Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 January 2026Main stream

16:55 Revista “Time”: Deri në 30 mijë të vrarë gjatë trazirave në Iran

By: Monika
25 January 2026 at 16:55

Më shumë se 30,000 njerëz mund të jenë vrarë në rrugët e Iranit në ditët e para të janarit, duke treguar një rritje dramatike të numrit të viktimave, sipas Revistës prestigjoze “Time”.

Aq shumë njerëz u masakruan nga shërbimet e sigurisë iraniane, saqë kapaciteti i shtetit për të trajtuar viktimat u mbarua, çantat për trupat u shteruan dhe kamionët e mëdhenj u përdorën në vend të ambulancave për të transportuar trupat.

Ky numër i brendshëm i humbjeve të jetëve tejkalon shifrën zyrtare të 3,117 viktimave, e cila u njoftua më 21 janar nga autoritetet që raportojnë drejtpërdrejt tek Udhëheqësi Suprem Ayatollah Ali Khamenei.

Shifra prej 30,000 viktimash gjithashtu është shumë më e lartë se numrat që kanë mbledhur aktivistët, të cilët deri më tani kanë konfirmuar 5,459 vdekje dhe po hetojnë 17,031 të tjera.

Sipas të dhënave të mbledhura nga mjekë dhe ekipet e përgjigjes së shpejtë në terren dhe viktimat e shënuara në spital ishin 30,304 deri të premten. Dr. Amir Parasta, një kirurg iraniano-gjerman që përgatiti raportin, tha se ky numër nuk përfshin vdekjet që ndodhën në spitale ushtarake apo në zona të largëta ku hetimi nuk arriti./mxh

16:47 3 receta të thjeshta për makarona të pjekura në furrë! (Lifestyle)

By: Monika
25 January 2026 at 16:47

Një pjatë e thjeshtë dhe e shijshme, makaronat e pjekura në furrë janë vakti perfekt për një sezon të ngjeshur si vjeshta, e sidomos kur të vegjlit kthehen nga shkolla. Butësia e tyre u pëlqen si fëmijëve edhe të rriturve, me aromat e djathit të shkrirë që mbushin kuzhinën pasi piqen.

Makarona me perime dhe djathë dhie

Përbërësit:300 g makarona, 2 qepë të njoma, 1 brokoli, 2 kungulleshka, lakër jeshile, 200 g bizele, 120 g krem djathi, 150 g djathë dhie, piper, vaj ulliri, 1 tufë borzilok.

Përgatitja:

Ziejini makaronat sipas udhëzimeve në paketim, pastaj kullojini. Në një enë tjetër ziejini brokolin dhe bizelet për 5 minuta, pastaj kullojini. Ngroheni furrën në 210°C/gaz mark 7. Skuqni qepën me vaj ulliri në një tavë, më pas shtoni kungulleshkat, lakrën e grirë, brokolin, bizelet dhe gjysmën e borzilokut. Kriposini dhe piperosini dhe përziejini për 2 minuta në zjarr të lartë. Më pas shtoni makaronat e ziera dhe kremin e djathit. Përziejini dhe më pas shtoni sipër djathin e dhisë në copa. Vendoseni në furrë për 30 minuta.

Pena me mocarela dhe proshutë

Përbërësit:

250 g makarona pene, vaj ulliri, 1 thelb hudhër, 125 g spinaq, 250 g mocarela, 50 g gjalpë,

50 g miell, 700 ml qumësht, 6 feta proshutë dhe kripë.

Përgatitja:

Ziejini makaronat në një tenxhere të madhe me ujë të valuar me kripë, 2 minuta më pak se koha e treguar në paketim. Kullojini, vendosini në një tas me 1 lugë gjelle vaj ulliri, përziejini dhe mbulojeni.

Qëroni hudhrën dhe skuqeni në një tigan me pak vaj ulliri. Shtoni spinaqin dhe kaurdiseni për 5 minuta që të zbutet. Hidhni spinaqin mbi makarona, shtoni djathin mocarela të grirë në copa të vogla dhe përziejini. Në një tenxhere, shkrini gjalpin. Hiqeni nga zjarri, shtoni miellin dhe përziejini shpejt. Kthejeni në zjarr të ulët dhe gatuajeni për 2 minuta e më pas shtoni pak qumësht, duke e përzier me rrahëse që të mos krijohen kokrriza derisa të trashet. Hiqeni nga zjarri dhe bashkojeni me makaronat duke i përzier që të lidhen. Në një enë pjekjeje të lyer me vaj hidhni makaronat dhe sipër vendosni fetat e proshutës. Lëreni të piqen për 30 minuta në temperaturë 180 gradë Celsius

Ravioli me proshutë dhe djathë të mykur

Përbërësit:

Ravioli, 110 g djathë i mykur, 100 g krem, 50 ml qumësht, gjalpë dhe 200 g proshutë.

Përgatitja:

Në një tenxhere ngrohni kremin me qumështin dhe gjysmën e djathit të mykur derisa të krijohet një salcë homogjene. Lyejeni tavën me gjalpë dhe vendosni sipër raviolin, mbulojeni me kremin e përgatitur dhe pastaj vendosni proshutën. Spërkatni me piper dhe përsëriteni derisa të mbarojnë të gjithë përbërësit. Në fund, shtesës së sipërme shtojini djathin e mykur që na ka mbetur dhe e vendosim të piqet në furrë për 15 minuta në temperaturë 180 gradë Celsius, derisa djathi të jetë shkrirë dhe të marrë ngjyrë të artë./mxh

16:35 “Kosova e di rrugën dhe çmimin drejt…”/ Vjosa Osmani intervistë për BBC: Anëtarësimi në Bordin e Paqes, hap historik!

By: Monika
25 January 2026 at 16:35

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë për BBC ka deklaruar se Kosova është shembull i një vendi që e di çmimin dhe rrugën drejt paqes, duke rikujtuar periudhën e luftës dhe mbështetjen vendimtare të aleatëve ndërkombëtarë.

“Ka shumë arsye, por ndoshta më lejoni të kthehem pas në kohë. 26 vjet më parë. Kosova ishte një vend i shkatërruar nga lufta. Gjenocidi po kryhej kundër popullit të Kosovës. Dhe nën udhëheqjen e ShBA-së dhe sigurisht, me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe shumë vendeve demokratike anembanë botës, jetët tona u shpëtuan”, tha ajo.

Osmani theksoi se ndërhyrja ndërkombëtare i dha Kosovës një shans për paqe dhe liri, duke nënvizuar arritjet e shtetit sot.

“Na u dha një shans për paqe. Na u dha një shans për të jetuar të lirë. Dhe sot jemi sovranë, jemi demokratikë, jemi të pavarur. Dhe më e rëndësishmja, fëmijët tanë janë brezi i parë në historinë e ekzistencës së kombit tonë që nuk e kanë njohur luftën dhe që kanë gëzuar paqen. Ne e dimë se si mund të arrihet paqja, dhe ajo mund të arrihet përmes veprimit. E dini, në atë kohë, unë isha një fëmijë i luftës, duke u rritur nën granata. Dhe si të gjithë të tjerët në brezin tim, jetët tona ishin në rrezik. Por çështja është se ajo që po dëgjonim në atë kohë ishin rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ishin copa letre. Ishin fjalë, por asnjë veprim. Derisa erdhi ShBA-ja dhe mblodhën botën për të na ndihmuar”, deklaroi presidentja e cila është një nga liderët botërore që i është bashkuar Bordit të Paqes të presidentit të ShBA-së, Donald Trump./mxh

16:21 Indonezi, të paktën 16 të vdekur dhe dhjetëra të zhdukur nga rrëshqitja e dheut

By: Monika
25 January 2026 at 16:21

Të paktën 16 persona kanë humbur jetën si pasojë e një rrëshqitjeje dheu në provincën Java Perëndimore në Indonezi, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë për dhjetëra të tjerë që raportohen të zhdukur.

Zëdhënësi i policisë së Javës Perëndimore, Hendra Rochmawan, tha se numri i të vdekurve është rritur në 16 pasi edhe pesë trupa të tjerë u nxorën nga vendngjarja.

Rrëshqitja e dheut goditi një fshat në rajonin Bandungu Perëndimor të shtunën, ku dhjetëra shtëpi raportohet se u mbuluan nga balta dhe mbeturinat.

Sipas mediave shtetërore, rreth 80 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur, ndërsa rrëshqitja e dheut ka prekur 30 shtëpi dhe ka zhvendosur nga 300 deri në 400 persona./mxh

16:10 Thuajse 4 vite nga nisja e luftës, i besuari i Trump optimist për vendosjen e paqes Rusi-Ukrainë: Bisedimet ishin konstruktive

By: Monika
25 January 2026 at 16:10

Kryenegociatori i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Steve Witkoff, ka vlerësuar takimin e parë Rusi-SHBA-Ukrainë në Abu Dhabi, duke thënë se palët kanë rënë dakord të rifillojnë negociatat javën e ardhshme.

Takimi dy-ditor në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, i cili përfundoi të shtunën, shënoi herën e parë që negociatorët nga Rusia, Ukraina dhe SHBA-ja u ulën së bashku që nga shpërthimi i konfliktit midis Moskës dhe Kievit në shkurt të vitit 2022. Megjithatë, palët kanë mbetur kryesisht të heshtura në lidhje me rezultatin e diskutimeve.

Në një postim në X të shtunën, Witkoff, i cili udhëhoqi delegacionin amerikan së bashku me dhëndrin e Trump, Jared Kushner, tha se bisedimet ishin “shumë konstruktive” dhe se u bënë plane për të vazhduar diskutimet javën e ardhshme në Abu Dhabi. Ai shtoi se Trump ishte i përkushtuar për të negociuar një marrëveshje paqeje.

Bisedimet në Abu Dhabi u zhvilluan menjëherë pasi Witkoff dhe Kushner u takuan me Presidentin rus Vladimir Putin në Kremlin, ndërsa Trump foli me presidentin ukrainas Volodymyyr Zelensky në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

Të tre palët kanë pranuar se mosmarrëveshjet territoriale mbeten pengesa kryesore për një zgjidhje paqësore. Moska pohon se një marrëveshje e qëndrueshme është e mundur vetëm nëse Ukraina tërheq trupat e saj nga rajonet e Donetskut, Luganskut, Khersonit dhe Zaporozhjes dhe njeh zyrtarisht kufijtë e rinj të fqinjit të saj, përfshirë Krimenë. Megjithatë, Zelensky ka përjashtuar çdo lëshim territorial./mxh

15:55 Superkupa e Kosovës fitohet nga Drita, Prishtina humb në finale

By: Monika
25 January 2026 at 15:55

Skuadra e Dritës është shpallur fituese e Superkupës së Kosovës pas triumfit 2-1 ndaj Prishtinës në finale.

Takimi nisi me avantazhin e Prishtinës, ku Leotrim Kryeziu shënoi golin e parë në minutën e tetë. Barazimi i shifrave erdhi në minutën e 39-të përmes Besnik Krasniqit, i cili realizoi nga pika e bardhë e penalltisë.

Pak para mbylljes së pjesës së parë, Prishtina mbeti me dhjetë lojtarë pas ndëshkimit të Harun Kariç me karton të kuq.

Përmbysja e rezultatit u realizua në minutën e 50-të nga Kristal Abazaj, i cili shënoi me kokë për ekipin gjilanas. Më pas, rezultati mbeti i pandryshuar deri në përfundim të kohës së rregullt pavarësisht tentativave të të dyja palëve.

Ky sukses shënon trofeun e tretë të Superkupës në historinë e klubit të Dritës./mxh

15:49 Takimi mes eurodeputetëve dhe opozitës serbe/ Vuçiç: Më qesharaku në botë

By: Monika
25 January 2026 at 15:49

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë të dielën se një takim mes anëtarëve të Parlamentit Europian dhe kundërshtarëve të tij politikë në vend gjatë një vizite në Beograd ishte më qesharaku në botë.

Vuçiç theksoi për “TV Prva” se i vjen shumë keq që njerëzit u kushtuan kaq shumë vëmendje atyre që erdhën. Ai i quajti eurodeputetët njerëz krejtësisht të parëndësishëm.

“Ata nuk dëgjojnë çfarë u thotë opozita. Opozita ua tregon atyre të gjitha gjërat më të këqija për Serbinë”, tha Vuçiç.

Ai tha gjithashtu se e quajti të pacipë kërkesën e opozitës drejtuar delegacionit të Parlamentit Europian për të vendosur sanksione ndaj anëtarëve të partisë në pushtet në Serbi./mxh

15:38 Shpërthejnë protesta kundër ICE në SHBA: Nuk do të durojmë

By: Monika
25 January 2026 at 15:38

Protesta të mëdha u përhapën në të gjitha qytetet amerikane – duke përfshirë Minneapolis, New York City, San Francisco, Boston dhe Providence, Rhode Island – pasi 37-vjeçari Alex Pretti, një infermier i regjistruar që jetonte në Minneapolis, u qëllua për vdekje nga agjentët federalë.

Vala e protestave vjen vetëm një ditë pasi mijëra njerëz marshuan nëpër rrugët e Minneapolis për të protestuar kundër Shërbimit Amerikan të Imigracionit dhe Doganave (ICE).

Protestuesit sfiduan përsëri të ftohtin ekstrem për të folur kundër agjencisë dhe për të treguar mbështetje për Prettin dhe të tjerët që janë dëmtuar nga rritja e numrit të agjentëve të imigracionit.

“Në djall ICE, ICE jashtë”, dëgjohej një turmë duke bërtitur në transmetimet drejtpërdrejt të protestave.

Në Uashington, një turmë gjigante u formua jashtë selisë së Departamentit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së (DHS). Në San Francisko, qindra njerëz u mblodhën në qendër të qytetit. Pamjet treguan turma të mëdha duke mbajtur pankarta dhe duke brohoritur slogane të tilla si “ngrihuni, luftoni kundër”.

Protestuesit mbanin lart banderola që qortonin ICE dhe kërkonin drejtësi edhe për Renee Good, një tjetër banore e Minneapolis e cila u qëllua dhe u vra nga një oficer i imigracionit në fillim të këtij muaji.

Dhe më në jug, qindra njerëz dolën në rrugët e qendrës së Los Angeles, një qytet që u përball me krizën e vet gjatë verës kur një valë agjentësh të imigracionit përmbytën rajonin.

Turmat u mblodhën duke mbajtur pankarta solidariteti që shkruanin “Nga Los Angeles në Minneapolis, ndaloni terrorin e ICE”./mxh

Yesterday — 24 January 2026Main stream

17:48 Stamboll, mbahet takimi i ministrave të Jashtëm të Ballkanit, Erdogan vlerëson bashkëpunimin rajonal

By: Monika
24 January 2026 at 17:48

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan zhvilloi në Stamboll një takim me ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit, ku u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale.

Në kuadër të Platformës së Paqes në Ballkan, Erdogan theksoi rëndësinë e solidaritetit, sigurisë, energjisë dhe bashkëpunimit rajonal, duke bërë thirrje për veprim të përbashkët dhe nisma të fokusuara në paqe./mxh

17:38 Dosja/ Fuste drogë në burgun e Elbasanit, polici kamuflohej si shitës ambulant!

By: Monika
24 January 2026 at 17:38

Tre persona u arrestuan nga policia pasi akuzohen se fusnin lëndë narkotike brenda ambienteve të burgut të Elbasanit. Në pranga u vunë punonjësi i policisë, Ndriçim Kroi, i paraburgosuri Gerald Stamolla, dhe një grua, familjare e këtij të fundit, Esmeralda Komici.

Zbardhen detaje nga dosja në ngarkim të të tre të akuzuarve. Në dosje shpjegohet se si efektivi Ndriçim Kroj arrinte që të shpërndante lëndët narkotike brenda burgut. Për të kamufluar aktivitetin e tij të paligjshëm, ai punonte jashtë orarit të punës si shitës ambulant, ku shiste telefona të përdorur dhe sende të tjera me vlerë, ku edhe merrte porosi nga familjarët e të paraburgosurve.

Siç theksohet në dosje, ai ka arritur që t’u dërgonte drogë tëparaburgosurve Gerald Stamolla, Fatjon Pellumbi dhe Emiljano Dinja. Për të mos rënë në sy, këtë aktivitet ai e kryente gjatë turnit të tretë të shtunën apo të dielën, ku në burg personeli ishte i reduktuar.

“Punonjësi i policisë së burgjeve shtetasi Ndriçim Kroj i cili kryen shërbim në regjimin e brëndshëm në IEVP Elbasan merret me aktivitet të kundraligjshëm e konkretisht në futjen e lëndeve narkotike në regjimin e brëndshëm. Për të kamufluar aktivitetin e tij të kundraligjshëm Ndriçimi gjatë orëve që nuk është në punë është shitës ambulant në qytetin e Elbasanit dhe shet telefona të përdorur dhe sende të tjera me vlerë. Në vendin ku Ndriçimi është shitës ambulant merr porosi nga të afërmit e të paraburgosurve dhe jua sjell në IEVP Elbasanit. Në vijim të verifikimeve të kryera është marrë dhe administruar e dhëna se Ndricimi furnizon me lëndë narkotike të paraburgosurit Gerald Stamolla, Fatjon Pellumbi dhe Emiljano Dinja të cilët janë të akomoduar në IEVP Elbasan. Më pas shitja dhe shpërndarja e lëndës narkotike bëhet në regjimin e brendshëm nga të paraburgosurit e mësipërm. Është marrë dhe administruar informacioni se Ndricimi këtë veprimtari të kundraligjshme në futjen e lëndës narkotike në regjimin e brendshme e bën gjatë marrjes së shërbimit turni i tretë dhe ditën e shtunë dhe të djele ku në institucion nuk ka personel të administrates.”, thuhet në dosje.

Autoritetet kanë dokumentuar të paktën pesë episode ku efektivi Ndriçim Kroj kryen të njëjtin intenerar të dyshimtë. Në fillim shkonte te automjeti i tij, dhe më pas shkonte në sallën e informacionit për të vijuar më pas në regjimin e brendshëm, ku shpërndahej lënda narkotike.

“Në zyrën e SHKBB-s pranë IEVP Elbasan janë këqyrur pamjet filmike te dates 17.05.2025, 24.05.2025, 26.05.2025, 05.06.2025, dhe 14.06.2025 dhe në pesë episode të ndryshme vihet re që shtetasi Ndriçim Kroj ka të njëjtin intenerar lëvizjesh e konkretisht pasi mbaron instruktazhin largohet nga rreshtimi dhe shkon tek automjeti i tij tip ford me ngjyrë gri me targë AA 857 LE, futet brënda në makinë qëndron disa sekonda, bën disa lëvizje të dyshimta dhe më pas futet në sallen e informacionit për tu future në regjimin e brëndshëm.

Në një episode vihet re që Ndriçimi sapo hyn në sallën e informacionit vendos sendet personale, vesh shapkat dhe vrapon drejt automjetit të tij ku qëndron disa sekonda brenda dhe më pas hyn në sallën e informacionit dhe vendos celsin e makines së tij sipër skanerit pa e kontrolluar atë, dhe pasi kontrollohet vetë fizikisht merr celsin dhe e fut në xhep. Vihet re që sapo futet në sektor, hyn në dhomat e të paraburgosurve dhe qëndron disa sekonda dhe më pas del dhe bën lëvizje të pakontrolluara dhe të dyshimta.”, thuhet më tej në dosje./mxh

16:54 Nëse do që njerëzit të të respektojnë vërtet, thuaju lamtumirë këtyre 9 zakoneve (Lifestyle)

By: Monika
24 January 2026 at 16:54

Të gjithë duam të ndihemi të dashur dhe të respektuar. Por respekti i vërtetë nuk vjen nga një version që u pëlqen të tjerëve. Ai ndërtohet kur je autentik/e, i/e qartë dhe në paqe me veten.

Po, do punë. Po, kërkon të heqësh dorë nga disa zakone që ndoshta i ke pasur për vite. Por shpërblimi? Një respekt që nuk është i përkohshëm.

Nëse kjo është ajo që kërkon për veten tënde, ndoshta duhet të heqësh dorë edhe nga këto zakone:

1. Thashethemet

Thashethemet mund të duken argëtuese në moment, por në fund dëmtojnë reputacionin tënd. Njerëzit nuk e respektojnë dikë që ndërton veten duke ulur të tjerët. Respekti vjen nga maturia dhe vetëkontrolli.

2. Premtimet që nuk i mban

Të thuash “po” dhe pastaj të zhdukesh është mënyra më e shpejtë për të humbur besimin. Nëse nuk je i/e sigurt që mund ta bësh diçka, thuaje hapur. Sinqeriteti respektohet gjithmonë më shumë sesa justifikimet.

3. Të thuash “po” kur mendon “jo”

Ky është problem klasik. Ti e bën për të mos zhgënjyer të tjerët, por përfundon duke tradhtuar veten. Kufijtë e shëndetshëm nuk të bëjnë egoist/e, por më të respektueshëm/me në sy të të tjerëve.

4. Justifikimet

Nuk ke pse të shpikësh arsye, je person i rritur. Nëse nuk do, thuaj që nuk do. Të qenit i/e qartë është një formë mirësie dhe njerëzit e ndiejnë.

5. Të kërkosh falje pa arsye

Të kërkosh falje për çdo gjë nuk të bën më të sjellshëm/me, por më pak autentik/e. Thuaj “më fal” vetëm kur e mendon vërtet. Atëherë fjalët e tua kanë peshë.

6. Të vësh gjithmonë të tjerët para vetes

Të jesh bujar/e është gjë e bukur, por të sakrifikosh veten pafund jo.

7. Të kërkosh vazhdimisht miratimin e të tjerëve

Njerëzit që respektohen më shumë janë ata që ecin sipas ritmit të tyre. Jo çdo mendim kërkon miratimin e të tjerëve, për të mos thënë asnjë mendim.

8. Të zbehësh dritën e të tjerëve

Xhelozia është njerëzore, por të ulësh dikë tjetër për t’u ndier më mirë vetë nuk është elegante. Njerëzit më të admirueshëm janë ata që i ngrejnë të tjerët lart.

9. Materializmi i tepruar

Sendet luksoze mund të tërheqin vëmendje, por jo respekt të vërtetë. Respekti ndërtohet mbi atë që je, jo mbi atë që ke./mxh

16:42 Tumoret e aparatit tretës në rritje/ Ekspertët: Kapen vonë, mungon kultura e kontrollit

By: Monika
24 January 2026 at 16:42

Mjekët gastrohepatologë dhe onkologë kanë ngritur alarmin për rritjen e rasteve me tumore të aparatit tretës, përfshirë stomakun, pankreasin, zorrën e trashë dhe ezofagun, madje edhe tek pacientët e rinj.

Profesor Myzafer Kaci renditi disa faktorë të jashtëm që ndikojnë në rritjen e këtyre tumoreve dhe kërkoi nga autoritetet krijimin e qendrave për depistimin e popullatës.

“Ushqimet, hormonet, rrezatimet ndikojnë shumë në rritjen e numrit të tumoreve. Por për fat të keq kapen vonë, sepse shqiptarët nuk kujdesen si duhet për shëndetin e tyre. I lutem autoriteteve të krijojnë disa qendra për depistim me fibroskopi apo kolonoskopi”, tha Prof. Myzafer Kaci.

Ai gjithashtu theksoi simptomat që duhet të nxisin vizitën tek mjeku, si gjaku në feçe ose një analizë fece, dhe rekomandoi fillimin e ekzaminimeve të aparatit tretës nga mosha 40 vjeç: “Ne po hasim tumore edhe tek të rinjtë, 20-30 vjeç, por masivisht fillojnë nga 40 deri në 70 vjeç, prandaj një fibro apo kolonoskopi pas moshës 40 vjeç është e domosdoshme.”

Një shqetësim i veçantë mbetet kujdesi në banesë për pacientët në fazat e fundit të sëmundjes.

“Duhet rritur kujdesi paliativ, pasi pacientët vijnë në mjekësinë interne dhe qëndrojnë 1–2 muaj në pavion. Duhet rritur kujdesi edhe në shtëpi”, u shpreh Dr. Bernard Progni.

Në një konferencë shkencore me pjesëmarrjen e mjekëve të njohur u diskutua jo vetëm rritja e numrit të rasteve dhe trajtimi i tyre, por edhe rëndësia e ndërgjegjësimit të qytetarëve për kujdesin shëndetësor./mxh

16:33 Negociatat në Abu Dhabi, Zelensky: Bisedimet ishin konstruktive! Takimi i ardhshëm…

By: Monika
24 January 2026 at 16:33

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se delegacioni ukrainas ka paraqitur raportin e tij dhe se takimet e zhvilluara në Emiratet e Bashkuara Arabe kanë përfunduar.

Në një postim në platformën X, Zelensky theksoi se ky ishte formati i parë i tillë pas një periudhe të gjatë dhe se bisedimet u zhvilluan në një frymë konstruktive, me shumë diskutime mes palëve.

“Palët ranë dakord të raportojnë në kryeqytetet përkatëse dhe të koordinojnë hapat e mëtejshëm me udhëheqësit,” shkroi ai.

Sipas Zelenskyt, përfaqësuesit ushtarakë kanë identifikuar një listë çështjesh që mund të shërbejnë si bazë për një takim të ardhshëm. Ai shtoi se, nëse ekziston gatishmëri për të ecur përpara – gjë që Ukraina e ka shprehur – takime të tjera mund të mbahen, potencialisht që javën e ardhshme./mxh

16:25 Trump e pranon: Arma sekrete “discombobulator” ishte thelbësore në operacionin për arrestimin e Maduros

By: Monika
24 January 2026 at 16:25

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se një armë e re sekrete, që ai e quan “Discombobulator” ishte thelbësore për operacionin që çoi në arrestimin e Nicolas Maduros.

Trump u mburr se arma misterioze “i bëri pajisjet armike të mos funksiononin” kur helikopterët amerikanë u futën në Karakas më 3 janar për të arrestuar Maduron dhe gruan e tij, Cilia Flores, me akuza federale për drogë dhe armë , operacion që përfundoi pa asnjë humbje jete nga ana e palës amerikane.

“Discombobulator, Nuk më lejohet të flas për të, megjithëse do të doja shumë”, tha Trump gjatë një interviste ekskluzive në Zyrën Ovale.

“Ata nuk arritën që të përdornin asnjë armë, asgjë prej tyre nuk ka funksionuar”, u shpreh ai.

Trump komentoi mbi armën kur u pyet për raportet e kësaj jave se administrata Biden bleu një armë me energji pulsuese që dyshohet se është lloji që shkakton “Sindromën e Havanës”.

Nuk dihet shumë për armën, por këto raportime pasuan rrëfime nga terreni nga Venezuela që përshkruanin se si personat e armatosur të Maduros u ulën në gjunjë, duke “rrjedhur gjak nga hunda” dhe duke vjellë gjak.

Një anëtar i ekipit të rojeve të Maduros tregoi se papritmas të gjitha sistemet e radarit janë fikur pa asnjë shpjegim.

“Gjëja tjetër që pamë ishin dronë, shumë dronë, që fluturonin mbi pozicionet tona. Nuk dinim si të reagonim”, tha ai, duke thënë se më pas u shfaqën helikopterë që transportonin rreth 20 trupa amerikane në zonë.

“Diskombobulatori” atëherë u drejtua drejtpërdrejt mbrojtësve të Maduros.
“Në një moment, ata lëshuan diçka; nuk di si ta përshkruaj. Ishte si një valë zanore shumë intensive. Papritmas ndjeva sikur koka ime po shpërthente nga brenda”, tha dëshmitari.

“Të gjithëve filloi të na rrjedhë gjak nga hunda. Disa po villnin gjak. Ne ramë përtokë, të paaftë për të lëvizur. As nuk mund të ngriheshim pas asaj arme sonike – apo çfarëdo që të ishte.”/mxh

16:13 Nga Anwar Hadid te kriza me familjen Beckham: Jeta sentimentale e Nicola Peltz në qendër të vëmendjes

By: Monika
24 January 2026 at 16:13

Nicola Peltz Beckham ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes mediatike shumë përpara se të martohej me Brooklyn Beckham. Aktorja amerikane, e lindur në një familje të pasur në Nju Jork, nisi karrierën e saj që në moshë shumë të re dhe u bë e njohur për publikun e gjerë falë rolit të saj në serialin Bates Motel në vitin 2013.

Jeta e saj sentimentale mori po aq vëmendje sa edhe karriera, veçanërisht kur ajo u lidh me emra të njohur nga bota e showbiz-it.

Anwar Hadid

Nicola Peltz dhe Anwar Hadid, vëllai i vogël i modeleve të famshme Gigi dhe Bella Hadid, nisën lidhjen e tyre rreth vitit 2016. Ata e konfirmuan publikisht romancën përmes postimeve në Instagram dhe intervistave, ku Nicola e përshkroi familjen Hadid si “të mrekullueshme”.

Çifti u nda në vitin 2018, por Nicola mbeti në marrëdhënie të mira me disa anëtarë të familjes Hadid. Gigi Hadid ishte e pranishme në dasmën e saj në vitin 2022, ndërsa Nicola dhe Bella Hadid më vonë bashkëpunuan në serialin The Beauty të Ryan Murphy. Megjithatë, jo të gjithë anëtarët e familjes Hadid ishin mbështetës. Motra e Anwar-it, Alana Hadid, komentoi në mënyrë kritike ndaj Nicola-s në rrjetet sociale gjatë dramës mes familjes Beckham dhe çiftit.

Paul Klein
Pas ndarjes nga Anwar Hadid, Nicola u lidh për pak kohë me Paul Klein, këngëtarin kryesor të grupit LANY. Marrëdhënia e tyre në vitin 2018 përfshiu edhe bashkëpunime artistike, pasi Nicola u shfaq në kopertinën e këngës “Thru These Tears”. Edhe pse lidhja ishte e shkurtër, të dy u ndanë në mënyrë miqësore. Nicola konfirmoi ndarjen në vitin 2019, duke i uruar Paul-it më të mirat.

Brooklyn Beckham
Nicola dhe Brooklyn Beckham u njohën për herë të parë në Coachella në vitin 2017, por romanca e tyre nisi zyrtarisht në tetor 2019, pas një takimi në festën e Halloween-it të Leonardo DiCaprio-s. Vetëm dy ditë më vonë, ata ndanë puthjen e parë.

Çifti e bëri lidhjen publike në janar 2020 dhe u fejua disa muaj më pas. Në prill të vitit 2022, ata u martuan në një ceremoni luksoze në rezidencën e familjes Peltz në Florida. Megjithatë, pas dasmës dolën në pah tensione të forta me familjen Beckham. Brooklyn ka deklaruar publikisht se bashkëshortja e tij është ndjerë e fyer dhe e përjashtuar nga disa anëtarë të familjes së tij, përfshirë edhe nënën, Victoria Beckham. Në vitin 2025, Nicola dhe Brooklyn rinovuan betimet martesore për të krijuar kujtime të reja, pa hijen e konflikteve familjare. Pavarësisht polemikave, çifti vazhdon të tregojë mbështetje të fortë për njëri-tjetrin aq sa Brooklyn ka bërë mbi 20 tatuazhe të dedikuara për Nicola-n./mxh

16:07 Alarm në Lezhë, qytetarët bien pre e skemave piramidale online

By: Monika
24 January 2026 at 16:07

Skemat e mashtrimit, të ngjashme me firmat piramidale, janë rikthyer sërish në qytetin e Lezhës. Edhe pse një skemë e tillë mashtroi më herët qindra qytetarë dhe solli humbje të mëdha financiare, institucionet përgjegjëse nuk ndërmorën asnjë veprim konkret.

Nuk pati hetim të thelluar, nuk u identifikuan përgjegjësit dhe askush nuk u vu përpara drejtësisë, duke lënë të hapur terrenin për rikthimin e këtij fenomeni. Skema më e re “Ivuu” funksionon serish nëpërmjet aplikacionit “Telegram”, ku bëjnë pjesë rreth 260 pjesëmarrës nga e gjithë Shqipëria, me emrin e grupit “Apex Albanian Group”. Shumë qytetarë investuan rreth një vit më parë shuma të konsiderueshme parash, me premtimin se brenda dy javësh do të përfitonin dyfishin e investimit.

Kulmi i lojës “Xeux” u shënua gjatë verës së vitit 2025. Skema funksiononte në formë zinxhiri: çdo individ sillte persona të rinj dhe përfitonte komisione. Shumëfishimi i parave bëhej përmes të ashtuquajturave “sinjale”, që rrisnin buxhetin në një portofol elektronik, duke nxitur investime të tjera.

Për t’u bërë pjesë mjaftonte një investim prej 1–2 mijë eurosh, së bashku me kartën e identitetit, ndërsa komunikimi zhvillohej përmes aplikacionit “Telegram”.

Si pasojë, shumë persona humbën shuma të mëdha parash, ndërsa dyshohet se përfituesit ishin vetë organizatorët e skemës. Pjesëmarrësit tregojnë se u ishte premtuar se paratë mund të tërhiqeshin vetëm në Kosovë, në pika të ashtuquajtura të autorizuara. Në kushtet kur kjo skemë ka nisur sërish të qarkullojë në Lezhë, kërkohet reagim i menjëhershëm nga institucionet ligjzbatuese për të ndaluar përhapjen e saj dhe për të mbrojtur qytetarët nga humbje të tjera financiare./mxh

16:02 Thirrja e fundit para protestës/ Berisha: Të rinjtë të rikthejnë shpresën e shqiptarëve

By: Monika
24 January 2026 at 16:02

Last Updated on 24/01/2026 by Monika

Kryedemokrati Sali Berisha ka ndarë pasditen e sotme një thirrje pak orë para nisjes së protestës së opozitës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha shkruan se të rinjtë kanë shansin e madh, që nëpërmjet pjesëmarrjes së tyre në protestë të ngrihen në lartësinë e këtij misioni dhe të rikthejnë shpresën e besimin e shqiptarëve.

“I bëj thirrje të rinjve të ngriheni në lartësinë e këtij misioni. Sot ju keni shansin e madh të riktheni edhe njëherë shpresën, besimin, lirinë, të drejtat, të ardhmen tuaj dhe të shqiptarëve”,-shkruan Berisha./mxh

15:56 Mesfushori i Kombëtares duket gati, rikthehet për derbin e shqiptarëve në Serinë A

By: Monika
24 January 2026 at 15:56

Medon Berisha po i afrohet rikthimit në fushë pas dëmtimit. Mesfushori shqiptar u pa sërish në stërvitje gjatë seancës së fundit të zhvilluar në qendrën sportive “Martignano”, ku vijon të ndjekë një program të personalizuar rikuperimi.

Ky zhvillim konsiderohet një sinjal pozitiv, pasi Berisha po bën hapa përpara drejt rikthimit të plotë. Stafi teknik po monitoron nga afër gjendjen e tij dhe ekziston optimizëm që ai të bashkohet me pjesën tjetër të grupit në ditët në vijim. Nëse progresi vazhdon sipas parashikimeve, mesfushori mund të jetë sërish në dispozicion për ndeshjen e radhës në transfertë.

Siç raporton “calcioleçe.it”, objektivi është që Berisha të jetë gati për udhëtimin drejt Piemontes, ku Leçe do të përballet me Torinon të dielën, më 1 shkurt. Një rikthim i tij do të ishte i rëndësishëm, duke pasur parasysh rolin që ai luan në mesin e fushës. Berisha u dëmtua gjatë fitores së fundit në shtëpi ndaj Pizës.

Që në fillim, dëmtimi u vlerësua serioz, ndërsa ekzaminimet e mëvonshme konfirmuan një këputje të gradës së dytë të muskulit ‘rectus femoris’ në kofshën e djathtë. Pas një periudhe rehabilitimi dhe pune të diferencuar, rikthimi i tij në aktivitet konkurrues duket tashmë gjithnjë e më afër.

Berisha u dëmtua në një moment shumë të mirë në aspektin personal duke qenë se shënoi gola pak para se të dëmtohej duke fituar edhe çmime si lojtari i ndeshjes./mxh

15:44 Operacion ndërkombëtar kundër drogës/ 200 kg kokainë nga Amerika Latine, në pranga shqiptarë, rusë dhe spanjollë

By: Monika
24 January 2026 at 15:44

Policia spanjolle ka arrestuar Alexei Pustovarov, i konsideruar organizatori kryesor i ngarkesës prej 200 kilogramësh kokainë, e sekuestruar javën e kaluar në portin e Vigos.

Pustovarov ishte krahu i djathtë i Brian Charrington, i njohur si “narco i Wikipedia-s”, trafikant i njohur spanjoll që vdiq në korrik 2025 në Alicante.

Sipas autoriteteve, Pustovarov udhëtoi personalisht drejt Galicisë për të mbikëqyrur mbërritjen e drogës dhe vepronte në bashkëpunim me Mafian Shqiptare dhe një organizatë kriminale me bazë në zonën e O Salnés, Galici.

Operacioni u zhvillua në dy faza gjatë nëntë ditëve dhe u realizua nga Policia në bashkëpunim me Agjencinë Tatimore, duke çmontuar plotësisht organizatën kriminale që përdorte anije mallrash dhe kontenierë për të futur kokainë në Evropë përmes portit të Vigos.

Në total, tetë persona u arrestuan, ndërsa shtatë prej tyre janë dërguar në burg, të akuzuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik droge. Organizata përdorte metodën e fshehjes së drogës brenda kontenierëve të anijeve tregtare, pa dijeninë e kompanive të transportit, për ta nxjerrë më pas në portin e destinacionit.

Më 12 janar, policia arrestoi pesë persona që kishin mbërritur një ditë para ankorimit të anijes për të marrë drogën. Dy prej tyre u kapën në një banesë të marrë me qira pranë Vigos, ndërsa tre të tjerë u arrestuan në një restorant të qytetit.

15:36 Pallati “i mallkuar” në Venecia që askush nuk po e blen! Vrasje, vetëvrasje dhe mallkim, historitë famëkeqe të ish-pronarëve

By: Monika
24 January 2026 at 15:36

Në një vendndodhje privilegjuar në brigjet e Kanalit të Madh të Venecias, pallati historik Ca’ Dario shkëlqen mbi ujë që nga fundi i shekullit XV. Vetëm pak hapa larg koleksionit “Peggy Guggenheim”, ai përshkruhet si një perlë arkitekturore, por prej vitesh nuk gjen blerës. Arsyeja? Është cilësuar si “i mallkuar”, për shkak të vrasjeve, vetëvrasjeve dhe aksidenteve misterioze që lidhen me historinë e tij.

Ndërtesa mori emrin nga pronari i saj i parë, Giovanni Dario, një diplomat që u shpall hero pas nënshkrimit të një traktati paqeje me Perandorinë Osmane. Përgjatë shekujve, pallati ka strehuar aristokratë, tregtarë dhe madje edhe figura të elitës së muzikës rock britanike. Në vitin 1908 u pikturua nga Claude Monet gjatë udhëtimit të tij në Venecia dhe një vit më vonë u përmend nga Henry James në ditarin e tij të udhëtimeve “Italian Hours”.

Megjithatë, godina madhështore, me nëntë dhoma gjumi, tetë banjo dhe salla pritjeje të zbukuruara me afreske, ka rezultuar jashtëzakonisht e vështirë për t’u shitur, jo domosdoshmërisht për shkak të çmimit, i cili sipas burimeve arrin në rreth 17.024.900 euro.

Agjentët e pasurive të paluajtshme kanë pasur vështirësi të kapërcejnë reputacionin e saj si “pallati i mallkuar i Venecias”, për shkak të një sërë pronarësh dhe vizitorësh që gjetën një fund të parakohshëm, e në disa raste të dhunshëm, shkruan The Guardian.

Tashmë që është restauruar, përpjekjet për shitjen e tij janë rindezur, me Christie’s dhe Engel & Völkers që kanë marrë përsipër sfidën. Christie’s e përshkruan ndërtesën si një “perlë arkitekturore” me harqe gotike, llambadarë antikë Murano dhe një tarracë me lozhë, duke theksuar gjithashtu se ndodhet në një lagje “të qetë” të Venecias, larg turmave turistike.

Vrasje, vetëvrasje dhe aksidente

Ajo që nuk përmendet në fushatat promovuese janë historitë tragjike që kanë ushqyer legjendat lokale për mallkimin e pallatit. Sipas këtyre rrëfimeve, Ca’ Dario lidhet me të paktën shtatë vdekje, më e tmerrshmja prej të cilave ndodhi në vitin 1970, kur pronari i atëhershëm, konti Filippo Giordano Delle Lanze, u vra brenda mureve të pallatit nga partneri i tij, një marinar që u arratis në Londër dhe më vonë u vra edhe vetë.

Një vit më pas, prona u ble nga Kit Lambert, menaxheri i grupit The Who. Edhe pse ai pretendonte se nuk e shqetësonte fama e mallkimit, thuhet se u kishte thënë miqve se flinte diku tjetër për t’i shpëtuar “fantazmave”. Banorët vendas ia atribuuan mallkimit rënien e tij në varësinë nga droga, problemet financiare dhe vdekjen e tij në Londër në vitin 1981, pas një rënieje nga shkallët.

Në vitet 1980, pallati u ble nga italiani Raul Gardini, i cili u përfshi në një skandal të madh korrupsioni dhe kreu vetëvrasje në Milano në vitin 1993.

Legjendat thonë gjithashtu se pallati sjell fatkeqësi edhe për ata që thjesht i afrohen ose kalojnë pushime aty. Tenori i famshëm i operës, Mario Del Monaco, kishte planifikuar ta blinte pronën në vitin 1964, por ndryshoi mendje pas një aksidenti të rëndë automobilistik gjatë rrugës për ta vizituar. John Entwistle, basisti i The Who, vdiq në SHBA në vitin 2002, vetëm një javë pasi e kishte marrë pallatin me qira.

Pas kësaj, ndërtesa mbeti kryesisht e braktisur. Edhe pse tërhoqi interesin e disa blerësve potencialë të impresionuar nga arkitektura, mes tyre thuhet se ishte edhe Woody Allen, ata u dekurajuan nga “aura” e saj.

Në vitin 2006, godina u ble nga një kompani amerikane në emër të pronarit aktual, identiteti i të cilit nuk është bërë publik. Fakti që pallati ka mbetur bosh që atëherë, ka forcuar edhe më shumë thashethemet.

“Venecianëve u pëlqen të tregojnë histori”

Arnaldo Fusello, drejtor i përgjithshëm i Christie’s në Venecia, tha se venecianëve u pëlqen të tregojnë histori interesante, sidomos për turistët, “për shembull, gondolieri që kalon para pallatit”, siç u shpreh ai. Ai përmendi gjithashtu “qindra” banorë që kanë jetuar deri në moshë të thyer në pallat ndër shekuj, përfshirë edhe vetë Dario-n, i cili vdiq nga shkaqe natyrore në moshën 80-vjeçare.

Historiani venecian Davide Busato tha se thashethemet nisën në vitet 1970, por u përhapën gjerësisht pas vetëvrasjes së Gardini-t. “Venecianëve u pëlqen të tregojnë histori dhe është krejtësisht normale që t’i ekzagjerojnë ato”, tha ai, duke e krahasuar rastin me ishullin Poveglia, një ishull i braktisur në lagunën e Venecias, i famshëm për legjendat e fantazmave.

Sipas Busato-s, venecianët janë në përgjithësi realistë dhe zakonisht nuk ndikohen nga bestytnitë, “por u pëlqen të befasojnë njerëzit, sidomos ata që vijnë nga jashtë”.

Ai shtoi se Venecia është plot me ndërtesa historike ku kanë ndodhur vrasje dhe vetëvrasje dhe që sot funksionojnë si hotele luksoze.

Nga ana e tij, Fusello shprehet i bindur se pallati do ta kapërcejë famën e tij ogurzezë dhe do të shitet. Ai tha se deri tani ka pasur “interes të madh”, si nga italianë ashtu edhe nga të huaj. “Ky është një vend ku historia jeton”, u shpreh ai. “Dhe nëse doni të jetoni historinë, ky është shtëpia perfekte, me kusht që blerësi të angazhohet për ta mbajtur gjallë këtë pronë”./mxh

❌
❌