TIRANË, 31 janar/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se Partia Demokratike ka në plan dhe projekt të gjitha format e mosbindjes civile dhe është në zbatimin e tyre.
Në një komunikim në rrjetet sociale, Berisha iu përgjigj një qytetari i cili e pyet nëse PD ka në në plan një grevë urie për një qasje më agresive se protestat.
“Kërkojmë nga qytetarët të bëjnë gjithçka për fitoren e kësaj beteje. Por kjo kërkon para së gjithash qartësi. Kërkon që çdo qytetar të kuptojë se kemi të bëjmë me një diktaturë autokratike, në të cilën të gjitha pushtetet janë të përqendruara në një dorë dhe institucionet përdoren për të shtypur pluralizmin”, tha ai.
Berisha theksoi se kemi vetëm një rrugë dhe kjo rrugë është protesta deri në përmbysjen e qeverisë.
Sipas tij, në 10 shkurt PD do të tregojë fuqinë dhe vendosmërinë e saj.
“Gjithçka varet nga kryengritja paqësore që nuk duhet të ndalet kurrë gjer në përmbysjen e Edi Ramës. Pikërisht në këtë kuadër, ne thirrëm protestën tjetër me datën 10 shkurt, ditën e martë, në mënyrë që të marrim dhe njëherë paralajmërimin më serioz për largimin e tyre nga pushteti”, tha Berisha.
Berisha foli po ashtu edhe mbi kërkesën e mbështetësve të PD-së që protesta të vijojë dhe të mos largohen nga sheshi pa realizimin e qëllimit.
“Kjo është një kërkesë jashtëzakonisht e drejtë dhe është rruga e vetme efikase për të larguar këtë regjim nga pushteti. Por kjo kërkon nga secili nga ne që të bindim gjithnjë e më shumë qytetarë se qëndrimi në shesh për aq kohë sa ta largojmë regjimin është rruga më e sigurt e fitores tonë. U garantoj se drejt asaj në mënyrë të pandalshme do të shkojmë”, tha ai.
Ai ftoi qytetarët që të shumëfishojnë forcat dhe të bashkohen në protestën e ardhshme.
Pyetjes së një qytetari se përse nuk organizohen protesta në të njëjtën kohë në 4-5 qytete të ndryshme, Berisha u shpreh se “ne do të përqendrohemi tërësisht në Tiranë”.
“Pasardhësit direkt të bllokmenëve nuk pyesin për Shqipërinë tjetër, përveç Tiranën e karrigeve. Më kujtohet si sot, kur Ramiz Aliaj thoshte se, Kavajën nuk e qeverisim ne, por ai gjithnjë kishte hallin e Tiranës. Ndaj dhe ne duhet të ua bëjmë ferr kësaj organizate kriminale, Tiranën. Kjo është arsyeja se pse ne përqendrohemi tërësisht në Tiranë”, tha Berisha.
Berisha theksoi se protesta e 24 janarit dha një mësim dhe protestat e fundit nuk kanë qenë pa rezultat.
“Kanë qenë më shumë rezultat. Imagjinoni një Shqipëri që nuk do protestonte përpara këtyre superskandaleve se si do turpërohej para botës, se çfarë mesazhi i trishtë, çfarë ofendimi do të ishte për shqiptarët. Kurse zëri i fuqishëm që u ngrit në bulevard dhe nuk ishte vetëm shëtitje, por dha mesazhin e duhur për shqiptarët dhe botën. Por, beteja me diktaturën nuk është një ndeshje futbolli. Kërkohet që secili opozitar të përgatitet për protestë të qëndrueshme. Të përgatitet për një kryengritje të pandërprerë paqësore për të realizuar qëllimin e vet”, tha Berisha.
/m.m/
The post Berisha: Më 10 shkurt, të gjitha format e mosbindjes civile appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.