Sot është duke u zhvilluar procesi i votimit për shtetasit e Kosovës në përfaqësitë diplomatike jashtë vendit.
Gjatë ditës së sotme, 19,187 shtetas të Kosovës, të cilët janë regjistruar paraprakisht për të votuar fizikisht, kanë të drejtë vote në 16 ambasada dhe 13 konsullata të Republikës së Kosovës.
Sipas të dhënave të prezantuara në konferencë për media nga KQZ, nga 24 përfaqësi diplomatike, deri në orën 13:00, nga gjithsej 19,187 votues të regjistruar, kanë votuar 36.89 për qind, apo 7,079 votues.
Nga këto të dhëna më së shumti votues kanë votuar në Konsullatën e Kosovës në Dyseldorf të Gjermanisë (2,231 votues) e pasur nga Ambasada e Kosovës në Cyrih të Zvicrës (2,114 votues). E treat është Konsullata e Kosovës në Shtutgart ku kanë votuar 1,631 votues.
Sipas njoftimit zyrtar, në orën 17:00, sipas kohës lokale në Kosovë, do të përfundojë votimi në konsullatën e Kosovës në Stamboll. Ndërkaq, në orën 19:00, qendrat e votimit do të mbyllen në disa shtete evropiane, përfshirë: Gjermaninë, Zvicrën, Francën, Belgjikën, Norvegjinë, Austrinë, Suedinë, Slloveninë, Danimarkën, Italinë, Kroacinë, Holandën, Republikën Çeke dhe Hungarinë.
Votimi në ambasadën e Kosovës në Londër do të përfundojë në orën 20:00, ndërsa në orën 01:00 të ditës pasuese, gjithnjë sipas kohës lokale në Kosovë, procesi i votimit do të përmbyllet në katër përfaqësi diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada./Telegrafi/
Rriten me 25% çmimet e referencës që përdoren nga doganat për zhdoganimin e automjeteve të përdorura për kategorinë e autoveturave, kamionët, kamionçinat dhe furgonët.
Çmimet e referencës përdoren për zhdoganimin e automjeteve të përdorura me vit prodhimi më të hershëm se viti i fundit i publikuar në buletinet zyrtare të çmimeve që përdorin Doganat si: “Quattroroute”, “Tuttotrasporti”, “Schwackeliste” etj., të cilat pasqyrojnë çmimet e shitjes në tregjet evropiane.
Rritja parashikohet në udhëzimin e ri të Ministrisë së Financave, “Për disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin nr. 3, datë 23.1.2018, ‘Për vlerësimin e mallrave për qëllime doganore’”, i cili ka hyrë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Sipas udhëzimit, për automjetet me cilindratë nga 1400 deri në 1900 cc, pragu minimal i zhdoganimit rritet nga 200 mijë lekë (2,000 euro) në 250 mijë lekë (2,500 euro), duke shënuar një rritje prej 25%.
Për automjetet me cilindratë nga 1900 deri në 2500 cc, vlera e referencës rritet nga 325 mijë lekë (3,250 euro) në 406 mijë lekë (4,060 euro), ose rreth 25% më shumë.
Për automjetet me cilindratë nga 2500 deri në 3000 cc, çmimi minimal i zhdoganimit rritet nga 400 mijë lekë (4,000 euro) në 500 mijë lekë (5,000 euro), me një rritje prej 25%.
Për automjetet me cilindratë nga 3000 deri në 4500 cc, pragu minimal rritet nga 500 mijë lekë (5,000 euro) në 625 mijë lekë (6,250 euro), që përfaqëson një rritje prej 25%.
Ndërsa për automjetet me cilindratë mbi 4500 cc, vlera minimale e referencës mbetet e pandryshuar, në nivelin 1 milion lekë (10,000 euro).
Rritja prej 25% është miratuar edhe për çmimet e referencës për kategorinë e mjeteve si kamionçina, furgonë dhe kamionë.
Për kamionçinat dhe furgonët me kapacitet deri në 1.5 tonë, vlera minimale e referencës për zhdoganim rritet nga 400 mijë lekë (4,000 euro) në 500 mijë lekë (5,000 euro), ose 25% më shumë.
Për mjetet me kapacitet nga 1.5 deri në 3.5 tonë, pragu minimal i zhdoganimit rritet nga 600 mijë lekë (6,000 euro) në 750 mijë lekë (7,500 euro), duke shënuar një rritje prej 25%.
Për kamionët me kapacitet nga 3.5 deri në 10 tonë, vlera minimale e referencës rritet nga 850 mijë lekë (8,500 euro) në 1,062,500 lekë (10,625 euro), ose rreth 25% më shumë.
Për kamionët me kapacitet nga 10 deri në 15 tonë, çmimi minimal i zhdoganimit rritet nga 1 milion lekë (10,000 euro) në 1,250,000 lekë (12,500 euro), me një rritje prej 25%.
Për kamionët me kapacitet mbi 15 tonë, pragu minimal rritet nga 1.2 milion lekë (12,000 euro) në 1.5 milion lekë (15,000 euro), duke reflektuar gjithashtu një rritje prej 25%.
Ishte
UDHËZIM Nr. 3, datë 23.1.2018 PËR VLERËSIMIN E MALLRAVE PËR QËLLIME DOGANORE
Për autoveturat:
Deri 1400 cc: jo më pak se 130,000 lekë (1,300 euro)
Mbi 1400–1900 cc: jo më pak se 200,000 lekë (2,000 euro)
Mbi 1900–2500 cc: jo më pak se 325,000 lekë (3,250 euro)
Mbi 2500–3000 cc: jo më pak se 400,000 lekë (4,000 euro)
Mbi 3000–4500 cc: jo më pak se 500,000 lekë (5,000 euro)
Mbi 4500 cc: jo më pak se 1,000,000 lekë (10,000 euro)
Kamionçina, furgona dhe kamionë:
Deri në 1.5 tonë: 400,000 lekë (4,000 euro)
1.5–3.5 tonë: 600,000 lekë (6,000 euro)
3.5–10 tonë: 850,000 lekë (8,500 euro)
10–15 tonë: 1,000,000 lekë (10,000 euro)
Mbi 15 tonë: 1,200,000 lekë (12,000 euro)
Bëhet
UDHËZIMI Nr. 26, datë 17.12.2025 PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË UDHËZIMIN NR. 3, DATË 23.1.2018, “PËR VLERËSIMIN E MALLRAVE PËR QËLLIME DOGANORE”
Për autoveturat:
deri në 1400 cc: 162,500 lekë (1,625 euro)
mbi 1400–1900 cc: 250,000 lekë (2,500 euro)
mbi 1900–2500 cc: 406,000 lekë (4,060 euro)
mbi 2500–3000 cc: 500,000 lekë (5,000 euro)
mbi 3000–4500 cc: 625,000 lekë (6,250 euro)
mbi 4500 cc: 1,000,000 lekë (10,000 euro)
Për kamionçina, furgona dhe kamionë:
deri në 1.5 tonë: 500,000 lekë (5,000 euro)
1.5–3.5 tonë: 750,000 lekë (7,500 euro)
3.5–10 tonë: 1,062,500 lekë (10,625 euro)
10–15 tonë: 1,250,000 lekë (12,500 euro)
mbi 15 tonë: 1,500,000 lekë (15,000 euro)
Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Në një tubim madhështor, u prit me plot entuziazëm në Gjilan, Kryeminstri Albin Kurti.
Ndërsa foli për punët e mira në këtë mandat të tij, veçoi ndërtimin e Stadiumit të qytetit dhe Kompleksin e Banesave për çiftet e reja e familjet në nevojë.
Ai shpalosi para qytetarëve të Gjilanit edhe disa nga zotimet e tij për këtë komunë.
Gjilani do të ketë hekurudhën, e cila lidhet me Prizrenin, Ferizajn e Bujanocin, si dhe do të përfitojë ujë të pijshëm me ndërtimin e Digës së Firajës.
Nga Gjilani i Agim Ramadanit, siç e quajti, Kurti u zotua për ushtri të fortë dhe shtet të sigurt, duke investuar 1 miliard euro për fabrikën e dronëve “Made in Kosova”.
Ai i falenderoi qytetarët e Gjilanit që nuk lëshuan pe.
Gjatë fushatës zgjedhore që nisi më 17 dhjetor në Kosovë, një pakartë e madhe e Listës Serbe dominon rrugët e Mitrovicës së Veriut, pas rikthimit të kësaj partie në pushtet në komunat veriore më 5 dhjetor. Një kontrast ky me kryeqytetin, Prishtinën, ku shihen shumë më pak pankarta zgjedhore dhe rrugët janë mbushur kryesisht me pemë të Vitit të Ri, drita festive dhe tregjet e fundvitit, të cilat kanë zëvendësuar mesazhet politike.
Kosova zhvillon zgjedhjet e përsëritura parlamentare të dielën, më 28 dhjetor, vetëm dhjetë muaj pas zgjedhjeve të fundit të rregullta, të cilat u pasuan nga dy tentativa të dështuara për formimin e qeverisë.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), mbi dy milionë qytetarë që jetojnë në Kosovë janë certifikuar për të votuar. Shumë prej votuesve janë të rinj. Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se më shumë se gjysma e popullsisë është nën moshën 30 vjeç, gati një e treta është nën 18 vjeç.
Popullsi e re me të ardhme të bllokuar
Pavarësisht strukturës demografike të rinjtë mbeten ndër grupet më të zhgënjyera në vend. Dhjetë muaj bllokadë politike kanë thelluar frustrimin tek të rinjtë shqiptarë në jug të Kosovës dhe kanë forcuar apatinë tek shumë të rinj nga komuniteti serb në veri.
Të rinjtë shqiptarë në Prishtinë i thanë DW-së se ndihen të zhgënjyer, por ende presin ndryshim, ndërsa të rinjtë në Mitrovicën e Veriut shprehen indiferentë, duke thënë se nuk i ndjekin fare zgjedhjet dhe ndihen të shkëputur nga jeta politike. Megjithatë, pavarësisht nivelit të interesimit apo të përfshirjes, sfidat me të cilat përballen të rinjtë mbeten pothuajse të njëjta.
Nepotizimi dhe përkatësia etnike
Për Qendresë Sadikun nga Prishtina, nepotizmi është një nga burimet kryesore të zhgënjimit. "Kjo është diçka që jo vetëm e shqetëson çdo banor të komunës, por edhe i demoralizon dhe i dekurajon nga puna, përpjekja dhe angazhimi në çdo formë. Ajo që të rinjtë kanë nevojë janë mundësi reale, jo vetëm fjalë që thuhen para zgjedhjeve,” thotë ajo.
Shqetësime të ngjashme kanë edhe të rinjtë në veri të Kosovës. Jovan M., student nga Leposaviqi, thekson se përkatësia politike është një nga pengesat kryesore.
"Ky problem është i përhapur dhe nuk lidhet vetëm me një opsion politik, por ekziston brenda vetë institucioneve të Kosovës,” thotë ai.
Jetë mes frikës, stagnimit dhe pasigurisë
Ndërsa Prishtina është e mbushur me atmosferë festive, verë të ngrohtë, drita dhe festa të Vitit të Ri, jeta në veri duket krejt ndryshe. Për shumë të rinj serbë, dhjetori është thjesht një tjetër muaj i mbushur me tension dhe pasiguri. Përtej politikës ata përballen me mungesë aktivitetesh kulturore e sociale, pak mundësi për zhvillim personal dhe një ndjenjë të vazhdueshme pasigurie.
"Skenat që sheh çdo ditë në rrugë nuk janë skena të një jete normale. Ka prani të tepruar të forcave të armatosura të policisë në rrethana të zakonshme, baza policore dhe procedura që nuk përkojnë me funksionimin normal të përditshëm,” shpjegon Jovani. Sipas tij, ky realitet ushqen frikë, ankth dhe tërheqje nga angazhimi — sidomos tek të rinjtë.
Premtime boshe dhe përfshirje simbolike
Analistë politikë nga komunitetet shqiptare dhe serbe pajtohen se zgjedhjet vështirë se do ta ndryshojnë ndjeshëm gjendjen e të rinjve.
Dushan Radakoviq, drejtor i Qendrës për Avokim të Kulturës Demokratike (ACDC) në Mitrovicën e Veriut, thotë se premtimet politike rrallëherë shndërrohen në veprime konkrete.
"Kur bëhet fjalë për përpjekjet për të përmirësuar gjenden e të rinjve dhe për t'i inkurajuar ata të përfshihen, gjithçka zakonisht përfundon me premtime parazgjedhore. Në praktikë, nuk ka asgjë konkrete për përmirësimin e statusit të të rinjve,” thotë Radakoviq.
Një vlerësim të ngjashëm jep edhe Rina Kadiri, drejtoreshë programi në organizatën Youth Initiative for Human Rights – Kosovo (YIHR KS), e cila thekson se të rinjtë në Kosovë mbeten të margjinalizuar në mënyrë strukturore, pavarësisht peshës së tyre demografike.
"Duke marrë parasysh përqindjen e lartë të të rinjve në raport me popullsinë e përgjithshme, ata mbeten të margjinalizuar dhe të integruar në mënyrë të pamjaftueshme në shoqëri,” thotë Kadiri. "Nuk u ofrohen mjaftueshëm mundësi për përfshirje dhe zhvillim të plotë shoqëror, gjë që kontribuon në migrim dhe mungesë të qytetarisë aktive.”
Si mund të përmirësohet gjendja e të rinjve?
I pyetur se çfarë mund ta përmirësojë realisht gjendja e të rinjve, Radakoviq nuk sheh shumë shpresë vetëm te institucionet. Ai thekson më shumë rolin e zhvillimit ekonomik dhe inovacionit.
"Përmirësimi duhet të vijë përmes angazhimit në biznes: startup-e, qendra inovacioni dhe iniciativa në fushën e IT-së, teknologjive të internetit dhe inteligjencës artificiale,” thotë ai.
Kadiri, ndërkohë, thekson nevojën për një qasje më sistematike dhe të bazuar në të drejta.
Rezistencë ndaj apatisë politike
Pavarësisht zhgënjimit të përhapur, disa të rinj ende përpiqen t'i rezistojnë apatisë politike.
"Duhet ta pranoj se nuk kam pritje të larta nga këto zgjedhje,” thotë Jovani nga Leposaviqi.
Ndërsa për Qendresë Sadikun, mesazhi për politikanët mbetet i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë: "Duhet të ndalojnë së na mashtruari me premtime që nuk realizohen."/Deutsche Welle
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe i dyti në listën zgjedhore të kësaj partie për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Uran Ismaili, së bashku me kandidatin për kryeministër Bedri Hamza, kanë mbajtur tubimin e radhës zgjedhor në Mitrovicë.
Në këtë tubim, Hamza ka shpalosur programin e PDK-së për zgjedhjet parlamentare, i cili përfshin uljen e çmimeve, rritjen e pagave në sektorin publik, rritjen e pensioneve për 50 për qind, si dhe masa konkrete për rritjen e mirëqenies së qytetarëve.
Duke folur për programin dhe kandidaturën e Bedri Hamzës, Ismaili ka theksuar se vizioni i tij dhe i Partisë Demokratike të Kosovës ofron drejtim të qartë për zhvillim ekonomik, stabilitet politik dhe mirëqenie sociale.
“Me Bedri Hamzën, Kosova ecë përpara me zhvillim, mirëqenie e stabilitet”, ka thënë Ismaili.
Ai ka shtuar se tubimi në Mitrovicë dëshmon mbështetjen për një qeverisje që synon të bashkojë shoqërinë dhe të ofrojë zgjidhje konkrete për sfidat ekonomike dhe sociale të vendit.
“Në Mitrovicë na bashkoi vullneti për të punuar për jetë më të mirë në Kosovë. Me Bedri Hamzën, Kosova ecë përpara me zhvillim, mirëqenie e stabilitet”, ka shkruar ai në rrjetet e tij sociale.
Ish-komandanti i Forcave Detare, Artur Meçollari, ka folur për armatosjen e Kosovës nga Shtetet e Bashkuara dhe Turqia, gjatë një interviste në Euronews Albania.
Ai thekson se këto zhvillime po rrisin ndjeshëm kapacitetet ushtarake dhe nivelin e sigurisë së vendit.
Sipas Meçollarit, blerja e sistemeve të reja ushtarake nënkupton që Kosova do të jetë në gjendje të projektojë fuqinë e saj përtej kufijve.
“Blerja e sistemeve do të thotë që Kosova do të jetë në gjendje të projektojë fuqinë ushtarake përtej kufijve të saj, ky sistem godet më larg se kufiri i saj, ushtarakisht.
Kjo nuk është lëvizja e fundit. Kosova në dy vitet e fundit ka lëvizur mirë në pikëpamje të mbrojtjes. Armatimi ushtarak që po merr po e çon në forcën të armatosur. Ka disa veprime në FSK të cilat po rrisin kapacitete në mënyrë të ndjeshme.
Marrëdhëniet kryesore në fushën ushtarake janë dy: SHBA dhe Turqia.
Lëvizjet që po bëhen në Kosovë janë të tilla që forca e armatosur po rrit ndjeshëm nivelin e sigurisë. Rasti i Banjskës ndryshoi skemën e sigurisë së Kosovës. Kur vjen puna të Serbia, Vuçiç është problematik në arenën ndërkombëtare. Ai edhe mund të largohet, por largimi i tij nuk do e zgjidhë problemin me Kosovën”, tha Artur Meçollari.
Dhuna në familje vazhdon të mbetet një dukuri shqetësuese dhe një ndër problemet e rënda shoqërore në Kosovë. Çdo vit, qindra gra, vajza dhe anëtarë të tjerë të familjes përjetojnë forma të ndryshme të dhunës.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, policia ka regjistruar disa raste të dhunës në familje si në Gjakovë e Drenas. Një burrë në Drenas u raportua se në vazhdimësi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij. Kurse një rast tjetër në Gjakovë, i dyshuari mashkull shtetas i Maqedonisë është dërguar në mbajtje për dhunë në familje.
Këto janë vetëm disa nga rastet e fundit të dhunës në familje, bazuar në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.
Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, që funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ka trajtuar gjithsej 61 raste të reja gjatë periudhës 19-26 dhjetor 2025.
Sipas njoftimit zyrtar, pjesa dërrmuese e rasteve ka të bëjë me dhunën në familje, gjithsej me 52 raste. Po ashtu janë trajtuar edhe raste të rënda penale, përfshirë dhunim me 4 raste dhe vepra të tjera penale. Gjatë kësaj periudhe janë paraqitur edhe 6 kërkesa për urdhër mbrojtje, kërkesa për urdhër mbrojtje Emergjente, Aktvendime të ndërprera, seanca gjyqësore, këshilla juridike etj.
Dhuna në familje vazhdon të jetë një nga dukuritë shqetësuese në shoqërinë tonë. Kështu thonë sociologët, duke i bërë të ditur ndër faktorët që ndikojnë në rritjen e rasteve dhe masat që duhen ndërmarrë.
Sipas sociologut Lavdim Konushevci, shumë raste lidhen me familje të reja që kanë vështirësi në menaxhimin e konflikteve dhe tensioneve.
Ai thekson se ndaj dhunuesve të përsëritur, veçanërisht atyre me histori të veprave penale, shteti duhet të aplikojë masa më të ashpra ndëshkuese përmes ligjeve në fuqi.
Sipas Policisë, gjatë periudhës janar-tetor janë raportuar 2429 raste të dhunës në familje. Nga ky numër 1897 viktima janë femra, kurse 527 meshkuj.
Gjatë një jave, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit trajtoi 52 raste të dhunës në familje./RTK
Mëngjesi i së premtes e ka gjetur detin në zonën e plazhit të vjetër dhe në Zvërnec, të tërhequr pas.
Një pjesë e rërës, poshtë tij, ka dal në sipërfaqe, duke të dhuruar një imazh të veçantë.
Zbatica shkaktohet gjatë 24 orëve e 50 minutave si pasojë e ndikimit të forcës tërheqëse të Hënës.
Por ajo sigurisht mund të shkaktohet edhe nga forca tërheqëse e diellit, por për shkak të largësisë së madhe, ndikimi i Diellit në formimin e fazave të detit është me i vogël se ai i Hënës.
Baticat dhe Zbaticat këto lëkundje ritmike vertikale të ujit të detit botërorë quhen me një emër të përbashkët fazat e detit.
Forcat Speciale Shqiptare kanë zhvilluar një ushtrim të përbashkët me Forcat Speciale të SHBA-së.
Kështu ka njoftuar Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, Arben Kingji, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Ky ushtrim, sipas Kingjit, ishte i bazuar në skenare reale për testimin e gatishmërisë së dislokimin emergjent (EDRE), me qëllim forcimin e aftësive, ndërveprueshmërisë dhe besimin mes Aleatëve të NATO-s për t’iu përgjigjur krizave.
“Zall-Herr – Forcat Speciale Shqiptare dhe Forcat Speciale të SHBA-së, gjatë zhvillimit të stërvitjes së përbashkët, e bazuar në skenare reale për testimin e gatishmërisë së dislokimin emergjent (EDRE), me qëllim forcimin e aftësive, ndërveprueshmërisë dhe besimin mes Aleatëve të NATO-s për t’iu përgjigjur krizave”, ka shkruar ai.
Bashkëpresidenti i ALDE-s dhe eurodeputeti Ilhan Kyuchyuk ka shprehur mbështetje të qartë për Partia Demokratike e Kosovës dhe kandidatin e saj për Kryeministër, Bedri Hamza, duke theksuar se Kosovës i duhet një lidership i fortë, i përgjegjshëm dhe thellësisht i orientuar drejt vlerave europiane.
Në një deklaratë publike me video, Kyuchyuk u shpreh se ka bashkëpunuar nga afër me lidershipin e PDK-së dhe se e njeh përkushtimin e tyre ndaj vlerave europiane, forcimit të institucioneve demokratike dhe përgjegjësisë ekonomike.
Sipas tij, këto janë parakushte thelbësore për përparimin e Kosovës dhe afrimin e saj me Bashkimin Europian.
“Bedri Hamza përfaqëson seriozitet, përvojë dhe llojin e lidershipit që i duhet Kosovës për të ecur përpara në rrugën e saj europiane,” deklaroi Kyuchyuk, duke shtuar se pret me interes bashkëpunimin e ardhshëm në kuadër të familjes politike europiane.
Në fund, bashkëpresidenti i Alliance of Liberals and Democrats for Europe i uroi suksese PDK-së dhe Bedri Hamzës në zgjedhjet e ardhshme, duke rikonfirmuar mbështetjen e liberalëve europianë për një Kosovë të zhvilluar, demokratike dhe të integruar në Europë.
Avokati, Musa Damati, e konsideron si skandal rastin ku i akuzuari, Slagjan Trajkoviq, i cili u dënua këtë të premte me 10 vjet burim për krime lufte në Kosovë, ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës deri në arrestimin e tij.
“Vendimi nuk është i plotfuqishëm natyrisht se i njëjti do të apelohet nga mbrojtja e të akuzuarit dhe si vendim i formës së prerë i njëjti mund të ndryshoj – pra nuk është i formës së prerë. Si avokat, më bënë përshtypje jo të për mirë pavarësisht se ekziston prezumimi i pafajësisë mendoj se është një skandal i vërtetë pasi i njëjti ka qenë zyrtar i policisë së Kosovës deri në momentin e arrestimit të tij”, u shpreh Damati.
Musa, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se Kosova duhet të bëjë më shumë për krimet e luftës – në këtë rast të ketë një gjykatë të veçantë për trajtimin e këtyre rasteve.
“Duke i përcjell zhvillimet e fundit të gjyqësorit në Kosovë, mendoj se është duke u bërë sado pak një punë në aspektin e rasteve dhe çështjeve penale që janë ndër çështjet më komplekse në precedentin penal të Kosovës që kanë të bëjnë me krimet e luftës”.
“Mirëpo, mendoj se në aspektin e krimeve të luftës Kosova duhet të jetë më aktive, duhet të jetë me standarde më të larta profesionale dhe kjo nënkupton se ashtu siç kemi gjykata të caktuara në Kosovë duhet ta kemi edhe një gjykatë të profilit penal që merret ekskluzivisht me krimet e luftës – ashtu siç e kemi Gjykatën Komerciale duhet ta kemi edhe një gjykatë që merret me krimet e luftës – raste që janë mjaft komplekse”, u shpreh Damati.
Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policia e Kosovës sot janë mbajtur dy takime zyrtare informuese dhe koordinuese lidhur me planifikimin, zbatimin dhe koordinimin e urdhrit operativ për procesin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Takimi i parë është zhvilluar me drejtorët rajonalë dhe drejtorët e departamenteve të Policisë së Kosovës, ndërsa në takimin e dytë kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të organeve të drejtësisë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si dhe institucione të tjera relevante vendore dhe ndërkombëtare. Ata janë njoftuar mbi përgatitjet dhe planifikimet policore për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në aspektin e sigurisë dhe koordinimit ndërinstitucional.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, ka folur për përgatitjet e deritashme dhe angazhimet policore gjatë fushatës zgjedhore, duke theksuar aspektin e sigurisë. Ai ka potencuar se procesi deri më tani ka qenë i qetë dhe pa incidente.
Po ashtu, drejtori Hoxha ka kërkuar nga të gjithë menaxherët rajonalë dhe qendrorë mbikëqyrje të vazhdueshme dhe udhëzime konkrete, në mënyrë që angazhimi policor në këtë proces të realizohet me nivel sa më të lartë profesionalizmi dhe integriteti.
Më pas, nga Drejtoria për Planifikim dhe Vlerësim Operacional është shpalosur urdhri operativ, duke u prezantuar detyrat, angazhimet, bashkëpunimi dhe koordinimi i aktiviteteve brenda strukturës policore dhe me institucionet tjera relevante.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, mbetet e përkushtuar në zbatimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme, me qëllim të garantimit të ushtrimit të lirë dhe demokratik të së drejtës së votës për të gjithë qytetarët.
Me këtë rast, Policia e Kosovës inkurajon qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar apo veprim të kundërligjshëm që lidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor, përmes numrit emergjent 192, adresës elektronike info@kosovopolice.com, apo në stacionet policore më të afërta.
Kandidati i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për deputet, Pal Lekaj, ka deklaruar se në Gjakova është shënuar një mbështetje e madhe për Aleancën dhe numrin 129, gjatë një tubimi elektoral të mbajtur sot.
Sipas Lekajt, atmosfera në Gjakovë ka qenë e jashtëzakonshme, ndërsa qytetarët kanë shprehur përkrahje të fuqishme për programin e AAK-së dhe drejtimin politik të saj.
Ai ka bërë të ditur se bashkë me kryetarin e AAK-së dhe kandidatin për kryeministër, Ramush Haradinaj, janë shpalosur planet për katër vitet e ardhshme, me fokus në integrimin e Kosovës në NATO, zhvillimin e ekonomisë dhe shërbimin ndaj të gjithë qytetarëve.
Lekaj ka falënderuar qytetarët e Gjakovës për mbështetjen e treguar, duke theksuar se qyteti edhe kësaj here ka dëshmuar se qëndron krah Aleancës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar sot për përgatitjet e fundit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Në këtë mbledhje, u tha se në Qendrat Komunale të Numërimit janë dërguar kamerat regjistruese, të cilat do të vendosen në vendvotime. Sërish është diskutuar për çështjen e energjisë elektrike, ku u theksua se në çdo qendër votimi do të jenë të pranishëm zyrtarë të KEDS-it.
Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi u ka bërë thirrje qytetarëve me të drejtë vote që të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese më 28 dhjetor.
“Në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ftoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe demokratike: të votojnë dhe të shprehin lirshëm vullnetin e tyre politik. Me këtë rast kërkoj nga qytetarët që para se të dalin të votojnë, ta kontrollojnë qendrën e tyre të votimit, përmes platformës tonë në KQZ. U bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve që do të jenë të angazhuar gjatë ditës së zgjedhjeve, që të veprojnë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe paanshmëri, duke respektuar të gjitha procedurat ligjore dhe rregullat zgjedhore, në mënyrë që vullneti i qytetarëve të garantohet dhe të mbrohet plotësisht. Me qëllim të ruajtjes së integritetit, besueshmërisë të procesit zgjedhor, KQZ ka bashkëpunim të ngushtë me Policinë dhe Prokurorinë e Shtetit”, tha Radoniqi.
Edhe për procesin e nesërm të votimit në përfaqësi diplomatike, ai u ka bërë thirrje shtetasve të Kosovës që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese.
Drejtori i sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Besnik Buzhala tha janë transportuar të gjitha materialet jo të ndjeshme zgjedhore.
“Me datën 23.12. 2025 janë transportuar të gjitha kamerat regjistruese të vendvotimeve dhe qendrave komunale të numërimit, të gjitha kamerat regjistruese tashmë janë pranuar nga Komisionet Komunale Zgjedhore dhe gjenden në Qendrat Komunale të Numërimit. Po ashtu, me datën 24 dhjetor 2025, KQZ ka realizuar transportimin e të gjitha materialeve jo të ndjeshme zgjedhore, të cilat po ashtu janë vendosur në Qendrat Komunale të Numërimit. Materialet jo të ndjeshme të transportuara janë: 7842 kabina të votimit, 2614 kuti të votimit, përfshirë edhe kapakët e votimit, 59 mijë e 381 lidhës të sigurisë për kutitë e votimit dhe 2652 pako me materiale administrative që përfshihen në kuadër të Këshillave të Vendvotimeve të Rregullta dhe të dyfishta. Po ashtu, janë transportuar edhe pajisjet e teknologjisë informative për Qendrat Komunale të Numërimit, siç janë kompjuterët, fotokopjet”, u shpreh ai.
Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u bë e ditur se nga kutitë postare në Berlin (Gjermani) dhe Bernë (Zvicër) janë tërhequr një pjesë e pakove me fletëvotime.
“Me datën 23 dhjetor 2025 është kryer tërheqja e dërgesave postare nga kutitë postare në Berlin, Gjermani dhe në Bernë në Zvicër. Numri i zarfeve të tërhequra në Berlin është 10 mijë e 511, ndërsa numri i zarfeve të tërhequra në kutitë postare të KQZ-së në Bernë është 8000 sosh. Më datën 24 dhjetor, zarfet e tërhequra kanë arritur në Aeroportin Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’, ku nën përcjelljen e Policisë ato janë sjellë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Po ashtu janë përgatitur dhe dërguar materialet për qendrat e votimit dhe përfaqësitë diplomatike. Me datën 24 dhjetor, Divizioni i Shërbimit të Votuesve ka mbajtur trajnim me menaxherët e qendrave të votimit, që në këtë rast janë shefat e misioneve diplomatike”, shtoi ai.
Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilir Gashi ka ngritur shqetësimin për sfidat që mund të paraqiten të dielën në mungesë të energjisë elektrike.
“Dje kemi pranuar një raport, për të cilin nuk e di pse drejtori është dashur të raportojë mbi kërkesën tonë dhe kemi vendosur në kontakt KEDS-in, organet përgjegjëse për të siguruar energji të mjaftueshme ditën e zgjedhjeve. Një raport të cilin ju na keni dërguar, për mua është shumë shqetësues, për faktin se ka paralajmërime se diku në 888 qendra votimi mund të mos ketë energji elektrike. Kjo s’do të thotë që ndoshta tërë ditën por në këto qendra në bazë të informatave dhe raportit që posedojmë dhe për më keq, 666 prej tyre paraqesin rrezikshmëri të lartë që potencialisht nuk do të ketë energji elektrike. Kjo paraqet shqetësim të madh, për faktin se nuk e di tashmë errësohet herët dhe nuk e di se si do të zhvillohet procesi nëpër qendra të votimit ku nuk ka energji, ku nga këto 888, 491 prej tyre nuk posedojnë gjeneratorë. Këto shifra për mua janë shumë alarmante”, tha ai.
Buzhala tha se sot janë takuar me përfaqësues të KOSTT-it, ku u është thënë se kanë një plan të veprimit për ditën e zgjedhjeve.
“Sot e kemi pasur një takim edhe KOSTT-in, i cili është përgjegjës për transmisionin e energjisë elektrike. Pika më problematike në tërë territorin e Republikës së Kosovës janë Rahoveci, e cila e shpërndan energjinë edhe për komunën e Malishevës, janë dy komuna që janë shumë problematike, është qendra e Prizrenit, ku transmisioni i cili e furnizon Prizrenin e furnizon edhe komplet komunën e Dragashit, këto janë shqetësimet më të mëdha të KOSTT-it sa i përket transmisionit, në anën tjetër edhe KEDS-i ditën e zgjedhjeve do të operojë diku me rreth 1050 zyrtarë në terren, që i bie që secila qendër e votimit do të jetë e mbuluar me një zyrtar të KEDS-it që do të jenë në funksion të procesit zgjedhor”, u përgjigj ai.
Numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në zgjedhje është 2,076,290. Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1,999,205, ndërsa numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 77,085. Kjo listë përmban 7,192 votues më shumë se në zgjedhjet lokale të datës 12 tetor 2025.
Përgjatë një takimi paraprak, administratori i fshatrave Poklek i Ri, Poklek i Vjetër dhe Vasilevë, Zekë Kluna, e kishte ftuar Kryeministrin Albin Kurti që ta vizitojë në shtëpinë e tij.
4 ditë pas, ashtu ndodhi.
Kryeministri u prit nga ai dhe mërgimtarë të cilit kishin ardhur nga Australia dhe Gjermania veçanërisht për të votuar më 28 dhjetor.
Kurti i kishte sjellur Zekë Klunës gjithashtu edhe kartën e anëtarësisë së tij në Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa pranoi për dhuratë orën me simbolin e UÇK-së.
Në një bashkëbisedim domethënës, u fol edhe për shqetësimet kryesore të banorëve të Drenasit dhe fshatrave përreth, me theks të veçantë në çështjen e furnizimit me ujë të pijes.
Kryeministri tha se ndërtimi i Digës së Kuqicës në Skënderaj, do të jetë zgjidhje për këtë problem edhe për banorët e Drenasit.
Lidhja Demokratike e Kosovës po mban tubimin e saj përmbyllës të kësaj fushate. Kandidati për Kryeministër, Lumir Abdixhiku, në fjalimin e tij deklaroi se pa LDK-në nuk ka stabilitet, orientim e shtet që respekton qytetarin e vet.
Prandaj, sipas tij LDK vjen të ndërtojë që të ndërtoj të ardhmen dhe të punojë për të mirën e secilit.
“Kjo është LDK-ja që e kemi dashur gjithherë. Kjo është LDK-ja që e kemi ëndërruar përherë. Një lëvizje njerëzish të lirë, jo një turmë e komanduar. Një forcë politike e mendimit, jo e zhurmës. Një shtëpi ku fjala ka peshë, ku dinjiteti ka vlerë dhe pushteti ka qenë gjithmonë mbi secilin prej nesh”, tha Abdixhiku.
Ai gjatë fjalimit foli edhe për eksperiencën e fushatës.
Abdixhiku deklaroi se kjo fushatë tregoi që shoqëria është e lodhur nga mungesa e drejtimit.
“Kjo fushatë na e tregoi qartë se shoqëria jonë nuk është e thyer. Ajo është e lodhur. Dhe lodhja nuk vjen nga mungesa e vullnetit, por nga mungesa e drejtimit. Nga ndjenja se përpjekja individuale nuk po shoqërohet me politika të drejta dhe me institucione që funksionojnë”, shtoi Abdixhiku.
Abdixhiku po ashtu deklaroi se LDK-ja nuk është partie momentit, por e momenteve historike.
Kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka njoftuar se nesër, më 27 dhjetor, PDK do të mbajë tubimin përmbyllës të fushatës elektorale.
Sipas njoftimit të Hamzës, tubimi do të zhvillohet nga ora 17:30 në AMC Hall, ku Hamza thotë se fushata do të mbyllet me synimin për të hapur një kapitull të ri për Kosovën.
"Fushata jonë është për punëtorët që kërkojnë dinjitet, për të rinjtë që duan shpresë, për familjet që meritojnë siguri dhe për një Kosovë që ka nevojë për normalitet, stabilitet dhe zhvillim ekonomik", ka shkruar Hamza.
Hamza ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen tubimit, duke theksuar se fushata do të mbyllet me pozitivitet, ashtu siç synohet të hapet edhe fitorja.
Kandidati për Kryeministër, Lumir Abdixhiku, në fjalimin e tij deklaroi se pa LDK-në nuk ka stabilitet, orientim e shtet që respekton qytetarin e vet.
Prandaj, sipas tij LDK vjen të ndërtojë që të ndërtoj të ardhmen dhe të punojë për të mirën e secilit.
“Kjo është LDK-ja që e kemi dashur gjithherë. Kjo është LDK-ja që e kemi ëndërruar përherë. Një lëvizje njerëzish të lirë, jo një turmë e komanduar. Një forcë politike e mendimit, jo e zhurmës. Një shtëpi ku fjala ka peshë, ku dinjiteti ka vlerë dhe pushteti ka qenë gjithmonë mbi secilin prej nesh”, tha Abdixhiku.
Ai gjatë fjalimit foli edhe për eksperiencën e fushatës.
Abdixhiku deklaroi se kjo fushatë tregoi që shoqëria është e lodhur nga mungesa e drejtimit. “Kjo fushatë na e tregoi qartë se shoqëria jonë nuk është e thyer. Ajo është e lodhur".
Imami i xhamisë “Bedri Kamberi” në lagjen e Spitalit në Prishtinë, Labinot Maliqi ka pranuar një mirënjohje të lartë nga Policia e Kosovës, përkatësisht nga Drejtori Rajonal i Policisë në Prishtinë, Basri Shabani, në shenjë vlerësimi për bashkëpunimin e qëndrueshëm, korrektësinë profesionale dhe kontributin e dhënë në shërbim të interesit të përgjithshëm.
Maliqi ka theksuar se kjo mirënjohje ka një peshë të veçantë morale dhe institucionale, pasi përfaqëson jo vetëm një vlerësim formal, por edhe dëshmi të besimit, respektit dhe partneritetit të ndërsjellë ndërmjet institucioneve dhe komunitetit.
Sipas tij, ky vlerësim shërben njëkohësisht si motivim dhe përgjegjësi shtesë për vazhdimin e angazhimit me seriozitet, përkushtim dhe integritet.
Në këtë ceremoni, Drejtori Rajonal i Policisë, Nënkolonel Basri Shabani, ishte i shoqëruar edhe nga Fatos Haziri, çka i dha aktit karakter të lartë zyrtar dhe konfirmoi vullnetin institucional për forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm.
Maliqi vlerësoi rolin e Policisë së Kosovës si një nga shtyllat kryesore të stabilitetit, rendit dhe sigurisë në vend, duke theksuar se ajo mbetet një nga institucionet më të besuara dhe më të respektuara në Republikën e Kosovës.