BRIT Awards 2026 – Noel Gallagher shpallet Kompozitori i Vitit
LONDËR, 4 shkurt /ATSH-DPA/- Noel Gallagher do të shpallet Kompozitori i Vitit në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Brit Awards”, më 28 shkurt.
“Brit Awards 2026” do të jetë edicioni i 46-të i ceremonisë së “Brit Awards”, e prezantuar nga British Fonografic Industry (BPI) për të njohur më të mirët në muzikën britanike dhe ndërkombëtare në vitin 2025.
Gallagher, i cili ka arritur sukses të madh si me “Oasis” ashtu edhe me “High Flying Birds” të Noel Gallagher, ka fituar disa çmime “Brit Awards” në të kaluarën.
Çmimi “Kompozitori i Vitit” njeh talentin e jashtëzakonshëm të shkrimit të këngëve dhe vendoset nga një panel i zgjedhur gjyqtarësh ekspertë.
Fitues të mëparshëm të ketij çmimi përfshijnë Ed Sheeran, Kid Harpoon, Raye dhe Charli xcx.
Gallagher do ta pranojë çmimin në ceremoninë që do të mbahet në Mançester më 28 shkurt.
Ai njihet më së miri si pjesë e grupit Britpop “Oasis” së bashku me vëllain e tij Liam, që kohët e fundit përfunduan turneun botëror të ribashkimit shumë të pritur.
Ai shkroi këngët hit “Wonderwall”, “Don’t Look Back In Anger” dhe “Champagne Supernova” për grupin me bazë në Mançester, përpara se të ndaheshin në vitin 2009 pas një mosmarrëveshjeje midis vëllezërve.
Në gusht të vitit 2024, “Oasis” i dha fund 16 viteve spekulimesh duke konfirmuar një rikthim në skenë, në turneun “Oasis Live 25”.
Ndërkohë, grupi “High Flying Birds” i Noel Gallagher publikoi katër albume të suksesshme.
“Për më shumë se tre dekada, Noel ka krijuar këngë që janë bërë pjesë e historisë sonë kolektive – të guximshme, brilante dhe gjithmonë të dallueshme”, tha kryetarja e Komitetit të Çmimeve “Brit Awards 2026″, Stacey Tang.
“Këngët e tij kanë qenë kolona zanore për breza të shumtë dhe kanë përcaktuar shpirtin e muzikës britanike në nivel global”, shtoi ajo.
“Nderimi i Noel si “Kompozitori i Vitit” vlerëson punën e tij të jashtëzakonshme dhe forcën krijuese që vazhdon të lidhë dhe frymëzojë artistë dhe fansa në të gjithë botën”, theksoi ajo.
Harry Styles dhe Olivia Dean do të performojnë secili në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në “Co-op Live” të Mançesterit, së bashku me Wolf Alice dhe Mark Ronson.
Dean dhe Lola Young kanë marrë më shumë nominime për çmime “Brit Awards” të këtij viti – me pesë nominime secili.
Këngëtari Sam Fender, fituesi më i fundit i Çmimit “Mercury”, u nominua gjithashtu në katër kategori – duke përfshirë Artistin e Vitit, Artistin Alternativ Rock, Albumin më të Mirë dhe Këngën më të Mirë për “Rein Me In”, bashkëpunimin e tij me Dean.
Ndërkohë, grupi britanik “Pulp” shënoi nominimin e parë në 30 vjet për kategorinë e Grupit më të Mirë, ndërsa Lily Allen është nominuar në tre kategori: Albumi më i Mirë, Artistja e Vitit dhe Artistja Pop. //a.i/
The post BRIT Awards 2026 – Noel Gallagher shpallet Kompozitori i Vitit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.