Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 14 January 2026Main stream

Papa Leoni XIV emëroi Nuncin e ri Apostolik për Shqipërinë

14 January 2026 at 15:23

TIRANË, 14 janar/ATSH/ Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë njoftoi se, Ati i Shenjtë, Papa Leoni XIV, emëroi sot Nuncin e ri Apostolik për Shqipërinë.

Ai është imzot Mirosław Adamczyk, Arqipeshkëv titullar i Otrikolit. Adamczyk ka shërbyer deri tani si Nunc Apostolik në Argjentinë. Mirosław Adamczyk është i datëlindjes 16 korrik 1962 (63 vjeç), dhe ka lindur në Danzica të Polonisë.

Pas marrjes së lajmit për caktimin e tij në Shqipëri, dioqezat në vend uruan nuncin dhe dhanë mesazhe mirëseardhjeje.

Nunci Apostolik është diplomati më i lartë i Selisë së Shenjtë në një vend, që përfaqëson Papën, i krahasueshëm me një ambasador. Ai menaxhon marrëdhëniet me qeverinë dhe kishën lokale. Nunci Apostolik zakonisht është një kryepeshkop titullar që kryeson Nunciaturën Apostolike, selinë diplomatike të Vatikanit.

Si ndërlidhës midis Papës dhe hierarkisë katolike lokale, ai trajton gjithashtu emërimet episkopale. Nunci Apostolik gëzon statusin diplomatik të ambasadorit, siç përcaktohet nga e drejta ndërkombëtare, kryen detyra diplomatike por edhe baritore brenda kishës. /j.p/

 

The post Papa Leoni XIV emëroi Nuncin e ri Apostolik për Shqipërinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kuvendi i Arbrit, mbrojtësi i identitetit, gjuhës dhe trashëgimisë kulturore shqiptare

14 January 2026 at 13:38

TIRANË, 14 janar/ATSH/ Lezha përkujtoi sot 323-vjetorin e Kuvendit të Arbrit, një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.

Bashkia Lezhë organizoi një ceremoni me këtë rast, në kishën mesjetare të Shën Gjon Pagëzorit në Mërqi, pikërisht aty ku u mbajt ky kuvend, duke e parë këtë si një moment të rëndësishëm reflektimi dhe nderimi për historinë, identitetin dhe trashëgiminë kombëtare.

Kuvendi i vitit 1703 shënoi një moment kyç në ruajtjen e identitetit, gjuhës dhe trashëgimisë kulturore shqiptare, e njëkohësisht e rikonfirmoi Lezhën si simbol qëndrese, uniteti dhe vlerash.

Kuvendi i Arbrit u mbajt 323 vjet më parë me kërkesë të Papa Klementit XI Albani, papë me origjinë shqiptare. Mes vendimeve që u miratuan nga ky kuvend  ishte edhe hapja e shkollave dhe organizimi i botimeve në gjuhën shqipe, të cilat u zbatuan përgjatë shekujve të XVIII dhe XIX.

Kisha e Shën Gjon Pagëzorit në Mërqi pati degraduar dhe me ardhjen e demokracisë, meshtarëve iu desh të merreshin edhe me rimëkëmbjen e këtij objekti kulti. Restaurimi u bë në vitin 1996, nën mbikëqyrjen e famullitarit të atëhershëm dom Dodë Gjergji. /j.p/

The post Kuvendi i Arbrit, mbrojtësi i identitetit, gjuhës dhe trashëgimisë kulturore shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Shpirti dhe tradita e kryeqytetit në koncertin “Ku ka si Tirona”

13 January 2026 at 15:43

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Në skenën e  Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor vjen së shpejti koncerti i titulluar “Ku ka si Tirona”, nderim ndaj shpirtit dhe traditës së kryeqytetit.

Në këtë premierë, të datës 19 janar, tradita do të vijë e gjallë, e interpretuar nga solistë vokalë, valltarë dhe artistë të ftuar që sjellin energjinë e brezave dhe identitetin e një qyteti që nuk ka reshtur kurrë së frymëzuari.

Të ftuarit specialë të këtij aktiviteti janë këngëtarët e mirënjohur: Irma Libohova, Armaldo Kllogjeri dhe Greta Zani, ndërkohë që publiku do të mund të dëgjojë dhe solistët e Ansamblit Popullor: Aranit Hoxha, Iris Bega, Denisa Gjezo, Leke Pecnikaj, Raimond Kllogjeri e Avni Miraka.

Përveç këngëve, koncerti do të përfshijë edhe vallet e Tiranës, me ritmin e elegancën që i karakterizon.

Koncerti “Ku ka si Tirona” shënon jo vetëm një premierë, por edhe nisjen e ciklit “Thesaret e Shpirtit”, një udhëtim artistik që do të pasojë me projekte të tjera të dedikuara pasurisë shpirtërore dhe trashëgimisë kulturore. /j.p/

The post Shpirti dhe tradita e kryeqytetit në koncertin “Ku ka si Tirona” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pesë site kulturore në botimin e financuar nga EU4Culture

13 January 2026 at 13:32

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Projekti i Bashkimit Evropian, EU4Culture, publikoi librin “Përafrime -Trashëgimia si infrastrukturë e vetëreflektimit”.

Botimi përmbledh pesë ese të autorëve pjesëmarrës që trajtojnë pesë struktura emblemë të Tiranës, nga mozaiku “Shqipëria” dhe Teatri i Kukullave, te Galeria Kombëtare e Arteve, ish-Legata Italiane dhe Qendra “Sotir Kolea”.

Pesë sitet kulturore vijnë përmes analizave të thelluara, ku ofrohet qasje të re mbi marrëdhënien mes trashëgimisë, shoqërisë dhe identitetit kulturor.

Nëpërmjet këtyre teksteve, trashëgimia konceptohet si infrastrukturë e vetë-reflektimit shoqëror. Botimi është realizuar në dy gjuhë, në shqip dhe anglisht si dhe është menduar të jetë sa më i arritshëm për një audiencë të gjerë, duke qenë i disponueshëm në versionin PDF në platformën ANNEX PILOT dhe në versionin audio në Spotify.

Botimi, pjesë e programit të granteve nga EU4Culture, është realizuar nga organizata United Nations Association Albania, si rezultat i një procesi kërkimor dhe bashkëpunimi ndërdisiplinor.

Ky botim eksploron trashëgiminë kulturore si një hapësirë dialogu dhe reflektimi mbi mënyrën se si i kuptojmë dhe i përjetojmë hapësirat publike sot. /j.p/

1 nga 5

The post Pesë site kulturore në botimin e financuar nga EU4Culture appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Inaugurohet “Kub Francë Shkodër” në Muzeun “Marubi”

13 January 2026 at 09:50

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” u inaugurua “Kub Francë Shkodër”, një hapësirë e re kulturore digjitale që synon të lidhë artin, teknologjinë dhe edukimin në një format bashkëkohor dhe gjithëpërfshirës.

Kjo iniciativë, pjesë e projektit strategjik KitKubiK, shënon një hap të rëndësishëm në zhvillimin e bashkëpunimit kulturor francez-shqiptar. Projekti realizohet me mbështetjen e Ambasadës së Francës në Shqipëri.

“Kub Francë Shkodër” do të ofrojë akses në trashëgiminë kulturore ndërkombëtare, do të nxisë krijimtarinë dhe angazhimin e të rinjve dhe publikut të gjerë, si dhe të forcojë edukimin kulturor përmes mjeteve digjitale dhe përvojave inovative.

“Kub Francë Shkodër” sjell për herë të parë në një muze në Shqipëri përvoja kulturore immersive përmes teknologjive të realitetit virtual dhe platformës Micro-Folie, duke ofruar qasje në mijëra vepra arti të digjitalizuara si dhe përmbajtje të kuruara të trashëgimisë dhe artit francez.

Kjo hapësirë synon të jetë një qendër dinamike për fëmijë dhe të rinj, studentë frankofonë, të apasionuar ndaj teknologjisë dhe komunitetin e gjerë të Shkodrës, duke nxitur edukimin kulturor, inovacionin dhe dialogun ndërkulturor. /j.p/

The post Inaugurohet “Kub Francë Shkodër” në Muzeun “Marubi” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkrimtari i shquar Fatos Kongoli feston sot 82-vjetorin e lindjes

12 January 2026 at 13:47

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Sot kremton 82-vjetori i lindjes, shkrimtari Fatos Kongoli.

Veprimtaria e tij letrare, veçanërisht pas viteve ’90 ka dhuruar një kontribut të vyer për letërsinë shqiptare.

Fatos Kongoli lindi në Elbasan më 1944. Studimet e larta për matematikë i nisi në Universitetin e Pekinit dhe i përfundoi në Universitetin e Tiranës (1967). Ka punuar për një kohë si gazetar dhe më pas si redaktor në Shtëpinë botuese “Naim Frashëri”.

Në fund të viteve `60 botoi tregime e novela. Deri në vitet 1990 botoi vëllimet me tregime “Shqetësime të ngjashme” (1972), “Tregime” (1978), “Të fejuarit” (1982), si dhe romanet “Ne të tre” (1985), “Karuseli” (1990).

Romanet e Kongolit, të përkthyera në gjuhë të ndryshme, pasqyrojnë me thellësi dramën ekzistenciale të njeriut modern. Ai përzgjedh histori njerëzore, duke paraqitur bashkë virtyte dhe cene të individualiteteve të botës shqiptare.

Pas 1990 botoi: “I humburi” (1992), “Kufoma” (1994), “Dragoi i fildishtë”(1999), “Ëndrra e Damokleut” (2001), “Lëkura e qenit” (2003, fitues i çmimit “Pena e artë”), “Te porta e Shën Pjetrit” (2005), “Jetë në një kuti shkrepësesh” (2007),”Bolero në vilën e pleqve”(2009). “Iluzione në sirtar”(2010), “Si-do-re-la” (2011), ”Njeriu me fat” (2013), “Gjemia e mbytur” (2015) etj.

Vepra të tij janë botuar në njëmbëdhjetë gjuhë të huaja. Ka fituar tri herë çmimin “Pena e argjendtë” për librin më të mirë në prozë (1995, 2000, 2002), si dhe çmime të tjera brenda dhe jashtë vendit. Është nderuar me titullin “Kalorës i Legjionit të Nderit” (2010) nga Presidenti i Francës, dhe “Mjeshtër i Madh”(2012) nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. /j.p/

The post Shkrimtari i shquar Fatos Kongoli feston sot 82-vjetorin e lindjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: 1,5 milionë vizitorë në sitet kulturore gjatë vitit 2025

12 January 2026 at 09:39

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Më shumë se 1,5 milionë vendas dhe të huaj vizituan sitet tona kulturore gjatë vitit 2025.

Shifra u bë publike nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili ka krahasuar këto të dhëna me ato të para dy viteve dhe rezulton se numri i vizitorëve në sitet kulturore është rritur me 52% krahasuar me vitin 2023. Kjo rritje reflektohet edhe në të ardhurat nga shitja e biletave, rritje e cila llogaritet të ketë arritur në 78% më shumë të ardhura krahasuar me vitin 2023.

Kalaja e Gjirokastrës vijon të kryesojë për të disatin vit radhë, listën e siteve më të vizituara, me 307,164 vizitorë.

Të tjera site me numër të lartë vizitorësh janë:

Parku Kombëtar i Butrintit – 295,152 vizitorë

Muzeu Gjergj Kastrioti – 182,083 vizitorë

Kalaja e Shkodrës – 178,942 vizitorë

/j.p/

The post Gonxhja: 1,5 milionë vizitorë në sitet kulturore gjatë vitit 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lahuta është shpirt i Malësisë: Lumturije Nonaj ruan artin e të parëve

10 January 2026 at 09:50

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Lahuta është shpirti i Shqipërisë së Veriut. Historitë e dala prej tingujve të saj, udhëtojnë më shpejt se njerëzit në rrugët e këtyre zonave.

Dikur rapsodët e malësisë ishin të shumtë. Ata luanin në lahutë dhe këndonin këngë trimash, por edhe histori njerëzore të atyre anëve, duke përcjellë në këtë mënyrë dijen dhe artin e të luajturit në vegla muzikore. Nga trungu i njërit prej tyre, legjendarit Gjok Nonaj, i cili interpretoi në moshën 105-vjeçare në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, ka dalë edhe një lahutare, Lumturije Nonaj.

Ky art, të cilin tashmë na e njeh edhe UNESCO-ja, është përvetësuar nga Lumturija, mbesa e Gjokës, që kur ajo ishte fëmijë.

Lahutarja shqiptare ka lindur në Lezhë, por me origjinë është nga Shkreli i Malësisë së Madhe. Mbesa e rapsodit legjendar Gjok Nonaj (1910-2017) thotë se trashëgimia e lahutarit tashmë jeton ndër nipër e mbesa që ruajnë amanetin e tij, lahutën.

“Unë pothuajse kam lindur lahutare, sepse brez pas brezi familja ime quhej familje lahutarësh. Çiftelisë i kam rënë që 5 vjeç, ndërsa lahutës kam filluar t’i bie në moshën 12-vjeçare”, thotë Lumturija, të cilën e trishton fakti se tashmë kanë mbetur shumë pak lahutarë, aq sa mund t’i numërosh me gishta.

Në familjen e saj, janë lahutarë edhe katër vëllezërit: Nikolla, Luigji, Gjeta e Gjovalini, ndërkohë që Lumturija po ia mëson lahutën edhe bashkëshortit të saj, Gjovalinit.

Sipas lahutares, nuk është e vështirë t’ia mësosh dikujt tjetër lahutën.

“Dëshira ime e madhe është jo vetëm ta luaj, por edhe tua mësoj të rinjve. Pas hyrjes së lahutës në UNESCO kam vënë re një dëshirë më të madhe për të mësuar mbi këtë instrument, që është një pasuri e çmuar. Edhe në rrugë kur më kanë parë, veshur me xhubletë dhe me lahutë në dorë, më kanë ndalur dhe më kanë pyetur. Njerëzit kanë kuriozitet. Duan të dinë për identitetin e instrumentit, pasaportën e lahutës”, thotë Lumturija. Ajo është shpresëplotë se Shqipëria do të vazhdojë të ketë lahutarë, madje edhe lahutare.

Lumturia këndon dhe luan me lahutë këngë trimërie, këngë të Eposit të Kreshnikëve, vargje të “Lahutës së Malcis” nga i madhi At Gjergj Fishta.

“Lahutës sime i kam dhënë për “detyrë” të mos këndojë vetëm këngë lufte e vaji, por edhe këngë dashnije”, thotë Lumturie Nonaj. Kështu, ajo këndon këngë që krijon vetë për Malësinë e Madhe, bjeshkët, për shtegtimin e bagëtive (edhe kjo tashmë në UNESCO).

Lumturija thotë se kurrë nuk do t’i ndajë xhubletën dhe lahutën, të cilat i konsideron si motra.

Lahutarët e konsiderojnë lahutën si amanet të të parëve. Përmes saj ata mbajnë gjallë kulturën dhe ua përcjellin atë brezave, së bashku me pasionin dhe krenarinë për këtë art të vjetër shqiptar.

Lumturije Nonaj thotë se tashmë ndihet krenare që lahuta jonë njihet nga mbarë bota si pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s. “Kjo është një fitore jo vetëm për muzikën tonë tradicionale, por për të gjithë kulturën shqiptare. Fakti që bota e vlerëson, na jep forcë dhe emocion të veçantë që ta ruajmë e ta çojmë përpara këtë art të shenjtë të të parëve tanë”, thotë Lumturija.

1 nga 4

/r.e/a.f/

The post Lahuta është shpirt i Malësisë: Lumturije Nonaj ruan artin e të parëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

QKLL ndan Çmimet Kombëtare të Letërsisë

9 January 2026 at 12:46

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit mbajti sot ceremoninë e shpalljes së Çmimeve Kombëtare të Letërsisë.

Çmimi i madh i letërsisë, iu dha Enit Karafilit për romanin “Epope intime” nga Botimet Pegi, me motivacionin: Për një vepër me forcë të rrallë artistike, e cila ndërton një vizion të pasur letrar mbi përkatësinë identitare dhe thyerjen e tabuve të ngulitura në kodet e trashëguara kulturore, në kapërcyell të zhvendosjeve të trazuara migratore të shqiptarëve jashtë atdheut.

Çmimi i madh i përkthimit iu dha Romeo Çollakut për përkthimin e veprës “Retorika” të Aristotelit, nga Botimet Albas.
Motivacioni i këtij çmimi ishte: Për përkthimin mjeshtëror të një vepre madhore referenciale në historinë botërore të mendimit, të realizuar me përpikëri dhe saktësi të lartë terminologjike, duke ruajtur strukturën e arsyetimit, ritmin argumentues dhe forcën bindëse të ligjërimit. Një kontribut i vyer dhe i qëndrueshëm në pasurimin e korpusit dhe të diskursit filozofik në gjuhën shqipe.

Çmimin e madh të studimeve e mori Anila Mullahi (Elezi) për librin “Krijimi letrar në proces”, nga Botimet Pegi, me motivacionin: Për realizimin e studimit të parë gjenetik mbi romanet e Dritëro Agollit, fryt i hulumtimeve të thelluara dhe sistematike mbi dorëshkrimet, letërkëmbimet dhe ditarët e autorit. Ky studim vendos një gur themeli me rëndësi të veçantë në përvijimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të metodologjisë së kritikës gjenetike në studimet letrare shqipe.

Çmimet Kombëtare të Letërsisë u dhanë nga juria e kryesuar prej Besnik Mustafajt, dhe me anëtarë: Dhurata Shehri, Elsa Skënderi Rakipllari, Maklena Nika dhe Fatmira Nikolli. Këto çmime janë për botimet e vitit 2024.

1 nga 2

/a.f/

The post QKLL ndan Çmimet Kombëtare të Letërsisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TKOB nis vitin artistik me tingujt e ngrohtë të ‘Claviotrio’

9 January 2026 at 12:31

TIRANË, 9 janar/ATSH/ “Claviotrio” hapi mbrëmë stinën koncertore të muzikës së dhomës në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit, duke sjellë tingujt e qetë dhe të ngrohtë mes pianos, klarinetës dhe violës.

Paola Budani në piano, Rodolf Baha në klarinetë dhe Sonila Baha në violë, interpretuan 8 pjesë për violë, klarinetë dhe piano nga Max Bruch, premierën botërore nga Thomas Simaku “Moj e bukura more”, si dhe Tio për klarinetë, violë dhe piano nga Jean Francaix.

Tre artistët shqiptarë, e kanë ndërtuar karrierën e tyre përtej kufijve të vendit dhe u bashkuan për këtë mbrëmje të veçantë në hollin koncertor të TKOBAP-së.

Pas një heshtjeje shumë të shkurtër dimërore, TKOBAP e hap vitin artistik me një kalendar që ndërthur muzikën e dhomës, koncertin simfonik, baletin, operën dhe traditën një udhëtim i jashtëzakonshëm mes klasikes dhe përjetimit bashkëkohor. Nga “Claviotrio”, nesër do të shfaqet koncerti me pjesë nga Dvořák & Mendelssohn, ndërkohë që në programin e këtij janari janë: mbrëmja festive e 17 janarit me “Opera & Ballet Night”, më 25 janar vjen “Petite Messe Solennelle” e Rossinit e cila do të jetë premierë absolute, dhe gjallëria e traditës me koncertin “Ku ka si Tirona”, më 19 janar.

/a.f/

The post TKOB nis vitin artistik me tingujt e ngrohtë të ‘Claviotrio’ appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vijon puna për mbajtjen e hapur të rrugëve rurale në Korçë

9 January 2026 at 10:47

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Në Bashkinë Korçë, mjetet dhe punëtorët kanë qenë gjatë gjithë natës në terren dhe kanë vijuar punën që herët në mëngjes, për garantimin e qarkullimit normal dhe sigurisë së banorëve, duke qenë se reshjet e dëborës ishin të konsiderueshme.

Në orët e para të mëngjesit është bërë pastrimi i oborreve në kopshte dhe shkolla, si dhe heqja e akullit nga ambientet përreth, për të garantuar mbarëvajtjen e procesit mësimor.

Bashkia Korçë raporton se, në qytet dhe në njësitë administrative nuk ka problematika. Ndërkohë, në fshatrat malore fadromat vijojnë punën për pastrimin dhe hapjen e rrugëve.

Situata është në monitorim të vazhdueshëm nga strukturat përkatëse.

/a.f/

The post Vijon puna për mbajtjen e hapur të rrugëve rurale në Korçë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis vaksinimi ndaj HPV-së për djemtë 13-vjeçarë

9 January 2026 at 09:51

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale njoftoi sot se, nisi vaksinimi ndaj HPV-së edhe për djemtë e moshës 13 vjeç, pjesë e Kalendarit Kombëtar të Vaksinimit.

Vaksina kundër HPV-së mbron vajzat dhe gratë nga kanceri i qafës së mitrës, tek meshkujt ndihmon në parandalimin e disa llojeve të kancereve të lidhura me HPV-në, si dhe ndikon në uljen e qarkullimit të përhapjes  së virusit në popullatë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha se, vaksinimi është i sigurt, efektiv dhe një hap i rëndësishëm në uljen e riskut për kancer tek brez i i ri.

HPV është Virusi i Papilomës Njerëzor, përgjegjës për kancerin në qafën e mitrës, i pari tumor i njohur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si tumor tërësisht me prejardhje nga një infeksion.

Infeksioni nga HPV është më i përhapuri në infeksionet nëpërmjet transmetimit seksual. Në përgjithësi partnerët nuk paraqesin shenja të dukshme të infeksionit, edhe pse janë në gradë ta transmetojnë atë. Pjesa më e madhe e infeksioneve shërohet në mënyrë spontane pa pasoja. Vetëm një pakicë e infeksioneve bëhet kronike, dhe është pikërisht në këto situata që virusi, në zhvillim edhe brenda pak viteve, mund të çojë në plagët ose çarjet para – kanceroze.

/a.f/

The post Nis vaksinimi ndaj HPV-së për djemtë 13-vjeçarë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ermonela Jaho, sonte në rolin e Violetës në Royal Opera House të Londrës

8 January 2026 at 14:48

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Sopranoja e mirënjohur shqiptare, Ermonela Jaho rikthehet sonte në Royal Opera House të Londrës, me rolin e Violetta Valery, personazhi qendror i operas “La Traviata”.

Ky produksioni i kryeveprës së kompozitorit italian Giuseppe Verdi, do të shfaqet në teatrin mbretëror të Londrës përgjatë gjithë muajit janar, nën dirigjimin e Antonello Manacorda dhe regjisorit Richard Eyre.

Ermonela Jaho do të interpretojë përkrah tenorit italian Giovanni Sala, në rolin e Alfredo Germont-it. Të tjerë emra të njohur të operistikës botërore që do të këndojnë sonte në Royal Opera House përkrah Ermonelës do të jenë: Aleksei Isaev, Veena Akama-Makia, Barnaby Rea, etj.

Ky produksion vlerësohet edhe për regjinë e Sir Richard Charles Hastings Eyre, i cili është një regjisor anglez i filmit, teatrit, televizionit dhe operës. Eyre ka marrë vlerësime të shumta duke përfshirë tre çmime Laurence Olivier, si dhe nominime për gjashtë çmime BAFTA dhe dy çmime Tony. Disa nga operat që ai ka vënë në skenë janë: “Carmen”, “Werther”, “Le nozze di Figaro”, “Manon Lescaut” etj. Ai ishte drejtor i National Theater në vitet 1988–97, si dhe mban titujt Kalorës dhe Shoqërues Nderi.

/r.e/a.f/

The post Ermonela Jaho, sonte në rolin e Violetës në Royal Opera House të Londrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita e Rrotullimit të Tokës

8 January 2026 at 12:43

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Sot është Dita e Rrotullimit të Tokës, e shpallur si e tillë në nder të fizikanit francez Leon Fuko (Léon Foucault).

Dita e Rrotullimit të Tokës përkon me demonstrimin e parë publik të Fukosë, në Paris. Në Panairin Botëror në vitin 1851, fizikani tregoi se si rrotullohet Toka, duke varur një top bronzi të mbushur me plumb nga maja e Panteonit në Paris. Kjo pajisje, e njohur tani si Lavjerrësi Fuko, tregoi se plani i lëkundjes së lavjerrësit do të rrotullohej në lidhje me rrotullimin e vetë Tokës.

Lavjerrësit e Fukosë tani mund të gjenden në muzetë e shkencës në të gjithë botën dhe janë një mjet i rëndësishëm për të kuptuar dhe mësuar rreth shkencës diellore. Ndërsa Isak Njutoni zbuloi gravitetin, ai në fakt nuk e shpjegoi shkakun pas tij, por thjesht se ai ekziston si një forcë dhe kështu kjo njohuri shkencore u zgjerua përmes Fukosë.

Pothuajse të gjithë e dinë se Toka rrotullohet rreth boshtit të saj dhe një rrotullim i plotë zgjat 24 orë. Por ajo që disa njerëz mund të mos e dinë është se shpejtësia e rrotullimit të Tokës ndryshon pak nga dita në ditë dhe nga viti në vit.

Pra, një ditë e vërtetë diellore nuk është saktësisht 24 orë, por ndryshimet janë çështje sekondash. Koncepti themelor i një dite diellore është kohëzgjatja që toka të përfundojë një rrotullim të plotë rreth boshtit të saj.

/a.f/r.e/

The post Dita e Rrotullimit të Tokës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Korçë, probleme në aksin Maliq–Lozhan, situatë e rënduar në Devoll

8 January 2026 at 10:14

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm në Qarkun e Korçës kanë rënë reshje shiu dhe dëbore me intensitet që ndryshon sipas zonave.

Në bashkinë Kolonjë reshjet e dëborës nisën prej orës 03:30, me intervale. Qarkullimi në akset Ersekë–Leskovik dhe Ersekë–Korçë vijon normalisht dhe raportohet që borëpastrueset janë në terren.

Në vendin e quajtur Gropat e Gëlqeres (rreth 5 km nga Erseka, aksi Ersekë–Leskovik) ka rrëshqitje të pjesshme të rrugës, është vendosur sinjalistika përkatëse dhe rruga po monitorohet nga policia. Shërbimet e Rendit po këshillojnë drejtuesit e mjeteve që të lëvizin me kujdes.

Hidrovori i Tushemishtit vijon punën me 3 pompa (një pompë është jashtë funksioni).

Niveli i ujit është i lartë, por situata është nën kontroll dhe monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.

Në bashkinë Maliq, lumi Devoll ka dalë në një pikë nga shtrati i argjinaturës në Sheqeras, ku situata paraqitet me përmbytje në Fushën e Maliqit. Në Dunavec, niveli është në maksimum, por nuk ka dalje të lumit nga shtrati.

Në aksin Maliq–Lozhan (Senisht) ka patur një bllokim gjatë natës, rruga ka pësuar një dëmtim. Në Mesmal ka rrëshqitje dherash dhe bllokim të rrugës. Në Lozhan i Lartë ka rënie gurësh dhe pritet që strukturat e bashkisë të marrin masa.

Në njësinë administrative Pirg ka aktivizim rrëshqitjeje në Kakaç.

Rezervuarët janë nën monitorim dhe është hapur lëshuesi katastrofik në Leminot, pasi ka arritur kuotën maksimale. Reshjet e dëborës arrijnë në rreth 2 cm.

Bashkia Korçë nuk ka raportuar për problematika të reja.

Niveli i ujit në Drenas ka rënë ndjeshëm dhe nuk paraqet rrezik për banesat.

Në bashkinë e Devollit situatë më e rënduar paraqitet në Nj.A. Progër (fshatrat Progër, Maqurisht, Cangonj, Shyec) për shkak të rritjes së prurjeve.

Sa i përket bashkisë Pogradec, problematike është situata në Nj.A. Dardhas: rruga për në fshat është e pakalueshme; ka mungesë të energjisë elektrike në të gjitha fshatrat e njësisë; rrëshqitje rruge në Grunjaz.

Vazhdojnë problemet e theksuara në lumenjtë Rëmenj dhe Verdovë, veçanërisht në zonën e unazës së qytetit të Pogradecit, ku qarkullimi është kufizuar në një kalim.

Ka rrëshqitje dhe bllokime rrugësh në aksin Qukës–Qafë Plloçë dhe në fshatra të Nj.A. Proptisht. Ndërkohë raportohet se reshjet e shiut po kalojnë në formë dëbore.

Hidrocentrali Devoll ka prurje në basen rreth 500 m³/sek; niveli ka arritur maksimumin dhe po hapet shkarkuesi me 50 m³/sek.

Si pasojë e kësaj situate problematike mbeten pa energji zonat Babien, Marjan, Dolanec, Gylbec, Nice, Osnat, Sterkanje dhe kabina Zbog 1, ku preken gjithsej 120 abonentë.

Në Zëmblak janë pa energji 400 abonentë. 310 të tjerë vuajnë mungesën e energjisë në Çezmë, Bishnicë, Tallë, Jollë. Gjithashtu pa energji janë edhe zonat Dardhas dhe Prenisht, me 400 abonentë ruralë.

Drejtoria Rajonale e Ujitje Kullimit bën të ditur se është në angazhim të plotë me staf dhe mjete për të adresuar problematikat e shfaqura në infrastrukturën kulluese dhe pikat e dëmtuara të argjinaturave.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe Sektori i Rendit dhe Qarkullimit Rrugor, janë në patrullime 24/7 në akset rrugore kryesore të qarkut.

/r.e/

The post Korçë, probleme në aksin Maliq–Lozhan, situatë e rënduar në Devoll appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Muzeu i Artit Mesjetar, 21 ikona në restaurim

8 January 2026 at 08:20

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Laboratori i Restaurimit dhe Konsolidimit pranë Muzeut të Artit Mesjetar në Korçë futi në proces restaurimi dhe konsolidimi 21 ikona, gjatë vitit 2025.

Njëkohësisht u dezifektuan rreth 470 ikona dhe objekte të tjera muzeale si dhe u krye fotografimi me cilësi maksimale i 730 objekteve muzeale dhe me sistemin RTI u fotografuan 3 objekte.

Një aktivitet i rëndësishëm ishte ekspozita “ Një rrugëtim mbi artin hyjnor”, ku u  ekspozuan 39 ikona dhe objekte të tjera muzeale.

MKAM, në kuadër të 45-vjetorit të çeljes së tij organizoi aktivitetin në bashkëpunim me Këshillin e Qarkut Korçë, ku midis të ftuarve të shumtë, ishte edhe arkitekti dhe nismëtari i MKAM, Pirro Thomo. U botua një përmbledhje e të gjithë aktivitetit të MKAM, prej vendosjes me ligj të çeljes së muzeut dhe deri në ditët tona. Gjithashtu u realizua dokumentari “45 Vjet MKAM”.

Disa ekspozita të tjera të rëndësishme ishin: ekspozita “Origjina dhe Artizanati” mbi punimin e argjendit dhe metalit, ekspozita“ Botime Religjoze ndër shekuj” në kuadër të programit “Mes Trashëgimisë kulturore dhe Artit”, ku u shfaqën për herë të parë botimet religjoze të shekujve 17-20. Mes shumë aktivitetesh të tjera të MKAM, veçojmë edhe koncertin e muzikës antike mesdhetare “Vox baroque”.

/a.f/

The post Muzeu i Artit Mesjetar, 21 ikona në restaurim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Pavarësisht reshjeve intensive Xhamia e Plumbit, pa problematika

7 January 2026 at 14:37


TIRANË, 7 janar/ATSH/ Në kuadër të monitorimit të situatës së reshjeve edhe impaktit të tyre në objektet e trashëgimisë kulturore, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se Xhamia e Plumbit në Shkodër nuk ka problematika.

“Pavarësisht reshjeve intensive të shiut gjatë orëve të fundit, në Xhaminë e Plumbit, një objekt me vlera të rralla historike dhe kulturore, nuk janë evidentuar problematika”, raportoi ministri Gonxhja.

Më tej ai shtoi se, pompat vijojnë të operojnë në kapacitet të plotë dhe sistemi i mbrojtjes funksionon normalisht, duke garantuar monumentin nga përmbytjet.

Ndërhyrjet restauruese dhe konservuese, të realizuara me mbështetjen e Fondacionit TIKA, kanë mundësuar ruajtjen e plotë të vlerave të këtij objekti, ndërkohë që situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër.

Restaurimi i plotë i Xhamisë së Plumbit në Shkodër përfundoi në muajin maj të vitit 2025. Kjo xhami konsiderohet si një diamant i çmuar i këtij qyteti jo vetëm sa i përket historisë, por edhe anës arkitekturore.

Xhamia e Plumbit është cilësuar si një ndër 50 monumentet më të bukura të botës dhe është xhamia më e madhe e stilit osman në vendin tonë. Xhamia ka një përzierje të arkitekturës turke me atë arabe. Ajo u ndërtua nga Mehmet Pashë Bushati në vitin 1773-1774, duke shërbyer për një kohë të gjatë si xhamia më e madhe e vendit.

/r.e/a.f/

The post Gonxhja: Pavarësisht reshjeve intensive Xhamia e Plumbit, pa problematika appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fan Noli, figurë qendrore e kulturës kombëtare

6 January 2026 at 16:01

TIRANË, 6 janar/ATSH/ Më 6 janar të vitit 1882 lindi Fan Stelian Noli, figurë e shquar e kombit shqiptar.

Noli ishte gjeni i letrave, dramaturg, muzikant, politikan, klerik dhe diplomat. Ai përktheu më shumë se 30 botime dhe tekste të ndryshme, ndër to dhe libra fetare, lutjesh dhe falënderimesh, duke qenë njohës dhe folës i rreth 7 gjuhëve të huaja.

Roli i tij si klerik ortodoks, ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm jo vetëm për Kishën Ortodokse Shqiptare, por edhe për identitetin kombëtar dhe kulturën shqiptare.

Noli ishte figura kryesore e Lëvizjes së Qershorit 1924. Figura poliedrike e Nolit do të fokusohej në vitet ’30 në një spektër tjetër përpjekjesh krijuese, në atë të muzikologjisë. Në vitin 1935 Noli, i njohur gjerësisht si klerik dhe politikan, iu kthye njërit prej pasioneve të tij të hershme, muzikës. Në moshën 53-vjeçare u regjistrua në Konservatorin e Muzikës të Nju-England, në Boston, ku u diplomua më 1938. Para se të shtypej për botim, monografia “Bethoveni dhe Revolucioni Francez”, u mbrojt prej Nolit si temë diplome.

Përmes këtij studimi, Noli mori gradën shkencore të shkallës së parë në muzikë. Interesi i Fan Nolit për muzikën nisi në kishë. Ai u njoh si themeluesi i Kishës Ortodokse Shqiptare në Boston të SHBA, më 1908 dhe u bë reformatori i mirëfilltë i saj.

Reforma kishtare e Nolit solli të kënduarit shqip në kishë. Të kënduarit në “kishën e Nolit” bëhej me kor të përzier (burra e gra), ashtu siç këndohen në Perëndim meshat, oratoriot, requiem-et e madrigalët, por që ishin himne të Kishës Ortodokse dhe më kryesorja, të përkthyera prej tij dhe kënduara të gjitha në shqip.

/r.e/a.f/

The post Fan Noli, figurë qendrore e kulturës kombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Ujët e Pagëzuem”, rituali i arbëreshëve të Italisë

6 January 2026 at 14:09

TIRANË, 6 janar/ATSH/ Në Shën Mitër Korona, në Kalabri – një nga qendrat më të njohura të arbëreshëve të Italisë – është kremtuar sot Epifania, ose siç e quajnë vetë arbëreshët, Ujët e Pagëzuem.

Ceremonia u mbajt në Katedralen e Shën Mitrit në Hora e Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi).

Bekimi i ujit u krye nga peshkopi i Eparkisë së Horës së Arbëreshëvet, Raffaele De Angelis. Përpara bekimit të ujit, u krye parakalimi i grave të kësaj qyteze, të veshura me kostume tradicionale arbëreshe dhe që mbanin në duar shporta me portokaj.

Dita e “Ujët të Pagëzuem” që u zhvillua në sheshin “Vittorio Emanuele” përveç parakalimit të grave dhe bekimit të ujit pati edhe ritualin e fluturimit të një pëllumbi të bardhë.

Komuniteti i arbëreshëve të Italisë i përket besimit të krishterë. Ata njohin papën e Romës si kreun e kishës së tyre, por i përkasin ritit bizantin. Në festat më të rëndësishme të këtij komuniteti, liturgjia mbahet në shqip ose greqisht.

/a.f/r.e/

The post “Ujët e Pagëzuem”, rituali i arbëreshëve të Italisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rituali i hedhjes së kryqit në qytete të ndryshme të vendit

6 January 2026 at 12:57


TIRANË, 6 janar/ATSH/ Dita e Ujit të Bekuar është kremtuar sot nga besimtarët ortodoksë anembanë vendit, por me kufizime në qytetet ku reshjet e shiut kanë qenë të shumta.

Kryepeshkopi Joan bëri sot bekimin e ujit dhe popullit shpresëtar në Kishën e Apostull Pavlit dhe Shën Astit, në qytetin e Durrësit. Rituali i hedhjes së kryqit u anulua në Durrës por edhe në Gjirokastër për shkak të situatës problematike nga moti i keq.

Dita e Ujit të Bekuar në Korçë, mblodhi besimtarët sipas traditës, me besim e përulësi shpirtërore. Ata kanë marrë ujin e shenjtë, duke ruajtur një zakon shekullor me shpresën për paqe, shëndet dhe mbarësi gjatë vitit. Hedhja e kryqit u bë në shatërvanin e qytetit.

Besimtarët ortodoksë të Fierit u mblodhën në Kishën e Shën Gjergjit për të festuar Ditën e Ujit të Bekuar. Liturgjia e mëngjesit, u drejtua nga Hirësia e Tij Nikolla, mitropoliti i Mitropolisë së Apolonisë.

Ndërkohë, besimtarët në Berat sfiduan kushtet e vështira atmosferike. Tetë djem të rinj u hodhën në lumin Osum. Kryqi u hodh nga Mitropoliti imzot Asti i ndjekur nga qindra qytetarë.

Uji i Bekuar simbolizon pastrimin, ripërtëritjen dhe bekimin për besimtarët dhe mjediset ku ata jetojnë e punojnë. Ky ujë është një nga dhuratat më të bukura të Zotit për t’i dhënë një pjesë të shenjtë jetës së përditshme dhe për të larguar të keqen nga gjërat që na rrethojnë.

/a.f/

The post Rituali i hedhjes së kryqit në qytete të ndryshme të vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌