Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me situatën e shkaktuar nga reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin në 24 orët e fundit. Në postimin e tij, Këlliçi shprehet se mjafton një ditë me reshje që trafiku dhe rrugët e bllokuara të kthehen në makth për qytetarët.
Sipas tij e njëjta situatë është edhe në qytete të tjera si Durrësi, Kukësi dhe Lezha. Deputeti shton më tej se në një shtet normal moti dhe elementët natyrorë nuk paralizojnë rrugët, funksionimin normal të jetës shoqërore e ekonomike.
Postimi i plotë:
Shteti i mposhtur nga shiu!
Mjafton një ditë me reshje që Tirana të kthehet në një makth për qytetarët e saj, për shkak të trafikut të rënduar dhe rrugëve të bllokuara.
Situata me reshjet ka pamundësuar jetën normale jo vetëm në kryeqytet, por edhe në qytete të tjera si Durrësi, Kukësi dhe Lezha.
Në një shtet normal moti dhe elementët natyrorë nuk paralizojnë rrugët, funksionimin normal të jetës shoqërore e ekonomike.
Në shtetin e dështuar apo narkoshtetin e Edi Ramës, mungesat e rënda të investimeve në infrastrukturë kritike, çojnë në emergjencat e njëpasnjëshme, ku sigurisht do të ngrihet një komitet për të hedhur foto në rrjetet sociale.
Është koha për t’i dhënë fund anormalitetit dhe regjimit të krizës.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka zhvilluar një takim me Kryetarin e ri të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodjan Braho.
Në takimin e tij të parë me drejtuesin e ri të SPAK-ut, ambasadori Gonzato e përgëzoi Brahon për arritjet e deritanishme të institucionit dhe nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të rezultateve konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sipas tij, këto përpjekje përbëjnë një element kyç për avancimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Takimi i parë me Kryetarin e ri të SPAK-ut, Klodjan Braho. E përgëzova për arritjet e SPAK-ut deri më sot dhe theksova rëndësinë e vazhdimit të rezultateve të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, një element kyç për përparimin e Shqipërisë drejt… https://t.co/TLSNFGmKTl
Gonzato theksoi gjithashtu se forcimi i kapaciteteve hetimore dhe garantimi i standardeve të larta në hetime dhe ndjekje penale janë vendimtare për konsolidimin e progresit të arritur dhe për sigurimin e rezultateve të qëndrueshme në fushën e sundimit të ligjit.
Ambasadori konfirmoi se Bashkimi Evropian mbetet plotësisht i përkushtuar për të mbështetur SPAK-un dhe për të forcuar sundimin e ligjit në Shqipëri, duke e cilësuar këtë mbështetje thelbësore për procesin e integrimit evropian të vendit./K.M
25 vite karrierë Labinot Gashi i festoi duke mbyllur (të paktën për tani) mosmarrëveshjet e së shkuarës.
Në emisionin “Nata e dritave” në rtv21, një prej të ftuarve të mbrëmjes së djeshme ishte edhe Dafina Zeqiri. Me sa duket, asnjë prej tyre nuk do t’i vazhdojë më dramat dhe çdo hatërmbetje i është lënë së shkuarës.
Teksa e priste të vinte, Labi iu rikthye edhe një herë së shkuarës me Dafinën, kësaj here për të kujtuar se sa e hershme ishte miqësia mes tyre, për ta falenderuar e për t’i kërkuar falje për çdo gjë ndodhi rrugës.
“Ti e di se pa marrë parasysh çfarëdo që të jetë, unë them jam me fat. Faleminderit që ke qenë pjesë e këtyre 25 viteve të mia! Jam rritur me ty, je rritur edhe ti me Labin. E mira është që sonte festojmë bashkë. Aq më tepër që ky vit ka qenë viti më i bukur në botë për shkak se je bërë nënë. Daf, më fal për gjithçka që ndoshta të kam lënduar ndonjëherë.”
Përplasjet mes tyre u bënë publike pasi Labinoti e quajti atë mosmirënjohëse, kjo pasi nuk u ftua nga Dafina në eventin që organizoi për datëlindjen e saj.
Këtë deklaratë ai e shpjegoi në Prive, ku tha se nuk ishte vetëm për të, por edhe për të tjerë.
“Nuk ishte rastësi, por nuk ishte vetëm për të [Dafinën], por për të gjithë njerëzit e tjerë. Në fakt, këtu po e them për herë të parë, [postimi]nuk ishte vetëm sepse në festë nuk ishte Labi, por nuk pashë shumë njerëz që ishin në fillimet e hershme të Dafinës”, referuar epokës kur rrjetet sociale dhe YouTube nuk kishin fuqinë që kanë sot dhe artistët promovoheshin kryesisht nga figurat televizive. Ai e ka mbështetur gjithnjë Dafinën në hapat e saj në karrierë.
“Po e flas haptazi për shkak se as unë nuk i harroj njerëzit që në fillimet e mia të karrierës më kanë përkrahur,” tha ai asokohe.
Më vonë, gjatë një interviste në “RTV Dukagjini” ai foli hapur për marrëdhënien mes tyre e cila nuk ishte më si më parë.
Ai u shpreh se kishte ngrënë bukë me të dhe i kishte qëndruar pranë për vite me radhë.
“Unë kam bërë shumë për të. Kam ngrënë bukë me të, i kam qëndruar pranë për vite, por një gjë e vogël i ka lënë përshtypje. E quajta “mosmirënjohëse”, për ditëlindjen që organizoi. Si është e mundur që një njeri që i ka qëndruar afër për dekada, të mos jetë pjesë e asaj dite, ndërsa ishin aty njerëz që s’kanë qenë kurrë afër saj? Njerëz që ishin në “Big Brother”, vijoi ai.
E kështu drama mes tyre vazhdoi. Dafina në mënyrë të tërthotë përmes një story në Instagram bëri një reflektim mbi gjithçka që kishte arritur, gjërat që i ishte dashur të linte pas vetëm sepse nuk i shërbenin më duke treguar dhe arsyen pse kishte zgjedhur heshtjen pas deklaratave të Labinotit.
“Kam lënë pas çfarë që nuk më shërben më dhe kjo mjafton. Qëndroj e fortë në atë që jam,” shkruan Dafina në mesazhin e saj, duke theksuar se heshtja nuk është dobësi, por forcë. Në një tjetër pjesë ajo thotë: “Ata do flasin. Lëri të flasin. Do vazhdoj të jem vetvetja – me dashuri, gjithmonë.”
Çdo gjë u duk sikur u harrua, pasi në dhjetor të vitit të shkuar këngëtarja ishte ftuar prej tij në festën e jubilarit të karrierës.
Ky takim i fundit i tyre, duket se i ka dhënë fund çdo moskuptimi mes dyshes.
Shqipëria po hedh një hap të rëndësishëm drejt integrimit në tregun digjital europian. Me ndryshimet e propozuara në ligjin për komunikimet elektronike, qeveria synon zbatimin e roamingut “si në shtëpi” me Bashkimin Europian.
Projektligji krijon bazën ligjore për uljen e kostove të komunikimit dhe harmonizimin e tarifave me standardet e BE-së.
“Ky ndryshim do të thotë se çdo qytetar shqiptar që udhëton në Europë do të mund të përdorë internetin, të kryejë thirrje apo të dërgojë mesazhe me të njëjtat çmime që paguan në Shqipëri, pa pasur nevojë të blejë karta të huaja apo të fikë telefonin nga frika e faturave të kripura.”
Ndryshimet ligjore parashikojnë që tarifat e roamingut dhe të thirrjeve me vendet e BE-së të mos tejkalojnë tavanet e përcaktuara në nivel europian. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ngarkohet me monitorimin dhe zbatimin e këtyre rregullave.
“Rregulli i ri siguron që thirrjet që vijnë nga numrat e shteteve të BE-së drejt Shqipërisë të mos kushtojnë më shumë se një tarifë maksimale e vetme, e ashtuquajtur ‘Eurotarifë’. Kjo do të thotë se komunikimi me të afërmit që jetojnë në emigrim do të bëhet shumë më i lirë dhe më i aksesueshëm për të gjithë. Operatorët që nuk respektojnë tarifat e reja apo vendimet e AKEP-it do të përballen me gjoba të rënda administrative.”
Zbatimi i këtyre dispozitave do të nisë në datën e dakordësuar në marrëveshjen dypalëshe mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, duke i hapur rrugë një modeli komunikimi më të lirë dhe më të parashikueshëm për qytetarët shqiptarë./K.M
Shkencëtarët kanë zbuluar se disa qeliza nervore në tru janë përgjegjëse për ruajtjen afatgjatë të kujtimeve. Ky zbulim ndihmon në kuptimin më të thellë të mënyrës se si formohet dhe ruhet kujtesa.
Studimet tregojnë se kujtimet nuk ruhen në një zonë të vetme të trurit, por shpërndahen në rrjete të ndryshme nervore. Ky mekanizëm e bën trurin më rezistent ndaj dëmtimeve.
Ky zbulim mund të hapë rrugën për trajtime të reja ndaj sëmundjeve neurodegjenerative si Alzheimeri dhe çrregullimet e kujtesës, duke sjellë shpresë për miliona pacientë në mbarë botën./KM
Teksa vendi ynë është përfshirë nga reshjet e dendura të shiut, prurjet në Kaskadën e Drinit kanë qenë të mëdha. Kjo ka bërë që të nisin shkarkimet e kontrolluara nga HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës.
Ka qenë vetë Rama që ka postuar një video në rrjetin social ‘Facebook’, ndërsa shtoi se shkarkimet po monitorohen dhe menaxhohen nga specialistë të hidrocentraleve.
“Në kaskadën e Drinit si pasojë e rritjes së prurjeve, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara, ku aktualisht po shkarkohet një sasi prej 700 m³/sekondë, përveç prodhimit, shkarkime këto të monitoruara dhe të menaxhuara nga specialistët e hidrocentraleve. Bashkia Shkodër është në koordinim të vazhdueshëm me KESH për menaxhimin e situatës dhe minimizimin e çdo rreziku të mundshëm për zonat e territorit të bashkisë, ndërsa deri në këto momente nuk është evidentuar asnjë problematikë.”, shkruan Rama./K.M
Papa Leone XIV ka mbyllur zyrtarisht Portën e Shenjtë të Bazilikës së Shën Pjetrit, duke shënuar përfundimin e Jubileut 2025, i dedikuar shpresës.
Porta e famshme ishte hapur nga Papa Françesku më 24 dhjetor 2024, duke nisur një vit ngjarjesh jubilarë dhe vizitash nga miliona pelegrinë nga e gjithë bota.
Sipas policisë së Romës, në sigurimin e ngjarjeve jubilarë janë angazhuar mbi 70,000 forca të rendit, duke përfshirë policinë, karabinierët, Gardën e Financës, policinë lokale, shërbimet e mbrojtjes civile dhe operatorët e transportit publik dhe urgjencës. Questori i Romës, Roberto Massucci, theksoi se përpjekja për sigurimin e ngjarjeve ishte rezultat i një koordinimi të gjerë institucional.
“Siguria e miliona pelegrinëve është rezultat i punës së bashkuar të të gjitha institucioneve – nga policia dhe karabinierët, deri tek shërbimet e emergjencës dhe transportit publik,” tha Massucci.
Gjatë Jubileut 2025, më shumë se 33 milionë pelegrinë kanë vizituar Romën, duke bërë të nevojshme një përkushtim të jashtëzakonshëm për menaxhimin e sigurisë dhe rendit.
Mbyllja e Portës së Shenjtë shënon një pikë kulmore të vitit jubilar dhe një moment simbolik për komunitetin katolik global, duke përmbyllur një cikël shprese dhe besimi./K.M
Një bimë e zakonshme kacavjerrëse është shndërruar në burim të ardhurash për qindra gra dhe fermerë në Indi, ndërsa kërkesa globale për produkte natyrale po rritet.
Deri pak vite më parë, lulja “butterfly pea”, e njohur në Indi si “aparajita”, ishte thjesht një bimë zbukuruese në shumë fshatra të vendit. Sot, ajo po kthehet në një produkt me vlerë të lartë ekonomike, falë përdorimit të saj si çaj dhe si ngjyrues natyral ushqimor.
Nilam Brahma, nga një fshat në shtetin Assam, tregon se për herë të parë kuptoi potencialin ekonomik të lules rreth dy vjet më parë, kur pa gra të tjera që fitonin para nga shitja e saj. “Herën e parë fitova rreth 50 dollarë nga lulet e thara. Ajo përvojë më dha besim se mund të ndërtoja të ardhmen time,” thotë ajo.
Rritja e interesit për produkte natyrale dhe kufizimet ndaj ngjyruesve sintetikë në SHBA dhe Evropë kanë shtuar kërkesën globale për “butterfly pea”. Në vitin 2021, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) miratoi përdorimin e kësaj luleje si aditiv ushqimor, ndërsa në Evropë ajo ende klasifikohet si “ushqim i ri”, që kërkon autorizime shtesë.
Pavarësisht kufizimeve rregulluese, sipërmarrësit indianë po investojnë në zhvillimin e këtij sektori. Kompani si Blue Tea dhe THS Impex po punojnë drejtpërdrejt me fermerët për të përmirësuar cilësinë e prodhimit dhe për të krijuar zinxhirë të qëndrueshëm furnizimi, ku një rol kyç luajnë gratë rurale.
Sipas sipërmarrësve, sfidat kryesore mbeten mungesa e një tregu të strukturuar dhe standardeve të unifikuara të çmimeve. Megjithatë, numri i fermerëve të përfshirë është në rritje dhe të ardhurat po rriten ndjeshëm në zonat rurale.
Përveç vlerës ekonomike, studime të hershme sugjerojnë se çaji nga kjo lule mund të ketë përfitime shëndetësore, përfshirë përmirësimin e kontrollit të sheqerit në gjak, megjithëse ekspertët theksojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme.
Shembulli i “butterfly pea” po shihet gjithnjë e më shumë si një model se si bujqësia tradicionale dhe sipërmarrja mund të ndërthuren për të krijuar mundësi të reja ekonomike në vendet në zhvillim./K.M
Në Ersekë u mbajt këtë të martë ceremonia e Ujit të Bekuar, një nga ritet më të rëndësishme të besimit të krishterë ortodoks.
Për shkak të kushteve të pafavorshme meteorologjike, ceremonia nuk u zhvillua në ambiente të hapura, por u mbajt brenda kishës së Shën Gjergjit në Ersekë.
Shërbesa u drejtua nga At Kristaq Tase, i cili bekoi ujin dhe besimtarët e pranishëm. Kryqi i bekuar këtë vit u mor nga 13-vjeçari Marko Dusho.
Pas përfundimit të ceremonisë, besimtarët morën ujë të bekuar për ta çuar në shtëpitë e tyre, si simbol i mbarësisë, paqes dhe bekimit për familjet gjatë vitit të ri./K.M
Prej ditës së djeshme, si pasojë e rritjes së prurjeve në kaskadën e Drinit, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës, me një sasi aktuale prej 700 m³/sekondë.
Komisioni i Emergjencave Civile i Qarkut është në koordinim të vazhdueshëm me KESH për monitorimin e situatës hidrike dhe, deri në këto momente, nuk është evidentuar asnjë problematikë shqetësuese.
Si pasojë e reshjeve të dendura, prurjet në përrenj dhe lumenj janë shtuar në sasi të konsiderueshme, por deri më tani nuk janë konstatuar probleme në kanalet e kullimit, argjinatura, KUL dhe digën e Rezervuarit të Shkodrës. Niveli i ujit në Urën e Vjetër të Bunës mbetet nën kuotën e rrezikut.
Lumenjtë Drin, Kir dhe Gjadër kanë shënuar rritje të prurjeve, por niveli i tyre është ende poshtë kuotave të rrezikut për përmbytje. Po ashtu, Rezervuari i Shkodrës ndodhet nën kuotat kritike.
Hidrovoret e Vilunit dhe Cas janë në funksion me nga pesë pompa secili dhe janë në gatishmëri për të punuar me kapacitet të plotë në rast nevoje./K.M
Udhëheqësja e opozitës venezueliane, Maria Corina Machado, duke folur për Fox News, tha se presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodriguez është një nga arkitektet kryesore të torturës, persekutimit, korrupsionit dhe trafikut të drogës në vend.
Rodriguez, e cila ka shprehur gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me Uashingtonin, ishte zëvendës presidente e Venezuelës kur Maduro ishte president, shkruan La Reppublica.
Machado pohoi se Rodriguez refuzohet nga populli venezuelian dhe se votuesit ishin në anën e opozitës.
“Në zgjedhje të lira dhe të ndershme, ne do të fitojmë me mbi 90% të votave, nuk kam asnjë dyshim për këtë”, theksoi Machado.
Machado është larguar nga vendi, pas persekutimit nga Nicolas Maduro. Në vitin 2025, ajo fitoi çmimin Nobel për paqe.
Machado përshkroi gjithashtu vizionin e saj për Venezuelën, duke u zotuar ta kthejë Venezuelën në qendrën energjetike të Amerikave dhe të çmontojë strukturat kriminale që kanë dëmtuar qytetarët. Ajo u zotua të kthejë në shtëpi miliona venezuelianë të detyruar të largohen nga vendi./K.M
Moti i keq që ka përshirë pjesën më të madhe të vendit ka shkaktuar përmbytje në disa segmente rrugore në vend.
Kështu në Durrës rrugët pranë stadiumit të qytetit janë nën ‘pushetin’ e ujit, duke i bërë të pakalueshme për këmbësorët dhe duke shkaktuar vështirësi për qarkullimin e makinave./K.M
Reshjet e dendura të shiut dhe prurjet e paparashikueshme nga lumenjtë anësorë kanë rritur nivelin e ujit në hidrocentralet e kaskadës së Drinit.
Edhe këtë të martë, vijojnë shkarkimet e uijt nga hidrocentralet e Komanit dhe të Vaut të Dejës.
Valbona dhe prurjet anësore të basenit të Komanit, dje kanë qenë jashtë parashikimeve.
Sipas burimeve, mësohet se shkarkimet në Koman janë në niveli 500 metër kub ujë. Ndërsa prodhimi me kapacitet maksimal nxjerr dhe 750 metra kub të tjera në sekondë , me totalin 1250 metër kub në sekondë që derdhen në Vaun e Dejës.
Situata nuk paraqet rrezik, derisa prurjet të mos kalojnë 1500 metër kub.
Favor tjetër është Fierza, e cila as nuk prodhon dhe as nuk shkarkon. Aktualisht, në Fierzë kuota është 280 metra nga 296 dhe prurjet janë 600 metër kub në sekondë./K.M
Pas temperaturave të ulëta që kanë goditur Francën, kryeqyteti i saj Parisi, është zbardhur nga dëbora.
Vendet ikonë si Katedralja e Notre Dame dhe Kulla Eiffel u zbardhën krejtësisht, po ashtu si edhe kështjella e Disneyland.
Teksa vendasit dhe qindra turistë kanë shijuar peizazhin e mrekullueshëm, pasditen e djeshme reshjet e dendura të dëborës shkaktuan anulimin e një pjese të fluturimeve nga aeroportet Orly dhe Charles de Gaulle në Paris.
Ndërkohë, autoritetet u kanë bërë thirrje gjithashtu drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar në qarkullim./K.M
I shoqëruar nga zhurma e prangave në këmbë, presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, u shfaq për herë të parë në një sallë gjyqi federale në Nju Jork, në një seancë që zgjati rreth 40 minuta dhe u ndoq me interes të lartë nga mediat ndërkombëtare.
Sapo hyri në sallën e mbushur me gazetarë dhe publik, Maduro deklaroi se ishte “rrëmbyer” dhe se ndodhej në SHBA kundër vullnetit të tij. Ai e cilësoi veten si “një i burgosur lufte”.
Gjatë seancës, gjyqtari Alvin Hellerstein i kërkoi Madurros të konfirmonte identitetin për të nisur procedurat. Duke folur qetësisht në spanjisht, ai u shpreh: “Unë jam Nicolás Maduro, president i Republikës së Venezuelës dhe jam këtu i rrëmbyer që prej 3 janarit. U kapa në shtëpinë time në Karakas.”
Gjatë seancës, Maduro dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, deklaruan se nuk ndihen fajtorë për akuzat që lidhen me drogën dhe armët. “Jam i pafajshëm. Jam një njeri i ndershëm”, tha Maduro, ndërsa Flores shtoi se ishte “plotësisht e pafajshme”.
Maduro, 63 vjeç, dhe bashkëshortja e tij u transferuan në një burg të Nju Jorkut pasi u arrestuan të shtunën nga forcat amerikane në kompleksin e tyre në Venezuelë, gjatë një operacioni të papritur gjatë natës, i cili u shoqërua edhe me goditje ndaj bazave ushtarake.
Të veshur me uniforma burgu blu dhe portokalli, si dhe pantallona ngjyrë kaki, të dy mbanin kufje për të ndjekur përkthimin në spanjisht gjatë seancës, me një avokat të ulur mes tyre. Maduro mbante shënime të hollësishme në një bllok shënimesh të verdhë dhe i kërkoi gjyqtarit leje që ta mbante me vete edhe pas përfundimit të seancës.
Kur hyri në sallë — e njëjta sallë gjyqi ku vetëm disa muaj më parë u gjykua dhe u dënua Sean “Diddy” Combs — Maduro u kthye për të përshëndetur disa persona në publik me një tundje koke. Ai ruajti një qëndrim të qetë dhe pa shprehje gjatë gjithë procedurës, edhe në momentin kur një person nga publiku bërtiti se Maduro do të “paguante për krimet e tij”.
“Jam president dhe i burgosur lufte”, bërtiti Maduro në spanjisht drejt tij, ndërsa ai u shoqërua jashtë sallës mes lotësh, shkruan BBC.
Seanca ishte emocionale edhe për të tjerë të pranishëm. Gazetarja venezueliane Maibort Petit deklaroi se goditjet raketore amerikane gjatë arrestimit të Maduros kishin dëmtuar shtëpinë e familjes së saj pranë Fuerte Tiuna në Karakas, duke e cilësuar surreal momentin kur pa ish-presidentin e saj të shoqëruar në gjykatë nga marshallët amerikanë.
Bashkëshortja e Maduros, Cilia Flores, u shfaq më e rezervuar, me fasha pranë syve dhe ballit për shkak të dëmtimeve që, sipas avokatëve, i ka pësuar gjatë arrestimit. Avokatët kërkuan që ajo të marrë trajtim mjekësor të plotë, përfshirë ekzaminime për dëmtime të brinjëve dhe fraktura të mundshme.
Maduro dhe Flores nuk kërkuan lirimin me kusht gjatë kësaj seance, por kanë të drejtë ta bëjnë këtë në një fazë të mëvonshme, çka do të thotë se do të qëndrojnë në paraburgim federal.
Autoritetet amerikane e akuzojnë Maduron për komplot për narkoterrorizëm, trafik kokaine, posedim armësh automatike dhe mjete shpërthyese, si dhe komplot për posedimin e tyre. Ai është akuzuar së bashku me bashkëshorten, djalin e tij dhe disa persona të tjerë.
Seanca e radhës gjyqësore është caktuar për datën 17 mars./K.M
Kryeministri i Groenlandës ka deklaruar se do të rivendosë komunikimin me Shtetet e Bashkuara, pasi presidenti Donald Trump, u shpreh se dëshiron që SHBA të marrë kontrollin e territorit autonom danez.
“Situata nuk është e tillë që Shtetet e Bashkuara të mund ta pushtojnë Groenlandën. Ky nuk është rasti. Pra, nuk duhet të na zërë paniku. Duhet të rivendosim bashkëpunimin e mirë që kemi pasur“, tha Jens- Frederik Nielsen gjatë një konference për shtyp në Nuuk, kryeqytetin e Groenlandës.
Nielsen tha se një gjë është e sigurt, se situata është shumë e ndryshme.
“Vendi ynë nuk mund të krahasohet me Venezuelën. Ne jemi një vend demokratik. Ka qenë kështu për shumë, shumë vite”, theksoi ai./K.M
Froni i pijes më të mirë alkoolike ka pasur gjithnjë dy kandidatë kryesorë: birrën dhe verën.
Debati për secilën prej tyre ka vazhduar prej vitesh dhe gjithnjë është vërtitur tek mbiemri “e mirë”, ndonëse të dyja janë të mira.
Në fund të fundit, të dyja janë subjekt preference të konsumatorit.
Të dyja mund të përdoren në gatim dhe kanë kontributet respektive në shëndetin e njeriut. Përqendrimi i alkoolit varion sipas llojit të birrës apo verës.
Pikë së pari, birra merret nga drithërat e ndryshëm si nga gruri, misri apo edhe orizi.
Birra përmban edhe një lloj luleje që funksion si substancë parandaluese ndaj rritjes së mikrobeve ose ndryshimeve të tjera kimike në lëng.
Nga ana tjetër, vera është një pije alkoolike që vjen nga rrushi, ose më saktë, lëngu i fermentuar i rrushit.
Në aspektin historik, birra konsiderohet si lëngu më i lashtë alkoolik në botë.
Ekzistenca e birrës është provuar deri në vitin 9,000 para Krishtit ndërkohë që vera është prodhuar për herë të parë diku rreth vitit 6,000 para Krishtit.
Rrjedhimisht vera, është një produkt relativisht i ri alkoolik në krahasim me birrën.
Në aspektin shoqëror, vera është zgjedhja e preferuar alkoolike për raste speciale siç janë dasmat, mbrëmjet gala, ballot e të tjera si këto.
Birra është më e zakontë, është pije standarde për masat, është për mbledhjet e rastësishme jo formale, por gazmore.
Në botë ka dashamirës të pijeve alkolike që pijnë edhe verën edhe birrën në varësi të varietetit.
Vera ka një shije dhe aromë më të mirë, por gjithnjë të ndryshme dhe të përditësuar, ndërsa birra shijon pak a shumë njësoj duke qenë se vjen nga lloje të pakëta drithi.
Vera nga ana tjetër është një kurorë e mirëfilltë shijesh dhe nuancash aromatike.
Mijëra lloje rrushi, metoda fermentimi dhe ekstrakte unike krijojnë së bashku vera të ndryshme, unike në të njëjtën kohë dhe të shumëllojshme.
1. Birra është pija më e lashtë alkoolike në botë.
2. Birra vjen nga drithërat ndërsa vera nga rrushi i fermentuar.
3. Birra konsiderohet një pije më pak zyrtare në krahasim me verën.
4. Vera ka më shumë variacione, aroma dhe shije në krahasim me birrën./K.M
Shqipëria pritet të përfshihet nga mot i paqëndrueshëm, me reshje të shumta shiu në pjesën më të madhe të territorit. Zonat perëndimore dhe qendrore parashikohen më të prekura, ndërsa në veri dhe në zonat malore priten reshje intensive bore.
Temperaturat do të jenë tipike dimërore, me rënie të ndjeshme gjatë orëve të mëngjesit dhe mbrëmjes. Në zonat malore vlerat minimale do të zbresin nën zero, duke favorizuar shtresëzimin e borës.
Era do të fryjë mesatare deri e fortë, kryesisht nga veriu dhe verilindja, duke sjellë përkeqësim të kushteve atmosferike. Reshjet intensive mund të shkaktojnë probleme në qarkullim dhe rrezik për përmbytje lokale, ndaj rekomandohet kujdes i shtuar.
Dite shume normale dhe pa asgjë te veçante kjo e sotmja për ata qe janë ne një lidhje. Mire do jete t’i merrni gjerat ashtu si t’iu vijnë pa kërkuar asgjë me ngulm. Beqaret nuk mund te qëndrojnë dot indiferente ndaj ftesave qe do ju bëhen. Financat do jene te mire për aq kohe sa ju te shpenzoni me kujdes dhe t’i menaxhoni mire ato para qe keni.
Demi
Do kaloni momente te bukura, por edhe momente te vështira gjete kësaj dite pranë atij qe dashuroni. tregohuni me te duruar. Beqaret do realizojnë plot takime, por nuk do arrijnë te fillojnë një lidhje te qëndrueshme. Financat do jene shume me te mira nga me pare. Kjo do ju gëzojë pa mase dhe do ju japë me tepër liri për te kryer disa shpenzime.
Binjaket
Dite plot ngjyra kjo e sotmja për ata qe janë ne një lidhje. Shume nga dëshirat me te zjarrta do ju plotësohen me ne fund dhe do ndiheni me se miri. Beqaret do e kenë mendjen tek disa çështje te rëndësishme dhe nuk do kenë kohe te kërkojnë dashurinë. Financat nuk do jene ne gjendjen e pritur, megjithatë me pak kujdes edhe mund t’ia dilni mbanë.
Gaforrja
Sot duhet te flisni seriozisht me partnerin tuaj lidhur me disa çështje te rëndësishme. Është e kote qe t’i shtyni ato dite pas dite. Beqaret do e fillojnë një histori dashurie, por pa qene te sigurte sesa do vazhdoje ajo. Do i marrin gjerat si t’iu vijnë, duke ju besuar emocioneve te momentit. Financat do jene te dobëta sepse nuk do tregoni aspak kujdes kur te shpenzoni.
Luani
Venusi do jete planeti qe do e mbështesë gjate gjithë kohës jetën tuaj ne çift dhe do ju beje te shfrytëzoni çdo moment. Gjerat do ecin për mrekulli. Edhe beqaret do jene ne humorin e duhur për ta kërkuar kudo personin e duhur. Financat duhet t’i menaxhoni me sa me shume kujdes dhe maturi qe te mundeni te paktën këto dite qe do jene delikate.
Virgjeresha
Ju qe jeni ne një lidhje nuk do keni për çfarë te qaheni gjate kësaj dite. Te gjithë gjerat do shkojnë sipas planeve qe keni bere. Beqaret nuk do iu kushtojnë vëmendjen e duhur personave qe do i joshin dhe do mbeten serish vetëm. Ne planin financiar fati do ju buzëqeshë. Do arrini te rregulloni te gjitha problemet qe keni pasur.
Peshorja
Do kaloni çaste shume te bukura gjate kësaj dite me personin qe dashuroni dhe nuk do doni te shkëputeni aspak prej tij. Edhe ata qe kane pasur mosmarrëveshje do ndihen me te qete. Beqaret do jene sensuale dhe do tërheqin mjaft vëmendjen e te tjerëve. Ne planin financiar mos ndërmerrni shume rreziqe sepse situata nuk është ne gjendjen me te mire te mundshme.
Akrepi
Dita e sotme pritet te jete mjaft harmonike për te dashuruarit. Do dialogoni mjaft me atë qe keni ne krah dhe nuk do mund te linde asnjë lloj keqkuptimi. Beqaret do marrin propozime, por nuk do ndihen ende gati për te ndryshuar status. Financat do jene gjithë kohës te mbrojtura kështu qe mund t’i kryeni pa frike shpenzimet me te nevojshme.
Shigjetari
Për shkak te ndikimit negativ te Marsit, jeta juaj ne çift ka rrezik te kaloje një dite te vështirë. Asgjë nuk do eci si ju e kishit ëndërruar. Beqaret do mundohen gjithë kohës te gjejnë personin e duhur, por me kot. Financat nuk do jene te këqija, gjithsesi mendoni pak për te nesërmen dhe ulini sa te mundni shpenzimet. Do e shihni qe edhe vete do jeni me te qete.
Bricjapi
Nëse doni qe jeta juaj ne çift te ece sa me mire nuk duhet absolutisht te tregoheni impulsive. Merrini gjerat sa me shtruar dhe forcojeni bashkëpunimin. Beqaret do jene me te sigurte ne vetvete dhe do e bëjnë për vete atë qe pëlqejnë. Ne planin financiar do jete e vështirë te ruhet ekuilibri sepse do keni i keni te nevojshme t’i kryeni disa shpenzime te mëdha.
Ujori
Jeta sentimentale e te dashuruarve do ece me se miri gjate kësaj dite. Nuk do keni as me te voglin problem apo debat me atë qe keni ne krah. Beqaret do njihen me disa persona dhe do fillojnë menjëherë te bëjnë plane për te ardhmen. Ne planin financiar do luftoni fort qe te arrini ta stabilizoni gjendjen. Disa familjare do iu japin ndihmën e tyre.
Peshqit
Mos e ngrini ne piedestal personin qe keni ne krah sepse do zhgënjeheni me shume nga sa mund ta mendoni. Tregohuni realiste. Beqaret nuk duhet te nxitohen dhe te fillojnë menjëherë një lidhje pa i njohur mire personat. Gjendja e financave do jete goxha e mire. Do dini mire si t’i menaxhoni ato para qe keni dhe nuk do shpenzoni me frike./K.M
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka publikuar më 5 janar tarifat e reja me rritje që hyjnë në fuqi nga ky muaj.
Vendimi për tarifat e reja është marrë më 31 dhjetor 2025 dhe vlen deri më 2028.
Sipas tarifave të reja, uji për konsumatorët shtëpiakë është 0.63 euro për metër kub nga 0.45 euro sa ishte vitin e kaluar.
Edhe tarifat e tjera janë shtrenjtuar. Ajo për konsumatorët joshtëpiakë (komercialë dhe industrialë) është 0.82 euro nga 0.62 euro sa ishte vitin e kaluar.
Tarifa për shërbimet e ujërave të ndotur është 0.28 euro për metër kub, nga 0.17 sa ishte.
Po ashtu, KRU “Prishtina” ka publikuar edhe tarifat të reja për kyçje në rrjetin e ujësjellësit dhe shërbime të tjera.
KRU “Prishtina” furnizon me ujë të pijshëm disa komuna të Kosovës dhe trajton ujërat e zeza. Kjo ndërmarrje ofron shërbime në Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq, Graçanicë, Shtime, Lipjan, Podujevë dhe Drenas./K.M