16:55 Administrata Trump kundër rregullave europiane për fjalën e lirë
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka njoftuar se do të financojë iniciativa për promovimin e lirisë së shprehjes në vendet perëndimore aleate të Shteteve të Bashkuara. Deklarata u bë të hënën, më 9 shkurt, nga një zyrtare e lartë e Departamentit amerikan të Shtetit, gjatë një vizite në disa vende europiane.
Sipas Uashingtonit, rregulloret europiane për hapësirën online, si Akti për Shërbimet Dixhitale i Bashkimit Europian dhe Ligji për Sigurinë Online në Britaninë e Madhe, po kufizojnë lirinë e fjalës dhe po vendosin barriera për kompanitë amerikane të teknologjisë. Autoritetet europiane, nga ana tjetër, i mbrojnë këto ligje duke argumentuar se synojnë luftimin e gjuhës së urrejtjes, dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja në hapësirën digjitale.
Nënsekretarja e Shtetit për Diplomacinë Publike, Sarah Rogers, e cila po kryeson këtë nismë, zhvillon takime në Dublin, Budapest, Varshavë dhe Mynih, ku në fokus janë liria e shprehjes dhe ajo digjitale. Gjatë një paneli në Budapest, Rogers deklaroi se do të përdorë fondet e Departamentit të Shtetit për të mbështetur projekte që, sipas saj, promovojnë fjalën e lirë në demokracitë perëndimore.
Një raport i “Financial Times” bëri të ditur se Rogers ka diskutuar edhe me përfaqësues të partisë opozitare britanike Reform, lidhur me financimin e disa organizatave dhe think tank-eve që mbështesin politikat e lëvizjes “Make America Great Again”. Departamenti amerikan i Shtetit nuk i konfirmoi këto pretendime, por theksoi se çdo financim do të ishte i ligjshëm dhe transparent.
Në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të publikuar në dhjetor, administrata Trump akuzoi disa liderë europianë për censurë dhe për shtypje të kritikave ndaj politikave të emigracionit. Më herët, SHBA vendosi edhe ndalime vizash ndaj një ish-komisioneri të Bashkimit Europian dhe disa aktivistëve kundër dezinformimit, veprim që u kritikua ashpër nga udhëheqësit europianë.
Zyrtarët amerikanë kanë pranuar gjithashtu se janë angazhuar me parti nacionaliste dhe të djathta në Europë, duke argumentuar se qëndrimet kundër emigracionit po censurohen nën justifikimin e luftës ndaj gjuhës së urrejtjes.
Sipas Sarah Rogers, Shtetet e Bashkuara nuk janë në kundërshtim me shumicën e qytetarëve europianë për çështje si emigracioni, duke iu referuar sondazheve të opinionit publik. Ajo theksoi se, sipas saj, pa liri fjale nuk mund të ketë vetëqeverisje dhe as debat demokratik./mxh
