Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), bën të ditur se të premten (nesër) do të nis numërimi i mbi 27 mijë fletëvotimeve nga diaspora, respektivisht të fletëvotimeve nga votimi përmes postës, të cilat janë tërhequr nga dy kutitë postare në jashtë Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi thekson për Telegrafin se të premten, më 2 janar nga ora 10:00 në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të fillojë numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht i fletëvotimeve nga votimi përmes postës që deri më tani janë tërhequr nga dy kutitë postare jashtë Kosovës.
“Nga votimi me postë, siç e kemi treguar më herët, numri i shtetasve të regjistruar ka qenë rreth 58 mijë. Ende nuk është përmbyllur procesi i tërheqjes së fletëvotimeve nga kutitë postare, andaj në këtë fazë nuk e dijmë se sa prej këtyre votuesve të regjistruar kanë ushtruar të drejtën e votës. Tërheqjet e fundit të zarfeve me fletëvotime do të bëhen më 2 dhe 5 janar 2026”, thekson Elezi.
Sipas tij, deri më tani, nga dy kutitë postare, Berlin dhe Bernë, janë tërhequr më shumë se 28 mijë e 500 pako me fletëvotime që i takojnë votimit përmes postës dhe të cilat janë vlerësuar dhe verifikuar nga shërbimi votues i KQZ-së.
“Nga numri i përgjithshëm i pakove me fletëvotime të supozuara që deri më tani kemi pranuar, pra nga më shumë se 28 mijë, pas vlerësimit dhe verifikimit janë aprovuar 27,600, ndërkaq janë refuzuar më shumë se 950. Arsyeja më e shprehur te zaret e refuzuara është sepse në pakon me fletëvotim mungon dëftesa e regjistrimit të votuesit”, tha ai.
Në fund ai tha se nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi në 29 përfaqësi diplomatike, nga 19,187 shtetasit e regjistruar, kanë votuar 16,165 prej tyre apo 84.24%./Telegrafi/
Me mbi 83 për qind të votave të numëruara për kandidatët për deputetë, tashmë është bërë e qartë pjesa dërrmuese e emrave që kanë siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Edhe pse nuk arritën të bëhen kryetarë komunash në zgjedhjet lokale, një numër i konsiderueshëm ish-kandidatësh për këtë pozitë kanë arritur të fitojnë mandat deputeti në zgjedhjet parlamentare.
Sipas të dhënave nga procesi i numërimit, së paku 10 ish-kandidatë për kryetarë komunash nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) tashmë e kanë siguruar mandatin e deputetit, raporton Telegrafi.
Hajrulla Çeku, në top-dhjetëshen e më të votuarve në LVV
Nga radhët e LVV-së, mandat deputeti kanë fituar:
Hajrulla Çeku (Prishtinë) – mbi 85 mijë vota
Rufki Suma (Hani i Elezit) – mbi 29 mijë vota
Rufksi Suma, poshtu njëra nga surprizat e zgjedhjeve të jashtëzakonshme
Ardian Gola (Gjakovë) – mbi 26 mijë vota
Artan Abrashi (Prizren) – mbi 18 mijë vota
Taulant Kelmendi (Pejë) – mbi 18 mijë vota
Enver Haliti (Ferizaj) – mbi 17 mijë vota
Jeton Raka (Kaçanik) – rreth 17 mijë vota
Arsim Ademi (Viti) – mbi 16 mijë vota
Sylejman Meholli (Vushtrri) – rreth 16 mijë vota
Valon Hoti (Malishevë) – rreth 15 mijë vota
Afër sigurimit të mandatit është edhe ish-kandidati i LVV-së për kryetar të Rahovecit, Ali Dula, i cili deri më tani ka grumbulluar rreth 13 mijë vota.
Ndërkaq, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), mandat deputeti kanë siguruar dy ish-kandidatët për kryetarë komunash:
Arian Tahiri e Uran Ismaili, ndër më të votuarit e PDK-së
Arian Tahiri (Prishtinë) – mbi 60 mijë vota
Uran Ismaili (Mitrovicë) – mbi 44 mijë vota
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), mandat deputeti ka siguruar ish-kandidati për kryetar të Prishtinës:
Bekë Berisha – mbi 14 mijë vota
Procesi i numërimit është duke vazhduar, ndërsa rezultatet përfundimtare do të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve./Telegrafi/
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 15 personave, 12 persona fizikë (zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe pronarë e përfaqësues të kompanive) dhe tre persona juridikë, në lidhje me dallavere në procedura të tenderimit, me ç’rast pretendohet se janë paguar produkte deri në 1557% më shtrenjtë se çmimet reale të tregut.
Sipas aktakuzës së PSRK-së, në procedurën e prokurimit “Blerja e Pakove për fusha lëndore dhe mirëmbajtje” zyrtarë të MASHTI-i kishin vepruar kundërligjshëm duke kontraktuar produkte që çmimin në treg e kishin shumë më të ulët sesa që Ministria i kishte paguar gjatë viteve 2019-2021.
KALLXO.com ka siguruar dosjen e Prokurorisë Speciale.
Të akuzuar janë: Ardian Berisha, pronar i kompanisë “Shkëmbi Gllareva” Sh.P.K, Dashmir Limaj, Mërgim Limaj drejtor në kompaninë Fabrika e mobileve “Standard”, Agron Shemsi Shala, pronar i biznesit “A&F Projekti” SH.P.K., Fehmi Zylfiu i punësuar në MASHTI, Fadile Kokaj-Dyla, Murtez Hasan Zekolli, Xhemajl Buzuku, Agim Berdynaj, Arberita Mehmetaj – e punësuar në MASHTI dhe Naim Demir – i punësuar në MASHTI. ndër ta të akuzuar janë tre persona juridik. “A&F Projekti” Sh.P.K., Fabrika e mobileve “Standard” Sh.P.K dhe “Shkëmbi – Gllarevë” Sh.P.K.
Prokuroria me prokurorin special, Dren Paca, i ka akuzuar të lartcekurit se përmes procedurave të prokurimit u kanë mundësuar përfitim të kundërligjshëm.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, në prill të vitit 2019 deri në mars të vitit 2021, Arberita Mehmetaj si zyrtare përgjegjëse për prokurim dhe Naim Demiri udhëheqës i njësisë kërkuese dhe menaxher i kontratës në Ministri të Arsimit kanë keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim shpërblimin me kontratë për bizneset “A&F Projekt” Sh.P.K, “Fabrika e Mobilieve Standard”, N.N.P. “Standard Plus” dhe “Shkëmbi Gllarevë”.
Produktet në tenderin “Blerje të pakove të pajisjeve të nevojshme për fusha lëndore dhe mirëmbajtje” sipas Prokurorisë janë kontraktuar me çmim deri në 1557% më të larta se çmimi i tregut, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej mbi 1.5 milion euro.
Këtë, sipas Prokurorisë, të akuzuarit e kanë bërë duke mos përgatitur specifika teknike të qarta për artikujt e përfshirë në paramasë dhe parallogari.
Tutje, sipas aktakuzës së PSRK, janë vendosur kritere selektive dhe të panevojshme për dëshminë e angazhimit të ekspertëve, inxhinierëve dhe autorëve duke ndërtuar kritere përzgjedhëse që të favorizojnë bizneset fituese duke i përjashtuar padrejtësisht bizneset e tjera.
Shkelja tjetër sipas PSRK nga të akuzuarit është bërë duke mos e siguruar çmimin më të ulët të tregut, duke lejuar blerje të produkteve me çmime artificialisht të fryra.
Tutje në aktakuzë thuhet se përmes këtyre kontraktimeve është shkaktuar një dëm shtesë prej 137 mijë euro duke lejuar që të tejkalohet sasia e kontraktuar për tri produkte më të shtrenjta mbi 30% e sasisë për një produkt tjetër më të lirë.
Tutje akti akuzues thot se kontraktimi për këto produkte ishte paraparë që të kenë origjinë nga Bashkimi Europian, por që ishin lejuar që produktet të vinin nga Kina dhe Turqia.
Pra vlera e përgjithshme e dëmit që është shkaktuar nga këto veprime, sipas Prokurorisë, vlerësohet të jetë mbi 1.8 milion euro.
Për këtë të pandehurit ngarkohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në pikën dy të aktakuzës renditen si të akuzuar: Agim Berdyna – zyrtar kryesor administrativ, Xhemajl Buzuku – zyrtar përgjegjës i prokurimit, dhe Murtez Zekolli – zyrtar kryesor financiar dhe Naim Demiri – udhëheqës i njësive kërkuese dhe menaxher i kontratës dhe Arberita Mehmetaj – zyrtare e prokurimit tutje kanë aktivizuar aktivitete të prokurimit me titullin “Blerja e Pakove për fusha lëndore dhe mirëmbajtje” pa pasur nevojë për një aktivitet të tillë. Kjo, sipas Prokurorisë, është bërë me qëllim që t’i shpërblejnë me kontratë për përfitim pasuror bizneset “A&F Projekt”, “Fabrika e mobileve Standard” dhe “Standard Plus”.
Dy projekte të ndara, sipas Prokurorisë, të akuzuarit i kishin bashkuar në një të vetëm, njëri ndër ta sipas PSRK-së ishte “Blerja e Pakove për fusha lëndore dhe mirëmbajtje”, i cili ishte në fazë të zbatimit. Këtë projekt sipas Prokurorisë e kishin aprovuar duke i vënë në barrë shtetit për pagesë mbi 2.8 milionë euro.
Sipas Prokurorisë, shkeljet nuk kanë përfunduar me kaq, pasi gjatë përpilimit të dosjes së tenderit nuk i kanë përgatitur qartë specifikat që duhet të kryhen për artikujt e kontraktuar me ç’rast janë kontraktuar produkte me çmim më të lartë se i tregut për 1900%.
Tutje PSRK pretendon se të akuzuarit i kanë ndryshuar kriteret e projekteve vetëm dy ditë para hapjes së ofertave dhe nuk janë siguruar që ta kontraktojnë çmimin më të ulët se ai i tregut dhe kanë shkurtuar afatin për dorëzimin e ofertave.
Me këtë të dyshuarit akuzohen se kanë kryer veprën penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare.
Aktakuza përmban disa pika për veprime të ngjashme të të akuzuarve.
Në pikën tre të aktakuzës, të pandehur janë: Xhemajl Buzuku – zyrtar përgjegjës i prokurimit, Fadile Dyla – zyrtare kryesore administrative, Naim Demiri – menaxher i kontratës, Fehmi Zylfiu – zyrtar kryesor i financave. Ata nga 12 shkurti 2024 e deri më 29 mars 2024 pasi kishte përfunduar zbatimi i kontratës kornizë nga projekti “Blerja e Pajisjeve për mbrojtjen e objekteve arsimore – Pakot e pajisjeve të nevojshme për fusha lëndore dhe mirëmbajtje” kanë vepruar me dashje e në kundërshtim me ligjin me qëllim që t’u mundësojnë përfitim pasuror bizneseve “A&F Projekt”, “Fabrika e Mobileve Standard” Sh.P.K dhe N.N.P. “Standard Plus”, duke i kompensuar këto biznese për inflacionin e kontratës mbi 445 mijë euro.
Pika katër e aktakuzës thot se Agron Shala, Mërgim Limaj, Dashmir Limaj dhe Ardian Berisha si pronarë të bizneseve “A&F Projekt”, N.N.O “Standard Plus”, Fabrika e Mobileve “Standard” dhe “Shkëmbi Gllarevë” në lidhje me tenderin e MASHTI-t “Blerja e Pakove të pajisjeve të Nevojshme për fusha lëndore dhe mirëmbajtje” kanë bërë mashtrim të autoritetit kontraktues, në këtë rast MASHTI-t.
Mashtrimi sipas PSRK është bërë duke prezantuar kontrata të punëtorëve gjoja se janë duke punuar në këto firma me qëllim që të plotësojnë kriteret për ta fituar projektin. Tutje mashtrimi sipas PSRK është bërë duke mos dorëzuar vërtetimet tatimore të rreme.
Në pikën pesë të aktakuzës, Dashmir Limaj si pronar i biznesit “Standard Plus” edhe pse ka qenë në dijeni se inxhinierët Anita Kabashi dhe Adnan Mustafa nuk kanë qenë asnjëherë të punësuar në kuadër të biznesit të tij kanë mundësuar përdorimin e dokumenteve të rreme me qëllim që të plotësojnë njërin nga kriteret për t’u shpallur kompani fituese.
Me këtë akuzohen për vepër penale të falsifikimit të dokumenteve.
Në këtë aktakuzë, e cila është ngritur nga prokurori Dren Paca, janë të akuzuar 15 persona, 12 persona fizikë dhe tre persona juridikë: “A&F Projekti” Sh.P.K, Fabrika e Mobileve “Standard” Sh.P.K., dhe “Shkëmbi – Gllarevë” Sh.P.K.
Kurse persona fizikë të akuzuar janë: Ardian Berisha – pronar i kompanisë “Shkëmbi – Gllarevë” Sh.P.K., Dashmir Limaj, Mërgim Limaj – drejtor në kompaninë Fabrika e Mobileve “Standard”, Agron Shemsi Shala – pronar i biznesit “A&F Projekti” Sh.P.K., Fehmi Zylfiu i punësuar në MASHTI, Fadile Kokaj – Dyla, Murtez Hasan Zekolli, Xhemajl Buzuku, Agim Berdynaj, Arberita Mehmetaj – e punësuar në MASHTI dhe Naim Demiri – i punësuar në MASHTI./Kallxo.com
Ish-ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, ka deklaruar se një nga sfidat më të mëdha, por edhe arritjet më të rëndësishme strategjike gjatë mandatit të tij, ka qenë inicimi dhe konkretizimi i industrisë së mbrojtjes në Kosovë, duke filluar me vendosjen e prodhimit vendor të municionit.
Në një intervistë për RTV Dukagjini, Mehaj ka theksuar se ky proces ka qenë kompleks dhe kërkues, por sipas tij është përmbyllur me sukses dhe me mbështetje të gjerë nga partnerë ndërkombëtarë.
“Një sfidë madhore, e cila njëkohësisht përbën edhe një ndër arritjet më të rëndësishme, ka qenë inicimi dhe konkretizimi i industrisë së mbrojtjes në Republikën e Kosovës, duke filluar me vendosjen e prodhimit vendor të municionit. Ky proces ka qenë kompleks dhe kërkues, por është realizuar me sukses. Për këtë iniciativë ekzistojnë dëshmi dhe mbështetje nga partnerë ndërkombëtarë, ministra e ish-ministra, disa prej të cilëve vazhdojnë ende të jenë pjesë e institucioneve qeveritare”, ka deklaruar Mehaj.
Sipas ish-ministrit, ky hap ka shënuar një moment të rëndësishëm drejt rritjes së vetëqëndrueshmërisë së Kosovës në fushën e mbrojtjes, duke reduktuar varësinë nga importi i municionit dhe duke krijuar bazë për zhvillimin afatgjatë të industrisë vendore të mbrojtjes, njofton Dukagjini.
Krahas inicimit të industrisë së municionit, Mehaj ka renditur edhe konsolidimin e bazës ligjore dhe institucionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës si arritje kyçe të mandatit të tij.
“Arritja jonë më e madhe gjatë drejtimit të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës ka qenë konsolidimi i plotë i bazës ligjore dhe institucionale për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Në këtë kuadër, janë miratuar dhe plotësuar ligje thelbësore, si heqja e kufizimit të numrit të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, miratimi i Ligjit për Policinë Ushtarake dhe Ligjit për Inteligjencën Ushtarake, të cilat kanë krijuar themele të qëndrueshme për funksionimin modern dhe profesional të saj”, ka thënë ai.
Mehaj, si pjesë tjetër e rëndësishme e mandatit të tij, thotë ka qenë edhe modernizimi i armatimit dhe pajisjeve ushtarake përmes marrëveshjeve shtet me shtet për të cilat ishte angazhuar personalisht.
“Një arritje e rëndësishme strategjike ka qenë gjithashtu nënshkrimi i marrëveshjeve për blerjen e pajisjeve të avancuara ushtarake, përfshirë mjetet ajrore pa pilot ‘Bajraktar’, mjetet ajrore pa pilot të tipit ‘Puma’, si dhe pajisje të tjera moderne nga shteti mik i Turqisë, përfshirë sistemet kundërtanke të tipit ‘OMTAS’. Po ashtu, janë iniciuar dhe nënshkruar marrëveshje shtet me shtet, të cilat kanë hapur rrugën për shumë blerje të mëvonshme strategjike në fushën e mbrojtjes”, ka deklaruar ish-ministri.
Ai ka përmendur gjithashtu përmirësimin e infrastrukturës ushtarake dhe kapaciteteve logjistike, duke theksuar se gjatë mandatit të tij janë siguruar prona strategjike për nevojat e ushtrisë.
Në planin operacional dhe ndërkombëtar, Mehaj ka theksuar pjesëmarrjen e FSK-së në ushtrime shumëkombëshe dhe rritjen e rolit të saj si partner i besueshëm i sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe dërgimin e pjesëtarëve të saj në misione paqeruajtëse jashtë vendit.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka zhvilluar sot një takim online me efektivët e Forcave të Armatosura që shërbejnë në misione paqeruajtëse jashtë vendit. Në këtë fillimviti, Kreu i Shtetit vlerësoi lart sakrificën e ushtarakëve shqiptarë, të cilët festojnë larg familjeve për të garantuar sigurinë në pikat më të nxehta të globit.
Gjatë bisedës me oficerët dhe ushtarët, Presidenti dha një lajm të rëndësishëm për vitin që sapo ka nisur: Shqipëria do të marrë komandën e batalionit shumëkombësh të Rezervës Operacionale të KFOR-it për vitin 2026.
“Kjo është një dëshmi e qartë e përkushtimit tonë ndaj mbrojtjes kolektive dhe sigurisë në rajon,” theksoi Begaj, duke e cilësuar këtë detyrë si një arritje madhore të ushtrisë shqiptare.
Prania shqiptare në botë
Presidenti listoi hartën e gjerë të angazhimit të trupave tona, duke treguar peshën që Shqipëria ka brenda Aleancës:
Në Rajon- Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë.
Krahu Lindor i NATO-s- Letoni dhe Bullgari.
Misione Strategjike- Irak, Sinai, Deti Egje dhe Sudani i Jugut.
Mbështetje për Ukrainën- Pjesëmarrje në strukturat mbështetëse ndaj agresionit rus.
Modernizimi si prioritet
Përballë sfidave komplekse gjeopolitike, Begaj nënvizoi se nuk mjafton vetëm shtimi i trupave, por kërkohet një forcë moderne.
“Sfidat kërkojnë një Forcë të Armatosur të aftë, me kapacitete mbrojtëse moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme me partnerët tanë,” u shpreh ai, duke premtuar vijimin e investimeve në mbrojtje.
Fjala përshëndetëse e Presidentit Begaj në takimin online me efektivët e FARSH në misione dhe operacione jashtë vendit
I nderuar Ministër,
I nderuar Shef i Shtabit të Përgjithshëm,
Gjeneralë, komandantë dhe drejtues të Forcave të Armatosura,
Mbi të gjitha, të dashur ushtarë, nënoficerë dhe oficerë,pjesëmarrës në misione dhe operacione jashtë vendit,
Është kënaqësi e veçantë për mua të jemi së bashku në këto momente për t’ju përshëndetur dhe për t’ju uruar nga zemra gëzuar festat!
Uroj që viti që vjen të jetë i mbarë dhe i begatë jo vetëm për ju, por edhe për familjet tuaja!
Atmosfera festive dhe e gëzuar kërkon të jemi së bashku. Juve ju ka gjetur larg familjeve tuaja, por me një mision tërëndësishëm: të jeni në krye të detyrës dhe në shërbim të atdheut, në shërbim të paqes, të sigurisë dhe lirisë në mbarëglobin. Ju mbani lart flamurin e Shqipërisë dhe ne ndihemi krenarë për shërbimin tuaj!
Angazhimi juaj, nga Kosova, Bosnjë dhe Hercegovinë, Bullgari, Letoni, Detin Egje, Irak, Sinai, Sudanin e Jugut dhe në strukturat për mbështetjen e Ukrainës,janë dëshmi e qartë e angazhimit dhe përkushtimit të Shqipërisë ndaj paqes dhe sigurisë jo vetëm në rajon, por edhemë gjerë.
Paqja dhe siguria nuk kanë çmim dhe garantimi tyre duhet tëjetë i domosdoshëm. Sfidat gjeopolitike dhe të sigurisë janëkomplekse dhe kërkojnë që ne t’u përgjigjemi atyre sipas kërkesave jo vetëm duke rritur kontributin, por, mbi të gjitha, me një Forcë të Armatosur të aftë, me kapacitetembrojtëse, moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme.
Ne do të vijojmë të shtojmë kontributet tona në misione dhe operacione jashtë vendit dhe patjetër do të jemi pjesëmarrës kudo ku Aleanca të kërkojë.
Marrja e komandës së batalionit shumëkombësh të Rezervës Operacionale të KFOR-it për vitin 2026 është dëshmi e qartë e përkushtimit tonë ndaj mbrojtjes kolektive, ndaj paqes, ndajdhe sigurisë. Shpreh bindjen se drejtimi i kësaj strukture të rëndësishme do të jetë një tjetër arritje e Forcave tona të Armatosura.
Edhe një herë, ju uroj gëzuar festat, shëndet dhe mbarësi për ju dhe familjet tuaja!
Faleminderit shumë për shërbimin tuaj!
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe Forcat e Armatosura!
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, bën të ditur se disa zona në kryeqytet kanë mbetur pa ujë të pijshëm.
Sipas njoftimit, si pasojë e një defekti në rrjetin e ujësjellësit, pa furnizim me ujë të pijshëm kanë mbetur gjysma e lagjes Hajvalia, Veterniku, Lagjja Qëndresa, konsumatorët “prapa qendrës Grand Store” dhe zona kah Rezonanca – Lagjja Premium.
“Ekipet e mirëmbajtjes janë në terren dhe po punojnë me intensitet për sanimin sa më të shpejtë të defektit. Rikthimi i furnizimit do të bëhet menjëherë pas përfundimit të punimeve”, thuhet në njoftim.
Kompania bën të ditur se ekipet e mirëmbajtjes janë në terren dhe po punojnë me intensitet për sanimin sa më të shpejtë të defektit. Rikthimi i furnizimit do të bëhet menjëherë pas përfundimit të punimeve.
Viti 2025 u shënua si një nga periudhat më problematike për funksionimin e Kuvendit të Kosovës, duke u karakterizuar nga bllokada e vazhdueshme politike, akuza të ndërsjella mes subjekteve politike dhe mungesë e theksuar e funksionalitetit institucional. Mosfunksionalizimi i Kuvendit, vonesa në konstituimin e tij dhe dështimi për të formuar qeverinë, pamundësuan që të zgjedhurit e popullit të ushtrojnë rolin kushtetues, gjë e cila ndikoi drejtpërdrejt sipas njohësve të Kuvendit në paralizimin e institucioneve kyçe dhe në thellimin e pasigurisë politike dhe ekonomike në vend. Kuvendi dështoi po ashtu të votojë disa marrëveshje ndërkombëtare në vlerë mbi 1 miliard euro, e po ashtu si pasojë e dështimit të formimit të qeverisë nuk u votua as buxheti për vitin 2026.
Viti 2025 u shënua si një nga periudhat më problematike për funksionimin e Kuvendit të Kosovës, duke u karakterizuar nga bllokada e vazhdueshme politike, akuza të ndërsjella mes subjekteve politike dhe mungesë e theksuar e funksionalitetit institucional. Mosfunksionalizimi i Kuvendit, vonesa në konstituimin e tij dhe dështimi për të formuar qeverinë, pamundësuan që të zgjedhurit e popullit të ushtrojnë rolin kushtetues, gjë e cila ndikoi drejtpërdrejt sipas njohësve të Kuvendit në paralizimin e institucioneve kyçe dhe në thellimin e pasigurisë politike dhe ekonomike në vend. Kuvendi dështoi po ashtu të votojë disa marrëveshje ndërkombëtare në vlerë mbi 1 miliard euro, e po ashtu si pasojë e dështimit të formimit të qeverisë nuk u votua as buxheti për vitin 2026.
Megjithatë, deputetët e legjislaturës së fundit, pavarësisht se nuk patën asnjë lloj vendimmarrjeje, të njëjtit, u paguan nga buxheti i shtetit prej momentit të betimit në prill të vitit 2025, e deri në shpërndarjen e tij më 20 nëntor. Madje, 67 deputetë të legjislaturës së nëntë do të vazhdojnë të marrin pagë kalimtare për 1 vit nga legjislativi.
Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Melos Kolshi, thotë për KosovaPress se legjislatura e nëntë ka dështuar ta përmbushë rolin e saj kushtetues për përfaqësimin e qytetarëve.
Sipas tij, deputetët dhe subjektet politike kanë vënë interesat partiake dhe ato personale përpara interesit të përgjithshëm, duke e bërë legjislaturën jo vetëm të dobët, por edhe të dëmshme për vendin.
“Legjislatura e kaluar, me plot bindje, e them se ka qenë një prej legjislaturave më të dobëta që ka njohur Republika e Kosovës. Përveç që ka qenë e dëmshme, kjo legjislaturë ka qenë edhe e padobishme për shkak se qytetarët kanë dalë në zgjedhje për t’i zgjedhur deputetët dhe t’i përfaqësojnë ata. Mirëpo ndodhi krejtësisht e kundërta, ku deputetët dhe subjektet politike kanë vendosur interesin partiak apo interesat e ngushta të tyre para interesave të përgjithshme, ku Kosova u përball me shumë pasoja... Deputetët e Kuvendit të Republikës kanë të drejtë që të paguhen, edhe pse e dinë se puna e tyre ka qenë e barasvlershme me zero, apo mund të themi më poshtë se zero, pasi s’kanë arritur t’i kryejnë të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga e tyre ka filluar të rrjedhë prej momentit kur janë betuar si deputetë, pasi kështu ia lejon ligji dhe Kushtetuta. Por secila pagë e deputetit duhet të shpërblehet me punë nga ta”, thekson ai.
Në anën tjetër, Vullnet Bugaqku nga Instituti i Kosovës për Demokraci (KDI), thotë për KosovaPress se kriza politike dhe mungesa e funksionalizimit të Kuvendit ka bërë që të dështojë mbikëqyrja parlamentare ndaj ekzekutivit si dhe agjencive dhe ndërmarrjeve publike.
Ai përmend edhe ushtrimin e dyfishtë të funksioneve nga disa anëtarë të kabinetit qeveritar, të cilët vazhduan punën si ministra në detyrë, derisa ishin certifikuar edhe si deputetë të Kuvendit.
“Kemi pasur mungesë të mbikëqyrjes parlamentare, ku shumë agjenci dhe borde që kontrollohen nga Kuvendi kanë pasur vendimmarrje tejet arbitrare. Kemi pasur probleme edhe me ushtrimin e dyfishtë të funksioneve të zyrtarëve, të cilët vepronin edhe si ministra dhe deputetë. Kjo shkaktonte arbitraritet në vendimmarrjen e tyre... Vendi ka mbetur pa buxhet dhe kjo sigurisht, në rast se pas këtyre zgjedhjeve nuk rregullohet çështja e konstituimit të institucioneve, ne rrezikojmë të hyjmë edhe në një krizë financiare. Shto faktin se në rrafshin ekonomik kemi inflacion të lartë, kemi probleme me energji dhe s’kemi një qeveri legjitime që kontrollohet nga një Kuvend legjitim... Janë dhënë paga për 120 deputetë të Kuvendit të Kosovës, të cilët gjatë tërë vitit nuk e kanë kryer asnjë funksion të tyre që i takon sipas Kushtetutës. Në kuptimin e mbikëqyrjes parlamentare, hartimin dhe mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve dhe kërkimit të llogaridhënies për një qeveri e cila ka mandat të skanojë”, potencon ai.
Kolshi nga IKD thekson se moskonstituimi i Kuvendit ka bllokuar funksionimin e shumë institucioneve të pavarura që varen nga legjislativi. Ai përmend raste si Radio Televizioni i Kosovës (RTK), Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave, Avokati i Popullit, si dhe institucione të tjera që presin zgjedhjen e anëtarëve të bordeve për të funksionalizuar punën e tyre.
Sipas tij, vazhdimi i kësaj gjendjeje rrezikon që këto institucione të humbin funksionalitetin dhe të mos arrijnë të veprojnë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën.
“Kemi pasur probleme të tjera, të cilat përfshihen ose lidhen direkt me moskonstituimin e Kuvendit. Shumë institucione presin që të zgjedhen nga Kuvendi apo anëtarët e tyre të bordeve. Rasti i RTK-së, rasti i Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, Avokatit të Popullit dhe shumë institucioneve të tjera, të cilët presin një Kuvend të konstituar për t’i zgjedhur anëtarët dhe funksionalizuar bordet. Duke vazhduar kështu, secili nga këto institucione të pavarura rrezikon të humbë funksionin e tij dhe mos të arrijë të veprojë ashtu siç i lejon ligji dhe Kushtetuta”, shton Kolshi.
Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të kaluar, tentoi dy herë të formojë qeverinë e re, me mandatar fillimisht liderin partiak Albin Kurti dhe më pas nënkryetarin e saj Glauk Konjufca, mirëpo të njëjtit morën vetëm 56 vota të deputetëve në Kuvend nga 61 të nevojshme.
Pas dështimit të dytë, Presidentja Osmani nxori dekretin për shpërndarjen e legjislaturës së nëntë dhe më pas caktoi datën 28 dhjetor për zgjedhjet e parakohshme./KosovaPress
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se gjatë orëve të mëngjesit të së enjtes, më 1 janar 2026, janë regjistruar temperatura minimale shumë të ulëta në disa zona të vendit, duke shënuar një nga ditët më të ftohta të këtij dimri.
Sipas të dhënave zyrtare deri në orën 14:00, temperatura më e ulët e ditës është regjistruar në Vërbicë të Zhegocit, në Komunën e Gjilanit, ku termometri ka zbritur në -15°C.
Temperatura tejet të ulëta janë shënuar edhe në zona të tjera, përfshirë:
Edhe qytetet kryesore janë përballur me temperatura të ulëta, ku në Prishtinë janë matur -8.3°C, në Prizren -9.0°C, në Ferizaj -10.2°C, në Pejë -8.2°C, në Gjilan -9.7°C, ndërsa në Mitrovicë -9.8°C.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka apeluar për kujdes të shtuar, sidomos për drejtuesit e automjeteve dhe qytetarët në zonat malore dhe rurale, për shkak të ngricave dhe kushteve të vështira atmosferike që po mbizotërojnë në vend.
Sipas parashikimeve, moti i ftohtë pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me temperatura që do të mbesin nën zero në pjesën më të madhe të territorit të Kosovës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se të enjten, më 1 janar 2026, në ora 16:00, ka rifilluar procesi i verifikimit të rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime, si dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë në 11 komuna të Kosovës.
Procesi ka rifilluar në Qendrat Komunale të Numërimit në komunat: Prishtinë, Pejë, Prizren, Podujevë, Mitrovicë e Jugut, Gjakovë, Malishevë, Lipjan, Gjilan, Ferizaj dhe Suharekë.
Sipas KQZ-së, deri më tani janë procesuar mbi 2,009 nga gjithsej 2,557 vendvotime, apo më shumë se 78.57% e tyre, nga të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit në nivel vendi.
Ndërkohë, 27 komuna me gjithsej 1,033 vendvotime i kanë përmbyllur aktivitetet e numërimit deri të mërkurën, më 31 dhjetor 2025, në ora 12:00. Këto komuna janë: Mamushë, Shtërpcë, Junik, Hani i Elezit, Kllokot, Partesh, Mitrovicë e Veriut, Novobërdë, Zveçan, Viti, Zubin Potok, Ranillug, Dragash, Istog, Obiliq, Gllogoc, Deçan, Shtime, Klinë, Kamenicë, Fushë Kosovë, Leposaviq, Graçanicë, Vushtrri, Rahovec, Skënderaj dhe Kaçanik.
KQZ ka bërë të ditur se pas përfundimit të numërimit të çdo vendvotimi, të dhënat po transmetohen në platformën zyrtare për publikimin e rezultateve zgjedhore./Telegrafi/
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ndodhet në një moment historik transformimi, me investime që tejkalojnë 500 milionë euro, të cilat synojnë modernizimin, qëndrueshmërinë dhe harmonizimin e plotë me standardet e Bashkimit Evropian.
Kurti theksoi se modernizimi i turbinave dhe investimet tjera në njësitë B1 dhe B2, rehabilitimi i thellë i njësisë A3, si dhe investimet madhore në termocentralet Kosova A dhe Kosova B, përbëjnë hapa kyç për sigurinë energjetike të vendit. Një risi e rëndësishme, sipas tij, është edhe hyrja për herë të parë e KEK-ut në sektorin e energjisë së ripërtritshme përmes parkut solar.
Me përfundimin e këtyre projekteve, Kosovës pritet t’i shtohen rreth 150 megavat kapacitete shtesë në termocentralet ekzistuese dhe 100 megavat kapacitete të reja gjeneruese nga burimet e ripërtritshme.
Kryeministri bëri të ditur se që nga 19 dhjetori, KEK-u është duke prodhuar me kapacitet maksimal, me pesë njësi gjeneruese aktive, për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji gjatë ditëve të ftohta të fundvitit dhe fillimvitit, kur konsumi është i lartë.
Në fund, Kurti falënderoi punonjësit dhe menaxhmentin e KEK-ut për punën dhe profesionalizmin, si dhe Bordin e Drejtorëve dhe Ministrinë e Ekonomisë për mbikëqyrjen dhe përkrahjen në realizimin e këtyre projekteve.
“KEK-u sot po forcon themelet e energjisë së të ardhmes – një KEK më i fortë, më modern, më i sigurt dhe më i gjelbër, në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe të brezave që vijnë”, u shpreh Kurti.
Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllime për dhjetëra jetët e humbura pas një shpërthimi të fuqishëm në barin “Le Constellation” në një qendër skijimi në Zvicër.
Qindra të tjerë kanë mbetur të plagosur, teksa për ta, Osmani uroi shërim të shpejtë.
“Qëndrojmë me aleatin tonë, Zvicrën pas tragjedisë në një qendër skijimi gjatë një takimi të Vitit të Ri që mori shumë jetë dhe plagosi të tjerë”.
“Në emër të Republikës së Kosovës, u shpreh ngushëllimet tona më të thella familjeve të viktimave dhe shpreh solidaritetin tonë me popullin dhe institucionet e Zvicrës. U urojmë të plagosurve shërim të shpejtë”, ka shkruar e para e vendit në X.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, njofton se deri më tani është përmbyllur verifikimi i rezultateve të subjekteve politike dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë në 4 komunat: Hani i Elezit, Shtërpcë, Junik dhe Mamushë.
“Procesi po vazhdon në QKN-të e komunave të tjera, ndërkohë që të dhënat po përditësohen vazhdimisht në platformën e rezultateve", njofton KQZ.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka siguruar mbi 13.5 për qind të votave të rregullta, pa përfshirë votat e personave me aftësi të kufizuara, votat me kusht dhe ato me postë, sipas të dhënave të deritanishme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Ndërkohë, kur janë numëruar rreth 21 për qind e votave të kandidatëve për deputetë, në listën e LDK-së gara është mes vendit të 4 dhe 5 ku po "luftojnë" Doarsa Kica-Xhelili dhe Avdullah Hoti.
Analistët kanë deklaruar se programet sociale dhe ofensiva politike e Kurtit sollën fitoren e madhe të Vetëvendosjes.
Analisti Sadri Ramabaja ka deklaruar në emisionin Debat Plus se fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhje erdhi si rezultat i fokusimit të saj në tri grupe kyçe të qytetarëve.
Sipas Ramabajës, këto grupe janë pensionistët, lehonat dhe fëmijët, të cilët janë përfshirë për herë të parë në mënyrë të strukturuar në politikat qeveritare gjatë mandatit Kurti II.
“Tri grupe që i ka prekur fuqishëm dhe i ka trajtuar në mënyrën relativisht më të mirë të mundshme sipas programit socialdemokrat janë: grupi i pensionistëve; pastaj një numër i madh, mbi 200 mijë, i lehonave; dhe shtesat për fëmijë, që janë për herë të parë në Qeverinë Kurti II,” ka thënë Ramabaja, duke shtuar se qeveritë e mëhershme nuk ishin përkushtuar mjaftueshëm ndaj këtyre kategorive.
Ndërkohë, analisti Ylli Hoxha ka theksuar se fitorja e Vetëvendosjes në zgjedhjet e 28 dhjetorit është rezultat i punës së vazhdueshme dhe ofensivës politike të liderit të kësaj partie, Albin Kurti.
Sipas Hoxhës, Kurti ka punuar për këtë rezultat që nga 9 shkurti e deri në ditën e zgjedhjeve, pa asnjë ndërprerje.
“Kurti ka qenë aktori politik që ka treguar zell për të luftuar për pozicionin e vet. Prej 9 shkurtit e deri dje kurrë nuk u nal, gjithmonë ka pasur ofensivë politike. Asnjë javë nuk ka kaluar pa veprim,” ka deklaruar ai.
Në anën tjetër, analisti Astrit Gashi ka folur për ndëshkimin elektoral të opozitës, duke e lidhur atë me qasjen e saj ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.
Gashi ka hedhur poshtë pretendimet se opozita, në veçanti Lidhja Demokratike e Kosovës, ka qenë e butë ndaj Vetëvendosjes.
“Në rastin e LDK-së kjo është krejtësisht e pasaktë,” ka deklaruar ai, duke shtuar se ndëshkimi i kësaj partie ka ardhur pikërisht për shkak të qëndrimit të saj opozitar ndaj Vetëvendosjes.
Sipas Gashit, votuesi i LDK-së e ka ndëshkuar partinë e vet për shkak të mosbashkëpunimit me Vetëvendosjen, duke e reflektuar këtë pakënaqësi përmes votës.
Derisa analisti Visar Ymeri ka kritikuar partitë opozitare, duke thënë se opozita nuk bëhet vetëm vitin e fundit, por duhet të jetë aktive gjatë gjithë mandatit.
“Opozitarizmi nuk bëhet vetëm vitin e fundit ose pak para zgjedhjeve. Ti badihava bën opozitarizëm para zgjedhjeve nëse nuk ke bërë gjatë tërë kohës,” ka thënë ai, duke e krahasuar me periudhën kur Vetëvendosje ishte në opozitë.
Ai ka shtuar se sa i përket ligjeve që opozita i ka dërguar në Gjykatë, kjo është formë e opozitarizmit të duhur, por sipas tij “nuk është i dukshëm”.
“Unë mendoj që një prej të metave që kanë, e kanë pasur – tash besoj që e ndryshojnë – partitë opozitare, nuk kanë qenë domosdoshmërisht vendimet dhe qëndrimet që i kanë mbajtur, por ka qenë mungesa e interesimit të tyre të duhur për t’i paraqitur ato në publik dhe për t’i bërë të besueshme për publikun,” ka thënë Ymeri./Telegrafi/
Eurodeputeti austriak Andreas Schieder ka uruar kreun e VV-së Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Ka ardhur koha për një qeveri të qëndrueshme që të udhëheqë përpara integrimin evropian të Kosovës dhe reformat e nevojshme në vend”, ka shkruar ai në X.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njofton se në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) po vazhdon numërimi i votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e vendvotimeve.
Aktualisht është përpunuar mbi 20% e votave.
Sipas të dhënave të deritanishme, 10 kandidat nga Lëvizjen Vetëvendosje kanë krijuar një diferencë me të të tjerët.
Renditja e kandidatëve më të votuar të Vetëvendosjes (deri tani):
Mbipopullimi i banesave mbetet një nga problemet sociale më serioze në Shqipëri.
Raporti i funditi i Eurostat ka nxjerr në pah se 57.1% e shqiptarëve jetojnë në banesa të mbipopulluara, duke e renditur vendin tonë të dytin në Europë, pas Malit të Zi për vështirësitë e mëdha në kushtet e banimit dhe në nivelin e jetesës.
Sipas përkufizimit zyrtar, një banesë konsiderohet e mbipopulluar kur nuk plotëson numrin minimal të dhomave të nevojshme për përbërjen familjare. Ky minimum përfshin: një dhomë për familjen, një dhomë për çdo çift, një dhomë për çdo person të vetëm mbi 18 vjeç apo një dhomë për çdo dy fëmijë të së njëjtës gjini nga 12 deri në 17 vjeç.
Fenomeni i mbipopullimit të banesave nuk është i kufizuar vetëm në Shqipëri. Në nivel evropian, të dhënat tregojnë se në vitin 2024 rreth 16.9% e popullsisë së Bashkimit Europian jetonte në banesa të mbipopulluara.
Raporti citon se situata mbetet shqetësuese në disa vende të BE-së. Më shumë se 30% e popullsisë në pesë shtete anëtare jeton në kushte mbipopullimi.
Ekspertët paralajmërojnë se mbipopullimi i banesave ka pasoja të drejtpërdrejta në shëndetin, mirëqenien dhe zhvillimin social të individëve, veçanërisht të fëmijëve, duke e bërë këtë një problem serioz social dhe ekonomik që kërkon vëmendje të shtuar institucionale.
Ndërsa po afrohet nata e ndërrimit të viteve, qytetarët e Durrësit po përballen me një rritje të ndjeshme të çmimeve të produkteve ushqimore, që po e bën gjithnjë e më të vështirë përgatitjen e tryezës së festave.
Perimet, frutat dhe mishi po shiten me çmime të larta, të papërballueshme për shumë familje, veçanërisht për pensionistët, të cilët thonë se të ardhurat mujore nuk mjaftojnë as për shpenzimet bazë.
“Nuk ka ku të shkojë më shumë. Kastraveci 180–200 lekë, janë rritur për Krishtlindje. Më keq se kaq nuk bëhet. Një pension kemi. Mishi do të na mungojë, nuk kemi mundësi.”
“Çmimet janë shumë të shtrenjta, nuk janë të përballueshme me pensionet që marrim ne. Me mundësitë që kemi, do mundohemi ta përballojmë, por çmimet janë shumë keq.”
“Çmimet janë jashtëzakonisht keq, më të shtrenjta se në Itali. Tani janë edhe më keq. Gjeli i detit është traditë, por ne tani nuk e blejmë dot. Nuk kemi lekë.”
“Për pensionistët nuk janë të përballueshme. Kështu do ta shtyjmë. Gjelin e detit as që bëhet fjalë ta blej, çmimi është në stratosferë. 9 mijë lekë kilogrami, nuk e përballojmë dot.”
“Për ne pensionistët janë shumë të shtrenjta. Gjelin e detit nuk e blejmë dot, se nuk kemi. Unë jam pa pension, me pensionin e burrit nuk e përballojmë dot, kështu që marrim ndonjë gjë të thjeshtë.”
Kështu janë shprehur qytetarët, që për shumë familje festat e fundvitit nuk maten më me bollëk në tryezë, por me përpjekjen për t’ia dalë deri në fund të muajit. Rritja e çmimeve po e zbeh festën, duke e kthyer Vitin e Ri për pensionistët dhe shtresat në nevojë në një sfidë më shumë sesa në një gëzim.
Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, ka reaguar pas rezultatit zgjedhor të partisë, duke kërkuar përgjegjësi politike dhe reflektim të thellë brenda saj.
Në një reagim publik, Veliu ka theksuar se humbjet e njëpasnjëshme të LDK-së nuk janë rastësi, por “verdikt i qartë politik”, duke shtuar se mungesa e reflektimit pas tyre nuk përbën më thjesht gabim, por refuzim të përgjegjësisë.
Sipas tij, një parti që synon besimin e qytetarëve nuk mund të sillet sikur humbjet nuk kanë autor, ndërsa mbyllja ndaj kritikës, mungesa e analizës dhe kapja e vendimmarrjes kanë dëmtuar rëndë LDK-në dhe e kanë larguar nga misioni i saj.
Veliu ka kërkuar publikisht dhe pa ekuivoke: llogaridhënie politike për humbjet zgjedhore, transparencë të plotë mbi proceset e vendimmarrjes brenda partisë, dhe hapjen e menjëhershme të një procesi demokratik të brendshëm, me garë reale në të gjitha nivelet.
“Askush nuk është mbi partinë. Askush nuk ka mandat të përhershëm nga humbja”, ka shkruar ai, duke paralajmëruar se pa reflektim dhe ndryshim, drejtimi aktual i LDK-së nuk mund të mbrohet dhe nuk i shërben të ardhmes së partisë./Telegrafi/
Mediat botërore kanë raportuar të hënën gjerë e gjatë për rezultatin zgjedhor të dalë pas zgjedhjeve, të cilat u mbajtën më 28 dhjetor.
“The Guardian” ka shkruar se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shënuar një fitore bindëse në zgjedhjet e parakohshme, duke i dhënë fund bllokadës politike në Kosovë.
Në artikull thuhet se fitorja në zgjedhjet e së dielës forcon mandatin e Kurtit për të çuar përpara reformat e brendshme, përfshirë zgjerimin e skemave të mirëqenies sociale dhe rritjen e pagave për punëtorët e sektorit publik.
“Megjithatë, ai përballet me sfida të mëdha, përfshirë tensionet me Serbinë, si dhe me sistemet shëndetësore dhe arsimore që mbesin prapa krahasuar me vendet fqinje të Ballkanit. Me pothuajse të gjitha votat e numëruara, Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Kurti ka marrë mbi 49 për qind të votave, sipas rezultateve zyrtare, që nënkupton se atij i nevojiten vetëm disa partnerë të vegjël koalicioni për të formuar shumicën parlamentare”, ka shkruar “The Guardian”.
Deutsche Welle ka shkruar se partia në pushtet Vetëvendosje, e udhëhequr nga kryeministri Kurti, ka fituar gati 50 për qind të votave, pas bllokadës disamujore prej zgjedhjeve të shkurtit.
Al Jazeera ka raportuar se Kurti ka fituar gjysmën e votave të zgjedhjeve të së dielës, duke hapur rrugën për të formuar qeverinë e re pas bllokadës disamujore.
E “Politico” ka shkruar se Kurti ka deklaruar se synon të formojë shpejt një qeveri të re, pasi rezultatet paraprake treguan se partia e tij është në rrugë të mbarë për të fituar bindshëm zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura të dielën.
“Lëvizja Vetëvendosje, parti e majtë në pushtet, ka fituar rreth 49 për qind të votave në një proces zgjedhor që u konsiderua jetik për t’i dhënë fund krizës politike njëvjeçare dhe për të ringjallur shpresat e bllokuara të vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thuhet në artikull.
BBC në një artikull që i kushtohet rezultatit zgjedhor ka shkruar se partia nacionaliste shqiptare Vetëvendosje ka shënuar fitore bindëse në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, sipas rezultateve paraprake.
“Me 90 për qind të votave të numëruara, kjo parti – emri i së cilës do të thotë “vetëvendosje” – ka marrë 50.8 për qind të votave, duke ia siguruar një mandat të tretë në pushtet liderit të saj Albin Kurti”, thuhet në artikull. “Dy partitë kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e qendrës së djathtë, dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë marrë përkatësisht 20.98 për qind dhe 13.89 për qind të votave. Vetëvendosje kishte fituar edhe zgjedhjet e mbajtura në shkurt, por pa arritur të sigurojë shumicën parlamentare. Që nga ajo kohë Kosova ka qenë pa një qeveri funksionale”.
E në artikullin e Euronews thuhet se partia e majtë Vetëvendosje ka shënuar një fitore bindëse në zgjedhjet parlamentare, pas një bllokade politike 10-mujore që kishte pamundësuar formimin e qeverisë pas zgjedhjeve të mbajtura në shkurt.
“Partia e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka dalë fituese bindëse në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura të dielën, tregojnë rezultatet paraprake, duke e pozicionuar atë për një mandat tjetër qeverisës. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pas numërimit të pothuajse të gjitha fletëvotimeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka fituar rreth 50 për qind të votave, dukshëm përpara dy partive të qendrës së djathtë, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) me 21 për qind dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) me afro 14 për qind të votave”, thuhet në artikull.