Deklaratat e Volodymyr Zelensky-t ngrenë dyshime rreth aftësisë së tij për të marrë vendime adekuate për një zgjidhje paqësore të konfliktit ukrainas”. Kështu është shprehur zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke komentuar fjalimin e Krishtlindjeve të udhëheqësit ukrainas, në të cilin ai tha “të gjithë kanë një ëndërr, që ai të vdesë”, duke iu referuar Vladimir Putinit.
Për zëdhënësin e Kremlinit, ky është një qëndrim i vrazhdë dhe katastrofik.
“Zelensky duket si një person aspak i përshtatshëm. Pyetja është nëse ai është i aftë të marrë vendime adekuate për një zgjidhje përmes mjeteve politike dhe diplomatike”, shtoi ai.
Në fjalimin e tij të Krishtlindjeve, Zelensky tha se vendi i tij ka nevojë për paqe, ndërsa lufta me Rusinë po vazhdon. Ai nënvizoi se e gjithë bota uron vdekjen e Putinit dhe akuzoi Rusinë për nisjen e sulmeve masive.
Dëshira e francezëve për t’u larguar nga vendi ka arritur nivel rekord në vitin 2025, sipas një studimi të publikuar nga Gallup. Sondazhi tregon se 27% e të rriturve në Francë do të dëshironin të largoheshin përgjithmonë, më shumë se dyfishi krahasuar me vitin 2024, çka përbën nivelin më të lartë të regjistruar në pothuajse dy dekada. Arsyeja kryesore lidhet me rënien e fortë të besimit në institucionet shtetërore, pasigurinë politike dhe pesimizmin ekonomik.
Besimi ndaj qeverisë franceze ka rënë në 29%, me një ulje prej 13 pikësh brenda një viti, ndërsa besimi në sistemin e drejtësisë dhe institucionet financiare ka shënuar gjithashtu rënie të ndjeshme. Sipas Gallup, asnjë vend tjetër i Bashkimit Evropian nuk ka përjetuar një rënie kaq të madhe të besimit institucional gjatë vitit 2025. Situata është përkeqësuar nga paqëndrueshmëria politike pas shpërndarjes së parlamentit në vitin 2024 dhe mungesës së një shumice të qartë qeverisëse.
Në aspektin ekonomik, 67% e francezëve besojnë se gjendja e tyre po përkeqësohet, ndërsa vetëm 21% shohin përmirësim. Franca renditet prej vitesh mes vendeve me pesimizmin më të lartë ekonomik në vendet anëtare të OECD-së. Ky realitet ka shtyrë shumë qytetarë, veçanërisht sipërmarrës dhe profesionistë të rinj, të kërkojnë mundësi jashtë vendit. Popullariteti i presidentit Emmanuel Macron ka rënë në 28%./mxh
Festat vijne me gëzim te shtuar per familjen e ish-kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Vajza e saj, Margerita Topalli, ka ndarë me ndjekësit lajmin e bukur se është sërish ne pritje të ëmbël.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo ka zbuluar se familja e tyre po zgjerohet dhe se së shpejti do të mirëpresin një anëtar të ri. Margerita dhe bashkëshorti i saj, Angji Serreqi, do të bëhen prindër për herë të tretë Dyshja qe kane tashmë dy djem, duket se po përjeton një nga periudhat më të bukura të jetës së tyre.
Në foton e publikuar krah pemës së Krishtlindjes, Margerita shfaqet mjaft e lumtur pranë bashkëshortit dhe dy fëmijëve, duke konfirmuar se ky vit është i veçantë për ta pasi janë në pritje të gjithçkaje të bukur që po vjen në familjen e tyre.
Siç duket, magjia e festave këtë vit për familjen Topalli-Serreqi ka një kuptim akoma më të thellë, duke e bërë këtë pritje të ëmbël kryefjalën e festimeve të tyre të fundvitit./mxh
Një histori frymëzuese i është shtuar shtëpisë së “Big Brother VIP Albania” me hyrjen e Stenaldo Mëhillit. 28-vjeçari nga Fieri ka prekur publikun me rrëfimin e tij personal, pasi ka humbur shikimin që në foshnjëri, vetëm tre muajsh, si pasojë e një infeksioni të rëndë.
Pavarësisht kësaj sfide, Stenaldo nuk është dorëzuar kurrë përballë jetës. Ai ka vazhduar të ndjekë pasionet e tij, duke u angazhuar në muzikë dhe gazetari, ndërsa më herët ka qenë edhe pjesë e spektaklit “The Voice”.
Pjesëmarrja në “Big Brother VIP” ka qenë një dëshirë e kahershme për të, një eksperiencë që e konsideron si një sfidë personale dhe njerëzore, për të cilën nuk gjeti arsye për të thënë jo.
Gjatë prezantimit, Kryemadhi u shpreh e emocionuar duke theksuar se Stenaldo përfaqëson një shembull të rrallë force dhe vetëpranimi. Sipas saj, ai do të jetë pjesë e formatit pa kërkuar favore apo trajtim të veçantë, duke sjellë një frymë të re në shtëpi.
“Njerëzit nuk dinë të falenderojne zotin për atë që kanë, po sa krenar është Stenaldo për atë që ka. Gjëja më e bukur është se ai do të jetë vetvetja pa ndihmën e asnjë servili që do t’i ofojë komoditete. Ai do të sjellë risi në format”, tha ajo e përlotur.
Banorët e tjerë e pritën me ngrohtësi Stenaldon, duke treguar solidaritet dhe gatishmëri për ta ndihmuar në çdo moment. Mes tyre, Brikena u dallua për afrimitetin që shfaqi që në minutat e para, duke u treguar e hapur për t’i krijuar një ambient sa më komod./mxh
Kohët e fundit dyshja Ben Affleck dhe Jennifer Lopez janë parë shpesh bashkë. Ata duket se janë ende në frymën e festave.
Pavarësisht se finalizuan divorcin më herët këtë vit, Jennifer Lopez dhe Ben Affleck vazhdojnë të takohen herë pas here, së fundmi gjatë një daljeje për pazar festash me djalin e tij, Samuel, gjatë fundjavës.
Sipas burimeve, ata u takuan për të bërë pazar festash së bashku, me fokus tek djali i Benit, Samuel, duke blerë dhurata dhe duke kaluar kohë së bashku.
Ata janë fotografuar duke bërë pazar për festat në Brentwood Country Mart dhe duke drekuar në Farmshop në Brentwood, Kaliforni. Ata vizituan disa dyqane në Brentwood Country Mart dhe më pas u ndalën për drekë në një treg të hapur aty pranë
Kjo dalje e përbashkët vjen rreth dy muaj pas ribashkimit të tyre profesional për filmin “Kiss of the Spider Ëoman”, i cili u prezantua në tetor në Nju Jork. Në premierë, Lopez dhe Affleck pozuan së bashku në tapetin e kuq, pasi ishin bashkëprodhues të këtij filmi muzikor, i bazuar në muzikalin e vitit 1992.
Pavarësisht ndarjes, ajo duket se vazhdon të mbajë marrëdhënie të mira me fëmijët e Affleck, pasi ishte fotografuar edhe më herët në dalje me Samuelin./mxh
Institucionet nuk po shpenzojnë dot paratë. Nga mbi 691 miliardë lekë të planifikuara për tu përdorur për investime dhe nevoja të tjera deri në fund të nëntorit, u shpenzuan më pak se 639 miliardë. Thënë ndryshe u realizua vetëm 91 për qind e planit.
“Mos-realizimi i investimeve do të thotë praktikisht se nuk kemi arritur ato objektiva që kishim përcaktuar për vitin 2025 si rritja ekonomike, realizimi i investimeve etj.”, tha eksperti për ekonominë Klodian Muço.
Brenda këtij muaji mbeten për tu shpenzuar 193 miliardë lekë ose rreth 2 miliardë euro. Kjo shifër është sa 23.5 e buxhetit total të këtij viti.
“Në fakt ajo që u vu re muajt e fundit, që u përmend edhe nga funksionarë të rëndësishëm të qeverisë… vihet re një tendencë në zyrat shtetërore se po haset gjithnjë e më tepër vështirësi në zyrat shtetërore në realizimin e investimeve apo në firmosjen e financimeve të projekteve të caktuara për arsye burokratike, legale dhe kryesisht nga frika e institucioneve të drejtësisë”, shtoi Muço.
Ministria e Financave argumenton se shpenzimet patën ecuri të ngadaltë vjet për shkak të vonesave në procedurat tenderuese, vonesave në realizimin e projekteve si dhe në marrjen e fondeve të huaja.
“Nuk mendoj se kjo është arsye. Fundja paratë kanë qenë aty në dispozicion. Tregon për paaftësi të institucioneve për të realizuar investimet”, theksoi eksperti Muço.
Të dhënat nga “financat” tregojnë se realizimin më të ulët të investimeve gjatë këtij viti e ka Ministria e Ekonomisë, ndjekur nga ministria e Brendshme, ministria e Mbrojtjes, e Arsimit, e Bujqësisë, dhe e Infrastrukturës, ndërsa ecurinë më të mirë e ka pasur Ministria e Shëndetësisë./mxh
Gjatë bisedës që pata në Korcë për promovimin e romanit Jam Musliman fola edhe për karakterin shumë mashkullor të feve.
Të gjjtha fetë por sidomos Krishtërimi dhe Islami, janë përdorur nga burrat për të nënshtruar gratë.
Librat e shenjtë thonë se gratë duhet të mbulohen dhe të ulin shikimin për të frenuar epshin e burrave kurse burrave nuk ju kërkohet ky frenim.
Nëse të dyja gjinitë janë njëlloj të ekspozuara ndaj deshirës së trupit atëherë sic mbulohen gratë duhet të ishin mbuluar dhe burrat që të mos ndjellin epshin e grave.
Imagjinoni sikur kjo kërkesë fetare të ishte kthyer në zakon dhe burrat të ulnin sytë sa herë shikonin nje grua, sa shumë dhunë, dhimbje dhe vrasje do ishin shmangur nga historia e njerëzimit e mbushur me aq shumë krime që burrat i kanë bërë grave.
Për fat të keq fetë ia kanë dhënë burrave të drejtën për të vendosur mbi gratë.
Edhe Krishtërimi dhe Islami i kanë të gjjthë profetët meshkuj dhe asnjë profet i madh nuk është grua.
Këta profetë merrnin më shumë se një grua dhe shumë shpesh i trajtonin ato si skllave pavaresisht nga mosha e tyre.
Kjo praktikë ndiqet dhe sot në shumë vende sic ndodh edhe në romanin tim Jam Mysliman që tregon se si një burrë 70 vjec u martua me një vajzë 12 vjece.
Në këtë linjë mashkullore ka ecur edhe caktimi i njerëzve që duhet të rregullonin marrëdhënien mes Zotit dhe njerëzve.
Klerikët janë të gjithë burra.
Asnjë prift nuk është grua dhe asnjë imam nuk është grua.
Sa ndryshe do ishte raporti i njeriut me besimin sikur Papa të ishte një zonjë, apo sikur Peshkopët të ishin gra, apo sikur nëpër xhami ezani të këndohej nga zëri i bukur i grave.
Fetë do ishin më të bukura dhe shumë më paqësore.
Gratë do kishin fituar më shumë të drejta shekuj më parë.
Por kjo nuk ka ndodhur.
Burrat kanë mbajtur monopolin e punëve të Zotit duke përdorur Perëndinë për të dominuar familjen e tyre.
Ky aspekt mashkullor i feve është pa dyshim një nga më të errëtit.
Mjafton kaq për të kuptuar sesi fetë janë orientuar nga interesat e ngushta tokësore dhe aspak nga interesat e shoqërive ku kanë lindur.
Vetë Zoti është vizatuar si një misogjen që i ka dhënë më shumë të drejta burrave se grave dhe kjo është pranuar për fat të keq nga vetë gratë.
Që ditën e parë kur ka krijuar gruan nga një brinjë e burrit, Zoti ka vendosur të mbajë anën e burrave.
Mjafton kaq për të kuptuar se edhe vetë Zoti është krijesë e imagjinatës së burrave.
Zotin e kanë krijuar burrat duke i dhënë atij tiparet e tyre të ashpra dhe pandjeshmërinë e tyre.
Që herët në lashtësi burrat i janë përveshur skalitjes së imazhit të Zotit që ka jo vetëm tipare mashkullore por edhe mendësi mashkullore.
Zoti që krijon një grua nga brinja e një burri në të vërtetë shkon në drejtim të kundërt me ligjet e natyrës e cila ka vendosur se burri krijohet pra lind nga një grua.
Gjatë debatit në Korcë një nga të ftuarat më tha se në fenë e krishterë ka shenjtore.
Është e vërtetë.
Por ato bëhen të tilla vetëm pas vdekjes.
Nëse nuk vdesin gratë nuk i shërbejnë Kishës si model.
Nga Viti i Ri te Dita e Verës, Bajrami i Madh apo Nevruzi… te Pashkët Katolike dhe ato Ortodokse, bashkë me ditët e shënuara kombëtare… shqiptarët do të mund të gëzojnë plotë 15 festa vitin e ardhshëm.
Ditët pushim nisin më 1 e dy janar, për të vijuar me 3 festa në mars dhe dy në prill. Maji nis me Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve dhe mbyllet me atë të Kurban Bajramit. Në 5 shtator festohet Shenjtërimi i Nënë Terezës, ndërsa më 22 nëntor Dita e Alfabetit, e miratuar së fundmi nga qeveria. Pas Pavarësisë dhe Çlirimit në nëntor, ditët festive përmbyllen me Ditën Kombëtare tw Rinisë më 8 dhjetor dhe Krishtlindjet më 25 dhjetor.
Në krahasim me vendet e botës, Shqipëria klasifikohet si një vend me relativisht pak ditë festash apo pushimesh, me 15 të tilla në total. Megjithatë, nëse krahasimi bëhet në nivel europian, Shqipëria renditet ndër vendet me më shumë festa publike. Në rajon, Kosova ka gjithsej 12 ditë pushimi, sipas kalendarit zyrtar të publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme. Ndërsa Shqipëria renditet pas vetëm dy vendeve të rajonit, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës, të cilat kanë respektivisht 16 dhe 23 ditë pushimi zyrtare.
Festat janë momente të veçanta që bashkojnë njerëzit dhe pasqyrojnë identitetin kulturor, historik dhe fetar të një shoqërie. Ato shërbejnë jo vetëm si ditë pushimi, por edhe si mundësi për reflektim, bashkim dhe ruajtje të traditave brez pas brezi./mxh
Një mori dronësh rusë e kanë goditur qytetin port rus Temrijuk në rajonin Krasnodar në mesnatë duke ua vënë flakën rezervuarve të mëdhenj të naftës dhe duke dëmtuar objekte industriale, sipas autoriteteve rajonale dhe raportimeve të mediave ruse më 25 dhjetor.
Sulmet kanë ndodhur teksa forcat ruse kanë nisur një valë masive të sulmeve me dronë nëpër Ukrainë, duke goditur infrastrukturën e energjisë dhe zonat e banimit në disa rajone, kanë bërë të ditur zyrtarët ukrainas.
Sipas selisë për operacione rajonale të Krasnodarit, dy rezervuarë të naftës kanë marrë flakë pas sulmit në qytetin port në Detin Azov në jug të Rusisë.
Flakët janë përhapur në rreth 2.000 metra katrorë, ndërsa në raportimet preliminare nuk janë përmendur viktima. Në pamjet e publikuara nga disa media janë parë flakë duke dalë prej një rafinerie nafte në afërsi.
Duke folur për agjencinë e lajmeve Reuters, një zyrtar i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, ia ka atribuuar zjarrin një sulmi ukrainas me dronë, ndonëse Kievi nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Zyrtarët kanë raportuar për sulme edhe në qendra të prodhimit dhe pajisje bujqësore në disa fshatra të afërta.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka pretenduar më 25 dhjetor se i ka rrëzuar mes 141 deri në 170 dronë përgjatë natës, përfshirë shtatë në rajonin e Krasnodarit, ndërsa tjerët në rajonet e Moskës dhe Brajanskut.
Forcat ukrainase kanë kryer në muajt e fundit disa operacione me dronë duke shënjestruar infrastrukturën e energjisë dhe transportit në Rusi.
Për dëme është raportuar edhe nga sulmet ruse në Ukrainë.
Në rajonin e Odesës është raportuar se një dron rus e ka vrarë një person dhe i ka plagosur dy të tjerë. Ndërsa në Harkiv, sulmi rus e ka vrarë një 51-vjeçar, sipas disa shërbimeve ukrainase.
“Rusia nuk i ka ndalur bombardimet brutale të civilëve në Ukrainë edhe në natën e shenjtë të Krishtlindjes”, ka thënë ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha më 25 dhjetor.
“Rusia me qëllim po shkatërron infrastrukturën e energjisë dhe atë civile, duke i lënë njerëzit pa rrymë, ujë dhe ngrohje në temperatura të ulëta”, ka shtuar ai.
Forca ajrore e Ukrainës ka raportuar për 131 sulme me dronë, ndërsa 106 besohet të jenë rrëzuar nga forcat mbrojtëse.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./mxh
Autoritetet turke kanë ndaluar 115 anëtarë të dyshuar të grupit terrorist të ashtuquajtur “Shteti Islamik” (IS) të enjten, sipas zyrës së kryeprokurorit të Stambollit. Policia kishte marrë informacione se anëtarët e grupit kishin planifikuar sulme në vend gjatë festimeve të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, thuhet në një deklaratë të prokurorisë të postuar në X. Njësitë speciale të policisë…
Kompania ajrore kombëtare e Turqisë, Turkish Airlines, do t’ia transferojë qeverisë shqiptare pronësinë e një Airbus A319?115J, një avion i konfiguruar nga qeveria me vlerë 11.9 milionë dollarë, sipas një marrëveshje dypalëshe granti, si pjesë e përpjekjeve për të forcuar lidhjet diplomatike dhe ekonomike midis dy vendeve.
Sipas marrëveshjes së publikuar në Fletoren Zyrtare të enjten, avioni, i regjistruar si TC-GVC me numër serial 1002 dhe i prodhuar në shkurt të vitit 2000, mbetet i certifikuar për operacione fluturimi.
Marrëveshja Turqi-Shqipëri synon të përforcojë partneritetin strategjik
Marrëveshja dypalëshe thotë se donacioni synon të përforcojë “marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin e ngushtë” midis Turqisë dhe Shqipërisë, të vendosura fillimisht sipas Traktatit të Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të vitit 1992, ku të dyja palët shprehin dëshirën për të forcuar më tej këto lidhje përmes bashkëpunimit të ndërsjellë teknik dhe mbrojtës.
Marrëveshja pasqyron angazhimin e përbashkët të të dy vendeve për të thelluar partneritetet institucionale në aviacionin civil, logjistikën e mbrojtjes dhe sektorët më të gjerë strategjikë, ndërkohë që shërben gjithashtu si një gjest simbolik i mbështetjes së Turqisë për përpjekjet rajonale të zhvillimit dhe integrimit të Shqipërisë, thuhet në njoftim.
Avioni do të dorëzohet pa asnjë detyrim financiar nga ana e marrësit, dhe Turqia do të mbulojë kostot e transferimit.
Varianti VIP A319 i bashkohet flotës së Shqipërisë
Airbus A319-115J është një variant i personalizuar i modelit standard A319-100, i cili është pjesë e familjes A320, një nga seritë më të përdorura në botë të avionëve reaktivë me një korridor.
Avioni ka një peshë maksimale taksi prej 75,900 kilogramësh dhe një peshë bazë bosh prej 44,790 kilogramësh.
Ai fuqizohet nga dy motorë CFM56-5B7/P, të dy me mbi 7,000 cikle të mbetura, dhe është i pajisur me një sistem shfaqjesh ajrore AS400, megjithëse nuk janë instaluar sisteme argëtimi ose lidhjeje gjatë fluturimit.
Edhe pse nuk është një klasifikim komercial i përdorur në oraret publike, A319-115J shfaqet shpesh në flotat ushtarake, qeveritare ose diplomatike, duke përfshirë ato të shteteve anëtare të NATO-s dhe qeverive aleate.
Në pronësi të fondit sovran të pasurisë së Turqisë, Turkish Airlines operon një nga flotat më të mëdha ajrore në nivel global, me një total prej 515 avionësh sipas të dhënave më të fundit në dispozicion. Midis tyre, flota përfshin gjashtë avionë Airbus A319-100, të cilët përdoren kryesisht për itinerare me distanca të shkurtra deri të mesme dhe operacione rajonale./mxh
Kosova voton për herë të dytë këtë vit. Ekspertja gjermane për Ballkanin, Frauke Seebass kërkon dialog mes partive dhe kujton, se Kosova ka humbur shumë nga reputacioni i saj ndërkombëtar këtë vit.
DW: Për herë të dytë brenda një viti kemi zgjedhje të reja në Kosovë. Mendoni, se këto votime do të sjellin zhbllokimin e situatës në vend? Gjatë fushatës partitë e tjera sërish shprehen, se nuk do të hyjnë në koalicion me partinë “Vetëvendosje” të Albin Kurtit…
Fraue Seebass: Gjithçka do të varet nga rezultati i zgjedhjeve. Vetëvendosje shpreson për një shumicë kaq të madhe sa të mund të qeverisë e vetme ose “vetëm” me mbështetjen e pakicave, të cilave Kushtetuta u garanton një numër të caktuar vendesh. Kjo taktikë dështoi pas zgjedhjeve në shkurt.
VV mund të përpiqet në rast të një rezultati zgjedhor të ngushtë, të bindë politikanë individualë nga partitë e tjera që të mbështesin koalicionin. Aleanca me PSHDK-në e vogël para zgjedhjeve (përveç Guxo dhe Alternativës), partnerë tradicionalë të LDK-së, është një tregues i kësaj. Por është gjithashtu e mundur që partitë opozitare të mund të mobilizojnë mbështetje të mjaftueshme për të formuar një qeveri pa VV-në, megjithëse shanset për këtë janë të pakta. Nëse kemi një rezultat të ngjashëm si në shkurt, një bllokim i ri nuk është i pamundur.
DW: Pse ky qëndrim kaq refuzues ndaj Albin Kurtit?
Para së gjithash ky lidhet kryesisht me qëndrimin e tij pa kompromis, me të cilin ai i shpalli luftë “elitave të korruptuara” dhe, në fakt, të gjitha partive të tjera. Para zgjedhjeve të shkurtit, VV synonte të rifitonte një shumicë konstituuese, ndërsa partitë e tjera të mëdha e pozicionuan veten para së gjithash në opozitë me Albin Kurtin, kjo çoi në një atmosferë të helmuar mes tyre. Pas farsës që shoqëroi zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit, të cilën Kurti e interpretoi si një pengesë të qëllimshme, nuk mbeti më ndonjë hapësirë për kompromis. Nëse Kurti nuk ia del të angazhohet në dialog me partitë e tjera, pritet një bllokim i mëtejshëm.
DW: Po, mungesa e vullnetit politik të partive në Kosovë solli këtë situatë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, por Kosova nuk e kishte një traditë të një mungese të tillë kaq të madhe të kompromisit. Si e shpjegoni këtë polarizim politik të një shkalle të tillë në vend?
Zgjedhjet e Vetëvendosjes në vitin 2021 ishte një votë proteste, pas rënies së koalicionit me LDK-në me ndihmën e SHBA-së. Ndërsa VV ishte detyruar të bënte kompromis në atë koalicion, tani ishte në gjendje të qeveriste praktikisht e pakontestueshme për katër vjet. Fushata zgjedhore që çoi në zgjedhjet e shkurtit dhe muajt e bllokimit helmuan atmosferën në parlament dhe në të gjithë vendin. Mbetet të shpresohet që partitë t’i rikthehen e të kujtojnë përgjegjësinë që kanë ndaj qytetar:ëve, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve.
DW: Albin Kurti është përballur gjithashtu me mjaft kritika edhe nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës – nën një qeveri të mundshme Kurti si mund të sigurohet progres në dialogun me Serbinë, një kusht për integrimin e mëtejshëm të Kosovës në BE?
Për BE-në, zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023 mbetet thelbësor, dhe Kosova duhet të tregojë përparim në krijimin e një Asociacionit të Komunave Serbe. Kjo është në thelb e lidhur me të gjithë progresin e Kosovës në integrimin transatlantik, që nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës deri tek trajtimi i kërkesës për anëtarësim. Për shkak të situatës politike në Serbi, afrimi me BE aktualisht është shumë vështirë, veçanërisht nën Kurtin, por Kosova mund të bëjë përparim të konsiderueshëm si në nivel vendas ashtu edhe në politikën e jashtme me zbatimin e Asociacionit.
DW: Deri tani, Asociacioni duket i largët. A mund të quhet ai arsye kryesore pse Kosova aktualisht ka ngecur në integrimin drejt BE? Deri tani BE kishte edhe sanksione në fuqi. SHBA pezulloi dialogun strategjik.
Masat dhe bllokadat drejtohen kundër Kurtit dhe politikave të tij të njëanshme, veçanërisht mungesës së konsultimeve dhe përshkallëzimeve në komunat veriore. Në vend që të denoncojë trajtimin e pabarabartë krahasuar me Serbinë, qeveria duhet të kuptojë se është në pozicion defensiv dhe se nuk ka konsensus brenda BE-së. Masat janë ligjërisht në një zonë gri, kërkohet unanimitet për shfuqizimin e tyre, por shumë vende duan të shohin që Kosova të bëjë lëshime e para. Mund të supozohet se partnerët ndërkombëtarë do të ishin më të hapur ndaj një qeverie nën dikë tjetër përveç Kurtit.
DW: Por Kosova ka frikë se Asociacioni do të rrezikojë funksionalitetin e shtetit më të ri të Evropës. Sa real është ky rrezik, duke pasur parasysh se komunat serbe duan të arrijnë një lloj vetëqeverisjeje brenda Kosovës përmes Asociacionit?
Nuk e shoh më këtë rrezik pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe propozimeve aktuale sipas Marrëveshjes së Ohrit. Përkundrazi, besoj se Asociacioni i Komunave është një parakusht për integrimin e serbëve të Kosovës dhe demokratizimin e mëtejshëm, veçanërisht nëse edhe komunat jugore janë pjesë e tij, dhe ky integrim më i thellë mund të parandalojë gjithashtu propozime të reja për ndryshime territoriale (shkëmbim territoresh). Asociacioni i Komunave – i mbrojtur nga kushtetuta dhe e drejta e vetëmenaxhimit e sanksionuar në të – do të administronte vetë fusha të tilla si arsimi dhe planifikimi urban, por nuk mund të bllokojë vendimet kombëtare, siç është rasti, për shembull, në Republikën Srpska. Ideja e Vetëvendosjes për të detyruar integrimin përmes reciprocitetit, nga ana tjetër, ka dështuar.
DW: Ndërkohë Serbia dhe Kosova akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjeve të Brukselit të arritura për normalizimin e marrëdhënieve. Çfarë mund të bëjë BE-ja për të siguruar që një marrëveshje, pasi të nënshkruhet edhe të zbatohet vërtet?
BE-ja në fakt ka shumë leva për të sjellë progres në zbatimin e marrëveshjeve, por mungojnë vullneti politik dhe, mbi të gjitha, uniteti. Prandaj, shoh më shumë potencial veprimi në një koalicion shtetesh që marrin drejtimin këtu dhe ofrojnë stimuj pozitivë dhe negativë. Megjithatë, duke pasur parasysh situatën aktuale në Serbi, kjo strategji do të vinte vite me vonesë, nuk shoh që Serbia do të zbatojë marrëveshjet në vitet e ardhshme.
DW: Kosova mbetet vendi më i varfër në Evropë, i vetmi shtet ballkanik pa statusin kandidat për anëtarësim në BE. A ka qenë BE shumë e ashpër me Kosovën, apo arsyet duhen kërkuar brenda politikave të qeverisë aktuale?
Kjo është komplekse, por thënë përmbledhtazi, ka një të vërtetë tek të dyja. Për mua, pika e kthesës ishte viti 2018, kur shtetet anëtare të BE-së refuzuan liberalizimin e vizave për arsye politike të brendshme. Perceptimi në Kosovë ishte se ishin bërë kaq shumë kompromise pa rezultate konkrete, dhe VV e shfrytëzoi këtë atmosferë të krijuar. Nga ana tjetër, veprimet e njëanshme të Kurtit dhe bllokimi i muajve të fundit kanë luajtur një rol të madh në atë që edhe partnerë tradicionalë të Kosovës ndihen të ofenduar, reputacioni ndërkombëtar i Kosovës ka pësuar dëme të konsiderueshme./mxh
Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli gjendje krize shtatëditore për shkak të furnizimit me energji elektrike për shkak të ndërprerjeve në furnizimin me naftë nga Greqia.
Masa i lejon kompanisë shtetërore të energjisë elektrike ESM të përdorë rezervat e detyrueshme shtetërore të naftës pa kompensim, tha qeveria në një deklaratë.
“Ky vendim lind për shkak të pamundësisë për të furnizuar me naftë, e cila është thelbësore për prodhimin. Rezervat shtetërore të naftës së nxjerrë nga nafta do të transferohen pa kompensim dhe ESM është e detyruar t’i raportojë qeverisë dhe Ministrisë së Financave mbi konsumin e naftës së djegshme”, tha qeveria në Shkup pas një mbledhjeje të kabinetit të hënën.
ESM i kishte kërkuar qeverisë të shpallte gjendje krize për shkak të vështirësive në furnizimin me linjit dhe naftë nga Greqia.
Kompania ia atribuoi ndërprerjet bllokadave të vendosura nga fermerët grekë në pikat kufitare me Maqedoninë e Veriut, të cilat kanë ndikuar në furnizimin me burime kryesore të energjisë për prodhimin e energjisë elektrike.
ESM tha se deklarata e krizës ishte e nevojshme për të mundësuar përdorimin e rezervave shtetërore dhe për të siguruar mjaftueshëm energji derisa pikat kufitare të rifillojnë funksionimin normal.
Pjesa më e madhe e energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut prodhohet nga termocentralet ESM që përdorin linjit dhe naftë.
Bullgaria ofroi furnizime emergjente me naftë për Maqedoninë e Veriut pas shpalljes së krizës, sipas shërbimit informativ të qeverisë bullgare.
Oferta u komunikua gjatë një telefonate midis Ministrit të Jashtëm bullgar Georg Georgiev dhe homologut të tij maqedonas Timço Mucunski, sipas raportimeve./mxh
Krishtlindja u festua edhe këtë vit me solemnitet dhe pjesëmarrje të gjerë besimtarësh në qytetin e Korçës. Mesha e shenjtë u mbajt në Katedralen “Ringjallja e Krishtit”, ku qindra besimtarë ortodoksë u mblodhën për të kremtuar lindjen e Krishtit, simbol i shpresës, paqes dhe dashurisë mes njerëzve.
Ceremonia fetare u drejtua nga Hirësia e Tij, Imzot Anastasi, i cili në fjalën e tij përcolli mesazhe paqeje, bashkëjetese dhe solidariteti, duke theksuar rëndësinë e vlerave shpirtërore dhe familjare në këtë ditë të shenjtë për të gjithë besimtarët e krishterë.
Gjatë pritjes në Mitropolinë e Shenjtë të Korçës ishin të pranishëm edhe përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale.
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, uroi besimtarët ortodoksë dhe të gjithë shqiptarët nga Korça, duke e cilësuar qytetin si një nga destinacionet më të frekuentuara gjatë festave dhe duke vënë theksin te mesazhet e paqes dhe vëllazërisë që përcjell Krishtlindja.
“Është kënaqësi e veçantë që të uroj të gjithë besimtarët ortodoksë dhe të gjithë shqiptarët, siç e kemi zakon, nga Korça nga vendlindja ime ku Krishtlindja në fakt festohet më bukur se kudo tjetër, mbase e pak me dozë lokalizmi por në të vërtetë Korça është kryeqyteti i Krishtlindjes.
Më vjen shumë mirë që këtë vit është frekuentuar si gjithmonë por gjithnjë e më tepër, nga shqiptarë nga gjithë Shqipëria. Të gjithë gëzojnë me njëri tjetrin e sidomos në këtë periudhë, ka shumë nevojë gjithë shoqëria shqiptare për mesazhe si ato që sjell Krishtlindja për paqe dhe vllazëri ndërmjet të gjithëve. Gëzuar Krishtlindjen për gjithë shqiptarët”, tha Peleshi.
Edhe kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, theksoi simbolikën e kësaj feste, duke e konsideruar Krishtlindjen si një moment reflektimi dhe shprese për ditë më të mira, paqe, harmoni dhe shëndet në çdo familje.
“Sot është një ditë e shënuar për të gjithë besimtarët e krishterë të Korçës dhe gjithë Shqipërisë. Dita e Krishtlindjes ka simbolika shumë të fuqishme brenda saj. Nuk është një ditë e zakonshme, lindja e Krishtit simbolizon lindjen e shpresës dhe besimit për ditë më të mira, për paqe, harmoni. Prandaj në këtë ditë kaq të veçantë dëshiroj tju uroj të gjithë besimtarëve të krishterë por edhe të gjithë banorëve të qytetit dhe bashkisë së Korçës, gëzuar festën e Krishtlindjes, fat, paqe, mbarësi e shëndet në familjet tuaja. Gëzuar!”
Urime përcolli edhe deputetja e Partisë Demokratike, Ledina Alolli, e cila vuri në dukje rëndësinë e solidaritetit njerëzor dhe përgjegjësisë që kanë institucionet dhe politika ndaj shtresave në nevojë, veçanërisht në ditë të tilla të shenjta.
“Në emër të Partisë Demokratike por edhe si deputete e qarkut të Korçës, sot nga Mitropolia e Shenjtë, nga kjo shtëpi e zotit, përcjell urimet më të mira për të gjithë besimtarët ortodoksë kudo që ndodhen në Korçë por edhe në të gjithë Shqipërinë. Është një ditë shumë e bukur për të gjithë dhe unë uroj paqe, uroj shpresë por edhe solidaritet njerëzor. Është një moment i rëndësishëm Krishtlindja, një festë e cila na kujton edhe një herë vlerat të cilat mbajnë në këmbë sot shoqërinë shqiptare, siç është familja, respekti për njëri tjetrin por ndërkohë edhe solidariteti për ata të cilët sot jetojnë në kushte jo të mira. Pikërisht kjo Krishtlindje, edhe ne politikanëve na ve në kushte të tilla që të mendojmë më shumë për këta njerëz, që vendimmarrjet tona të jenë në të mirën e tyre. Gjej momentin tju bëj thirrje të gjithë politikanëve shqiptarë të hedhin vëmendjen sot nga shtresat në nevojë, të mendojmë për ta sepse çdo vendimmarrje e jona rrit edhe më tepër besimin qytetar ndaj njerëzve. Gëzuar edhe njëherë Krishtlindjen, qofshin të mbara e të bekuara për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen.”
Festimet e Krishtlindjes në Korçë vijojnë të shoqërohen me një atmosferë festive, qyteti mbetet i vizituar nga besimtarë dhe turistë nga e gjithë Shqipëria, duke e kthyer këtë ditë në një moment gëzimi, reflektimi dhe bashkimi për të gjithë./mxh
Një aksident rrugor është regjistruar pasditen e sotme në zonën e Valiasit, Kamëz. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:40, ku janë përfshirë dy automjete, një Audi dhe një Toyota.
Si pasojë e përplasjes, katër persona kanë mbetur të plagosur. Sakaq, shoferi i automjetit tip “Audi” është shoqëruar nga policia.
Të lënduarit janë transportuar për ndihmë mjekësore, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore po monitorohet./mxh
Policia e Shijakut ka zbardhur një rast vjedhje të ndodhur gjatë natës dhe ka vënë në pranga një 27-vjeçar.
I arrestuari gjatë natës vodhi një shumë parash dhe disa sende në një lokal në Shijak.
27-vjeçari i arrestuar dyshohet dhe si autor i disa vjedhjeve të ndodhura më parë.
Njoftimi i policisë
Shijak
Vodhi gjatë natës një shumë parash dhe disa sende në një lokal në Shijak, brenda pak orësh identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 27-vjeçari, i dyshuar si autor i vjedhjes.
27-vjeçari, dyshohet dhe si autor i disa vjedhjeve të tjera të ndodhura më parë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak, menjëherë pas marrjes së kallëzimit për një rast vjedhjeje në një lokal në fshatin Shahinaj, organizuan punën për identifikimin, kapjen dhe vënien në pranga të autorit të këtij rasti.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe profesional të shërbimeve të Policisë, u identifikia kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi S. D., 27 vjeç, banues në Shijak, I dyshuar si autor i vjedhjes së një shume parash, pije alkoolike dhe cigare në lokalin e një shtetasi në fshatin Shahinaj.
Vijon puna për dokumentimin ligjor të vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga shtetasi S. D.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme./mxh
Një studente kolegji nga Kosova, Ema Kurshumlija, pagoi rreth 2,000 dollarë për të siguruar një praktikë pune në Nju Jork në vitin 2018 përmes programit amerikan të vizave J-1, i prezantuar si një “përvojë e bukur kulturore”.
Por realiteti, sipas saj, ishte krejt ndryshe: pa trajnim paraprak dhe me javë pune deri në 60 orë duke kryer punë të rënda fizike.
“Na u premtua një përvojë e mrekullueshme. Kur pamë çfarë na priste, ishte një tronditje e madhe,” tha Kurshumlija.
Rasti i saj është vetëm një nga dhjetëra dëshmi që dalin nga një hetim i gjerë i New York Times, i cili zbulon se programi J-1, i administruar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, është kthyer në shumë raste nga një program shkëmbimi kulturor në një mekanizëm fitimprurës për organizata sponsorizuese, shpesh në kurriz të të rinjve të huaj.
Sponsorë që përfitojnë miliona
Sipas hetimit, disa organizata sponsorizuese kanë paguar drejtuesit e tyre mbi 500,000 dollarë në vit, ndërsa familjarë të ekzekutivëve janë futur në listëpagesa, duke përfituar mbi 1 milion dollarë në vetëm dy vite. Sponsorë të tjerë kanë dërguar të rinj të huaj për të punuar në ferma apo biznese në pronësi të familjarëve ose anëtarëve të bordeve drejtuese.
Në disa raste, pjesëmarrësit janë detyruar të blejnë sigurime shëndetësore apo shërbime të tjera nga kompani të lidhura drejtpërdrejt me sponsorët, duke rritur më tej kostot. Tarifat për aplikim kanë arritur deri në 5,000 dollarë për person.
Ankesa për abuzime dhe kushte çnjerëzore
Dhjetëra studentë dhe praktikantë nga vende të ndryshme kanë deklaruar se janë dërguar në punë të rënda industriale apo bujqësore, pa mbrojtje dhe pa mbështetje nga sponsorët, edhe kur kanë raportuar lëndime, ngacmime apo orare ekstreme pune.
Një student nga Koreja e Jugut, Dongho Kang, tha se pagoi afro 5,000 dollarë dhe përfundoi duke pastruar depozita septike në një fabrikë çeliku në Indiana. Një tjetër rast përfshin praktikantë që punuan në ferma derrash në Nebraska, ku disa thanë se ndiheshin “si skllevër”.
Qeveria e paralajmëruar, por pa veprim
Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Shtetit ka paralajmëruar që në vitin 2000 se pjesë të programit ishin “jashtë kontrollit” dhe se disa sponsorë ekzistonin kryesisht “për të bërë para”. Megjithatë, rregullat nuk janë forcuar dhe sponsorët ende nuk kanë kufizime për tarifat që mund të kërkojnë.
Ndryshe nga programet e tjera të punës së përkohshme, ku ndalohet pagesa e tarifave të rekrutimit për të shmangur shfrytëzimin, programi J-1 nuk ka ndalesa të tilla.
Reagimi i Departamentit të Shtetit
Një përfaqësues i Departamentit të Shtetit i hodhi poshtë kritikat, duke thënë se programi është reformuar ndër vite dhe se sponsorët që nuk respektojnë rregullat janë përjashtuar. Ai e quajti hetimin e “New York Times” një “sulm të padrejtë”.
Megjithatë, për studentë si Ema Kurshumlija nga Kosova, përvoja mbetet një paralajmërim i hidhur për të rinjtë që ëndërrojnë Amerikën përmes programit J-1, por përballen me realitete shumë larg premtimeve./mxh
Importet e materialeve të ndërtimit në vlerë pësuan ulje këtë vit, por në sasi ato u rriten për shkak se çmimet e tyre në tregjet ndërkombëtare ishin më të ulëta.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT sasia e materialeve të importuara është rritur lehtë në rreth 1.26 milionë tonë në 11-mujor ose rreth 1.3% më shumë . Kjo tregon se volumi fizik i materialeve ka qenë disi më i lartë.
Në të kundërt, vlera totale ka shënuar rënie të ndjeshme. Ajo ka zbritur nga rreth 111.2 miliardë lekë më 11 mujorin 2024 në 103.3 miliardë lekë këtë vit, me një tkurrje prej afro 7.9 miliardë lekësh, ose 7.1%.
Për rrjedhojë ecuria e çmimit për kilogram, ka pësuar ulje me 8 për qind për periudhën në krahasim. Një kg materiale ndërtimi nga importi në 80.96 lekë këtë 11 mujor nga 88.3 lekë për kilogram që ishte çmimi në 2024.
Ulja prej rreth 7.3 lekësh për njësi, ose 8.3%, tregon një presion të fortë rënës mbi çmimet e materialeve të ndërtimit në tregjet ndërkombëtare.
Kjo ulje e çmimeve të importit nuk u reflektua në tregun e brendshëm pasi të dhënat mbi kostot e ndërtimit tregun se në tremujorin e tretë çmimet e materialeve të ndërtimit në pikat e pakicës ishin ulur vetëm 0.1%.
Çmimet në tregjet ndërkombëtare të lëndëve të para janë normalizuar pas rritjeve të forta të viteve 2021–2023. Materiale si çeliku, çimentoja, alumini apo produktet e tjera bazë të ndërtimit kanë pësuar ulje çmimesh në tregjet ndërkombëtare, duke u reflektuar drejtpërdrejt edhe në çmimet e importit në Shqipëri. Kjo ka bërë që, edhe me volume më të larta, vlera totale të jetë më e ulët.
Nga anën tjetër duket se ka ndryshuar edhe struktura e kërkesës, e cila është zhvendosur drejt materialeve më bazike dhe më pak të kushtueshme. Operatorët e tregut pohojnë se ka rritje të importit të hekurit nga kina, që më parë nuk ishte burim kryesor furnizimi.
Forcimi i lekut ndaj euros gjatë vitit 2025 ka ndikuar në uljen e vlerës në lekë të importeve, edhe kur çmimet në valutë ose sasitë nuk kanë ndryshuar ndjeshëm. Ky efekt i kursit të këmbimit reflektohet drejtpërdrejt në statistikat e tregtisë së jashtme.
Gjithashtu vërehet një ngadalësim i rritjes së kërkesës për materiale për shkak të ritmit më të moderuar të projekteve të reja./mxh
Siria festoi Krishtlindjet këtë të enjte, më 25 dhjetor, me qytetarë që morën pjesë në meshë dhe lutje për paqe dhe stabilitet.
Në kryeqytetin Damask, skutat e Kishës Siriake interpretuan melodi Krishtlindjesh në rrugë, të shoqëruara nga rojet e sigurisë.
“Festat mbahen normalisht dhe njerëzit ndihen të lehtësuar. Gjërat janë më të mira me vullnetin e Zotit,” deklaroi një banor i Damaskut.
Edhe në qytetet Alepo dhe Qamishli, besimtarët morën pjesë në meshë dhe lutën për liri dhe paqe.
Para luftës, krishterët përbënin rreth 10 për qind të popullsisë së Sirisë, që ishte rreth 22 milionë banorë. Por gjatë konfliktit, shumë prej tyre emigruan, dhe sot besohet se vetëm disa qindra mijëra krishterë jetojnë ende në vend.
Nga Damasku, kjo ishte kronika jonë për Krishtlindjet në Siri, një festë e mbushur me shpresë për paqe dhe stabilitet./mxh