Alex Oxlade-Chamberlain po hedh hapa konkretë drejt një karriere trajneriale te Arsenali, me trajnerin Mikel Arteta që është i interesuar ta përfshijë atë në stafin e klubit sapo të tërhiqet nga futbolli aktiv, sipas Daily Mail.
32-vjeçari ka qenë duke përfunduar licencën e trajnerit UEFA B në stadiumin “Emirates” gjatë muajve të fundit.
Si pjesë e përgatitjeve të tij, Oxlade-Chamberlain është stërvitur gjithashtu me ekipin U-21 të Arsenalit, për të ruajtur formën fizike, ndërkohë që po kërkon një klub të ri si lojtar i lirë.
Ish-reprezentuesi i Anglisë është pa ekip që prej largimit nga klubi turk Besiktas në muajin gusht dhe raportohet se është në bisedime të avancuara me Celtic për të vazhduar karrierën e tij si futbollist.
Arteta thuhet se është një admirues i hershëm i Oxlade-Chamberlain, me të cilin ka luajtur së bashku te Arsenali mes viteve 2014 dhe 2016, duke zhvilluar gjithsej 198 paraqitje gjatë periudhës së tij gjashtëvjeçare në klub.
Dyshja raportohet se kanë një lidhje të fortë, e cila ka ndikuar në interesimin e Artetës për ta afruar atë në një rol si trajner.
Aktualisht, licenca UEFA B i mundëson Oxlade-Chamberlainit të drejtojë ekipet U-18 ose U-19 të Arsenalit./Telegrafi/
Mikel Arteta u pyet se çfarë kishte për të thënë në lidhje me kritikat e drejtuara ekipit të tij të Arsenalit për stilin e tyre negativ dhe të mërzitshëm të lojës, i cili varet shumë nga goditjet standarde.
Arsenali po kryeson në Ligën Premier si lider, por edhe e përfundoi me tetë fitore nga tetë ndeshje fazën e ligës në Ligën e Kampionëve.
Megjithatë, Topçinjtë janë kritikuar për stilin e tyre të lojës, ku shumica e golave kanë ardhur nga goditjet standarde dhe kjo nuk i pëlqen aspak trajnerit Arteta.
“Dëgjoj krejtësisht të kundërtën, në të gjithë Evropën se ne jemi skuadra më emocionuese në Evropë”, ka thënë fillimisht Arteta.
"Më shumë gola, më shumë porta të paprekura, më shumë nga çdo gjë. Ndoshta kam burime të ndryshme?".
"Nuk e di cilët njerëz [e kanë thënë këtë]. Më dërgoni emrat, adresat dhe email-et dhe ndoshta mund të flasim, por unë mund t'ju jap një libër të madh të të gjithë njerëzve [që nuk mendojnë kështu]”, përfundoi trajneri i Arsenalit. /Telegrafi/
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, po bën hapa të mëdhenj në Liga Premier dhe skuadra e tij shihet si një nga favoritët kryesorë për ta fituar titullin këtë sezon.
Megjithatë, Arteta thekson se formimin dhe vizionin e tij futbollistik nuk ia atribuon as Pep Guardiolës dhe as Manchester Cityt, por Barcelonës, klubit që, sipas tij, i “hapi sytë” për jetën dhe futbollin.
“Barcelona m’i hapi sytë ndaj botës dhe njerëzimit. U transferova atje i vetëm, ende fëmijë”.
“La Masia më dha përvojën personale dhe njerëzore më të pasur që kam pasur ndonjëherë në jetën time. E kuptova futbollin në një nivel krejtësisht tjetër”, deklaroi Arteta.
Pas periudhës së tij te Barcelona, Arteta zhvilloi karrierën si lojtar te klube të njohura si PSG, Everton dhe Arsenal, përpara se të tërhiqej nga futbolli aktiv dhe të niste rrugëtimin si trajner.
Kujtojmë, Arteta shpesh është përmendur si kandidat për ta drejtuar Barcelonën, sidomos kur u shkarkua Xavi Hernandez, por ai vendosi t’i qëndronte besnik projektit me Arsenalin./Telegrafi
Mikel Arteta i ka bërë një apel të fuqishëm Ligës Premier, duke u lutur drejtuesve që të rrisin numrin e lojtarëve të përfshirë në skuadrën e ditës së ndeshjes, me qëllim mbrojtjen e shëndetit mendor të futbollistëve.
Trajneri i Arsenalit beson se rregullat aktuale janë të vjetruara, duke pasur parasysh ngarkesën e madhe që përballojnë futbollistët modernë, dhe ka kërkuar reformë të menjëhershme për të shmangur zhgënjimin “e panevojshëm” të lënies së lojtarëve jashtë.
Aktualisht, klubet e Ligës Premier lejohen të kenë në stol nëntë zëvendësues, çka nënkupton një skuadër totale prej 20 lojtarësh për ditën e ndeshjes.
Në kontrast, rregullorja e Ligës së Kampionëve lejon deri në 12 zëvendësues në stol, duke u dhënë trajnerëve shumë më tepër fleksibilitet.
Arteta mendon se ky dallim është i pakuptimtë, duke pasur parasysh rritjen e numrit të lojtarëve të nevojshëm për të konkurruar në disa fronte njëkohësisht.
“Për momentin, dy ose tre lojtarë duhet të mbeten jashtë skuadrës. Kjo është realiteti. Nuk mund ta ndryshoj”.
“Këto janë rregullat, por shpresoj që Liga Premier sezonin e ardhshëm, në vend të 18 lojtarëve të fushës, të lejojë 20”.
“I lutem nga këtu, ashtu si në Ligën e Kampionëve, sepse është shumë më mirë për menaxhimin e skuadrës, për ruajtjen e vlerës së lojtarëve dhe për shëndetin e tyre mendor, sepse askush nuk dëshiron të mbetet jashtë skuadrës”.
“Çdo javë duhet t’i themi dikujt: ‘Nesër nuk e bën detyrën. Nuk je as i lejuar të udhëtosh me ekipin’. Më tregoni një punë tjetër ku ndodh kjo”.
“Unë nuk mund të shkoj nesër në kuzhinë dhe t’u them dy kuzhinierëve të tjerë: ‘Sot nuk gatuani, thjesht rrini dhe shikoni si gatuajnë të tjerët ose shkoni në shtëpi’. Është vërtet shumë e vështirë”, ka deklaruar Arteta./Telegrafi/
Nuk ishin statistikat e shumta apo analiza e thelluar e paraqitjeve të tij te Bologna që e bindën Riccardo Calafiorin të zgjidhte Arsenalin mes një vargu klubesh të mëdha që po trokisnin në derën e tij rreth 18 muaj më parë.
Ishte Mikel Arteta ai që fitoi avantazhin, duke përdorur një qasje krejtësisht të pazakontë: një foto të familjes së Calafiorit.
Nuk bëhej fjalë për ndonjë skenar ekstrem, por për një tjetër shembull të mënyrës së veçantë se si Arteta e ushtron rolin e tij emocionalisht të ngarkuar si figurë udhëheqëse e Arsenalit.
“Në herën e parë që pata kontakt me Arsenalin, mendoj se ishte pak para Kampionatit Evropian”, kujton Calafiori në një intervistë ekskluzive për “Sports Illustrated”, duke u kthyer pas në verën e vitit 2024.
Në atë periudhë, qendërmbrojtësi i gjithanshëm ishte një nga emrat më të kërkuar në treg, pasi kishte siguruar një vend në kombëtaren e Italisë të drejtuar nga Luciano Spalletti, falë paraqitjeve mbresëlënëse me Bolognën, e cila regjistroi renditjen më të mirë në kampionat pas më shumë se 50 vitesh.
“Gjatë gjithë sezonit nuk doja të dëgjoja për thashetheme rreth sezonit tim të ardhshëm, sepse doja të isha i përqendruar te skuadra ime dhe te kombëtarja”.
Ai shpjegon se takimi i parë me Artetën nuk kishte në qendër presionin për një vendim të shpejtë, por vizionin afatgjatë të projektit.
“Në fillim, ai thjesht donte të më takonte dhe të më shpjegonte se si do të dukej projekti me mua. Më tregoi shumë gjëra, shumë detaje, shumë statistika dhe madje më tregoi edhe disa imazhe të familjes sime.”
Por ajo që i mbeti më shumë në mendje mbrojtësit italian nuk ishin shifrat apo grafikat, por pikërisht qasja njerëzore e trajnerit spanjoll.
“Kjo është një pjesë që nuk do ta harroj kurrë. Që fëmijë kam qenë shumë i lidhur me nënën time, si çdo italian, por edhe me babain dhe motrën time. Ai më pyeti se çfarë përfaqëson familja për mua dhe më tregoi disa imazhe të motrës sime, të nënës apo të babait”.
Liverpool, Chelsea dhe Manchester United u përfolën gjithashtu si destinacione të mundshme për Calafiorin, por asnjë prej tyre nuk shfaqi atë ndjeshmëri dhe aftësi njerëzore që Arteta demonstroi që në takimin e parë dhe gjatë 18 muajve në vazhdim.
Edhe sot, ajo vëmendje ndaj detajeve vazhdon të jetë prezente në përditshmërinë e tij te Arsenali.
“E shoh sa shumë kujdeset për mua, sa i përqendruar është dhe sa shumë dëshiron që unë të përmirësohem”.
“Çdo detaj, çdo ditë. E mbaj mend këtë që nga fillimi i fazës përgatitore. Ne po punonim që atëherë mbi mekanizma të rinj dhe taktika të reja. Ai po mendonte për fillimin e sezonit që në atë moment”, thotë Calafiori për Artetan./Telegrafi
Me ditën e afatit kalimtar të janarit që po afron me shpejtësi drejt fundit, Arsenali mund të finalizojë një numër marrëveshjesh ndërsa përgatitet të hyjë në muajt e fundit të edicionit 2025-26.
Drejt fundit të vitit të kaluar, Mikel Arteta tha se Arsenali do të “shikonte në mënyrë aktive” nënshkrimet e mundshme në afatin e janarit, ndërsa kërkonin të ndërtonin mbi fillimin e shkëlqyer të sezonit.
"Afati kalimtar është aty. Dua të them, ne jemi Arsenali dhe duhet ta shohim këtë. Duhet të shohim në mënyrë aktive dhe pastaj, nëse mund ta bëjmë apo jo, kjo është një histori tjetër”, ka thënë Arteta.
Deri më tani, ka qenë një periudhë e qetë për “Topçinjtë”, me aktivitetin e vetëm që kanë qenë largimet. Oleksandr Zinchenko i është bashkuar Ajaxit deri në fund të sezonit, ndërsa Ethan Nwaneri u huazua te Marseille.
Ata janë lidhur me një transferim të sulmuesit të Atletico Madridit, Julian Alvarez, megjithëse argjentinasi kohët e fundit i ka shuar thashethemet për një largim të mundshëm, duke thënë se është "shumë i përqendruar në atë që e pret Atleticon".
Sa i përket objektivave më realistë, mediat angleze kanë publikuar tre nënshkrime të mundshme që Arsenali mund të bëjë për të forcuar përpjekjen e tyre për titull, ku i pari është Victor Valdepenas i Real Madridit.
Valdepenas, i cili debutoi për ekipin e parë të Real Madridit këtë sezon në një fitore 2-1 ndaj Alaves, është një mbrojtës i gjithanshëm që luan me këmbën e majtë dhe mund të luajë si qendërmbrojtës dhe mbrojtës i krahut.
Në disa raste këtë sezon, mesfushori Christian Norgaard është detyruar të zëvendësojë qendërmbrojtësin, kështu që shtimi i Valdepenas mund të jetë vendimtar për skuadrën e Artetas, e cila do të garojë në katër gara të ndryshme.
19-vjeçari ka një klauzolë lirimi prej 50 milionë eurosh në kontratën e tij me Los Blancos, sipas një raporti nga BBC, i cili pretendon se diskutimet e brendshme drejt një qasjeje të mundshme tashmë kanë ndodhur.
Një tjetër nënshkrim realist mund të jetë anësori Yannick Carrasco, i cili duket se do të largohet nga skuadra e saudite, Al Shabab, në janar, me një marrëveshje huazimi që po përflitet.
32-vjeçari thuhet se po ndiqet nga një numër klubesh, përfshirë Romën, por ai mund ta shohë Londrën si një destinacion tërheqës. Sigurisht, shefi i Arsenalit, Andrea Berta, e rekomandoi personalisht Carrascon kur ai ishte te Atletico.
Së fundmi, ish-mesfushori i Wolves, Ruben Neves, i cili më parë ishte lidhur me një transferim te Arsenali, mund të sjellë përvojën e nevojshme të Ligës Premier, ndërsa skuadra kërkon të ruajë epërsinë në garën për titull.
Ndërkohë, Artetas, sipas Fabrizio Romano , “gjithmonë i ka pëlqyer” Neves .
28-vjeçari ka shënuar tetë gola në 22 ndeshje për skuadrën saudite Al Hilal këtë sezon. /Telegrafi/
Trajneri Mikel Arteta ka marrë mbi vete përgjegjësinë e plotë për humbjen 3-2 të Arsenalit ndaj Manchester United në “Emirates Stadium”, disfata e parë në shtëpi për “Topçinjtë” në sezonin 2025/26 të Ligës Premier.
Trajneri spanjoll nuk kërkoi justifikime pas ndeshjes dhe theksoi se përgjegjësia bie mbi të, ndërsa përgëzoi kundërshtarin për paraqitjen dhe rikthimin e tyre.
“Ne e pranojmë humbjen. I përgëzojmë kundërshtarët. Vazhdojmë përpara. Duhet t’ua kujtojmë lojtarëve sa të mirë që janë. Unë e marr përgjegjësinë për gjithçka!”.
Pas ndeshjes, Arteta vuri theksin te nevoja për unitet dhe mbështetje ndaj lojtarëve në një moment të vështirë, duke kërkuar që skuadra të qëndrojë e bashkuar.
“Kur humbasim, atëherë duhet të tregojmë bashkimin, unitetin. Është një humbje shumë e dhimbshme, por tani është koha të jemi pranë lojtarëve që na japin kaq shumë gëzim. Është koha të jemi shumë, shumë afër tyre dhe t’i mbështesim – ne duam të fitojmë!”
Pavarësisht këtij hapi fals, Arteta mbetet i bindur se reagimi i Arsenalit do të vijë përmes solidaritetit dhe besimit te grupi, teksa gara në Ligën Premier sapo ka hyrë në fazën më intensive të saj./Telegrafi
Arsenali synon të shkruajë histori të re ndaj Manchester Unitedit sot në “Emirates Stadium”, teksa skuadra e Mikel Artetës vazhdon marshimin drejt titullit të parë të Ligës Premier pas 21 vitesh.
Përballja me “Djajtë e Kuq” vjen në një moment ideal për londinezët, të cilët mund të barazojnë një rekord 46-vjeçar në kampionat.
Arsenali i ka fituar katër përballjet e fundit të Ligës Premier në shtëpi ndaj Man Unitedit, seria më e gjatë ndonjëherë kundër këtij kundërshtari, ndërsa një tjetër fitore do ta bënte ekipin e parë pas West Bromit (1976–1980) që triumfon pesë herë radhazi në shtëpi ndaj Manchester Unitedit.
Skuadra e Artetës është gjithashtu e pamposhtur në gjashtë ndeshjet e fundit të ligës kundër Man Unitedit dhe kurrë më parë nuk ka arritur shtatë takime radhazi pa humbje ndaj tyre në Ligën Premie.
Vetë Arteta ka një rekord mbresëlënës personal, duke fituar tetë nga 12 përballjet kundër Unitedit (2 barazime, 2 humbje), që përkthehet në përqindjen më të lartë të fitoreve (67%) për çdo trajner që i është përballur të paktën pesë herë “Djajve të Kuq”.
Forca kryesore e Arsenalit këtë sezon mbetet mbrojtja. Edhe pse dy ndeshjet e fundit përfunduan 0-0, ndaj Liverpoolit në shtëpi dhe Nottingham Forestit në transfertë, kundërshtarët nuk patën asnjë gjuajtje në portë.
Kjo është hera e pestë këtë sezon që Arsenali nuk lejon asnjë goditje drejt portës së vet – një statistikë elitare në historinë moderne të Ligës Premier.
Qendërmbrojtësi William Saliba ka qenë shtyllë e këtij stabiliteti, duke pësuar vetëm 90 gola në 118 ndeshje të kampionatit, me një mesatare prej një goli çdo 115 minuta.
Nga lojtarët me mbi 10 mijë minuta në Ligën Premie, vetëm legjenda Tony Adams ka një raport më të mirë. /Telegrafi/
Mikel Arteta ka deklaruar se askush te Arsenali nuk është më i motivuar, i uritur ose i vendosur për t'i dhënë fund pritjes 21-vjeçare të klubit për një titull të Ligës Premier sesa ai.
Duke folur përpara ndeshjes vendimtare në shtëpi të së dielës kundër Manchester United në stadiumin Emirates, trajneri i “Topçinjve” theksoi dëshirën e tij të madhe për të fituar titullin kampion në Angli.
“Nuk mendoj se dikush ka më shumë motivim, më shumë uri, më shumë dëshirë që ne të shkojmë deri në fund dhe ta fitojmë atë [sesa unë]”, ka thënë fillimisht Arteta.
Arsenali është shtatë pikë larg në krye të tabelës me 48 pikë ende të disponueshme në 16 ndeshjet e mbetura, ndërsa sfida e Manchester Cityt është dobësuar dhe kampionët e Liverpoolit janë 14 pikë prapa.
Arteta theksoi nevojën për përqendrim absolut deri në fund të sezonit.
“Por, ne e dimë se e vetmja mënyrë për ta bërë këtë është të përqendrohemi, të jemi të pranishëm në moment dhe gjithçka që kemi bërë sot, ta bëjmë më mirë nesër”.
“Kaq është dhe kjo është e vetmja gjë që mund të kontrollojmë. Pjesa tjetër nuk na shton asnjë vlerë dhe mund ta çojë vëmendjen tonë në vendin e gabuar", përfundoi trajneri i Arsenalit. /Telegrafi/
Trajneri Mikel Arteta ka pranuar se Arsenali është ende “larg perfektes”, pavarësisht epërsive komode që skuadra e tij ka krijuar si në Ligën Premier ashtu edhe në Ligën e Kampionëve.
“Topçinjtë” e nisin fundjavën me një avantazh prej shtatë pikësh në krye të Liga Premier, megjithëse kjo diferencë mund të ulet në katër pikë deri në momentin kur të presin Manchester Unitedin të dielën.
Paralelisht, Arsenali kryeson edhe në Ligën e Kampionëve, me tre pikë më shumë se ndjekësit, ndërsa fitorja e mesjavës ndaj Interit i ka siguruar matematikisht vendin në dyshen e parë të renditjes me 36 skuadra.
Pep Guardiola e ka cilësuar Arsenalin si skuadrën më të spikatur në Angli, ndërsa sipas modelit parashikues të Opta-s, londinezët kanë 93.1 për qind shanse për të fituar titullin e Ligës Premier. Megjithatë, Arteta ka paralajmëruar se ekipi i tij nuk është ende një produkt i përfunduar.
“Nuk e di, mendoj se jemi një skuadër që dëshiron vazhdimisht të përmirësohet. Po bëjmë shumë gjëra siç duhet, por jemi larg perfektes”.
“Qëllimi ynë i vetëm është të ruajmë nivelin që kemi arritur dhe të përpiqemi të përmirësohemi sërish”.
“Mund të shohësh gjithnjë e më shumë ndeshje një kundër një që po pushtojnë jo vetëm Ligën Premier, por edhe Evropë. Nëse duam të kemi shanse për të fituar trofe të mëdhenj, duhet të dominojmë të gjitha fazat e lojës”.
Përballja e së dielës ndaj Manchester Unitedit e sheh Artetën kundër një kundërshtari ndaj të cilit ka fituar tetë nga 12 duelet e tij në kampionatin anglez. Megjithatë, ekziston edhe një precedent që i kujton Arsenalit se asgjë nuk është e sigurt.
Fitorja e parë dhe e vetme e Michael Carrick si trajner i përkohshëm i Manchester Unitedit në Liga Premier erdhi pikërisht kundër Arsenalit të Artetës, me një sukses 3-2 në “Old Trafford” në dhjetor të vitit 2021./Telegrafi
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka konfirmuar se klubi nuk do ta përjashtojë mundësinë e një transferimi në afatin kalimtar të janarit nëse lojtari i duhur bëhet i disponueshëm.
Pavarësisht pritjeve për një periudhë të qetë dimërore për “Topçinjtë”, të cilët aktualisht kryesojnë Ligën Premier me gjashtë pikë, Arteta theksoi se skuadra mbetet e hapur ndaj mundësive.
Deri më tani këtë muaj, lëvizja e vetme e Arsenalit ka qenë huazimi i mesfushorit 19-vjeçar të akademisë Louie Copley te skuadra e Ligës së Dytë, Craëley Toën, për pjesën tjetër të sezonit.
Arteta shpjegoi qasjen e klubit ndaj transferimeve, veçanërisht kur vlerëson karakterin dhe personalitetin e lojtarëve.
“Skenari ideal është që ne të shpenzojmë gjithë kohën e nevojshme për të përfunduar procesin dhe për të kuptuar saktësisht se si e imagjinojmë këtë lojtar t’i bashkohet klubit tonë, ekipit dhe marrëdhënies që duam të ndërtojmë”, ka thënë fillimisht Arteta.
“Realiteti është: ndonjëherë kur ka një mundësi, duhet të veprosh. Por duhet të përpiqemi dhe të jemi të përgatitur dhe mendoj se, në përgjithësi, bëjmë zgjedhje shumë të mira dhe marrim personazhe dhe personalitete të shkëlqyera”.
Kur u pyet nëse Arsenali kishte refuzuar ndonjëherë lojtarë të fortë për shkak të shqetësimeve në lidhje me personalitetin ose përshtatjen kulturore, Arteta u përgjigj: “Mendoj se i kemi vënë gjërat në ekuilibër”.
“Nuk mendoj se është thjesht një rast i të qenit një person i keq. Është, 'a mund ta përballojë ai atë rol?' - dhe pasojat e kësaj. Duhet të dimë nëse ai mund ta përmbushë rolin dhe të përballojë të gjithë personazhet që kemi. Është një vendim që duhet të jetë i ekuilibruar", përfundoi trajneri i Arsenalit. /Telegrafi/
Legjenda Rio Ferdinand ka bërë një deklaratë të fortë, duke pretenduar se Mikel Arteta do ta merrte seriozisht në konsideratë largimin nga Arsenali, kandidat për titull në Liga Premier, për të marrë drejtimin e Manchester United pas shkarkimit të Ruben Amorim.
United njoftoi të hënën një vendim befasues, duke bërë të ditur se kishte “marrë me keqardhje vendimin” për t’i dhënë fund bashkëpunimit me Amorim, pas 14 muajsh të ngarkuar në krye të skuadrës në “Old Trafford”.
Pas barazimit 1-1 ndaj Leeds United të dielën, ishte kuptuar se pozita e trajnerit 40-vjeçar ishte në rrezik, veçanërisht pas deklaratave të tij që u interpretuan si kritika ndaj hierarkisë së klubit.
Ish-mesfushori i United, Darren Fletcher, pritet të marrë përkohësisht drejtimin e skuadrës për ndeshjen e së mërkurës ndaj Burnleyt në Ligën Premier, ndërsa klubi raportohet se është i interesuar të emërojë një trajner të përkohshëm deri në fund të sezonit.
Sipas Ferdinandit, megjithatë, ka vetëm një trajner aktual në Liga Premier që nuk do ta mendonte aspak marrjen e drejtimit të Manchester United dhe ai është Pep Guardiola.
“Unai Emery do të ishte dikush që do të hidhej menjëherë në këtë mundësi", ka thënë Ferdinand në kanalin e tij në YouTube, “Rio Ferdinand Presents”.
“Pep Guardiola është i vetmi trajner në ligë për të cilin mendoj se do të ulej dhe do të thoshte: ‘Jam i kënaqur aty ku jam, jam i lumtur dhe nuk kam nevojë për këtë’”.
“Ai nuk do ta thotë kurrë publikisht, nuk do ta pranonte kurrë me zë të lartë. Por po ju them, Mikel Arteta do të ulej dhe do ta mendonte seriozisht”.
Ruben Amorim drejtoi Manchester United në total në 63 ndeshje në të gjitha garat, duke regjistruar 24 fitore, 18 barazime dhe 21 humbje. Ai arriti ta çojë ekipin në finalen e Ligës së Evropës sezonin e kaluar, ku “Djajtë e Kuq” u mposhtën 1-0 nga Tottenham në ndeshjen finale./Telegrafi
Real Madrid ka finalizuar tashmë huazimin e Endrick Felipe te Lyon, dhe ai mund të mos jetë lojtari i vetëm që largohet gjatë afatit kalimtar të dimrit.
Ka interes për disa nga lojtarët e Xabi Alonsos, dhe njëri prej tyre mund të jetë në rrugë drejt Arsenalit.
Arsenal aktualisht kryeson tabelën e Ligës Premier, teksa kërkon titullin e parë kampion pas më shumë se 20 vitesh.
Mikel Arteta, natyrisht, është i interesuar të përmirësojë skuadrën për gjysmën e dytë të sezonit, dhe shpreson të shtojë një lojtar të Real Madridit në përbërje gjatë javëve të ardhshme.
Sipas CaughtOffside, Arda Guler pëlqehet nga Arsenal dhe Arteta, me shpresën që të arrihet një marrëveshje e strukturuar gjatë afatit të dimrit, e ngjashme me atë që solli Martin Odegaard në Londrën e Veriut.
Arsenal është e interesuar të huazojë Guler për gjysmën e dytë të sezonit, me synimin që të vendosë një marrëveshje të përhershme në verë.
Interesi i tyre për mesfushorin turk është i gjatë, megjithatë mund të përballen me konkurrencë nga rivalët, Liverpool dhe Manchester United.
Arsenal mund të jetë shumë i interesuar për Guler, por raporti thekson qartë se Real Madrid nuk ka plane për ta shitur.
Një largim do të kishte qenë më i mundur para këtij sezoni, por me 20-vjeçarin tashmë një lojtar kyç për Alonson, ka pak ose aspak mundësi që ai të largohet nga Bernabeu./Telegrafi/
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij pas fitores bindëse 4–1 ndaj Aston Villas, në kuadër të javës së 19-të të Ligës Premier.
“Një mbrëmje e mrekullueshme. Ishte një ndeshje shumë e vështirë, ashtu siç e prisnim. Aston Villa është një kundërshtar shumë i fortë”, deklaroi Arteta pas ndeshjes.
Spanjolli pranoi se fillimi i ndeshjes nuk ishte ideal për ekipin e tij. “Luajtëm paksa të pasigurt në 10 minutat e para dhe na u desh kohë të përshtateshim. Duhet t’u japim merita kundërshtarëve, sepse arritën ta thyenin dy herë presionin tonë dhe të nisnin sulme shumë të rrezikshme. Më pas, ne morëm kontrollin e lojës dhe filluam të krijonim raste”.
Arteta theksoi veçanërisht startin e pjesës së dytë, të cilin e cilësoi vendimtar.
“E nisëm pjesën e dytë në mënyrë brilante. Ishim më aktivë dhe shumë efektivë në gjithçka që bëmë. Duhej të tregonim durim dhe të zgjidhnim momentin e duhur për të vepruar, gjë që nuk është aspak e lehtë kundër kësaj skuadre. Kjo është meritë e madhe e lojtarëve”.
Ai u ndal edhe te realizimi i rasteve, duke e krahasuar këtë ndeshje me takimet e mëparshme. “Në javët e fundit kemi krijuar shumë raste, por sot ishte ndryshe. Cilësia në përfundimin e aksioneve ishte e nivelit të lartë dhe kjo e vendosi fatin e ndeshjes”.
Trajneri i Arsenalit vlerësoi maksimalisht edhe rikthimin e Gabriel Magalhães, i cili u kthye në fushë pas gjashtë javësh mungesë.
“Pamë sa i rëndësishëm është Gabrieli për ne. Ai u rikthye më herët se sa pritej dhe u përball me qetësi Ollie Watkins, një nga sulmuesit më të mirë dhe më të vështirë për t’u markuar në Ligën Premier. Mendoj se luajti shkëlqyeshëm".
Sa i përket faktit që trajneri i Aston Villas, Unai Emery, u drejtua menjëherë për në dhomat e zhveshjes pas fishkëllimës së fundit, Arteta nuk i dha shumë rëndësi.
“Nuk është problem. Ndonjëherë ndodhin situata të tilla, ndaj për mua nuk ka asnjë çështje”, përfundoi ai për Sky Sports. /Telegrafi/
Mikel Arteta ka konfirmuar se Arsenali do të jetë aktiv gjatë afatit kalimtar të janarit, me synimin për të forcuar skuadrën në një moment vendimtar të sezonit.
Trajneri i “Topçinjve” theksoi se klubi duhet të jetë i gatshëm për të vepruar, duke pasur parasysh problemet në rritje me dëmtimet dhe presionin e garës për titull.
“Në varësi të disponueshmërisë së disa lojtarëve, afati kalimtar është aty. Ne jemi Arsenali dhe duhet ta kemi gjithmonë nën vëzhgim”, ka thënë Arteta.
Me disa futbollistë kyç jashtë fushës, trajneri spanjoll nënvizoi se klubi nuk mund të përballojë surpriza të pakëndshme.
“Detyra jonë është të jemi shumë të përgatitur, sepse gjithmonë mund të ndodhë diçka”, shtoi ai, duke lënë të kuptohet se Arsenali do të reagojë menjëherë nëse shfaqet mundësia e duhur në treg.
Këto deklarata konfirmojnë qartë ambicien e klubit londinez për të ruajtur konkurrencën dhe për të përforcuar objektivat në pjesën e dytë të sezonit.
‘Topçinjtë’ renditen në krye të tabelës dhe me statistikë të fortë deri më tani, ku kanë shënuar 33 gola dhe kanë pësuar 11. /Telegrafi/
Mesfushori Granit Xhaka është rikthyer të flet për kohën kur ishte te Arsenali, më saktësisht për incidentin në vitin 2019.
Ai u fishkëllye nga tërë tifozët vendas e pastaj zhveshi edhe fanellën duke e gjuajtur në tokë, ku ishte pranë largimit por Mikel Arteta ia ndryshoi mendjen, me këtë të fundit që u bë ndër të preferuarit pak vite më vonë.
Xhaka në një intervistë të fundit konfirmoi se donte largimin, si dhe babai i tij, Ragipi – gjithashtu e këshilloi të përshëndetet me “Emirates”.
“Valixhet ishin gati. Babai im, që gjithnjë ka qenë kritikues gjatë karrierës dhe thoshte “Sapo të ikësh njëherë, do të ikësh gjithnjë”, por në këtë situatë më këshilloi: “Duhet të largohesh nga aty. Kur tifozët janë kundër teje është gjëja më e keqe në futboll. Nuk ke asnjë shans”.
“Pse qëndrove? Shkaku i trajnerit. E njihja Mikel Artetan vetëm nga emri, jo si person. Kur mori drejtimin në Krishtlindje, menjëherë kërkonte ta dëgjonte pjesën time të historisë. Pastaj i thashë: “Mikel me gjithë respektin për ty, nuk mund ta mbaj më këtë fanellë”.
“Ai erdhi ditën tjetër sërish dhe më tha “Granit më nevojitesh. Më jep gjashtë muaj që të të bindi se je personi i duhur. Nuk mund të të bëj më kapiten, por do ta ndërtojë skuadrën përreth teje. Nëse dështojë, atëherë do të jem i pari që të ndihmon të largohesh”.
“Kurrë nuk do ta harroj atë bisedë, ende më jep dridhje trupi kur e mendoj. Fjalët e tij ishin shumë të fuqishme. E shikova, e përqafova dhe thashë “Në rregull, do të qëndroj”. Ishte vendimi i vetëm që e mora pa familjen”.
I pyetur pastaj pse kaloi te Leverkuseni, Xhaka e pranoi se kishte të bënte me kontratën afatgjatë që ia kishte ofruar gjiganti gjerman.
“Bayer Leverkuseni më ofroi kontratë të gjatë, doja të rikthehesha në gjermani dhe u ndjeva se ishte koha perfekte për t’u larguar. Doja gjithashtu të bëja hapësirë për lojtarët e rinj te Arsenali. Me Declan Rice, klubi kishte gjetur pasuesin adekuat”./Telegrafi
Arsenali ka ndryshuar qëndrim sa i përket të ardhmes së sulmuesit Gabriel Jesus, duke mos qenë më i gatshëm ta lejojë largimin e tij në afatin kalimtar të janarit, pavarësisht se më herët kishte qenë i hapur për një shitje të mundshme.
Trajneri Mikel Arteta e konsideron rikthimin në formë të brazilianit dhe rolin e tij në skuadër si elemente kyçe për pjesën e mbetur të sezonit.
Sulmuesi 27-vjeçar ka rikonfirmuar rëndësinë e tij për ekipin, pavarësisht problemeve të shpeshta me lëndimet. Pas rikuperimit nga shqetësimet në muskujt e kofshës, Jesus ka nisur të aktivizohet rregullisht, duke sjellë intensitet në presion, lëvizje pa top dhe lojë lidhëse – elemente thelbësore në sistemin e Artetës.
“Gabriel është shumë në formë. Ne kemi rritur gradualisht minutat e tij”.
“Përderisa ishte në rregull fizikisht, të gjithë ishim të kënaqur ta linim në fushë. Kur filluam të shihnim shenja lodhjeje, e zëvendësuam, por jemi shumë të kënaqur me të”.
Në mesin e vitit 2025, Arsenali kishte konsideruar seriozisht një shitje të mundshme të Gabriel Jesus në janar, veçanërisht për shkak të interesimit nga klubet saudite. Megjithatë, paraqitjet e fundit kanë ndryshuar llogaritjet në ‘Emirates’, pasi braziliani nuk shihet më si lojtar i tepërt në skuadër.
Sezonin e kaluar, Gabriel Jesus regjistroi shtatë gola dhe dy asistime në 27 paraqitje për Arsenalin në të gjitha garat, duke treguar se edhe mes lëndimeve, ai mbetet një hallkë e rëndësishme në projektin e Artetës./Telegrafi
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka ndarë përditësime mbi rikuperimin e lojtarëve kryesorë Kai Havertz dhe Gabriel Magalhaes.
Trajneri spanjoll zbuloi se mesfushori sulmues gjerman është afër rikthimit, ndërsa mbrojtësi brazilian do të kërkojë më shumë kohë për t'u rikthyer
"Kthimi i Kai Havertz është vetëm çështje ditësh, ndoshta javësh. Do ta monitorojmë se si ndihet në fazën tjetër të rikuperimit. Ai është një lojtar që na mungon sepse e ngre ekipin lart. Është shumë afër të luajë përsëri dhe jam i kënaqur që kjo do të ndodhë së shpejti", ka thënë fillimisht Arteta.
“Duhet t'i japim më shumë kohë pasi ai nuk ka rifilluar ende stërvitjen. Shpresojmë që ai të shërohet shpejt duke pasur parasysh situatën tonë aktuale mbrojtëse", përfundoi trajneri i Arsenalit.
Përveç Havertz dhe Magalhaes, Christian Musquera, Max Dowman, Ben White, Gabriel Martinelli dhe Piero Hincapie janë gjithashtu jashtë fushave shkaku i lëndimeve.
Pas 17 xhirove, Arsenali kryeson tabelën në Ligën Premier, dy pikë më shumë se Manchester City. /Telegrafi/
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta ka insistuar se skuadra e tij duhet të mësojë ta “vrasë” ndeshjen në momentet kur është në epërsi, pavarësisht se londinezët u rikthyen në krye të Liga Premier pas fitores minimale 1-0 në udhëtim ndaj Evertonit.
Golin e vetëm të takimit e realizoi Viktor Gyokeres nga pika e penalltisë, duke shënuar për herë të parë që nga 1 nëntori, ndërsa Arsenali u shkëput përkohësisht me dy pikë në krye të tabelës ndaj Manchester Cityt.
Megjithatë, ashtu si fundjavën e kaluar kur iu desh një autogol në minutat shtesë për ta mposhtur Wolverhamptonin e fundit në tabelë, edhe këtë herë Arteta u detyrua të vuante deri në minutën e 96-të në “Goodison Park” ndaj një Evertoni të përgjysmuar nga mungesat.
“Diferenca duhej të ishte më e madhe. Ne duhet të mësojmë ta mbyllim ndeshjen kur jemi duke fituar”.
Kjo është hera e tretë në katër vitet e fundit që Arsenali e përfundon Ditën e Krishtlindjes në krye të tabelës së Liga Premier. Megjithatë, në dy rastet e mëparshme, londinezët u kapën dhe u tejkaluan nga një Manchester City dominues.
Skuadra e Pep Guardiolës ka fituar shtatë ndeshje radhazi në të gjitha garat, duke e ngushtuar ndjeshëm diferencën, e cila më herët kishte shkuar deri në shtatë pikë.
Pavarësisht kësaj, Arteta vlerësoi vazhdimësinë dhe paraqitjet e skuadrës së tij, duke theksuar se Arsenali vazhdon të shtyjë fort drejt titullit të parë kampion pas 22 vitesh pritje.
“Kjo më jep besim dhe siguri, për shkak të paraqitjeve dhe vazhdimësisë së skuadrës”.
“Kjo është shumë e vështirë për t’u arritur në këtë ligë dhe fakti që ekipi është vazhdimisht aty tregon shumë për nivelin dhe mentalitetin tonë”, nënvizoi ai./Telegrafi
Legjenda e Arsenalit, Thierry Henry, i ka dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë, të fortë por të drejtë trajnerit Mikel Arteta dhe lojtarëve të skuadrës, duke theksuar se rruga drejt titullit nuk pranon justifikime.
Në mes të debateve për mungesat në skuadër dhe kalendarin e ngjeshur të ndeshjeve, ish-sulmuesi francez ka nënvizuar se këto janë situata me të cilat përballet çdo ekip dhe se skuadrat kampione dallohen pikërisht nga mënyra se si reagojnë në momente të vështira.
Henry, pjesë e Arsenalit të famshëm të “Invincibles”, ka bërë të qartë se ankesat vetëm largojnë vëmendjen nga rezultati dhe zgjidhjet reale.
“Le të mos flasim për këto gjëra. Të gjithë kanë probleme. Çdo skuadër kalon nëpër lëndime, lodhje dhe vendime të gabuara. Fitues janë ata që gjejnë zgjidhje, jo ata që kërkojnë shpjegime”.
Sipas legjendës së klubit londinez, një skuadër që synon titullin e kampionit tregon forcën e saj të vërtetë pikërisht atëherë kur mungojnë lojtarët kryesorë.
Henry ka theksuar se Arteta duhet ta shfrytëzojë maksimalisht thellësinë e skuadrës, duke mbajtur ritmin me rivalët kryesorë si Manchester City dhe Chelsea, por mbi të gjitha duke ndërtuar një mentalitet fitues që nuk fokusohet te aspektet negative.
Arsenali aktualisht kryeson tabelën e Liga Premier me 36 pikë pas 16 ndeshjeve të zhvilluara, duke pasur një epërsi prej dy pikësh ndaj Manchester Cityt, çka e bën edhe më vendimtare menaxhimin e kësaj periudhe të sezonit./Telegrafi