Kompensim 10% të TVSH-së për fermerët nga 1 janari
TIRANË, 3 janar /ATSH/ Nga data 1 janar 2026 ka nisur zbatimi i skemës së kompensimit të TVSH-së 10% për fermerët që do të shesin prodhimet e tyre bujqësore tek grumbulluesit, përpunuesit apo agroturizmet e certifikuara.
Ligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar” i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, pjesë e paketës së re fiskale 2026, përcakton se kompensimi i TVSH-së 10% të fermerëve do të bëhet mbi vlerën e faturave të lëshuara nga blerësi i produkteve të tyre bujqësore.
Për fermerët e pajisur me NIPT tatimor, pra që nuk janë subjekte të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), ligji parashikon se fatura e shitjes apo autofatura lëshohet prej blerësve të mallrave bujqësore.
Në total, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, nga viti 2018 deri në shtator 2025 janë të pajisur me NIPT tatimor 110 mijë fermerë.
Ky është një hap strategjik në mbështetje të fermerëve dhe prodhimit vendas, duke synuar rritjen e konkurrueshmërisë së bujqësisë shqiptare në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare.
/e.xh/r.e/
The post Kompensim 10% të TVSH-së për fermerët nga 1 janari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.