Viti 2025 u shënua nga një seri ngjarjesh që tronditën vendin tonë dhe lanë gjurmë të thella në jetën e shumë familjeve. Gjatë këtij viti, 39 persona humbën jetën në mënyra të ndryshme – disa si pasojë e konflikteve të vjetra, disa për hakmarrje, të tjerë për mosmarrëveshje banale ose tragjedi aksidentale. Secila vrasje përmban një histori të dhimbshme pas saj: plagë të hapura, zemra të thyera dhe komunitete të tronditura. Nga qytetet e mëdha deri te fshatrat më të vegjël, dhuna dhe krimi u bënë pjesë e përditshmërisë, duke nxjerrë në pah nevojën për ndërgjegjësim, drejtësi dhe siguri për të gjithë.
*Ramazan Mataj u ekzekutua në Shkodër në një atentat mafioz të ndodhur në zonën e Dragoçit, më 4 janar, teksa po kthehej me automjet drejt banesës së tij. 33-vjeçari u qëllua me breshëri arme zjarri të tipit kallashnikov, rreth një vit pasi ishte kthyer nga Belgjika në Shqipëri.
Sipas hetimeve, Ramazan Mataj kishte pasur për një kohë të gjatë një lidhje dashurie me një vajzë nga fshati i tij. Kjo marrëdhënie konsiderohej e ndaluar nga familja e së resë, e cila e kishte martuar atë dy herë. Dyshohet se të dyja martesat janë prishur pikërisht për shkak të kësaj historie dashurie, të cilën të rinjtë nuk e ndërprenë. Situata nuk u pranua nga vëllai i madh i vajzës, i cili në një rast kishte deklaruar se i kishte parë ata së bashku.
I ndikuar nga mllefi i grumbulluar, mentaliteti dhe rrethi shoqëror, si dhe nga fakti që motra e tij ishte dëbuar nga familja, Arjon Hasaj, 29 vjeç, dyshohet se thuri planin për të vrarë bashkëfshatarin e tij, Ramazan Matajn. Në lidhje me këtë ngjarje, në pranga ranë dy vëllezërit Arjon dhe Klisman Hasaj, ku ky i fundit dyshohet se ka ndihmuar Arjon Hasajn të fshehë armën e krimit, e përdorur për ekzekutimin e 33-vjeçarit.
*Një sipërfaqe toke që Bujar Nasufi u kishte shitur fqinjëve të tij, familjes Xhani, në zonën e Selitës, u shndërrua vite më vonë në shkak për një konflikt të ashpër, i cili u mbyll vetëm me vrasjen e tij. Mbrëmjen e 12 janarit, 56-vjeçari u ekzekutua teksa po hynte me automjet në oborrin e banesës, ku ndodhej edhe bashkëshortja e tij.
Tetë muaj pas ngjarjes, Policia e Tiranës arriti të zbardhë motivin e eliminimit dhe të identifikojë porositësit e atentatit, të cilët rezultuan të jenë vëllezërit Voltan dhe Jugert Xhani. Sipas hetimeve, trualli që Bujar Nasufi i kishte shitur familjes Xhani, ndonëse pagesat ishin kryer, nuk ishte kaluar kurrë në pronësi të tyre dhe vazhdonte të figuronte në dokumente në emër të 56-vjeçarit.
E njëjta sipërfaqe toke u përfshi më pas në projektin e Unazës së Madhe, çka solli procesin e dëmshpërblimit për pronarët. Për shkak se në dokumente pronar rezultonte Bujar Nasufi, shteti i kaloi atij shumën e dëmshpërblimit prej rreth 30 mijë eurosh. Megjithatë, pasi përfitoi paratë, 56-vjeçari nuk ia dorëzoi familjes Xhani, duke ndezur një konflikt që zgjati për disa vite.
Duke mos e pranuar këtë situatë dhe të nxitur nga përplasjet e vazhdueshme, vëllezërit Voltan dhe Jugert Xhani dyshohet se porositën një vrasës me pagesë për eliminimin e Bujar Nasufit.
*81-vjeçari Xhemal Meta u gjet i pajetë më 13 janar në fshatin Shëngjin i Vogël, në Tiranë. Sipas hetimeve, viktima u qëllua për vdekje me çekiç nga 64-vjeçari Isuf Hasa, i cili e goditi Metën në pjesën e pasme të kokës, duke i shkaktuar humbjen e jetës. Pas krimit, autori dyshohet se fshehu mjetin e përdorur, çekiçin, në banesën e vajzës së tij, ndërsa nga viktima mori edhe një shumë parash prej 200 mijë lekësh.
Pas arrestimit, Isuf Hasa deklaroi se kishte shkuar në shtëpinë e Xhemal Metës, ku kishin pirë kafe dhe më pas kishin pasur një debat. Sipas pretendimeve të tij, viktima e bullizonte dhe e ofendonte vazhdimisht, ndërsa gjithashtu kishte ngacmuar edhe bashkëshorten e tij, rrethana që, sipas autorit, çuan në përplasjen fatale.
*30-vjeçari Kristjan Marku u ekzekutua me armë zjarri të tipit pistoletë “Glock” përballë një karburanti, në afërsi të fshatit Novoselë. Nga të paktën 10 të shtëna të drejtuara ndaj tij, Marku u godit nga vetëm dy predha, të cilat rezultuan fatale. Në momentin e atentatit, viktima po udhëtonte nga Fieri drejt Vlorës me automjetin e tij tip “Passat”, me targa “AB 107 PN”, kur paralelisht me mjetin e tij, nga krahu i djathtë i pasagjerit, është afruar një automjet tip “Golf”, nga ku është qëlluar disa herë me pistoletë në drejtim të tij.
Kristjan Marku, i njohur edhe me identitetin Kristi Bardhi, ishte nga Mirdita dhe rezulton të jetë nipi i Martin Bardhit, i cili u vra në Rrëshen në shtator të vitit 2023. Sipas të dhënave hetimore, 30-vjeçari dyshohet se ka qenë i përfshirë edhe si autor në një ngjarje të mëparshme, atë të datës 26 mars 2023, rreth orës 19:00, në Rrëshen, ku pati të shtëna me armë zjarri në drejtim të Saimir Reçit.
Motivi i vrasjes së Kristjan Markut dyshohet të lidhet me sagën e hakmarrjes mes dy fiseve në Rrëshen të Mirditës, një konflikt i përgjakshëm i nisur prej rreth një dekade dhe që deri më tani ka sjellë të paktën shtatë viktima.
Në lidhje me këtë ngjarje, në pranga ka rënë vetëm një nga autorët e dyshuar, Erald Cenaj, ndërsa autorët e tjerë vijojnë të jenë në arrati. Nga hetimet aktive u arrit të dokumentohej se automjeti i përdorur nga autori apo autorët për ekzekutimin e Markut ishte siguruar nga 36-vjeçari Erald Cenaj, i lindur dhe banues në qytetin e Kukësit. Dyshohet se 36-vjeçari e kishte sjellë automjetin tip “Volkswagen Golf” nga jashtë vendit, pasi ai nuk rezulton i regjistruar në Shqipëri. Ndaj tij është ngritur akuza për “sigurim të kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”.
*Më 16 janar, 34-vjeçari Flamur Kamberi vrau aksidentalisht kushëririn e tij, Vasil Kamberi, teksa ndodheshin në pyll. Ngjarja ndodhi gjatë një daljeje për gjueti, ku dy kushërinjtë ishin të shoqëruar nga tre persona të tjerë. Sipas hetimeve, Flamur Kamberi ka qëlluar aksidentalisht me armën e gjahut drejt 36-vjeçarit Vasil Kamberi, i cili, si pasojë e plagëve të marra, ndërroi jetë gjatë transportimit me helikopter për në spital.
Në vendin e ngjarjes, policia sekuestruar si prova materiale katër armë gjahu (çifte), dy gëzhoja, 22 copë fishekë dhe katër celularë, të cilat ndihmuan në dokumentimin e ngjarjes dhe hetimin e saj.
*Lulzim Visha u gjet i vrarë brenda automjetit të tij më 24 janar, i ekzekutuar me të paktën 12 plumba pistolete.
Si i dyshuar për përfshirje në këtë vrasje u arrestua Eduart Lami, por ndaj tij u ngritën vetëm akuzat për armëmbajtje pa leje, të cilat ai i shlyeu gjatë kohës së qëndrimit në paraburgim. Hetuesit nuk arritën të gjenin prova të tjera që ta lidhin Eduart Lamin me vrasjen e Vishës, dhe për këtë arsye gjykata urdhëroi lirimin e tij nga qelia.
Aktualisht, në kërkim vijon të jetë Ervis Lami, i cili konsiderohet si i dyshuari kryesor për vrasjen e postierit.
*Asim Gjoni, 37 vjeç, u qëllua për vdekje me thikë nga babai i tij, 74-vjeçari Hekuran Gjoni. Ngjarja ndodhi më 1 shkurt tek Kodra e Priftit, në rrugën “Ilia Shyti” në Tiranë, brenda banesës së familjes Gjoni.
Një ditë pas ngjarjes, policia e Tiranës arrestoi autorin e dyshuar. Gjatë deklarimeve të tij, Hekuran Gjoni pretendoi se djali e bullizonte vazhdimisht, duke e shtyrë drejt aktit të rëndë.
*Anila Ndoka, nënë e tre fëmijëve, u qëllua për vdekje me plumb në kokë nga burri me të cilin bashkëjetonte, 34-vjeçari Kol Manaj, 10 vite më i ri se ajo. Pas krimit, autori i dha fund jetës së tij po me plumb në kokë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 11:15 në lagjen “Mark Lula”, e njohur ndryshe si zona e ish-fushës së druve, në Shkodër. Në brendësi të automjetit, policia sekuestruar pistoletën me të cilën Kol Manaj qëlloi partneren e tij dhe më pas veten.
Krimi tronditi opinionin publik, por mbi të gjitha familjarët dhe kolegët e Anilës. Ajo ishte divorcuar nga ish-bashkëshorti para tetë vitesh dhe kishte gjetur ‘shpresë’ në një lidhje tjetër, e cila fatkeqësisht përfundoi tragjikisht. Nga martesa e parë kishte tre fëmijë; më i vogli, 10 vjeç, jetonte me të dhe partnerin e saj, ndërsa dy fëmijët më të rritur qëndrojnë me babanë.
Sipas hetimeve, Anila së fundmi kishte tentuar t’i jepte fund bashkëjetesës me Kol Manajn, pasi ai ishte i papunë dhe luante bixhoz. Kjo tentative ndarje përfundoi në mënyrë tragjike, duke i kushtuar jetën.
*67-vjeçari Dod Mamli u gjet i vrarë me armë zjarri nga dy banorë të zonës mbrëmjen e 24 shkurtit, në fshatin Vilëz të Kurbinit. Ekspertiza mjeko-ligjore dhe veprimet në vendin e ngjarjes treguan se ai ishte qëlluar gjashtë herë, një prej plumbave e kishte prekur në kokë dhe dy të tjerët në gjoks.
Si autor i ngjarjes u arrestua Dashnor Tota, 53-vjeç, banues në të njëjtën zonë me viktimën. Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestruar gjashtë gëzhoja dhe telefonin e viktimës.
Hetimet e kryera tregojnë se vrasja e Dod Mamlit ndodhi pas një konflikti për çështje pronësie, i cili përshkallëzoi deri në eliminimin e tij fizik.
*Rayyan Alwan, 24-vjeç, një shtetase palestineze, u gjet e vrarë me thikë më 27 shkurt në një shtëpi me qira në Tiranë. Autor i dyshuar i vrasjes është babai i saj, Fadi Alwan, me të cilin kishte mbërritur në Aeroportin e Rinasit më 19 shkurt, ndërsa ajo u vra tre ditë më pas. Trupi i pajetë i të resë u gjet disa ditë pas ngjarjes nga pronarja e banesës.
Fillimisht, raportimet e para treguan se bashkëshorti i vajzës kishte kryer krimin, por hetimet më të thelluara zbuluan se vrasësi ishte babai i saj. Rayyan Alwan, nënë e tre fëmijëve, ishte divorcuar dhe fëmijët jetonin në Liban me babanë e tyre. Ajo kishte nisur një jetë të re në Gjermani, dhe afrimi i saj me traditat perëndimore dyshohet se ka shkaktuar konflikte të vazhdueshme me familjen e saj, përfshirë prindërit dhe vëllezërit. Për këto shqetësime, vajza kishte bërë edhe denoncim në polici në Gjermani.
Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që në planin për të vrarë vajzën të ketë qenë e përfshirë edhe nëna e saj, megjithatë deri më tani mungojnë prova bindëse për këtë pistë.
*Mengjesin e 27 shkurtit, 20-vjeçari Pavlin Preka u gjet pa shenja jete në oborrin e banesës së tij. Dhjetë muaj pas ngjarjes, policia arrestoi dy autorët e dyshuar, Klaudio Lisaj dhe Vasel Koçeku, të cilët akuzohen për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Sipas raportimeve, ka qenë xhaxhai i viktimës që zbuloi i pari vrasjen e nipit. Ai kishte tentuar të kontaktonte Pavlin Prekën në telefon, por nuk mori përgjigje, dhe më pas shkoi në banesën e tij, ku e gjeti të vrarë në oborr. Xhaxhai deklaroi se Pavlin Preka nuk kishte pasur asnjë konflikt me njeri dhe se familja e tij ishte e thjeshtë, pa probleme të theksuara me komunitetin.
*
Gjovalin Prendi u ekzekutua më 17 prill të këtij viti në Pllanë të Lezhës. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:00 brenda lokalit në pronësi të tij, i vendosur pranë rrugës nacionale Lezhë-Milot, në afërsi të Urës së Matit.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se autorët ishin tre persona. Dy prej tyre zbritën nga makina dhe qëlluan 64-vjeçarin brenda lokalit. Pas vrasjes në Lezhë, në Tiranë ndodhi një tjetër atentat ku mbetën të plagosur katër persona, ndërsa hetuesit dyshojnë se të dy ngjarjet kriminale kanë lidhje me të njëjtën pistë.
Fillimisht, hetuesit menduan se atentatorët mund të kishin gabuar shënjestrën, dhe se objektiv i tyre i vërtetë mund të kishte qenë bashkëshortja e Roan Brahimit, pasi automjeti i saj ngjasonte me atë në të cilin ndodheshin dy djemtë e pronarit të Pelikan Security, shoku i tyre dhe shoferi i familjes.
**
Renato Hoxhaj, 58 vjeç, u ekzekutua me armë zjarri më 27 prill në lagjen “Hajro Çakërri” në Vlorë. Sipas të dhënave zyrtare, ai u qëllua me katër plumba dhe humbi jetën në vendngjarje, ndërsa hetimet tregojnë se në krim janë përdorur dy armë të ndryshme.
Autorët e dyshuar të ngjarjes janë rumuni Daniel Corneas, Kleanth Bylyku dhe Eris Mehmetaj, i fundit dyshohet se ka siguruar automjetin e përdorur për ekzekutimin. Grupi hetimor dyshon se vrasja e 58-vjeçarit është porositur nga Dubai, ku strehohen disa grupe kriminale, pasi ekziston dyshimi se viktima mund të ketë qenë informator për grupin kundërshtar.
*Më 2 maj, turisti amerikan Brendon Saporito vrau me thikë bashkëshorten e tij, Sandra Saporito, në një shtëpi me qira në zonën e Gjuhadolit në Shkodër. Çifti kishte marrë një banesë me qira në këtë lagje historike. Mëngjesin e të premtes, rreth orës 10:00, Brendon e qëlloi disa herë me thikë partneren në banesë, duke i marrë jetën.
Më 28 tetor, Brendon Saporito u gjet i vetëvarur në qelinë e paraburgimit.
*Gerald Bitri, 24-vjeç, humbi jetën tragjikisht më 3 maj pas një përplasjeje me armë zjarri. Ngjarja ndodhi pranë ish-Gjykatës së Kurbinit, ku disa të rinj u përfshinë në një shkëmbim zjarri të dhunshëm. Gjatë përleshjes, pesë persona morën plagë, përfshirë edhe një shitëse ambulante që ndodhej rastësisht në vendin e ngjarjes. Situata krijoi panik te banorët dhe kalimtarët e zonës, të cilët panë momentet e tensionuara dhe tentuan të largoheshin për t’u shpëtuar nga dhuna.
Pas plagëve të marra, Gerald Bitri u dërgua në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë në gjendje të rëndë shëndetësore, por ndërroi jetë një ditë më pas, duke lënë pas familjen dhe komunitetin e tronditur nga humbja e tij. Në lidhje me ngjarjen, policia arrestoi Klevis Ndrecën, 28-vjeç, dhe Daniel Gjeloshin, 27-vjeç, të dy të dyshuar për përfshirje në përplasje dhe shkaktim të plagëve.
*Reshit Sallahu, 34 vjeç, u vra me armë zjarri më 7 maj në Has, si pasojë e konflikteve për pronësinë dhe hakmarrjes. Autor i dyshuar i vrasjes është Ylber Jaku, i cili dyshohet se e priti viktimën disa metra larg shtëpisë së tij, teksa Reshit Sallahu po zbriste nga mjeti, dhe e qëlloi, duke i marrë jetën.
Sipas hetimeve, autori Jaku kishte ardhur nga Anglia me qëllim për të kryer krimin, ndërsa viktima ndodhej në qytetin e Kukësit dhe po kthehej me makinë kur u sulmua në pritë. Ngjarja dyshohet të ketë lidhje me një konflikt të mëparshëm, të raportuar më 6 maj, ku dy bashkëshortë përfunduan në spital pas një përleshjeje për çështje prone, teksa autoritetet kishin nisur hetimet për të dyja palët.
*Ermir Dedja, 29 vjeç, anëtar i grupit të njohur kriminal të Shijakut, Avdylajve, u vra pak pas mesnate më 20 maj në lagjen 18 të Durrësit. Ngjarja ndodhi pranë qendrës shëndetësore, teksa i riu po lëvizte në këmbë, i veshur me kostum sportiv.
Në lidhje me ngjarjen, në pranga ranë Erion Ndoni, 36-vjeç, dhe Klodian Berisha, 35-vjeç, pasi dyshohet se kishin kontrabanduar në Shqipëri automjetin që u përdor nga autorët, si dhe një automjet tjetër që do të përdorej për një tjetër ngjarje kriminale.
Sipas Prokurorisë, porositësi i vrasjes dyshohet të ketë qenë Astrit Avdylaj, në shenjë hakmarrjeje për tentativën për të vrarë nipin e tij. Në kërkim është shpallur 33-vjeçari Xhuljano Dyrmishi për sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasjen, si dhe për kontrabandë të mallrave. Dy persona të tjerë, një shqiptar dhe një maroken, u shpallën gjithashtu në kërkim dy ditë pas ngjarjes, të akuzuar për sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjes.
*57-vjeçari Pjetër Kaza u gjet i vrarë me breshëri plumbash brenda oborrit të shtëpisë së tij në Tale të Lezhës. Sipas hetimeve, motivi kryesor dyshohet të jetë gjakmarrja, një konflikt që vazhdon prej dekadash.
Zanafilla e këtij zinxhiri vrasjesh lidhet me ekzekutimin e Ndue Kazës, ish-shef i krimeve në Rrëshen, i cili u vra më 7 janar 1994 në mes të qytetit. Autorët e dyshuar, vëllezërit Dod dhe Augustin Gjini, u arratisën menjëherë pas ngjarjes. Në vitin 1997, Martin Kaza, vëllai i Ndue Kazës, vrau për hakmarrje dy vëllezërit në Laç, ngjarje për të cilën u dënua me 22 vite burg.
Përplasja mes familjeve nuk u ndal pas kësaj. Më 28 prill të vitit 2024, në një lokal shqiptarësh në Bruksel, u vra Agustin Kaza, vëllai i Pjetër Kazës, i qëlluar për vdekje me armë zjarri në kokë dhe kraharor. Me vrasjen e Pjetër Kazës, ky konflikt ka shënuar tashmë viktimën e tretë brenda këtij zinxhiri të gjatë hakmarrjesh që zgjat mbi tre dekada.
Martin Kaza u arrestua në Londër dhe më pas u dënua, duke vuajtur burgimin pas ekstradimit më 2017. Por, sipas dosjes hetimore, vitin e kaluar në Belgjikë u ekzekutua me katër plumba edhe një herë Agustin Kaza, vëllai i Pjetër Kazës, duke lënë pistën kryesore të hetimit të mbetet gjakmarrja.
*23-vjeçari Renis Dobra u mbyt me litar mbrëmjen e 8 korrikut, pas një rrëmbimi të mëparshëm. Trupi i tij u gjet buzë lumit të Shkopetit, ndërsa makina e tij u hodh në ujë. Policia arriti të zbardhë ngjarjen pak ditë pas krimit, duke u bazuar në pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat treguan makinat e marrë me qira nga tre vëllezërit Bushgjokaj nga Tropoja.
Në pranga ranë tre vëllezërit Aleksander, Kristi dhe Fatjon Bushgjokaj, si dhe Petrit Çakrri. Sipas hetimeve, Kristi dhe Aleksander Bushgjokaj, së bashku me vëllain e tyre Fatjon dhe Petrit Çakrri, akuzohen për rrëmbimin dhe mbytjen me litar të Renis Dobrës. Shkaku i krimit dyshohet të ketë qenë prishja e pazareve të drogës.
Bushgjokaj u arrestua në zonën e Astirit, ndërsa Çakrri u kap në Kukës. Për të kryer vrasjen, autorët kishin marrë me qira disa makina në Rinas dhe Yzberisht, duke ndryshuar automjetet çdo ditë për të paktën 72 orë, për të survejuar lëvizjet e Dobrës pa u zbuluar nga autoritetet. Për më tepër, ata tentuan të hiqnin GPS-in e automjeteve.
Policia arriti të identifikonte automjetet përmes pamjeve të kamerave dhe, duke gjurmuar GPS-in, dokumentoi të gjitha lëvizjet kriminale të autorëve. Vëllai më i vogël, Aleksander Bushgjokaj, dyshohet se nxori një nga vëllezërit në Kosovë pas kryerjes së krimit.
*Anesti Rama, 56 vjeç, u vra në banesën e tij nga vajza e tij, Emanilda Rama, 26 vjeçe, e cila e mbyti me një tel dhe më pas raportoi ngjarjen fillimisht si një vdekje aksidentale.
Hetimet zbuluan se viktima kishte pësuar dhunë serioze dhe ishte mbytur me tel, duke konfirmuar se ngjarja nuk kishte qenë aksidentale, siç ishte pretenduar fillimisht. Sipas policisë dhe Prokurorisë, në krim ishte i përfshirë edhe i dashuri 55-vjeçar i Emanildës, Çlirim Dogani, ndërsa bashkëshortja e viktimës, Valbona Rama, u arrestua gjithashtu për përpjekje për të ndihmuar në fshehjen e provave.
Të tre të dyshuarit u paraqitën para gjykatës, ku u caktua masa “arrest me burg” për vrasjen makabre të Anesti Ramës.
*
31-vjeçari Ilirjan Selmani vrau 52-vjeçaren Kozeta Teço, me të cilën kishte një lidhje intime prej tre vitesh. I riu e qëlloi viktimën me thikë dhe më pas i dogji shtëpinë ku ajo jetonte në lagjen nr.1 të Pogradecit, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit.
Kamerat e sigurisë të një banese pranë pallatit ku ndodhi krimi e fiksuan Selmanin rreth orës 05:00 të mëngjesit të së hënës, teksa largohej nga banesa e 52-vjeçares dhe më pas i afrohej koshave të mbeturinave pranë shtëpisë së tij, rreth 2 km larg. Atje u gjetën peshqirë të gjakosur, që dyshohet të jenë përdorur gjatë ngjarjes.
Në dëshminë e tij përpara policisë, Ilirjan Selmani mohoi të ishte autor i vrasjes, por pranoi se ai kishte hedhur peshqirët e papastër nga shtëpia e bashkëjetueses së tij, duke pretenduar se i hodhi thjesht në kosh.
*Një vrasje me armë zjarri u regjistrua më 4 gusht në fshatin Paçram, Vau i Dejës. Viktimë mbeti Frrok Lleshaj, 65 vjeç, ish-efektiv i Policisë deri në vitin 1994.
Paraprakisht, dyshohet se vrasja e ish-policit lidhet me një hakmarrje të mundshme. Sipas dosjes hetimore dhe vendimit të gjykatës, Lleshaj kishte vrarë kushëririn e tij, Dodë Lleshaj, më shumë se dy dekada më parë. Për këtë krim, ai ishte dënuar me 25 vite burgim, të cilin e përfundoi vetëm dy vite më parë, duke u liruar në mesin e muajit prill 2023. Ngjarja duket se mund të jetë pasojë e këtij konflikti të vjetër familjar, që ka mbetur i pazgjidhur për dekada.
*Më 14 gusht, 14-vjeçari Erald Xhejo humbi jetën pas një goditjeje të vetme në zemër. Ngjarja ndodhi gjatë një konflikti në lokalin e fshatit Pirg, ku të miturit ishin takuar për t’u sqaruar, por autori kishte shkuar i armatosur me thikë. Pas kryerjes së krimit, autori, i cili gjithashtu mori disa dëmtime, tentoi të largohej me një automjet së bashku me 34-vjeçarin që ishte i pranishëm gjatë sherrit.
Babai dhe xhaxhai i të miturit akuzohen për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës, pasi kanë fshehur thikën e përdorur për krimin, duke e transportuar dhe më pas duke e larë atë. Ndaj autorit rëndon akuza e vrasjes me dashje dhe drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt.
Katër të mitur të tjerë, të pranishëm në konflikt, akuzohen gjithashtu se kanë tentuar të pengojnë zbulimin e së vërtetës. Ndërkohë, 34-vjeçari Flori Çela, i cili tentoi të largohej me autorin, akuzohet për moskallëzim krimi.
Erald Xhejo ndërroi jetë në spital, ndërsa autori mori ndihmë mjekësore për dëmtimet që pësoi, por pa përdorur mjet prerës.
*Besmir Kumria, 32 vjeç, ishte kthyer në fshatin e tij, Kryekuq të Divjakës, për pushime, por ra pre e një sulmi brutal me thikë nga bashkëfshatari i tij, Xheison Toromeni, 25 vjeç. I riu, punëtor sezonal në Himarë, kishte planifikuar të emigronte në Gjermani, ku jeton fejuara e tij, por ëndrra e tij u ndërpre tragjikisht.
Ngjarja ndodhi pak pas mesnate, teksa Kumria ndodhej në lokal bashkë me miqtë e tij. Ai u godit disa herë me thikë, duke humbur jetën në vend. Sipas hetimeve, motivi i sulmit lidhet me konfliktet e vazhdueshme mes familjeve të tyre për një kanal vaditës në fshat. Toromeni ka deklaruar se, kur e pa Besmir Kumrinë, nuk mundi të përmbante zemërimin dhe hyri në lokal për ta goditur, në shenjë hakmarrjeje ndaj dhunimit të të atit të tij.
*61-vjeçari Piro Prroni u vra më 28 gusht pas një sherri për një parcelë kanabisi në fshatin Abat të Shalës, Shkodër. Autori i krimit, Ndoc Maçaj, i cili u vetëdorëzua në polici, rezulton të jetë kryeplaku i fshatit Abat dhe njëherazi kushëri i 61-vjeçarit.
Sipas dëshmisë së tij, Maçaj ka pranuar autorësinë e vrasjes, por pretendon se e ka kryer për vetëmbrojtje. Ai ka treguar se gjatë kontrolleve konstatoi 80 rrënjë kanabisi të kultivuara në tokën e tij, në zonën e njohur si “Pushime”, dhe në këtë moment u përball me kushëririn e tij. Debati mes tyre përfundoi tragjikisht me vrasjen e Piro Prronit.
*
Një atentat mafioz tronditi qytetin e Shkodrës mbrëmjen e 4 shtatorit, kur 34-vjeçari Kristian Kola u ekzekutua pranë “Kinema Republika”, ndërsa po pinte kafe në katin e parë të një hoteli. Ngjarja shkaktoi tmerr dhe panik tek kalimtarët dhe klientët e lokalit, duke bërë që shpejt policia të niste kontrolle intensive në zonë.
Dy persona të maskuar, të cilët lëviznin me motor, hapën zjarr ndaj Kolës, duke e lënë të vdekur në vend. Një person tjetër që ndodhej në të njëjtën tavolinë me viktimën fatmirësisht nuk u prek nga plumbat, por mbeti në gjendje shoku pas përplasjes së dhunshme.
Motivi i vrasjes mbetet ende i panjohur, pasi viktima nuk kishte konflikte të njohura apo precedentë penalë të rëndë, gjë që e bën ngjarjen edhe më misterioze dhe të frikshme për komunitetin lokal.
*Mengjesin e 8 shtatorit, Ragip Gila, 29-vjeç, i armatosur me një pistoletë dhe një armë tip “Scorpion” dhe i veshur me jelek antiplumb, hyri në një lokal në qendër të qytetit dhe qëlloi me breshëri ndaj tavolinës ku ishte ulur Erogen Brajoviç, i njohur si anëtar i fisit të Bajrave.
Për pasojë, Brajoviç mbeti i plagosur, ndërsa truproja i tij, Liridon Kraja, dhe Armando Pali humbën jetën në vend. Kamerierja 25-vjeçare Meri Kaceri u plagos aksidentalisht gjatë të shtënave, duke shtuar tragjedinë e ngjarjes.
Gila mbërriti para lokalit me motoçikletë dhe u largua duke grabitur një “BMW”, por arratia e tij përfundoi brenda ditës. Ai u kap pranë lumit Kir dhe pranoi se shënjestra e tij ishte vetëm Brajoviç. Hetuesit dyshojnë se atentati mund të ketë motive hakmarrjeje, duke marrë parasysh konfliktet e mëparshme mes fisit të Bajrave dhe fisit të Licit, në shtëpinë e të cilëve janë gjetur armë gjatë kontrolleve policore.
*51-vjeçari Valbon Marko Beqiri u vra paraditen e 24 shtatorit, ndërsa trupi i tij u gjet mbrëmjen e asaj dite nga nipi në banesë. Autori, Teilor Tivari, kishte shkuar në banesën ku qëndronte Beqiri për të blerë drogë. Mes tyre lindën mosmarrëveshje, dhe i riu e goditi disa herë me thikë, duke i shkaktuar vdekjen në vend.
Pas krimit, Tivari u arratis, i ndihmuar nga bashkëpunëtori i tij, Xhenis Dakoli, i cili e transportoi fillimisht me taksi dhe më pas e dërgoi në banesën e tij. Autori ka pretenduar se viktima kishte tentuar ta përdhunonte.
Ndaj Tivarit rëndon akuza e “vrasjes me dashje” dhe “mbajtjes pa leje të armëve të ftohta”, ndërsa ndaj bashkëpunëtorit Dakoli rëndojnë akuzat për “moskallëzim krimi” dhe përkrahje të autorit.
*Biznesmeni italian Edoardo Sarchi u qëllua për vdekje mesnatën e 27 shtatorit, në një ngjarje që për tre ditë mbeti e mbuluar me mister. Më 29 shtator, policia njoftoi se kishte identifikuar autorin e dyshuar dhe kishte shpallur në kërkim Kamber Sulçajn.
Ngjarja ndodhi teksa Sarchi ndodhej në shtëpinë e pushimit të mikut të tij, Eqerem Braçit, në fshatin Salari. Ata u nisën për të ndihmuar dy djemtë e Braçit, Gazmend dhe Daniel, të cilët kishin pësuar defekt me makinën gjatë një dalje për gjueti. Gjatë rrugës, ata u përballën me automjetin e drejtuar nga Sulçaj, i cili kishte ndezur dritat e gjata, duke penguar shikimin. Dyshohet se një debat fillestar i nxiti palët të dalin nga automjetet.
Sulçaj nuk ndali me kaq; duke i ndjekur, ai qëlloi me armë gjahu drejt makinave të ndaluara. Një plumb rikoshet nga asfalt, kap viktimën në arterien kryesore në këmbë dhe la të vdekur Edoardo Sarchin, i cili besohet të ishte fshehur pas makinës së tij.
Policia e identifikoi Sulçajn përmes pamjeve të kamerave të sigurisë në zonë. Pas vrasjes, ai u largua në një zonë të thellë malore midis fshatrave Nivicë dhe Bolenë. Automjeti i autorit dhe veshjet e asaj nate u gjetën të braktisura pranë një stani, ku gjithashtu u sekuestrua një çantë me dy dylbi (termik dhe me rreze infra), një elektrik dore dhe një mbajtëse arme.
*40-vjeçari Hajdar Ismajlgeci u gjet i vrarë me thikë mbrëmjen e 2 tetorit pranë shkollës “Azem Hajdari” në Babrru. Autori, Arlind Demushi, 38-vjeç, u arrestua pak orë më vonë në Durrës.
Gjatë arrestimit, autorit iu gjet një çantë me veshjet që kishte veshur gjatë kryerjes së krimit. Sipas hetimeve, Demushi ishte i dehur në momentin e ngjarjes dhe kishte qëndruar për 10 ditë në shtëpinë e viktimës, pasi të dy ishin miq të ngushtë. Natën e vrasjes, pas një debati telefonik, Demushi shkoi në banesën e Ismajlgecit për të marrë rrobat e tij.
Para hyrjes në shtëpi, mes tyre ndodhi një përleshje me duar, gjatë së cilës Demushi e goditi viktimën me thikë, duke i shkaktuar plagë fatale. Sipas deklarimeve të autorit, konflikti lindte nga fakti që viktima e akuzonte se kishte ofenduar bashkëshorten e tij.
*65-vjeçari Gjergj Tusha u gjet pa shenja jete mbrëmjen e 3 tetorit pranë hidrovorit në Tale, Lezhë. Ekspertiza mjeko-ligjore tregoi se plagët në trupin e tij nuk ishin shkaktuar nga armë zjarri, por nga një goditje e fortë, që i kishte sjellë thyerje të brinjëve dhe dëmtime të brendshme.
Sipas burimeve nga hetimet, në momentin kur dyshohet të ketë ndodhur ngjarja, viktima ndodhej në kullotë, duke u kujdesur për bagëtitë. Hetuesit kanë vënë në dukje se Gjergj Tusha ishte pajisur tre herë me urdhra mbrojtjeje nga i biri, i cili dyshohet se e dhunonte. Për shkak të historikut të tensionuar brenda familjes, hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë e një krimi brenda familjes, megjithëse për këtë pistë ende nuk ka prova të mjaftueshme.
*58-vjeçari Isuf Jacaj mbeti viktimë e një atentati të mirëorganizuar mbrëmjen e 4 tetorit në qytetin bregdetar të Sarandës. Një mjet i pajisur me tritol u hodh në erë, ndërsa Jacaj, i cili ishte brenda automjetit, humbi jetën menjëherë pas shpërthimit.
Atentati ishte tipik mafioz: rreth 800 gram tritol ishin vendosur poshtë një automjeti tip Toyota, dhe shpërthimi u aktivizua në momentin që viktima u fut në makinë. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:50 në lagjen numër 3, e njëjta zonë ku vetëm pak muaj më parë i biri i Isuf Jacajt, Klaus Jaçaj, ishte përfshirë në një ngjarje të ngjashme, kur mjeti i tij u hodh në erë me tritol.
*Më 6 tetor, gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua me armë brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Apelit nga Elvis Shkambi, duke plagosur rëndë edhe babë e bir nga pala kundërshtare, Ragip dhe Ervis Kurti. Ngjarja tronditi mbarë komunitetin dhe ngriti alarmin për sigurinë brenda ambienteve gjyqësore.
Sipas hetimeve, Elvis Shkambi dhe xhaxhi i tij, Gjoni, po prisnin një vendim në një nga shumë çështjet gjyqësore që lidhen me konflikte pronësore të një sërë familjesh. Konflikti kishte zanafillën në vitet ’90, kur familja Shkambi kishte përfituar një pronë si ish-pronar, ndërsa strehimi i 31 familjeve të tjera në të njëjtën godinë shkaktoi tensione të vazhdueshme. Sagat e gjyqeve dhe mosmarrëveshjet e gjatë për pronësinë kanë zgjatur për tre dekada, duke u shndërruar në një rivalitet të trashëguar mes familjeve.
*Më 22 tetor, një ngjarje e rëndë me armë zjarri tronditi ambientin e jashtëm të një lokali në Manëz, ku mbetën të vrarë 33-vjeçari Flori Paluçi dhe 23-vjeçari Aranit Kurti. Ngjarja filloi pas një konflikti verbal mes 21-vjeçarit Daniel Pepa dhe kamarierit Alteo Pepa, kur Pepa kërkoi një kafe dhe iu tha se ekspresi ishte fikur. Pas debatit, ai u largua me automjet, por më pas u kthye bashkë me Aranit Kurtin dhe Ergi Kadiun.
Teksa përpjekeshin të hynin sërish në lokal, Flori Paluçi doli nga ambientet e jashtme dhe qëlloi me armë zjarri në tokë, duke shkaktuar tension dhe panik. Në këtë moment, Daniel Pepa qëlloi me armë në drejtim të Paluçit, i cili u plagos rëndë, ndërsa Aranit Kurti e goditi me grushte. Plumbat përfunduan tragjikisht: Aranit Kurti humbi jetën nga të shtënat e Paluçit, ndërsa Flori Paluçi u vra nga Daniel Pepa.
Ngjarja nxori në pah përplasjen e dhunshme mes të rinjve në këtë zonë dhe përfshirjen e disa personave të tjerë në konflikt, përfshirë edhe Erald Canin, i arrestuar më pas për moskallëzim krimi.
*Në Berat, një nga monumentet më të vizituar të trashëgimisë kulturore shqiptare, kalaja, u kthye në skenë krimi. Një banor i zonës, i papërfshirë në regjistrat zyrtarë dhe pa leje për të ofruar shërbime turistike me kalë, sulmoi për vdekje një vizitor nga Tirana, vetëm sepse ky i fundit kishte prekur kalin që ai përdorte për shëtitje.
Autor i ngjarjes është Kristo Mema, 63 vjeç, i njohur edhe si Kontandin Hoxha. Ai deklaroi për hetuesit se konflikti nisi pas një paralajmërimi që i bëri viktimës. Vrasja ndodhi në oborrin e kalasë, në prani të familjarëve të viktimës dhe turistëve të tjerë, duke tronditur mbarë komunitetin.
Mema nuk kishte leje për të operuar në zonën e kalasë, megjithëse ushtronte aktivitetin prej shumë vitesh. Ai kishte një histori kriminale të gjatë: në vitin 1993 kishte vrarë me thikë fqinjin e tij për motive banale. Pas krimit, ai u largua drejt Greqisë, ku ndryshoi identitetin dhe jetoi për 25 vjet, duke shmangur ndjekjen penale. Ai u kthye vetëm pasi ndjekja kishte përfunduar sipas ligjit, dhe tani u përfshi përsëri në një ngjarje të rëndë kriminale.
*Më 29 tetor, një konflikt mes kolegëve të një restoranti në Tiranë përfundoi tragjikisht me vdekjen e njërit prej tyre. Autori, 43-vjeçari Filip Shehu, punonte prej tre muajsh si ndihmës picier dhe ishte vartës i viktimës, Indrit Ismaillari. Shehu deklaroi se ndihej i fyer dhe i poshtëruar publikisht nga viktima dhe kolegët e tjerë, për një proshutë pice, dhe kjo e nxiti të vepronte në mënyrë ekstremisht të dhunshme.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se Shehu mori një thikë kuzhine dhe goditi viktimën tre herë, një herë në qafë dhe dy herë në bark, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Punonjësit e tjerë të restorantit thanë se Shehu ishte një person i mbyllur dhe i ftohtë në komunikim, që rrallë fliste me të tjerët, çka e bënte më të vështirë parashikimin e një reagimi kaq ekstrem.
*Më 29 nëntor, në Durrës, një ngjarje tragjike brenda familjes Kodheli përfundoi me vdekjen e Pjetër Kodhelit, baba i autorit. Autori, Marjan Kodheli, e qëlloi me thikë babanë e tij gjatë një konflikti familjar. Sipas deklarimeve të tij, marrëdhënia mes tyre ishte tensionuar për një kohë të gjatë, që nga kthimi i tij nga emigrimi, dhe grindjet e vazhdueshme kishin krijuar një klimë të rënduar në familje.
Ai tregoi se momenti kritik ndodhi gjatë një drekë familjare, ku humbi durimin dhe reagoi në mënyrë të papritur, duke marrë një thikë dhe duke e goditur babanë e tij.
*Gilmando Dani dhe miku i tij Muçi Shaljani u qëlluan me breshëri plumbash kallashnikovi sapo doli nga rrethimi i aeroportit. Nga një makinë dolën 3 persona më armë në dorë dhe bënë shosh me plumba makinën “Mercedez Benz” të bardhë që drejtohej nga Shaljani, i cili në shtator ishte bërë pjesë e AMP-së si agjent, në një procedurë në shkelje të ligjit. Atentatorët u larguan nga kasaphana që vetë krijuan, vetëm pasi u bindën se shënjestra Gilmando Dani ishte vrarë. Më tej dogjën makinën në fshatin Halil, bashkë me armët që terrorizuan aeroportin.
*Biznesmeni Mondi Mëhalla u ekzekutua me dy plumba në kokë dhe një në trup mbrëmjen e 30 nëntorit sapo kishte dalë nga një zyrë në karburantin në pronësi të tij “Xhaxhi Oil”, dhe hyri në makinë. Ai u qëllua në kokë me 2 plumba pistolete, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Njëri nga autorët doli nga makina “Audi”, u afrua dhe qëlloi. Dy autorët u larguan më pas drejt Librazhdit, ku edhe dogjën automjetin në Mirakë, brenda të cilit u gjet e djegur pistoletën Beretta, të përdorur në krim.
Në burg për ngjarjen, qëndrojnë edhe ish-ortaku i Mëhallës, Xhino Ago, dhe banakieri i karburantit “Xhaxhi Oil”, Kujtim Pisha. Të dy dorëzuan deklarata nga familjarët e Mëhallës se nuk dyshojnë të jenë pjesë e krimit, por kjo nuk e bindi gjykatën.
Në kërkim vijojnë të jenë Armando Kola, Oklid Dalipi dhe Marselo Arani, të cilët ishin pjesë e grupit që morën makinën që u përdor në krim, “Audin”, që më pas u shkrumbua në fshatin Mirakë të Librazhdit.
Viti 2025 ka lënë pas një rrëmujë dhune dhe dhimbjeje që do të kujtohet gjatë. 39 jetë janë ndërprerë, secila me historinë dhe plagën e vet, duke lënë familje të shkatërruara dhe komunitete të tronditura. Këto ngjarje tregojnë se konflikti, mllefi dhe mosmarrëveshjet mund të kenë pasoja tragjike, dhe se shpesh, pas çdo krimi, qëndron një rrjet i ndërlikuar i marrëdhënieve dhe hakmarrjeve. Ndërsa hetimet vazhdojnë dhe drejtësia kërkohet, mbetet një mesazh i qartë për shoqërinë: dhuna është rruga më e shpejtë drejt shkatërrimit, ndërsa vlerat e respektit, dialogut dhe ndihmës reciproke janë mënyra e vetme për të parandaluar tragjeditë e radhës./Vanesa Rrahmani-Shenjat e krimit