Situata hidrologjike në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet e qëndrueshme dhe nën monitorim të vazhdueshëm, pa banesa të përmbytura.
Nivelet e lumenjve Buna dhe Drin mbeten nën kuotat kritike, me Hidrovoret që punojnë në kapacitet të plotë dhe furnizimin me energji elektrike të siguruar.
Prania e ujit është e kufizuar kryesisht në tokat bujqësore, rreth 945 ha, të shpërndara në njësitë administrative Dajç, Velipojë, Ana e Malit dhe Bërdicë. Në Obot, uji gjendet vetëm në oborre, pa depërtuar në banesa. Qarkullimi i mjeteve është i garantuar me përjashtim të zonave ku rruga është e ndikuar nga ngritja e ujit.
Autoritetet e emergjencave civile dhe strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin e vazhdueshëm në terren për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe menaxhimin e situatës.
Në kuadër të dinamikave të punës në Policinë e Shtetit, janë marrë disa vendime për drejtimin e Drejtorive Vendore të Policisë në disa qarqe të vendit.
Drejtues Vilson Bala është emëruar Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë.
Drejtues Islor Islami është caktuar përkohësisht Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë.
Drejtues Afrim Tafa është caktuar përkohësisht Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.
Ndërkohë, Drejtorit të DVP Elbasan, Drejtues Fatmir Hoxha, për shkak të rezultateve të larta të arritura gjatë fundvitit 2025, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, i ka revokuar dorëheqjen, duke bërë që ai të vijojë detyrën si Drejtor i DVP Elbasan.
Qeveria iraniane ka shpallur tre ditë zie kombëtare për “dëshmorët”, përfshirë anëtarë të forcave të sigurisë të vrarë gjatë dy javëve të protestave, njofton televizioni shtetëror. Qeveria e përshkruan situatën si një “betejë të rezistencës kombëtare iraniane kundër Amerikës dhe regjimit zionist”.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në një “marshim të rezistencës kombëtare”, me tubime mbarëkombëtare nesër për të dënuar dhunën, e cila sipas qeverisë është kryer nga “kriminelë terroristë urbanë”, raporton televizioni shtetëror.
Irani ka paralajmëruar se do të hakmerret nëse sulmohet nga SHBA-të. BBC-ja ka numëruar rreth 180 thasë me trupa të pajetë në pamje nga afër Teheranit. Agjencia amerikane Human Rights Activist News Agency (HRANA) thotë se ka verifikuar vdekjen e 495 protestuesve dhe 48 pjesëtarëve të forcave të sigurisë në mbarë vendin.
Sipas agjencisë, edhe 10 600 persona të tjerë janë ndaluar gjatë dy javëve të trazirave. SHBA-të kanë kërcënuar se do të godasin Iranin për vrasjen e protestuesve dhe presidenti Donald Trump tha të shtunën se SHBA-të “është gati të ndihmojë”, ndërsa Irani “po shikon drejt lirisë”.
Trump nuk dha detaje se çfarë po shqyrtojnë SHBA-të. Një zyrtar i tha partnerit amerikan të BBC-së, CBS, se ai është informuar për opsione për sulme ushtarake ndaj Iranit.
Qasje të tjera mund të përfshijnë forcimin e burimeve antiqeveritare online, përdorimin e armëve kibernetike kundër ushtrisë iraniane dhe vendosjen e sanksioneve shtesë, u thanë zyrtarët Wall Street Journal.
Kryetari i parlamentit iranian paralajmëroi se, nëse SHBA-të sulmojnë, si Izraeli ashtu edhe qendrat ushtarake dhe të transportit detar të SHBA-ve në rajon do të bëhen objektiva legjitime. Protestat, të cilat nisën për shkak të rritjes së fortë të inflacionit, tani po kërkojnë fundin e sundimit klerikal të Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.
Moti në vendin tonë për ditën e sotme do të jetë kryesisht dimëror dhe i ftohtë me kthjellime dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat ditore do të jenë të ulëta, duke luhatur rreth disa gradë mbi zero në zonat e ulëta dhe jo më shumë se rreth 5–9°C në disa qytete, ndërsa netët dhe mëngjeset do të mbeten nën zero, sidomos në zonat malore dhe të brendshme ku priten edhe ngrica.
Reshjet pritet të jenë të pakta ose të mungojnë në shumë vende, por vranësirat herë-herë mund të shfaqen. Era do të fryjë lehtë deri mesatare, veçanërisht nga veriperëndimi. Për mëngjeset e ftohta këshillohet kujdesi në trafik për shkak të ngricave në akse rrugore.
Në përgjithësi, dita do të jetë e acartë, me diell të alternuar me vranësira, dhe temperaturat deri rreth 5-9°C gjatë ditës, me ngrica gjatë mëngjesit dhe në zonat malore.
Dashi-Gjithçka që ju duhet dhe dëshironi do vijë për ju në momentin e duhur. Nuk ka nevojë t’i sforconi gjërat apo të krijoni bindjen se në momente të caktuara po fundoseni. Besoni tek mrekullitë!
Demi-Është koha për t’u treguar më konservatorë dhe për t’i bërë gjërat më ngadalë. Nëse do të keni një lidhje të re dashurie apo një propozim të ri për punë, diçka emocionuese po vjen drejt jush. Matni temperaturën në fillim, përpara se të zhyteni në ujë.
Binjakët-Sot do të arrini që të fitoni shumë para. Duhet të keni kujdes për vendimet që merrni, shmangni diskutimet e tepërta dhe stresin në jetën tuaj. Ju do të planifikoni për një udhëtim jashtë vendit.
Gaforrja-Mos dëgjoni ato që thonë dhe mos u prekni, pasi mund t’ju mungojnë mundësitë e rëndësishme. Sidomos sot tregoni besim në mënyrën si mendoni dhe zbatoni planet tuaja sipas mënyrës suaj.
Luani-Bëni kujdes me shëndetin, pasi do të jeni në një gjendje të rënduar psikologjike. Silluni mirë me kolegët dhe njerëzit e dashur, pasi arroganca juaj nuk do ju çojë në asnjë vend. Ju dini shumë mirë të përshtateni, por kohët e fundit gjithçka ka ndryshuar.
Virgjëresha-Jeni kaq në sintoni me atë që dëshironi këto ditë sa të tjerët nuk do të mund të mos e venë re dhe madje edhe të frikësohen nga vendosmëria që ju karakterizon. Sigurohuni që personat me të cilët do të keni kontakt sot, të jenë në gjendje për të përballuar çfarë keni për t’i thënë.
Peshorja-Energjia fizike dhe ambicia do të jetë në sasi të mëdha ditën e sotme. Do të kërkoni të ndiqni projekte të reja, që mund të avancojnë statusin tuaj social dhe ekonomik. Do të shpenzoni shumë kohë duke mbledhur informacion, me qëllim që të përmbushni synime tuaja.
Akrepi-Mos u dekurajoni nga mosmarrëveshjet. Disa njerëz përpiqen të shpërqendrojnë veten nga problemet në shtëpi duke u zhytur në punë ose në shkollë. Por kjo taktikë është e varfër, duke qenë se vetëm vonon pashmangshmërinë. Mos bëni gabim duke pretenduar se problemet nuk ekzistojnë.
Shigjetari-Një biznes i ri mund t’ju sjell fitime të shumta. Sot do të jeni shumë energjik dhe do punoni shumë. Puna juaj e palodhur do të shpërblehet dhe do të merrni një shumë të madhe parash. Kujdes kur bisedoni me miqtë.
Bricjapi-Sot ju shqetësoheni veçanërisht për mënyrën e trajtimit të situatave të caktuara. Por dijeni që shumica e njerëzve përreth jush mund t’ju ndihmojnë të arrini qëllimet tuaja.
Ujori-Një debat me partnerin do të prishë planet tuaj, por mos u dëshpëroni. E gjitha është momentale dhe shumë shpjet gjërat do të shkojnë në normalitet. Ka ardhur koha të mendoni për të ardhmen.
Peshqit-Ndodhitë e fundit mund të duket shqetësuese, por kjo duket se nuk po ju bezdis. Kjo sepse eksperienca që keni ju bën të jeni të ndërgjegjshëm se asgjë nuk ka rëndësi aq shumë.
Karriera e Bad Bunny është sërish në qendër të polemikave, këtë herë larg skenës dhe top listave muzikore. Një grua nga Porto Riko ka ngritur padi kundër artistit për përdorimin e paautorizuar të zërit të saj në dy nga këngët e tij, duke kërkuar 16 milionë dollarë kompensim.
Sipas padisë, zëri i përket një fraze të regjistruar në vitin 2018, kur gruaja pranoi ta regjistronte atë me kërkesë të producentit Roberto Rosalido, një bashkëpunëtor i rregullt i Bad Bunny që nga fillimi i karrierës së tij. Të dy u takuan në një kurs kur ishin studentë dhe, në këtë kontekst, u bë regjistrimi. Paditësja pretendon se ajo nuk u informua kurrë se audioja do të përdorej komercialisht ose se do të përfundonte duke qenë pjesë e këngëve të botuara dhe të shpërndara në shkallë të gjerë.
Fragmenti i zërit u përfshi për herë të parë në këngën ‘Solo de mi’, një nga këngët më të njohura të artistit në albumin e tij ‘X100pre’ , të publikuar në vitin 2018. Vite më vonë, e njëjta audio u rishfaq në ‘EeO’, një këngë e publikuar në albumin e tij të fundit ‘Debi tirar mas fotos’ , të publikuar në vitin 2025. Të dyja këngët kanë grumbulluar miliona dëgjime në platformat dixhitale, një faktor kyç në sqarimin e shifrës ekonomike të pretenduar nga paditësi.
Gruaja pretendon se nuk ka pasur asnjë kontratë që autorizon përdorimin e zërit të saj, as nuk është negociuar ndonjë kompensim për përdorimin e tij për qëllime muzikore, promovuese ose reklamuese . Nga pikëpamja e saj, kjo është një shkelje e të drejtave të saj , e përkeqësuar nga suksesi masiv i këngëve në të cilat shfaqet regjistrimi i saj.
Për momentin, Bad Bunny nuk ka bërë asnjë deklaratë publike për këtë çështje. Heshtja e tij përkon me një moment vëmendjeje të veçantë mediatike për shkak të turneut të tij të ardhshëm./KM
Në Bashkinë Pogradec, problematika kryesore vijojnë të jenë rrëshqitjet e dherave, të cilat janë evidentuar në disa zona. Gjatë ditës së djeshme, inxhinierët e Shërbimit Gjeologjik kanë kryer inspektime në zonat problematike, përfshirë fshatrat Cërravë dhe Dardhas, ku janë evakuuar disa familje, si dhe në zonën e rezervuarit të Stropckës. Priten raportet teknike për të përcaktuar ndërhyrjet e nevojshme.
Në Njësinë Administrative Trebinjë, rruga Dunicë vijon të jetë e bllokuar për shkak të një rrëshqitjeje të madhe dherash, e cila pritet të inspektohet sot nga specialistët. Ndërkohë, rruga e fshatit Malinë është jofunksionale dhe, pavarësisht sigurimit të mjeteve nga bashkia, ndërhyrja nuk është e mundur për momentin për shkak të kushteve të motit.
Në Njësinë Administrative Proptisht, rruga Zall–Torra vijon të jetë e bllokuar, ndërsa në fshatin Verrri është riaktivizuar një rrëshqitje e ndodhur rreth 8 vite më parë. Lumenjtë paraqiten me prurje normale dhe nuk raportohen problematika.
Nga bashkitë e tjera të qarkut nuk raportohen probleme të reja, ndërsa strukturat e emergjencave civile vijojnë monitorimin e situatës.
Situata në akset rrugore
Sipas ARRSH Rajoni Qendër–Lindje, në disa akse ka pasur reshje bore gjatë natës, veçanërisht në Boboshticë–Dardhë, Maliq–Kufi Gramsh dhe Libonik–Rëmbec–Plasë. Po kryhet pastrimi dhe kriposja e rrugëve, ndërsa qarkullimi vijon normalisht me goma dimërore.
Situata e energjisë elektrike
OSSHEE Rajoni Korçë raporton se disa zona rurale janë pjesërisht pa energji elektrike për shkak të defekteve në rrjetin e tensionit të mesëm. Janë në terren 6 grupe operative për riparimin e defekteve, ndërsa furnizimi me energji për objektet e rëndësisë së veçantë është i garantuar. Situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm nga strukturat përgjegjëse./KM
Nga muaji mars 2026, të gjitha familjet që kanë nën ngarkim fëmijë të moshës nën 18 vjeç do të përfitojnë kompensim.
Për herë të parë, nga ky vit, njërit prej prindërve do t’i zbriten nga të ardhurat vjetore bruto të 2025-s, 48 mijë lekë shpenzime për përkujdesin e fëmijëve edhe 100 mijë lekë për arsimin, kur të plotësojë Deklaratën e të Ardhurave Personale në muajin mars. Kompensimi do të përfitohet nga rillogaritja e tatimit të paguar në 2025.
Pra, masa e kompensimit nuk do të jetë fikse me vlerë 48 mijë lekë në vit apo 100 mijë lekë në vit. Këto vlera të parashikuara në ligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat” janë shpenzimet që do t’u zbriten të ardhurave vjetore bruto të vitit 2025.
Zbritja e shpenzimeve në vlerën 48 mijë lekë në vit do të llogaritet për çdo fëmijë të moshës nën 18 vjeç, pavarësisht nivelit të të ardhurave që prindërit kanë gjeneruar gjatë vitit 2025. Ndërsa shpenzimi prej 100 mijë lekësh në vit do t’u zbritet individëve me të ardhura deri në kufirin e 1.2 mln lekë në vit.
Në një çift bashkëshortësh, të drejtën për zbritjen e shpenzimeve të fëmijëve në ngarkim dhe për arsimimin, nëse plotësohet kufiri i të ardhurave, e ka anëtari me të ardhura më të larta vjetore. Pra zbritja e shpenzimeve për fëmijët nga baza vjetore e tatueshme nuk përfitohet nga të dy prindërit e fëmijëve në ngarkim, por vetëm ai që ka të ardhurat më të larta të deklaruara.
Prej individëve përfitues tatimi mbi të ardhurat nga paga është paguar çdo muaj për vitin 2025, por zbritja e shpenzimeve për fëmijët nga totali i të ardhurave vjetore të fituara nga punësimi, do të bëhet në Mars 2026 përmes plotësimit të Deklaratës Vjetore të të Ardhurave (DIVA).
Pas zbritjes së shpenzimeve, baza e tatueshme pra totali i të ardhurave bruto do të ulet, për rrjedhojë edhe tatimi i rillogaritur do të jetë më i ulët. Sakaq gjatë vitit 2025 tatimi i paguar ëhstë më i lartë sesa tatimi i rillogaritur. Diferenca e tatimit që është paguar në 2025 me tatimin e rillogaritur është kompensimi që do të përfitojnë individët për arsimimin e fëmijëve.
Sipas shembullit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nëse një individ X me të ardhura mujore 70 mijë lekë apo të ardhura vjetore prej 840 mijë lekë për 2025-n ka paguar tatim prej 5,200 lekë në muaj apo tatimin vjetor prej 62,400 lekë.
Individi ka dy fëmijë në ngarkim të moshës nën 18 vjeç dhe të ardhurat vjetore nuk kalojnë kufirin e 1,2 milionë lekëve, për të cilat do të përfitojë zbritje shpenzimesh prej 48 mijë lekë për çdo fëmijë dhe shumën fiske prej 100 mijë lekë në vit për arsimimin e tyre.
Pas zbritjes së shpenzimeve nga totali i të ardhurave për 2025, tatimi i ri për këtë individ llogaritet në vlerën e 29,120 lekë. Por ndërkohë individi X për 2025 kishte paguar një tatim vjetor prej 62,400 lekë. Këtij detyrimi të paguar do t’i zbritet tatimi i ri llogaritur me vlerë 29,120. Diferenca prej 33,2 mijë lekë është shuma që i takon të kërkojë për rimbursim brenda 3 muajve, pas plotësimit të DIVA-së.
Pra nëse tatimi i paguar gjatë vitit 2025 rezulton se është më i lartë se tatimi i llogaritur pas zbritjeve të shpenzimeve në DIVA, që do të plotësohet deri më 31 Mars 2026, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) më herët ka sqaruar për Monitor se në këtë rast individi ka të drejtë që brenda 3 muajve të kërkojë rimbursimin e parave, pra kthimin e tyre.
Për të dyja rastet si për përfitimin e zbritjes së shpenzimeve për rritjen e fëmijëve dhe shpenzimit fiks për arsim (këto të fundit përfitohen vetëm nga individët me të ardhura vjetore deri në 1,200,000 lekë) duhet të bëhet ruajtja e dokumentacionit, dukë përfshirë certifikatën familjare për fëmijët në ngarkim, kontratat me institucionet arsimore, përfshirë pagesat për gjuhët e huaja.
Si do të përfitohet kompensimi
Përmes rillogaritjes së tatimit të paguar për vitin 2025.
Për ta bërë këtë, individët duhet të plotësojnë Deklaratën Vjetore të të Ardhurave (DIVA) deri më 31 mars 2026.
Llojet e zbritjeve
48,000 lekë për fëmijë në vit – përfiton secili fëmijë, pavarësisht nivelit të të ardhurave të prindërve.
100,000 lekë për fëmijë në vit – përfiton vetëm nëse të ardhurat e individit nuk kalojnë 1.2 milion lekë në vit.
Rregulla për çiftet bashkëshortore
Zbritja e shpenzimeve për fëmijët i takon prindit me të ardhura më të larta.
Pra, nuk mund ta ndajnë të dy bashkëshortët njësoj, përveç rastit kur të ardhurat janë të barabarta.
Si funksionon kompensimi
Gjatë vitit 2025, tatimi mbi të ardhurat është paguar çdo muaj nga paga.
Në Mars 2026, tatimi llogaritet përsëri duke përfshirë zbritjet për fëmijët.
Nëse tatimi i rillogaritur është më i ulët se tatimi i paguar gjatë vitit 2025:
Diferenca kthehet si kompensim/rimbursim.
Shembull praktik
Individi X ka 2 fëmijë nën 18 vjeç dhe të ardhura vjetore 840,000 lekë.
Tatimi i paguar gjatë vitit 2025: 62,400 lekë (5,200 lekë/muaj).
Zbritjet:
48,000 lekë për çdo fëmijë = 96,000 lekë
100,000 lekë për arsimin e fëmijëve
Pas zbritjeve, tatimi i ri: 29,120 lekë
Diferenca që individi mund të marrë si kompensim:
62,400−29,120=33,280 lekë
Kjo shumë mund të kërkohet brenda 3 muajve nga plotësimi i DIVA-s./ Monitor/kb
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ishte mbrëmjen e djeshme në Dimal dhe Kuçovë, së bashku me Kryetaren e Bashkisë Dimal, Juliana Memaj, dhe Kryetarin e Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, ku po pa nga afër situatën e krijuar nga reshjet intensive të ditëve të fundit.
Gjatë takimeve në terren, Ministri Salla zhvilloi dialog të drejtpërdrejtë me banorët, fermerët dhe blegtorët e zonës mbi dëmet e shkaktuara nga reshjet intensive të ditëve të fundit.
Ai theksoi se institucionet janë pranë çdo qytetari dhe po ndjekin nga afër situatën.
“Jemi në terren dhe pranë çdo qytetari. Verifikimi i dëmeve po vijon dhe çdo qytetar, fermer e blegtor i prekur do të dëmshpërblehet”, u shpreh ai.
Sipas Ministrit Salla, procesi i verifikimit po kryhet në bashkëpunim me bashkitë dhe strukturat përkatëse, me qëllim evidentimin e plotë të dëmeve në bujqësi dhe blegtori, si dhe garantimin e mbështetjes për të gjithë të prekurit./K.M
Në Shqipëri, sa herë opozita mbetet pa busull, nxirren nga sirtari i klisheve politike disa formula të gatshme që përdoren në çdo kohë. Njëra prej tyre është “qeveria teknike”. Kjo fjalë ka humbur kuptimin real dhe është kthyer në një formulë magjike për konsum elektoral, në një refren që përsëritet me zë të lartë për të fshehur boshllëkun e ideve, mungesën e alternativës dhe pamundësinë për të prodhuar besim. Opozita shqiptare, veçanërisht krahu berishist, vazhdon ta kërkojë sot qeverinë teknike sikur ajo të ishte çelësi i artë që hap derën e pushtetit. Por kjo kërkesë, në rrethanat konkrete të Shqipërisë, nuk është vetëm e parealizueshme; është absurde.
Në këtë kurth të retorikës boshe kanë rënë fatkeqësisht edhe disa nga partitë e reja, të cilat u shfaqën si shpresë për një frymë ndryshe, por shumë shpejt adoptuan gjuhën më të vjetër të politikës shqiptare. Në vend që të flisnin për rregulla loje, për garanci institucionale dhe për reforma konkrete, edhe ato filluan të përsërisin refrenin e “qeverisë teknike”, duke u rreshtuar në një debat artificial që nuk prodhon asnjë zgjidhje reale.
Absurdin e kanë çuar edhe më tej duke artikuluar publikisht emra të ndryshëm për postin e kryeministrit të një qeverie teknike që, në kushtet aktuale, nuk ka asnjë bazë ligjore për të ekzistuar. Ky është kulmi i keqkuptimit: të ndash poste në një qeveri imagjinare, sikur problemi i Shqipërisë të ishte mungesa e emrave dhe jo mungesa e besimit. Kjo lojë me kandidatura fantazmë jo vetëm që i bën qesharake kërkesat për qeveri teknike, por edhe zbulon se sa shpejt idealizmi i shpallur i këtyre forcave të reja tretet përballë tundimit për t’u futur në skemat e vjetra të pazareve politike.
Mazhoranca socialiste zotëron sot 83 mandate në Kuvend. Kjo nuk është një shumicë e thjeshtë, por një shumicë solide, afër shumicës absolute, e cila i jep Partisë Socialiste të gjitha mjetet kushtetuese për të qeverisur dhe, në rast se kryeministri aktual largohet, për të zgjedhur një tjetër pa pasur nevojë për asnjë ndërhyrje jashtë rregullave parlamentare. Në këtë kontekst, të flasësh për qeveri teknike është njësoj si t’i kërkosh një treni që ecën me shpejtësi të ndalojë në mes të rrugës vetëm sepse dikush po bërtet nga jashtë.
Kur lind realisht një qeveri teknike?
Qeveritë teknike nuk janë produkte të retorikës opozitare, por pasoja të drejtpërdrejta të krizave të thella politike që e bëjnë të pamundur vazhdimin normal të qeverisjes. Historia politike evropiane është plot me shembuj që e dëshmojnë këtë. Në Itali, për shembull, qeveria teknike e Mario Montit në vitin 2011 nuk erdhi sepse opozita e kërkoi me megafon, por sepse vendi ishte në prag të kolapsit financiar, tregjet kishin humbur besimin, shumica parlamentare e qeverisë Berlusconi ishte shpërbërë dhe presidenti i Republikës ndërhyri për të shmangur falimentimin. Në Greqi, qeveria teknike e Lucas Papademos në vitin 2012 ishte pasojë e një krize shkatërrimtare borxhi, protestave masive, djegies së Athinës dhe pamundësisë së partive tradicionale për të krijuar një shumicë funksionale. Në Rumani, në vitin 2015, pas tragjedisë së klubit “Colectiv” dhe protestave masive që çuan në dorëheqjen e qeverisë, u formua një kabinet teknokratësh për të menaxhuar situatën deri në zgjedhje. Në të gjitha këto raste, qeveritë teknike nuk ishin zgjedhje politike, por domosdoshmëri për mbijetesë institucionale.
Asgjë e tillë nuk po ndodh sot në Shqipëri. Mazhoranca nuk ka humbur shumicën parlamentare, asnjë votëbesim nuk e ka rrëzuar qeverinë dhe nuk ka asnjë presion popullor që të paralizojë jetën e vendit. Opozita nuk ka arritur të ndezë një valë të gjerë mobilizimi shoqëror; protestat e saj janë shndërruar në rituale të lodhura, të parashikueshme, që nuk tronditin më askënd dhe nuk ndryshojnë asnjë ekuilibër politik. Indiferenca e qytetarëve është e thellë dhe alarmante, por ajo nuk është shenjë e pajtimit me qeverinë. Është shenjë e një lodhjeje kolektive nga një opozitë që, pas vitesh humbjesh dhe përçarjesh, nuk arrin të artikulojë më as një alternativë bindëse, as një projekt serioz për ndryshimin e vendit.
Kriza ekziston, por nuk është qeverisëse
Shqipëria ndodhet sot në një krizë të thellë, por kjo nuk është krizë qeverisjeje në kuptimin klasik parlamentar. Është krizë e përgjegjësisë politike dhe e mënyrës se si ushtrohet pushteti. Qeveria aktuale funksionon si një strukturë e përqendruar pothuajse tërësisht rreth figurës së kryeministrit. Vendimet strategjike, nga projektet infrastrukturore e deri te reformat administrative, nuk kalojnë më nëpër filtrat kolegjialë të ekzekutivit, por burojnë nga një rreth shumë i ngushtë njerëzish. Këshilli i Ministrave është shndërruar në një mekanizëm ratifikimi, ndërsa ministrat, në vend që të jenë bartës të politikave publike dhe përgjegjës para Kuvendit, janë reduktuar në menaxherë sektorësh që japin llogari vetëm përpara një njeriu. Shembujt janë të shumtë: nga projektet e mëdha urbane të shpallura me konferenca shtypi të njëanshme, te paketat fiskale dhe nismat ligjore që miratohen me procedura të përshpejtuara, pa debat real dhe pa transparencë të mjaftueshme.
Edhe roli i Partisë Socialiste si organizëm politik është dobësuar ndjeshëm. Forumet e saj drejtuese, që dikur shërbenin si hapësira debati dhe përpunimi politikash, sot kanë ndikim minimal në orientimin e qeverisë. Vendimmarrja është zhvendosur nga struktura kolegjiale në një model të personalizuar, ku kryetari i partisë është njëkohësisht kryeministër dhe arbitri i vetëm i linjës politike. Në këtë kontekst, Kuvendi ka humbur gradualisht funksionin e tij kontrollues: interpelancat janë kthyer në formalitete, komisionet parlamentare në zyra procedurash, ndërsa mazhoranca voton pothuajse automatikisht çdo nismë që vjen nga qeveria. Opozita, nga ana e saj, është e përçarë dhe e paaftë të ushtrojë presion institucional, duke e lënë terrenin e llogaridhënies pothuajse bosh.
Ky deformim i jetës politike është i dukshëm në çdo aspekt të qeverisjes, por ai nuk përbën në vetvete kusht për qeveri teknike. Qeveria nuk është bllokuar, nuk ka humbur shumicën dhe nuk është rrëzuar nga Kuvendi. Ajo vazhdon të prodhojë vendime dhe ligje, edhe kur këto shoqërohen me pakënaqësi të thella publike, skandale korrupsioni apo kritika të vazhdueshme nga partnerët ndërkombëtarë. Kjo tregon se problemi i Shqipërisë nuk është pamundësia për të qeverisur, por mënyra se si qeveriset.
Mungesa e besimit është problemi real
Raportet e fundit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e majit të vitit të kaluar e përshkruajnë me tone edhe më të ashpra këtë realitet: në Shqipëri nuk kemi thjesht shkelje teknike, por një model të qëndrueshëm të keqpërdorimit të pushtetit për qëllime elektorale. Monitoruesit ndërkombëtarë nënvizuan përdorimin sistematik të burimeve shtetërore në fushatë, shpërndarjen e investimeve publike me ritme dhe intensitet të pazakontë në prag zgjedhjesh, si dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të strukturave qeveritare në mbështetje të kandidatëve të mazhorancës. Në raport përmendet se kufiri mes aktivitetit institucional dhe propagandës elektorale është bërë pothuajse i padukshëm, ndërsa ministrat dhe drejtuesit lokalë shfaqen në terren më shumë si drejtues fushate sesa si zyrtarë publikë.
Veçanërisht problematik u konsiderua procesi i votimit të diasporës, i cili u zhvillua pa garancitë e mjaftueshme ligjore dhe teknike, duke ngritur dyshime serioze për integritetin e tij. OSBE/ODIHR vuri në dukje mungesën e transparencës, paqartësitë procedurale dhe rrezikun e manipulimit të këtij segmenti të rëndësishëm të elektoratit. Po aq alarmante janë referencat ndaj përdorimit të grupeve kriminale dhe parave të pista në fushata lokale, si dhe raportimet për intimidimin e administratës publike dhe votuesve që varen prej saj. Në shumë zona, nëpunës, mësues dhe punonjës të shërbimeve publike janë përfshirë në aktivitete elektorale nën presion të drejtpërdrejtë, duke krijuar një klimë frike dhe nënshtrimi që minon çdo nocion të votës së lirë.
Në këtë kontekst, mosbesimi nuk është më perceptim subjektiv i opozitës, por diagnozë e dokumentuar nga vëzhgues ndërkombëtarë. Kur votimet e diasporës shihen si terren i pambrojtur, kur investimet publike përdoren si mjete blerjeje politike dhe kur bandat e krimit dhe paratë e pista shfaqen si faktorë ndikimi në zgjedhje, procesi elektoral humbet karakterin e tij demokratik dhe shndërrohet në një betejë force. Dhe kur zgjedhjet përjetohen si përplasje me mjete jo të barabarta, çdo rezultat, sado formal të jetë, lind i kontestuar, duke e thelluar edhe më shumë krizën e besimit që sot është problemi më i madh i demokracisë shqiptare.
Nga “qeveri teknike” te “marrëveshje ligjore besimi”
Këtu qëndron keqkuptimi themelor i opozitës shqiptare. Problemi nuk është se kush qeveris sot, por se si do të garohet nesër. Shqipëria nuk ka nevojë për një qeveri teknike që të marrë pushtetin nga mazhoranca; kjo është politikisht e pamundur. Shqipëria ka nevojë për një marrëveshje ligjore besimi që të garantojë zgjedhje të pranueshme nga të gjithë.
Një marrëveshje e tillë duhet të jetë e sanksionuar me ligj, jo një pazar politik në errësirë. Ajo duhet të krijojë një qeveri kujdestare vetëm për periudhën zgjedhore, me kompetenca të kufizuara dhe me mekanizma të fortë kontrolli për të parandaluar abuzimet.
Modeli i Maqedonisë së Veriut është ilustrues. Pas krizës së rëndë politike dhe skandalit të përgjimeve, palët politike u detyruan, nën presionin e ndërkombëtarëve, të nënshkruanin Marrëveshjen e Përzhinës. Kjo marrëveshje parashikoi krijimin e një qeverie kujdestare njëqind ditë para zgjedhjeve, ku opozita merrte kontrollin e disa ministrive kyçe, veçanërisht të atyre që kishin ndikim të drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor.
Kryeministri dhe ministrat e kësaj qeverie nuk kishin të drejtë të kandidonin, ndërsa përdorimi i fondeve publike për fushatë ndalohej rreptësisht. Ky model nuk e shëroi plotësisht demokracinë maqedonase, por krijoi minimumin e besimit të nevojshëm që zgjedhjet të mos ktheheshin në krizë politike.
Çfarë duhet të bëjë Shqipëria?
Shqipëria nuk ka nevojë për spektakël politik, por për një pakt të ri, të ndërtuar jo mbi dëshira momentale, por mbi themele ligjore dhe kushtetuese. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e ka të qartë logjikën e qeverisjes parlamentare: qeveria buron nga shumica në Kuvend dhe rrëzohet vetëm nëpërmjet mekanizmave kushtetues, jo nga presioni retorik apo ultimatume politike. Prandaj, në vend që të shpiken “qeveri teknike” jashtë realitetit juridik, zgjidhja e vetme serioze është të krijohen garanci ligjore për zgjedhje të ndershme dhe të barabarta, në përputhje me parimet kushtetuese të pluralizmit, barazisë para ligjit dhe konkurrencës së lirë politike. Pikërisht këtu hyn nevoja për një marrëveshje besimi të sanksionuar në Kodin Zgjedhor: jo si pazar politik, por si instrument normativ që materializon standardet kushtetuese të zgjedhjeve të lira dhe të rregullta.
Një marrëveshje e tillë duhet të ketë status të qartë juridik dhe të jetë e detyrueshme për palët, duke u shndërruar në dispozita konkrete ligjore. Në thelb, ajo duhet të parashikojë një qeveri kujdestare vetëm për periudhën zgjedhore, me kompetenca të kufizuara dhe me detyrime të qarta të mosndërhyrjes në garë.
Në këtë kuadër, ndalimi i kandidimit për anëtarët e qeverisë kujdestare është një garanci kushtetuese në funksion të barazisë së garës. Ai shmang konfliktin e interesit dhe i jep kuptim parimit që kush administron zgjedhjet nuk duhet të jetë njëkohësisht garues. Kjo është një ide që mbështetet në logjikën e përgjithshme të shtetit të së drejtës: ndarja e funksioneve, shmangia e konfliktit të interesit dhe neutraliteti institucional. Po kështu, kontrolli i dyanshëm mbi administratën zgjedhore dhe mbi hallkat kyçe të shtetit gjatë fushatës është jetik për të zbatuar parimin e barazisë së subjekteve politike dhe për të ndarë shtetin nga partia. Në praktikë, kjo do të thotë që vendimet me ndikim elektoral (punësime, shkarkime, tendera, shpërndarje fondesh, investime publike të përshpejtuara, përdorim i aseteve publike) të futen nën një regjim kufizimesh të posaçme dhe transparence të detyrueshme, me raportim publik dhe me mekanizma ankimi të shpejtë.
Vetëm në këtë mënyrë mund të rindërtohet besimi i humbur: duke e kthyer procesin zgjedhor nga një duel i pabarabartë në një garë ku rregullat janë të qarta dhe të zbatueshme. Dhe pa besim, asnjë qeveri, as teknike, as politike, nuk do ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza e saj e përhershme demokratike./K.M
Policia e Shtetit ka bërë ndryshime të rëndësishme në drejtimin e degëve vendore, ku disa drejtues të lartë janë emëruar ose rikthyer në detyrë, në vijim të lëvizjeve të fundit të komandës qendrore të forcës policore. Këto ndryshime synojnë forcimin e punës operative dhe të koordinimit në terren në qytete kryesore të vendit.
Në Qarkun e Korçës, Drejtuesi Vilson Bala është emëruar në detyrë si Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë. Bala ka një karrierë të gjatë në struktura të policisë vendore dhe pritet të marrë drejtimin e punës policore në zonë.
Po ashtu, Drejtuesi Islor Islami është caktuar përkohësisht Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, ku do të udhëheqë punën e uniformave dhe shërbimeve të përgjithshme të sigurisë për qytetarët në këtë zonë
Një tjetër emërim i rëndësishëm është ai i Drejtuesit Afrim Tafa, i cili është emëruar përkohësisht Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.
Ndërkohë, në Elbasan, Drejtori aktual i Drejtorisë Vendore të Policisë, Drejtuesi Fatmir Hoxha, ka rifituar detyrën pas rezultateve të larta të arritura gjatë fundvitit 2025. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i ka revokuar dorëheqjen dhe e ka konfirmuar vazhdimin e tij në drejtimin e DVP Elbasan për shkak të punës së suksesshme që ai ka bërë në drejtim të sigurisë dhe zbatimit të ligjit në qark./kb
Në takimin vjetor pranë memorialit Starman në jug të Londrës, adhuruesit flasin për ndikimin e jashtëzakonshëm që jeta dhe vdekja e artistit pati mbi ta.
Sammy Gecsoyler
Për Debbie Hilton, David Bowie përfaqësonte “gjithçka”. “Shtëpia ime është një shenjë nderimi për të. Ai është ende i gjallë në shtëpinë time. Pema ime e Krishtlindjeve ishte David Bowie, madje edhe çarçafët e mia janë Bowie,” tha ajo.
Ajo udhëtoi nga Liverpuli për t’u bashkuar me adhuruesit e tjerë të Bowies në memorialin Starman në Brixton, në jug të Londrës, vendlindjen e këngëtarit, për të nderuar kujtimin e tij në përvjetorin e vdekjes së tij.
Dhjetë vite pas vdekjes së tij, a rrezikon trashëgimia muzikore e David Bowies të zhduket nga kujtesa?
Takimi ka bërë që të kthehet në një vend pelegrinazhi vjetor për disa, por këtë vit turma ishte më e madhe se zakonisht për të shënuar 10 vjet nga ndarja e artistit nga jeta.
Hilton, 64 vjeçe, tha se e kujton mirë herën e parë kur e pa Bowien kur ishte fëmijë në Manchester.
“Ai ishte në Free Trade Hall në 1972. Unë isha thjesht një fëmijë, dhe kjo ndodhi para se të bëhej i famshëm me Ziggy. Thjesht u dashurova me të. Isha 11 vjeçe dhe e mahnitur. Ishte diçka që nuk mund ta imagjinoje, ndjenja e ta shikosh atë. Që atëherë mbeta e magjepsur,” tha ajo.
Vdekja e Bowies, pas një diagnoze për kancer të mëlçisë rreth 18 muaj më parë, tronditi botën. U njoftua pak ditë pas publikimit të albumit të tij të 26-të dhe të fundit, Blackstar, që prej atëherë është interpretuar si një shprehje e ndërgjegjësimit të artistit për afërsinë e vdekjes.
Kur Bowie vdiq, Hilton tha se vëllai i saj i kishte dërguar një mesazh në mëngjes që thoshte: “Je mirë?” Ajo tha: “Mendova: ‘Për çfarë po flet?’ dhe pastaj ndeza televizorin. Eh, ajo ishte. Nuk mund të shkoja në punë për dy javë. Kisha lule dhe një qiri ndezur. Qaja dhe zgjati për rreth një muaj. Ishte si të humbisja gjithçka në jetën time.”
Julian Furnival sfidoi motin e ftohtë për të vendosur lule pranë murales së Bowies. “Nuk ka rëndësi çfarë thotë moti, ne gjithmonë do të vijmë këtu për t’i bërë nderime,” tha 68-vjeçari, që dukej i emocionuar teksa vendoste sticker-a mbi xhamin që mbron memorialin.
Furnival tha se është fans i Bowies që kur mori një kopje të Aladdin Sane për Krishtlindje në moshën 13-vjeçare. Ai ende e kujton ditën kur u njoftua vdekja e Starman. “Na tronditi shumë. Mbesa jonë na telefonoi në orën 6:30 të mëngjesit dhe tha se kishte ndodhur. Nuk i besuam, por pastaj ndezëm televizorin. Ishte shumë e dhimbshme. Ishte një tronditje e madhe,” tha ai.
Partnerja e tij, Laura Hough, 69 vjeçe, ka shkruar emrat e fansave nga e gjithë bota në memorial në emër të tyre. Çifti ende nuk ka dëgjuar të gjithë albumin Blackstar. “Nuk kemi pasur kurrë guximin ta luajmë të gjithë, sepse djali im thotë se është një album shumë solemn,” tha Furnival. Hough pajtohet: “Duke ditur se ai ishte në aq shumë dhimbje, por përsëri e bëri, është thjesht e mahnitshme.”
Motrat Jenny Wasiak, 65 vjeçe, konduktore treni që udhëtoi nga Norwich në Brixton, dhe Astrid Ballhorn, 74 vjeçe, e pensionuar, erdhën për të “kalurar ditën duke bërë gjithçka që lidhet me Bowien, për ta kujtuar dhe dashur.”
“Ne nuk e dëgjojmë shumë nga muzika e njëra-tjetrës, por sa i përket Davidit, ai është i preferuari ynë,” tha Ballhorn. “Ne e adhurojmë dhe e duam Davidin dhe na mungon shumë,” tha Wasiak. “E vizituam këtu vitin që vdiq.”
Duke reflektuar mbi trashëgiminë e tij, Wasiak përshkroi Blackstar si një dhuratë ndarjeje “e mahnitshme” dhe “emocionuese”. “Ai i dha diçka të gjithëve, duke shpjeguar se po vdiste. Ishte shumë emocionuese dhe një pjesë muzikore brilante,” tha ajo.
“Ai është një legjendë ikonike që ka ndikuar të gjithëve,” tha Ballhorn.
“Nëse dëgjon muzikantët duke folur, pothuajse të gjithë e përmendin Davidin në një mënyrë apo tjetër.”
“Po dëgjoja një intervistë së fundmi që e krahasonte me Beethoven. Ai është Beethoven i kohës sonë. Është një klasë muzike që do të jetojë për 200 vjet ose më shumë. Duket e pabesueshme të mendosh që e humbëm 10 vite më parë. Ai ishte një gjenial, nuk do të ketë kurrë dikë si ai.”
“Teherani dëshiron të negociojë”. Kështu u shpreh presidenti i SHBA-së, Donald Trump ndërsa fliste me gazetarët në bordin e Air Force One, teksa Irani është përfshirë prej prostesave masive.
“Udhëheqësit iranianë telefonuan dje”, tha Trump, duke shtuar se po organizohet një takim.
Megjithatë, Trump deklaroi se se ushtria amerikane po shqyrton opsione shumë të forta, lidhur me një ndërhyrje të mundshme ushtarake në Iran.
“Mund të na duhet të veprojmë përpara se kjo të ndodhë. Po e vlerësojmë situatën shumë seriozisht. Ushtria po e shqyrton atë dhe po vlerësojmë disa mundësi shumë të forta. Do të marrim një vendim”, theksoi ai./K.M
Policia ekuadoriane njoftoi të dielën se po hetonte pasi pesë koka njerëzish u gjetën të varura në një vend të dukshëm, së bashku me një mesazh kërcënues, në një plazh turistik në pjesën jugperëndimore të vendit, i cili është goditur nga një valë dhune kohët e fundit.
Zbulimi makabër u bë në Puerto Lopez, në provincën e Manavi, një destinacion popullor për vëzhgimin e balenave, ku nëntë persona, përfshirë një foshnjë, ishin vrarë në fund të dhjetorit në një seri incidentesh të cilat autoritetet ia atribuojnë konflikteve të bandave.
Imazhet që qarkulluan në mediat sociale treguan pesë kokat e varura me litarë në dy shtylla druri në plazh, përballë detit. Pranë tyre, një tabelë në një dërrasë druri kërcënonte anëtarët e bandës që shantazhonin tregtarët dhe banorët për pagesa për mbrojtje të supozuar.
Ekuadori, midis dy vendeve me eksportet më të mëdha të kokainës në botë, Kolumbisë dhe Perusë, po përjeton një përshkallëzim të frikshëm të dhunës për shkak të konflikteve midis bandave të lidhura me kartelet meksikane dhe kolumbiane.
Pavarësisht luftës së shpallur kundër bandave nga Presidenti ekuadoras Daniel Noboa, në gjashtë muajt e parë të vitit 2025, në vendin me pak më shumë se 18 milionë banorë u kryen më shumë se 4,600 vrasje, një numër që u rrit me 47% krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2024.
Arti dhe kultura vazhdojnë të jenë forma të rëndësishme shprehjeje dhe reflektimi shoqëror. Ato ndikojnë në formimin e identitetit dhe ndërgjegjes kolektive.
Eventet kulturore po shihen si hapësira bashkimi dhe dialogu, duke sjellë më afër komunitetin dhe artistët.
Ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore mbetet thelbësore për të lidhur të kaluarën me të ardhmen./KM
Qarku i Elbasanit është përfshirë nga kushte të motit të ftohtë, të shoqëruara me temperatura shumë të ulëta, veçanërisht në zonat malore, ku termometri ka zbritur nën –10 gradë Celsius.
Në disa akse rrugore malore, temperaturat kanë arritur deri në –15 gradë Celsius, duke kërkuar ndërhyrje të vazhdueshme për garantimin e qarkullimit normal të mjeteve.
Në aksin nacional Elbasan–Qafë Thanë janë regjistruar reshje dëbore, por rruga është pastruar dhe trajtuar me kripë, duke qenë e hapur për qarkullim.
Ndërkohë, në akset Elbasan–Gjinar dhe Elbasan–Tiranë (aksi i vjetër nga Krraba) nuk ka pasur prezencë dëbore, ndërsa kriposja ka vijuar në pikat problematike për të shmangur ngricat.
Nga ana hidrologjike, prurjet e lumit Shkumbin dhe përroit të Zaranikës janë në rënie dhe aktualisht nuk paraqesin rrezikshmëri për përmbytje. Prej mesditës së djeshme vijojnë shkarkimet nga HEC-i i Banjës në sasinë 290 m³/sek, ndërsa së bashku me prodhimin, prurjet arrijnë në 390 m³/sek. Autoritetet presin vendimin e orës 08:00 për vijueshmërinë e këtyre shkarkimeve.
Sa i përket furnizimit me energji elektrike, problematika janë evidentuar në fidrin që furnizon Njësinë Administrative Tunjë, si dhe zonat Kushovë e Skënderbegas të bashkisë Gramsh. Sipas njoftimeve zyrtare, defektet janë në proces riparimi dhe pritet të zgjidhen në orët në vijim.
Grupet e organizuara kriminale nga Ballkani kanë lidhje edhe në Venezuelë. Këtë e tregojnë rastet e sekuestrimeve të kokainës, arrestimeve dhe procedurave gjyqësore që janë përfunduar ose që janë ende në zhvillim.
Këto grupe janë identifikuar nga organizata ndërkombëtare, si EUROPOL dhe INTERPOL, si ndër aktorët kryesorë në trafikimin e kokainës nga shtetet e Amerikës Latine drejt Evropës.
Venezuela ka ardhur në qendër të vëmendjes ndërkombëtare si një shtet transit për trafikimin e kokainës pas arrestimit të udhëheqësit të rrëzuar, Nicolas Maduro, nga forcat e Shteteve të Bashkuara në fillim të janarit.
Maduro do të përballet me gjykim në SHBA në bazë të një aktakuze që e ngarkon me mbikëqyrje të një rrjeti të tregtisë me kokainë, që ka bashkëpunuar me grupe të dhunshme, përfshirë kartelet meksikane Sinaloa dhe Zetas, rebelët majtistë kolumbianë të FARC‑ut dhe bandën venezuelase Tren de Aragua. Maduro në seancën e parë dëgjimore të mbajtur në një gjykatë në Nju Jork i mohoi akuzat.
Cili është rëndësia e Venezuelës për grupet kriminale nga Ballkani?
Siç thekson për Radion Evropa e Lirë, Sasha Gjorgjeviq nga Nisma Globale për Luftimin e Organizatave Kriminale Transnacionale (GI-TOC), Venezuela është e rëndësishme për kontrabandën e kokainës, në të cilën janë të përfshira rrjete kriminale nga Ballkani Perëndimor, sepse ajo përbën “korridor strategjik dalës nga Amerika Latine drejt Atlantikut”. Nga atje, shumica e kokainës shkon ose direkt në Evropë, ose përmes Afrikës Perëndimore në Evropë.
Sipas tij, për grupet kriminale nga Ballkani, Venezuela është e rëndësishme, por jo destinacioni kryesor për trafikimin e kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës. Në këtë kuptim, vendet si Kolumbia dhe Brazili janë shumë më të rëndësishme, dhe në vitet e fundit edhe Ekuadori.
Arrestimi i Maduros dhe veprimet e SHBA-së kundër grupeve kriminale që merren me trafikimin e kokainës, sipas Gjorgjeviqit nuk do të kenë shumë ndikim te këto grupe, anëtarët e të cilave janë me origjinë nga vendet e Ballkanit.
“Duke pasur parasysh se këto grupe gjithmonë kanë qenë fleksibile, supozoj se ato grupe që kanë përdorur Venezuelën do të gjejnë rrugë alternative në këto vende ku, sipas meje, ekzistojnë baza shumë më të rëndësishme”, vlerëson ai.
Kush janë aktorët kryesorë?
Lidhjet e grupeve kriminale nga Ballkani me Venezuelën u zbuluan përmes sekuestrimit të kokainës pranë bregut të Arubës, afër Venezuelës, në shkurt të vitit 2020.
Në atë rast, marina holandeze ndaloi anijen “Aressa”, e cila më parë ishte ankoruar në portin venezuelas të Guaranos. Në bordin e anijes u sekuestruan 5 tonë kokainë.
Gjatë aksionit u arrestuan 11 shtetas të Malit të Zi, pjesëtarë të ekuipazhit të anijes. Sipas Drejtorisë së Policisë së Malit të Zi, sekuestrimi i kokainës në Arubë ishte si rezultat i bashkëpunimit mes Mali i Zi, Mbretërisë së Bashkuar, Serbisë dhe Holandës.
Para gjykatës në Arubë, shtetasit malazezë u dënuan në mars të vitit 2021 me dënime nga nëntë deri në 15 vjet burgim.
EUROPOL-i e lidhi kokainën e sekuestruar në Arubë me shtetasin serb Mirosllav Starçeviq, i arrestuar në maj të vitit 2023 së bashku me 12 persona të tjerë. Ata akuzohen nga autoritetet në Serbi për trafik ndërkombëtar të drogës.
Siç është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga Gjykata e Lartë në Beograd, procesi gjyqësor kundër këtij grupi është drejt fundit.
Policia serbe e ka cilësuar Starçeviqin si udhëheqës kryesor “të organizatës më të madhe kriminale për trafikim të drogës nga Ballkani” që u zbulua me ndihmën e EUROPOL-it.
Sipas Policisë serbe, karteli i udhëhequr nga Starçeviq qëndron pas dërgesave me shumë tonë kokainë që kanë mbërritur në Evropë nga Kolumbia, Brazili, Ekuadori, por edhe përmes Afrikës Perëndimore.
Grupi i Starçeviqit në raportet e GI-TOC lidhet me klanin Kavaç, klan kriminal me origjinë nga Mali i Zi.
Klanet Kavaç dhe Shkalar janë nga Mali i Zi. Bëhet fjalë për dy klane të armatosura, dhe gjatë përplasjeve që kanë pasur që nga viti 2014 kanë humbur jetën më shumë se 60 persona.
Pa përgjigje nga ministritë e Brendshme të Serbisë dhe Malit të Zi
Nuk dihet nëse dhe sa janë të përfshira ende grupet kriminale, pjesëtarë të të cilave janë me origjinë nga Serbia dhe Mali i Zi, në trafikun e kokainës të lidhur me Venezuelën.
Për këto pyetje, deri në publikimin e këtij teksti, nuk janë përgjigjur Ministria e Brendshme e Serbisë, dhe as ajo e Malit të Zi.
Nga EUROPOL-i thanë shkurt për REL-in se organizata nuk ka bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Venezuelën, kështu që të dhënat për përfshirjen e grupeve kriminale nga Ballkani merren në mënyrë indirekte, nga policitë e këtyre shteteve.
Grupet kriminale nga vendet e Ballkanit Perëndimor, në raportet e agjencive ndërkombëtare si EUROPOL dhe INTERPOL, cilësohen si të rëndësishme për trafikun e kokainës nga Amerika Latine, kryesisht drejt vendeve të Evropës Perëndimore.
Këtë pozicion, sipas raporteve të GI-TOC, ato e kanë ndërtuar për dekada, kryesisht përmes lidhjeve të drejtpërdrejta me vendet prodhuese dhe distributorë të kokainës.
Pse është e veçantë Venezuela?
Ajo që e bën Venezuelën interesante, thotë Gjorgjeviq nga GI-TOC, është përdorimi i transportit detar dhe ajror për kokainën që dërgohet nga ky shtet.
“Janë avionë të vegjël, për të cilët kontrolli dhe monitorimi është shumë më i ulët se për fluturimet komerciale”, shpjegon ai.
Në Venezuelë nuk prodhohet kokainë, por sipas raporteve të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), Venezuela cilësohet si një nga shtetet kryesore transit për kokainën, e cila prodhohet kryesisht në Kolumbi dhe më pas shpërndahet drejt SHBA-së dhe Evropës.
Indikacionet e forta që pjesë të aparatit shtetëror venezuelas janë të përfshirë në aktivitetet kriminale vijnë nga gjetjet e Indeksit për Krim Global, sipas të cilit Venezuela renditet në dhjetë për qindëshin më të lartë të vendeve në botë për ndikimin e aktorëve kriminalë brenda vendit.
Raportet vjetore për këtë indeks i publikon GI-TOC, organizatë joqeveritare me seli në Gjenevë.
Në raportin e fundit të publikuar në nëntor të vitit 2025, thuhet se grupet guerile kolumbiane “menaxhojnë zinxhirët e furnizimit në bashkëpunim me zyrtarë të korruptuar venezuelas”.
“Grupet janë integruar në komunitetet lokale, shpesh duke manipuluar të rinjtë që të punojnë për ta nën maskën e punësimit të ligjshëm, dhe kanë marrë në dorë sistemet lokale të drejtësisë dhe strukturat e qeverisjes”, theksohet në raport.
Aty shtohet se marrëdhënia simbiozë midis grupeve guerile kolumbiane dhe zyrtarëve shtetërorë venezuelas ka lehtësuar operacionet e tyre, duke rezultuar në “dhunë minimale, por kontroll të konsiderueshëm mbi rajonet kufitare”./REL
Shqetësimet po rriten për shtypjen e protestave në Iran , i cili është izoluar nga pjesa tjetër e botës për shkak të një ndërprerjeje të internetit, pas protestave të reja të mëdha antiqeveritare, më seriozet në tre vjet.
Numri i të vdekurve nga protestat antiqeveritare në Iran është rritur ndjeshëm, duke tejkaluar 500, sipas organizatës joqeveritare amerikane Human Rights Activists News Agency , ndërsa Presidenti i SHBA-së Donald Trump thotë se po shqyrton një gamë të gjerë përgjigjesh të mundshme ndaj trazirave në rritje.
Sipas mediave të huaja, grupi tha të dielën se të paktën 544 persona ishin vrarë, një rritje e ndjeshme nga 116 vdekjet e regjistruara të shtunën në mbrëmje, ndërsa 579 raportime të tjera për vdekje ishin ende nën hetim, duke e çuar numrin total në 1,123 . Më shumë se 10,681 persona janë dërguar në burg pasi u arrestuan.
Grupi tha se shumica e viktimave u vranë nga plumbat ose shrapnel, kryesisht nga afërsia. Në të njëjtën kohë, televizioni shtetëror në Teheran tregoi imazhe të dhjetëra çantave me trupa në zyrën e mjekësisë ligjore, duke ia atribuar vdekjet incidenteve të shkaktuara nga “terroristë të armatosur”, dhe pamje të qytetarëve të mbledhur jashtë Qendrës Ligjore Kahrizak, duke pritur të identifikonin trupat.
Trump thotë se po shqyrtohen mundësi të forta
Donald Trump tha të dielën se udhëheqësit iranianë kishin kontaktuar qeverinë e tij për të negociuar, pas kërcënimeve të tij për të urdhëruar veprime ushtarake ndërsa Republika Islamike përballet me protesta masive kundër qeverisë.
Udhëheqësit iranianë telefonuan një ditë para të shtunës, u tha ai gazetarëve në Air Force One, duke shtuar se ata po përgatiten për një takim. Ata duan të negociojnë. Megjithatë, republikani tha se ‘mund të na duhet të ndërmarrim veprime para’ çdo takimi. Sipas tij, ushtria amerikane po shqyrton opsione shumë të forta në lidhje me Iranin, i cili ka filluar të kalojë vijat e kuqe të vendosura nga Uashingtoni.
“Po e shqyrtojmë shumë seriozisht. Ushtria po e shqyrton dhe ne po shqyrtojmë opsione shumë të forta. Do të marrim një vendim,” u tha presidenti amerikan gazetarëve në bordin e aeroplanit të tij. Në të njëjtën kohë, ai dërgoi një mesazh të qartë për frenim, duke thënë, “Nëse Irani godet bazat tona në rajon, ne do t’i godasim ato më fort se kurrë më parë”. Kujtohet se presidenti amerikan pritet të takohet me këshilltarë të lartë të martën për të diskutuar zgjedhjen e qëndrimit, siç i tha një zyrtar amerikan Reuters.
Real Madrid po shqyrton me kujdes një ofertë prej 120 milionë eurosh nga Chelsea për Federico Valverden, duke e vendosur atë sërish në qendër të vëmendjes gjatë afatit kalimtar.
Chelsea ka shprehur interes të drejtpërdrejtë dhe të qartë për mesfushorin, i cili është bërë një nga lojtaret më të rëndësishëm në projektin e Real Madridit.
Në klubin madrilen ekziston një pajtueshmëri e plotë për vlerën e Valverdes, i cili ka arritur statusin e një lojtari kyç falë paraqitjeve të qëndrueshme, shumëfunksionalitetit dhe mentalitetit fitues.
Klubi nuk ndjen asnjë urgjencë financiare apo sportive për të negociuar dhe qëndrimi fillestar është i qartë: vetëm një ofertë jashtë çdo standardi tregu do të merrej realisht në konsideratë.
Nga ana tjetër, Chelsea ndodhet në një fazë të re rindërtimi dhe synon të dërgojë një sinjal të fortë në treg.
Trajneri i ri e sheh Valverden si figurën ideale për të ndërtuar mesfushën, falë intensitetit, dinamikës dhe aftësisë së tij për të ndikuar në disa faza të lojës.
Oferta prej 120 milionë eurosh është dëshmi e bindjes së plotë të klubit anglez.
Megjithatë, Real Madridi vlerëson më shumë aspektin sportiv sesa përfitimin e menjëhershëm ekonomik.
Zëvendësimi i një lojtari me profilin e Valverdes nuk konsiderohet i lehtë, ndërsa lidhja e fortë e futbollistit me klubin dhe roli i tij në fushë e në dhomat e zhveshjes përforcojnë idenë e vazhdimësisë.
Në moshën 27-vjeçare, Valverde përfaqëson një kombinim ideal mes përvojës dhe perspektivës afatgjatë.
Oferta e Chelseat po analizohet pa presion dhe me qetësi, ndërsa në Madrid mbetet bindja se vetëm dëshira e qartë e lojtarit mund të hapte rrugën e negociatave për një nga operacionet më të mëdha të mundshme të verës.