

Brekelmans e bëri të qartë se Holanda nuk do të ofrojë ambiente, helikopterë apo mbështetje tjetër nëse do të kërkohet për Shtizën Jugore, operacionin e Uashingtonit për të synuar anijet e dyshuara të drogës në veri të bregdetit të Venezuelës.

Ky veprim vjen mes tensioneve të larta pasi Shtetet e Bashkuara përdorën forcën ushtarake për të ndaluar Presidentin e Venezuelës, Nicolás Maduro dhe përshkallëzuan presionin ndaj Karakasit, duke shkaktuar kritika ndërkombëtare për shkelje të sovranitetit dhe të drejtës ndërkombëtare./K.M

06:30 Ushtria e Kolumbisë në kufi, venezuelianët flasin mbi rrëzimin e Maduros

By: Klara
7 January 2026 at 06:30

Kjo është forca që komandantët kolumbianë duan që bota të shohë dhe ndoshta mbi të gjitha Uashingtoni.

David Culver shprehet: “Është mbrëmje vonë dhe po ndjekim disa nga patrullat e shumta që janë shtrirë përgjatë mbi 1.300 miljeve të kufirit mes Kolumbisë dhe Venezuelës”.

Qeveria thotë se ka dislokuar rreth 30 mijë trupa kolumbiane në kufirin lindor.

“Komandantët ushtarakë theksojnë se prioriteti i tyre kryesor është siguria dhe stabiliteti. Mund të duket si përshkallëzim, por ata insistojnë se bëhet fjalë për përgatitje për çdo skenar të mundshëm. Megjithatë, është e pamundur të injorohet koha: gjithçka po ndodh në momentin kur vëmendja dhe presioni nga Uashingtoni po rriten”, shprehet Culver.

Në çdo orë të ditës, prania e ushtrisë kolumbiane këtu është gjithnjë e më e dukshme. Prioriteti i tyre tani është kundërshtimi i akuzave nga administrata Trump se Kolumbia nuk po bën mjaftueshëm për të ndalur organizatat kriminale dhe trafikun e drogës përtej kufirit. Autoritetet janë të palëkundura se fokusi i tyre është garantimi dhe mbrojtja e sovranitetit të Kolumbisë dhe mbi të gjitha i qytetarëve të saj. Dhe megjithatë, pavarësisht kësaj shfaqjeje force, jeta këtu për momentin vazhdon normalisht.

“Mund të shihen flukse të vazhdueshme njerëzish që hyjnë nga Venezuela në Kolumbi. Kjo është ura Simon Bolivar, që të çon drejtpërdrejt në Venezuelë”, thekson Culver.

Ose jashtë nga Venezuela, si në rastin e Marías, qoftë edhe vetëm për disa orë. Ajo ka një takim mjekësor në Kolumbi. Ajo thotë se gjithçka është e qetë. María është ndër ata që ende jetojnë në Venezuelë dhe që pranon para kamerës se është më e lumtur pa Maduron në pushtet. Sipas saj, që nga momenti kur Maduro u bë president, gjithçka filloi të përkeqësohej dhe shpreson që vendi të rikthehet si më parë.

Në një komunitet malor thuajse të harruar pranë Kukutás, në Kolumbi, shumë nga ata që takojmë ëndërrojnë një të ardhme më të mirë për Venezuelën.

Ky është në thelb një vendbanim emigrantësh. Ka madje më shumë venezuelianë sesa kolumbianë. Kjo familje u largua nga Venezuela dy vite më parë, duke zgjedhur që të qëndrojë sa më pranë atdheut të saj. Ajo thotë se do të donte shumë të kthehej. Shtëpia e tyre është jashtëzakonisht modeste: një dhomë gjumi, ujë dhe energji elektrike. Internetin e ndajnë me fqinjët. Kjo është edhe kuzhina e tyre. Megjithatë, ajo këmbëngul se jeta këtu është më e mirë sesa përtej kufirit. Sipas saj, jeta në Venezuelë ishte jashtëzakonisht e vështirë: edhe kur punoje, duhej të zgjidhje mes blerjes së ushqimit apo rrobave.

Ajo është një nga afro 3 milionë venezuelianët që janë vendosur në Kolumbi vitet e fundit, diaspora më e madhe venezueliane jashtë vendit. Burri i saj donte të qëndronin afër atdheut, ndërsa ajo kishte frikë nga udhëtimi drejt Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, përpara se të kthehen, ajo, si shumica këtu, dëshiron të shohë ndryshime të qëndrueshme në Venezuelë. Ajo beson se SHBA-të mund të kontribuojnë për ta bërë Venezuelën një vend më të mirë, edhe nëse nuk mund t’i zgjidhin të gjitha problemet. Deri atëherë, kjo është shtëpia e tyre. Ajo tregon se tre vite më parë kjo zonë ishte në kaos, por komuniteti u bashkua dhe sot është një vend ku fëmijët mblidhen dhe luajnë./KM

06:15 Parashikimi i motit, 7 janar 2026

By: Klara
7 January 2026 at 06:15

Sot moti në Shqipëri do të dominohet nga reshje shiu intensive me intervale të shkurtra kthjellimesh.

Në zonat malore, veçanërisht në veri dhe verilindje, reshjet mund të jenë në formë bore. Temperaturat do të luhaten nga -2°C në zonat malore deri në 10°C në zonat bregdetare, me ndjesi më të ftohtë për shkak të erërave./K.M

06:00 Horoskopi, 7 janar 2026

By: Klara
7 January 2026 at 06:00

Dashi

Sot Hëna të fton të ngadalësosh ritmin, edhe pse Marsi brenda teje të nxit të veprosh. Kjo është një ditë për të menduar më shumë përpara se të ndërmarrësh veprime të nxituara, sidomos në dashuri. Lidhjet afatgjata mund të kenë nevojë për më shumë mirëkuptim. Nëse ndihesh i pavlerësuar, mos reagosh menjëherë – qetësia është arma më e mirë sot. Në punë, shmang polemikat dhe sqarimet e nxituara: Mërkuri në pozicion të pafavorshëm sjell keqkuptime. Një shëtitje në natyrë ose pranë perëndimit të diellit mund të të ndihmojë të rifitosh qartësi. Mos i detyro gjërat të ndodhin – lëri të piqen në kohën e duhur.

Demi

Venusi të mbron dhe të mbështet emocionalisht – sot është një ditë për të shijuar gjërat e vogla: një përqafim, një fjalë e ngrohtë, një kujtim që kthehet. Në dashuri, mund të ndodhë një afrim ose një deklaratë e papritur – është moment i mirë për të falur ose për të dashuruar më lirshëm. Në punë, kujdes me ofertat që duken shumë të bukura për të qenë të vërteta. Përdor këtë ditë për të planifikuar dhe jo për të vendosur. Shëndeti përmirësohet nëse i lejon vetes pak më shumë heshtje dhe kontakt me natyrën. Vlerëso emocionet që të vijnë – ndonjë mesazh nga e kaluara mund të mbajë një domethënie të veçantë.

Binjakët

Hëna në pozicion kritik mund të sjellë tensione, veçanërisht në komunikim. Rrezikon të keqkuptohesh ose të keqinterpretohesh, sidomos nga njerëz të afërt. Në dashuri, mos thuaj fjalë që mund të lëndojnë – edhe nëse ke të drejtë. Shmang debatet e panevojshme. Në punë, mund të shfaqet një mundësi interesante, por edhe ndonjë përplasje me kolegët ose eprorët. Saturni të kërkon disiplinë dhe maturi. Në aspektin shëndetësor, do të të bëjë mirë ndonjë aktivitet i lehtë apo një moment për meditacion. Mos merr vendime të mëdha sot – prit derisa emocionet të qetësohen.

Gaforrja

Sot je nën ndikimin pozitiv të Hënës dhe kjo të jep ndjeshmëri të shtuar, intuitë të mprehtë dhe një lidhje më të fortë me njerëzit që ke pranë. Në dashuri, është e lehtë të ndjesh se çfarë kërkon partneri, ose nëse je vetëm, të kapësh sinjale të vogla por të qarta nga dikush që të intereson. Kujdes mos idealizosh shumë – ruaj këmbët në tokë. Në punë, ndihesh më i gatshëm për të shprehur idetë dhe për të përfshirë të tjerët në projektet e tua. Një iniciativë e vjetër mund të rifillojë. Shëndeti përmirësohet me gjumë të mirë dhe kujdes ndaj vetes. Sot, ndjesitë janë të rëndësishme – beso instinktit, por ruaj kthjelltësinë.

Luani

Sot ndihesh i fuqishëm, por njëkohësisht i shqetësuar. Dielli në shenjën tënde të jep dritë dhe karizëm, por Hëna sjell një ndjenjë padurimi dhe tensioni të brendshëm. Në dashuri, ndjenjat janë të forta, por mund të bëhesh kërkues ose posesiv pa dashje. Kujdes të mos humbasësh ndjeshmërinë ndaj nevojave të partnerit. Në punë, idetë janë të shumta dhe frymëzuese – por pa zbatim praktik, mbeten thjesht ide. Bëhu më selektiv me kë i ndan projektet. Në aspektin personal, të duhet një orë për veten, larg telefonit dhe detyrimeve. Mos harro që edhe luani ka nevojë për pushim për të ruajtur madhështinë e tij.

Virgjëresha

Sot është një ditë për qartësi mendore dhe reflektim. Më shumë se kurrë, ke nevojë të kuptosh çfarë po ndodh brenda teje. Në dashuri, është momenti për të komunikuar qetësisht: nëse ka keqkuptime, është dita për t’i sqaruar. Në punë, mund të zgjidhësh një çështje që të tjerët e shmangin – ke mendje të kthjellët dhe je praktik. Shëndeti ndikohet pak nga stresi i akumuluar – mos harro pushimet e vogla gjatë ditës. Sot mund të ndjesh një lloj tërheqjeje nga bota – dëshirën për të kuptuar më thellë veten. Mos e refuzo këtë ndjesi – është pjesë e procesit tënd të rritjes.

Peshorja

Sot do të të kërkohet të gjesh ekuilibrin, ashtu siç të mëson vetë shenja jote. Horoskopi të paralajmëron se mund të përfshihesh në diskutime familjare ose profesionale që kërkojnë diplomaci. Venusi ndodhet në një aspekt të mirë: në dashuri hapet një dritare ëmbëlsie, sidomos për ata që kanë kaluar kohë me tensione. Kartat e tarotit nxjerrin “Drejtësinë”: mendo mirë fjalët dhe veprimet. Në punë, është momenti për të vendosur kufij të shëndetshëm. Ke dhënë shumë, tani është radha jote të marrësh. Shëndeti është i mirë, por ki kujdes me gjumin: ëndrrat e turbullta mund të tregojnë ankth të fshehur.

Akrepi

Hëna nxit anën tënde më të thellë dhe të ndjeshme, i dashur Akrep. Horoskopi për sot parashikon një të mërkurë me reflektime të rëndësishme. Në dashuri, nëse po jeton një marrëdhënie të komplikuar, mund të ndjesh nevojën për të sqaruar gjërat. Për beqarët, e kaluara mund të rikthehet, por pyes veten nëse ia vlen vërtet të hapësh ato dyer sërish. Kartat e tarotit nxjerrin “Djallin”: bëj kujdes me tundimet apo me gjëra që duken shumë perfekte për të qenë të vërteta. Në punë, është koha për të luajtur me strategji. Një ofertë mund të fshehë një çmim për t’u paguar. Shëndeti ka nevojë për pastrim emocional: lëre pas atë që nuk të shërben më.

Shigjetari

Sot mendja jote do të jetë e ndezur dhe krijuese, Shigjetar. Horoskopi ditor të shikon plot ide dhe dëshirë për të vepruar, por yjet të këshillojnë të mos nxitosh. Në dashuri, është një ditë pozitive për çiftet: rikthehet harmonia edhe në gjërat e vogla. Për beqarët, një takim i rastësishëm mund të ndezë një shkëndijë. Kartat e tarotit nxjerrin “Rrotën e Fatit”: diçka mund të ndryshojë papritur. Në punë, përpiqu të mos shpërqendrohesh nga shumë stimuj: zgjidh një drejtim dhe ndiqe. Shëndeti është i mirë, por ki kujdes me lodhjen mendore.

Bricjapi

Qielli yt është i qëndrueshëm, por Saturni të bën pak më të ashpër me veten. Horoskopi për sot të sugjeron të heqësh dorë nga perfeksionizmi: jo gjithçka duhet të jetë nën kontroll. Në dashuri, lirohu pak më shumë: ai që të do, ka nevojë të të shohë edhe të brishtë. Kartat e tarotit nxjerrin “Botën”: një cikël përfundon dhe një tjetër fillon. Në punë, është një ditë e mirë për të finalizuar një projekt ose për të kërkuar një njohje që e meriton. Shëndeti është i mirë nëse nuk e mbingarkon veten me përgjegjësi të panevojshme. Një banjë e ngrohtë, një çaj me erëza, një moment vetëm për veten – mund të bëjnë mrekulli.

Ujori

Sot do të jetë një ditë zgjimi shpirtëror për ty, Ujor. Horoskopi ditor të fton të dëgjosh intuita të befasishme: ajo që sot duket si një ide e çmendur, sot mund të bëhet revolucion. Në dashuri, përpiqu të komunikosh më mirë: ai që është pranë teje ka nevojë për qartësi. Kartat e tarotit nxjerrin “Të Marrin”: lëre veten të udhëhiqet nga autenticiteti yt, por mos humb kontaktin me realitetin. Në punë, është momenti për të eksploruar horizonte të reja. Mund të ndjesh një thirrje për të ndryshuar rrugë ose për të nisur një udhëtim të ri. Shëndeti përmirësohet nëse i përkushtohesh aktiviteteve krijuese apo artistike.

Peshqit

Ti sot do të jesh si një radar emocional i ndjeshëm. Horoskopi për ditën tregon një e mërkurë ku ndjenjat flasin më fort se arsyeja. Në dashuri, ai që të do mund të ndihet i mbingarkuar nga intensiteti yt: menaxhoje me kujdes. Nëse je vetëm, ki kujdes nga iluzionet. Kartat e tarotit nxjerrin “Yllin”: një dëshirë e thellë mund të realizohet së shpejti, por fillimisht zemra duhet pastruar. Në punë, ndiq instinktin, por mos harro anën praktike. Ke shumë për të dhënë, por duhet më shumë strukturë. Shëndeti ndikohet nga energjitë e të tjerëve: mbrohu me meditim ose me kontakt me ujin./K.M

Yesterday — 6 January 2026Main stream

17:00 Moti i keq/ Këlliçi: Mjafton një ditë me reshje që Tirana të kthehet në makth për qytetarët

By: Klara
6 January 2026 at 17:00

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me situatën e shkaktuar nga reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin në 24 orët e fundit. Në postimin e tij, Këlliçi shprehet se mjafton një ditë me reshje që trafiku dhe rrugët e bllokuara të kthehen në makth për qytetarët.

Sipas tij e njëjta situatë është edhe në qytete të tjera si Durrësi, Kukësi dhe Lezha. Deputeti shton më tej se në një shtet normal moti dhe elementët natyrorë nuk paralizojnë rrugët, funksionimin normal të jetës shoqërore e ekonomike.

Postimi i plotë:

Shteti i mposhtur nga shiu!

Mjafton një ditë me reshje që Tirana të kthehet në një makth për qytetarët e saj, për shkak të trafikut të rënduar dhe rrugëve të bllokuara.

Situata me reshjet ka pamundësuar jetën normale jo vetëm në kryeqytet, por edhe në qytete të tjera si Durrësi, Kukësi dhe Lezha.

Në një shtet normal moti dhe elementët natyrorë nuk paralizojnë rrugët, funksionimin normal të jetës shoqërore e ekonomike.

Në shtetin e dështuar apo narkoshtetin e Edi Ramës, mungesat e rënda të investimeve në infrastrukturë kritike, çojnë në emergjencat e njëpasnjëshme, ku sigurisht do të ngrihet një komitet për të hedhur foto në rrjetet sociale.

Është koha për t’i dhënë fund anormalitetit dhe regjimit të krizës.

Shqiptarët meritojnë më shumë./K.M

16:50 Ambasadori i BE, Gonzato takim me kreun e ri të SPAK: BE do të mbështesë luftën kundër krimit dhe korrupsionit

By: Klara
6 January 2026 at 16:50

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka zhvilluar një takim me Kryetarin e ri të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodjan Braho.

Në takimin e tij të parë me drejtuesin e ri të SPAK-ut, ambasadori Gonzato e përgëzoi Brahon për arritjet e deritanishme të institucionit dhe nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të rezultateve konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sipas tij, këto përpjekje përbëjnë një element kyç për avancimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Takimi i parë me Kryetarin e ri të SPAK-ut, Klodjan Braho. E përgëzova për arritjet e SPAK-ut deri më sot dhe theksova rëndësinë e vazhdimit të rezultateve të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, një element kyç për përparimin e Shqipërisë drejt… https://t.co/TLSNFGmKTl

— EU in Albania (@EUinAlbania) January 6, 2026

Gonzato theksoi gjithashtu se forcimi i kapaciteteve hetimore dhe garantimi i standardeve të larta në hetime dhe ndjekje penale janë vendimtare për konsolidimin e progresit të arritur dhe për sigurimin e rezultateve të qëndrueshme në fushën e sundimit të ligjit.

Ambasadori konfirmoi se Bashkimi Evropian mbetet plotësisht i përkushtuar për të mbështetur SPAK-un dhe për të forcuar sundimin e ligjit në Shqipëri, duke e cilësuar këtë mbështetje thelbësore për procesin e integrimit evropian të vendit./K.M

16:40 “Jam rritur me ty, je rritur edhe ti me Labin”, Dafina Zeqiri dhe Labinot Gashi më në fund në paqe

By: Klara
6 January 2026 at 16:40

25 vite karrierë Labinot Gashi i festoi duke mbyllur (të paktën për tani) mosmarrëveshjet e së shkuarës.

Në emisionin “Nata e dritave” në rtv21, një prej të ftuarve të mbrëmjes së djeshme ishte edhe Dafina Zeqiri. Me sa duket, asnjë prej tyre nuk do t’i vazhdojë më dramat dhe çdo hatërmbetje i është lënë së shkuarës.

Teksa e priste të vinte, Labi iu rikthye edhe një herë së shkuarës me Dafinën, kësaj here për të kujtuar se sa e hershme ishte miqësia mes tyre, për ta falenderuar e për t’i kërkuar falje për çdo gjë ndodhi rrugës.

“Ti e di se pa marrë parasysh çfarëdo që të jetë, unë them jam me fat. Faleminderit që ke qenë pjesë e këtyre 25 viteve të mia! Jam rritur me ty, je rritur edhe ti me Labin. E mira është që sonte festojmë bashkë. Aq më tepër që ky vit ka qenë viti më i bukur në botë për shkak se je bërë nënë. Daf, më fal për gjithçka që ndoshta të kam lënduar ndonjëherë.”

"Jam rritur me ty, je rritur edhe ti me Labin", Dafina Zeqiri dhe

"Jam rritur me ty, je rritur edhe ti me Labin", Dafina Zeqiri dhe

Përplasjet mes tyre u bënë publike pasi Labinoti e quajti atë mosmirënjohëse, kjo pasi nuk u ftua nga Dafina në eventin që organizoi për datëlindjen e saj.

Këtë deklaratë ai e shpjegoi në Prive, ku tha se nuk ishte vetëm për të, por edhe për të tjerë.

“Nuk ishte rastësi, por nuk ishte vetëm për të [Dafinën], por për të gjithë njerëzit e tjerë. Në fakt, këtu po e them për herë të parë, [postimi]nuk ishte vetëm sepse në festë nuk ishte Labi, por nuk pashë shumë njerëz që ishin në fillimet e hershme të Dafinës”, referuar epokës kur rrjetet sociale dhe YouTube nuk kishin fuqinë që kanë sot dhe artistët promovoheshin kryesisht nga figurat televizive. Ai e ka mbështetur gjithnjë Dafinën në hapat e saj në karrierë.

“Po e flas haptazi për shkak se as unë nuk i harroj njerëzit që në fillimet e mia të karrierës më kanë përkrahur,” tha ai asokohe.

Më vonë, gjatë një interviste në “RTV Dukagjini” ai foli hapur për marrëdhënien mes tyre e cila nuk ishte më si më parë.

Ai u shpreh se kishte ngrënë bukë me të dhe i kishte qëndruar pranë për vite me radhë.

“Unë kam bërë shumë për të. Kam ngrënë bukë me të, i kam qëndruar pranë për vite, por një gjë e vogël i ka lënë përshtypje. E quajta “mosmirënjohëse”, për ditëlindjen që organizoi. Si është e mundur që një njeri që i ka qëndruar afër për dekada, të mos jetë pjesë e asaj dite, ndërsa ishin aty njerëz që s’kanë qenë kurrë afër saj? Njerëz që ishin në “Big Brother”, vijoi ai.

E kështu drama mes tyre vazhdoi. Dafina në mënyrë të tërthotë përmes një story në Instagram bëri një reflektim mbi gjithçka që kishte arritur, gjërat që i ishte dashur të linte pas vetëm sepse nuk i shërbenin më duke treguar dhe arsyen pse kishte zgjedhur heshtjen pas deklaratave të Labinotit.

“Kam lënë pas çfarë që nuk më shërben më dhe kjo mjafton. Qëndroj e fortë në atë që jam,” shkruan Dafina në mesazhin e saj, duke theksuar se heshtja nuk është dobësi, por forcë. Në një tjetër pjesë ajo thotë: “Ata do flasin. Lëri të flasin. Do vazhdoj të jem vetvetja – me dashuri, gjithmonë.”

"Jam rritur me ty, je rritur edhe ti me Labin", Dafina Zeqiri dhe

Çdo gjë u duk sikur u harrua, pasi në dhjetor të vitit të shkuar këngëtarja ishte ftuar prej tij në festën e jubilarit të karrierës.

"Jam rritur me ty, je rritur edhe ti me Labin", Dafina Zeqiri dhe

Ky takim i fundit i tyre, duket se i ka dhënë fund çdo moskuptimi mes dyshes.

16:30 Roaming “si në shtëpi” me BE, më pak kosto për qytetarët

By: Klara
6 January 2026 at 16:30

Shqipëria po hedh një hap të rëndësishëm drejt integrimit në tregun digjital europian. Me ndryshimet e propozuara në ligjin për komunikimet elektronike, qeveria synon zbatimin e roamingut “si në shtëpi” me Bashkimin Europian.

Projektligji krijon bazën ligjore për uljen e kostove të komunikimit dhe harmonizimin e tarifave me standardet e BE-së.

“Ky ndryshim do të thotë se çdo qytetar shqiptar që udhëton në Europë do të mund të përdorë internetin, të kryejë thirrje apo të dërgojë mesazhe me të njëjtat çmime që paguan në Shqipëri, pa pasur nevojë të blejë karta të huaja apo të fikë telefonin nga frika e faturave të kripura.”

Ndryshimet ligjore parashikojnë që tarifat e roamingut dhe të thirrjeve me vendet e BE-së të mos tejkalojnë tavanet e përcaktuara në nivel europian. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ngarkohet me monitorimin dhe zbatimin e këtyre rregullave.

“Rregulli i ri siguron që thirrjet që vijnë nga numrat e shteteve të BE-së drejt Shqipërisë të mos kushtojnë më shumë se një tarifë maksimale e vetme, e ashtuquajtur ‘Eurotarifë’. Kjo do të thotë se komunikimi me të afërmit që jetojnë në emigrim do të bëhet shumë më i lirë dhe më i aksesueshëm për të gjithë. Operatorët që nuk respektojnë tarifat e reja apo vendimet e AKEP-it do të përballen me gjoba të rënda administrative.”

Zbatimi i këtyre dispozitave do të nisë në datën e dakordësuar në marrëveshjen dypalëshe mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, duke i hapur rrugë një modeli komunikimi më të lirë dhe më të parashikueshëm për qytetarët shqiptarë./K.M

11:00 Zbulimi i ri mbi qelizat e trurit dhe kujtesën

By: Klara
6 January 2026 at 11:00

Shkencëtarët kanë zbuluar se disa qeliza nervore në tru janë përgjegjëse për ruajtjen afatgjatë të kujtimeve. Ky zbulim ndihmon në kuptimin më të thellë të mënyrës se si formohet dhe ruhet kujtesa.

Studimet tregojnë se kujtimet nuk ruhen në një zonë të vetme të trurit, por shpërndahen në rrjete të ndryshme nervore. Ky mekanizëm e bën trurin më rezistent ndaj dëmtimeve.

Ky zbulim mund të hapë rrugën për trajtime të reja ndaj sëmundjeve neurodegjenerative si Alzheimeri dhe çrregullimet e kujtesës, duke sjellë shpresë për miliona pacientë në mbarë botën./KM

10:50 Rriten prurjet/ Rama nxjerr videon, nis shkarkimi i kontrolluar në Kaskadën e Drinit

By: Klara
6 January 2026 at 10:50

Teksa vendi ynë është përfshirë nga reshjet e dendura të shiut, prurjet në Kaskadën e Drinit kanë qenë të mëdha. Kjo ka bërë që të nisin shkarkimet e kontrolluara nga HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës.

Ka qenë vetë Rama që ka postuar një video në rrjetin social ‘Facebook’, ndërsa shtoi se shkarkimet po monitorohen dhe menaxhohen nga specialistë të hidrocentraleve.

“Në kaskadën e Drinit si pasojë e rritjes së prurjeve, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara, ku aktualisht po shkarkohet një sasi prej 700 m³/sekondë, përveç prodhimit, shkarkime këto të monitoruara dhe të menaxhuara nga specialistët e hidrocentraleve. Bashkia Shkodër është në koordinim të vazhdueshëm me KESH për menaxhimin e situatës dhe minimizimin e çdo rreziku të mundshëm për zonat e territorit të bashkisë, ndërsa deri në këto momente nuk është evidentuar asnjë problematikë.”, shkruan Rama./K.M

10:40 Papa Leone XIV mbyll Portën e Shenjtë të Bazilikës së Shën Pjetrit, përfundon viti jubilar i shpresës

By: Klara
6 January 2026 at 10:40

Papa Leone XIV ka mbyllur zyrtarisht Portën e Shenjtë të Bazilikës së Shën Pjetrit, duke shënuar përfundimin e Jubileut 2025, i dedikuar shpresës.

Porta e famshme ishte hapur nga Papa Françesku më 24 dhjetor 2024, duke nisur një vit ngjarjesh jubilarë dhe vizitash nga miliona pelegrinë nga e gjithë bota.

Sipas policisë së Romës, në sigurimin e ngjarjeve jubilarë janë angazhuar mbi 70,000 forca të rendit, duke përfshirë policinë, karabinierët, Gardën e Financës, policinë lokale, shërbimet e mbrojtjes civile dhe operatorët e transportit publik dhe urgjencës. Questori i Romës, Roberto Massucci, theksoi se përpjekja për sigurimin e ngjarjeve ishte rezultat i një koordinimi të gjerë institucional.

“Siguria e miliona pelegrinëve është rezultat i punës së bashkuar të të gjitha institucioneve – nga policia dhe karabinierët, deri tek shërbimet e emergjencës dhe transportit publik,” tha Massucci.

Gjatë Jubileut 2025, më shumë se 33 milionë pelegrinë kanë vizituar Romën, duke bërë të nevojshme një përkushtim të jashtëzakonshëm për menaxhimin e sigurisë dhe rendit.

Mbyllja e Portës së Shenjtë shënon një pikë kulmore të vitit jubilar dhe një moment simbolik për komunitetin katolik global, duke përmbyllur një cikël shprese dhe besimi./K.M

10:30 Nga bimë zbukuruese në biznes fitimprurës, si lulja blu po ndryshon jetën e grave në Indi

By: Klara
6 January 2026 at 10:30

Një bimë e zakonshme kacavjerrëse është shndërruar në burim të ardhurash për qindra gra dhe fermerë në Indi, ndërsa kërkesa globale për produkte natyrale po rritet.

Deri pak vite më parë, lulja “butterfly pea”, e njohur në Indi si “aparajita”, ishte thjesht një bimë zbukuruese në shumë fshatra të vendit. Sot, ajo po kthehet në një produkt me vlerë të lartë ekonomike, falë përdorimit të saj si çaj dhe si ngjyrues natyral ushqimor.

Nilam Brahma, nga një fshat në shtetin Assam, tregon se për herë të parë kuptoi potencialin ekonomik të lules rreth dy vjet më parë, kur pa gra të tjera që fitonin para nga shitja e saj. “Herën e parë fitova rreth 50 dollarë nga lulet e thara. Ajo përvojë më dha besim se mund të ndërtoja të ardhmen time,” thotë ajo.

Rritja e interesit për produkte natyrale dhe kufizimet ndaj ngjyruesve sintetikë në SHBA dhe Evropë kanë shtuar kërkesën globale për “butterfly pea”. Në vitin 2021, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) miratoi përdorimin e kësaj luleje si aditiv ushqimor, ndërsa në Evropë ajo ende klasifikohet si “ushqim i ri”, që kërkon autorizime shtesë.

Pavarësisht kufizimeve rregulluese, sipërmarrësit indianë po investojnë në zhvillimin e këtij sektori. Kompani si Blue Tea dhe THS Impex po punojnë drejtpërdrejt me fermerët për të përmirësuar cilësinë e prodhimit dhe për të krijuar zinxhirë të qëndrueshëm furnizimi, ku një rol kyç luajnë gratë rurale.

Sipas sipërmarrësve, sfidat kryesore mbeten mungesa e një tregu të strukturuar dhe standardeve të unifikuara të çmimeve. Megjithatë, numri i fermerëve të përfshirë është në rritje dhe të ardhurat po rriten ndjeshëm në zonat rurale.

Përveç vlerës ekonomike, studime të hershme sugjerojnë se çaji nga kjo lule mund të ketë përfitime shëndetësore, përfshirë përmirësimin e kontrollit të sheqerit në gjak, megjithëse ekspertët theksojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme.

Shembulli i “butterfly pea” po shihet gjithnjë e më shumë si një model se si bujqësia tradicionale dhe sipërmarrja mund të ndërthuren për të krijuar mundësi të reja ekonomike në vendet në zhvillim./K.M

10:20 Dita e Ujit të Bekuar në Ersekë/ Ceremonia zhvillohet në kishën e Shën Gjergjit

By: Klara
6 January 2026 at 10:20

Last Updated on 06/01/2026 by Klara

Në Ersekë u mbajt këtë të martë ceremonia e Ujit të Bekuar, një nga ritet më të rëndësishme të besimit të krishterë ortodoks.

Për shkak të kushteve të pafavorshme meteorologjike, ceremonia nuk u zhvillua në ambiente të hapura, por u mbajt brenda kishës së Shën Gjergjit në Ersekë.

Shërbesa u drejtua nga At Kristaq Tase, i cili bekoi ujin dhe besimtarët e pranishëm. Kryqi i bekuar këtë vit u mor nga 13-vjeçari Marko Dusho.

Pas përfundimit të ceremonisë, besimtarët morën ujë të bekuar për ta çuar në shtëpitë e tyre, si simbol i mbarësisë, paqes dhe bekimit për familjet gjatë vitit të ri./K.M

10:10 Prurjet nga reshjet në kaskadën e Drinit/ Nisin shkarkimet në HEC-et në Koman dhe Vau i Dejës

By: Klara
6 January 2026 at 10:10

Last Updated on 06/01/2026 by Klara

Prej ditës së djeshme, si pasojë e rritjes së prurjeve në kaskadën e Drinit, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës, me një sasi aktuale prej 700 m³/sekondë.

Komisioni i Emergjencave Civile i Qarkut është në koordinim të vazhdueshëm me KESH për monitorimin e situatës hidrike dhe, deri në këto momente, nuk është evidentuar asnjë problematikë shqetësuese.

Si pasojë e reshjeve të dendura, prurjet në përrenj dhe lumenj janë shtuar në sasi të konsiderueshme, por deri më tani nuk janë konstatuar probleme në kanalet e kullimit, argjinatura, KUL dhe digën e Rezervuarit të Shkodrës. Niveli i ujit në Urën e Vjetër të Bunës mbetet nën kuotën e rrezikut.

Lumenjtë Drin, Kir dhe Gjadër kanë shënuar rritje të prurjeve, por niveli i tyre është ende poshtë kuotave të rrezikut për përmbytje. Po ashtu, Rezervuari i Shkodrës ndodhet nën kuotat kritike.

Hidrovoret e Vilunit dhe Cas janë në funksion me nga pesë pompa secili dhe janë në gatishmëri për të punuar me kapacitet të plotë në rast nevoje./K.M

08:40 Udhëheqësja e opozitës venezueliane: Do kthehem në Venezuelë, Delcy Rodriguez refuzohet nga populli

By: Klara
6 January 2026 at 08:40

Udhëheqësja e opozitës venezueliane, Maria Corina Machado, duke folur për Fox News, tha se presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodriguez është një nga arkitektet kryesore të torturës, persekutimit, korrupsionit dhe trafikut të drogës në vend.

Rodriguez, e cila ka shprehur gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me Uashingtonin, ishte zëvendës presidente e Venezuelës kur Maduro ishte president, shkruan La Reppublica.

Machado pohoi se Rodriguez refuzohet nga populli venezuelian dhe se votuesit ishin në anën e opozitës.

“Në zgjedhje të lira dhe të ndershme, ne do të fitojmë me mbi 90% të votave, nuk kam asnjë dyshim për këtë”, theksoi Machado.

Machado është larguar nga vendi, pas persekutimit nga Nicolas Maduro. Në vitin 2025, ajo fitoi çmimin Nobel për paqe.

Machado përshkroi gjithashtu vizionin e saj për Venezuelën, duke u zotuar ta kthejë Venezuelën në qendrën energjetike të Amerikave dhe të çmontojë strukturat kriminale që kanë dëmtuar qytetarët. Ajo u zotua të kthejë në shtëpi miliona venezuelianë të detyruar të largohen nga vendi./K.M

❌
❌