Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 January 2026Main stream

AFGANISTAN – Të paktën 61 të vdekur për shkak të reshjeve të dendura të borës dhe shiut

24 January 2026 at 14:05

ISLAMABAD, 24 janar /ATSH-DPA/- Reshjet e dendura të dëborës dhe shiut në Afganistan kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 61 personave dhe plagosjen e 110 të tjerëve, tha sot Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Fatkeqësive (NDMA) i vendit.

Zëdhënësi i NDMA-së, Mohammad Yousuf Hammad, tha se 458 shtëpi ishin shkatërruar plotësisht ose pjesërisht gjatë tre ditëve të fundit, për shkak të motit të keq, duke prekur të paktën 360 familje.

Hammad tha se shifrat ishin paraprake, duke shtuar se ekipet e vlerësimit po vazhdonin studimet në rajonet e prekura dhe se numri i viktimave mund të rritej.

Në një njoftim të veçantë, Ministria e Punëve Publike tha se Tuneli Salang, një rrugë kyçe që lidh kryeqytetin Kabul me provincat veriore, është mbyllur për trafikun gjatë tre ditëve të fundit për shkak të reshjeve të dendura të dëborës.

Tuneli është një korridor jetësor për tregtinë dhe transportin midis rajoneve.

Mohammad Nasim Moradi, kreu i meteorologjisë në Ministrinë e Transportit dhe Aviacionit, tha se, sipas parashikimeve për dy ditët e ardhshme, bora dhe shiu do të vazhdonin në disa pjesë të vendit, duke shkaktuar me shumë gjasa ndërprerje të mëtejshme të udhëtimit dhe bllokime rrugësh në zonat malore, përfshirë rajonin Salang.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) tha se Afganistani eshte godituar nga kriza më e mëdha humanitare në botë, me miliona njerëz që kanë nevojë për ndihmë për shkak të motit ekstrem, thatësirës, pasigurisë ushqimore, kthimit te migrantëve dhe infrastrukturës se dobët.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) tha se Afganistani ishte prekur nga kriza më e madhe humanitare në botë, me miliona njerëz që kanë nevojë për ndihmë për shkak të motit ekstrem, thatësirës, ​​pasigurisë ushqimore, kthimit të migrantëve dhe infrastrukturës së dobët. //a.i/

The post AFGANISTAN – Të paktën 61 të vdekur për shkak të reshjeve të dendura të borës dhe shiut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRAZIL – Lula konfirmon kandidaturën për një mandat të katërt

24 January 2026 at 13:19

SAN PAOLO, 24 janar /ATSH-ANSA/- Presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva konfirmoi kandidaturën e tij për rizgjedhje gjatë një eventi në Salvador de Bahía.

“Përgatituni, sepse duam presidencën për herë të katërt”, tha kreu i Partisë së Punëtorëve, në mbylljen e takimit të 14-të Kombëtar të Lëvizjes së Punëtorëve Ruralë pa Tokë (MST) – duke i quajtur zgjedhjet e tetorit një moment vendimtar dhe vitin 2026 “vitin e së vërtetës” kundër dezinformimit.

Në fjalimin e tij, kreu i shtetit vlerësoi sukseset ekonomike të mandatit të tij aktual, duke përmendur papunësinë historike të ulët, rritjen e pagës minimale dhe rritjen e eksporteve.

Lula më pas nxiti lëvizjet shoqërore të pushtonin hapësirat vendimmarrëse, duke theksuar rolin vendimtar të MST në historinë e vendit dhe në luftën për drejtësi sociale.

“Pa ju, Brazili nuk do të kishte arritur aty ku jemi sot”, tha ai.

Në periferi të eventit, qeveria njoftoi masa konkrete për reformën agrare.

Ministri i Zhvillimit Agrar, Paulo Teixeira konfirmoi se toka të reja do të dorëzoheshin deri në prill në disa shtete, përfshirë San Paulo dhe Bahía, ku do të përfitonin mijëra familje. //a.i/

The post BRAZIL – Lula konfirmon kandidaturën për një mandat të katërt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Qindra biznese në Minesota mbyllen për të protestuar kundër politikave të imigracionit

24 January 2026 at 12:49

MINESOTA, 24 janar /ATSH/- Qindra biznese në Minesota u mbyllën dje dhe mijëra njerez protestuan kundër masave të vazhdueshme kundër imigracionit në shtet, sipas BBC.

Protestat e përhapura vijnë pasi organizatorët i inkurajuan banorët të mos shkonin në punë në një shenjë kundërshtimi ndaj Shërbimit Amerikan të Imigracionit dhe Doganave (ICE).

Operacioni i ICE-së i urdhëruar nga administrata Trump në Minesota ka vazhduar për më shumë se gjashtë javë.

Administrata e ka karakterizuar atë si një operacion sigurie publike që synon deportimin e kriminelëve në vend.

Kritikët kanë paralajmërojnë se po arrestohen edhe migrantë pa precedentë penalë dhe qytetarë amerikanë.

Rreth 100 anëtarë të klerit u arrestuan dje në aeroportin e Minneapolis ndërsa merrnin pjesë në një protestë – duke u bërë thirrje linjave ajrore amerikane të refuzonin transportimin e të arrestuarve nga ICE.

Një zëdhënës i komisionit të aeroporteve tha se arrestimet duhej të bëheshin për të mbrojtur sigurinë publike dhe aksesin në aeroport.

Mijëra oficerë federalë janë vendosur në Minesota si pjesë e operacionit “Metro Surge”.

Vrasja e 37-vjeçares nga Mineapolis, Renee Good, në fillim të këtij muaji shkaktoi tensione në të gjithë shtetin dhe akti u dënua gjerësisht nga zyrtarët lokalë.

Marshimet e djeshme mendohet të jenë protesta më e madhe e kundërshtimit, deri më sot, ndaj politikës aktuale të imigracionit në shtet, ndërsa mijëra njerëz ecnin në qendër të qytetit në temperatura prej -23°C.

Prania e ICE-së ka zemëruar shumë banorë të Minesotës, të cilët kanë protestuar kundër operacioneve të tyre dhe oficerëve të tjerë federalë që veprojnë në qytetin e tyre.

Këtë javë, zyrtarët e shkollave në periferi të Columbia Heights njoftuan se katër nga nxënësit e tyre ishin ndaluar nga ICE, të moshës nga pesë deri në 17 vjeç.

Një fëmijë dy vjeç u ndalua gjithashtu të enjten së bashku me babanë e saj pa dokumente, ndërsa po kthehej në shtëpi nga një dyqan ushqimor në jug të Mineapolis.

Në një fjalim të enjten, zëvendëspresidenti JD Vance bëri thirrje që forcat lokale të rendit në Minesota të koordinoheshin me oficerët federalë për të kryer zbatimin e ligjit për imigracionin.

Minesota, dhe disa nga qytetet e saj, kanë të ashtuquajturat politika “strehimi”, të cilat kufizojnë mënyrat se si qeveria lokale dhe forcat e rendit bashkëpunojnë me ICE-në.

Administrata Trump i ka kritikuar këto politika – duke i konsideruar një kërcënim për sigurinë publike. //a.i/

 

The post SHBA – Qindra biznese në Minesota mbyllen për të protestuar kundër politikave të imigracionit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Mbi 8000 fluturime të anuluara për shkak të stuhisë dimërore

24 January 2026 at 10:51

UASHINGTON, 24 janar /ATSH/- Më shumë se 8000 fluturime në të gjithë SHBA-në, janë anuluar, pasi një stuhi “vdekjeprurëse” parashikohet të shkaktojë kaos në pjesën më të madhe të vendit, duke kërcënuar të ndërpresë energjinë elektrike për ditë të tëra dhe të bllokojë rrugët kryesore, sipas “abc News”.

Rreth 140 milionë njerëz u paralajmëruan për stuhi dimërore nga Nju Meksiko në Nju England.

Parashikimi i Shërbimit Kombëtar të Motit paralajmëron për dëborë të dendur dhe një brez akulli katastrofik që shtrihet nga Teksasi lindor në Karolinën e Veriut.

Meteorologët thonë se dëmet, veçanërisht në zonat e goditura nga akulli, mund të krahasohen me ato të një uragani.

Deri dje në mbrëmje, stuhia ka sjellë shi të ngrirë dhe breshër në disa pjesë të Teksasit, ndërsa Oklahoma u përfshi nga dëbora dhe breshëri.

Pasi përfshiu Jugun, stuhia pritej të lëvizte në verilindje, duke sjellë rreth 30 centimetra dëborë nga Uashingtoni në Nju Jork dhe Boston.

Guvernatorët e më shumë se dymbëdhjetë shteteve lëshuan alarmin për gjendjen e jashtëzakonshme duke i nxitur njerëzit të qëndrojnë në shtëpi.

Më shumë se 3400 fluturime u vonuan ose u anuluan sot, sipas faqes së internetit të  fluturimeve “FlightAware”. Më shumë se 5000 fluturime u anuluan vetëm sot.

Kompanitë e shërbimeve po përgatiten për ndërprerje të energjisë elektrike, pasi pemët e mbuluara me akull dhe linjat e energjisë mund të vazhdojnë të bien edhe pasi të ketë kaluar stuhia.

Midwest regjistroi erëra të ftohta deri në minus 40 gradë Celsius, që do të thotë se ngrirja mund të ndodhë brenda 10 minutash.

Në Bismarck, Dakota e Veriut, ku temperatura e erës shënoi minus 41 gradë Celsius.

Qeveria federale vuri në gatishmëri gati 30 ekipe kërkim-shpëtimi.

“Zyrtarët kanë vendosur më shumë se shtatë milionë vakte, 600,000 batanije dhe 300 gjeneratorë në të gjithë zonën ku pritej të kalonte stuhia”, sipas Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave.

Pasi të kalojë stuhia, do të duhet pak kohë që akulli tër shkrijë. Akulli mund t’i bëjë linjat dhe degët e energjisë më të ndjeshme ndaj këputjes, veçanërisht nëse fryn erë. //a.i/

The post SHBA – Mbi 8000 fluturime të anuluara për shkak të stuhisë dimërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – NATO planifikon të forcojë mbrojtjen në krahun lindor me teknologji robotike dhe të automatizuar

24 January 2026 at 10:15

BRUKSEL, 24 janar /ATSH-DPA/-NATO planifikon të zgjerojë ndjeshëm rezervat e armëve dhe municioneve përgjatë krahut të saj lindor dhe të krijojë një zonë të re mbrojtëse – duke përdorur teknologji robotike dhe të automatizuar, sipas një oficeri të lartë të NATO-s.

“Masat synojnë forcimin e parandalimit kundër sulmeve të Rusisë”, tha Gjenerali i Brigadës Thomas Lowin për” Welt”.

Sipas një koncepti të ri mbrojtës shumështresor, NATO do të kërkojë të ngadalësojë ose ndalojë një sulmues në një fazë të hershme duke përdorur sisteme të teknologjisë së lartë.

Përgjatë kufijve të aleancës me Rusinë dhe Bjellorusinë, do të krijohet një zonë që do të mbështetet në mbikëqyrje, si dhe në sisteme të operuara nga distanca ose gjysmë të automatizuara, të cilat një kundërshtar do të duhet t’i kapërcejë përpara se të përparojë më tej.

Lowin, zëvendësshefi i shtabit për operacionet në komandën tokësore të NATO-s në Izmir, tha se mbikëqyrja përgjatë krahut lindor do të mbështetej në sisteme që mbledhin të dhëna në tokë, në ajër, në hapësirë ​​dhe në domenin digjital.

“Informacioni do t’u vihet në dispozicion aleatëve të NATO-s në kohë reale”, tha ai.

Sisteme fikse dhe celular si radari, sensorë akustikë dhe optikë mund të përdoren, së bashku me të dhënat nga satelitët, dronët dhe avionët zbulues.

Përgjatë kufijve, NATO planifikon të krijojë atë që Lowin e përshkroi si një “zonë e nxehtë”, të projektuar për të ndaluar ose ngadalësuar sulmuesit në fazat e hershme. Zona mund të përfshijë dronë të armatosur, automjete luftarake gjysmë-autonome, sisteme robotike dhe aftësi të automatizuara të mbrojtjes ajrore.

Lowin tha gjithashtu se NATO tashmë ka parapozicionuar pajisje ushtarake, dhe se rezerva shumë më të mëdha ushtarake do të ngrihen në shtetet në vijën e parë, duke përfshirë armë dhe municione si për sistemet e automatizuara ashtu edhe për forcat e aleancës.

“Pavarësisht përdorimit në rritje të automatizimit, numri i trupave nuk do të zvogëlohet”, tha ai duke vënë në dukje se sistemet pa pilot nuk ishin të mjaftueshme për të penguar ose ndaluar një kundërshtar në planin afatgjatë. //a.i/

The post BRUKSEL – NATO planifikon të forcojë mbrojtjen në krahun lindor me teknologji robotike dhe të automatizuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

STUDIM – Dhjami i trupit luan një rol të rëndësishëm në shëndetin fizik dhe mendor

24 January 2026 at 08:15

TIRANË, 24 janar /ATSH/- Dhjami i trupit ndihmon në gjithçka, nga shëndeti i kockave deri te humori, dhe tani, hulumtimet sugjerojnë se rregullon edhe tensionin e gjakut dhe imunitetin, sipas “New Scientist”.

Nëse mendonit se dhjami i trupit ishte thjesht një depo pasive për ruajtjen e kalorive, hulumtimet sugjerojnë se ai luan një rol të rëndësishëm në shëndetin tonë të përgjithshëm.

Dhjami ekziston në disa forma. Për shembull, ekziston dhjami i bardhë, i cili ruan energji dhe çliron hormone që ndikojnë në metabolizëm; dhjami kafe, i cili gjeneron nxehtësi; dhe dhjami bezhë, i cili ndodhet diku midis tyre, i cili nxit prodhimin e nxehtësisë në kushte të caktuara.

Edhe brenda këtyre kategorive, vendndodhja ka rëndësi: dhjami nën lëkurë është përgjithësisht më pak i dëmshëm, ndërsa dhjami thellë brenda barkut – i njohur si dhjami visceral – është i lidhur fort me inflamacionin, diabetin e tipit 2 dhe sëmundjet e zemrës.

Hulumtimi më i fundit,  sugjeron se dhjami, ose indi dhjamor, ndihmon në mënyrë aktive në rregullimin e presionit të gjakut dhe koordinimin e përgjigjeve imune në vende kyçe.

Studiuesit në Spitalin Universitar Karolinska në Stokholm, Suedi hartuan arkitekturën qelizore të dhjamit visceral nga vende të shumta brenda barkut.

Ata zbuluan se dhjami epiploik, i cili mbështjell zorrën e trashë, është jashtëzakonisht i pasur me qeliza imune, si dhe me qeliza yndyrore të specializuara që prodhojnë proteina inflamatore të shoqëruara me aktivizimin imunitar.

Eksperimentet e mëtejshme treguan se produktet mikrobike që burojnë nga zorrët i bëjnë këto qeliza yndyrore të aktivizojnë qelizat imune aty pranë.

Sipas studimit, depot e dhjamit janë të specializuara sipas vendndodhjes së tyre anatomike, dhe ato që ndodhen më pranë zorrëve duken veçanërisht të përshtatura për ndërveprimin imunitar.

Dhjami epiploik shërben për funksione thelbësore të ngjashme tek njerëzit e të gjitha peshave trupore, pasi të gjithë kanë pak yndyrë që rrethon zorrën e tyre.

Zorra është vazhdimisht e ekspozuar ndaj lëndëve ushqyese, produkteve mikrobike dhe substancave që vijnë nga mjedisi ynë.

Indi dhjamor ndihmon në koordinimin e reaksioneve imune dhe ofron një shtresë shtesë mbrojtjeje.

Megjithatë, në obezitet, ky sistem mund të bëhet kronikisht i mbiaktivizuar.

Ushqimet me përbërje të veçanta bakteriale brenda mikrobiomës së zorrëve mund të nxisin potencialisht sinjalizim imunitar të vazhdueshëm në dhjamin e zorrëve, duke kontribuar në inflamacionin e shkallës së ulët – të lidhur me një sërë gjendjesh metabolike, të tilla si diabeti i tipit 2 dhe obeziteti.

Studimi i dytë zbuloi një rol tjetër të papritur të dhjamit: kontrollin e presionit të gjakut.

Universiteti Rockefeller në Nju Jork arriti të zbulonte se pse obeziteti, i karakterizuar nga dhjami i bardhë i tepërt, është i lidhur me presionin e lartë të gjakut, ndërsa dhjami kafe dhe bezhë dukej një mbrojtës.

Studiuesit u përqendruan në indin dhjamor perivaskular, një shtresë yndyrore e pasur me shtresa yndyre ngjyrë bezhë që rrethon enët e gjakut.

Tek minjtë e modifikuar gjenetikisht për të humbur yndyrën e tyre ngjyrë bezhë, enët e gjakut u bënë më të ngurta dhe reaguan ndaj sinjaleve të përditshme hormonale që ngushtojnë arteriet, duke çuar në presion të lartë të gjakut.

Ekipi e gjurmoi këtë efekt tek një enzimë e quajtur QSOX1, e lëshuar nga qelizat yndyrore jofunksionale.

Bllokimi i saj parandaloi dëmtimin e enëve të gjakut dhe normalizoi presionin e gjakut tek minjtë, pavarësisht nga pesha trupore.

Komunikimi midis sistemeve të ndryshme të organeve është i rëndesishëm për të kuptuar sëmundjet komplekse si, hipertensioni dhe rregullimi i presionit të gjakut. //a.i/

 

 

The post STUDIM – Dhjami i trupit luan një rol të rëndësishëm në shëndetin fizik dhe mendor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“The Standard” rekomandon Shqipërinë si destinacionin kryesor evropian në 2026-n

24 January 2026 at 07:34

LONDËR, 24 janar /ATSH/- “Ryanair” ka njoftuar itinerare të reja për në Shqipëri për vitin 2026, Riviera e së cilës është cilësuar nga ekspertët e udhëtimit si një destinacion evropian i ngjashëm me Maldivet, sipas të përditshmes britanike “The Standard”.

Linja ajrore me kosto të ulët tha se do të vendosë një avion të katërt B737-800 në Tiranë – në prill 2026 – dhe do të lançojë 20 itinerare të reja, duke e bërë më të lehtë për shumë turistë britanikë të eksplorojnë Shqipërinë.

Investimi prej 400 milionë dollarësh do të mbështesë më shumë se 3000 vende pune, duke përfshirë 120 vende të reja pune me paga të larta për pilotët dhe ekuipazhin e kabinës së “Ryanair” në Tiranë.

Kjo gjithashtu do të thotë që më shumë pasagjerë nga Britania e Madhe do të mund të fluturojnë me “Ryanair” për në Tiranë, Shqipëri nga aeroportet lokale në Birmingham
dhe Liverpool.

A ia vlen të vizitohet Tirana?

“Tripadvisor” ka ndarë disa rekomandime lidhur me aktivitetet qe mund te beni,  vendet ku mund të qëndroni dhe restorantet me te mira në kryeqytetin shqiptar.

Tripadvisor” ka ndarë disa rekomandime në lidhje me aktivitetet që mund të bëni, vendet ku mund të qëndroni dhe restorantet më të mira të kryeqytetit shqiptar.

“Tirana, qyteti më i madh i Republikës së Shqipërisë, është i bekuar me një klimë të butë mesdhetare, një mori kishash të bukura dhe parqesh të harlisura. E themeluar në vitin 1614, arkitektura mbresëlënëse e epokës së Musolinit shtrihet në qendër të qytetit”, tha “Tripadvisor”.

Cilat janë vendet më të mira për të vizituar?

“Shëtisni midis pamjeve të ndërtesave si, Xhamia e Et’hem Beut e vitit 1789 në Sheshin Skënderbej, Kulla e Sahatit e vitit 1830 dhe Teatri i Kukullave, dikur shtëpia e parlamentit kukull të Mbretit Zog.

Vizitoni Kambanën e Paqes, të ndërtuar me fishekë të vjetër, një kujtesë e së kaluarës së stuhishme të Tiranës.

“Shqipëria është një vend i bukur!, tha një turist nga Anglia në “Reddit”.

“U ktheva nga Tirana në fillim të këtij muaji. Gjëja MË E MIRË që bëra ishte, rezervimi i turit në Liqenin e Bovillës. Ishte ekonomik dhe ia vlejti çdo qindarkë”, tha një tjetër turist. Ju rekomandoj të vizitoni edhe liqenin artificial të Tiranës nëse ju pëlqen natyra”, tha një tjetër turist.

“Si e vetmja linjë ajrore me çmime të ulëta në Shqipëri, “Ryanair” ka kënaqësinë të njoftojë se do të vihet në dispozicion, një avion i 4-t me bazë në Tiranë, i cili do të zgjerojë pjesën e tregut të “Ryanair” në Shqipëri – me 43 itinerare për verën e vitit 2026, duke përfshirë 20 itinerare të reja”, tha drejtori ekzekutiv i “Ryanair”, Michael O’Leary.

“Ky investim rekord i “Ryanair” prej 400 milionë dollarësh, një rritje rekord e trafikut prej mbi 50% në 4 milionë pasagjerë për Tiranën – është një rezultat i drejtpërdrejtë i politikës proaktive të Shqipërisë – për të hequr taksat e udhëtimit dhe kostove më të ulëta të Aeroportit, të cilat ofrohen nga skemat e saj të suksesshme të nxitjes së rritjes ekonomike”, shtoi ai.

“Zgjerimi i hershëm i bazës së “Ryanair” në Tiranë është një demonstrim i fuqishëm i forcës së partneritetit tonë dhe ambicies sonë të përbashkët për rritje të qëndrueshme”, tha drejtori i Përgjithshëm i Operacioneve të Aeroportit të Tiranës, Piervittorio Farabbi.

“Përmes kapacitetit në zgjerim të shpejtë të Aeroportit të Tiranës – i nxitur nga investimet strategjike në infrastrukturë, teknologji dhe përsosmëri operacionale – po hapen mundësi të reja për turizëm, biznes dhe zhvillim ekonomik në të gjithë Shqipërinë dhe rajonin e gjerë”, shtoi ai. //a.i/

https://www.chesterstandard.co.uk/news/national/uk-today/25790823.ryanair-announces-new-flights-2-uk-airports-tirana/

 

 

The post “The Standard” rekomandon Shqipërinë si destinacionin kryesor evropian në 2026-n appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 23 January 2026Main stream

ROMË – Merz: Gjermania nuk do t’i bashkohet “Bordit të Paqes” të Trump

23 January 2026 at 22:47

ROMË, 23 janar /ATSH/- Kancelari gjerman, Friedrich Merz tha se ishte i hapur për dialog të ri me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa shtoi se nuk do t’i bashkohej “Bordit të Paqes” të presidentit të SHBA-së Donald Trump, sipas DW.

“Ne jemi të gatshëm të eksplorojmë forma të tjera, të reja bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai sot në një konferencë për shtyp në Romë.

Merz i shprehu më herët presidentit Trump gatishmërinë e tij për të marrë pjesë në një organ të tillë pak javë më parë.

“Forma aktuale e “Bordit të Paqes” të presidentit të SHBA-së, Trump e pengon Gjermaninë të bashkohet për arsye kushtetuese”, tha Merz

Refuzimi i pjesëmarrjes, e shton Gjermaninë në listën e aleatëve tradicionalë të SHBA-së që thanë se nuk do të bashkoheshin me bordin, përfshirë Francën, Britaninë e Madhe dhe Spanjën.

Arabia Saudite, Hungaria dhe Katari kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në bordin e SHBA-së, gjë që disa vëzhgues e shohin si një mënyrë për të anashkaluar Kombet e Bashkuara.

Ndryshe nga pritshmëritë fillestare, “Bordi i Paqes” nuk është një organ i dedikuar vetëm për mbikëqyrjen e procesit të paqes në Rripin e Gazës, siç u kërkua kur propozimi u krijua me një rezolutë të OKB-së.

Megjithatë, Merz tha se Berlini ishte gati të bashkëpunonte me Uashingtonin në gjetjen e formateve të reja që sillnin paqen më afër në rajone të ndryshme të botës.

“Dhe nuk dua ta kufizoj këtë vetëm në Gaza dhe Lindjen e Mesme. Sigurisht, mund të jetë edhe Ukraina”, tha Merz. //a.i/

The post ROMË – Merz: Gjermania nuk do t’i bashkohet “Bordit të Paqes” të Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ABU DABI – Përfundon raundi i parë i bisedimeve të drejtpërdrejta midis Ukrainës dhe Rusisë 

23 January 2026 at 22:16

ABU DABI, 23 janar /ATSH-DPA/- Raundi i parë i bisedimeve të drejtpërdrejta midis Ukrainës dhe Rusisë përfundoi sot në mbrëmje, në Abu Dabi.

Përpara përfundimit të takimit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se negociatat e ardhshme ishin caktuar për nesër.

Negociatat e paqes midis Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës filluan sot në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Abu Dabi.

Zelensky tha se diskutimet do të përqendroheshin në çështjet territoriale.

“Është shumë herët për të nxjerrë përfundime mbi përmbajtjen e negociatave sot: Do të shohim se si do të shkojnë bisedimet nesër dhe cilat do të jenë rezultatet”, tha Zelensky në mesazhin e tij të mbrëmjes, në Kiev.

“Takimi iu kushtua kushteve për t’i dhënë fund luftës ruse”, tha sot në mbrëmje negociatori kryesor i Ukrainës, Rustem Umerov. Ai nuk dha detaje të mëtejshme.

“Shpresoj që bisedimet tripalëshe do të kontribuojnë në “hapa të prekshëm” për t’i dhënë fund krizës prej gati katër vitesh”, tha më herët ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah bin Zayed Al Nahyan.

Media shtetërore ruse raportoi se negociatat do të mbaheshin me dyer të mbyllura.

Në thelb të bisedimeve është kushti i Rusisë për tërheqjen e forcave ukrainase nga pjesa e Donbasit që është ende nën kontrollin e Kievit.

Donbasi është një zonë në Ukrainën lindore që është përqendruar kryesisht në provincat e Donetskut dhe Luhanskut në rajonin tradicional të minierave të qymyrit të vendit.//a.i/

The post ABU DABI – Përfundon raundi i parë i bisedimeve të drejtpërdrejta midis Ukrainës dhe Rusisë  appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – SHBA njofton sanksione të reja ndaj Iranit për shkak të shtypjes së protestuesve

23 January 2026 at 22:05

UASHINGTON, 23 janar /ATSH-DPA/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës planifikojnë të vendosin sanksione të reja ndaj udhëheqjes iraniane, si një formë presioni për t’i dhënë fund shtypjes brutale ndaj protestuesve.

Departamenti Amerikan i Thesarit tha sot në një deklaratë se Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja (OFAC)  po planifikonte sanksione ndaj nëntë anijeve të “flotës hije” dhe pronarëve të tyre përkatës ose kompanive të menaxhimit – që kanë transportuar së bashku qindra miliona dollarë naftë dhe nafte iraniane në tregjet e huaja.

SHBA-ja beson se ato financojnë terrorizmin. Uashingtoni synon të parandalojë shitjet e naftës me anë të sanksioneve dhe të dobësojë financiarisht udhëheqjen e Iranit.

“Regjimi iranian është i angazhuar në një ritual të vetëdjegies ekonomike – një proces që është përshpejtuar nga fushata e presionit maksimal të presidentit Donald Trump”, tha sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent.

“Vendimi i Teheranit për të mbështetur terroristët në vend të popullit të tij –  ka bërë që monedha dhe kushtet e jetesës së Iranit të jenë në rënie të lirë. Sanksionet e sotme synojnë një komponent kritik të mënyrës se si Irani gjeneron fondet e përdorura për të shtypur popullin e vet”, thuhet në deklaratë.

SHBA-ja gjithashtu kritikoi mbylljen e internetit në Iran, pasi ajo fsheh abuzimet. Për më shumë se dy javë, popullsia në Iran është shkëputur kryesisht nga interneti.

Protestat në Iran u shkaktuan fillimisht nga një krizë ekonomike në fund të dhjetorit.

Megjithatë, demonstratat u kthyen shpejt në kryengritje politike kundër sistemit autoritar të Republikës Islamike.

Organi i sigurisë i shtypi brutalisht protestat. Deri tani, demonstratat janë në heshtje të plotë.

“Të paktën 5 002 persona kanë vdekur në valën e fundit të protestave”, sipas agjencisë së lajmeve për Aktivistët e të Drejtave të Njeriut në Iran (HRANA) me qendër në SHBA. //a.i/

The post UASHINGTON – SHBA njofton sanksione të reja ndaj Iranit për shkak të shtypjes së protestuesve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VJENË – Austria planifikon rritjen e deportimeve në Siri dhe Afganistan

23 January 2026 at 21:51

VJENË, 23 janar /ATSH-DPA/- Austria planifikon të rrisë deportimet në Siri dhe Afganistan, tha sot ministri i Brendshëm, Gerhard Karner.

Në vitin 2025, vendi alpin ishte një nga të parët në BE që filloi të dërgonte mbrapsht azilkërkuesit nga të dy vendet, në rastin e Sirisë që nga rënia e regjimit të al-Assad në fund të vitit 2024.

“Deportime të tilla duhet të jenë normë”, tha Karner, i cili i përket Partisë Popullore Austriake konservatore (ÖVP), duke vënë në dukje se Kombet e Bashkuara kishin identifikuar rajone të sigurta në Siri.

“Në përgjithësi, 40 persona në ditë në të gjitha kategoritë u deportuan vitin e kaluar”, tha Karner, duke u zotuar për “zero tolerancë ” për refugjatët që abuzonin me ligjet e imigracionit të vendit.

“Rreth 6 850 persona kishin bërë kërkesa fillestare për azil në Austri, një rënie e madhe nga viti i kaluar. Rreth 4,000 azilkërkues u deportuan gjithsej, duke lënë në total më pak se 3 000 azilkërkues të tjerë në vend gjatë vitit”, tha ministri.

“Një tregues i suksesit në luftën kundër migracionit të paligjshëm është rënia e ndjeshme e numrit të kontrabandistëve të arrestuar”, tha ministri.

Në vitin 2022 dhe 2023, numri ishte rreth 800 në Austri, ndërsa vitin e kaluar u raportua se ishin arrestuar 115 kontrabandistë.

Ashtu si në Gjermani, migracioni i paligjshëm është një nga çështjet më të vështira të politikës së brendshme në Austri.

Sipas ekspertëve, luftimi i migracionit të paligjshëm është një fushë ku Partia e Lirisë së Austrisë (FPÖ) e ekstremit të djathtë pritet të ketë rezultate të mira me qytetarët. //a.i/

The post VJENË – Austria planifikon rritjen e deportimeve në Siri dhe Afganistan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky: Asetet e ngrira ruse të përdoren vetëm për rindërtimin e Ukrainës

23 January 2026 at 20:43

KIEV, 23 janar /ATSH/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky hodhi poshtë sot raportet se Rusia dëshiron të përdorë asetet e ngrira amerikane për rindërtimin e saj, duke e quajtur idenë “absurde” dhe duke përsëritur se të gjitha fondet e ngrira ruse duhej të përdoreshin për të rindërtuar Ukrainën.

Duke folur me gazetarët e “Kyiv Post” nëpërmjet një aplikacioni mesazhesh, Zelensky u pyet mbi deklaratën e fundit të presidentit rus, Vladimir Putin – i cili kishte shprehur gatishmërinë për të përdorur asete të ngrira amerikane me vlerë rreth 5 miliardë dollarë në – për projekte rindërtimi, përfshirë rajonin e Kurskut të Rusisë.

“Ne me siguri do të luftojmë për përdorimin e të gjitha aseteve të ngrira ruse – dhe kjo është absolutisht e drejtë”, tha Zelensky.

“Rusia është agresorja. Kjo njihet nga e gjithë bota. Ata e filluan këtë luftë dhe për këtë arsye Ukraina duhet të rikuperohet nga pasojat e agresionit rus”, tha ai.

Zelensky tha se Kievi e kishte ngritur vazhdimisht çështjen me zyrtarët amerikanë, duke përfshirë edhe asetet e ngrira amerikane me vlerë rreth 5 miliardë dollarë – duke këmbëngulur se ato duhej të përdoreshin për rindërtimin e Ukrainës dhe jo të Rusisë.

“Ne u kemi thënë amerikanëve shumë herë se presim që këto fonde të përdoren për rindërtimin e Ukrainës, sepse Ukraina është vendi që vuajti”, tha ai.

Vlera totale e aseteve sovrane ruse të bllokuara në të gjithë botën është rreth 290 miliardë euro (339 miliardë dollarë), shumica e të cilave mbahen në një numër të vogël juridiksionesh të BE-së dhe G7, sipas bankës qendrore të Ukrainës.

Presidenti tha se qëndrimi i Moskës dukej i palogjikshëm, duke vënë në dukje se asetet ishin ngrirë pikërisht për shkak të pushtimit të Rusisë. //a.i/

 

The post KIEV – Zelensky: Asetet e ngrira ruse të përdoren vetëm për rindërtimin e Ukrainës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ROMË – Gjermania dhe Italia lançojnë itinerarin e ri kulturor “Goethe”

23 January 2026 at 19:51

ROMË, 23 janar /ATSH-DPA/- Gjermania dhe Italia synojnë të zhvillojnë së bashku një itinerar të ri kulturor që përkujton “Udhëtimin Italian” të famshëm të gjigantit letrar gjerman Johann Wolfgang von Goethe (1749-1832).

Plani për të ndjekur gjurmët e Goethe-s nëpër Itali u ra dakord nga ministri gjerman i Shtetit për Kulturën, Wolfram Weimer dhe ministri italian i Kulturës, Alessandro Giuli gjatë konsultimeve qeveritare sot në Romë të premten.

Qëllimi është të krijohet një itinerar kulturor përgjatë vendeve kryesore të udhëtimit të poetit të famshëm.

Goethe udhëtoi nëpër Itali midis viteve 1786 dhe 1788. Rrëfimi i tij “Udhëtimi Italian”, i cili u shkrua midis viteve 1813 dhe 1817, bazohet në këtë udhëtim.

Udhëtimi e çoi atë nëpër Verona, Venecia, Firence, Napoli dhe deri në Siçili, por ai e kaloi pjesën më të madhe të kohës në Romë.

Në kryeqytetin italian ai jetoi në një apartament të përbashkët me piktorin, Johann Heinrich Wilhelm Tischbein dhe artistë të tjerë. Sot, kjo banesë është shtëpia e muzeut Casa di Goethe (Shtëpia e Goethe-s).

Weimer tha se rrëfimi i udhëtimit të Goethe-s në atë kohë ngjalli një mall të qëndrueshëm për Italinë në Gjermani dhe formësoi imazhin e Italisë për shumë breza.

Rruga e planifikuar synon të shfaqë përshtypjet kulturore, historike dhe artistike që patën një ndikim të qëndrueshëm te Goethe, dhe është menduar për udhëtarë të interesuar për kulturën, si dhe për një audiencë të re ndërkombëtare.

Gjithashtu, janë planifikuar oferta si analoge ashtu edhe digjitale, duke përfshirë një aplikacion interaktiv dhe një ekspozitë në “Casa di Goethe” mbi pritjen e Goethe-s në artin dhe letërsinë italiane nga gjysma e dytë e këtij viti. //a.i/

The post ROMË – Gjermania dhe Italia lançojnë itinerarin e ri kulturor “Goethe” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Dymbëdhjetë shtete shpallin gjendjen e jashtëzakonshme ndërsa afrohet stuhia ‘vdekjeprurëse’ e dimrit

23 January 2026 at 18:54

UASHINGTON, 23 janar /ATSH-DPA/- Dymbëdhjetë shtete amerikane kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme – përpara mbërritjes së asaj që mund të jetë një nga stuhitë më të rënda dimërore në vitet e fundit, raportoi sot media amerikane.

E shoqëruar nga reshje të dendura dëbore dhe erëra të akullta, stuhia do të përhapet në një distancë prej rreth 3,000 kilometrash nga Nju Meksiko në jugperëndim deri në Maine në verilindje gjatë fundjavës, paralajmëroi shërbimi meteorologjik.

Linjat ajrore kanë anuluar tashmë qindra fluturime si masë paraprake, sipas raportimeve të medias.

Shumë shkolla anuluan sot mësimin – si masë paraprake.

Ekzistojnë gjithashtu frikëra për ndërprerje të energjisë elektrike, për shkak të rënies së pemëve ose shkëputjes se linjave të energjisë si rezultat i peshës se akullit.

Paralajmërimet e motit ose këshillat speciale janë në fuqi për rreth 160 milionë njerëz.

Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul paralajmëroi se i ftohti mund të jetë “absolutisht vdekjeprurës”.

Në disa pjesë të Minesotës dhe Dakotës së Veriut, temperaturat mund të bien në minus 45 gradë Celsius, sipas shërbimit meteorologjik.

Presidenti amerikan, Donald Trump e përdori të ftohtin ekstrem për t’u dhënë një tjetër goditje ekspertëve të klimës.

“A mund të shpjegojnë kryengritësit mjedisorë – ÇFARË KA NDODHUR ME NGROHJEN GLOBALE???” shkroi ai në Truth Social.

Ndryshimi i klimës do të thotë që temperaturat po rriten gradualisht në një mesatare afatgjatë.

Sipas ekspertëve, frekuenca dhe intensiteti i ngjarjeve ekstreme të motit po rritet gjithashtu si rezultat i ndryshimeve klimatike, duke përfshirë stuhitë dhe reshjet e dendura të shiut. //a.i/

The post SHBA – Dymbëdhjetë shtete shpallin gjendjen e jashtëzakonshme ndërsa afrohet stuhia ‘vdekjeprurëse’ e dimrit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ABU DABI – Nisin bisedimet e paqes midis Ukrainës dhe Rusisë

23 January 2026 at 17:52

ABU DABI /ATSH-DPA/- Bisedimet e paqes midis Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë nisur sot në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), tha vendi i Gjirit, ndërsa takimi do të përqendrohet në çështjet territoriale, sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Bisedimet tripalëshe, që po zhvillohen në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dabi, do të vazhdojnë edhe të shtunën”, shtoi Ministria e Jashtme e Emirateve në një deklaratë.

Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah bin Zayed, shpreson që bisedimet do të kontribuojnë në ndërmarrjen e “hapave të prekshëm” për t’i dhënë fund krizës prej gati katër vitesh.

Në thelb të bisedimeve është kushti i Rusisë për tërhiqjen e forcave ukrainase nga pjesa e Donbasit që është ende nën kontrollin e Kievit.

Donbasi është një zonë në Ukrainën lindore që është përqendruar kryesisht në provincat e Donetskut dhe Luhanskut në rajonin tradicional të minierave të qymyrit të vendit.

“Çështja e Donbasit është një çështje kyçe për bisedimet”, u tha sot Zelensky gazetarëve.

Nuk ka pasur takime zyrtare të drejtpërdrejta midis dy palëve ndërluftuese për disa muaj, me Stambollin si vendi më i fundit.

Megjithatë, zyrtarët ushtarakë rusë dhe ukrainasë kanë përdorur Abu Dabin për takime joformale për të diskutuar shkëmbimin e të burgosurve të luftës.

Uashingtoni ka muaj që udhëheq përpjekjet për të bindur Rusinë dhe Ukrainën të arrijnë një zgjidhje paqësore, por të dy palët ende kanë qëndrime kontradiktore.

Moska pretendon të gjithë provincën lindore ukrainase të Donetskut dhe kontrollon më pak se 80% të saj. Kievi deri më tani ka refuzuar të tërhiqet vullnetarisht.

Provinca fqinje Luhansk kontrollohet pothuajse plotësisht nga trupat ruse.

Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, tha sot se çështjet territoriale duhej të sqaroheshin në përputhje me marrëveshjet e Anchorage, duke iu referuar një takimi midis presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, në Alaska në gusht.

“Qëndrimi i Rusisë është i njohur: Ukraina dhe forcat e armatosura ukrainase duhet të largohen nga rajoni i Donbasit”, tha ai.

Ukraina është mbrojtur kundër pushtimit rus për gati katër vjet, që nga 24 shkurti 2022.

Në muajt e fundit, Ukraina ka pësuar sulme të mëdha në kapacitetin e saj të prodhimit të energjisë, dhe forcat ruse në vijat e frontit kanë bërë përparime të ngadalta. //a.i/

 

 

The post ABU DABI – Nisin bisedimet e paqes midis Ukrainës dhe Rusisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE pezullon për gjashtë muaj paketën tregtare hakmarrëse prej 93 miliardë eurosh kundër SHBA-së

23 January 2026 at 17:30

BRUKSEL, 23 janar /ATSH-DPA/- Bashkimi Evropian planifikon të pezullojë për gjashtë muaj paketën tregtare hakmarrëse prej 93 miliardë eurosh kundër SHBA-së, pas deeskalimit të papritur të mosmarrëveshjes për Groenlandën, këtë javë.

“Rregullorja e përgatitur vitin e kaluar për tarifat ndaj importeve me vlerë 93 miliardë euro (109 miliardë dollarë) do të pezullohet për gjashtë muaj të tjerë”, tha sot një zëdhënës i Komisionit Evropian, në Bruksel.

“Në rastin e kundërt, kjo do të kishte hyrë automatikisht në fuqi më 7 shkurt. Megjithatë, tarifat mund të aktivizohen në çdo kohë – edhe para përfundimit të afatit të pezullimit të ri gjashtëmujor”, shtoi zëdhënësi.

BE kishte kërcënuar me masa pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi tarifa ndëshkuese për mallrat nga Danimarka dhe vendet aleate pasi ato kundërshtuan kërkesën e tij për të blerë Groenlandën.

Të mërkurën në mbrëmje, Trump bëri një kthesë të habitshme, duke thënë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos se nuk do të përdorte forcë në mosmarrëveshjen për ishullin Arktik dhe se po tërhiqte tarifat e tij ndëshkuese të shpallura më herët.

Sipas Trump, një kornizë për një marrëveshje të ardhshme mbi Groenlandën dhe të gjithë rajonin e Arktikut ishte rënë dakord në një takim me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duke i bërë masat e tjera të panevojshme.

Detajet mbeten të paqarta, por sipas burimeve të NATO-s, SHBA-së do t’i lejohet të zgjerojë praninë e saj ushtarake në Groenlandë dhe gjithashtu mund t’i lejohen disa investime atje.

Paketa e tarifave të BE-së u propozua vitin e kaluar pas konfliktit tregtar me SHBA-në në atë kohë.

Kjo do ta bënte eksportin e shumë produkteve industriale dhe bujqësore nga SHBA-ja në BE më të kushtueshme – siç janë aeroplanët, motoçikletat, mishi i viçit, uiski dhe frutat agrumet. //a.i/

 

The post BRUKSEL – BE pezullon për gjashtë muaj paketën tregtare hakmarrëse prej 93 miliardë eurosh kundër SHBA-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ROMË – Samiti ndërqeveritar Itali-Gjermani: Meloni dhe Merz bien dakord të forcojnë bashkëpunimin në mbrojtje dhe siguri

23 January 2026 at 17:13

ROMË, 23 janar /ATSH-ANSA/ – Italia dhe Gjermania kanë forcuar partneritetin e tyre strategjik në një samit në Romë, në sektorë të tillë si mbrojtja, energjia dhe reforma e BE-së.

Takimi sinjalizon një bosht më të fortë Romë-Berlin, ndërsa të dyja qeveritë nxisin përpara derregullimin, integrimin industrial dhe vendimmarrjen më të shpejtë të BE-së përpara Këshillit Evropian të shkurtit.

Roma dhe Berlini po shkojnë përtej koordinimit drejt një partneriteti të strukturuar strategjik, duke nënshkruar marrëveshje të reja mbi konkurrueshmërinë, mbrojtjen dhe qëndrueshmërinë – dhe duke u pozicionuar si përcaktues të rendit të ditës brenda BE-së.

Italia dhe Gjermania përfunduan një samit ndërqeveritar të nivelit të lartë në Romë, me kryeministren Giorgia Meloni dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz që mbikëqyrën nënshkrimin e një pakete marrëveshjesh politike dhe operacionale që synojnë thellimin e bashkëpunimit dypalësh.

Në thelb të samitit ishte miratimi i një Protokolli që lançon një Plan Veprimi të përforcuar për bashkëpunim strategjik, së bashku me:

një marrëveshje sigurie, mbrojtjeje dhe qëndrueshmërie,
një dokument të përbashkët mbi konkurrueshmërinë evropiane, të cilin zyrtarët italianë thonë se do t’i dërgohet zyrtarisht Komisionit Evropian përpara takimit informal të BE-së më 12 shkurt mbi konkurrueshmërinë.

Samiti u pasua nga një seancë e përbashkët plenare, deklarata për shtyp dhe pjesëmarrja e udhëheqësve në Forumin e Biznesit Itali-Gjermani në Romë.

Italia dhe Gjermania janë më afër sot se kurrë. Jemi në një pikë historike veçanërisht komplekse që e detyron Evropën të zgjedhë nëse do të jetë protagoniste e fatit të saj apo do ta vuajë atë: kjo kërkon qartësi, përgjegjësi, guxim dhe inteligjencën e nevojshme për të transformuar krizat në mundësi”, tha kryeministrja Giorgia Meloni në nje konference për shtyp me kancelarin gjerman, Friedrich Merz pas samitit ndërqeveritar Itali-Gjermani.

“Jemi në një pikë historike veçanërisht komplekse që e detyron Evropën të zgjedhë nëse do të jetë protagoniste e fatit të saj apo do ta vuajë atë: kjo kërkon qartësi, përgjegjësi, guxim dhe inteligjencën e nevojshme për të transformuar krizat në mundësi”, theksoi Meloni.

“Ne pajtohemi me kancelaren Merz se nevojitet një ndryshim vendimtar në konkurrueshmërinë e Evropës, pasi një vizion i caktuar ideologjik i tranzicionit të gjelbër, ka gjunjëzuar bizneset tona pa ndikuar në mbrojtjen e mjedisit. Ka hapësirë ​​për të korrigjuar gabimet dhe për të shmangur rënien industriale, por nevojitet guxim”, shtoi ajo.

“Më 12 shkurt, ne do të paraqitemi në Bruksel me një dokument të përbashkët jo-ligjor të fokusuar në disa prioritete urgjente, thjeshtimin e burokracisë evropiane, forcimin e tregut të vetëm, rigjallërimin e industrisë automobilistike nën flamurin e neutralitetit teknologjik dhe një politikë ambicioze tregtare të bazuar në rregulla të përbashkëta dhe një fushë loje të barabartë”, tha Meloni.

“Sistemet tona të prodhimit mund të kontribuojnë në ndërtimin e shtyllës evropiane të Aleancës Atlantike, të cilën e kemi kërkuar për kaq shumë vite pa bërë progres dhe duke vepruar në përputhje me rrethanat. Për këtë qëllim, i kam komunikuar kancelarit Merz vendimin e Italisë për t’u bashkuar me marrëveshjen shumëpalëshe që tashmë ekziston midis Gjermanisë, Francës, Spanjës dhe Britanisë së Madhe për eksportet e armëve,” tha ajo.

Samiti shënon një ndryshim nga koordinimi “ad hoc” në bashkëpunimin e institucionalizuar midis dy ekonomive më të mëdha prodhuese të Evropës.

Roma dhe Berlini po harmonizohen jo vetëm në mënyrë bilaterale, por gjithashtu po rrisin kontributin e përbashkët të politikave direkt në vendimmarrjen në nivel BE-je.

Ky veprim vjen mes përpjekjeve më të gjera për të ribalancuar dinamikën e lidershipit të brendshëm të Evropës dhe për të përshpejtuar reformat mbi konkurrueshmërinë dhe sigurinë.

Tregtia dypalëshe tejkaloi 153 miliardë euro në vitin 2024.

Investimet e kombinuara të huaja direkte gjermane në Itali dhe investimet e huaja direkte italiane në Gjermani tani tejkalojnë 100 miliardë euro, duke nënvizuar thellësinë dhe ekuilibrin e marrëdhënies mes dy vendeve.

Italia dhe Gjermania mbeten partnerët më të rëndësishëm industrialë të njëra-tjetrës brenda BE-së.

Burimet italiane e përshkruajnë dokumentin e përbashkët të konkurrueshmërisë si një shtytje të përbashkët nga dy fuqitë kryesore prodhuese të Evropës për të reduktuar burokracinë, për të përshpejtuar procedurat e miratimit dhe për të forcuar tregun e vetëm.

Dokumenti bën thirrje për një politikë tregtare më ambicioze të BE-së dhe do të kontribuojë në diskutimet në Këshillin Evropian të shkurtit. //a.i/

The post ROMË – Samiti ndërqeveritar Itali-Gjermani: Meloni dhe Merz bien dakord të forcojnë bashkëpunimin në mbrojtje dhe siguri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJENEVË – Komisioneri i OKB-së, Türk, bën thirrje për t’i dhënë fund dhunës në Iran

23 January 2026 at 16:30

GJENEVË, 23 janar /ATSH-DPA/- Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk ka bërë thirrje për t’i dhënë fund dhunës shtetërore kundër protestuesve në Iran dhe për lirimin e të gjithë të arrestuarve.

Gjatë një seance emergjente të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së sot në Gjenevë, ai paralajmëroi gjithashtu për rrezikun e dhunës së jashtme.

Pa përmendur kërcënimet kundër Iranit të bëra nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, Türk paralajmëroi për një përshkallëzim ushtarak.

“Retorika agresive dhe kërcënimet janë thellësisht kundërproduktive”, tha ai.

“Përgjegjësia për shkeljet e të drejtave të njeriut nuk mund të arrihet me forcë ushtarake që vjen nga brenda ose jashtë Iranit”, tha Türk.

“Të paktën 5 002 persona kanë vdekur në valën e fundit të protestave kundër qeverisë”, sipas agjencisë së lajmeve për Aktivistët e të Drejtave të Njeriut në Iran me qendër në SHBA (HRANA).

Seanca emergjente u mblodh me kërkesë të Gjermanisë dhe vendeve të tjera, të cilat kërkojnë në një rezolutë që komisioni, i cili u krijua në vitin 2022, të hetojë edhe dhunën e fundit.

Rezoluta pritet të votohet sot në mbrëmje. //a.i/

The post GJENEVË – Komisioneri i OKB-së, Türk, bën thirrje për t’i dhënë fund dhunës në Iran appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Nottingham Post”: Britanikët zgjedhin Ksamilin

23 January 2026 at 07:34

TIRANE, 23 janar /ATSH/- Turistët që kërkojnë destinacione mahnitëse dhe me diell këtë verë, mund të marrin në konsideratë udhëtimin përtej pikave tradicionale turistike si Spanja ose Greqia, duke eksploruar në vend të tyre Ksamilin, një zonë bregdetare spektakolare e quajtur “Maldivet e Evropës”, sipas një artikulli të botuar në të përditshmen britanike “Nottingham Post”.

Me ujëra të kristalta, peizazhe mahnitëse malore dhe çmime të përballueshme, Ksamili ndodhet përgjatë Rivierës Shqiptare dhe po shndërrohet me shpejtësi në një destinacion të preferuar për turistët britanikë, të tërhequr nga shkëlqimi i tij natyror, klima e ngrohtë dhe birra jashtëzakonisht të përballueshme.

Nuk është çudi që 120 000 vizitorë britanikë udhëtojnë në Shqipëri çdo vit. Vendi i bukur evropian është vetëm tre orë larg me linjë ajrore.

Falë vijës bregdetare piktoreske dhe një grupi plazhesh të qeta, Ksamili përfaqëson një thesar magjepsës që tërheq turistët.

I konsideruar si “Karaibet e Evropës” nga britanikja “The Telegraph” – e cila vlerësoi palmat, plazhin verbues, detin e kaltër dhe çadrat me kashtë – Ksamili ndodhet në Rivierën jugore të Shqipërisë, ku do të gjeni edhe Parkun Kombëtar të Butrintit.

Ky fshat bregdetar është mjaftueshëm i bukur për të magjepsur edhe turistin më me përvojë.

Plazhi i Ksamilit ofron brigje të pastra me rërë dhe temperatura verore që arrijnë deri në 30°C – duke krijuar një vendpushim ideal për adhuruesit e diellit.

Është e rëndësishme të theksohet se Ksamili, mbetet jashtëzakonisht i përballueshëm, me akomodim të disponueshëm për vetëm 20 paund nata, ndërsa vaktet me tre pjata mund të kushtojne deri në 17 paund, raporton “Mirror“.

Gazeta britanike “The Guardian” e renditi Plazhin e Ksamilit dhe bregdetin e Jonit në Shqipëri, në vitin 2013, mes 20 destinacioneve më të mira për pushime në plazh – si për pushuesit britanikë ashtu edhe për ata ndërkombëtarë.

Në vitet në vijim, zona bregdetare shqiptare ka dëshmuar një rritje të konsiderueshme të turizmit që rezultoi në rritjen e numrit të hoteleve.

Sipas DW.com nga maji i kaluar, mbi 11,7 milionë turistë ndërkombëtarë vizituan vendin ballkanik në vitin 2024, me autoritetet që parashikojnë një rritje të numrit të tyre – në 15 milionë deri në fund të vitit 2025 – pothuajse katërfishi i popullsisë së vendit.

Në një përpjekje për të konkurruar me vendet tradicionale të pushimeve, pronarët e hoteleve shqiptare, po kërkojnë të krijojnë lidhje më të forta me vizitorët duke ofruar atraksione kulturore, duke përfshirë degustacione kulinare dhe shfaqje valleve tradicionale shqiptare.

Për më tepër, turistët e magjepsur nga Shqipëria i postojnë rekomandimet e tyre në mediet sociale.

“Plazhet e Ksamilit të kujtojnë ato të Greqisë. Shumica prej tyre janë në pronësi private – por restorantet dhe kafenetë që kanë shezlongje plazhi dhe çadra i ofrojnë ato më lirë pas orës 15:00 pasdite. Ju mund të notoni në ujërat e kristalta ose të shtriheni duke lexuar dhe ngrënë petulla, fruta të freskëta dhe ëmbëlsira të tjera që shiten nga vendasit”, raporton “48 Hours in Europe”.

Adhuruesit e kulturës do të kenë shumë mundësi zgjedhjeje, me një gamë mrekullish natyrore të ndërthurura me një mori monumentesh historike.

Këto variojnë nga Gjirokastra, Vendi i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, dikur një fortesë sulltanore, deri te Parku Arkeologjik i Apollonisë, plot me mbetje të qytetërimeve të lashta greke dhe romake. //a.i/

https://www.nottinghampost.com/news/uk-world-news/maldives-europe-thats-three-hours-10761580

 

 

 

The post “Nottingham Post”: Britanikët zgjedhin Ksamilin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

STRASBURG – Von der Leyen i mbijeton mocionit të mosbesimit në Parlamentin Evropian

22 January 2026 at 22:14

STRASBURG, 22 janar /ATSH/- Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen i ka mbijetuar sot një votëbesimi në Parlamentin Evropian, pas një mocioni mosbesimi të paraqitur nga grupi ekstremist i djathtë “Patriots for Europe” (PfE), sipas “Euronews”.

Rezultati i votimit ishte i qartë: 390 eurodeputetë votuan kundër rrëzimit të Komisioneres, 165 në favor dhe 10 abstenime.

Për të rrëzuar shefen e KE-së, ishte e nevojshme që mocioni të kalonte dy të tretat e votave, që përfaqëson shumicën e të gjithë eurodeputetëve të pranishëm.

Meqë ky prag nuk u arrit, Von der Leyen mbetet në krye të Komisionit të BE-së.

Vendimi erdhi një ditë pas një sfide të rëndësishme për Komisionin. Parlamentit Evropian i është kërkuar të dërgojë marrëveshjen tregtare BE-Mercosur në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian për shqyrtim.

Mocioni i mosbesimit i grupit PfE u fokusua kryesisht tek nënshkrimi i marrëveshjes tregtare me vendet e Amerikës Latine, duke argumentuar se Komisioni nuk i kishte dëgjuar fermerët dhe qytetarët dhe se kishte tejkaluar kompetencat e veta.

Protesta të organizuara nga shoqatat e fermerëve u mbajtën jashtë Parlamentit në Strasburg gjatë javës. Megjithatë, shumica e grupeve politike e mbështetën presidenten e Komisionit.

Debati për mocionin u zhvillua të hënën në Strasburg, me Komisionerin e BE-së për Tregtinë, Marrëdhëniet Ndërinstitucionale dhe Transparencën, Maros Sefcovic, që përfaqësoi Komisionin.

Pothuajse asnjë nga liderët e grupeve politike nuk ishin të pranishëm, gjë që tregoi se mocioni nuk kishte interes të madh dhe rezultati i votës ishte i paracaktuar.

Përveç mbështetësve të mocionit, vetëm disa dhjetëra eurodeputetë të tjerë, kryesisht nga partitë ekstremiste të djathta, votuan për rrëzimin e Von der Leyen, edhe pse shumë eurodeputetë kanë kritikuar marrëveshjen Mercosur dhe politikat e saj.

Eurodeputetët nga grupet kryesore si Partia Popullore Evropiane (EPP), Socialistët dhe Demokratët (S&D), “Reneu Europe” dhe grupi i Gjelbër/ALDE mbështetën Von der Leyen.

Gjatë mandatit të dytë si presidente e Komisionit evropian, Von der Leyen i ka mbijetuar katër mocioneve të mosbesimit.

Votëbesimi i sotëm tregoi një rritje të mbështetjes për shefen e BE-së.

Megjithëse marrëveshja BE-Mercosur ka shkaktuar debate të forta dhe protesta, Von der Leyen ende ka besimin e shumicës së Parlamentit Evropian. //a.i/

The post STRASBURG – Von der Leyen i mbijeton mocionit të mosbesimit në Parlamentin Evropian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌