Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 31 December 2025Main stream

Shëndet, Shpresë dhe Paqe/ Gëzuar Vitin e Ri 2026 nga Fax Web

By: Fax Web
31 December 2025 at 16:50

Të dashur lexues të Fax Web,

Teksa lëmë pas një vit me sfida, zhvillime dhe ngjarje që na kanë prekur të gjithëve, ju falënderojmë sinqerisht për besimin, vëmendjen dhe mbështetjen që na keni dhënë çdo ditë.

Falë jush, Fax Web ka vijuar të jetë një dritare pa filtra informimi për realitetin shqiptar dhe më gjerë.

Viti 2026 urojmë të sjellë më shumë shpresë, paqe, shëndet dhe prosperitet për ju dhe familjet tuaja.

Urojmë që të jetë një vit me më shumë të vërteta, më shumë drejtësi dhe më shumë lajme që na bashkojnë dhe frymëzojnë.

Ne do të vijojmë misionin tonë për t’ju sjellë informacion të saktë, të shpejtë dhe të paanshëm, duke qenë gjithmonë pranë jush.

Gëzuar Vitin e Ri 2026!

Stafi i Fax Web

Video-Mesazhi/ Berisha: Në 2026 shqiptarët do ti bëjnë funeralin organizatës kriminale ‘Rilindja’

By: Fax Web
31 December 2025 at 16:35

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zgjedhur të urojë shqiptarët përmes një mesazhi të gjatë.

Sipas tij, viti 2025 ishte viti kur Edi Rama rrëmbeu votën, fuqizoi kartelet dhe korrupsionin qeveritar. Ndërsa shton se viti 2026 do të jetë ai i funeralit për “Rilindjen”.

Mesazhi i plotë:

Të dashur qytetarë dhe qytetare shqiptarë!

Sonte ne presim vitin e ri 2026!

Ndaj dhe unë nga zemra ju uroj, kudo që ndodheni, në votrat familjare, në lokale, në udhëtime, në Shqipëri, në botë, në institucionet e vuajtjes së dënimit, në spitale,

Gëzuar vitin e ri 2026.

Viti i ri për të gjithë shqiptarët, për të gjithë njerëzit, është vit shprese.

Por, siç është tradita, nuk mund të ndahemi nga ky vit pa hedhur një vështrim drejt tij.

Viti 2025 ishte një vit që shqiptarët kurrë nuk e meritonin.

Ky vit i gjen ata qytetarët më të keqpaguar në Europë.

Qytetarët me tavolinat më të pakta, sepse blejnë me çmimet më të shtrenjta, me rroga më të ulëta, me pensionet më të ulëta.

Por ky vit i gjen ata gjithashtu me drejtorët, ministrat, qeveritarët më të pasur në Europë.

Pasuritë e tyre marramendëse arrijnë pasuritë e regjimeve diktatoriale të dikurshme të Afrikës së 30 viteve më parë.

Viti që lamë pas ishte një vit në të cilin kombi u pakësua dhe më shumë.

Mijëra shqiptarë u ndanë nga jeta më shumë sesa erdhën në këtë jetë.

Viti 2025 ishte viti i agonisë së plotë të demokracisë shqiptare.

Narkodiktatori, duke përdorur të gjitha mjetet dhe potencialet e një shteti, rrëmbeu votën e shqiptarëve dhe ndërtoi mazhorancën e krimit.

Viti që lamë pas ishte viti i zjarreve, përmbytjeve më të mëdha, të cilat nuk ndodhën vetëm në Shqipëri, por ato për ne shqiptarët erdhën si në një vend pa shtet.

Në fakt, viti 2025 do të mbahet mend edhe si viti i zbulimit të vjedhjeve më të mëdha në historinë kombëtare të shqiptarëve nga Edi Rama, Lubi Balluku, familja Rama, Erjon Veliaj, drejtorët e tij në ministri, në bashki, zyrtarë në tërësi.

Ky ishte viti në të cilin u burgos pas 46 protestave, kryetari i Bashkisë Tiranës.

Viti në të cilin në regjistrat e prokurorisë, dolën emrat dhe vjedhjet e paimagjinueshme të Lubi Ballukut me 300 apartamente, dy jahte, 15 supermarkete.

Emri i Edi Ramës në të gjitha mesazhet si përcaktues i tenderave dhe vetëm në tunelin e Llogarasë u zhdukën të paktën 50 milionë euro.

AKSHI, përbën skandalin më të madh korruptiv jo të Shqipërisë, po të Europës.

AKSHI, kopshti privat i Edi Ramës, ishte epiqendra e krimit shtetëror, të padëgjuar më parë.

Kopshti privat që varej direkt nga Edi Rama, ishte epiqendër e rrëmbimeve, pengmarrjeve për vjedhjen e qindra milionë eurove, në epiqendër të të cilës është Edi Rama me Lindat e tij, Lindën e AKSHI-t, por dhe Lindën e Surrelit për shkak të kunatit.

AKSHI është super skandali në të cilin të gjitha të dhënat personale, sekrete të çdo qytetari shqiptar, kaluan në duart e bandave.

Kaloi kadastra e shtetit.

Kaloi çdo e dhënë.

Dhe akoma më keq, të gjitha sekretet që NATO i ka besuar Shqipërisë, u eksportuan në kartel e drogës dhe tek armiqtë e saj, armiqtë e NATO-s.

Viti 2025 ishte viti në të cilin kartelet e drogës të lidhura direkt me qeverinë shqiptare dhe me Edi Ramën, morën në dorë dhe u bënë zotër të tregut të kokainës në Europë.

Pra u bënë kartelet më të fuqishme.

Ato me ndërhyrjet e tyre aktive në zgjedhjet e 11 majit, apo për ndërhyrjet e tyre, u shpërblyen me leje për ndërtimin e 450 kullave, resorteve turistike, pallateve dhe vilave në mbarë territorin.

Pra, viti ishte të themi, viti në të cilin narkoshteti u konsolidua me shpejtësinë më të madhe.

Por ishte dhe viti në të cilin opozita shqiptare ja doli të gozhdojë para komunitetit ndërkombëtar Edi Ramën si armik i egër i pluralizmit.

Në 7 rezoluta denoncohet shtypja e pluralizmit nga institucionet e narkoshtetit.

Denoncohet narkoshteti, denoncohen vjedhjet e shqiptarëve dhe shndërrimi i procesit zgjedhor në farsë elektorale.

Kontrolli total mbi mediat dhe mashtrimi i tmerrshëm që ato ju bëjnë qytetarëve, për shkak të kontrollit mafioz.

Të gjitha këto janë sanksionuar edhe në dokumentin themelor të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet në Shqipëri.

Pra miq, të gjitha këto përbëjnë një bazë të fuqishme për çdo qytetar shqiptar për veprim, ndaj dhe me besim të plotë mund të themi se viti 2026 është viti i shpresës së madhe, për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Është viti në të cilin ata do bashkohen si kurrë më parë për t’i bërë funeralin organizatës kriminale që quhet Rilindja dhe kryesohet nga Edi Rama.

Do bashkohen si kurrë më parë për të shpëtuar demokracinë shqiptare, rikthimin e votës së lirë.

Për të shpëtuar familjen shqiptare nga një ligj shkatërrimtar për gjininë dhe familjen.

Për të shpëtuar Shqipërinë nga rrokullisja e saj e madhe.

Pra, këtë vit çdo shqiptar që e do këtë vend, e fillon si misionar, e fillon në lartësinë e një misioni të madh shpëtimtar.

Ndaj dhe unë dua sonte t’ju uroj ju, gëzuar kudo që ndodheni.

Një vit të mbarë në lartësinë e shpresave dhe pritshmërive tuaja.

Gëzuar!

2026-a vjen “e bardhë”/ Ngricat dhe dëbora pushtojnë gjithë Shqipërinë

By: Fax Web
31 December 2025 at 15:42

Pas një dhjetori të pazakontë, thuajse pa reshje dhe me mungesë dëbore edhe në zonat e thella malore, janari pritet që të vijë krejt ndryshe.

Sinoptikanët parashikojnë se në ditët në vijim do të kemi temperatura shumë të ulëta dhe mot të kthjellët, si pasojë e një mase ajrore të ftohtë që vjen nga Poli i Veriut.

Megjithatë, ky episod i acartë nuk do të zgjasë shumë, pasi në fillim të janarit pritet një ndryshim i menjëhershëm i kushteve atmosferike, me rikthim të reshjeve, dëborë në zonat malore dhe më pas shira të dendur e erë të fortë në pjesën më të madhe të vendit.

Me pak fjalë sot edhe nesër do të kemi temperatura shumë të ulëta në të gjithë territorin.

Tirana i është afruar sot temperaturave 0 gradë, sonte gjatë natës temperaturat do shkojnë -8 dhe -9 në zonat malore, në Korçë temperaturat do shkojnë në -6.

Sa i takon muajit janar, meteorologët parashikojnë mot të paqëndrueshëm me temperatura ekstreme, reshje shiu dhe dëbore, erë të fortë dhe shumë pak ditë me diell.

Parashikohet deri në datën 15 janar moti të jetë shumë i paqëndrueshëm, pritet të ketë shi, erë dhe dëborë. Janari do të jetë një muaj i ftohtë, një muaj tipik dimri ndryshe nga dhjetori.

Mbështetja për fermerët përmes Skemës Kombëtare, Rama: Gjatë 2025-ës arriti në 6.4 miliardë lekë

By: Fax Web
31 December 2025 at 15:07

Kryeministri Edi Rama, bëri të ditur se me aktin normativ të fundvitit, garantuam dëmshpërblimin për 638,065 krerë shpendë për fermerët e prekur nga Influenca Aviare, si dhe disbursimin 100% për mbi 65 mijë fermerë, nga të cilët 49,808 përfitojnë mbështetje për naftën.

Sipas Ramës, mbështetja për fermerët përmes Skemës Kombëtare 2025, arriti në 6.4 miliardë lekë, ku 5.1 miliardë lekë janë dedikuar për mbështetje direkte.

“I gjithë buxheti i parashikuar me Akt Normativ është disbursuar në thesar brenda datës 31 dhjetor”, nënvizoi Rama.

Kjo mbështetje e shtuar synon uljen e kostove të prodhimit dhe garantimin e vijimësisë së prodhimeve bujqësore dhe blegtorale Made in Albania.

Skema Kombëtare mbetet një nga instrumentet kryesore të qeverisë për forcimin e prodhimit vendas dhe për mbështetjen konkrete të ekonomisë rurale.

Akti normativ garanton pagesën e plotë për çdo fermer të kualifikuar brenda vitit buxhetor, duke siguruar korrektësi dhe transparencë në zbatimin e skemës.

VIDEO/ Viti i Ri mbërrin edhe në Australi

By: Fax Web
31 December 2025 at 15:04

Australia mirëpret Vitin e Ri me spektakël fishekzjarresh mbi Portin e Sidneit.

Më herët ishte Zelanda e Re, që mirëpriti vitin 2026-të, gjithashtu me spektakël fishekzjarresh.

Mijëra qytetarë u mblodhën në sheshe publike, me duart lart duke brohoritur, ndërsa fishekzjarret ndriçuan qiellin e natës pas festimeve.

Ishulli Kiritimati, i njohur edhe si Ishulli i Krishtlindjes, së bashku me 10 ishuj të tjerë kryesisht të pabanuar në Paqësorin Qendror, ishin të parët që “përshëndetën” vitin 2026.

Në ishullin Chatham, pjesë e Zelandës së Re, Viti i Ri mbërriti disa minuta para pjesës tjetër të vendit. Ky arkipelag i largët ka rreth 600 banorë.

Tonga dhe Samoa gjithashtu festuan mbërritjen e vitit 2026.

SHBA-të janë nga vendet e fundit që festojë mbërritjen e Vitit të Ri.

LEXO EDHEOraret e pritjes së Vitit të Ri 2026 në mbarë botën

VENDIMI/ Kategoritë që përfitojnë nga kompensimi i të ardhurave mujore të pensionit

By: Fax Web
31 December 2025 at 14:25

Është publikuar vendimi për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve.

Me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave vendosi:

1. Përfitojnë kompensim të të ardhurave mujore deri në 1 800 (një mijë e tetëqind) lekë në muaj personat me të ardhura deri në 40 000 (dyzet mijë) lekë në muaj në datën 31.12.2025, sipas kategorive të mëposhtme:

a) Personat që përfitojnë pension pleqërie të plotë të caktuar sipas ligjit nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, të ndryshuar;

b) Personat që përfitojnë pension pleqërie të plotë urban, pension pleqërie si nënë me shumë fëmijë urban dhe pension të reduktuar të pleqërisë, me datë lindjeje të së drejtës deri në datën 31.12.2014, të caktuara në bazë të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

c) Personat që përfitojnë pension pleqërie me datë lindjeje të së drejtës nga data 1.1.2015 e në vijim, të caktuar në bazë të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, që plotësojnë periudhën e domosdoshme të sigurimit të parashikuar në nenin 92, pension pleqërie si nënë me shumë fëmijë, të caktuar në bazë të pikës 2, të nenit 31, dhe pension pleqërie të reduktuar, të caktuar në bazë nenit 31/1, të këtij ligji.

ç) Personat që përfitojnë pension pleqërie të caktuar në bazë të ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”;

d) Personat që përfitojnë pension për shkak të profesionit, të caktuar në bazë të ligjit nr.29/2019, “Për trajtimin financiar suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës dhe të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”.

2. Përfitojnë kompensim të të ardhurave mujore deri në 800 (tetëqind) lekë në muaj personat me të ardhura deri në 22 000 (njëzet e dy mijë) lekë në muaj në datën 31.12.2025, sipas kategorive të mëposhtme:

a) Personat që përfitojnë pension pleqërie të pjesshëm, të caktuar sipas ligjit nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, të ndryshuar;

b) Personat që përfitojnë pension pleqërie të pjesshëm urban, me datë lindjeje të së drejtës deri në datën 31.12.2014, të caktuar në bazë të neneve 34 e 95, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

c) Personat që përfitojnë pension pleqërie, me datë lindjeje të së drejtës nga data 1.1.2015 e në vijim, të caktuara në bazë të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, që nuk plotësojnë periudhën e domosdoshme të sigurimit të parashikuar në nenin 92 të këtij ligji;

ç) Personat që përfitojnë pension social të caktuar, në bazë të nenit 5/1, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

3. Përfitojnë kompensim të të ardhurave mujore deri në 1 000 (një mijë) lekë në muaj personat me të ardhura deri në 18 000 (tetëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj në datën 31.12.2025, sipas kategorive të mëposhtme:

a) Personat që përfitojnë pension pleqërie të caktuar në bazë të ligjit nr.4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, të ndryshuar;

b) Personat që përfitojnë pension pleqërie rural, me datë lindjeje të së drejtës deri në datën 31.12.2014, të caktuar në bazë të neneve 31, 34, 93, 95 dhe të paragrafit të dytë të nenit 96 të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

4. Përfitojnë kompensim të të ardhurave mujore deri në 600 (gjashtëqind) lekë në muaj personat me të ardhura deri në 30 000 (tridhjetë mijë) lekë në muaj në datën 31.12.2025, që përfitojnë pension invaliditeti, të caktuar sipas ligjit nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, të ndryshuar, ligjit nr.4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

5. Përfitojnë kompensim të të ardhurave mujore deri në 700 (shtatëqind) lekë në muaj personat me të ardhura deri në 18 000 (tetëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj në datën 31.12.2025, që përfitojnë pension familjar, të caktuar sipas ligjit nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, të ndryshuar, ligjit nr.4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, të ndryshuar, ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe ligjit nr.8455, datë 4.2.1999, “Për një trajtim të veçantë të familjeve të pilotëve, që humbasin jetën në përmbushje të detyrës, gjatë fluturimit”, të ndryshuar.

6. Masa individuale e kompensimeve të parashikuara në këtë vendim do të përfitohet deri në plotësimin e vlerës së të ardhurave të parashikuar në pikat 1, 2, 3, 4 dhe 5 të këtij vendimi.

Për të gjitha rastet që kompensimi i parashikuar sjell si pasojë tejkalimin e vlerës së të ardhurave sipas pikave 1, 2, 3, 4 dhe 5 të këtij vendimi, masa individuale e kompensimit do të llogaritet si diferencë e të ardhurave të parashikuara në pikat 1, 2, 3, 4 dhe 5 të këtij vendimi, me shumën e të ardhurave mujore të përfituesve, sipas përcaktimeve në këtë vendim.

7. Në kuptim të këtij vendimi, të ardhurat mujore të përfituesve të pensioneve, sipas pikave 1, 2, 3, 4 dhe 5 të këtij vendimi, përfshijnë:

a) masën e pensionit;

b) shtesën mbi pensionin e posaçëm shtetëror, të parashikuar në nenin 5, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

c) shtesën mbi pensionin e pleqërisë të caktuar sipas nenit 33, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

ç) trajtimet e veçanta financiare, sipas neneve 5/1/a, 5/1/b, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

d) përfitimet sipas dekretit nr.758, datë 1.2.1994, “Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut”, të miratuar me ligjin nr.7799, datë 24.2.1994, të Kuvendit Popullor, dhe ligjit nr.8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar, ligjit nr.10139, datë 15.5.2009, “Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve, të shkollave të larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë tituj shkencorë”, ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, ligjit nr.9128, datë 29.7.2003, “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues në pension”, të ndryshuar, ligjit nr.9361, datë 24.3.2005, “Për një trajtim të veçantë financiar të efektivave, oficerë dhe nënoficerë lundrues, të nëndetëseve dhe palombarëve të Forcave Detare, në pension”, ligjit nr.29/2019, “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”, ligjit nr.129/2021, “Për statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës””;

dh) kompensimet sipas vendimit nr.763, datë 27.11.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”, vendimit nr.401, datë 21.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”, vendimit nr.17, datë 20.1.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve të fshatit”, vendimit nr.415, datë 27.4.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për rritjen e pensioneve”, vendimit nr.474, datë 30.6.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për rritjen e pensioneve”.

8. Kompensimi shtesë për të ardhurat mujore, sipas këtij vendimi, u jepet edhe personave që do t’u caktohet pension nga data 1.1.2026 e në vazhdim, të cilët kanë datë lindjeje të së drejtës për pension deri në datën 31.12.2025, përfshirë edhe këtë datë, me kusht që masa e pensionit dhe përfitimet e përmendura në shkronjat “b”, “c”, “ ç”, “d” dhe “dh”, të pikës 7, të këtij vendimi, në datën 31.12.2025 të mos kalojnë të ardhurat e parashikuara në pikat 1, 2, 3, 4 dhe 5 të këtij vendimi.

9. Kompensimi shtesë për të ardhurat mujore, sipas këtij vendimi, u jepet edhe personave që do t’u caktohet pension nga data 1.1.2026 e në vazhdim, me kusht që data e lindjes së të drejtës për pension të jetë deri në datën 31.12.2026, përfshirë edhe këtë datë, me kusht që masa e pensionit dhe përfitimet e përmendura në shkronjat “b”, “c”, “ ç” “d” dhe “dh”, të pikës 7, të këtij vendimi, në datën e lindjes së të drejtës për pension të mos kalojnë të ardhurat e parashikuara në pikat 1, 2, 3, 4 dhe 5 të këtij vendimi. Personave, që do u caktohet pension me datë lindjeje të së drejtës nga data 1.1.2027 e në vazhdim, nuk janë subjekte përfituese sipas këtij vendimi.

10. Kompensimet e përfituara sipas këtij vendimi nuk do të jenë objekt ndryshimi, në rastet e indeksimit të pensioneve me vendime të Këshillit të Ministrave.

11. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi llogariten në shumën 9 800 960 000 (nëntë miliardë e tetëqind milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë, të cilat ndahen:

a) 9 728 460 000 (nëntë miliardë e shtatëqind e njëzet e tetë milionë e katërqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë, për mbulimin e pagesave të kompensimit të të ardhurave mujore të pensionistëve;

b) 72 500 000 (shtatëdhjetë e dy milionë e pesëqind mijë) lekë shpenzime administrative për procedurat teknike të zbatimit të këtij vendimi dhe për pagesën e komisioneve të shërbimit të pagesave të pensioneve nga Posta Shqiptare, sh.a., dhe bankat e nivelit të dytë.

12. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, në shumën 9 800 960 000 (nëntë miliardë e tetëqind milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë, do të përballohen nga buxheti i shtetit, i planifikuar në buxhetin për sigurimet shoqërore, për vitin 2026.

13. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1.1.2026.

DETAJE/ 12-vjeçarja që u përdhunua nga i moshuari shkonte në shtëpinë e tij për ta ndihmuar

By: Fax Web
31 December 2025 at 14:29

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e raportuar në Pogradec, ku një vajzë 12-vjeçare dyshohet se është abuzuar seksualisht nga një 67-vjeçar dhe aktualisht rezulton shtatzënë, rreth 22 javëshe.

Familjarët e të miturës, në deklarime jashtë kamerave, janë shprehur se mes tyre dhe autorit të dyshuar kishte marrëdhënie të afërta shoqërore, duke theksuar se familjet frekuentonin shpesh banesat e njëra-tjetrës.

Sipas tyre, raportet kanë qenë korrekte dhe nuk kishin pasur asnjë dyshim se mund të ndodhte një ngjarje e tillë.

Ata shprehen se po përjetojnë një gjendje të rënduar emocionale dhe ndihen të tronditur dhe të turpëruar nga ajo që ka ndodhur, ndërsa presin që drejtësia të veprojë dhe të sqarojë plotësisht rrethanat e rastit.

Burime hetimore bëjnë me dije se banesat e familjes së vajzës dhe të autorit të dyshuar ndodhen ngjitur me njëra-tjetrën.

Po sipas këtyre burimeve, e mitura lejohej nga familjarët të shkonte herë pas here në dyqan, për të ndihmuar familjen e të dyshuarit, pa pasur dyshime për rrezik.

Rasti është zbuluar pasi prindërit kanë vënë re ndryshime fizike te vajza, çka i ka shtyrë ta dërgojnë për kontroll mjekësor.

Pas ekzaminimeve, mjekët kanë konstatuar se e mitura ishte shtatzënë.

Mësohet se i dyshuari, Rushan Selko, e ka kërcënuar vazhdimisht të miturën që të mos tregonte për ngjarjen.

Aktualisht, organet kompetente po vijojnë veprimet hetimore, po marrin në pyetje familjarët dhe persona të tjerë të përfshirë në rrethana, ndërsa vajza ka rrëfyer ngjarjen në prani të një psikologu.

Euro mbyll vitin 2025 me rritje në ditën e fundit, por bilanci vjetor mbetet negativ

By: Fax Web
31 December 2025 at 14:15

Euro e mbyll vitin 2025 me një rritje të lehtë ndaj lekut, duke u këmbyer në ditën e fundit të dhjetorit në nivelin e 96.77 lekëve, sipas kursit zyrtar të publikuar nga Banka e Shqipërisë.

Krahasuar me ditët e fundit të vitit, monedha europiane shënon një forcim modest, por ky zhvillim nuk mjafton për të përmbysur prirjen dominuese të gjithë vitit, gjatë të cilit euro ka qenë nën presion të vazhdueshëm zhvlerësues.

Gjatë 2025-s, euro ka reflektuar një dobësim të ndjeshëm në raport me lekun, i nxitur nga një kombinim faktorësh strukturorë dhe sezonalë. Flukset e larta valutore nga turizmi, remitancat e emigrantëve, investimet e huaja direkte, por edhe ofertat periodike të valutës nga bizneset eksportuese, kanë mbajtur tregun e këmbimit të mbingopur me euro. Në të njëjtën kohë, kërkesa për valutë europiane ka qenë relativisht e kufizuar, duke forcuar më tej pozitat e lekut.

Rritja e fundit e euros në mbyllje të vitit lidhet kryesisht me faktorë teknikë dhe sezonalë, përfshirë rregullimet e portofolave financiare, nevojat për likuiditet në fundvit dhe lëvizjet e zakonshme të tregut ndërbankar. Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se kjo rritje nuk përbën një ndryshim të qëndrueshëm të trendit, por më tepër një korrigjim afatshkurtër pas një periudhe të gjatë dobësimi.

Për vitin 2026, pritshmëritë mbeten të kujdesshme.

Nëse faktorët që kanë ushqyer forcimin e lekut gjatë 2025-s vijojnë, veçanërisht turizmi, investimet e huaja dhe flukset hyrëse nga jashtë, euro pritet të mbetet nën presion edhe në muajt e parë të vitit të ardhshëm. Një stabilizim i kursit të këmbimit ose një forcim i lehtë i euros mund të ndodhë vetëm në rast të rritjes së kërkesës për valutë, për shkak të importeve, projekteve të mëdha infrastrukturore apo ndryshimeve në politikën monetare.

Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë pritet të vijojë monitorimin e tregut valutor për të shmangur luhatje të forta, duke ruajtur stabilitetin financiar dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë. Për bizneset dhe konsumatorët, viti 2026 pritet të karakterizohet nga një kurs këmbimi relativisht i qëndrueshëm, por me rreziqe të vazhdueshme nga faktorët e jashtëm dhe zhvillimet në ekonominë europiane.

Yjet e sportit që humbën jetën gjatë 2025-ës

By: Fax Web
31 December 2025 at 13:58

Viti 2025 do të mbahet mend edhe për humbjet e dhimbshme në botën e sportit. Shumë figura të njohura – nga legjendat e futbollit, basketbollit, boksit, skiut dhe atletikës – kanë ndërruar jetë, duke lënë boshllëk në sportin dhe kulturën sportive.

Humbje të mëdha në janar dhe shkurt

Viti nisi me ndarjen nga jeta të Aldo Agroppi, ish-mesfushor dhe trajner, më 2 janar në moshën 80-vjeçare.

Po atë muaj humbën jetën edhe figura si Fabio Cudicini, portieri i njohur dhe babai i Carlos Cudicini, si dhe Rino Tommasi, zëri i njohur i tenisit dhe boksit.

Ndër të tjerët, u ndanë nga jeta edhe legjenda si Denis Law dhe basketbollisti Drazen Dalipagic.

Në shkurt, botën e sportit e tronditi humbja e mjeshtrit të shahut Boris Spassky, fitues i medaljes së artë tetë herë në Olimpiadën e Shahut dhe pjesëmarrës në përballjen legjendare kundër Bobby Fischer në 1972. Ai ndërroi jetë në moshën 88 vjeç.

Mars – humbje të ndjera nga bota e futbollit dhe boksit

Më 5 mars, humbëm Bruno Pizzul, zërin e paharrueshëm të transmetimeve sportive italiane, ndërsa tre ditë më vonë u nda nga jeta Oliver Miller, ish-lojtar i NBA-së. Humbje të mëdha shënuan edhe Eddie Jordan, themelues i ekipit të Formula 1, dhe George Foreman, një nga boksierët më të njohur të historisë.

Prill – maj: trajnerë dhe legjenda të sporteve të ndryshme

Në prill u nda nga jeta Leo Beenhakker, trajner i njohur i Ajax dhe Real Madrid, si dhe Giussy Farina, ish-president i klubeve italiane të futbollit. Maji solli ndarjen nga jeta të ish-pilotit të Formula 1 Jochen Mass, çiklistit Enrico Paolini, ish-futbollistit Enzo Ferrari, si dhe legjendës së boksit italian Nino Benvenuti dhe presidentit të Interit Ernesto Pellegrini.

Verë tragjike

Korriku shënoi një humbje të dhimbshme për tifozët e Liverpoolit me vdekjen e Diogo Jota dhe vëllait të tij, në një aksident tragjik. Po atë muaj u nda edhe Sergio Campana, ish-futbollist dhe themelues i Shoqatës Italiane të Futbollistëve, si dhe ikona e mundjes Hulk Hogan.

Gushti solli ndarjen nga jeta të basketbollistit Marco Bonamico dhe më vonë të Kim Hughes, ndërsa shtatori u shënua nga vdekjet e stilistit dhe pronarit të Olimpia Milano, Giorgio Armani, ish-boksierit britanik Ricky Hatton, skiatorit Matteo Franzoso, dhe themeluesit të makinave Enzo Osella.

Tetor – dhjetor: ikona të sporteve dimërore dhe atletikës

Tetori solli ndarjen nga jeta të skiatorit Giuliano Besson, ndërsa në nëntor humbëm trajnerin e futbollit Giovanni Galeone, ish-mbrojtësin Attilio Maldera, komentatorin sportiv Andrea De Adamich, ish-lojtarin e NBA-së Michael Ray Richardson dhe portierin legjendar Lorenzo Buffon.

Dhjetori u hap me ndarjen nga jeta të tenistit Nicola Pietrangeli, një nga figurat më të mëdha të sportit italian, ndërsa humbjet e fundit shënuan basketbollisti Elden Campbell, Mabel Bocchi, e para që fitoi një titull kontinental me një ekip femrash, dhe ish-çiklisti dhe fituesi i Milan-Sanremo Michele Dancelli.

Viti 2025 do të mbahet mend jo vetëm për fitoret dhe rekorde, por edhe për humbjet e dhimbshme që kanë tronditur botën sportive. Legjendat dhe ikonet që na lanë këtë vit lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme dhe kujtime që do të qëndrojnë përgjithmonë në historinë e sportit.

Sa do të ulen komisionet e pagesave me kartë në 2026?

By: Fax Web
31 December 2025 at 13:49

Gjatë 2026 pritet të ulen ndjeshëm komisionet që bankat u mbajnë bizneseve kur këto të fundit pranojnë pagesa me kartë në terminalet POS nga qytetarët.

Në një intervistë për Televizionin Scan, Sekretari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Spiro Brumbulli, u shpreh se do të ndiqet modeli i vendeve të Bashkimit Evropian, ku komisioni për transaksionet me kartë debiti është 0.2% dhe ato me kartë krediti është 0.3%.

“Grupi i punës akoma nuk ka filluar. Është duke u ngritur. Pra, janë mbledhur emrat, kandidatët nga institucionet që do jenë pjesë, por akoma nuk është bërë takimi i parë. Ndërkohë që ne me Bankën e Shqipërisë, në takimet që kemi pasur, kemi rënë dakord që në kuadrin edhe të përafrimit të legjislacionit tonë me atë të Bashkimit Evropian, brenda gjashtëmujorit të parë të vitit tjetër, të 2026-ës, pritet që të ndryshojë rregullorja jonë përkatëse mbi interchange fee, mbi komisionet e ndërsjella që kanë të bëjnë me kartat e debitit dhe kartat e kreditit, dhe do të ndjekim atë model që kanë edhe vendet e Bashkimit Evropian, përkatësisht me 0.2 dhe 0.3% për kartën e debitit dhe kartën e kreditit”, tha Brumbulli.

Megjithatë, për të realizuar këtë, rruga kalon fillimisht nga Parlamenti. Ai thekson se nevojitet një ndryshim urgjent në ligjin ‘Për Shërbimin e Pagesave’, i cili do t’i hapë rrugë ndryshimeve në rregulloren e Bankës së Shqipërisë.

“Pra është një masë që do të ndërmerret, por që të vijmë deri te udhëzimi duhet bërë dhe një ndryshim në ligjin për shërbimin e pagesave, kështu që parlamenti duhet të na ndihmojë patjetër duke i dhënë përparësi atij ndryshimi sa më shpejt në tremujorin e parë të 2026-ës, në mënyrë që t’i lihet kohë pastaj zbatimit të atij neni të ri, t’i hapet rruga edhe ndryshimit përkatës në rregullore”, shtoi Sekretari i Shoqatës Shqiptare të Bankave.

Aktualisht, komisionet e terminaleve POS janë shumë të larta për bizneset. Kjo i shtyn këto të fundit që të mos e përdorin dhe t’i kufizojnë qytetarëve mundësinë e kryerjes së pagesave me kartë. Ekzistojnë edhe ato biznese që vendosin një kufi minimal prej 300 ose 1500 lekësh blerje për të kryer pagesën me kartë.

Nis dëmshpërblimi për të prekurit nga zjarret në 10 bashki. Ja shuma

By: Fax Web
31 December 2025 at 13:34

Ka nisur kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga zjarret gjatë periudhës 15 qershor-15 shtator 2025.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka vënë në dispozicion të 10 bashkive një fond prej 191.5 milionë lekësh, pas përfundimit të procesit të vlerësimit dhe verifikimit të plotë të dëmeve.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili thekson se fondet po disbursohen për të mbështetur familjet dhe komunitetet e prekura nga zjarret.

Vlerësimi për dëmet e shkaktuara nga zjarret janë kryer në çdo bashki të prekur, sipas një procedure të posaçme.

Procesi nisi me evidentimin në terren nga Grupi i Konstatimit për inventarizimin e dëmeve, i ngritur me urdhër të kryetarit të secilës bashki. Ky grup ka regjistruar dëmet në banesa, infrastrukturë, biznese, kultura bujqësore, mjete mekanike dhe objekte social-kulturore, duke plotësuar formularë me kostot financiare përkatëse.

Pas këtij hapi, bashkitë kanë hartuar listat e subjekteve të dëmtuara dhe dokumentacionin shoqërues për vlerësim financiar. Në bazë të vlerësimit, çdo bashki ka përcaktuar koston e kompensimit.

Video-kartolina e Drejtorit të Policisë, Proda: Bashkë, me përgjegjësi e besim, për të ndërtuar një vend edhe më të sigurt!

By: Fax Web
31 December 2025 at 13:29

Në vigjilje të festës së Vitit të Ri nuk ka munguar as urimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Ilir Proda.

Përmes një video-kartoline, ai uron të gjithë shqiptarët ndërsa nuk harron të shprehë mirënjohjen e tij për punonjësit e policisë.

Urimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit:

Në prag të ndërrimit të viteve, shpreh mirënjohjen time të thellë për çdo punonjës të Policisë së Shtetit, për angazhimin, përkushtimin dhe sakrificën e treguar çdo ditë, duke vënë shpesh në plan të dytë familjen dhe sigurinë e tyre.

Viti që po lëmë pas nuk ka qenë i thjeshtë, ka qenë sfidues, një vit përgjegjësish të mëdha dhe sakrificash, të cilat na kanë lidhur më fort me njëri-tjetrin, me qytetarët dhe me partnerët, na kanë forcuar dhe na kanë bërë më të qartë se si duhet të jemi dhe çfarë duhet të bëjmë, për të qenë të denjë për misionin tonë.

Me përzemërsi të thellë uroj familjarët e Dëshmorëve të Policisë, të cilët kanë në tryezë një pjesëtar më pak, por në historinë e kombit, një hero më shumë.

Një falënderim dhe urim të sinqertë për qytetarët, për rolin e tyre të rëndësishëm, të cilët, nëpërmjet besimit dhe bashkëpunimit, kanë përforcuar pozitën e tyre si aleati ynë kryesor; për gazetarët dhe mediat, për rolin e tyre të rëndësishëm në informimin e publikut dhe forcimin e transparencës; si dhe për partnerët tanë kombëtarë e ndërkombëtarë, bashkëpunimi me të cilët ka qenë sinergji kapacitetesh, investimesh, angazhimi dhe profesionalizmi, në funksion të garantimit të sigurisë.

Policia e Shtetit është në gatishmëri për përmbushjen e detyrave, në çdo cep të vendit, për të garantuar një ndërrim vitesh të sigurt dhe të qetë.

Gëzuar Vitin e Ri! Shëndet, paqe dhe mbarësi! Bashkë, me përgjegjësi dhe besim, për të ndërtuar përgjatë vitit 2026, një vend edhe më të sigurt!

Nuk kanë marrë pagesën e premtuar nga qeveria, personat me aftësi të kufizuara protestë në Lezhë

By: Fax Web
31 December 2025 at 13:17

Mosmarrja e shpërblimit të fundvitit, të akorduar nga qeveria shqiptare, ka nxjerrë në protestë personat me aftësi të kufizuar në qytetin e Lezhës. Që në orët e para të mëngjesit, ata janë mbledhur para ambienteve të filialit të Postës Shqiptare në Lezhë, duke kërkuar marrjen e pagesës së premtuar.

Protestuesit shprehen se ndodhen në vështirësi të mëdha ekonomike dhe se mungesa e këtij shpërblimi i pamundëson të përballojnë shpenzimet për festën e ndërrimit të viteve.

Nga ana tjetër, përfaqësues të filialit të Postës bëjnë me dije se fondet ende nuk janë lëvruar nga Thesari i Shtetit, çka ka sjellë edhe krijimin e kësaj situate. Ata theksojnë se pagesat do të kryhen menjëherë sapo fondet të kalojnë në dispozicion të Postës.

VIDEO/ Urimi i Presidentit Begaj: Forcë, bashkim dhe shpresë për Shqipërinë europiane!

By: Fax Web
31 December 2025 at 13:11

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar përzemërsisht shqiptarët për Vitin e Ri 2026, duke theksuar rëndësinë e familjes, bashkëpunimit dhe përgjegjësisë qytetare.

Në mesazhin e tij, Presidenti vë në dukje arritjet e Shqipërisë gjatë vitit 2025 në forcimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe hapat drejt Bashkimit Evropian, ndërsa nënvizon nevojën për përpjekje të përbashkët për një standard evropian në jetën e çdo familjeje shqiptare.

“Të inkurajuar nga sukseset dhe të përulur nga mosarritjet, viti 2026 duhet të jetë viti i një përpjekjeje të përbashkët për ta kthyer standardin evropian në një realitet të prekshëm në jetën e çdo familjeje shqiptare. Interesi kombëtar dhe dialogu duhet të udhëheqin veprimet tona për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të begatë, sepse ajo që na bashkon është më e fortë se çdo interes që na ndan. Ndaj, në vigjilje të Vitit të Ri 2026, urimi im i parë është për bashkëpunim dhe bashkërendim rreth qëllimeve e interesave mbarëkombëtare!”, thekson Kreu i Shtetit.

Ai uron gjithashtu shqiptarët kudo në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginën e Preshevës, arbëreshët dhe diasporën, si dhe ata që janë në krye të detyrës në spitale, rend, ushtri dhe media.

“Çdo familje shqiptare, nga fëmijët te gjyshërit, pastë shëndet, gëzime dhe mbarësi. Më shumë besim dhe mirëkuptim për një Shqipëri më të fortë dhe evropiane”, thotë Presidenti Begaj.

Hyn në orët e natës në Hipotekën e Dibrës, Policia nis hetimet

By: Fax Web
31 December 2025 at 13:00

Një ngjarje e pazakontë është shënuar mbrëmjen e kaluar, në orët e vona të natës, në ambientet e Hipotekës së Qarkut Dibër. Sipas burimeve të sigurta, një person dyshohet se ka hyrë në institucion duke pasur në përdorim një kopje të çelësit.

Për shkak të rrethanave, janë ngritur dyshime se personi mund të jetë punonjës policie, megjithatë kjo mbetet ende e pakonfirmuar zyrtarisht. Për rastin është bërë denoncim dhe Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Aktualisht po verifikohen pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar personin që ka hyrë në godinë dhe për të kuptuar arsyet e pranisë së tij në një orar të pazakontë. Gjithashtu, po hetohet nëse ka pasur tentativa për të marrë apo konsultuar dosje të caktuara.

Autoritetet bëjnë me dije se hetimet janë në vijim dhe se çdo informacion zyrtar do të bëhet publik pas përfundimit të verifikimeve, duke theksuar se deri në këtë fazë bëhet fjalë vetëm për dyshime.

“Shpërdorim detyre”/ AMP pezullon Specialistin e Seksionit kundër Trafiqeve në Vlorë

By: Fax Web
31 December 2025 at 12:58

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, Rajoni Vlorë – Gjirokastër, ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” parashikuar në nenin 242 të Kodit të Pr. Penale, ndaj punonjësit të policisë Xh.Xh., me detyrë Specialist Hetimi në Seksionin kundër Trafiqeve pranë DVP Vlorë.

Efektivi është i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.

Cakti i masës së sigurisë u bë i mundur pasi punonjësi i policisë nuk ka përmbushur detyrat funksionale gjatë kryerjes së veprimeve në lidhje me një procedim penal të vitit 2024, njofton AMP.

Ministri i Drejtësisë jep lajmin e mirë për mbi 13 mijë familje pronarësh: Miratuam kompensimin, paratë kalojnë në llogari bankare

By: Fax Web
31 December 2025 at 12:12

Mbi 13 mijë familje do të marrin kompensimin financiar për pronat e tyre nga Agjencia e Trajtimit të Promave. Lajmin e mirë e jep Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari përmes një video-mesazhi. Ai shpjegon se fondi prej rreth 1.4 miliardë lekë do të shkojë në llogaritë bankare të pronarëve sot dhe në ditët e ardhshme. Ky kompensim është pjesa e mbetur prej 30% që ju takonte subjekteve për t’u shlyer plotësisht si pronarë.

Ministri i Drejtësisë thekson mes të tjerash se i ka kërkuar ATP-së “të ecë sa më shpejt me këtë proces, me transparencë dhe në respekt rigoroz të ligjit, duke përmbushur kështu detyrimin që ne kemi karshi pronarëve të tjerë dhe sigurisht si pjesë e angazhimit tonë për standardet evropiane, për një shtet të së drejtës dhe për një të ardhme ku prona, ligji dhe të liritë themelore janë të shenjta”.

“Një tjetër lajm i mirë për të ndarë me ju sot, vecanërisht për shumë e shumë familje që përfitojnë sipas ligjit kompensimin financiar nga shteti për pronat e tyre. Ndonëse shpesh u referohemi si ish-pronarë, në fakt nga sot shteti shqiptar shlyen plotësisht dhe vë në vend përfundimisht të drejtën që u takon. Sapo miratuam listën me plot 3527 subjekte të cilët kompensohen përfundimisht nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, për pjesën e mbetur prej 30%. Me nje fond prej rreth 1.4 miliard lekë, mbi 13 mijë familje përfitojnë drejtpërdrejt nga buxheti i alokuar nga qeveria shqiptare. Ky nuk është thjesht dhe vetëm një akt financiar dhe as vetëm përmbushja e detyrës sonë funksionale. Por është dicka me tepër, është një akt drejtësie. Është respekt për pronën, për ligjin dhe për qytetarin.

Me këtë pagesë që do të marrin nga sot e në ditët në vijim, kompensimi për këto familje sipas listës së publikuar në faqen zyrtare të ATP-së quhet i kryer plotësisht dhe ne mbyllim kështu një kapitull të vjetër. Njëkohësisht jemi të vendosur të vijojmë angazhimin tonë të palëkundur për ta përmbyllur procesin e kompensimit ndaj të gjithë pronarëve. Kam kërkuar nga Agjencia e Trajtimit të Pronës të ecë sa më shpejt me këtë proces, me transparencë dhe në respekt rigoroz të ligjit, duke përmbushur kështu detyrimin që ne kemi karshi pronarëve të tjerë dhe sigurisht si pjesë e angazhimit tonë për standardet evropiane, për një shtet të së drejtës dhe për një të ardhme ku prona, ligji dhe të liritë themelore janë të shenjta. Teksa ne përparojmë cdo ditë në rrugën pa kthim drejt Bashkimit Evropian, kompensimi financiar ndaj pronarëve është përmbushja e zotimit të qeverisë shqiptare ndaj të drejtës së tyre të njohur me ligj. Faleminderit dhe gëzuar!”, tha ministri.

LISTA

Mbërrin Viti i Ri në Zelandën e Re, spektakël fishekzjarresh në qiell

By: Fax Web
31 December 2025 at 12:03

ZELANDE E RE

Mes një spektakli fishekzjarresh, qytetarët në Zelandën e Re pritën Vitin e Ri 2026. Zelanda e Re është shteti i dytë në botë që priti Vitin e Ri, pas Atoli Kiritimati, i njohur edhe si Ishulli i Krishtlindjeve,  ndërsa mbizotëroi për disa minuta atmosfera që karakterizon ndërrimin e viteve.

Zelanda e Re me kryeqyet Auckland e ka pritur vitin 2026 në orën 12:00 me atë shqiptare. Siç është edhe traditë, viti i ri është pritur me një spektakël fishekzjarresh, mes atmosferës së bukur dhe urimeve për një vit të mbarë.

Lëvizte i dehur dhe i armatosur me kallashnikov dhe terrorizonte qytetarët, arrestohet i riu në Kurbin

By: Fax Web
31 December 2025 at 11:47

Një 28-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi akuzohet se në gjendje të dehur lëvizte i armatosur, ndërsa thyente xhama makinash dhe lokalesh. Ngjarja ka ndodhur në Kurbin. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave ra shtetasi Adrian Gjoka.

“Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë parandaloi ngjarje të mundshme kriminale. Lëvizte i dehur dhe i armatosur me kallashnikov, kërcënonte qytetarët, thyente xhamat e automjeteve dhe të një lokali, falë ndërhyrjes profesionale të shërbimeve policore, u neutralizua dhe u vu në pranga 28-vjeçari. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, menjëherë pas marrjes së informacionit se një shtetas i armatosur lëvizte me armë zjarri automatike në dorë, kërcënonte qytetarë dhe dëmtonte prona në zonë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Reagimi”.

Shërbimet e Policisë, në kuadër të këtij operacioni, kapën dhe vunë në pranga shtetasin A. Gj., 28 vjeç, banues në Laç. Ky shtetas, në gjendje të dehur, lëvizte i armatosur, kërcënoi disa qytetarë, theu xhamat e tre automjeteve dhe të një lokali me qytën e kallashnikovit. Në momentin e arrestimit, atij iu gjetën dhe iu sekuestruan një armë zjarri automatike dhe municion luftarak. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.”, sqaron policia.

Sekuestrohet sasi e madhe lëndësh piroteknike që shitej në markete, automjete dhe në rrugë, 3 të arrestuar në Tiranë

By: Fax Web
31 December 2025 at 11:45

Vijon intensivisht zbatimi i planit të posaçëm operacional të koduar “Fireworks”, ndërsa policia ka sekuestruar sasi të madhe lëndësh piroteknike që mbahej/shitej në 7 raste, në markete, në automjete ose në rrugë, duke cenuar kriteret.

Arrestohen 3 shtetas dhe procedohen penalisht 9. Si rezultat i kontrolleve të pandërprera që po kryhen gjatë këtyre ditëve, në kuadër të planit operacional “Fireworks”, në subjekte/ndaj shtetasve që shesin pa autorizim, lëndë piroteknike, veprimtari e cila rrezikon shëndetin e qytetarëve dhe qetësinë publike, shërbimet e Policisë së Tiranës evidentuan 7 raste të tjera të kësaj paligjshmërie.

Konkretisht:

-specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Finanaciare, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, arrestuan shtetasin I. Xh., 28 vjeç, si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. H., 25 vjeç, pasi gjatë kontrollit në automjetin e tyre, u gjetën lëndë piroteknike që posedoheshin nga 28-vjeçari, me qëllim shitjen, si dhe një sasi e vogël Cannabisi që posedohej nga shtetasi i proceduar;

 

-specialistët për Hetimin të Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin B. L., 22 vjeç, pasi gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit të tij, u gjet sasi të konsiderueshme fishekzjarresh;

-shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit M. B., 18 vjeç dhe L. P., 20 vjeç, pasi nga kontrolli në bagazhin e automjetit të tyre, nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, u gjet një sasi lëndësh piroteknike;

-specialistët për Hetimin të Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasit F. J., 55 vjeç, si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit B. J., L. T. dhe E. V., pasi nga kontrollet u konstatua se shtetasi F. J. dhe djali i tij, shtetasi B. J. shitnin fishekzjarre në marketin e tyre në rrugën “Myslym Keta”, ndërsa 2 të proceduarit e tjerë u kapën duke blerë lëndë piroteknike;

-specialistët për Hetimin të Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit A. P., 25 vjeç, A. H., 30 vjeç dhe R. Ll., 25 vjeç, pasi iu gjetën sasi fishekzjarresh.

Kontrollet vijojnë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Policia e Tiranës apelon sërish për të gjithë qytetarët që të mos përdorin dhe tregtojnë lëndë piroteknike në kundërshtim me rregullat dhe kriteret e përcaktuara, pasi kjo veprimtari, me rrezik për jetën dhe shëndetin e tyre, ndëshkohet konform ligjit.

❌
❌