Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 2 February 2026Main stream

Misioni i FMN-së në Kosovë nga 3 deri më 13 shkurt, ekonomia dhe reformat në fokus

2 February 2026 at 14:47


Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) do të qëndrojë në Kosovë gjatë periudhës 3–13 shkurt 2026, në kuadër të konsultimeve vjetore.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media të lëshuar më 2 shkurt 2026 nga përfaqësuesi rezident rajonal i FMN-së për Ballkanin Perëndimor.

Sipas njoftimit, misioni i FMN-së do të udhëhiqet nga David Amaglobeli.

Qëllimi i kësaj vizite është shqyrtimi i zhvillimeve të fundit makroekonomike në vend, vlerësimi i perspektivës ekonomike dhe rreziqeve, si dhe diskutimi i politikave ekonomike dhe prioriteteve të reformave me autoritetet e Kosovës dhe palët kryesore të interesit.

FMN ka bërë të ditur se në përfundim të vizitës do të publikojë një komunikatë dhe do të mbajë edhe një konferencë për media. /Telegrafi/

Debate në seancë, Veliaj kërkon përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda - largohet nga salla

2 February 2026 at 14:27


Debate në seancën gjyqësore në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.

Veliaj kërkoi përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda pasi nuk i dha te drejtën të mbrohej efektivisht.

Avokatja Valentina Teodoresku u shpreh se taksia e priti vetëm një orë në IVEP Durrës, ndaj nuk pati më shumë kohë të njihej me aktet.

Teodoresku kërkoi shtyrje të seancës, kërkesë e cila u rrëzua nga GJKKO.

Gjyqtarja Etleva Deda ka kaluar në konkluzionet përfundimtare, duke e cilësuar si të ezauruar fazën e mbrojtjes.

Pas diskutimeve, Veliaj theksoi se meqë nuk po dëgjohet do të largohet nga salla./euronews/

​Muhamet Alidemaj dënohet me 13 vjet burgim për masakrën e Izbicës

2 February 2026 at 14:04


Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor Muhamet Alidemajn për krime lufte kundër popullsisë civile dhe e ka dënuar me 13 vjet burg, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor më 2 shkurt 2026.

Vendimi është shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, i cili ka bërë të ditur se i akuzuari është dënuar për veprën penale të krimeve të luftës kundër civilëve, ndërsa është obliguar për shpenzimet e procedurës gjyqësore në shumën prej 200 euro dhe 100 euro të tjera për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.

Sipas aktakuzës, Muhamet Alidemaj kishte marrë pjesë bashkë me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe në vrasjen e civilëve shqiptarë në masakrën e Izbicës që kishte ndodhur në mars 1999, e ku ishin vrarë e masakruar 130 shqiptarë.

Ndryshe, në seancën fllestare më 29 prill 2022, në gjykimin e parë, Alidemaj ishte deklaruar i pafajshëm. Njëjtë u deklarua edhe në seancën e rigjykimit më 23 tetor 2025.

Në gjykimin e parë, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 12 korrik 2024, e shpalli fajtor Muhamet Alidemajn dhe e dënoi me 15 vjet burg për krime lufte të kryera gjatë vitit 1999 në Izbicë.

Në të njëjtën kohë, ndaj tij u shpall aktgjykim refuzues për pikën e dytë të dispozitivit të aktakuzës, e cila kishte të bënte me zhvarrosjen e trupave me ekskavator.

Kjo për shkak se, në fjalën përfundimtare të seancës së 9 korrikut 2024, prokurori Ilir Morina u tërhoq nga kjo pikë e aktakuzës, pasi nuk ishte arritur të vërtetohej se Alidemaj kishte marrë pjesë në zhvarrosjen e viktimave.

Megjithatë, Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 29 mars 2022, Muhamet Alidemaj, gjatë periudhës 24 mars – 11 qershor 1999, në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, së bashku me pjesëtarë të tjerë të këtyre forcave, me dhunë i ndau gratë dhe fëmijët nga burrat, duke i detyruar të largohen në drejtim të Shqipërisë.

Aktakuza sqaron se burrat e mbetur u ekzekutuan me armë automatike, duke u vrarë gjithsej 130 persona, prej të cilëve 114 viktima janë identifikuar, ndërsa 12 civilë i kanë mbijetuar ekzekutimit. Më pas, pas rreth dy muajsh, thuhet se trupat e viktimave u zhvarrosën me ekskavator dhe u transportuan me disa kamionë drejt një destinacioni të panjohur.

Pas përfundimit të luftës, trupat e viktimave u gjetën në varreza masive në Batajnicë të Serbisë, si dhe në fshatin Suhodoll të Mitrovicës dhe në fshatin Novolan të Vushtrrisë.

Me këto veprime, Alidemaj akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, dhe aktualisht e paraparë si “Krime lufte në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të Konventave të Gjenevës”, sipas nenit 146 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./KP/Telegrafi/

PZAP pranon shtatë ankesa ndaj KQZ-së për rezultatet përfundimtare

2 February 2026 at 12:19


Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka konfirmuar për Telegrafin se ka pranuar gjithsej 7 ankesa lidhur me publikimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 28 dhjetorit nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Sipas të dhënave të publikuara ankesat janë paraqitur nga subjekte të ndryshme politike dhe kandidatë, kryesisht për parregullsi në procesin e votimit dhe vendimmarrjen e KQZ-së.

Ankesat janë dorëzuar nga: Lista Serbe – ankesë ndaj vendimit të KQZ-së; Nova Demokratska Stranka (NDS) – dy ankesa për parregullsi gjatë votimit; koalicioni PAI–PDAK–LPB – ankesë për parregullsi me fletëvotime; Bekim Haxhiu – dy ankesa, njëra lidhur me shpërndarjen e ulëseve në Kuvend dhe tjetra për parregullsi gjatë numërimit të votave me postë dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK) – ankesë për parregullsi gjatë procesit të votimit.

Nga PZAP kanë bërë të ditur se për të gjitha ankesat e pranuara do të vendoset brenda afatit ligjor prej 96 orësh, duke filluar nga data e parashtrimit të secilës ankesë.

Vendimet e PZAP-së pritet të kenë ndikim në procesin përfundimtar të certifikimit të rezultateve zgjedhore nga KQZ.

Ndryshe kujtojmë se sot në orën 11:00 është përmbyllur afati për subjektet dhe kandidatët për të dorëzuar ankesat në PZAP.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit të shtunën.

Shpallja e rezultateve u bë pas rinumërimit, gjatë të cilit u konstatua manipulim me vota të kandidatëve për deputet.

Lidhur me tjetërsimin e votës u aktivizuan institucione të sigurisë e drejtësisë. U arrestuan dhjetëra persona në disa rajone. /Telegrafi/

“Edhe kur ju quajnë mercenarë e ju sulmojnë, ju vazhdoni” – Myrtezaj vlerëson gazetarët dhe punën e tyre

2 February 2026 at 11:40


Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valon Murtezaj ka shprehur falënderimet e tij për gazetarët, fotografët, operatorët e kamerave, producentët, redaktorët dhe çdo anëtar të medias për punën e tyre të përditshme.

Në një postim Murtezaj tha se gazetarët punojnë shpesh në kushte të vështira vetëm për t’i dhënë publikut informacionin që meriton.

“Dua të ju them: Faleminderit. Ju punoni çdo ditë, shpesh apo dhe zakonisht në kushte të vështira, të pakëndshme ose nganjëherë madje të rrezikshme. E bëni këtë për të bërë pyetjet që duhet bërë, për t’i mbajtur pushtetet dhe politikanët përgjegjës për përgjegjësitë që kanë ndaj qytetarëve, për t’i dhënë publikut informacionin që meriton”, ka shkruar Murtezaj.

Ai shtoi se pavarësisht që politikanët i vendosin në armiqësi dhe i sulmojnë, gazetarët vazhdojnë të bëjnë punën e tyre.

“Ju duroni orë të gjata, ndryshime në sekondën dhe minutën e fundit, dhe shpesh dëgjoni përgjigje të përsëritura dhe fjalë pa kuptim apo dhe gënjeshtra. Politikanët ju vendosin në armiqësi, dhe ndonjëherë me sulme të hapura madje ju quajnë edhe mercenarë. Dhe megjithatë ju vazhdoni të vini, vazhdoni të përpiqeni të merrni informacione dhe qartësi për t’i informuar të tjerët”, u shpreh anëtari i LDK-së.

Murtezaj theksoi se “nga ajo që kam parë përgjatë shumë viteve durimi juaj është i jashtëzakonshëm.Kjo këmbëngulje juaj është e rëndësishme”.

Ai theksoi se gazetaria mbetet një nga shtyllat më të rëndëishme që e ndihmojnë lirinë dhe demokracinë në vend.

“Por një gjë duhet ta keni të qartë, puna juaj, edhe kur kritikohet ose kur nuk vlerësohet sa duhet, ajo mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme që e ndihmojnë lirinë dhe demokracinë në Kosovë. Faleminderit”, shkroi Murtezaj. /Telegrafi/

Lista Serbe ankohet në PZAP ndaj vendimit të KQZ-së, OSBE: Të respektohen standardet ndërkombëtare

2 February 2026 at 11:22


Misioni i OSBE-së në Kosovë ka njoftuar se Lista Serbe ka dorëzuar ankesën e saj në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Sipas njoftimit të OSBE-së, ankesa e subjektit politik serb ka të bëjë lidhur me dështimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve javën e kaluar për të publikuar zyrtarisht votat e tyre të marra në zgjedhjet e dhjetorit 2025.

Në njoftim misioni thekson nevojën për përputhje të plotë dhe respektin të standardeve ndërkombëtare zgjedhore, në veçanti publikimin transparent dhe gjithëpërfshirës të rezultateve të zgjedhjeve, si mënyrë për të siguruar siguri ligjore dhe trajtim të barabartë për të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje.

OSBE gjithashtu bëri të ditur se do të vazhdojë të monitorojë zhvillimet nga afër.

Kujtojmë se kandidati i dytë më i votuar i Listës Serbe, Igor Simiq kishte paralajmëruar ankesë në PZAP, pasi të shtunën me dy vota kundër nga Lëvizja Vetëvendosje dhe me pjesën tjetër të anëtarëve të KQZ-së që abstenuan nuk u miratua lista e kandidatëve të kësaj partie.

Ligji për Zgjedhjet e parasheh që për trajtimin e ankesave, PZAP-ja i ka katër ditë afat./Telegrafi/


Autoritetet nisin hetime edhe në Podujevë mbi dyshimet për manipulim të votave

2 February 2026 at 10:40


Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka autorizuar Policinë e Kosovës, konkretisht Drejtorinë e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, për grumbullimin dhe mbledhjen e provave lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale kundër të drejtave të votimit në Podujevë.

Në njoftim thuhet se "gjatë këtij procesi ekzistojnë dyshime se janë evidentuar parregullsi, përkatësisht mospërputhje në numrin e votave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pas përfundimit të numërimit të votave në komunën e Podujevës“.

Prokuroria gjithashtu thekson se së bashku me Policinë e Kosovës mbeten të përkushtuar në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.

Hetimet janë në zhvillim e sipër, ndërkohë që institucionet përkatëse kanë theksuar rëndësinë e transparencës dhe ndjekjes së procedurave ligjore në procesin e numërimit të votave.

Ndryshe dje në rajonin e Mitrovicë janë ndaluar për 48 orë 34 kryesues të Qendrave Komunale të Numërimit (QKN), ku për 10 prej tyre Prokuroria ka paraqitur kërkesë për paraburgim.

Ditëve të fundit, autoritetet në Kosovë kanë intervistuar qindra njerëz nëpër komuna të ndryshme, dhe kanë ndaluar dhjetëra, nën dyshimet e njëjta.

Kujtojmë se hetime pëveç Podujevës e Mitrovicës, po kryhen edhe në Prizren, Malishevës, Ferizaj, Pejë dhe Drenas./Telegrafi/


ZRRE miraton të hyrat e NEMO-s dhe cakton KEK-un si Furnizues të Mundësisë së Fundit edhe për 3 vjet

2 February 2026 at 10:14


Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji – ZRRE u mblodh sot, ku pas analizimit të aplikacionit dhe procesit të konsultimit publik, miratoi të hyrat maksimale të lejuara për Operatorin e Tregut të Energjisë Elektrike (NEMO) për zonën e ofertimit të Kosovës për vitet 2026‑2028.

ZRRE theksoi se struktura e të hyrave dominohet kryesisht nga kostot operative dhe se "rritja e të hyrave reflekton zhvillimin e tregut dhe rritjen e volumit të shitjes së energjisë dhe jo rritjen tarifore për pjesëmarrësit", duke sqaruar se tarifa e NEMO‑s propozohet të mbetet e pandryshuar krahasuar me periudhën paraprake.

Sipas vendimit, vlera e të hyrave të propozuara për Kosovën është: 669,028 euro për vitin 2026, 712,410 euro për vitin 2027 dhe 835,613 € për vitin 2028.

ZRRE gjithashtu konfirmoi se “tarifat e ALPEX aplikohen vetëm për shërbimet ndaj anëtarëve të bursës” dhe me 5 vota për u aprovuan të hyrat dhe mbetën të njëjta tarifa për periudhën e propozuar nga departamenti i tarifave, raporton Telegrafi.

Në pjesën tjetër të rendit të ditës, ZRRE shqyrtoi edhe çështjen e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF). U rikujtua se, sipas rregullave të energjisë elektrike, konsumatorët që mbesin pa furnizues kalojnë në FMF vetëm për një periudhë 60 ditore, ku pastaj duhet të zgjedhin një furnizues të licencuar.

Me vendimin e Bordit më herët, KEK ishte emëruar furnizues i mundësisë së fundit për periudhën 31.07.2022–31.07.2025, por tenderi për një furnizues të ri kishte dështuar dy here.

“Në mars 2025, kur u hap procedura e tenderimit pas përfundimit të periudhës së mëparshme, por nuk u paraqit asnjë ofertë. Gjatë ritenderimit në periudhën korrik–dhjetor 2025, u anulua sërish më 18.12.2025 për mungesë ofertash”, u than në mbledhjen e Bordit të ZRRE-së.

Në këtë kontekst, ZRRE propozoi dhe caktoi KEK‑un sërish si Furnizues të Mundësisë së Fundit për periudhën prej 31.01.2026 deri më 31.01.2029, duke argumentuar që është plotësuar kushti për të ushtruar këtë përgjegjësi dhe duke miratuar periudhën e re trevjeçare të furnizimit. /Telegrafi/

Vranësira, kthjellime e reshje shiu

2 February 2026 at 08:37


Ditën e sotme vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me alternime vranësirash mesatare deri të dendura si dhe intervale të herëpashershme me kthjellime kryesisht përgjatë ultësirës perëndimore e në jug të vendit.

Nga orët e para të 24 orëshit deri gjatë orëve të mëngjesit reshje të dobëta shiu të karakterit lokal.

Gjatë ditës kryesisht në orët e mesditës e pasdites, reshjet parashikohen me intensitet kryesisht të ulët, ndërsa nuk do të mungojnë shtrëngata afatshkurtra në zonën qendrore.Në orët e mbrëmjes parashikohet ndërprerja e reshjeve.

Në lartësinë mbi 900-1000 metër në veri-verilindje-juglindje, do të ketë reshje bore me intensitet të ulët.

Era do të fryjë do të fryjë me drejtim nga verilindje – jugperëndim me shpejtësi mesatare 6m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era me shpejtësi deri në 10m/s.

Në det do të ketë valëzim të forcës 1-2 ballë./tch/

Aksident në rrugën Prishtinë - Podujevë - përfshihen tri vetura, lëndohen katër persona

2 February 2026 at 08:31


Një aksident ka ndodhur mbrëmë në rrugën Prishtinë – Podujevë, në fshatin Shakovicë, ku janë përfshirë tri vetura.

Për pasojë, uraishte bllokuar dhe qarkullimi u ndërpre përkohësisht, ndërsa autoritetet dolën në vendngjarje.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegragfin zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.

"Mbrëmë, rreth orës 21:00, në fshatin Shakovicë të Podujevës ka ndodhur një aksident trafiku ku janë përfshirë tre automjete. Si pasojë e përplasjes, katër persona kanë pësuar lëndime", tha Ahmeti

Ajo shtoi se personat e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor, ndërsa me rastin po merret Njësiti i Trafikut Rajonal.

Kujtojmë se të dielën kjo rrugë ishte bllokuar si pasojë e ngricave të shkaktuara nga reshjet e borës./Telegrafi/

ZRRE mblidhet sot, shqyrton tarifat e NEMO-s dhe Furnizuesin e Mundësisë së Fundit

2 February 2026 at 08:12


Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se sot do të mbahet mbledhja e parë e Bordit të ZRRE-së për vitin 2026.

Gjatë kësaj mbledhjeje do të shqyrtohet kërkesa për përcaktimin e të hyrave dhe tarifave të Operatorit të Tregut të Energjisë Elektrike (NEMO), si dhe çështja e caktimit të Furnizuesit të Mundësisë së Fundit.

Ndërkohë, operatorët energjetikë në Kosovë kanë paraqitur kërkesa për rritjen e tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026.

Kompania për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka kërkuar rritje mbi 20 për qind të tarifave, duke u arsyetuar me rritjen e kostove operative dhe nevojën për sigurimin e një furnizimi të qëndrueshëm me energji elektrike.

Sipas dokumentit të dorëzuar nga KESCO, i cili përmban analizën e kostove dhe projeksionet financiare për vitin e ardhshëm, nevojat financiare të furnizuesit tejkalojnë vlerat e të hyrave të miratuara për vitin 2025, duke sugjeruar një rritje të tarifave për konsumatorët, në mënyrë që të mbulohen kostot operative dhe të tjera të lidhura me sigurimin e furnizimit me rrymë.

Në vitin 2023, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) kishte miratuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 15 për qind, ndërsa në vitin 2025 tarifat u shtrenjtuan për 16.1 për qind. /Telegrafi/

Afati për ankesa në PZ​AP përfundon sot në ora 11:00

2 February 2026 at 07:47


Ora 11:00 e së hënës është afati i fundit për subjektet politike dhe kandidatët që të paraqesin ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), përpara se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të vazhdojë me certifikimin e rezultateve zgjedhore të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Një ankesë tashmë është paralajmëruar nga kandidati i dytë më i votuar i Listës Serbe, Igor Simiq, pasi të shtunën nuk u miratua lista e kandidatëve të kësaj partie.

Vendimi u mor me dy vota kundër nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa anëtarët e tjerë të KQZ-së abstenuan.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet, PZAP-ja ka afat prej katër ditësh për shqyrtimin e ankesave.

Pas marrjes së vendimit, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën Supreme brenda dy ditësh, ndërsa kjo e fundit ka tri ditë kohë për të vendosur.

Duke u bazuar në këto afate ligjore, vendimmarrja përfundimtare pritet të përfundojë deri në mesin e muajit shkurt.

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte njoftuar se subjektet politike dhe kandidatët mund të paraqesin ankesat ndaj vendimeve të KQZ-së në PZAP, duke filluar nga e shtuna, 31 janar 2026, nga ora 11:00, brenda afatit prej 48 orësh. /Telegrafi/

Prokuroria në Mitrovicë kërkon paraburgim për 10 prej kryesuesve të ndaluar për manipulim votash

2 February 2026 at 07:40


Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 10 prej 34 kryesuesve të Qendrave Komunale të Numërimit (QKN) që janë ndaluar nën dyshimin për falsifikim të rezultateve gjatë procesit zgjedhor të 28 dhjetorit 2025.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, i cili tha se 34 persona janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprën penale “falsifikim i rezultateve të votimit”.

Prokuroria kishte urdhëruar intervistimin e 43 kryesuesve të QKN-ve në komunat Mitrovicë Jug, Mitrovicë Veri, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, për shkak të dyshimeve për manipulim të rezultatit zgjedhor.

Gjykata pritet të vendosë për masën e sigurisë ndaj të ndaluarve në seancat e ardhshme.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, manipulimi i qëllimshëm i votës apo i rezultatit zgjedhor përbën vepër penale dhe dënohet me burgim deri në pesë vjet. /Telegrafi/

Rrugët drejt pikave kufitare të kalueshme, por me borë dhe akull në disa segmente

2 February 2026 at 07:22


Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka bërë të ditur se gjendja e rrugëve që shpien drejt pikave të kalimit kufitar është përgjithësisht e mirë dhe e kalueshme.

Sipas të dhënave të fundit, në shumicën e magjistraleve nuk ka prezencë të borës, akullit, mjegullës apo rrëshqitjeve të dheut. Rrugët në drejtimet Mitrovicë–Bërnjak, Gjakovë–Qafë Morinë, Gjakovë–Qafë Prushit, Gjilan–Dheu i Bardhë, Kaçanik–Hani i Elezit, Podujevë–Merdarë dhe Prizren–Vërmicë janë të kalueshme pa pengesa.

Megjithatë, në disa segmente është raportuar prani e borës dhe akullit.

Rruga Pejë–Kullë ka borë dhe mjegull, ndërsa në aksin Prishtinë–Mutivodë është shënuar prani e borës dhe akullit, çka kërkon kujdes të shtuar nga drejtuesit e automjeteve.

Policia e Kosovës ka bërë apel për kujdes të shtuar, pasi kushtet atmosferike dhe reshjet e borës kanë vështirësuar qarkullimin në disa akse rrugore.

Trafiku është bërë i vështirë për shkak të borës, ngricave dhe dukshmërisë së reduktuar në disa segmente, veçanërisht në rrugët nacionale e rajonale.

Autoritetet kanë kërkuar nga drejtuesit e mjeteve që të: Përshtatin shpejtësinë me kushtet aktuale të rrugës; mbajnë distancë të sigurt nga automjetet para tyre; të përdorin dritat në kushte me dukshmëri të dobët dhe të shmangin manovrat e rrezikshme si parakalimet e panevojshme apo frenimet e papritura. /Telegrafi/

Mot i vranët dhe i ftohtë gjatë javës, reshje shiu dhe bore në disa zona

2 February 2026 at 07:09


Gjatë kësaj jave në vendin tonë do të mbajë mot i ndryshueshëm, kryesisht i vranët, me intervale me diell dhe reshje të herëpashershme shiu.

Era do të fryjë nga juglindja dhe verilindja me shpejtësi prej 1 deri në 7 metra në sekondë.

Të hënën parashihet mot i vranët, ndërsa në disa vende do të ketë riga të dobëta shiu dhe fjolla bore.

Në orët e mëngjesit pritet të ketë ngrica dhe mjegull, duke vështirësuar dukshmërinë në disa zona.

Temperaturat minimale do të lëvizin nga -5 deri në -2 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga -1 deri në 2 gradë Celsius.

Era do të fryjë kryesisht nga juglindja me shpejtësi 1 deri në 5 m/s. /Telegrafi/

Yesterday — 1 February 2026Main stream

Peci: Sivjet fillon ndërtimi i impiantit për ujërat e zeza në Mitrovicë, investim rreth 40 milionë euro

1 February 2026 at 15:44


Këtë vit, në Mitrovicë fillon projekti më i madh investiv pas luftës, i cili pritet të transformojë tërësisht qytetin në aspektin mjedisor.

Bëhet fjalë për ndërtimin e Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Zeza, në vlerë prej rreth 40 milionë euro.

“Këtë vit fillon projekti më i madh investiv në Mitrovicën e pasluftës. Sivjet nis projekti ‘Impianti i Trajtimit të Ujërave të Zeza’, në vlerë prej rreth 40 milionë euro. Lumenjtë e qytetit do të jenë të pastër”, ka shkruar kryetari i Mitrovicës, Faton Peci.

Ai ka bërë të ditur gjithashtu se ka vizituar lokacionin e ndërtimit së bashku me Kryeshefin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”, Bashkim Kurti, dhe ka theksuar ndikimin e madh mjedisor që do të ketë ky projekt.

“Ky impiant do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ruajtjen e mjedisit, për një Mitrovicë më të gjelbër, përkatësisht në ruajtjen e florës dhe faunës”, tha Peci.

Ai ka përfunduar duke theksuar se investimi do të ndryshojë në mënyrë të qëndrueshme pamjen dhe cilësinë e jetesës në qytet.

“Ky investim do ta transformojë tërësisht Mitrovicën në aspektin mjedisor", ka shkruar Peci. /Telegrafi/

Pas 1 viti burg, Gjykata e Posaçme i refuzon lirimin Erion Veliajt

1 February 2026 at 15:34


Gjykata e Posaçme rrëzoi një kërkesë të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për lirim nga paraburgimi.

Kryebashkiaku kërkoi zbutje të masës me arsyetimin se nuk kishte më kushte ligjore për mbajtje në izolim.

Nga kafazi i sallës, Veliaj theksoi se paraburgimi ishte kthyer në një instrument dënimi pa gjyq.

Në gati 1 orë e30 minuta seancë, ku ishte edhe vetë i pranishëm, Veliaj, ritheksoi edhe njëherë faktin se nuk i ishin vënë në dispozicion të gjitha aktet e dosjes.

Sipas burimeve, ai refuzoi edhe avokaten kryesisht, duke pretenduar se e kishte testuar dhe kuptuar se ajo nuk e njihte çështjen e tij.

Veliaj ka pretenduar, se paraburgimi ishte kthyer në një instrument dënimi pa gjyq, ndërsa arsyet ligjore të zbutjes së masës, i ka parashtruar avokati i tij, Sokrat Gjermeni. /A2 Televizion/

I mituri i zënë nën mur në Han të Elezit, mjekët vendosin për operim

1 February 2026 at 15:29


16 vjeçari i cili kishte mbetur i bllokuar nën rrënoja në veturë, të premten fshatin Meliq të Hanit të Elezit, si pasojë e shembjes së murit mbi veturë, sipas informatave ka lëndime të rënda trupore dhe duhet të ketë trajtim kirurgjik.

Këtë ka bërë të ditur për KosovaPress, mjeku kujdestar në Klinikën e Ortopedisë në QKUK, Sami Delijaj që kishte pranuar pacientin nga Emergjenca.

Delijaj ka thënë se i njëjti është në observim të mëtejmë klinik, kardiologjik dhe laboratorik.

Ai ka bërë të ditur se nesër do të mblidhet stafi i Ortopedisë për të diskutuar rreth trajtimit të tij kirurgjik.

“Për momentin është i hospitalizuar në klinikën e ortopedisë, ka lëndime të rënda trupore, është në observim të mëtejmë klinik, kardiologjik dhe laboratorik. Besojmë që tash parametrat janë stabil, nesër do të mblidhemi konsulumi dhe më tutje do të vendosim në lidhje me trajtimin e tij kirurgjik..00:32 Për momentin jemi duke e përcjellë sepse është pjesa e emergjencës, e mjekëve, lëndimeve të tjera trupore, përpos atyre ortopedike, fillojmë me ato çka janë prioritet vital e pastaj shkojmë duke zvogëluar rrezikshmërinë për indikacionin e më tejmë të trajtimit”, ka thënë Delijaj.

Një mur është shembur të premten mbrëma në Han të Elezit, duke rënë mbi një veturë që po lëvizte në atë moment. Si pasojë, shoferi i automjetit ka mbetur i bllokuar nën rrënoja për disa minuta.

Në veturë ndodhej vetëm shoferi, një i mitur 16-vjeçar. Menjëherë pas raportimit të rastit, ekipet e shpëtimit kanë intervenuar për nxjerrjen e tij nga automjeti i dëmtuar. Aty janë parë edhe qytetarë që kanë ndihmuar, duke përfshirë edhe një eskuvatorë./KP/

Skijimi jashtë pistave në Brezovicë shkakton ortek bore, lëndohet një skiatorë

1 February 2026 at 15:18


Qendra e Skive në Brezovicë ka lëshuar një paralajmërim serioz pas një incidenti të ndodhur sot, ku tre skiatorë kanë hyrë jashtë pistave të shënuara, duke shkaktuar një ortek bore.

Sipas njoftimit të Qendrës së Skive në Brezovicë, dy nga skiatorët janë larguar vetë nga vendngjarja, ndërsa një tjetër ka mbetur në majë të një piste të pashënuar me këmbë të lënduar.

Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionalizmit të ekipit të shpëtimit, skiatori është transportuar në mënyrë të sigurt në ambulancë.

“Në këtë mënyrë, individët e papërgjegjshëm kanë rrezikuar jetën e tyre, si dhe jetën e shpëtimtarëve gjatë ndërhyrjes”, thuhet në njoftim.

Autoritetet kanë bërë të ditur se për incidentin është njoftuar edhe policia.

Qendra e Skive Brezovicë apelon tek të gjithë skiatorët dhe snowboarder-ët që të përdorin vetëm pistat zyrtare dhe të shënuara, pasi skijimi jashtë tyre përbën rrezik serioz për jetën e vizitorëve dhe të ekipeve të shpëtimit. /Telegrafi/

34 kryesues të QKN-ve ndalohen në Mitrovicë nën dyshimin për manipulim votash

1 February 2026 at 15:08


34 kryesues të Qendrave Komunale të Numërimit (QKN) në rajonin e Mitrovicës janë ndaluar për 48 orë, pas intervistimit në stacionin policor, nën dyshimet për manipulim të votave.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.

Ai bëri të ditur se hetimet po zhvillohen në disa komuna të rajonit.

Më herët gjatë ditës, Prokuroria Themelore në Mitrovicë kishte njoftuar se do të intervistojë gjithsej 43 kryesues të QKN-ve në Mitrovicë Jug, Mitrovicë Veri, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, për shkak të dyshimeve për manipulim të votave gjatë procesit zgjedhor.

Sipas Prokurorisë, hetimet janë iniciuar pas parregullsive të evidentuara gjatë procesit të rinumërimit të votave.

Ditëve të fundit, autoritetet në Kosovë kanë intervistuar qindra njerëz nëpër komuna të ndryshme, dhe kanë ndaluar dhjetëra, nën dyshimet e njëjta.

Përgjatë procesit të rinumërimit, votat për disa kandidatë ndryshuan, me raste deri në 6 mijë për një individ - ndërsa ato për partitë nuk u cenuan.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, manipulimi i qëllimshëm i votës apo i rezultatit zgjedhor përbën vepër penale dhe dënohet me burgim deri në pesë vjet. /Telegrafi/

❌
❌