Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 February 2026Main stream

KIEV – Mbi 1 100 blloqe apartamentesh mbeten pa ngrohje pas sulmeve ruse

5 February 2026 at 21:48

KIEV, 5 shkurt /ATSH-DPA/- Më shumë se 1 100 blloqe apartamentesh në Kiev kanë mbetur pa ngrohje për pjesën tjetër të dimrit, tha sot kryebashkiaku Vitali Klitschko në në Telegram.

Autoritetet në qytetin me rreth 3 milionë banorë publikuan një listë të ndërtesave të prekura nga bombardimet ruse, të gjitha në qarqet, Darnytsia dhe Dniprovskyi në bregun lindor të lumit Dnieper.

Klitschko tha të martën se impianti i ngrohjes qendrore për këto qarqe ishte dëmtuar rëndë, gjatë një sulmi ajror rus. Sipas tij, riparimet do të zgjasin të paktën dy muaj.

Klitschko tha se meqenëse blloqet nuk mund të ngroheshin, ato do të pajiseshin me energji elektrike sa më shumë të ishte e mundur.

Banorët në kryeqytetin ukrainas kanë jetuar pothuajse pa energji elektrike, ngrohje dhe ujë që pas sulmeve të ashpra ajrore në fillim të janarit.

Temperaturat janë nën zero grade Celsius dhe pritet të bien nën minus 10 gradë Celsius javën e ardhshme. //a.i/

 

The post KIEV – Mbi 1 100 blloqe apartamentesh mbeten pa ngrohje pas sulmeve ruse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Komisioneri evropian i Italisë nën kritika për pjesëmarrjen në një aktivitet zgjedhor në Slloveni

5 February 2026 at 20:42

BRUKSEL, 5 shkurt /ATSH/- Komisioneri Evropian i Italisë, Raffaele Fitto, po përballet me kritika për pjesëmarrjen në një aktivitet fushate për udhëheqësin e opozitës sllovene, Janez Janša, në Slloveni, sipas “Euractiv”.

Fitto, një nënkryetar ekzekutiv i Komisionit Europian, qëndroi përkrah Janšas në Lubjanë në një aktivitet të organizuar nga Partia Popullore Evropiane – forca dominuese e qendrës së djathtë – që kontrollon pjesën më të madhe të hartimit të politikave të BE-së – dhe në të cilën partia e Janšas është anëtare.

Janša po bën fushatë për t’u rikthyer në pushtet përpara zgjedhjeve të Sllovenisë më 22 mars.

Eurodeputetët nga grupe të ndryshme politike kanë mbërritur në Lubjanë këtë javë – për të treguar mbështetjeje politike për aleatët e tyre përkatës përpara votimit.

Fitto mbikëqyr financimin rajonal të BE-së dhe është anëtar i partisë kombëtare konservatore të Giorgia Meloni, “Fratelli d’Italia” – pjesë e familjes politike ECR dhe për këtë arsye e dallueshme nga PPE-ja.

“Ne konsiderojmë se kjo është në shkelje të plotë të kodit të sjelljes së komisionerëve”, tha Catherine Martens-Preiss, zëdhënëse e eurodeputetes kryesore të grupit politik liberal, pro-evropian, “Renew Europe”, Valérie Hayer.

Andrius Kubilius, komisioneri i Lituanisë, portofoli i të cilit në BE mbulon mbrojtjen dhe hapësirën, gjithashtu mori pjesë në eventin e PPE-së.

“Ekziston rreziku i minimit të besueshmërisë së Komisionit si një institucion neutral dhe i paanshëm që i shërben interesave të Bashkimit në tërësi”, tha një zëdhënës i S&D. //a.i/

The post BRUKSEL – Komisioneri evropian i Italisë nën kritika për pjesëmarrjen në një aktivitet zgjedhor në Slloveni appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GREQI – Arrestohet për spiunazh koloneli i forcave ajrore, i ofronte Kinës informacione të klasifikuara

5 February 2026 at 20:26

ATHINË, 5 shkurt /ATSH/- Një kolonel i Forcave Ajrore Greke, me akses në informacione të klasifikuara të NATO-s, është arrestuar dhe ka pranuar se ka spiunuar për Kinën, duke nxjerrë sekrete ushtarake që konsiderohen të rëndësishme për sigurinë kombëtare të Greqisë dhe aleancës euroatlantike, sipas “Euractiv”.

Oficeri, rreth 50 vjeç, u ndalua brenda bazës ushtarake ku shërbente në zonën e Kavourit, pas një hetimi të gjatë dhe të fshehtë të shërbimeve sekrete greke.

Dyshimet ndaj tij nisën disa muaj më parë, pas një sinjalizimi nga një agjenci inteligjence aleate, që ngriti alarmin për ekspozimin e të dhënave konfidenciale ndaj palëve të paautorizuara.

Për shkak të detyrës që mbante, koloneli kishte akses të drejtpërdrejtë në dokumente të klasifikuara, përfshirë plane dhe të dhëna të NATO-s.

Sipas autoriteteve, arrestimi u krye në momentin kur u vlerësua se sasia e informacionit që po transmetohej drejt Pekinit ishte rritur ndjeshëm dhe paraqiste rrezik të menjëhershëm.

Hetuesit thonë se gabimi që e zbuloi lidhet me gjurmët digjitale që ai la gjatë aksesimit të dosjeve sekrete.

Përdorimi i kodeve QR për hyrje në materiale të klasifikuara i lejoi shërbimet e kundërzbulimit të ndiqnin rrjedhën e të dhënave dhe të dokumentonin transmetimin e tyre.

Burime pranë hetimit i thanë mediave greke se komunikimi dyshohet të jetë kryer përmes aplikacioneve të koduara, që lejojnë fshirjen e mesazheve.

Megjithatë, provat e mbledhura janë konsideruar të mjaftueshme për arrestimin.

Koloneli ka pranuar veprimtarinë e tij, ndërsa autoritetet po hetojnë nëse ai ka qenë i përfshirë edhe në raste të tjera të ngjashme apo ka vepruar në bashkëpunim me persona të tjerë. //a.i/

The post GREQI – Arrestohet për spiunazh koloneli i forcave ajrore, i ofronte Kinës informacione të klasifikuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IZRAEL – Kabineti i Sigurisë në takim urgjent përpara bisedimeve SHBA-Iran

5 February 2026 at 19:15

TEL AVIV, 5 shkurt /ATSH-DPA/- Kabineti izraelit i sigurisë është mbledhur në një seancë urgjente përpara bisedimeve të planifikuara midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, konfirmoi sot një zyrtar izraelit.

Faqja e internetit e lajmeve ynet raportoi se takimi, i cili fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej të dielën, është shtyrë.

Sipas burimeve iraniane, bisedimet me SHBA-në do të zhvillohen nesër në kryeqytetin e Omanit, Muscat.

Teherani tha se po planifikon të kufizojë bisedimet për programin e tij bërthamor, ndërsa Uashingtoni dëshiron të vendosë në axhendë programin e raketave të Iranit, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe mbështetjen e tij për grupet e armatosura anti-izraelite si Hamasi, Hezbollahu dhe Huthët.

Sipas qeverise izraelite bisedimet SHBA-Iran mund të dështojnë.

“Ynet” raportoi shqetësimet izraelite se presidenti i SHBA-së Donald Trump mund të bëjë lëshime për të arritur një marrëveshje të kufizuar mbi kufizimin e programit bërthamor të Iranit. //a.i/

The post IZRAEL – Kabineti i Sigurisë në takim urgjent përpara bisedimeve SHBA-Iran appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEHERAN – Irani vendos raketë të re balistike nën tokë

5 February 2026 at 18:58

TEHERAN, 5 shkurt /ATSH-DPA/- Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) e Iranit ka vendosur një raketë të re balistike”Khorramshahr 4″, me rreze të mesme veprimi, për herë të parë nën tokë, raportoi sot agjencia e lajmeve “Fars”.

Raketa, të cilën “Fars” e përshkroi si më të përparuarën e Iranit, thuhet se ka një rreze veprimi prej 2,000 kilometrash dhe një ngarkesë prej më shumë se 1 ton eksplozivësh.

Irani po vë në punë një “qytet raketash” të ri nëntokësor në selinë hapësinore të IRGC-së.

Teherani ka njoftuar gjithashtu një ndryshim të rëndësishëm në politikën e tij ushtarake pas luftës 12-ditore me Izraelin qershorin e kaluar, duke kaluar në një sulm të parë nga një pozicion mbrojtës i mëparshëm.

Raketa e re synon të demonstrojë kapacitetin për një sulm të madh të parë ose hakmarrjeje.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar prej kohësh që Irani të kufizojë rrezen e veprimit të raketave të tij balistike.

Teherani lëshon rregullisht raporte mbi armatimet e reja dhe testet e suksesshme të armëve që nuk mund të verifikohen.

Sipas raporteve zyrtare, ajo ka disa lloje raketash me rreze veprimi deri në 2,000 kilometra, duke vendosur objektiva në Izrael dhe bazat amerikane në Rajonin e Gjirit brenda rrezes së veprimit. //a.i/

The post TEHERAN – Irani vendos raketë të re balistike nën tokë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – SHBA-ja dhe Rusia bien dakord të rivendosin dialogun ushtarak të nivelit të lartë

5 February 2026 at 16:50

UASHINGTON/MOSKË, 5 shkurt /ATSH-DPA/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia kanë rënë dakord të rivendosin kontaktet ushtarake të nivelit të lartë – për herë të parë që nga viti 2021, tha sot Komanda Evropiane e SHBA-së.

Marrëveshja u arrit gjatë bisedimeve tripalëshe të paqes në Abu Dabi që synonin zgjidhjen e luftës në Ukrainë.

Kanali i komunikimit midis përfaqësuesve të lartë ushtarakë amerikanë dhe rusë u ndërpre në fund të vitit 2021, përpara se presidenti rus Vladimir Putin të urdhëronte pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

“Ruajtja e dialogut midis ushtrive është një faktor i rëndësishëm në stabilitetin dhe paqen globale, e cila mund të arrihet vetëm përmes forcës dhe ofron një mjet për rritjen e transparencës dhe shmangien e përshkallëzimit”, tha Komanda Evropiane e SHBA-së. //a.i/

The post FOKUS – SHBA-ja dhe Rusia bien dakord të rivendosin dialogun ushtarak të nivelit të lartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ishulli grek ofron akomodim falas në këmbim të kujdesit ndaj maceve endacake

5 February 2026 at 07:40

TIRANË, 5 shkurt /ATSH/- Grupet e mirëqenies së kafshëve në ishullin grek të Sirosit po ofrojnë akomodim, shërbime dhe mëngjes falas për vullnetarët që ndihmojnë në kujdesin e popullatës së madhe të maceve endacake në ishull, sipas “Time Out”.

I menaxhuar nga “Syros Cats”, programi kërkon angazhimin e vullnetarëve për disa javë duke ushqyer, pastruar dhe kujdesur për macet në këmbim të një akomodimi, shpesh me pamje nga deti.

Vullnetarët duhet të jenë përgjegjës, në formë dhe të aftë të angazhohen për të paktën dy deri në gjashtë javë (minimumi një muaj).

Në këmbim të akomodimit, mëngjesit dhe shërbimeve falas, vullnetarët do të kalojnë pesë orë në ditë, ë pesë ditë të javës duke u ushqyer, pastruar dhe mjekuar kafshët.

Misioni i organizatës është të menaxhohet trajtimi i rreth 3 000 maceve endacake në ishull – përmes TNR (sterilizimit human), të monitorohet shëndeti i tyre dhe të ofrohet kujdes veterinar kur është e nevojshme.

Kjo është një mundësi e artë për adhuruesit e kafshëve në vend të pushimeve tradicionale, pasi puna është fizikisht e vështirë, por shpërblyese, sipas “TravelPirates” dhe “Syros Cats”.

Organizata “Syros Cats”, e cila ka qenë në funksion që nga vitet 1990 dhe konsiderohet si një pioniere e lëvizjes për mirëqenien e kafshëve në ishull, po kërkon njerëz të aftë, të shëndetshëm dhe të pavarur për të ndihmuar në trajtimin e maceve.

Detyrat që do t’u jepen vullnetarëve përfshijnë pastrimin, ushqyerjen, socializimin e maceve të vogla të shpëtuara – për t’i ndihmuar ato të përgatiten për shtëpitë e ardhshme.

Ndërsa e gjithë kjo tingëllon si një mënyrë e bukur për të kaluar disa javë në ishull, puna e “Syros Cats” është thelbësore për identitetin e këtij ishulli.

Falë “Syros Cats” dhe “God’s Little People Cat Rescue”, marrëdhënia midis maceve dhe vendasve ka ndryshuar – nga një armiqësi në respekt të ndërsjellë – me ishullin që tani e përqafon popullatën e tij të maceve si një emblemë krenarie.

“Ne duam t’i tregojmë botës se kafshët kanë rëndësi”, tha Richard Bowell, bashkëthemelues i “God’s Little People Cat Rescue” për “Greek Reporter”. //a.i/

 

 

 

 

 

The post Ishulli grek ofron akomodim falas në këmbim të kujdesit ndaj maceve endacake appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRIT Awards 2026 – Noel Gallagher shpallet Kompozitori i Vitit

4 February 2026 at 23:00

LONDËR, 4 shkurt /ATSH-DPA/- Noel Gallagher do të shpallet Kompozitori i Vitit në  ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Brit Awards”, më 28 shkurt.

“Brit Awards 2026” do të jetë edicioni i 46-të i ceremonisë së “Brit Awards”, e prezantuar nga British Fonografic Industry (BPI) për të njohur më të mirët në muzikën britanike dhe ndërkombëtare në vitin 2025.

Gallagher, i cili ka arritur sukses të madh si me “Oasis” ashtu edhe me “High Flying Birds” të Noel Gallagher, ka fituar disa çmime “Brit Awards” në të kaluarën.

Çmimi “Kompozitori i Vitit” njeh talentin e jashtëzakonshëm të shkrimit të këngëve dhe vendoset nga një panel i zgjedhur gjyqtarësh ekspertë.

Fitues të mëparshëm të ketij çmimi përfshijnë Ed Sheeran, Kid Harpoon, Raye dhe Charli xcx.

Gallagher do ta pranojë çmimin në ceremoninë që do të mbahet në Mançester më 28 shkurt.

Ai njihet më së miri si pjesë e grupit Britpop “Oasis” së bashku me vëllain e tij Liam, që kohët e fundit përfunduan turneun botëror të ribashkimit shumë të pritur.

Ai shkroi këngët hit “Wonderwall”, “Don’t Look Back In Anger” dhe “Champagne Supernova” për grupin me bazë në Mançester, përpara se të ndaheshin në vitin 2009 pas një mosmarrëveshjeje midis vëllezërve.

Në gusht të vitit 2024, “Oasis” i dha fund 16 viteve spekulimesh duke konfirmuar një rikthim në skenë, në turneun “Oasis Live 25”.

Ndërkohë, grupi “High Flying Birds” i Noel Gallagher publikoi katër albume të suksesshme.

“Për më shumë se tre dekada, Noel ka krijuar këngë që janë bërë pjesë e historisë sonë kolektive – të guximshme, brilante dhe gjithmonë të dallueshme”, tha kryetarja e Komitetit të Çmimeve “Brit Awards 2026″, Stacey Tang.

“Këngët e tij kanë qenë kolona zanore për breza të shumtë dhe kanë përcaktuar shpirtin e muzikës britanike në nivel global”, shtoi ajo.

“Nderimi i Noel si “Kompozitori i Vitit” vlerëson punën e tij të jashtëzakonshme dhe forcën krijuese që vazhdon të lidhë dhe frymëzojë artistë dhe fansa në të gjithë botën”, theksoi ajo.

Harry Styles dhe Olivia Dean do të performojnë secili në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në “Co-op Live” të Mançesterit, së bashku me Wolf Alice dhe Mark Ronson.

Dean dhe Lola Young kanë marrë më shumë nominime për çmime “Brit Awards” të këtij viti – me pesë nominime secili.

Këngëtari Sam Fender, fituesi më i fundit i Çmimit “Mercury”, u nominua gjithashtu në katër kategori – duke përfshirë Artistin e Vitit, Artistin Alternativ Rock, Albumin më të Mirë dhe Këngën më të Mirë për “Rein Me In”, bashkëpunimin e tij me Dean.

Ndërkohë, grupi britanik “Pulp” shënoi nominimin e parë në 30 vjet për kategorinë e Grupit më të Mirë, ndërsa Lily Allen është nominuar në tre kategori: Albumi më i Mirë, Artistja e Vitit dhe Artistja Pop. //a.i/

The post BRIT Awards 2026 – Noel Gallagher shpallet Kompozitori i Vitit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 4 February 2026Main stream

BRUKSEL – BE e gatshme të rifillojë punën për marrëveshjen e tarifave me SHBA-në

4 February 2026 at 21:44

BRUKSEL, 4 shkurt /ATSH-DPA/- Parlamenti Evropian është gati të rifillojë punën për zbatimin e marrëveshjes së tarifave BE-SHBA pas uljes të tensioneve në mosmarrëveshjen për Groenlandën.

“Komiteti i Tregtisë i Parlamentit Evropian mund të miratojë qëndrimin e tij në një takim më 24 shkurt”, tha sot kryetari i tij, Bernd Lange.

Një votim nga i gjithë parlamenti mund të zhvillohet më pas në mars.

Marrëveshja e arritur në korrik parashikon importe pa taksa të mallrave industriale amerikane në Bashkimin Evropian.

Në këmbim, SHBA-ja ra dakord të kufizojë tarifat për shumicën e importeve të BE-së në një maksimum prej 15%.

Në janar, presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi tarifa ndëshkuese prej 10% për tetë vende evropiane.

Ai kërkoi ta përdorte masën për të ushtruar presion mbi Danimarkën për të blerë Groenlandën. Në përgjigje, Parlamenti Evropian e pezulloi punën për zbatimin e marrëveshjes së tarifave.

Pas bisedimeve muajin e kaluar me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, Trump e tërhoqi kërcënimin.

Ligjvënësit evropianë tani duan të përfshijnë një klauzolë emergjence në tekstet ligjore të marrëveshjes që heqin tarifat e BE-së për produktet amerikane.

“Kjo do të lejonte që zbatimi i marrëveshjes të pezullohej në çdo kohë nëse kërcënohen interesat, siguria ose integriteti territorial evropian”, tha Lange, një politikan gjerman nga Socialdemokratët e qendrës së majtë.

Pas votimit të plotë parlamentar, do të zhvillohen bisedime të mëtejshme me shtetet anëtare të BE-së. Të dyja palët do të duhet të miratojnë zyrtarisht uljet e tarifave. //a.i/

The post BRUKSEL – BE e gatshme të rifillojë punën për marrëveshjen e tarifave me SHBA-në appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – Rubio i bën thirrje Iranit të bëjë lëshime ndërsa negociatat me SHBA-në afrohen

4 February 2026 at 20:41

UASHINGTON, 4 shkurt /ATSH-DPA/- Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio i bëri sot thirrje Iranit të bëjë lëshime në negociatat e ardhshme me Uashingtonin, duke thënë se bisedimet do të duhej të adresonin një sërë çështjesh të rëndësishme në mënyrë që të prodhojnë një rezultat “kuptimplotë”.

“Nëse iranianët duan të takohen, ne jemi gati”, tha Rubio për bisedimet e planifikuara për të premten.

Por, ai tha se programet bërthamore dhe balistike të Iranit, mbështetja e tij për organizatat terroriste në të gjithë rajonin dhe trajtimi i popullit të vet do të duhej të diskutoheshin në tryezë.

“Në fund të fundit, SHBA-ja është e përgatitur të angazhohet dhe gjithmonë ka qenë e përgatitur të angazhohet me Iranin”, u tha ai gazetarëve.

Irani ka refuzuar publikisht të bëjë ndonjë lëshim në programin e tij të raketave, ndërsa sinjalizoi gatishmërinë për të pranuar kufizime në aktivitetet e tij bërthamore.

Sipas mediave iraniane, përfaqësuesit nga të dy vendet do të rifillojnë negociatat “indirekte” këtë të premte në Oman, që do të thotë se ministri i Jashtëm i Omanit do të përcjellë përsëri mesazhe midis dy palëve, siç bëri vitin e kaluar.

Irani tha se ministri i Jashtëm Abbas Araghchi do të përfaqësonte Teheranin. Rubio tha se i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, do të ishte i pranishëm në bisedime, por nuk e konfirmoi Omanin si vendin e takimit.

Ushtria amerikane që atëherë ka zgjeruar kapacitetet e saj ushtarake në rajon, me aeroplanmbajtësen “USS Abraham Lincoln” dhe anije të tjera që kanë arritur në Lindjen e Mesme. //a.i/

The post UASHINGTON – Rubio i bën thirrje Iranit të bëjë lëshime ndërsa negociatat me SHBA-në afrohen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Merz në vizitën e parë në Gjirin Persik, ndërsa Gjermania kërkon partneritete të reja

4 February 2026 at 20:33

BERLIN, 4 shkurt /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman, Friedrich Merz tha sot se Gjermania po kërkon partneritete më të ngushta në rajonin e Gjirit për të mbrojtur pozicionin e saj në një rend global që ndryshon me shpejtësi, përpara udhëtimit të tij në Arabinë Saudite, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ai tha se Gjermania dëshironte të zgjeronte dialogun strategjik me tre shtetet në rajonin e pasur dhe strategjikisht të rëndësishëm me qëllim forcimin e sigurisë afatgjatë, lidhjeve ekonomike dhe zinxhirëve të furnizimit, duke përfshirë naftën dhe gazin.

“Ne kemi nevojë për partneritete të tilla më shumë se kurrë në një kohë kur fuqitë e mëdha po formësojnë gjithnjë e më shumë politikën globale”, tha Merz para se të nisej për në kryeqytetin saudit, Riad.

“Ne do të jemi më të aftë të ruajmë dhe rrisim lirinë, sigurinë dhe prosperitetin tonë në planin afatgjatë nëse kemi partneritete të tilla”, tha Merz.

“Partnerët nuk ndajnë domosdoshmërisht të njëjtat vlera dhe interesa. Por ata ndajnë të njëjtin mirëkuptim se ne kemi nevojë për një rend në të cilin mund të mbështetemi në marrëveshje dhe të trajtojmë njëri-tjetrin me respekt”, tha ai.

Berlini synon të reduktojë varësitë

Që nga marrja e detyrës majin e kaluar, Merz ka vizituar aleatët në Evropë dhe Amerikën e Veriut dhe ka marrë pjesë në samite në Afrikën e Jugut dhe Brazil. Ai udhëtoi në Indi muajin e kaluar.

Ky është udhëtimi i tij i parë në rajonin e Gjirit. Ndalesa e parë është Arabia Saudite, e ndjekur nga Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Berlini po përpiqet të reduktojë varësinë e tij nga superfuqitë si, Kina për eksporte dhe lëndë të para, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbrojtje, gaz natyror të lëngshëm dhe tregti.

“Partneriteti me Arabinë Saudite, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do t’i lejonte Gjermanisë të diversifikonte zinxhirët e saj të furnizimit me naftë dhe gaz”, tha Merz përpara largimit të tij.

Merz gjithashtu vuri në dukje planet e modernizimit të Arabisë Saudite nën drejtimin e Princit të Kurorës Mohammed bin Salman, duke thënë se kjo e bëri të vetmin vend të Grupit të 20 (G20) në Gjirin një partner tërheqës për industrinë gjermane.

“Kompanitë gjermane janë tashmë të përfshira në projekte infrastrukturore në të gjithë vendin, ndërsa fondet sovrane saudite të pasurisë kanë bërë investime të konsiderueshme në Gjermani”, shtoi ai.

Shtetet e Gjirit shihen si strategjikisht të rëndësishme

Që nga kryengritjet e Pranverës Arabe të vitit 2011, qendrat tradicionale të pushtetit në botën arabe si Kajro dhe Damasku janë zhvendosur drejt Gjirit.

Shtetet e Gjirit janë bërë lojtare me ndikim në frontin diplomatik, duke përfshirë luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe konfliktin e Izraelit me Hamasin në Rripin e Gazës.

Në Abu Dabi, kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, një raund i ri bisedimesh midis Rusisë dhe Ukrainës nën ndërmjetësimin e SHBA-së pritet të zhvillohet.

Katari luan një rol qendror në konfliktin e Gazës dhe gjithashtu po ndihmon Gjermaninë të riatdhesojë kriminelët e dënuar në Afganistan përmes kontakteve të saj me talebanët islamistë. //a.i/

 

The post FOKUS – Merz në vizitën e parë në Gjirin Persik, ndërsa Gjermania kërkon partneritete të reja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UKRAINË – Kievi: Bisedimet me Rusinë dhe SHBA-në, kuptimplote dhe produktive

4 February 2026 at 19:51

KIEV, 4 shkurt /ATSH-DPA/- Kryenegociatori ukrainas, Rustem Umerov i përshkroi sot bisedimet e ripërtërira në Abu Dabi për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës si “kuptimplote dhe produktive”, duke thënë se ato synonin hapa specifikë dhe një zgjidhje praktike.

Megjithatë, në një postim në Facebook, ai nuk dha detaje mbi bisedimet tripalëshe, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas takimit tripalësh, negociatat vazhduan në grupe pune.

Negociatat do të vazhdojnë nesër, raportuan disa media, duke cituar Këshillin Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes të Ukrainës.

Umerov përmendi një shkëmbim të mëtejshëm të të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës si një rezultat të mundshëm.

Ai njoftoi në televizionin ukrainas se delegacioni i Kievit do të diskutonte gjithashtu marrëveshjet mbi garancitë e sigurisë dhe rindërtimin.

Dy ditët e fundit të negociatave u zhvilluan pavarësisht rifillimit të sulmeve nga Moska ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, ndërsa autoritetet ukrainase raportuan sulme gjatë natës në disa rajone gjatë dy ditëve të fundit.

Bombardimi la përsëri miliona njerëz pa energji elektrike dhe ngrohje gjatë temperaturave të ashpra të dimrit dhe ndërpreu riparimet e vazhdueshme në rrjet.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Moskën për shkelje të armëpushimit të kufizuar të ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe kërkoi një përgjigje nga Uashingtoni.

Raundi i parë i bisedimeve tripalëshe u zhvillua në mesin e janarit, ndërsa një takim pasues i planifikuar për të dielën e kaluar u shty me një njoftim të shkurtër.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS raportoi për një marrëveshje të mundshme të arritur gjatë bisedimeve të fundit në Abu Dabi se Ukraina nuk do të bashkohej me NATO-n, bazuar në burime pranë delegacionit të Moskës. TASS e bazoi këtë në burime pranë delegacionit të Moskës. //a.i/

The post UKRAINË – Kievi: Bisedimet me Rusinë dhe SHBA-në, kuptimplote dhe produktive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

REPUBLIKA ÇEKE – Mbyllet miniera e fundit e qymyrit, duke i dhënë fund një tradite 250-vjeçare

4 February 2026 at 19:30

PRAGË, 4 shkurt /ATSH-DPA/- Me një karrocë simbolike të fundit me qymyr të zi të ngritur nga një thellësi prej 1300 metrash, Republika Çeke shënoi sot fundin e minierave të qymyrit pas gati 250 vjetësh.

Të ftuar të shumtë morën pjesë në ceremoninë zyrtare të lamtumirës në minierën CSM në Stonava pranë kufirit të Republikës Çeke me Poloninë.

Kompania shtetërore e minierave OKD tha se miniera e fundit e mbetur, e qymyrit të zi ishte mbyllur pasi nuk ishte më e qëndrueshme ekonomikisht – për shkak të kostove të larta të prodhimit.

“Ne duam ta përdorim këtë moment historik për të treguar respekt ndaj të gjithë minatorëve – gjatë pothuajse 250 viteve, që ishin rreth 10 breza”, tha drejtori i përgjithshëm i OKD, Roman Sikora.

Miniera CSM ka një histori të gjatë. Tunelet dhe galeritë shtrihen në një sipërfaqe prej më shumë se 1 milion metra.

Në vitin 1992, një martesë u zhvillua në një thellësi prej rreth 900 metrash, kur një elektricist miniere dhe një shitëse shkëmbyen zotime.

Një vit më parë, dramaturgu, aktivisti i të drejtave civile dhe presidenti i atëhershëm Václav Havel bëri një udhëtim nën tokë.

Në rajonin industrial të Moravian-Silesia, i cili është formësuar shumë nga minierat, një epokë merr fund me mbylljen e minierës së fundit të qymyrit.

Rreth 700 punonjës do të vazhdojnë të jenë të angazhuar në punën e çmontimit. Pjesës tjetër do t’i ofrohet rikualifikim.

Qymyri i fortë, i njohur edhe si qymyr i zi ose antracit, është një lloj qymyri me një pamje të shndritshme.

Ai ka përmbajtjen më të lartë të karbonit, më pak papastërti dhe dendësinë më të madhe të energjisë nga të gjithë qymyret.

Nxjerrja e linjitit në minierat e hapura në Republikën Çeke nuk është planifikuar të përfundojë deri në vitin 2033.

Gjermania mbylli minierën e saj të fundit të qymyrit të fortë në Bottrop në rajonin e saj industrial të Ruhr në vitin 2018. //a.i/

The post REPUBLIKA ÇEKE – Mbyllet miniera e fundit e qymyrit, duke i dhënë fund një tradite 250-vjeçare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI – Kisha e Romës mbulon fytyrën e engjëllit që i ngjante Melonit

4 February 2026 at 18:35

ROMË, 4 shkurt /ATSH-DPA/- Kisha e Romës ka mbuluar me një shtresë të re boje, fytyrën e një engjëlli – pas debatit të ashpër publik dhe një rritjeje të kuriozitetit, lidhur me ngjashmërine e tij me kryeministren italiane, Giorgia Meloni.

Afresku, i vendosur në një kapelë anësore të Bazilikës së Shën Lorencit në Lucina, i ishte nënshtruar së fundmi një restaurimi – pas të cilit një engjëll shfaqte tipare të ngjashme me udhëheqësen e krahut të djathtë.

Në pikturë, engjëlli mban në duar një hartë që përshkruan konturet gjeografike të Italisë.

Restaurimi i engjëllit u krye nga vullnetari 83-vjeçar i kishës Bruno Valentinetti, individi përgjegjës për ndryshimet moderne.

Në një intervistë për “La Repubblica”, Valentinetti konfirmoi se e kishte mbuluar fytyrën e engjëllit me bojë duke ndjekur udhëzimet e Vatikanit.

Afresku ishte bërë një magnet për vizitorët në kryeqytetin italian që nga fundjava e kaluar, pasi fytyra e re ee ngjëllit tregonte një ngjashmëri me atë të Meloni.

Çështja arrin te papa

Daniele Micheletti, prifti i famullisë, konfirmoi se fytyra e engjëllit ishte rilyer me një shtresë të re boje.

Dioqeza e Romës tha më herët se do të merrej një vendim “në nivelin më të lartë”. Të gjitha kishat në Romë janë nën autoritetin e papa Leone XIV.

Imazhi origjinal do të restaurohet

Valentinetti, tha se ngjashmëria ishte e qëllimshme, duke pranuar më në fund të vërtetën për “La Repubblica”.

“Në rregull, ishte Meloni”, tha ai, megjithëse pretendoi se ngjashmëria ishte ende e bazuar në pikturën paraprake.

Aktualisht, pritet të fillojë puna për një restaurim profesional për ta rikthyer afreskun në gjendjen e tij origjinale. //a.i/

 

The post ITALI – Kisha e Romës mbulon fytyrën e engjëllit që i ngjante Melonit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RIGË – Trupat e NATO-s i bashkohen zyrtarisht brigadës së udhëhequr nga Gjermania në Lituani

4 February 2026 at 17:49

RIGË, 4 shkurt /ATSH-DPA/- Forcat e armatosura gjermane po vazhdojnë të zgjerojnë brigadën e tyre në Lituani, ndërsa trupat e NATO-s janë stacionuar tashmë në shtetin baltik – të integruara zyrtarisht në Brigadën e 45-të Panzer (Tanke) të Bundeswehr, e njohur edhe si Brigada e Lituanisë.

Ushtarët nga “Grupi Shumëkombësh i Betejës, Lituani” janë gjithashtu nën komandën e brigadës, duke rritur forcën e saj lokale në rreth 1,700 forca ushtarake.

Gjermania e krijoi brigadën në përgjigje të asaj që e sheh si një kërcënim në rritje për NATO-n nga Rusia.

Brigada u vu zyrtarisht në shërbim në prill 2025 dhe pritet të bëhet plotësisht operacionale si një njësi luftarake deri në vitin 2027, me një forcë totale prej 4800 ushtarësh dhe 200 civil.

“Roli kryesor i Gjermanisë në mbrojtjen e krahut lindor të NATO-s është i paçmuar”, tha ministri i Mbrojtjes i Lituanisë, Robertas Kaunas në fjalimin e tij në ceremoninë në qytetin e Kaunas.

“Brigada është “parandaluesi më i mirë” për Lituaninë dhe rajonin”, tha ai.

Ky dislokim shënon një nisje historike për Bundeswehr-in, pasi përfaqëson herën e parë që një formacion i madh luftarak gjerman stacionohet përgjithmonë jashtë vendit. //a.i/

The post RIGË – Trupat e NATO-s i bashkohen zyrtarisht brigadës së udhëhequr nga Gjermania në Lituani appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Bisedimet Iran-SHBA do të mbahen të premten në Oman

4 February 2026 at 17:37

TEHERAN, 4 shkurt /ATSH-DPA/- Negociatat midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit do të zhvillohen në Oman këtë javë, raportuan sot mediet iraniane, megjithëse qeveritë në Uashington dhe Teheran ende nuk e kanë konfirmuar vendndodhjen.

Agjencia iraniane e lajmeve “Tasnim” raportoi se “negociatat indirekte” do të mbaheshin të premten në kryeqytetin e Omanit, Muscat, duke u përqendruar në programin bërthamor të Iranit dhe heqjen e sanksioneve.

Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së Steve Witkoff pritet të marrin pjesë në bisedime.

Sipas “Tasnim”, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Esmail Baghaei tha me herët se si Turqia ashtu edhe Omani, si dhe disa vende të tjera në rajon, kanë “deklaruar gatishmërinë e tyre” për të pritur takimin.

Stambolli, fillimisht u përmend në mediat amerikane si një vend i mundshëm për bisedimet.

Ministria tha se Araghchi kishte biseduar dje në mbrëmje me homologët e tij në Turqi, Oman, Katar dhe Kuvajt.

Ai thuhet se falënderoi ministrin e Jashtëm turk Hakan Fidan për përpjekjet e tij për të ulur tensionet dhe mbështetjen e tij për paqen dhe sigurinë në rajon.

Përpjekjet për të gjetur një vend për negociatat vijnë mes shqetësimeve të reja në lidhje me një sulm ushtarak amerikan ndaj Iranit.

Pas një vale protestash në Iran të cilat u shtypën brutalisht në fillim të këtij viti nga forcat e sigurisë, presidenti i SHBA-së Donald Trump kërcënoi të ndërhynte, duke u thënë demonstruesve se do të ofronte ndihmë.

Ushtria amerikane që atëherë ka zgjeruar kapacitetet e saj ushtarake në rajon, me aeroplanmbajtësen “USS Abraham Lincoln” dhe anije të tjera që janë dislokuar në Lindjen e Mesme.

Bisedimet ka të ngjarë të mbulojnë gjithashtu programin bërthamor të diskutueshëm të Iranit, pasi SHBA-ja bombardoi vendet kryesore bërthamore në të gjithë vendin vitin e kaluar. //a.i/

The post FOKUS – Bisedimet Iran-SHBA do të mbahen të premten në Oman appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZA – Të paktën 21 të vrarë mes luftimeve të ripërtërira në territorin bregdetar

4 February 2026 at 16:34

GAZA/TEL AVIV, 4 shkurt /ATSH-DPA/- Të paktën 21 persona u raportuan të vrarë dhe më shumë se 30 të tjerë u plagosën sot nga sulmet izraelite në Gaza, pas luftimeve të ripërtërira në territorin bregdetar, tha autoriteti shëndetësor i kontrolluar nga Hamasi.

Ai tha se incidentet ndodhën në të gjithë Rripin e Gazës që nga mëngjesi i sotëm, gjë që nënvizon brishtësinë e armëpushimit midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF), në një postim në Telegram, thanë se kryen disa sulme në Gazën veriore pasi terroristët hapën zjarr ndaj trupave të IDF-së, duke plagosur rëndë një ushtare rezervë.

IDF tha se ishte sulmuar pranë të ashtuquajturës “vijë e verdhë”, përtej së cilës forcat izraelite janë tërhequr sipas marrëveshjes së armëpushimit.

Autoriteti shëndetësor i Gazës tha se shtatë nga 21 vdekjet ndodhën gjate bombardimeve  izraelite në jug të territorit.

Agjencia e mbrojtjes civile e kontrolluar nga Hamasi tha se një vajzë 12-vjeçare ishte midis të vrarëve. Të pyetur për incidentin, ushtria izraelite tha se po hetonte raportet.

Zyrtarët palestinezë të shëndetit raportuan gjithashtu 14 viktima në disa lagje të Qytetit të Gazës në veri. Sipas autoritetit të mbrojtjes civile, një foshnjë ishte midis të vrarëve. Ai tha se ishin sulmuar tendat që strehonin persona të zhvendosur dhe ndërtesat e banimit.

Pretendimet nga të dyja palët nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Një armëpushim ka qenë në fuqi midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas që nga 10 tetori 2025.

Pavarësisht marrëveshjes, ka pasur përleshje të përsëritura vdekjeprurëse, me të dyja palët që akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të kushteve të saj. //a.i/

The post GAZA – Të paktën 21 të vrarë mes luftimeve të ripërtërira në territorin bregdetar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UKRAINË – Të paktën shtatë të vrarë pas sulmeve ajrore ruse

4 February 2026 at 16:15

KIEV, 4 shkurt /ATSH-DPA/- Të paktën shtatë persona janë vrarë dhe tetë të tjerë janë plagosur në sulmet ruse në qytetin lindor ukrainas të Druzhkivkas, thanë sot autoritetet ukrainase.

Guvernatori rajonal i Donetskut, Vadym Filashkin, konfirmoi vdekjet në një postim në Telegram, duke shtuar se bombat kishin goditur zonën e tregut të qytetit.

“Ushtria ruse hodhi gjithashtu dy bomba në zonën industriale të qytetit dhe dëmtoi disa ndërtesa”, tha ai.

Filashkin u bëri thirrje banorëve të mbetur të zhvendoseshin në zona më të sigurta. Vlerësohet se rreth 19 000 banorë kanë mbetur deri me tani nga 54 000 para luftes.

Vija e frontit është rreth 15 kilometra larg.

Ukraina është mbrojtur kundër pushtimit rus në shkallë të plotë për gati katër vjet me ndihmën perëndimore. Donetsku është një nga katër rajonet ukrainase të pretenduara nga Rusia, si dhe gadishulli i Krimesë.

Pak më shumë se 20% e Donetskut është ende nën kontrollin e Ukrainës. //a.i/

The post UKRAINË – Të paktën shtatë të vrarë pas sulmeve ajrore ruse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Media spanjolle rekomandon Rivierën Shqiptare si destinacionin kryesor për vitin 2026

4 February 2026 at 08:00

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/- Harrojini destinacionet e njohura turistike! Këtë vit, ne ju rekomandojmë vende ku do të zbuloni luksin e autenticitetit, qetësinë aziatike, dizajnin portugez dhe kryeqytetin e paparashikueshëm kulturor shqiptar, shkruan Gabriel Echeverría në një artikull të botuar në median spanjolle “The Officer”.

Nëse janari ishte muaji i premtimeve, shkurti duhet të jetë muaji i planifikimit të pushimeve tuaja!

Kjo, pasi udhëtimet në vitin 2026 nuk duhet t’i kushtohen destinacioneve klasike ku të gjithë turistët shkojnë për të bërë të njëjtën foto – por, zbulimit të “luksit të qetë” që nuk mund të blihet me para, por me kuriozitet!

Duke kombinuar të dhënat e trendit global me axhendën tonë editoriale, ne kemi zgjedhur destinacionet më të mira për t’u vizituar për pushime në vitin 2026 – vende ku është ende e mundur të ndihesh si udhëtar, dhe jo si turist!

Eksperiencë e zgjuar: Riviera Shqiptare

Nëse hapni Instagram-in ose TikTok-un, imazhet e bregdetit shqiptar shfaqen kudo!

Shqipëria është shndërruar nga një destinacion sekret në një obsesion evropian. Dhe kjo është kuptimplote!

Vija bregdetare shqiptare është e ngjashme me ujërat bruz të Greqisë dhe Italisë, por shërbimet ofrohen me gjysmën e çmimit dhe ka më pak turma vizitorësh, të paktën për momentin!

Pikat e nxehta si Ksamili ose Dhërmiu ofrojnë pushime verore mesdhetare të viteve ’90: natyrë e egër dhe e thjeshtë.

Udhëtoni drejt Tiranës, kryeqytetit të gjallë dhe kulturor që të surprizon, dhe më pas vizitoni jugun e Shqipërisë!

Qëndroni në hotele me pamje nga deti Jon dhe shijoni prodhimet e freskëta të detit.

Nxitoni, pasi deri në vitin 2027 – e gjithë kjo mund të ndryshojë!

Mos prisni deri në gusht. Trendet e vitit 2026 favorizojnë turistët që udhëtojnë gjatë sezoneve maj-qershor ose shtator-tetor.

Mot i ngrohtë, shërbim më i mirë dhe ndjesi e paçmuar e të pasurit qytetin tërësisht për veten tuaj!

Revista spanjolle “The Officer” ka renditur destinacionet më të mira për t’u vizituar për pushime në vitin 2026:

1. Eksperiencë e zgjuar: Riviera Shqiptare, Shqipëri

2. Shteti Zen: Shtegu Okinawa, Japoni

3. Parajsa e Dizajnit: Alentejo, Portugali     //a.i/

https://theofficer.es/destinos-turisticos-vacacionar-2026/

 

 

 

The post Media spanjolle rekomandon Rivierën Shqiptare si destinacionin kryesor për vitin 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

FOKUS – Starmer dhe Trump bien dakord për të garantuar të ardhmen e bazës ushtarake në Ishujt Chagos

3 February 2026 at 22:59

LONDËR, 3 shkurt /ATSH-DPA/- Kryeministri britanik Keir Starmer dhe presidenti i SHBA-së Donald Trump ranë dakord të vazhdojnë të punojnë ngushtë për të garantuar funksionimin e ardhshëm të bazës ushtarake britanike-amerikane në Ishujt Chagos, tha sot “Downing Street”.

Ky është diskutimi i parë midis dy udhëheqësve në lidhje me marrëveshjen e dorëzimit të Ishujve Chagos në Britaninë e Madhe – që nga sulmi i jashtëzakonshëm i presidentit të SHBA-së ndaj marrëveshjes muajin e kaluar.

“Duke iu referuar Diego Garcias dhe marrëveshjes që Britania e Madhe ka siguruar për të ruajtur kontrollin e bazës ushtarake SHBA-BM për të mbrojtur sigurinë kombëtare, udhëheqësit e njohën rëndësinë e saj strategjike”, tha Zyra e Starmer në një deklaratë.

“Udhëheqësit ranë dakord të vazhdojnë të punojnë ngushtë për të garantuar funksionimin e ardhshëm të bazës dhe do të flasin përsëri së shpejti”, thuhet në deklaratë.

Sipas marrëveshjes, me vlerë 35 miliardë paund (48 miliardë dollarë) gjatë shekullit të ardhshëm, Britania e Madhe do t’ia heqë sovranitetin e Territorit Britanik të Oqeanit Indian Mauritiusit, por do ta japë me qira objektin në ishullin Diego Garcia.

Trump në janar e kritikoi ashpër marrëveshjen, duke e quajtur atë një “akt të budallallëkut të madh”, një “akt të dobësisë totale”, duke pretenduar se vendi i bazës ushtarake jetësore po jepej “pa asnjë arsye”.

Kritika e tij erdhi ndërsa tensionet transatlantike u ndezën për shkak të ambicieve të tij për të marrë kontrollin e Groenlandës, me Starmerin që e akuzoi atë në atë kohë se i bëri deklaratat me “qëllimin për të ushtruar presion” mbi Britaninë e Madhe – për të shmangur kundërshtimet e saj ndaj kërkesave të tij mbi ishullin Arktik.

Legjislacioni për ratifikimin e marrëveshjes është në fazat e tij përfundimtare në parlament. Gjatë telefonatës së parë midis Starmer dhe Trump më 24 janar, çështja Chagos nuk u përmend.

Javën e kaluar, kryeministri Starmer këmbënguli se presidenti republikan fillimisht e kishte mbështetur marrëveshjen “në terma shumë të qartë” pas nënshkrimit nga agjencitë e inteligjencës amerikane.

Ai vuri në dukje shprehjet publike të mbështetjes nga presidenti amerikan dhe ekipi i tij i lartë, të cilët e vlerësuan marrëveshjen si një “arritje monumentale”, duke siguruar të ardhmen afatgjatë të bazës së përbashkët në Diego Garcia, ishulli më i madh i Arkipelagut Chagos. //a.i/

 

 

 

The post FOKUS – Starmer dhe Trump bien dakord për të garantuar të ardhmen e bazës ushtarake në Ishujt Chagos appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌