Dëbora zbukuron Tyrben e Abaz Aliut në malin e Tomorit
TIRANË, 3 janar /ATSH/ Mali i Tomorit, në verilindje të qytetit të Çorovodës, ofron këtë fillim viti një panoramë të veçantë, ku Tyrbja e Abaz Aliut shfaqet e mbuluar nga dëbora, duke krijuar një kontrast mbresëlënës mes bardhësisë së borës dhe relievit shkëmbor të zonës.
Pamje nga ky peizazh u publikuan nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili vlerësoi bukurinë natyrore dhe simbolikën shpirtërore të këtij vendi të veçantë në zemër të Tomorit.
E ndodhur në një nga pikat më të larta të malit, Tyrbja e Abaz Aliut është një nga vendet më të rëndësishme të kultit për besimtarët bektashinj, por edhe një atraksion i njohur për vizitorë e turistë vendas e të huaj. Zona vizitohet gjatë gjithë vitit, ndërsa në periudhën e verës kulmon me pelegrinazhin tradicional të fundgushtit, i cili mbledh mijëra besimtarë nga mbarë vendi dhe rajoni.
Mali i Tomorit, Park Kombëtar dhe një prej pasurive natyrore më të spikatura të Shqipërisë, ofron gjithashtu mundësi për ecje malore, alpinizëm, ski dhe aktivitete të tjera në natyrë, duke u kthyer në një destinacion gjithnjë e më të kërkuar për turizmin e aventurës dhe atë kulturor.
/e.xh/r.e/
The post Dëbora zbukuron Tyrben e Abaz Aliut në malin e Tomorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.