Situata e krijuar nga moti i keq në Qarkun e Lezhës vijon të jetë problematike, kryesisht në Bashkinë e Kurbinit.
Burime bëjnë me dije se argjinatura e Lumit Drojë vijon të jetë e çarë, duke sjellë rritje të nivelit të ujit në fshatrat Adriatik, Golem dhe Patok të Njesisë Administrative Fushë-Kuqe.
Një nga zonat e prekura masivisht nga përmbytjet është edhe Sanxhaku, ku uji ka depërtuar edhe në disa banesa. Banorët thonë se prej katër ditësh situata është mjaft e vështirë, duke ju sjellë dëme të shumta krysisht në bujqësi dhe blektori.
Emergjente për ta është baza ushqimore për gjënë e gjallë, e cila është dëmtuar nga prezenca e ujit.
Gjatë natës mësohet se ka patur dhe mungesë të energjisë elektrike në hidrovoret e Drojës, Shellinza dhe Tale, duke ndikuar negativisht në evadimin e ujërave.
Ndërkohë vemendja më e madhe e strukturave është përqëndruar në zonën e Fushë-Kuqes, ku në terren janë edhe forcat e ushtrisë me mjete të rënda dhe lundruese, për të evakuar banorët në rast nevoje, për shkak të nivelit të ujit i cili ka ardhur gjithnjë në rritje./ K.M
Moti i keq vazhdon të mbajë të mbërthyer vendin tonë. Në zonën e Dibrës vazhdojnë reshjet e dëborës, duke shkaktuar problematika në zonat e thella malore, temperaturat kanë zbritur nën zero dhe kanë shkaktuar ngrica, nga të cilat ka vështirësi në akset rurale, ku prezenca e akullit krijon vështirësi në lëvizje.
Gjithashtu probleme raportohen edhe në Rrugën e Arbrit, ku në disa segmente ka prezencë të borës dhe akullit.
Vështirësi në qarkullim ka në aksin Fushë-Bulqizë, Maqellarë, si dhe në njësinë Xibër, në afërsi të tunelit të Murrizit, ku automjetet lëvizin me kujdes të shtuar.
Ndërsa situata më problematike paraqitet në njësitë administrative Lurë, Kala e Dodës, Selishtë, Muhurr, Trebisht, Ostren, si dhe në disa fshatra të thella të qarkut Dibër, ku reshjet e borës dhe akulli kanë vështirësuar ndjeshëm qarkullimin.
Ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të bëjnë kujdes të shtuar dhe të përdorin gomat dimërore në akset me rrezikshmëri të lartë./K.M
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë dhe njëherazi Kryetar i Grupit të saj Parlamentar, Tedi Blushi, ka reaguar nga tregu i shkrumbuar te “5 Maji” në Tiranë, duke e cilësuar situatën si apokaliptike dhe duke akuzuar institucionet shtetërore për reagim të vonuar dhe mungesë koordinimi.
Blushi tha se operacioni për shuarjen e zjarrit ishte i vonuar dhe se kjo ngjarje mund dhe duhej të ishte parandaluar. Sipas tij, infrastruktura e zonës dhe kaosi urban janë pasojë e një “masakre urbane” të kryer nga Bashkia e Tiranës, pasojat e së cilës po i vuajnë sipërmarrësit e vegjël që humbën gjithçka në flakë.
Ai kritikoi ashpër atë që e quajti “show propagandistik” të Ministres së Brendshme dhe mungesën e shpjegimeve nga Bashkia e Tiranës për mosfunksionimin e infrastrukturës së nevojshme, veçanërisht furnizimin me ujë për mjetet zjarrfikëse. Blushi theksoi se forcat në terren ishin të pakoordinuara, duke përmendur edhe raste ku është hedhur ujë në objekte të pabanuara, ndërkohë që bizneset digjeshin.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë ngriti dyshime se zjarri mund të ketë qenë i qëllimshëm, duke iu referuar precedentëve të mëparshëm në Tiranë, ku sipas tij, zjarret janë përdorur për t’i hapur rrugë ndërtimeve. Ai deklaroi se disa sipërmarrës dyshojnë se insistimi i tyre për të mos liruar ambientet ka sjellë si pasojë zjarrvënien.
Blushi e vendosi këtë ngjarje në kontekstin e një situate më të gjerë emergjente në vend, duke përmendur përmbytjet dhe katastrofat natyrore në disa qytete si Vlora, Durrësi dhe Gjirokastra. Ai shprehu solidaritetin e plotë me tregtarët e prekur dhe u zotua se Partia e Lirisë do të bëjë gjithçka për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Në përfundim, Blushi paralajmëroi kallëzim penal në rast se në këtë zonë do të jepet leje ndërtimi, duke theksuar se përgjegjësinë direkte e mban Kryeministri Edi Rama, si autoriteti që sipas tij miraton lejet e ndërtimit. Ai deklaroi se askush nuk duhet të përfitojë mbi sakrificat dhe pasurinë e sipërmarrësve të vegjël, të cilët kanë respektuar detyrimet ndaj shtetit./K.M
ICE (Immigration and Customs Enforcement) u krijua si përgjigje ndaj terrorizmit pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, por me rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, agjentët federalë të imigracionit janë kthyer në mbrojtësit e tij personalë, të armatosur deri në dhëmbë dhe mirë të paguar, të gatshëm të bëjnë gjithçka për ta ndjekur.
ICE konsiderohet tani si një “milici trumpiane”, e përbërë edhe nga individë me të kaluar të dyshimtë, shpesh me arsim të pamjaftueshëm dhe trajnim të përshpejtuar, por me paga më të larta se ato të mësuesve, dhe me kompetenca të plota.
Edhe pse pamjet video të vrasjes së një gruaje në Minneapolis tregonin një realitet tjetër, Trump mbrojti agjentin, duke thënë se viktima kishte “sulmuar me dhunë dhe brutalitet” dhe se agjenti ishte detyruar të mbrohej. “Duket një mrekulli që ai është ende gjallë, por po rikuperohet në spital”, shtoi presidenti.
Në të vërtetë, një video e xhiruar menjëherë pas ngjarjes tregon agjentin duke kaluar rrugën dhe duke udhëzuar kolegët të largojnë njerëzit nga zona. Sipas kritikëve, shtrimi në spital shpesh përdoret nga forcat e rendit për të lehtësuar përgjegjësinë e atyre që janë të përfshirë në abuzime. Mbrojtja e Trump ndaj agjentit duket të ketë motiv politik: të tregojë publikisht se agjentët e ICE do të mbrohen gjithmonë për çdo veprim në emër të tij.
Për shkak të nivelit të lartë të pandëshkueshmërisë që i është garantuar nga qeveria, ICE në muajt e fundit është shndërruar në një “ushtri” pa kufij: stafi ka kaluar 22 mijë persona dhe nuk merret më me hetime penale, por me arrestimin dhe dëbimin e personave që konsiderohen emigrantë të paligjshëm.
Edhe protestuesit, përfshirë qytetarë amerikanë, sulmohen me dhunë, dhe askush nuk përballet me pasoja. Kjo ka bërë që agjentët e ICE të krahasohen shpesh në rrjetet sociale me “këmishat e kaltër naziste”.
Ndërkohë, agjencia ka arritur të bëhet forca federale me financimet më të larta: buxheti vjetor është trefishuar, duke arritur 30 miliardë dollarë. Pak muaj më parë, faqja qeveritare për punësime, USA Jobs, ofroi vende pune të mirëpaguar për agjentë në Phoenix, Los Angeles, San Diego dhe San Francisco. Pagat fillestare variojnë nga 50 mijë deri në 89 mijë dollarë në vit (42–76 mijë euro), plus kompensime shërbimi dhe orë shtesë.
Agjentët do të marrin gjithashtu një bonus vjetor prej 10 mijë dollarësh për katër vitet e ardhshme, si dhe sigurim shëndetësor, plane pensioni dhe 26 ditë pushime të paguara. Në vitin 2025, shpenzimet federale për armatimin e agjentëve u rritën me 600%, duke kaluar 70 milionë dollarë.
Megjithatë, nuk është e qartë sa po tërheqin këto kushte kandidatë për t’iu bashkuar një strukture gjithnjë e më të pakënaqur publikisht. Identiteti dhe historitë e agjentëve mbeten të fshehta: ata lëvizin me fytyra të mbuluara dhe nuk deklarojnë emrin, për arsye sigurie sipas departamentit. Kritikat thonë se disa prej tyre mund të kenë të kaluar kriminale ose të jenë pjesëmarrës të rebelimit të 6 janarit, të falur nga Donald Trump./K.M
Situata në Qarkun Durrës vijon të mbetet kritike si pasojë e reshjeve intensive të shiut dhe daljes nga shtrati të disa lumenjve, kryesisht Erzenit. Sipas raportit të përditësuar të datës 08.09.2026, strukturat e emergjencave civile, bashkitë dhe institucionet qendrore janë në gatishmëri të plotë dhe po monitorojnë situatën në mënyrë të pandërprerë.
Bashkia Durrës
Në territorin e Bashkisë Durrës situata paraqitet e rënduar, veçanërisht pas daljes së lumit Erzen nga shtrati dhe rritjes së nivelit të Kanalit të Tonës. Janë raportuar dëmtime të argjinaturës së Erzenit në rreth 500 metra linearë, në Katund të Ri dhe Sukth.
Në terren janë angazhuar 448 forca operacionale nga Bashkia, ndërmarrjet në varësi, UKD, Policia Bashkiake, Policia e Shtetit, OSHEE, mjekë të familjes, Rezervat e Shtetit dhe Forcat e Armatosura, të cilat kanë vënë në dispozicion mjete të rënda, gomone, pompa dhe personel.
Deri më tani janë evakuuar gjithsej 667 banorë. Në Njësinë Administrative Sukth janë evakuuar 336 persona, ndërsa në Katund të Ri 53 persona. Të tjerë qytetarë janë akomoduar në Kavalishencë, Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme dhe Kompleksin “FAFA”.
Janë siguruar 700 pako ushqimore nga Drejtoria e Rezervave Shtetërore, të shpërndara në zonat e prekura, ndërsa organizata humanitare si “Qatar Save the Children” dhe “Fundjava Ndryshe” kanë shprehur gatishmëri për të ofruar ndihma shtesë.
Deri në orën 20:00 janë verifikuar 2645 banesa dhe janë mbajtur 699 akte konstatimi, ndërsa procesi i verifikimit vijon. Në Katund të Ri dhe Sukth janë përmbytur rreth 6000 hektarë tokë bujqësore, ndërsa në Rrashbull rreth 400 hektarë. Janë raportuar gjithashtu rrëshqitje dherash dhe zona të tëra ende të pakalueshme.
Bashkia Krujë
Në Bashkinë Krujë situata paraqitet problematike kryesisht në akset rrugore. Në Njësinë Administrative Thumanë janë evakuuar 7 familje për shkak të prezencës së ujit në banesa. Lumenjtë Gjole dhe Zezë kanë dalë nga shtrati, duke shkaktuar dëmtime në argjinatura dhe përmbytje të rreth 600 hektarëve tokë bujqësore. Janë dëmtuar 50 banesa dhe janë evakuuar 30 persona.
Bashkia Shijak
Në Bashkinë Shijak situata mbetet problematike në zonat Xhafzotaj, Maminas, Gjepalaj dhe Fllakë. Janë përmbytur 75 banesa dhe rreth 180 hektarë tokë bujqësore, ndërsa disa akse rurale janë të bllokuara. Janë raportuar edhe dëmtime të argjinaturave në rreth 400 metra linearë./K.M
Ky vit i ri solli një ndryshim drastik në pamjen e Gigi Hadid dhe ju do ta adhuroni. Modelja ka vendosur të mos i qëndrojë më besnike bjondes dhe ka provuar një ngjyrë tërësisht të re, të zezën.
Më 8 janar, stilisti i saj Dimitris Giannetos postoi një foto të Hadid në Instagramin e tij, me mbishkrimin:
“‘Mini Bob i zi mat’ ngjyrë e re, prerje për bukuroshen time @gigihadid.
Në fotot e publikuara Gigi Hadid shfaqet duke pozuar me flokët e saj të prerë të zinj, të stiluar me efekt të lagur dhe me ndarje të thellë anësore. Duke qenë se kjo ishte për bashkëpunimin e saj me Maybelline, make-up-i ishte padyshim tërheqës, me sytë e errët, buzët ngjyrë rozë, highlighter të butë, vetulla të dendura dhe kontur të theksuar.
Ky make-up ka nxjerrë në pah më së miri sytë e kaltër të Gigi-t.
Ndjekësit e kanë pritur mjaft mirë këtë transformim të papritur të modeles. Aq sa, e kanë marrë këtë si shenjë se viti 2026 do jetë i gjithi mbi ngjyrat e errëta./K.M
“Në kërkim të kohës së humbur” i Marcel Proust konsiderohet romani më i gjatë i shkruar ndonjëherë në Europë, me mbi 1.2 milion fjalë. Autori e shkroi pjesën më të madhe të veprës i izoluar, duke punuar natën dhe duke fjetur ditën.
2. Don Kishoti, libri që ndryshoi romanin
“Don Kishoti i Mançës” i Miguel de Cervantes konsiderohet romani i parë modern europian. Vepra përdor për herë të parë ironinë, lojën me realitetin dhe personazhe që janë të vetëdijshëm për historinë e tyre.
3. Dante dhe gjuha italiane
“Komedia Hyjnore” e Dante Alighierit u shkrua në italishten popullore dhe jo në latinisht, gjë që ndihmoi në formimin e gjuhës italiane moderne dhe e bëri veprën të aksesueshme për publikun e gjerë.
4. Shekspiri dhe fjalët e reja
William Shakespeare futi në përdorim mbi 1.700 fjalë të reja në gjuhën angleze. Shumë prej tyre, si lonely, fashionable apo critic, përdoren ende sot.
5. Kafka dhe fama pas vdekjes
Franz Kafka i kërkoi mikut të tij që të digjte të gjitha dorëshkrimet pas vdekjes. Për fat të letërsisë europiane, kjo dëshirë nuk u respektua dhe veprat e tij u bënë themel i letërsisë moderne.
6. Letërsia franceze dhe kafenetë
Shumë vepra të mëdha franceze u shkruan në kafene të Parisit. Autorë si Sartre, Simone de Beauvoir dhe Camus i përdornin këto hapësira si zyra pune dhe vende debati intelektual./KM
Një 19-vjeçar i shpallur në kërkim për plagosjen e një 18-vjeçari në 23 nëntor të vitit të kaluar është arrestuar nga policia e Tiranës. Plagosja ka ndodhur gjatë një konflikti për motive të dobëta mes dy të rinjve. Sakaq, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Plagosi me mjet prerës, një 18-vjeçar, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kapet dhe vihet në pranga 19-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, si dhe për kapjen e shtetasve në kërkim, në bazë të informacioneve të siguruara, kanë organizuar punën dhe në kuadër të operacionit të koduar “Catch”, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin E. R., 19 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi dyshohet se më datë 23.11.2025, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës një 18-vjeçar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./K.M
Nëse vetëm mendimi për gjumin të shqetëson, ndoshta duhet të shikosh çfarë ha. Disa ushqime dhe pije mund të ndihmojnë vërtet për një gjumë më të mirë.
Gjumi cilësor ndihmon në uljen e rrezikut për sëmundje kronike, mban trurin të shëndetshëm dhe forcon sistemin imunitar. Rekomandohet të flemë 7–8 orë pa ndërprerje çdo natë, por shumë njerëz e kanë të vështirë ta arrijnë këtë.
Përveç zakoneve të mira të gjumit, edhe dieta luan rol të rëndësishëm. Ja 9 ushqimet dhe pijet më të mira për t’u konsumuar para gjumit:
1. Bajamet
Janë të pasura me yndyrna të shëndetshme, fibra dhe antioksidantë. Përmbajnë magnez dhe vitamina B, të cilat ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë së gjumit. Bajamet janë gjithashtu burim i melatoninës, hormonit që rregullon ciklin e gjumit.
2. Gjeli i detit
I pasur me proteina dhe triptofan, një aminoacid që rrit prodhimin e melatoninës dhe ndihmon në ndjesinë e përgjumjes. Konsumimi i moderuar i proteinave para gjumit lidhet me gjumë më të qetë.
3. Çaji i kamomilit
I njohur për efektin qetësues. Përmban apigeninë, një antioksidant që lidhet me receptorët në tru dhe ndihmon në uljen e pagjumësisë dhe nxitjen e gjumit.
4. Kivi
Frut me pak kalori dhe shumë vlera ushqyese. Mund të ndihmojë gjumin falë përmbajtjes së serotoninës dhe antioksidantëve që ulin inflamacionin.
5. Lëngu i qershisë së thartë
Burim natyral i melatoninës. Studimet sugjerojnë se mund të ndihmojë në përmirësimin e gjumit dhe në lehtësimin e pagjumësisë.
6. Peshqit e yndyrshëm
Si salmoni, toni apo trofta. Janë të pasur me vitaminë D dhe acide yndyrore omega-3, të cilat ndihmojnë shëndetin e trurit dhe mund të kontribuojnë në gjumë më cilësor.
7. Arrat
Janë burim i shkëlqyer i melatoninës dhe acideve yndyrore omega-3. Konsumimi i tyre lidhet me përmirësim të cilësisë së gjumit.
8. Çaji i lules së pasionit
Përdoret tradicionalisht për qetësim. Ndihmon në rritjen e GABA-s, një kimikat në tru që ul stresin dhe nxit relaksimin, duke e bërë më të lehtë rënien në gjumë.
9. Orizi i bardhë
I pasur me karbohidrate dhe me indeks glicemik të lartë. Disa studime sugjerojnë se konsumimi i tij të paktën një orë para gjumit mund të ndihmojë në gjumë më të mirë, megjithëse provat shkencore janë të përziera./KM
Pas mbledhjes së Komitetit Ndërqeveritar, lidhur me situatën e përmbytjeve, kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim me kabinetin qeveritar, i pari për këtë vit.
Në këtë takim pune, ministrat do të raportojnë mbi prioritetet dhe objektivat e çdo dikasteri për këtë vit për të planifikuar mënyrat me efektive për zbatimin e politikave publike.
Ndërsa një javë me vonë, të premten e 16 janarit, Rama do të presë në Pallatin e Brigadave grupin parlamentar të partisë socialiste.
Ky takim i cili mbahet tre ditë para nisjes së sesionit të ri parlamentar, i planifikuar për më 19 janar, ka për qëllim të koordinojë punën e deputetëve në parlament, si dhe të diskutojë mbi projektligjet dhe iniciativat e qeverisë përgjatë këtij sesioni./K.M
Presidenti Volodymyr Zelensky ka reaguar pas sulmit të natës që kreu Rusia në Ukrainë.
Sipas mediave të huaja, Zelensky tha se ndërtesat e banimit dhe objektet energjetike u goditën në sulm, i cili përdori 242 dronë dhe 13 raketa balistike.
Moska gjithashtu qëlloi një raketë balistike me rreze të mesme veprimi Oreshnik, tha Zelenskyy, si dhe 22 raketa kruiz.
“Sulmi ndodhi pikërisht kur kishte një valë të konsiderueshme të ftohti, i drejtuar pikërisht kundër jetës normale të njerëzve të zakonshëm”, vijoi më tej Zelensky.
Zelensky tha gjithashtu se një ndërtesë e ambasadës së Katarit u dëmtua nga një dron rus.
“Katari, një shtet që bën kaq shumë për të ndërmjetësuar me Rusinë në mënyrë që të sigurojë lirimin e të burgosurve të luftës dhe civilëve që mbahen në burgjet ruse”, tha Zelensky.
Presidenti ukrainas bëri thirrje për një “reagim të qartë” nga bota, “mbi të gjitha nga Shtetet e Bashkuara, sinjaleve të të cilave Rusia u kushton vërtet vëmendje”, shtoi Zelensky.
“Rusia duhet të marrë sinjale se është detyrim i saj të përqendrohet në diplomaci dhe duhet të ndiejë pasojat sa herë që përqendrohet përsëri në vrasje dhe shkatërrimin e infrastrukturës.
Sulmet e sotme shërben gjithashtu si një kujtesë shumë e fortë për të gjithë partnerët tanë se mbështetja e mbrojtjes ajrore të Ukrainës është një përparësi e përhershme”, përfundoi Zelensky./K.M
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka përmbyllur procesin e numërimit të votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit. KQZ thotë se është e gatshme të shpallë rezultatet nëse nuk ka ankesa.
“Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor. Por, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët mund të parashtrojnë ndonjë ankesë në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, thonë nga KQZ.
Deri tani, në PZAP është paraqitur vetëm një ankesë.
Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar anulimin e mbi 20 mijë votave me postë nën arsyetimin se janë pranuar pas afatit.
Sipas rezultatit të tanishëm, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 51,11% të votave apo 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
PDK ka marrë 20,19% të votave ose 22 ulëse. LDK mori 13,23% të votave ose 15 mandate dhe AAK mori 5,50% të votave ose 6 vende në parlament.
10 mandate janë të rezervuara për komunitetin serb, ku 9 i ka siguruar Lista Serbe dhe një Nenad Rashiqi./K.M
Autoritetet rrugore kanë vijuar gjatë ditës hedhjen e kripës në aksin Bogë–Theth, një nga rrugët më të rëndësishme të zonës malore, me qëllim parandalimin e ngricave dhe garantimin e qarkullimit të sigurt të mjeteve.
Puna po kryhet në të gjitha segmentet ku temperaturat e ulëta dhe kushtet atmosferike të pafavorshme mund të krijojnë rrezik për ngrica, duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve. Strukturat përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve malore janë angazhuar me mjete dhe personel të specializuar për të siguruar kalueshmërinë e rrugës në çdo moment.
Ndërhyrja bëhet si pjesë e masave parandaluese për shmangien e aksidenteve dhe pengesave në komunikacion, ndërsa qytetarët dhe turistët që udhëtojnë në këtë zonë këshillohen të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore.
Autoritetet theksojnë se mbeten në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme në rast përkeqësimi të kushteve meteorologjike dhe për çdo emergjencë të mundshme.
Në këtë mënyrë, ndërhyrja e vazhdueshme synon të mbajë aksin Bogë–Theth të kalueshëm dhe të sigurt për banorët, duke reduktuar rreziqet që mund të krijohen nga ngricat dhe rrëshqitjet e mundshme./K.M
Sipas disa parashikimeve, rritja ekonomike në Gjermani në vitin 2026 do të jetë më e ngadaltë dhe më e dobët se sa pritej më parë. Ish-fuqia ekonomike evropiane ka qenë në recesion prej dy vitesh. Ekonomia ka qenë në rënie që nga fundi i vitit 2022, dhe në vitin 2025, pritet vetëm një rritje modeste prej rreth 0.1 përqind.
Edhe pse shumë ekonomistë besojnë se viti 2026 do të sjellë një rritje më të fortë, shpresat për një rimëkëmbje të shpejtë po zvogëlohen për shkak të dyshimeve në lidhje me valën e planifikuar të investimeve të Berlinit nën Kancelarin Friedrich Merz.
Në prag të Krishtlindjeve, Banka Federale e Gjermanisë (Bundesbank) uli parashikimin e saj të rritjes për vitin 2026 në 0.6 përqind, nga 0.7 përqind sa parashikonte në qershor. Në të njëjtën kohë, Banka Qendrore e rriti parashikimin e saj për vitin 2027 në 1.3 përqind, duke parashikuar një përshpejtim të aktivitetit ekonomik nga tremujori i dytë i vitit 2026.
Parashikimi modest i rritjes së Bundesbank është në përputhje me analizat e tjera. Instituti Ifo i Gjermanisë kohët e fundit e uli parashikimin e rritjes për vitin 2026 në 0.8 përqind.
“Ekonomia gjermane po përshtatet ngadalë dhe me kosto të larta ndaj ndryshimeve strukturore përmes inovacionit dhe modeleve të reja të biznesit”, tha Timo Wollmershauser, kreu i parashikimeve në Institutin Ifo. Ekonomia gjermane është goditur në disa fronte vitet e fundit. Pushtimi i Ukrainës nga Rusia nxori në pah varësinë e saj të tepërt nga gazi rus, ndërsa kalimi në burime të tjera energjie ka qenë i kushtueshëm dhe i kërkuar.
Në të njëjtën kohë, modeli i orientuar drejt eksportit i Gjermanisë është dobësuar nga tarifat amerikane dhe marrëdhëniet gjeopolitike në ndryshim me Kinën, e cila ka qenë një treg kyç gjerman për vite me radhë. Pekini tani jo vetëm që po konkurron me Gjermaninë, por në disa sektorë madje po e tejkalon atë – veçanërisht në industrinë e automobilave, ku Kina dikur ishte një treg i rëndësishëm për prodhuesit gjermanë.
Kjo përshtatet në luftën më të gjerë të Gjermanisë me deindustrializimin dhe mungesën e investimeve. E përbërë nga rregulla të ngurta të shpenzimeve dhe huamarrjes, dekada të tëra dështimesh në investime kanë çuar në një mori problemesh – nga infrastruktura në rënie deri te dixhitalizimi i dobët.
Kancelari Merz dhe CDU erdhën në pushtet pas zgjedhjeve të shkurtit pjesërisht falë premtimit të një vale të madhe huamarrjeje dhe investimesh. Merz ka ndryshuar ligjet e huamarrjes së qeverisë për të çuar përpara planet për të investuar shuma të mëdha në mbrojtje dhe infrastrukturë gjatë dekadës së ardhshme.
Por dyshimet mbeten në Gjermani dhe jashtë saj në lidhje me efektivitetin e këtyre shpenzimeve.
Në nëntor, Këshilli Gjerman i Ekspertëve Ekonomikë me pesë anëtarë – i cili ofron këshilla të pavarura për qeverinë – dha një vlerësim të zymtë të perspektivës së rritjes ekonomike dhe paralajmëroi për planet e shpenzimeve. Ai paralajmëroi se qeveria rrezikon të “shpërdorë” investimet duke përdorur shumë nga paratë e reja për të financuar pensionet dhe shpenzimet sociale, një kritikë që është shprehur tashmë nga Bundesbank dhe institute të shumta ekonomike.
Nëse qeveria nuk ndryshon kursin, “mundësitë e rritjes mund të humbasin dhe qëndrueshmëria afatgjatë e borxhit publik të Gjermanisë mund të rrezikohet”, thuhet në raport.
Shumë parashikime për vitin 2026 varen nga suksesi i mundshëm i planit të investimeve. Presidenti i Bundesbank, Joachim Nagel, pret që rritja të përshpejtohet nga tremujori i dytë i vitit 2026, “kryesisht për shkak të investimeve qeveritare dhe një forcimi të ripërtërirë të eksporteve”.
Ai beson se kur stimuli fiskal të hyjë në fuqi në gjysmën e dytë të vitit 2026, “investimet shtesë për mbrojtjen dhe infrastrukturën do të rrisin fuqishëm kërkesën qeveritare”.
Në parashikimin e saj, Deutsche Bank hedh dyshime mbi shpejtësinë e programit të investimeve dhe nëse ai do të ketë një efekt të qëndrueshëm në rritjen e PBB-së.
“Ndërsa zgjerimi fiskal ka të ngjarë të çojë në një efekt afatshkurtër, ndikimi i tij në rritjen potenciale mund të jetë i kufizuar”, tha analiza. “Arsyeja është se pjesa më e madhe e borxhit shtesë do të përdoret për më shumë shpenzime sociale dhe subvencione”.
Nuk është vetëm Gjermania që mbështetet në stimulin fiskal të planifikuar. Një anketë e kohëve të fundit e 88 ekonomistëve nga gazeta britanike Financial Times tregoi se shumë besojnë se shpresat më të gjera të Evropës për rimëkëmbje ekonomike varen pikërisht nga plani gjerman.
Anketat e fundit tek bizneset nuk tregojnë shumë optimizëm, pasi shumë kompani vazhdojnë ta shohin gjysmën e parë të vitit 2026 me pesimizëm. Megjithatë, ekziston një ndjesi se situata do të përmirësohet gradualisht — rreth 40 përqind e 49 shoqatave të biznesit të anketuara nga Instituti Ekonomik Gjerman (IW) në fund të vitit 2025 presin vëllime më të larta shitjesh dhe prodhimi në vitin 2026, ndërsa 40 përqind të tjerë presin që situata të mbetet e pandryshuar.
Një nxitje e mundshme për rritjen në vitin 2026, që nuk është përfshirë në parashikimin e Bundesbank, është numri i ditëve të punës. Punëtorët në Gjermani do të punojnë mesatarisht 250.5 ditë në vitin 2026, 2.4 ditë më shumë se në vitin 2025 që është numri më i lartë që nga viti 2022, sipas zyrës kombëtare të statistikave. Rritja vjen sepse disa festa zyrtare në vitin 2026 bien në fundjavë.
Sipas ING, numri i shtuar i ditëve të punës mund të kontribuojë në rritjen e PBB-së prej rreth 0.3 përqind në vitin 2026, por paralajmëron se ky nuk është një tregues i trendit afatgjatë. Instituti Ekonomik Gjerman, i cili përfshin ditët shtesë të punës në parashikimet e tij, parashikon një rritje prej 0.9 përqind në vitin 2026.
Pas vitit 2026, një nga çështjet kryesore të pazgjidhura ka të bëjë me borxhin publik të Gjermanisë. Kur Këshilli Gjerman i Ekspertëve Ekonomikë paralajmëroi në nëntor për shpenzimet qeveritare, tha se borxhi publik mund të rritet në 85 përqind të PBB-së deri në vitin 2035, nga 63 përqind që ishte këtë vit.
Nëse humbasin mundësitë e rritjes, “qëndrueshmëria afatgjatë e borxhit publik të shtetit gjerman mund të rrezikohet”, paralajmëroi ai.
Huamarrja e re e qeverisë gjermane pritet të kalojë 180 miliardë euro në vitin 2026, më shumë se 4 përqind të PBB-së. Qeveria pret që deficiti buxhetor të arrijë në 4.75 përqind të PBB-së në vitin 2026.
Deutsche Bank, ndër të tjera, paralajmëron se, ndërsa kostot e pensioneve dhe të interesit rriten ndjeshëm në vitet e ardhshme, nivelet e borxhit dhe planet afatgjata të huamarrjes së Gjermanisë do të jenë nën presion në rritje.
“Në dritën e hapësirës gjithnjë e më të ngushtë buxhetore, negociatat për buxhetin e vitit 2027 mund të bëhen një tjetër provë e kohezionit të qeverisë”, thuhet në analiza./K.M
Lëvizja Bashkë ka zhvilluar mëngjesin e kësaj të premteje një protestë para Bashkisë së Durrësit, në reagim ndaj përmbytjeve masive që prej disa ditësh kanë prekur disa zona të qytetit.
Protestuesit kërkojnë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, si dhe një hetim të thelluar mbi funksionimin e hidrovorit të dytë. Gjithashtu, ata kanë bërë thirrje për një investigim të plotë lidhur me rastin e punonjësit të bashkisë, Astrit Hysenaj, i cili u gjet pa shenja jete ditën e djeshme, pasi dyshohet se është marrë nga rrjedha e ujit.
“Gjendje e jashtëzakonshme tani”, “Uji na mbyt, korrupsioni sundon” dhe “Hetim për portin e ri” ishin disa nga pankartat që mbanin në duar protestuesit gjatë tubimit./K.M
Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, nga mbledhja e Emergjencave Civile tregoi masat e marra për të përballur përmbytjet me të cilat po përballet prej 4 ditësh vendi ynë.
Ai tha se ekspertë Ministrisë së Bujqësisë, është dhënë ndihmë në ferma, ndërsa shtoi se të gjithë ekskavatorët janë në punë.
“Kemi ngritur grupet e verifikimit në të gjithë zonat e prekura në evidentimin e saktë të dëmeve. Veterinerët zyrtarë duke ofruar asistencë të vazhdueshme për zonat e prekura dhe ato në nevojë për të bërë evakuimet e nevojshme, kemi bërë evakuimin e disa fermave të rrezikuara, por edhe ato për të cilat ka pasur ndërhyrje me ushqim në kafshë. Hidrovoret janë në gatishmëri ku kanë funksionuar normalisht në të gjithë Shqipërinë, gjë që na ka ndihmuar në të gjithë procesin. Po punojmë për hapjen dhe pastrimin e kanaleve kulluese, kemi 29 ekskavatorë në gatishmëri në nivel kombëtar, i kemi pasur në zona kryesisht të prekura nga përmbytja ku të gjithë kanë qenë në gatishmëri 24 orë për të monitoruar dhe për të ndërhyrë edhe në zona ku kemi bërë, edhe në argjinatura, në dy çarje në Sheqeras-Devoll dhe Bilisht-Boboshticë të cilat vazhdojnë akoma sepse kemi pasur një përmbytje të konsiderueshme. Jemi në punë e sipër në verifikim në terren që të bëjmë saktësimin e dëmeve në bujqësi dhe të prekurve që do t’i evidentojmë që të kemi një pasqyrë të përgjithshme në të gjithë Shqipërinë dhe territorin e prekur.”, tha ai./K.M
Pas një karriere të shkëlqyer në industrinë e muzikës, Miley Cyrus tani është gati për kapitullin tjetër në karrierën e saj, duke shprehur dëshirën e saj të fortë për t’u rikthyer në aktrim.
Këngëtarja 33-vjeçare, e cila fillimisht fitoi njohje globale si aktore përpara se të dominonte listat muzikore, u shfaq veçanërisht pozitive në lidhje me mundësinë e një rikthimi në kinematografi. “Do të doja shumë,” tha ajo për The Hollywood Reporter gjatë paraqitjes së saj në tapetin e kuq të Festivalit të 37-të Ndërkombëtar të Filmit në Palm Springs.
Cyrus ishte në këtë event për të pranuar çmimin e Arritjes së Jashtëzakonshme Artistike për baladën e saj “Dream as One”, kënga kryesore për filmin e ri të James Cameron, “Avatar: Fire and Ash”. “Shpresoj që ndonjë mendje e shkëlqyer këtu të ketë rolin e duhur për mua. Le të shohim. Kujtojuni atyre. Nëse kalon ndonjë gjeni, thuaju atyre: ‘Hej, Miley është këtu’”, vuri në dukje ajo.
Kur u pyet se çfarë do të donte të bënte, Cyrus u përgjigj troç: “Thjesht thuaju atyre: ‘Çfarë duan ata të bëj?’” Do të doja shumë të hyja në botën e dikujt tjetër. Unë jam shefja në botën time.”
Me përjashtim të një roli të shkurtër në filmin Drive-Away Dolls (2024) të Ethan Coen, kanë kaluar disa vite që kur Cyrus ka marrë një rol të madh në film ose televizion. Në vitin 2019, ajo luajti yllin e popit Ashley O në serialin Black Mirror, ndërsa rolet e saj të mëparshme përfshijnë Crisis in Six Scenes (2016) të Woody Allen, filmat për adoleshentë So Undercover dhe LOL (2012) dhe The Last Song (2010).
Ylli tashmë ka projekte të reja në punë, ndër të cilat spikat “diçka vërtet e veçantë” që do të zhvillohet në mars me rastin e 20-vjetorit të premierës së serialit fenomenal “Hannah Montana”.
Duke iu referuar më përgjithësisht filozofisë së saj për të ardhmen dhe planeve të saj për këtë vit, Cyrus theksoi: “Më pëlqen ta ndaj jetën time në katër pjesë, kështu që mendoj se kush dua të jem dhe çfarë dua të bëj në tremujorin e parë të vitit. Shmang të bëj plane afatgjata, sepse përndryshe përfundon duke u angazhuar në gjëra që mund të mos jenë ato që janë menduar për ty.”
Në mbyllje, ajo tha: “Pra, për tremujorin e parë, qëllimi im është të përfundoj atë që fillova me “Avatar”. Tani për tani po flasim për përvjetorin e serialit Hannah Montana, ku dua vërtet të marr kohë për të nderuar gjithçka që ka ndodhur. Pastaj, nga gjysma e dytë e vitit, do të filloj të mendoj për atë që mund të sjellë e ardhmja.”/KM
Zv/kryeministrja dhe njëherazi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku ka folur në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile pas situatës me motin e keq ditën e djeshme.
Pavarësisht se aksi Qukës-Qafë Plloçë, me një kosto prej 260 milionë eurosh është bllokuar dhe ende nuk ka një njoftim zyrtar për nisjen e qarkullimit të automjeteve, Balluku u shpreh se akset rrugore kombëtare janë të gjitha funksionale.
Sipas saj problematika ka pasur vetëm në akset rurale, për të cilat tha se janë përgjegjësi e bashkive përkatëse për t’u mirëmbajtur.
Sakaq, Balluku shtoi se ka pasur inerte që kanë zbritur nga skarpatet e maleve edhe në rrugë “të konsoliduara”, sipas saj, si në rastin e Gjirokastër-Tepelenë.
Ajo u shpreh se fakti që në Shqipëri ka pasur shumë zjarre dhe në jug ka mungesë të bimësisë, situata është bërë më sfiduese për mirëmbajtjen e rrugëve.
“Akset rrugore janë të gjitha funksionale, i referohem akseve kombëtare. Ndërsa ka pasur problematika në akset rurale që mirëmbahen nga bashkitë. Ka pasur inerte që kanë zbritur nga skarpatet e maleve edhe rrugët që janë të konsoliduara ndër vite si Shkalla e Zezë nga Gjirokastra në Tepelenë. Fakti që kemi patur shumë zjarre dhe ka mungesë bimësie në jug e ka bërë sfiduese situatën për mirëmbajtjen e rrugëve”, tha ajo./K.M
Qentë kanë qenë miqtë më të mirë të njeriut për shekuj me radhë, së bashku me familjet, si një shtesë e rëndësishme… e butë. Megjithatë, në dekadat e fundit, nga miq ata kanë zënë vendin e… fëmijëve, pasi shumë të rinj zgjedhin të adoptojnë një qen në vend që të kenë fëmijë të tyre. Por çfarë do të thotë kjo zgjedhje për shoqërinë tonë dhe mënyrën se si e perceptojmë familjen?
Në një studim të botuar në revistën European Psychologist, një ekip kërkimor nga Universiteti Eötvös Loránd argumenton se rënia globale e lindjeve dhe rritja e adoptimeve të qenve janë të lidhura. Ndërsa qentë nuk mund t’i zëvendësojnë fëmijët, ata mund t’u ofrojnë njerëzve mundësinë për të kënaqur instinktet e tyre prindërore pa kërkesat financiare dhe sociale të rritjes së një fëmije.
“Midis shumë faktorëve, jetëgjatësia relativisht e shkurtër e qenve mund të luajë një rol, pasi shumica e njerëzve presin të jetojnë më gjatë se qenin e tyre, por jo se fëmija i tyre”, tha Laura Gillet, një kandidate doktorature në Departamentin e Etologjisë. “Jo vetëm vendimet individuale, por edhe konteksti sociokulturor janë thelbësore për të kuptuar se si dhe pse njerëzit zhvillojnë lloje specifike marrëdhëniesh me kafshët e tyre shtëpiake.”
Globalisht, veçanërisht në vendet e pasura dhe të zhvilluara, shkalla e lindjeve është në rënie të vazhdueshme. Në të njëjtat vende, adoptimi i qenve vazhdon të rritet, me gjithnjë e më shumë njerëz që zgjedhin një kafshë shtëpiake në vend të një fëmije.
Për të hetuar këtë fenomen, studiuesit kryen një shqyrtim të gjerë të literaturës dhe formuluan një hipotezë: për shumë njerëz, qentë janë kompromisi i përsosur. Ne të gjithë kemi një nevojë të lindur gjenetikisht për t’u kujdesur dhe lidhjet tona shoqërore me qentë mund ta plotësojnë këtë nevojë.
Në mënyrë specifike, kafshët shtëpiake u lejojnë pronarëve të tyre të përjetojnë përfitime emocionale të ngjashme me ato të prindërimit tradicional, siç janë emocionet pozitive, mbështetja sociale dhe një ndjenjë qëllimi. Duke plotësuar nevojën për kujdes dhe varësi, me një kosto më të ulët në kohë dhe para krahasuar me fëmijët, “prindërimi” i qenve duket si një situatë e favorshme për të dyja palët.
A janë qentë si fëmijët?
Aftësitë njohëse të qenve, të cilat i lejojnë ata të mësojnë dhe t’i përgjigjen komunikimit njerëzor, janë pjesërisht arsyeja pse ata kanë qenë me ne për kaq gjatë. Këto përshtatje unike i ndihmojnë gjithashtu ata të zhvillojnë sjellje shoqërore, shumë prej të cilave janë çuditërisht të ngjashme me ato të fëmijëve që nuk flasin.
Për më tepër, ashtu si fëmijët, qentë varen nga njerëzit si kujdestarë të tyre. Ata nuk mund të ushqehen vetë, të dalin për shëtitje ose të organizojnë ndërveprime shoqërore. Kujdestarët e tyre janë plotësisht përgjegjës për të siguruar gjithçka të nevojshme për mbijetesën e tyre. Edhe pse kërkesat janë të larta dhe qentë krijojnë lidhje të forta me kujdestarët e tyre njerëzorë, përkushtimi mbetet më i vogël se ai i kërkuar për një fëmijë.
Megjithatë, kjo qasje nuk është universale: “Dëshirojmë të theksojmë se, në kundërshtim me besimin popullor, vetëm një pakicë e vogël e pronarëve të qenve i trajtojnë kafshët e tyre shtëpiake si ‘fëmijë’. Në shumicën e rasteve, ‘prindërit e qenve’ zgjedhin qen pikërisht sepse nuk janë si fëmijë dhe i njohin nevojat e tyre specifike për speciet”, tha Enikő Kubinyi, autori kryesor i studimit dhe kreu i Grupit të Kërkimit të Kafshëve Shoqëruese.
Për ekipin kërkimor, është e rëndësishme të mbahet mend se qentë nuk duan dhe nuk kanë gjithmonë nevojë për atë që njerëzit e konsiderojnë më të mirën për ta. Fatkeqësisht, trajtimi i një qeni si fëmijë shpesh ngre çështje etike. Interesi në rritje për karakteristikat infantile ka çuar në mbarështimin masiv të racave të pashëndetshme. Përveç kësaj, mbimbrojtja dhe “mbrojtja” e tepërt e qenve mund të çojë në probleme emocionale dhe të sjelljes.
Në përgjithësi, autorët e studimit shpresojnë që gjetjet e tyre do të kontribuojnë në një mënyrë më të gjerë të të menduarit rreth lidhjes njeri-kafshë shtëpiake. Në një botë moderne të izolimit social dhe vetmisë në rritje, qentë mbeten miqtë, shoqëruesit dhe shoqëruesit tanë më të mirë – pavarësisht formës që merr kjo marrëdhënie./KM
Prej më shumë se 2 orësh, rruga nacionale Klos-Burrel është e bllokuar si pasojë e shembjes së një kanali. Sasi të mëdha balte dhe inertesh kanë përfunduar në asfalt, duke e bërë të pamundur qarkullimin e mjeteve.
Në vendngjarje raportohet se është bllokuar edhe një ambulancë, e cila ishte nisur drejt Tiranës me një të sëmurë.
Vargu i automjeteve nga të dyja krahët ka arritur në rreth 10 kilometra, ndërsa policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të bërë të mundur lirimin e rrugës dhe rikthimin e qarkullimit normal./K.M