Karim Benzema i kërkon Florentino Perezit të mbështesë Alonson dhe të forcojë mesfushën e Real Madridit
Karim Benzema i ka dhënë dy mesazhe të qarta presidentit të Real Madridit, Florentino Perez, gjatë takimit të tyre në Arabinë Saudite, ku të dy ishin të pranishëm në finalen e Superkupës së Spanjës.
Sipas raportimit të gazetarit Ramon Alvarez, sulmuesi francez e ka këshilluar kreun e klubit që të vazhdojë t’i besojë trajnerit Xabi Alonso dhe të përforcojë mesfushën e skuadrës.
Ish-kapiteni i Real Madridit, i cili aktualisht luan te Al-Ittihad, mbetet i lidhur ngushtë me klubin madrilen dhe është i informuar për situatën e brendshme. Ai thuhet se ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së plotë për projektin e Xabi Alonsos në “Santiago Bernabeu”, veçanërisht pas një fillimi të vështirë sezoni.
Humbja 3-2 ndaj Barcelonës në finalen e Superkupës së Spanjës ka shtuar presionin mbi trajnerin spanjoll, megjithatë drejtuesit e klubit vazhdojnë ta mbështesin atë. Në këtë kontekst, ndërhyrja e Benzemas shihet si një sinjal i fortë besimi ndaj Alonsos dhe vizionit të tij.
Një tjetër pikë kyçe e këshillës së Benzemas lidhet me nevojën për të përforcuar mesfushën, repart që prej kohësh po diskutohet si një nga pikat më të ndjeshme të Real Madridit.
Balanca në mesfushë konsiderohet thelbësore për funksionimin e sistemit taktik të Xabi Alonsos, sidomos pas ndryshimeve të mëdha në këtë repart.
Edhe pse klubi nuk ka konfirmuar ende plane konkrete për transferime të menjëhershme, sugjerimi i Benzemas tregon ndikimin e vazhdueshëm të tij dhe shqetësimin për konkurrueshmërinë e Real Madridit në të ardhmen. Këshilla e një figure kaq të rëndësishme në historinë e klubit pritet të merret seriozisht nga drejtuesit madrilenë./Telegrafi
