Nga Adriatik Golemi, Gazetar
Më 6 janar 2026 u mbushën plot 35 vjet nga krijimi i Degës së Partisë Demokratike në Fier. Një datë historike, jo vetëm për demokratët, por për vetë qytetin. Një ditë që simbolizonte revoltën qytetare kundër diktaturës, guximin përballë frikës dhe lindjen e pluralizmit politik në një nga qendrat urbane më të mëdha të Shqipërisë së asaj kohe.
Por 35-vjetori kaloi… pa u ndjerë. Pa miting. Pa takim përkujtimor. Pa debat. Pa reflektim. Pa asnjë përpjekje për ta kthyer këtë datë në një moment bashkimi, kujtese dhe veprimi politik.
Në vend të kësaj, u publikua një status në Facebook nga deputeti Luan Baçi, kryetari de facto i PD-së së Fierit. Një kolazh fotosh, ku mes tyre spikaste edhe një foto e re me ngjyra, ku shfaqej Sali Berisha dhe, sigurisht, jo larg tij edhe vetë Luan Baçi. Një foto pa asnjë lidhje me ngjarjen e 6 janarit 1991, as me Fierin, as me mitingun historik, as me themeluesit realë të degës.
Një simbol i përsosur i shkëputjes mes historisë reale dhe mënyrës se si Partia Demokratike sot e trajton atë histori.
Si pjesëmarrës dhe dëshmitar okular i mitingut të 6 janarit 1991, më kujtohet qartë se në Fier nuk kisha parë kurrë aq shumë njerëz. Sheshi përpara Turizmit ishte përplot. Ura e re, ajo që sot të çon drejt kishës, dukej sikur do shembej nga pesha e qytetarëve. Ishte një shpërthim i vërtetë popullor – jo i organizuar nga zyra, jo i komanduar nga lart, por i lindur nga nevoja për liri. Një energji spontane, kuriozitet dhe ndjenjë lirie, me të cilën nuk ishim mësuar.
Më 6 janar 1991, djem dhe vajza të Fierit, nën terrorin e një prej diktaturave më të egra në Europë, u ngritën në revoltë, ashtu si studentët në Tiranë. Ata u përballën ballë për ballë me regjimin dhe themeluan Degën e PD-së në Fier, duke organizuar një miting madhështor, ku mijëra qytetarë mbushën sheshin e qytetit si kurrë më parë. Mitingun e përshëndetën Dr. Sali Berisha dhe Azem Hajdari, heroi i demokracisë.
Heronjtë e asaj dite ishin Fatos Mihali dhe Viktor Margjilaj, së bashku me një grup trimash dhe guximtarësh – sepse ose trim, ose i çmendur duhej të ishe për t’i dalë përballë asaj diktature:
Edmond Ymeri, Sotiraq Aleksi, Arjan Nika, Muhamet Sherri, Veli Koçi, Stavri Furxhi, Mihal Pikuli, Vladimir Muçaj, Avdulla Dyrmishi, Ilmi Hoxha, Xhelal Tahiri, Shpëtim Kastrati, Hasan Misiri, Artur Çuni, Vasil Kalemi dhe Niko Vrushi.
Ata firmosën themelimin e Degës së PD-së në Fier.
Dhe megjithatë, sot: asnjë nderim,asnjë fjalë, asnjë përkujtim.
Kjo nuk është thjesht harresë. Kjo është simptomë.
PD-ja në Fier është bërë e flashkët, pa grintë, e përgjumur, e mekur. Nuk ka arritur të zbërthejë dhe të shpjegojë të keqen lokale. Është marrë më shumë me të ndenjurit poshtë Ballkonit në Tiranë dhe me studiot televizive, duke sharë Sorosin dhe “narkoshtetin”, ndërkohë që Armando Subashi me kompani kanë livadhisur të qetë në Fier, pa një opozitë reale përballë.
Ironia është e hidhur.
Partia Socialiste e Fierit jo vetëm që feston dhe kujton ata që realisht i konsideron heronj, por feston edhe beteja imagjinare, të shpikura nga Kinostudio “Shqipëria e Re”. I kthen në rituale gati fetare çdo përvjetor, çdo lapidar, edhe aty ku nuk ka ndodhur asgjë. Me ngjyra, muzikë, shami pionieri dhe ceremoni pompoze, edhe gënjeshtrat që nuk i beson as vetë i shndërron në “histori patriotike”. Edhe kanalet, ferrat dhe zhukat e Myzeqesë ku këto trillime supozohet se kanë ndodhur, i kthen në “vende të shenjta”.
Ndërsa Partia Demokratike, edhe në ditën e saj më të rëndësishme në Fier – që përkon simbolikisht edhe me Epifaninë (nga greqishtja epifaneia, shfaqje, zbulim) – pra rizbulimin e lirisë, e lë gjithçka të kalojë në heshtje dhe me statuse Facebooku, sa për të larë gojën.
35-vjetori i Degës së PD-së në Fier nuk ishte thjesht një datë për t’u kujtuar. Ishte një mundësi për t’u mbledhur, për të reflektuar dhe mbi të gjitha për të vepruar.
Një mundësi e humbur.
Dhe ndoshta kjo është përgjigjja më e dhimbshme për pyetjen: Pse ka vdekur PD-ja? Në Fier, mesa duket, po.