SHBA – Trump kërcënon me tarifa të reja Evropën për çështjen e Groenlandës
UASHINGTON, 17 janar /ATSH-AFP/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, rriti më tej presionin mbi vendet evropiane të shtunën, duke i kërcënuar ato me tarifa deri në 25% që do të mbeten në fuqi derisa Uashingtoni të arrijë të blejë Groenlandën.
“Duke filluar nga 1 shkurti, Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Finlanda do t’i nënshtrohen një tarife prej 10% për mallrat e tyre të dërguara në Shtetet e Bashkuara”, shkroi Donald Trump në rrjetin e tij Truth Social.
“Më 1 qershor 2026, tarifat do të rriten në 25%” dhe ato do të mbeten në fuqi derisa të arrihet një marrëveshje për shitjen e plotë dhe totale të Groenlandës”, deklaroi ai.
Nëse ky përshkallëzim do të materializohej, kjo do të krijonte një situatë të paprecedentë tensioni për NATO-n, me një nga anëtarët e saj kryesorë që do të drejtohej në sanksione për të sekuestruar territorin që i përket njërit prej partnerëve të saj, një shteti sovran dhe demokratik.
Që kur u kthye në pushtet një vit më parë, Donald Trump ka përmendur rregullisht marrjen e kontrollit të ishullit të madh Arktik që i përket Danimarkës, një territor strategjik por me popullsi të pakët.
Ai ka pohuar se do ta sekuestrojë atë “në një mënyrë ose në një tjetër”, për t’iu kundërvënë, sipas tij, përparimeve ruse dhe kineze në Arktik.
Presidenti amerikan mbrojti kërcënimet duke argumentuar se vendet evropiane po “luanin këtë lojë shumë të rrezikshme” dhe “kanë marrë një rrezik që nuk është as i qëndrueshëm dhe as i zbatueshëm”.
“Prandaj, është e domosdoshme, për të mbrojtur paqen dhe sigurinë globale, të merren masa të forta për ta çuar këtë situatë potencialisht të rrezikshme në një fund të shpejtë dhe të qartë”, shtoi ai.
Presidenti nuk specifikoi bazën ligjore mbi të cilën kishte ndërmend të vendoste këto tarifa të reja.
Që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump i ka bërë tarifat një gur themeli të politikës së tij ekonomike dhe diplomatike.
Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian arritën një marrëveshje këtë verë për të ulur tarifat e SHBA-së për shumicën e mallrave evropiane në 15%./ a.jor.
The post SHBA – Trump kërcënon me tarifa të reja Evropën për çështjen e Groenlandës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.