Disa qen veçanërisht të talentuar janë në gjendje të mësojnë emrat e objekteve të reja thjesht duke përgjuar bisedat e pronarëve të tyre, ashtu siç bëjnë fëmijët e moshës 18 deri në 23 muajsh.
Kjo demonstrohet nga një studim i botuar në revistën Science nga një ekip ndërkombëtar i koordinuar nga etologia Claudia Fugazza e Universitetit Eotvos Loránd në Budapest.
Studiuesit kryen dy eksperimente me 10 qen me një talent të veçantë për fjalët.
Në eksperimentin e parë, pronarët duhej të bashkëvepronin drejtpërdrejt me qentë e tyre duke treguar dhe emërtuar vazhdimisht dy lodra të reja.
Në eksperimentin e dytë, qentë panë pronarin e tyre duke diskutuar lodrat me një person tjetër, pa u përfshirë kurrë drejtpërdrejt në bisedë. Në të dyja situatat, qentë dëgjuan emrin e secilës lodër të re për një total prej tetë minutash, të shpërndara në disa seanca të shkurtra. Testet treguan përfundimisht se, në të dyja eksperimentet, shtatë nga dhjetë qen kishin mësuar emrat e lodrave të reja.
Për të rritur nivelin e vështirësisë, studiuesit u kërkuan pronarëve që së pari të tregonin lodrat dhe pastaj t’i fshihnin ato në një shportë, duke thënë emrat e tyre vetëm kur qeni nuk mund t’i shihte. Pavarësisht kësaj ndarjeje kohore midis objektit dhe fjalës, shumica e qenve arritën të mësonin emrat e rinj.
Studimi sugjeron që aftësia për të mësuar nga të folurit e dëgjuar pasivisht mund të bazohet në mekanizma të përgjithshëm socio-kognitivë të ndarë në të gjitha speciet, në vend që të jetë e lidhur ekskluzivisht me gjuhën njerëzore. Megjithatë, studiuesit theksojnë se qentë me këtë aftësi të veçantë të të mësuarit, janë jashtëzakonisht të rrallë dhe talenti i tyre ka të ngjarë të pasqyrojë një kombinim të faktorëve individualë, predispozitave dhe përvojave unike të jetës./KM
Gigliola Haveriku ka ndarë në rrjetet sociale një nga momentet më të vështira me të cilat është përballur. Këngëtarja e njohur ka postuar një foto ku mban dorën e nënës së saj që po përballet me tumorin.
Gigliola shkruan se fotoja është shkrepur kur sapo kishte kaluar “dy ditët më të frikshme të jetës” dhe nëna e saj do të operohej. Gjatë dhjetorit që sapo lamë pas, analizat rutinë treguan se në trupin e së ëmës gjendej një tumor.
Këngëtarja përshkruan gjithë kalvarin e kësaj periudhe, ku asnjëherë nuk e ka humbur shpresën. Fotoja është postuar natën e fundit të qëndrimit në spital, para rikthimit në shtëpi dhe vazhdimit të luftës, pas një beteje të fituar. Në fund, Gigliola rikthen edhe njëherë në vëmendje diçka që thuhet shpesh, shansi për jetën e nënës së saj erdhi falë një kontrolli rutinë.
“Kjo foto është bërë të martën, mamush..
Dhe unë kisha kaluar dy nga ditët më të frikshme të jetës sime. Ti do të operoheshe.
Nuk do ta mendoja kurrë që këtë dhjetor, në një muaj festiv, jeta jonë do të tronditej kaq shumë dhe unë të mos ndjeja më tokën poshtë këmbëve. Nga disa analiza rutinë që nuk dolën mirë, tek momenti kur qëndrova përballë teje për të të dhënë lajmin më të vështirë: kishin zbuluar një tumor.
Nuk do ta harroj kurrë shikimin tënd të habitur… dhe pafuqinë time për të të thënë që ishte vetëm një ëndërr e keqe.
Që nga ai çast: takime, eko, analiza, pritje… derisa erdhi dita e shtrimit.
Lot (jo para teje), net pa gjumë, ankth dhe frikë e madhe… por mbi të gjitha, forcë, dashuri dhe besim të palëkundur që gjithçka do të shkonte mirë.
Mamushi im, drita jonë,
sonte është nata e fundit, nesër ikim tek shtëpia me një betejë të fituar dhe shumë shpejt do ta fitojmë edhe luftën. Bashkë, hap pas hapi.
Të dua pafund. Sa të jemi bashkë, asgjë nuk na mposht, as kanceri!
Një kontroll rutinë (check-up) na dha mundësinë të vepronim në kohë dhe t’i jepnim vetes një shans.”/KM
Qarku i Elbasanit po përballet me temperatura të ulëta, sidomos në zonat malore, ku termometri ka zbritur edhe nën –10°C. Në disa rrugë malore, temperaturat kanë arritur deri në –15°C, duke detyruar autoritetet të ndërhyjnë vazhdimisht për të siguruar qarkullimin e mjeteve.
Rruga Elbasan–Qafë Thanë ka pësuar reshje dëbore, por pastrimi dhe kriposja e saj e kanë mbajtur të hapur për qarkullim. Ndërkohë, në akset Elbasan–Gjinar dhe Elbasan–Tiranë nuk ka pasur dëborë, por punimet për të parandaluar ngricat vijojnë.
Sa i përket lumenjve, prurjet e Shkumbinit dhe përroit të Zaranikës janë në rënie dhe nuk paraqesin rrezik për përmbytje. Shkarkimet nga HEC-i i Banjës vazhdojnë në nivele të kontrolluara, ndërsa autoritetet pritet të vendosin për vazhdimësinë e tyre gjatë mëngjesit.
Probleme ka edhe në furnizimin me energji elektrike në Tunjë, si dhe në zonat Kushovë dhe Skënderbegas të Bashkisë Gramsh, por ekipet janë në terren dhe punojnë për riparimin e defekteve./K.M
Karriera e Bad Bunny është sërish në qendër të polemikave, këtë herë larg skenës dhe top listave muzikore. Një grua nga Porto Riko ka ngritur padi kundër artistit për përdorimin e paautorizuar të zërit të saj në dy nga këngët e tij, duke kërkuar 16 milionë dollarë kompensim.
Sipas padisë, zëri i përket një fraze të regjistruar në vitin 2018, kur gruaja pranoi ta regjistronte atë me kërkesë të producentit Roberto Rosalido, një bashkëpunëtor i rregullt i Bad Bunny që nga fillimi i karrierës së tij. Të dy u takuan në një kurs kur ishin studentë dhe, në këtë kontekst, u bë regjistrimi. Paditësja pretendon se ajo nuk u informua kurrë se audioja do të përdorej komercialisht ose se do të përfundonte duke qenë pjesë e këngëve të botuara dhe të shpërndara në shkallë të gjerë.
Fragmenti i zërit u përfshi për herë të parë në këngën ‘Solo de mi’, një nga këngët më të njohura të artistit në albumin e tij ‘X100pre’ , të publikuar në vitin 2018. Vite më vonë, e njëjta audio u rishfaq në ‘EeO’, një këngë e publikuar në albumin e tij të fundit ‘Debi tirar mas fotos’ , të publikuar në vitin 2025. Të dyja këngët kanë grumbulluar miliona dëgjime në platformat dixhitale, një faktor kyç në sqarimin e shifrës ekonomike të pretenduar nga paditësi.
Gruaja pretendon se nuk ka pasur asnjë kontratë që autorizon përdorimin e zërit të saj, as nuk është negociuar ndonjë kompensim për përdorimin e tij për qëllime muzikore, promovuese ose reklamuese . Nga pikëpamja e saj, kjo është një shkelje e të drejtave të saj , e përkeqësuar nga suksesi masiv i këngëve në të cilat shfaqet regjistrimi i saj.
Për momentin, Bad Bunny nuk ka bërë asnjë deklaratë publike për këtë çështje. Heshtja e tij përkon me një moment vëmendjeje të veçantë mediatike për shkak të turneut të tij të ardhshëm./KM
Në Bashkinë Pogradec, problematika kryesore vijojnë të jenë rrëshqitjet e dherave, të cilat janë evidentuar në disa zona. Gjatë ditës së djeshme, inxhinierët e Shërbimit Gjeologjik kanë kryer inspektime në zonat problematike, përfshirë fshatrat Cërravë dhe Dardhas, ku janë evakuuar disa familje, si dhe në zonën e rezervuarit të Stropckës. Priten raportet teknike për të përcaktuar ndërhyrjet e nevojshme.
Në Njësinë Administrative Trebinjë, rruga Dunicë vijon të jetë e bllokuar për shkak të një rrëshqitjeje të madhe dherash, e cila pritet të inspektohet sot nga specialistët. Ndërkohë, rruga e fshatit Malinë është jofunksionale dhe, pavarësisht sigurimit të mjeteve nga bashkia, ndërhyrja nuk është e mundur për momentin për shkak të kushteve të motit.
Në Njësinë Administrative Proptisht, rruga Zall–Torra vijon të jetë e bllokuar, ndërsa në fshatin Verrri është riaktivizuar një rrëshqitje e ndodhur rreth 8 vite më parë. Lumenjtë paraqiten me prurje normale dhe nuk raportohen problematika.
Nga bashkitë e tjera të qarkut nuk raportohen probleme të reja, ndërsa strukturat e emergjencave civile vijojnë monitorimin e situatës.
Situata në akset rrugore
Sipas ARRSH Rajoni Qendër–Lindje, në disa akse ka pasur reshje bore gjatë natës, veçanërisht në Boboshticë–Dardhë, Maliq–Kufi Gramsh dhe Libonik–Rëmbec–Plasë. Po kryhet pastrimi dhe kriposja e rrugëve, ndërsa qarkullimi vijon normalisht me goma dimërore.
Situata e energjisë elektrike
OSSHEE Rajoni Korçë raporton se disa zona rurale janë pjesërisht pa energji elektrike për shkak të defekteve në rrjetin e tensionit të mesëm. Janë në terren 6 grupe operative për riparimin e defekteve, ndërsa furnizimi me energji për objektet e rëndësisë së veçantë është i garantuar. Situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm nga strukturat përgjegjëse./KM
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ishte mbrëmjen e djeshme në Dimal dhe Kuçovë, së bashku me Kryetaren e Bashkisë Dimal, Juliana Memaj, dhe Kryetarin e Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, ku po pa nga afër situatën e krijuar nga reshjet intensive të ditëve të fundit.
Gjatë takimeve në terren, Ministri Salla zhvilloi dialog të drejtpërdrejtë me banorët, fermerët dhe blegtorët e zonës mbi dëmet e shkaktuara nga reshjet intensive të ditëve të fundit.
Ai theksoi se institucionet janë pranë çdo qytetari dhe po ndjekin nga afër situatën.
“Jemi në terren dhe pranë çdo qytetari. Verifikimi i dëmeve po vijon dhe çdo qytetar, fermer e blegtor i prekur do të dëmshpërblehet”, u shpreh ai.
Sipas Ministrit Salla, procesi i verifikimit po kryhet në bashkëpunim me bashkitë dhe strukturat përkatëse, me qëllim evidentimin e plotë të dëmeve në bujqësi dhe blegtori, si dhe garantimin e mbështetjes për të gjithë të prekurit./K.M
Në Shqipëri, sa herë opozita mbetet pa busull, nxirren nga sirtari i klisheve politike disa formula të gatshme që përdoren në çdo kohë. Njëra prej tyre është “qeveria teknike”. Kjo fjalë ka humbur kuptimin real dhe është kthyer në një formulë magjike për konsum elektoral, në një refren që përsëritet me zë të lartë për të fshehur boshllëkun e ideve, mungesën e alternativës dhe pamundësinë për të prodhuar besim. Opozita shqiptare, veçanërisht krahu berishist, vazhdon ta kërkojë sot qeverinë teknike sikur ajo të ishte çelësi i artë që hap derën e pushtetit. Por kjo kërkesë, në rrethanat konkrete të Shqipërisë, nuk është vetëm e parealizueshme; është absurde.
Në këtë kurth të retorikës boshe kanë rënë fatkeqësisht edhe disa nga partitë e reja, të cilat u shfaqën si shpresë për një frymë ndryshe, por shumë shpejt adoptuan gjuhën më të vjetër të politikës shqiptare. Në vend që të flisnin për rregulla loje, për garanci institucionale dhe për reforma konkrete, edhe ato filluan të përsërisin refrenin e “qeverisë teknike”, duke u rreshtuar në një debat artificial që nuk prodhon asnjë zgjidhje reale.
Absurdin e kanë çuar edhe më tej duke artikuluar publikisht emra të ndryshëm për postin e kryeministrit të një qeverie teknike që, në kushtet aktuale, nuk ka asnjë bazë ligjore për të ekzistuar. Ky është kulmi i keqkuptimit: të ndash poste në një qeveri imagjinare, sikur problemi i Shqipërisë të ishte mungesa e emrave dhe jo mungesa e besimit. Kjo lojë me kandidatura fantazmë jo vetëm që i bën qesharake kërkesat për qeveri teknike, por edhe zbulon se sa shpejt idealizmi i shpallur i këtyre forcave të reja tretet përballë tundimit për t’u futur në skemat e vjetra të pazareve politike.
Mazhoranca socialiste zotëron sot 83 mandate në Kuvend. Kjo nuk është një shumicë e thjeshtë, por një shumicë solide, afër shumicës absolute, e cila i jep Partisë Socialiste të gjitha mjetet kushtetuese për të qeverisur dhe, në rast se kryeministri aktual largohet, për të zgjedhur një tjetër pa pasur nevojë për asnjë ndërhyrje jashtë rregullave parlamentare. Në këtë kontekst, të flasësh për qeveri teknike është njësoj si t’i kërkosh një treni që ecën me shpejtësi të ndalojë në mes të rrugës vetëm sepse dikush po bërtet nga jashtë.
Kur lind realisht një qeveri teknike?
Qeveritë teknike nuk janë produkte të retorikës opozitare, por pasoja të drejtpërdrejta të krizave të thella politike që e bëjnë të pamundur vazhdimin normal të qeverisjes. Historia politike evropiane është plot me shembuj që e dëshmojnë këtë. Në Itali, për shembull, qeveria teknike e Mario Montit në vitin 2011 nuk erdhi sepse opozita e kërkoi me megafon, por sepse vendi ishte në prag të kolapsit financiar, tregjet kishin humbur besimin, shumica parlamentare e qeverisë Berlusconi ishte shpërbërë dhe presidenti i Republikës ndërhyri për të shmangur falimentimin. Në Greqi, qeveria teknike e Lucas Papademos në vitin 2012 ishte pasojë e një krize shkatërrimtare borxhi, protestave masive, djegies së Athinës dhe pamundësisë së partive tradicionale për të krijuar një shumicë funksionale. Në Rumani, në vitin 2015, pas tragjedisë së klubit “Colectiv” dhe protestave masive që çuan në dorëheqjen e qeverisë, u formua një kabinet teknokratësh për të menaxhuar situatën deri në zgjedhje. Në të gjitha këto raste, qeveritë teknike nuk ishin zgjedhje politike, por domosdoshmëri për mbijetesë institucionale.
Asgjë e tillë nuk po ndodh sot në Shqipëri. Mazhoranca nuk ka humbur shumicën parlamentare, asnjë votëbesim nuk e ka rrëzuar qeverinë dhe nuk ka asnjë presion popullor që të paralizojë jetën e vendit. Opozita nuk ka arritur të ndezë një valë të gjerë mobilizimi shoqëror; protestat e saj janë shndërruar në rituale të lodhura, të parashikueshme, që nuk tronditin më askënd dhe nuk ndryshojnë asnjë ekuilibër politik. Indiferenca e qytetarëve është e thellë dhe alarmante, por ajo nuk është shenjë e pajtimit me qeverinë. Është shenjë e një lodhjeje kolektive nga një opozitë që, pas vitesh humbjesh dhe përçarjesh, nuk arrin të artikulojë më as një alternativë bindëse, as një projekt serioz për ndryshimin e vendit.
Kriza ekziston, por nuk është qeverisëse
Shqipëria ndodhet sot në një krizë të thellë, por kjo nuk është krizë qeverisjeje në kuptimin klasik parlamentar. Është krizë e përgjegjësisë politike dhe e mënyrës se si ushtrohet pushteti. Qeveria aktuale funksionon si një strukturë e përqendruar pothuajse tërësisht rreth figurës së kryeministrit. Vendimet strategjike, nga projektet infrastrukturore e deri te reformat administrative, nuk kalojnë më nëpër filtrat kolegjialë të ekzekutivit, por burojnë nga një rreth shumë i ngushtë njerëzish. Këshilli i Ministrave është shndërruar në një mekanizëm ratifikimi, ndërsa ministrat, në vend që të jenë bartës të politikave publike dhe përgjegjës para Kuvendit, janë reduktuar në menaxherë sektorësh që japin llogari vetëm përpara një njeriu. Shembujt janë të shumtë: nga projektet e mëdha urbane të shpallura me konferenca shtypi të njëanshme, te paketat fiskale dhe nismat ligjore që miratohen me procedura të përshpejtuara, pa debat real dhe pa transparencë të mjaftueshme.
Edhe roli i Partisë Socialiste si organizëm politik është dobësuar ndjeshëm. Forumet e saj drejtuese, që dikur shërbenin si hapësira debati dhe përpunimi politikash, sot kanë ndikim minimal në orientimin e qeverisë. Vendimmarrja është zhvendosur nga struktura kolegjiale në një model të personalizuar, ku kryetari i partisë është njëkohësisht kryeministër dhe arbitri i vetëm i linjës politike. Në këtë kontekst, Kuvendi ka humbur gradualisht funksionin e tij kontrollues: interpelancat janë kthyer në formalitete, komisionet parlamentare në zyra procedurash, ndërsa mazhoranca voton pothuajse automatikisht çdo nismë që vjen nga qeveria. Opozita, nga ana e saj, është e përçarë dhe e paaftë të ushtrojë presion institucional, duke e lënë terrenin e llogaridhënies pothuajse bosh.
Ky deformim i jetës politike është i dukshëm në çdo aspekt të qeverisjes, por ai nuk përbën në vetvete kusht për qeveri teknike. Qeveria nuk është bllokuar, nuk ka humbur shumicën dhe nuk është rrëzuar nga Kuvendi. Ajo vazhdon të prodhojë vendime dhe ligje, edhe kur këto shoqërohen me pakënaqësi të thella publike, skandale korrupsioni apo kritika të vazhdueshme nga partnerët ndërkombëtarë. Kjo tregon se problemi i Shqipërisë nuk është pamundësia për të qeverisur, por mënyra se si qeveriset.
Mungesa e besimit është problemi real
Raportet e fundit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e majit të vitit të kaluar e përshkruajnë me tone edhe më të ashpra këtë realitet: në Shqipëri nuk kemi thjesht shkelje teknike, por një model të qëndrueshëm të keqpërdorimit të pushtetit për qëllime elektorale. Monitoruesit ndërkombëtarë nënvizuan përdorimin sistematik të burimeve shtetërore në fushatë, shpërndarjen e investimeve publike me ritme dhe intensitet të pazakontë në prag zgjedhjesh, si dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të strukturave qeveritare në mbështetje të kandidatëve të mazhorancës. Në raport përmendet se kufiri mes aktivitetit institucional dhe propagandës elektorale është bërë pothuajse i padukshëm, ndërsa ministrat dhe drejtuesit lokalë shfaqen në terren më shumë si drejtues fushate sesa si zyrtarë publikë.
Veçanërisht problematik u konsiderua procesi i votimit të diasporës, i cili u zhvillua pa garancitë e mjaftueshme ligjore dhe teknike, duke ngritur dyshime serioze për integritetin e tij. OSBE/ODIHR vuri në dukje mungesën e transparencës, paqartësitë procedurale dhe rrezikun e manipulimit të këtij segmenti të rëndësishëm të elektoratit. Po aq alarmante janë referencat ndaj përdorimit të grupeve kriminale dhe parave të pista në fushata lokale, si dhe raportimet për intimidimin e administratës publike dhe votuesve që varen prej saj. Në shumë zona, nëpunës, mësues dhe punonjës të shërbimeve publike janë përfshirë në aktivitete elektorale nën presion të drejtpërdrejtë, duke krijuar një klimë frike dhe nënshtrimi që minon çdo nocion të votës së lirë.
Në këtë kontekst, mosbesimi nuk është më perceptim subjektiv i opozitës, por diagnozë e dokumentuar nga vëzhgues ndërkombëtarë. Kur votimet e diasporës shihen si terren i pambrojtur, kur investimet publike përdoren si mjete blerjeje politike dhe kur bandat e krimit dhe paratë e pista shfaqen si faktorë ndikimi në zgjedhje, procesi elektoral humbet karakterin e tij demokratik dhe shndërrohet në një betejë force. Dhe kur zgjedhjet përjetohen si përplasje me mjete jo të barabarta, çdo rezultat, sado formal të jetë, lind i kontestuar, duke e thelluar edhe më shumë krizën e besimit që sot është problemi më i madh i demokracisë shqiptare.
Nga “qeveri teknike” te “marrëveshje ligjore besimi”
Këtu qëndron keqkuptimi themelor i opozitës shqiptare. Problemi nuk është se kush qeveris sot, por se si do të garohet nesër. Shqipëria nuk ka nevojë për një qeveri teknike që të marrë pushtetin nga mazhoranca; kjo është politikisht e pamundur. Shqipëria ka nevojë për një marrëveshje ligjore besimi që të garantojë zgjedhje të pranueshme nga të gjithë.
Një marrëveshje e tillë duhet të jetë e sanksionuar me ligj, jo një pazar politik në errësirë. Ajo duhet të krijojë një qeveri kujdestare vetëm për periudhën zgjedhore, me kompetenca të kufizuara dhe me mekanizma të fortë kontrolli për të parandaluar abuzimet.
Modeli i Maqedonisë së Veriut është ilustrues. Pas krizës së rëndë politike dhe skandalit të përgjimeve, palët politike u detyruan, nën presionin e ndërkombëtarëve, të nënshkruanin Marrëveshjen e Përzhinës. Kjo marrëveshje parashikoi krijimin e një qeverie kujdestare njëqind ditë para zgjedhjeve, ku opozita merrte kontrollin e disa ministrive kyçe, veçanërisht të atyre që kishin ndikim të drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor.
Kryeministri dhe ministrat e kësaj qeverie nuk kishin të drejtë të kandidonin, ndërsa përdorimi i fondeve publike për fushatë ndalohej rreptësisht. Ky model nuk e shëroi plotësisht demokracinë maqedonase, por krijoi minimumin e besimit të nevojshëm që zgjedhjet të mos ktheheshin në krizë politike.
Çfarë duhet të bëjë Shqipëria?
Shqipëria nuk ka nevojë për spektakël politik, por për një pakt të ri, të ndërtuar jo mbi dëshira momentale, por mbi themele ligjore dhe kushtetuese. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e ka të qartë logjikën e qeverisjes parlamentare: qeveria buron nga shumica në Kuvend dhe rrëzohet vetëm nëpërmjet mekanizmave kushtetues, jo nga presioni retorik apo ultimatume politike. Prandaj, në vend që të shpiken “qeveri teknike” jashtë realitetit juridik, zgjidhja e vetme serioze është të krijohen garanci ligjore për zgjedhje të ndershme dhe të barabarta, në përputhje me parimet kushtetuese të pluralizmit, barazisë para ligjit dhe konkurrencës së lirë politike. Pikërisht këtu hyn nevoja për një marrëveshje besimi të sanksionuar në Kodin Zgjedhor: jo si pazar politik, por si instrument normativ që materializon standardet kushtetuese të zgjedhjeve të lira dhe të rregullta.
Një marrëveshje e tillë duhet të ketë status të qartë juridik dhe të jetë e detyrueshme për palët, duke u shndërruar në dispozita konkrete ligjore. Në thelb, ajo duhet të parashikojë një qeveri kujdestare vetëm për periudhën zgjedhore, me kompetenca të kufizuara dhe me detyrime të qarta të mosndërhyrjes në garë.
Në këtë kuadër, ndalimi i kandidimit për anëtarët e qeverisë kujdestare është një garanci kushtetuese në funksion të barazisë së garës. Ai shmang konfliktin e interesit dhe i jep kuptim parimit që kush administron zgjedhjet nuk duhet të jetë njëkohësisht garues. Kjo është një ide që mbështetet në logjikën e përgjithshme të shtetit të së drejtës: ndarja e funksioneve, shmangia e konfliktit të interesit dhe neutraliteti institucional. Po kështu, kontrolli i dyanshëm mbi administratën zgjedhore dhe mbi hallkat kyçe të shtetit gjatë fushatës është jetik për të zbatuar parimin e barazisë së subjekteve politike dhe për të ndarë shtetin nga partia. Në praktikë, kjo do të thotë që vendimet me ndikim elektoral (punësime, shkarkime, tendera, shpërndarje fondesh, investime publike të përshpejtuara, përdorim i aseteve publike) të futen nën një regjim kufizimesh të posaçme dhe transparence të detyrueshme, me raportim publik dhe me mekanizma ankimi të shpejtë.
Vetëm në këtë mënyrë mund të rindërtohet besimi i humbur: duke e kthyer procesin zgjedhor nga një duel i pabarabartë në një garë ku rregullat janë të qarta dhe të zbatueshme. Dhe pa besim, asnjë qeveri, as teknike, as politike, nuk do ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza e saj e përhershme demokratike./K.M
“Teherani dëshiron të negociojë”. Kështu u shpreh presidenti i SHBA-së, Donald Trump ndërsa fliste me gazetarët në bordin e Air Force One, teksa Irani është përfshirë prej prostesave masive.
“Udhëheqësit iranianë telefonuan dje”, tha Trump, duke shtuar se po organizohet një takim.
Megjithatë, Trump deklaroi se se ushtria amerikane po shqyrton opsione shumë të forta, lidhur me një ndërhyrje të mundshme ushtarake në Iran.
“Mund të na duhet të veprojmë përpara se kjo të ndodhë. Po e vlerësojmë situatën shumë seriozisht. Ushtria po e shqyrton atë dhe po vlerësojmë disa mundësi shumë të forta. Do të marrim një vendim”, theksoi ai./K.M
Policia ekuadoriane njoftoi të dielën se po hetonte pasi pesë koka njerëzish u gjetën të varura në një vend të dukshëm, së bashku me një mesazh kërcënues, në një plazh turistik në pjesën jugperëndimore të vendit, i cili është goditur nga një valë dhune kohët e fundit.
Zbulimi makabër u bë në Puerto Lopez, në provincën e Manavi, një destinacion popullor për vëzhgimin e balenave, ku nëntë persona, përfshirë një foshnjë, ishin vrarë në fund të dhjetorit në një seri incidentesh të cilat autoritetet ia atribuojnë konflikteve të bandave.
Imazhet që qarkulluan në mediat sociale treguan pesë kokat e varura me litarë në dy shtylla druri në plazh, përballë detit. Pranë tyre, një tabelë në një dërrasë druri kërcënonte anëtarët e bandës që shantazhonin tregtarët dhe banorët për pagesa për mbrojtje të supozuar.
Ekuadori, midis dy vendeve me eksportet më të mëdha të kokainës në botë, Kolumbisë dhe Perusë, po përjeton një përshkallëzim të frikshëm të dhunës për shkak të konflikteve midis bandave të lidhura me kartelet meksikane dhe kolumbiane.
Pavarësisht luftës së shpallur kundër bandave nga Presidenti ekuadoras Daniel Noboa, në gjashtë muajt e parë të vitit 2025, në vendin me pak më shumë se 18 milionë banorë u kryen më shumë se 4,600 vrasje, një numër që u rrit me 47% krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2024.
Arti dhe kultura vazhdojnë të jenë forma të rëndësishme shprehjeje dhe reflektimi shoqëror. Ato ndikojnë në formimin e identitetit dhe ndërgjegjes kolektive.
Eventet kulturore po shihen si hapësira bashkimi dhe dialogu, duke sjellë më afër komunitetin dhe artistët.
Ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore mbetet thelbësore për të lidhur të kaluarën me të ardhmen./KM
Ok ok Një nënë i bie të fikët dhe bie përtokë. Janë qindra njerëz. Trupat transportohen me kamionë që i hedhin përpara morgut të Teheranit , ku nuk ka më hapësirë të lirë. Rreshta me çantat e zeza formohen përgjatë perimetrit të ndërtesës së vdekjes, në oborr, midis shtretërve me lule.
Disa zinxhirë janë gjysmë të hapur, duke zbuluar fytyra të përgjakura. Pjesë lëkure, e copa rrobash. “Kërkoni fëmijët tuaj”, urdhërojnë ata . Kushdo që i ka gjetur, djali i tyre, bërtet në gjunjë. Ata që ende shpresojnë se ishte një gabim përkulen mbi çantën, e hapin përgjysmë dhe, nëse janë me fat, e mbyllin përsëri. Një djalë bie në sy në gjithë këtë errësirë. Ndërsa orët kalojnë, pamje të tilla shtohen: skena të ngjashme po mbërrijnë nga çdo cep i vendit . Brenda spitaleve, jashtë morgjeve, në rrugë.
“Po i vrasin të gjithë”, shkruajnë ata . Është masakra e Republikës Islamike, që shtyp popullin e saj të revoltuar ndërsa bën thirrje për fundin e tyre. Në ditën e pesëmbëdhjetë të protestave, rrugët po mbushen përsëri , pavarësisht shtypjes së egër që i ngjan gjithnjë e më shumë një lufte. OJQ-të flasin për 538 vdekje, por brenda vendit thonë “mijëra “. Fondacioni i fitueses së Çmimit Nobel Narges Mohammadi – ende në burg – shkruan për mbi 2,000 njerëz të vrarë dhe gati 11,000 të arrestuar .
Interneti dhe telefonat janë ende të shkëputur, por protestuesit po përgatiten të anashkalojnë bllokadën e vendosur nga Ajatollahët, të cilët vrasin më mirë në errësirë. “Ata që janë të lidhur me Starlink po bëhen të disponueshëm për të informuar familjet e të tjerëve dhe për të dërguar materiale të rëndësishme jashtë vendit”, thonë ata.
Samira shkruan përsëri: “Jam gjallë.” Nuk kishim dëgjuar prej saj për katër ditë: “Kaq shumë të vdekur, janë kudo. Po na qëllojnë nga çatitë. Nuk dimë çfarë të bëjmë; nuk mund të mbrohemi me gurë kundër mitralozëve. Do të na vrasin të gjithëve nëse askush nuk na ndihmon.” Ajo ka frikë, veçanërisht për vëllezërit e saj: “Guximi i tyre më tremb.”
Rrugët janë të mbushura me turma dhe Garda Revolucionare po qëllon drejt e në kokë . Kjo është ajo që na thonë protestuesit dhe mjekët në dhomën e urgjencës që u shemb. Thirrja e dëshpëruar e një mjeku: ” Ju lutemi transmetoni mesazhin tonë në televizionin kombëtar, nuk mund t’i trajtojmë të gjithë, na mungojnë kirurgë dhe infermierë .”
Ai kërkon që apeli i tij të transmetohet sepse as telefonat në spitale nuk funksionojnë. Ata na dërgojnë fjalët e një të riu nga Shirazi: “Familjet e viktimave po heshtin, sepse kjo është e vetmja mënyrë që ata mund të marrin trupat e të dashurve të tyre. Për t’i rikthyer ata, disa duhet të paguajnë mijëra dollarë. Baballarët dhe nënat kanë frikë të flasin.” Lexojmë se “në Rasht ka vdekje të panumërta, madje edhe në Lordegan . Qytete të tëra janë në zi. Në qytetet më të vogla është një masakër.”
Samira tregon se si disa agjentë infiltrohen te protestuesit dhe bëjnë sikur i udhëheqin, duke i futur në kurthin e regjimit: “Kur një turmë e madhe marshon nëpër rrugë, duhet një udhëheqës për të drejtuar rrugën.
“Samira kthehet te lufta, dhe për këtë arsye te errësira e internetit. Por së pari ajo na pyet nëse bota po flet për Iranin dhe na lë një mesazh, siç ka bërë gjithmonë, edhe kur mori pjesë në protestat e vitit 2022: “Nëse më ndodh diçka, thoni se isha në rrugë për liri.”
Dosja e Iranit është me siguri në tavolinën e Donald Trump. Sipas infoemacioneve, ai do të vlerësojë disa opsione, përfshirë veprimet ushtarake. “Opsionet që do të vlerësohen”, përgjigjet drejtpërdrejt kryetari i Parlamentit, i linjës së ashpër dhe besnik i Ali Khameneit, Mohammad Bagher Qalibaf: “Në rast të një sulmi ndaj Iranit, si Izraeli ashtu edhe të gjitha qendrat, bazat dhe anijet ushtarake amerikane në rajon do të jenë objektivat tanë legjitimë”.
Wall Street Journal raporton se një takim informues është planifikuar për të martën në të cilin presidenti amerikan do të informohet për opsionet , të cilat përfshijnë, përveç bombardimeve të mundshme, sulme kibernetike dhe sanksione. Jerusalem Post raporton se “Trump në thelb ka vendosur të ndihmojë protestuesit. Ajo që ai nuk ka vendosur ende është ‘si’ dhe ‘kur ‘” .
Marshimi
Dje, vonë në mbrëmje, ajatollahët bënë një njoftim që, në ditën e mbledhjes së kufomave të grumbulluara në morgje, dukej surreale: tre ditë zie kombëtare për viktimat e “betejës së rezistencës” kundër protestave . Agjencia e lajmeve Tasnim raportoi se i ashtuquajturi president reformist, Masoud Pezeshkian, është “thellësisht i prekur” nga jetët e humbura dhe po bën thirrje për një marshim. Dyzet e tetë anëtarë të forcave të sigurisë thuhet se janë vrarë në dy javë.
OJQ-të po fillojnë të mbledhin emrat dhe historitë e atyre që u vranë nga Rojtarët besnikë të Ajatollahëve. Midis tyre është Ahmad Abbasi, një aktor dhe producent teatri . Ai u qëllua në ballë ndërsa protestonte i paarmatosur në rrugët e Teheranit. Familja e tij e identifikoi atë falë tatuazheve të tij. Ai ishte i panjohshëm. Ata vranë gjithashtu Robina Aminian, një studente 24-vjeçare kurde në Universitetin e Teheranit , me origjinë nga Nowdesheh, në provincën Kermanshah. Forcat qeveritare e qëlluan në kokë nga afër: ajo vdiq menjëherë. Autoritetet refuzuan t’ia kthenin trupin e saj familjes./K.M
Siç shkruan CNN pamje nga Teherani tregojnë një turmë njerëzish në Qendrën e Mjekësisë Ligjore Kahrizak, teksa përpiqen të identifikojnë të afërmit e tyre mes qindra trupave.
Njerëzit janë mbledhur përpara një monitori që shfaq fotografitë e të ndjerëve dhe sipas informacioneve mund të ketë deri në 250 trupa.
Në një tjetër video, sipas CNN, shihen trupa në thasë të zinj të rreshtuar në një trotuar jashtë ndërtesës, me njerëz të mbledhur përreth.
Dëgjohen britma dëshpërimi dhe shihen persona që qajnë pranë trupave.
Disa trupa vendosen në një zonë me dhe pranë ndërtesës, ndërsa familjet kërkojnë me dëshpërim të afërmit e tyre.
Agjencia shtetërore e lajmeve Tasnim ka publikuar një video me pamje nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Videoja tregon një gazetar të agjencisë duke folur me persona të cilët rrëfejnë se të afërmit e tyre (të ndjerë) nuk ishin protestues. Një burrë i pikëlluar, mes lotësh, i tregon gazetarit se e dashura e tij është goditur në kokë nga një gur dhe se viktima ishte pro-qeverisë.
Duke folur para kamerës, gazetari thotë se mes viktimave ka edhe protestues që “synonin të përplaseshin” me forcat e sigurisë ose “donin të merrnin nën kontroll një bazë ushtarake apo diçka të ngjashme dhe mund të kenë përdorur armë”.
“Por shumica e këtyre njerëzve ishin qytetarë të zakonshëm dhe familjet e tyre janë familje të zakonshme“. shton ai./K.M
Mijëra turistë kanë mbetur të bllokuar në Lapland të Finlandës, pasi një valë e fortë të ftohti ka anuluar fluturimet nga një prej aeroporteve të saj. Nisjet nga aeroporti i Kittilës në Lapland për në vende si Londra, Bristoli, Mançesteri, Parisi dhe Amsterdami u anuluan të gjitha të dielën pasi temperaturat shkuan në -35 gradë Celsius.
Problemi pritet të vazhdojë të hënën, pasi agjencia meteorologjike e Finlandës parashikon një temperaturë minimale prej -39 gradë Celsius.
I ftohti ekstrem e bën të vështirë shkrirjen e akullit të aeroplanëve, ndërsa pajisjet e mirëmbajtjes dhe të furnizimit me karburant në tokë mund të ngrijnë. Operatori i aeroportit Finavia tha se lagështia në ajër po e përkeqësonte situatën pasi po krijonte ngricë të rrëshqitshme.
Ndërsa Laplanda – e cila përfshin Norvegjinë veriore, Suedinë dhe Finlandën – është e njohur për të ftohtin dhe borën, Laplanda finlandeze zakonisht ka një temperaturë mesatare dimërore prej -14°C, me rënie të herëpashershme në -30°C, sipas bordit të turizmit të vendit.
Aeroporti i Kittilës u shërben kryesisht njerëzve që dëshirojnë të udhëtojnë në vendpushimet e skive aty pranë dhe të shohin Dritat e Veriut, ndërsa aeroporti i Rovaniemit, më në jug, është destinacioni zyrtar për vizitorët në shtëpinë e njohur si e Babagjyshit të Krishtlindjeve.
I ftohti i pazakontë në Lapland vjen ndërsa një stuhi që kalon mbi Evropën Veriore ka sjellë kushte dimërore dhe ndërprerje të udhëtimit në Mbretërinë e Bashkuar, Francë dhe Gjermani./K.M
Napoli dhe Inter u ndanë në barazim 2-2 në një përballje direkte në krye të Serie A.
Inter kaloi në avantazh herët, në minutën e 9-të, me golin e Dimarcos pas një aksioni të ndërtuar nga Thuram.
Napoli reagoi në minutën e 26-të, kur McTominay shfrytëzoi një krosim të Politano dhe barazoi shifrat.
Në pjesën e dytë, Inter riktheu epërsinë nga pika e bardhë me Çalhanoglunë në minutën e 73-të.
Napoli barazoi sërish tetë minuta më vonë, me McTominay që realizoi golin e dytë personal.
Ndeshja u mbyll me raste nga të dyja skuadrat, por pa ndryshim rezultati. Napoli regjistroi barazimin e dytë radhazi. Inter mbetet kryesues i kampionatit me avantazh prej tre pikësh ndaj Milanit./K.M
Moti në vendin tonë për ditën e sotme do të jetë kryesisht dimëror dhe i ftohtë me kthjellime dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat ditore do të jenë të ulëta, duke luhatur rreth disa gradë mbi zero në zonat e ulëta dhe jo më shumë se rreth 5–9°C në disa qytete, ndërsa netët dhe mëngjeset do të mbeten nën zero, sidomos në zonat malore dhe të brendshme ku priten edhe ngrica. Reshjet pritet të jenë të pakta ose të mungojnë në shumë vende, por vranësirat herë-herë mund të shfaqen. Era do të fryjë lehtë deri mesatare, veçanërisht nga veriperëndimi. Për mëngjeset e ftohta këshillohet kujdesi në trafik për shkak të ngricave në akse rrugore.
Në përgjithësi, dita do të jetë e acartë, me diell të alternuar me vranësira, dhe temperaturat deri rreth 5-9°C gjatë ditës, me ngrica gjatë mëngjesit dhe në zonat malore./KM
Dite shume e paqëndrueshme kjo e sotmja për ata qe janë ne një lidhje. Do debatoni here pas here me personin qe keni ne krah dhe nuk do hapni rruge për asnjë çast. Beqaret do kenë një dite te bukur dhe te mbushur me takime mbresëlënëse. Ne planin financiar tregohuni realiste dhe mos kryeni shpenzime te pamenduara.
Demi
Partneri do ju përkëdhele dhe do ju dashuroje si kurrë me pare gjate kësaj dite. Gjithçka qe keni dashur do ju realizohet si me magji. Beqaret vetëm duhet te shprehin dëshirat sepse planetët do ju gjenden pranë dhe do ua plotësojnë. Ne planin financiar do keni me shume fat se kurrë. Gjendja do stabilizohet sa hap e mbyll sytë. Do i shlyeni borxhet dhe do kryeni investime.
Binjaket
Dite shume e vështirë kjo e sotmja për ata qe janë ne një lidhje. Nuk do ndiheni aspak mire pranë personit qe dashuroni dhe do debatoni ne çdo moment. Beqaret do fillojnë një histori dashurie pasionante dhe afatgjate. Gjithçka ka për te ndryshuar sot për ta. Ne plani financiar mos ndërmerrni shume rreziqe edhe sikur situata te jete e stabilizuar.
Gaforrja
Nëse doni me shume pavarësi nga partneri juaj gjate kësaj dite, gjeni mënyrën e duhur për ta kërkuar këtë. Po u treguat harbute do keni mosmarrëveshje. Hëna do influencoje negativisht tej jeta sentimentale e beqareve dhe ata do mbeten serish vetëm. Financat do jene me te mira kështu qe mund te kryeni edhe ndonjë shpenzim me tepër se zakonisht.
Luani
Dëgjojeni zemrën tuaj gjate kësaj dite dhe do ndiheni shume mire. Emocionet sa do vijnë e do shtohen kështu qe shfrytëzoni çdo sekonde. Beqaret me mire te qëndrojnë vetëm sot sesa te fillojnë një lidhje e cila mund t’i beje te vuajnë se tepërmi. Financat do jene mjaft delikate kështu qe duhet te tregoheni shume te kujdesshëm me çdo lloj shpenzimi.
Virgjeresha
Te dashuruarit do kenë një dite shume normale dhe pa asgjë te jashtëzakonshme. Nëse jeni beqaret mos u ndalni, por njihuni me sa me shume persona qe te mundeni. Ne këtë mënyrë do keni mundësi te bëni edhe zgjedhjet e duhura. Financat nuk do jene te shkëlqyera, megjithatë aq para sa te kryeni shpenzimet e nevojshme do i keni.
Peshorja
Gjate kësaj dite do ndiheni si ne ëndërr ne krahët e partnerit tuaj. Ai do mendoje edhe për detajet me te vogla dhe do ju beje ta dashuroni me tepër jetën. Beqaret nuk duhet te hallakaten kot, por duhet te marrin vendime nëse ju pëlqen shume dikush. Ne planin financiar do i gjykoni gjerat me kujdes dhe nuk do keni asnjë lloj problemi.
Akrepi
Jeta sentimentale e te dashuruarve nuk do ketë aspak probleme. Do ndiheni mire ne krahët e partnerit dhe do bëni gjithçka mundeni qe te mbizotërojë ne çdo moment harmonia. Edhe beqaret do kenë fat ne dashuri dhe do e gjejnë princin e kaltër. Do jeni shume te organizuar sot ne planin financiar dhe gjerat do ecin sipas planeve qe keni bere.
Shigjetari
Do e luftoni me sa te keni mundësi sot rutinën e jetës suaj ne çift dhe do ndiheni shume me te qete se me pare. Beqaret do kenë mbështetjen e planetëve dhe do ju shtohen mundësitë për takime. Secili do ketë veçantinë e tij, kështu qe do e keni pak te vështirë te bëni zgjedhje. Financat do varet nga mënyra sesi ju do i menaxhoni dhe se sa do shpenzoni.
Bricjapi
Mos ëndërroni shume sot ne jetën tuaj ne çift sepse ka rrezik te përballeni me zhgënjime te mëdha dhe do vuani tej mase. Ata qe janë ende vetëm, nuk do kërkojnë te bëjnë asgjë me ngulm. Edhe ashtu si janë nuk ndihen aspak keq. Financat do mbeten te qëndrueshme për aq kohe sa ju te shpenzoni me maturi dhe kursim. Nuk do keni për çfarë te ankoheni.
Ujori
Dite shume e qete dhe pa probleme kjo e sotmja për ata qe janë ne një lidhje. Do ndiheni mjaft mire ne krahët e personit qe aq shume dashuroni. Beqaret duhet te bëjnë pak me tepër durim ne mënyrë qe te gjejnë personin i cili do ju përputhet ne çdo pike. Ne planin financiar do jeni te detyruar te hiqni dore nga disa shpenzime te domosdoshme ne mënyrë qe te mos mbeteni pa para.
Peshqit
Tregohuni sa me te arsyeshëm gjate kësaj dite ne jetën tuaj sentimentale sepse përndryshe mund te keni probleme goxha serioze. Nëse jeni beqare te dëshpëruar ne kërkim te shpirtit binjak, nuk duhet te nxitoheni dhe te hidheni ne krahët e te parit qe do iu propozoje. Financat do jene katastrofike, kështu qe mos bëni gjera te nxituara për te cilat te pendoheni./KM
Vedat Muriqi, vazhdon të shënojë pa u ndalur në Spanjë, aty ku është pjesë e skuadrës së Mallorcas.
Sulmuesi i Kosovës, ka gjetur sërish rrugën e rrjetës në La Liga, ndaj Rayo Vallecano në transfertë. Në minutën e 30-të, Muriqi shfrytëzoi një krosim të Lato nga e majta dhe me kokë e dërgoi topin në fundin e rrjetës.
Vendasit kishin kaluar të parët në avantazh, ndërsa Mallorca barazoi me golin e Muriqit.
Ky është goli i 11-të në La Liga për 31-vjeçarin, duke konfirmuar formën e shkëlqyer në Spanjë, në 18 ndeshje të luajtura.
Sa i përket ndeshjes, Rayo Vallecano, me Ivan Balliun në fushë, të futur si zëvendësues, e ka mbyllur pjesën e parë në avantazh 2-1./KM
Rusia qëlloi më shumë se 150 dronë gjatë natës deri të dielën duke synuar vende në të gjithë Ukrainën.
Sulmi la të vrarë të paktën katër persona dhe plagosi 20 të tjerë.
Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se kanë kapur 125 dronë nga ajri, por konfirmuan se të paktën 25 dronë sulmues goditën objektivat e tyre.
Ata shtuan se breshëria e fundit e Moskës kishte në shënjestër kryesisht Kharkivin, Khersonin, Zaporizhzhian dhe Dnipropetrovskun, të cilët u shënjestruan edhe në sulmet e natës.
Zyrtarët lokalë në rajonin jugor të Zaporizhzhias thonë se sulmet kishin në shënjestër zonat e banimit dhe infrastrukturën energjetike.
Më shumë se 385,000 shtëpi u prekën nga ndërprerjet e energjisë elektrike, gazit ose ujit, në një kohë kritike ndërsa temperaturat ranë në 10 gradë Celsius./KM
Katër persona u vunë në pranga dhe dy të tjerë u shpallën në kërkim, pasi i morën një shtetasi te rrethrrotullimi i Rinasit 40 000 euro, duke e mashtruar nëpërmjet komunikimeve në një aplikacion se ishin të njohur të tij.
Njërit prej të arrestuarve iu zbulua një dhomë banese e përshtatur me pajisje elektrike për kultivim të bimëve narkotike.
Gjatë operacionit policor të koduar “Skema” u sekuestruan dhjetëra bimë Cannabisi, llamba dhe ventilatorë që shërbenin për kultivimin e tyre në ambiente të mbyllura, sasi Kokaine dhe Cannabisi, 4 celularë dhe 1 automjet tip “Audi Q5” me të cilin 5 shtetasit janë larguar pasi morën shumën e eurove.
Njoftimi:
Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posacme Operacionale në DVP Tiranë, Komisariatet e Policisë të Kavajës dhe Divjakës, pas administrimit të kallëzimit nga një 55-vjeçar, se ishte mashtruar nga disa shtetas të panjohur prej tij, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Skema”, në kuadër të të cilit u identifikuan dhe u vunë në pranga shtetasit:
-K. T., 36 vjeç, banues në Divjakë, I. Gj., 24 vjeç, banues në Divjakë, A. L., 39 vjeç dhe E. Rr., 38 vjeç, banues në Kavajë. Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit E. B., 34 vjeç dhe L. M., 35 vjeç.
Shtetasit K. T, I. Gj, A. L, E. B dhe L. M, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në anë të mashtrimit duke iu prezantuar si i njohuri i tij, i kanë marrë shumë prej 40.000 euro një 55-vjeçari.
Në vijim, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit A. L, ku është gjetur dhe shtetasi E. Rr, është zbuluar një ambient i përshtatur me pajisje elektrike, për kultivim të bimëve narkotike.
Në kuadër të operacionit, shërbimet e Policisë kanë gjetur e sekuestruar dhjetëra bimë Cannabisi, pajisje (llamba dhe ventilatorë) që shërbenin për kultivimin e tyre në ambiente të mbyllura, sasi Kokaine dhe Cannabisi, 4 celularë dhe 1 automjet tip “Audi Q5”.
Punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./KM