Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 January 2026Main stream

Forbes sjell një vështrim nga terreni mbi Dukagjini Resort

30 January 2026 at 18:53


Kjo video, e realizuar nga Forbes Real Estate, sjell një rrëfim të drejtpërdrejtë dhe reflektues nga terreni i Dukagjini Resort, duke e zhvendosur fokusin nga ritmi i shpejtë i tregut të pasurive të paluajtshme te vizioni afatgjatë.

Rrëfimi nis me udhëtimin drejt Shëngjin, ku rruga, peizazhi dhe transformimi i infrastrukturës bëhen pjesë e historisë. Me afrimin drejt bregdetit, ritmi ndryshon: hapësira zgjerohet, horizonti hapet dhe deti shfaqet si elementi qendror i përvojës. Pamjet dhe narracioni e vendosin projektin në kontekstin e zhvillimit të ri që po përjeton Shqipëria.

Videoja ndalet në kantier, aty ku vizioni po shndërrohet në realitet. Makineritë, themelet dhe aktiviteti i përditshëm tregojnë një proces të menduar, të matur dhe të qëllimshëm. Projekti prezantohet jo thjesht si zhvillim ndërtimor, por si një destinacion i konceptuar për të ripërcaktuar këtë segment të bregdetit shqiptar, me arkitekturë që ndjek terrenin dhe dialogon natyrshëm me peizazhin e Adriatikut.

Një pjesë e veçantë i kushtohet përvojës nga pika më e lartë e kodrës, ku pamja përfshin bregdetin, gjelbërimin dhe detin e hapur. Pikërisht aty, sipas rrëfimit, vizioni bëhet i qartë edhe për ata që e shohin projektin për herë të parë: një kombinim i jetesës private, mikpritjes dhe luksit të matur, i ndërtuar mbi lokacion dhe perspektivë.

Videoja përmbyllet buzë detit, në momentin e perëndimit, duke e kthyer projektin nga një kantier në një ide jetese. Një reflektim i qetë mbi të ardhmen, jo vetëm të Dukagjini Resort, por edhe të drejtimit ku po shkon Shqipëria në zhvillimin e saj turistik dhe rezidencial.

- YouTube youtu.be

Nikçi: I dyshuari për dhunimin e 13-vjeçares në Istog u kap në flagrancë

30 January 2026 at 18:26


Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka bërë të ditur se i dyshuari për dhunimin e 13-vjeçare në Istog është kapur në flagrancë nga Policia falë një telefonate të një qytetari.

Nikçi, në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se i dyshuari është arrestuar në vendngjarje dhe, me urdhër të prokurorit të shtetit, është ndaluar për 48 orë.

Po ashtu, është deponuar kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.

“Falë një telefonate nga një qytetar, Policia e Kosovës ka reaguar shkëlqyeshëm dhe ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes ku kryesi i kësaj vepre penale është kapur në flagrancë dhe për ta trajtuar me seriozitet në vendin e ngjarjes ka shkuar edhe prokurorja e shtetit dhe të gjitha institucionet relevante. Personi i dyshuari është arrestuar në vendin e ngjarjes i cili me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë – po ashtu është deponuar kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit ndërkaq viktimës i janë dhënë të gjitha ndihmat e nevojshme”, u shpreh Nikçi.

Shpifja, pse ndryshimet e PS nuk bindin median dhe shoqërinë civile

30 January 2026 at 18:10


Mes debateve dhe kundërshtive të opozitës dhe grupeve të interesit, kryesisht organizata në mbrojtje të gazetarëve, Kuvendi i Shqipërisë miratoi në orët e para të mëngjesit të së mërkurës propozimet e qeverisë për ndryshimet në Kodin Penal për dekriminalizimin e shpifjes, konkretisht nenin 120.

Me 85 vota pro, asnjë abstemin dhe 10 kundër, u miratuan ndryshimet, ndërkohë si pjesë e këtij drafti u rrëzuan propozimet e deputetes së PD-së Jorida Tabaku.

Mazhoranca vendosi me propozim të saj (të pakonsultuar paraprakisht) që të mbajë në Kodin Penal veprën e shpifjes, por të shtojë një përjashtim nga ky penalizim për gazetarët e regjistruar.

Më konkretisht, në shtojcën e nenit 120 parashikohet: “Një gazetar i punësuar ose i vetëpunësuar, i regjistruar dhe i njohur si i tillë në përputhje me legjislacionin në fuqi, pavarësisht nga shtetësia apo vendi ku ushtrohet aktiviteti, nuk mban përgjegjësi penale për veprën e shpifjes sipas këtij neni, për përhapjen me mirëbesim të të dhënave /thënieve ose çdo informacioni tjetër, përmes shtypit, medias audiovizive, medias elektronike ose platformave të tjera të komunikimit publik”.

Përcaktimi “i regjistruar” dhe “i njohur” ndonëse vijon me togfjalëshin “me legjislacionin në fuqi” mbetet i pasaktësuar në legjislacion apo rregullime të tjera në sektorin e medias

Shoqëria civile

Me iniciativën e SCiDEV, në një deklaratë të shoqërisë civile (22 janar) për dekriminalizimin e shpifjes, thuhet ndër të tjera se, “Shqipëria nuk ka një sistem ligjor për regjistrimin e gazetarëve dhe nuk duhet të ketë një të tillë, pasi krijimi i një regjistri do të binte ndesh me standardet evropiane të lirisë së shprehjes dhe do të rrezikonte vendosjen e mekanizmave të kontrollit ose filtrimit të ushtrimit të profesionit”.

Referuar deklaratës, “ekziston rreziku që kjo dispozitë të mos mund të zbatohet nga gjykatat dhe, njëkohësisht, t’i hapë rrugë përpjekjeve për krijimin e një regjistri formal, me pasoja të rënda për pluralizmin mediatik dhe pavarësinë e gazetarisë…”

“Parakushtet e shumta dhe formulimet e paqarta e bëjnë zbatimin e tij praktikisht të pamundur, duke sjellë në praktikë mungesë dekriminalizimi edhe në formë të pjesshme”, thuhet në deklaratë.

Edhe Kryetari i Këshillit Shqiptar të Medias, Koloreto Cukali, thotë për Faktoje se përpos disa përmirësimeve, neni i ndryshuar sjelle edhe absurditete

“Ka gjëra të cilat janë thjesht produkte të mediokritetit dhe injorancës së atyre që e kanë propozuar siç është regjistrimi i gazetarëve që janë thjesht absurde, të paaplikueshme në kundërshtim me të drejtat e njeriut, me legjislacionin europian mes asaj që pret Europa me vullnetin dhe interesin e komunitetit të gazetareve”.

“Do rihapet dhe riqepet sërish (neni) nisur nga mënyra se si e kanë ndërtuar”, vëren ai.

Platforma

Nisma e miratuar vetëm me votat e PS vjen pas një procesi konsultimi public jo të shkurtër (qysh prej janarit të vitit të shkuar) të disa organizatave të shoqërisë civile, organizata të medias, gazetarë, ekspertë nga Kuvendi dhe përfaqësues të qeverisë për dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe fyerjes.

Referuar deklaratës së përbashkët të shoqërisë civile të mbajtur më 22 janar, “qasja e re (e PS) devijonte nga objektivi fillestar i procesit konsultativ dhe nuk ishte në përputhje me rekomandimet e kahershme të shoqërisë civile dhe komunitetit të gazetarëve, të cilat kanë kërkuar vazhdimisht mbrojtje të barabartë të lirisë së shprehjes për të gjithë individët, të lidhur me natyrën e shprehjes dhe interesin publik që i shërben, dhe jo me statusin profesional të folësit”.

Në fund të gjithë këtij procesi, Koloreto Cukali vëren se në Kuvend u miratua një version, që nuk kishte kaluar në asnjë nga proceset e mëparshme të konsultimit.

Besimi i ndërsjelltë, sipas tij, është i humbur.

“Dhe ky për mua është problemi më shqetësues”, thotë ai për Faktoje.

PS

Por për Partinë Socialiste procesi konkludoi në fund me një nismë në kuadër të detyrave që BE-ja i ka vënë Shqipërisë.

Gjatë prezantimit të projektligjit në Kuvend, Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, tha se ndryshimet janë pjesë e procesit të integrimit europian. “Nga gjithçka që është përmendur këtu (parlament), u tha se nuk është konsultuar me Komisionin Evropian apo që KE e ka kundërshtuar. Është komplet e pavërtetë. Jo shumë larg nga sot ata janë shprehur për sa i përket dekriminalizimit të shpifjes për gazetarët që inkurajojnë qeverinë shqiptare”, tha ministri Lamallari.

Kryetari i komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, nënvizoi gjithashtu se, “ shtesat dhe ndryshimet që paraqesim, nuk janë akt i zakonshëm legjislativ, por hap i domosdoshëm në procesin e harmonizimit të legjislacionit shqiptar me BE-në”

PD

Ndryshe ishte qëndrimi i deputetes së PD-së Jorida Tabaku. “Kodi Penal do të përdoret si kërcënim ndaj gazetarëve për të seleksionuar ata gazetarë që do t’i kërcënojë me burg e ata të tjerë të cilët do t’i lejojë që të vazhdojnë të shpifin, të fyejnë, të intimidojnë. Kjo nuk është Shqipëria europiane. Kjo nuk është një vend normal. E ka Maqedonia, e ka Mali i Zi, e ka Kosova. Komplet të dekriminalizuar shpifjen. Ndërkohë që qeveria shqiptare e përdor akoma si kërcënim”, tha Tabaku.

Ulsi Manja, në anën tjetër, e justifikoi ruajtjen e nenit 120 në Kodin Penal si një masë mbrojtëse nga portalet online. “Gazetarët të merren me lajmin, me të vërtetën, nuk duhet të shqetësohen. Profesionistët e shpifjes duhet të shqetësohen, nuk ka ligj që e mbron profesionistin që shpif. 800 portale, shpifësish profesionistë duhet të përballen me forcën e ligjit”.

OSBE

Pak orë pas miratimit, prezenca e OSBE-së në Tiranë vlerësoi ndryshimet në Kodin Penal që sipas saj janë hap i parë i rëndësishëm drejt forcimit të lirisë së shprehjes, por sugjeroi se: “… vijojmë të inkurajojmë dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe përdorimin e masave civile proporcionale”

Problemi mbetet

Të dyja pretendimet, si për dekriminalizimin e shpifjes ashtu edhe se janë bërë ndryshimet sipas udhëzimeve nga BE, shihen me skepticizëm nga përfaqësues të medias.

Drejtori i Akademisë së Studimeve Politike, Erjon Tase, në një qëndrim për Faktoje.al, këtë ndryshim në Kodin Penal e konsideron të paplotë, jo në frymën e rekomandimeve të KE dhe që lë sërish hapësirë për vijimin e padive penale ndaj gazetarëve.

“Ky variant i votuar i ndryshimit të nenit 120, për veprën e Shpifjes, nuk plotëson kërkesën disa vjeçare të organizatave vendase dhe institucioneve ndërkombëtare për dekriminalizimin e shpifjes”, thotë Tase.

Sipas tij, “autoritetet shqiptare “plotësuan kuadratin” e një kërkese ndaj Komisionit Evropian, por në praktikë do të vijojmë të kemi padi penale ndaj gazetarëve derisa të përcaktohet standarti për t’u quajtur i tillë”.

Precedenti

E parë në këtë frymë, Tase ngre shqetësimin se në vijim edhe rekomandime të tjera që mbërrijnë si kusht për procesin e integrimit të vendit tonë në BE, mund të bëhen pa prekur thelbin.

“Kjo është një shenjë e keqe që në këtë mënyrë fiktive mund të plotësohen dhe standartet e tjera që kërkohen në procesin e integrimit evropian në fushën e mjedisit, sigurisë ushqimore e çdo sektor tjetër të rëndësishëm”, thekson Tase.

Aktivistët dhe qytetarët

Gjithashtu një tjetër shqetësim që ngrihet nga ekspertë të komunikimit është se ky ligj nuk përjashton nga dekriminalizimi aktivistë apo qytetarë që veprojnë në interes publik.

“Jurisprudenca e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe praktika në Bashkimin Evropian kanë përcaktuar nevojën për sigurimin e lirisë së shprehjes jo vetëm për gazetarët profesionistë, por për çdo aktivist apo qytetar që vepron në interes të publikut”, thotë Tase.

Ai sjell në vëmendje se ky nen do të vijojë të jetë një kërcënim penal për çdo aktivist të shoqërisë civile apo qytetar që merr guximin të publikojë me identitetin e tij në një media tradicionale apo edhe në rrjetet sociale një denoncim publik ndaj zyrtarëve të lartë.

“Mbetet ende e paqartë se cilat janë argumentet e ligjvënësve për të mos hequr dorë nga mbajtja në Kodin Penal e këtij neni, ashtu si dhe nenit të fyerjes. Të dyja këto vepra, rekomandohet prej vitesh të kalohen në Kodin Civil. Praktikat aktuale garantojnë se mjetet civile janë të mjaftueshme për të mbrojtur reputacionin e çdo individi, aq më tepër të politikanëve apo zyrtarëve të lartë”, thekson Tase./Faktoje

Gashi: Kurti do të nis bashkëpunimin me opozitën që nga java e ardhshme

30 January 2026 at 17:35


Avokati Tomë Gashi vlerëson se deklarimet e kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se është i gatshëm që të bashkëpunojë me opozitën janë domethënëse.

Gashi, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se sipas tij Kurti do të nisë bashkëpunimin me partitë opozitare që nga java e ardhshme.

“Deklarimet e Kurtit janë publike që do të bashkëpunojë me opozitën që nga java e ardhshme – në fillim të shkurtit dhe që data e fundit për zgjedhjen apo rizgjedhjen e presidentes Vjosa Osmani është data 5 mars”.

Gashi, mes tjerash, u shpreh se beson se në të njëjtën ditë do të konstituohet Kuvendi dhe do të zgjidhet edhe Qeveria e re.

“Kjo i bie që datat po afrohen dhe Kurti është shprehur i hapur për bashkëpunim me opozitën pasi qëllimi është që të mos ketë bllokadë e ngërçe politike sikur nga shkurti i vitit deri më 28 dhjetor dhe të që të formohet parlamenti dhe në të njëjtën ditë besoj që do të formohet edhe qeveria “Kurti 3”, u shpreh Gashi.

- YouTube youtu.be

Dy kompani, një dron dhe shumë dyshime

30 January 2026 at 17:27


Pretendimet e dy kompanive nga Gjilani - “Future Minds Academy” dhe “Miga Skyshield” - se droni kamikaz “Skifteri K1” është prodhim i tyre, u shoqëruan me reagime dhe dyshime në opinionin publik.

Çfarë ndodhi?

Dyshimet u ngritën pasi në fillim të muajit janar, drejtuesit e këtyre kompanive postuan në rrjete sociale një video, që, sipas tyre, paraqiste “momentin e testimit të këtij droni ushtarak, duke goditur një objekt të caktuar në territorin e një shteti tjetër”.

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës u tha atëkohë mediave në Prishtinë se “nuk ka informata për prodhimin, lejen dhe procesin e testimit të dronit”.

Pak ditë më vonë, të njëjtat media raportuan se videoja ishte e një kompanie kineze dhe se një pjesë e saj ishte e gjeneruar me inteligjencë artificiale (IA).

Lokacionin ku dy kompanitë pretendojnë se prodhojnë dronë ushtarakë dhe civilë, e vizitoi në nëntor të vitit të kaluar edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti u tha gazetarëve më 30 janar se nuk mund t’i dijë të gjitha hollësitë e kompanive që i viziton dhe shtoi se është “i hapur t’i dëgjojë kritikat kur diçka nuk është ashtu siç i është prezantuar”.

Dyshimet se droni “Skifteri K1” ishte mashtrim, i mohoi drejtuesi i “Future Minds Academy”, i cili në postimin e tij në Facebook i quajti “propagandë mediatike”.

Drejtuesi i kompanisë tjetër “Miga Skyshield”, që thotë se u angazhua në prodhimin e dronëve, Muahmet Ajrullahu, nuk pranoi të komentojë për dyshimet e ngritura në media dhe nga politikanë, kur u kontaktua nga REL-i.

Çfarë thanë partitë politike?

Partia Demokratike e Kosovës kërkoi hetim institucional për këtë rast.

Besa Kabashi-Ramaj, kandidate për deputete e kësaj partie, që në legjislaturën e kaluar ishte në opozitë, tha se kryeministri në detyrë, Kurti, mashtroi publikisht, duke promovuar diçka të rreme, që, sipas saj, përbën problem për sigurinë.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se “skandali me foto e video të Kurtit me dronin imagjinar, është veç njëri prej qindra rasteve të shpërfaqjes së fytyrës së vërtetë të këtij pushteti”.

Radio Evropa e Lirë kërkoi sqarim për situatën nga Ministria e Mbrojtjes dhe përgjigje nga Prokuroria nëse ky rast përbën vepër penale apo nëse është e angazhuar në hetime, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Në Kodin Penal të Kosovës, neni 323, mashtrimi përcaktohet si vepër penale.

Sipas këtij neni, kushdo që paraqet në formë të rreme faktet, i fsheh ato apo mashtron, me qëllim që të përfitojë para ose të shkaktojë dëm material te tjetri, ose e bën dikë të kryejë ose jo një veprim, duke i shkarkuar humbje a fitim të paligjshëm, mund të dënohet me gjobë dhe burgim nga 3 muaj deri në 5 vjet.

Megjithatë, ky nen nuk parasheh në mënyrë specifike mashtrimin publik në rastet kur ai nuk shoqërohet me përfitim financiar apo me dëm material.

Kush janë kompanitë?

Sipas të dhënave të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), të dyja këto kompani që pretendojnë se u angazhuan në prodhim të dronëve, janë regjistruar në vitin 2025.

“Future Minds Academy” figuron me dy punëtorë dhe me kapital prej një mijë eurosh, ndërsa në përshkrimin e veprimtarisë ka të deklaruara aktivitete arsimore.

Kompania “Miga Skyshield” në ARBK figuron me një punëtor dhe me kapital prej 750 mijë eurosh, ndërsa veprimtaria e saj është e përshkruar si prodhim i makinerisë luftarake për ushtrinë.

Çka thotë ligji?

Sipas Ligjit për Armë, prodhimi i armëve në Kosovë lejohet vetëm me leje të posaçme shtetërore.

Neni 26 përcakton se vetëm personat juridikë mund të prodhojnë armë, pjesë armësh dhe municion të kategorisë A, dhe vetëm pas pajisjes me licencë dhe pëlqim nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ligji obligon kompanitë të përmbushin kushte të rrepta teknike dhe të sigurisë, si dhe t’i njoftojnë institucionet përkatëse për fillimin e prodhimit.

Kapacitetet e Kosovës

Vitin e kaluar, Kosova bleu mijëra dronë Skydagger dhe Bayraktar nga Turqia.

Autoritetet e paraqitën këtë blerje si hap drejt forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të vendit, ndërsa NATO-ja paralajmëroi se çdo aktivitet ajror duhet të koordinohet me misionin e saj në Kosovë, KFOR.

Po atë vit, Kosova pranoi edhe një flotë dronësh të blerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes kanë konfirmuar më herët për Radion Evropa e Lirë se blerjet e armatimit realizohen kryesisht nga vendet aleate të NATO-s, përfshirë Gjermaninë, Turqinë dhe SHBA-në.

Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, ndërkohë, ka shënuar rritje të vazhdueshme - nga 153 milionë euro më 2024 në 207.8 milionë euro më 2025.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka paralajmëruar se fabrika e parë e municioneve në Kosovë do të ndërtohet në Jahoc të Gjakovës, ndërsa prodhimi i parë pritet të nisë në fund të vitit 2026./Radio Evropa e Lirë/

Fitore Pacolli intervistohet në lidhje me grantet në Ministrinë e Bujqësisë

30 January 2026 at 17:19


Prokuroria Speciale e Kosovës ka intervistuar në cilësinë e të pandehurës deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, në kuadër të hetimeve që lidhen me ndarjen e granteve në Ministrinë e Bujqësisë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Nora Luta, e cila bëri të ditur se intervistimi i Pacollit është zhvilluar të enjten.

Pacolli, në periudhën përkatëse, ka ushtruar funksionin e Kryetares së Komisionit Parlamentar për Bujqësi.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, Prokuroria Speciale ka intervistuar në cilësinë e të pandehurit edhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci.

Intervistimet kanë të bëjnë me grantet e ndara nga Ministria e Bujqësisë gjatë kohës kur Peci ishte në krye të këtij dikasteri si ministër./Telegrafi

Kurti e diplomati austriak flasin për zhvillimet politike në vend

30 January 2026 at 17:03


Zhvillimet aktuale politike në vend, përfshirë proceset e formimit të qeverisë së re kanë qenë pjesë e diskutimit në takimin që kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka pasur me diplomatin austriak në Kosovë, Georg Schnetzer.

“Gjatë këtij takimi, ambasadori Schnetzer e uroi kryeministrin Kurti për fitore bindëse në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke theksuar rëndësinë e rezultateve të procesit demokratik”, thuhet në njoftimin qeveritar.

Tutje, bëhet e ditur se kreu në detyrë i ekzekutivit ia ka bërë të qarta ambasadorit austriak synimet për anëtarësim e Kosovës në NATO e BE.

“Kryeministri theksoi planet për investimet infrastrukturore në mandatin e ri, synimin e palëkundur të Qeverisë për anëtarësim në NATO dhe integrimin në Bashkimin Evropian dhe angazhimin e vazhdueshëm për paqe dhe siguri”, ka bërë të ditur në njoftimin përcejllë mediave Zyra e Kryeministrisë.

Përparim Rama mbështet Marshin “Drejtësi, jo politikë” që mbahet më 17 shkurt

30 January 2026 at 16:42


Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur në takim përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, të cilëve u ka shprehur mbështetje për organizimin e Marshit “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare.

Gjatë takimit, Hoxha dhe Tasholli e kanë njoftuar kryetarin Rama për aktivitetet që po zhvillohen në kuadër të fushatës së mobilizimit qytetar për këtë marsh.

Përfaqësuesja e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha, ka vlerësuar lart mbështetjen institucionale që po merr marshi nëpër Kosovë, duke theksuar se ajo dëshmon karakterin qytetar të kësaj nisme.

“Mbështetja nga kryeqyteti është dëshmi se kjo kauzë i përket ndërgjegjes qytetare. Marshi ‘Drejtësi, jo politikë’ është një thirrje paqësore për drejtësi të paanshme dhe për respektimin e së vërtetës sonë historike”, ka deklaruar Hoxha.

Ndërkaq, përfaqësuesi tjetër i platformës, Ismail Tasholli, ka theksuar rëndësinë e mobilizimit gjithëpërfshirës qytetar.

“Ky marsh nuk është kundër drejtësisë, por kundër politizimit të saj. Më 17 shkurt marshojmë si qytetarë, për dinjitetin e luftës çlirimtare dhe për drejtësi jo selektive”, ka thënë Tasholli.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë, e lindur nga populli, duke u bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në marsh.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Prishtinës që t’i bashkohen masivisht Marshit për drejtësi, në shenjë solidarizimi me çlirimtarët që po mbahen padrejtësisht në Hagë”, ka theksuar Rama.

Platforma “Liria ka Emër” ka njoftuar se do të vazhdojë takimet dhe aktivitetet në të gjitha komunat e Kosovës, me synim një mobilizim sa më të gjerë qytetar për Marshin e 17 shkurtit në Prishtinë, nën moton “Drejtësi, jo politikë”.

Kërkohet paraburgim për 4 komisionerë dhe një kryesues të KKZ të Prizrenit

30 January 2026 at 16:25


Gjykata Themelore në Prizren ka pranuar kërkesat e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë (5) personave të dyshuar.

Sipas njoftimit të Gjykatës së Prizrenit, katër (4) të pandehur, në cilësinë e komisionerëve, dyshohen për veprën penale falsifikim i rezultateve të votimit, ndërsa një (1) i pandehur, në cilësinë e kryesuesit të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Prizren, dyshohet për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414 paragrafi 3 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjatë ditës, nga ora 14:00 deri në ora 16:00, janë mbajtur dhe përfunduar tre (3) seanca dëgjimore, ndërsa seanca e katërt pritet të mbahet në orët në vijim.

Gjykata ka bërë të ditur se, brenda afateve ligjore, do të përpilojë vendimet lidhur me kërkesat e Prokurorisë Themelore në Prizren dhe se mediat do të njoftohen me kohë për vendimet e gjyqtarit të procedurës paraprake./Telegrafi/

Ushtarët gjermanë të KFOR-it vazhdojnë patrullimet në veri të Kosovës

30 January 2026 at 16:15


Ushtarët gjermanë nga Komanda Rajonale Lindje (RC-E) e KFOR, po vazhdojnë patrullimet e rregullta në disa komuna në veriun e Kosovës, në kuadër të zonës së tyre të përgjegjësisë.

Përmes këtyre aktiviteteve, personeli i KFOR-it ruan vetëdijen situacionale dhe kontribuon në stabilitetin e përgjithshëm në rajon, duke reflektuar përkushtimin e vazhdueshëm të KFOR-it për garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

KFOR vazhdon zbatimin e mandatit të saj, për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes.

Në ushtrimin e detyrave të saj, KFOR bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), secili në përputhje me rolin e tij si reagues i sigurisë./Telegrafi/


Thaçi dhuron veturën zyrtare për OVL UÇK-në e Obiliqit

29 January 2026 at 23:48


Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, ka dhuruar veturën e tij zyrtare si donacion për Organizatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së), për nder të 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës.

Vendimi për dhurimin e veturës është miratuar në Kuvendin Komunal të Obiliqit me 19 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Pas një dekade, Shqipëria bën reformë në tekste shkollore

29 January 2026 at 23:16


Viti i ardhshëm shkollor do të sjellë ndryshime thelbësore në çantat e nxënësve të arsimit parauniversitar. Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, njoftoi sot nisjen e një procesi masiv për përditësimin e 140 teksteve shkollore, një lëvizje që, sipas saj, vjen si domosdoshmëri pas një dekade nga reforma e fundit kurrikulare.

Gjatë një takimi pune me stafin e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar (ASCAP), Kumbaro bëri të ditur se ekspertët po punojnë me ritme të larta për të garantuar që materialet e reja të jenë gati në shtator.

Ndryshimet kryesore

Nga 140 tekstet që po i nënshtrohen rishikimit, një peshë të konsiderueshme zënë gjuhët e huaja, me 44 tituj. Megjithatë, risia më e madhe qëndron te lëndët formuese të identitetit dhe qytetarisë.

Sipas Ministres, do të ketë tekste krejtësisht të reja për lëndët “Gjuha Shqipe” dhe “Qytetaria”. Këto ndryshime do të prekin fillimisht klasat që shënojnë fillimin e cikleve shkollore: klasën e parë (fillore), të gjashtë (e mesme e ulët) dhe të dhjetë (gjimnaz).

“Sivjet, për herë të parë ne do të bëjmë lëndë të reja, siç është Edukimi Qytetar për klasën e parë, të gjashtë dhe të dhjetë,” theksoi Kumbaro, duke shtuar se puna për këto tekste po bëhet nga ekspertët më të mirë të kurrikulave në vend.

Fokus te Teknologjia dhe 10-vjeçari

Përveç lëndëve sociale, Ministria e Arsimit ka vendosur theksin te digjitalizimi. Kumbaro konfirmoi se do të ketë përditësim rrënjësor në lëndët e Teknologjisë së Informacionit (TIK), duke filluar që nga klasa e parë e fillores e deri në maturë, për t’iu përgjigjur zhvillimeve teknologjike të kohës.

Ministrja argumentoi se ky proces ishte i pashmangshëm.

“Pas një periudhe 10-vjeçare, ka ardhur koha për të përditësuar kurrikulat e reja në arsimin parauniversitar,” tha ajo.

Duke vlerësuar punën e ASCAP, Kumbaro u shpreh se ky institucion ka “në dorë dhe në zemër cilësinë e shkollës”, pasi puna e tyre ndikon drejtpërdrejt te formimi jo vetëm i fëmijëve, por edhe i mësuesve.

Procesi i rishikimit pritet të përmbyllet para fillimit të vitit të ri shkollor, ndërsa ekspertët po punojnë për të siguruar që përmbajtja e re të jetë në përputhje me standardet bashkëkohore të mësimdhënies./RTSH

ASHAK digjitalizon 8.5 milionë dokumente

29 January 2026 at 23:06


Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës ka arritur në 8.5 milion skanime dokumentesh të digjitalizuara, duke shënuar një progres të rëndësishëm në ruajtjen dhe qasjen në trashëgiminë arkivore të vendit.

Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës (ASHAK) ka njoftuar për një arritje të rëndësishme në procesin e digjitalizimit të dokumenteve arkivore. Sipas njoftimit, 8.5 milion skanime konsiderohet një arritje e madhe për kujtesën e Kosovës.

ASHAK bën të ditur se brenda dy viteve të fundit është bërë një hap i madh përpara në këtë proces.

“Brenda dy viteve të fundit kemi arritur të digjitalizojmë 7 milion skanime, duke e çuar në 8.5 milion volumin e përgjithshëm të dokumenteve digjitale në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës”, thuhet në postim.

Sipas agjencisë, ky progres është rezultat i përkushtimit profesional, planifikimit të qëndrueshëm dhe angazhimit të përditshëm të stafit. Në njoftim thuhet se ky angazhim po ndikon drejtpërdrejt në rritjen e qasjes në dokumente arkivore.

Agjencia vlerëson se procesi i digjitalizimit ka rëndësi strategjike për të ardhmen. “Digjitalizimi i arkivave mbetet një investim afatgjatë në trashëgiminë historike dhe institucionale të Kosovës, si dhe një shtyllë kyçe e modernizimit institucional”, përfundon njoftimi.

Yesterday — 29 January 2026Main stream

Cilat janë pasojat e vendimit të Kushtetueses për nënkryetarin e Kuvendit sipas juristëve

29 January 2026 at 21:50


Organizatat e shoqërisë civile të cilat e monitorojnë punën e Kuvendit dhe ato me ekspertizë juridike, vlerësojnë se aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, rreth zgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb, është i qartë, i bazuar në Kushtetutë dhe duhet të zbatohet pa asnjë dilemë.

Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, i cili ishte kryetar Kuvendit kur Nenad Rashiq u zgjodh nënkryetar nga komuniteti serb, e ka kundërshtuar kategorikisht aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vlerësuar se e gjithë procedura është bërë duke e shkelur Rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën.

Përpos procedurave, Basha e ka vënë në pikëpyetje edhe kompetencën e Kushtetueses që të bëj interpretim të rregullores së Kuvendit.

Me komplet konstatimin e Bashës nuk pajtohen nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Hulumtuesi Gëzim Shala thotë se përmbajtja fillestare e aktgjykimit nuk është befasi, sepse konstaton se shumica nuk mund të vendosë se me cilin emër dëshiron të përfaqësohet pakica, në këtë rast komuniteti serb.

“Është kryetari i Kuvendit ai që e interpreton rregulloren e Kuvendit brenda seancës plenare mirëpo jo jashtë saj nuk do të kishte fare kuptim që më pastaj çdo vendim që del nga Kuvendit i Republikës së Kosovës të ishte i pa-atakueshsëm. Kushtetuta, institucioni që bën interpretimin përfundimtarë të Kushtetutës në rastin konkret është Gjykata Kushtetuese dhe që nromalisht i interpreton edhe aktet të cilat e implementojnë një nen të caktuar”, ka thënë Shala.

Mendim të ngjashëm me të ndajnë edhe nga Instituti Demokratik i Kosovës.

“Aktgjykimi unë besoj që ka rikonfirmuar edhe një herë çështjen e propozuesit të nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, por pa i shfuqizuar mekanizmat e deblokimit që ishin përcaktuar paraprakisht. Andaj unë konsideroj që ky vendim është hapi i fundit drejt qartësimit të plotë të të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me konstituimin e Kuvendit, duke hequr vlerësoj çdo dilemë sa i përket rrugës që duhet ndjekur për funksionalizimin e institucioneve…”, ka thënë Eugen Cakolli.

Ish-shefja e GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila ka deklaruar se edhe pas aktgjykimit mendon se në grupin e tyre nuk ka deputet që kanë votë për deputet të Listës Serbe, ndërkaq thirret në një aktgjykim tjetër të Kushtetueses i cili sipas saj thotë se në situata të jashtëzakonshme kur nuk zgjidhet nënkryetari, nuk mund të bllokohet puna e Kryesisë së Kuvendit./Tv Dukagjini/

- YouTube youtu.be

Rinumërimi, deri tani, ia mori mandatin vetëm një deputeti

29 January 2026 at 21:44


Nga rinumërimi i votave, mbi 80 mijë vota të kandidatëve kanë rezultuar të pasakta dhe të numëruara gabimisht në Qendrat Komunale të Numërimit.

Nga këto vota të prekura, afërsisht 40 mijë u takojnë kandidatëve të Partisë Demokratike, rreth 15 mijë Vetëvendosjes, rreth 11 mijë Lidhjes Demokratike dhe rreth 4 mijë Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Por, me gjithë vjedhjet brenda partiake, mandatet e deputetëve brenda partive, janë të njëjta. Dallaveret që dolën në pah përmes vjedhjes së votave të kandidatëve brenda partive, deri tash nxorën nga parlamenti i Kosovës vetëm deputetin turk, Fikrim Damkën, vendin e të cilit e ka zënë bashkëpartiaku i tij, Ergul Mazrek.

Manipulimi me vota ka ndodhur në dy forma, përmes shtimit të votave drejtpërsëdrejti në sistem nga numëruesit në rastet kur qytetarët kanë votuar më pak se 10 kandidatë dhe në marrjen e votave nga një kandidat e duke ia numëruar tjetrit, brenda partisë. E gjithë kjo bëri të nisin hetimet në disa komuna, ku shumë komisionarë e vëzhgues përfunduan edhe në paraburgim, ndërkohë që në gjithë këtë zhurmë asnjë nga deputetët, emrat e të cilëve kanë spikatur me dallime të mëdha në vota, ende nuk janë ftuar nga prokuroria, ndonëse nuk është përjashtuar mundësia për që edhe ata të jenë pjesë e intervistimeve.

Gjatë rinumërimit së fundmi të votave të Podujevës, është identifikuar një numër i madh i votave që s’përputhen me rezultatin e numërimit në fillim.

Kandidatit të Vetëvendosjes, Ejup Maqedoncit i janë hequr -404 vota. Nga e njëjta parti, vota u hoqën edhe deputetëve, Vendenis Lahut -378 vota, Adelina Stubllës -226 vota, e Albin Kurtit -96 vota.

Në radhët e Partisë Demokratike, kandidates Ditjona Statovci, i janë hequr 187 vota. Situatë e ngjashme me kandidatët e VV-së është edhe në Obiliq. Aty Gazmend Krasniqit i janë hequr -362 vota, Adelina Graincës -295 vota, e Enver Dugollit -106 vota.

Rinumërimi shënon sot ditën e 17-të, ndërsa nesër pritet të përmbyllet i tërë procesi i rinumërimit, megjithatë nuk dihet ende se kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund t'i shpallë rezultatet përfundimtare.

Pas përfundimit të rinumërimit do të fillojnë afatet për ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, si dhe në Gjykatën Supreme. Afate për ankesa do të ketë edhe pas përfundimit të këtyre procedurave dhe pas shpalljes së rezultateve përfundimtare./RTK

Gripi arrin pikun në Shqipëri, mbi 18 mijë të infektuar

29 January 2026 at 21:30


Mbi 18 mijë persona janë paraqitur gjatë një jave në dyert e mjekëve të familjes dhe urgjencave spitalore në të gjithë vendin, si pasojë e gripit dhe virozave stinore.

Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) konfirmojnë se gripi ka arritur tashmë pikun e tij.

Shumica e pacientëve po trajtohen në banesë, ndërsa një pjesë kanë pasur nevojë për shtrim në spital.

Laboratori i Virologjisë në ISHP ka identifikuar deri më tani disa viruse gripale qarkulluese.

Sipas parashikimeve, kurba e infektimeve me grip pritet të vijojë në rritje edhe në javët në vijim.

Ekspertët apelojnë për kujdes të shtuar, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit, personat me sëmundje kronike dhe gratë shtatzëna.

Ata rekomandojnë vaksinimin si një nga mënyrat më efektive për të parandaluar format e rënda të gripit dhe rastet fatale./Euronews Albania

- YouTube youtu.be

Si po ndjek Ivanka Trump gjurmët e të atit - 1.4 miliardë dollarë investime në Shqipëri

29 January 2026 at 21:14


Gazeta britanike “The Telegraph” i ka kushtuar një artikull të gjatë bizneseve që Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner po përpiqen të vënë në vijë në Mesdhe, duke u shfaqur gjithnjë e më shumë si figura kyçe të biznesit global, duke ndjekur nga afër filozofinë e famshme të Donald Trump për “artin e marrëveshjes”. Ndërsa presidenti amerikan u tërhoq nga përpjekja për të aneksuar Groenlandën, vajza e tij po bënte një lëvizje të madhe në Mesdhe: sigurimin e një marrëveshjeje për zhvillimin e ishullit të Sazanit në Shqipëri.

Ivanka Trump, 44 vjeç, dhe Jared Kushner, përmes kompanisë së tyre investuese Atlantic Incubation Partners LLC, kanë arritur një marrëveshje me qeverinë shqiptare për ta kthyer Sazanin, një ishull i pabanuar dhe ish-bazë ushtarake shkruan “The Telegraph”, në një resort luksoz turistik. Vlera e investimit përllogaritet rreth 1 miliard paund (1.4 miliardë dollarë), duke e shndërruar projektin në një nga investimet më të mëdha të huaja në Shqipëri.

“Arti i Marrëveshjes”! Si po ndjek Ivanka Trump gjurmët e

Atlantic Incubation Partners lidhet me Affinity Partners, fond privat investimesh i themeluar nga Kushner pas largimit të Donald Trump nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2020, fond i cili ka tërhequr miliarda dollarë, përfshirë edhe fonde nga Arabia Saudite. Sipas Forbes, pasuria e përbashkët e çiftit Trump-Kushner vlerësohet rreth 1.1 miliardë dollarë, duke i renditur ata si anëtarët e dytë më të pasur të familjes Trump, pas vetë presidentit.

“Arti i Marrëveshjes”! Si po ndjek Ivanka Trump gjurmët e

Ivanka Trump vizitoi Shqipërinë për disa ditë, e shoqëruar nga kryeministri Edi Rama, i cili e ka përqafuar hapur vizionin e investimit luksoz. Rama e ka cilësuar këtë projekt si një mundësi strategjike për zhvillimin e turizmit elitar, duke deklaruar se “Shqipëria ka nevojë për super-luksozin ashtu si shkretëtira ka nevojë për ujë”.

“Arti i Marrëveshjes”! Si po ndjek Ivanka Trump gjurmët e

Komiteti Shqiptar i Investimeve Strategjike i dha dritën jeshile projektit më 30 dhjetor 2024, pak javë pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale. Plani parashikon ndërtimin e një hoteli luksoz, vilave private dhe infrastrukturës së nevojshme në një ishull që aktualisht nuk ka burime uji të pijshëm. Projekti pritet të hapë rreth 1000 vende pune.

Megjithatë, marrëveshja ka ngjallur polemika, shkruan “The Telegraph”, përcjell A2. Deputetë të opozitës kanë ngritur shqetësime për mungesë transparence dhe tenderim të hapur, ndërsa organizatat mjedisore kanë reaguar ashpër, duke theksuar se Sazani dhe zona e Zvërnecit kanë status të mbrojtur për shkak të vlerave të tyre ekologjike. Dhjetëra grupe i kanë kërkuar qeverisë shqiptare pezullimin e projektit.

“Arti i Marrëveshjes”! Si po ndjek Ivanka Trump gjurmët e

Në të njëjtën kohë, aktivitetet e Kushnerit shtrihen edhe në Serbi dhe Lindjen e Mesme, duke ngritur pyetje në Uashington për konflikte të mundshme interesi, për shkak të rolit të tij jozyrtar si këshilltar i Donald Trump.

“Arti i Marrëveshjes”! Si po ndjek Ivanka Trump gjurmët e

Pavarësisht kritikave, Ivanka Trump u shpreh entuziaste për vizitën e saj, duke e quajtur Shqipërinë “magjike”. Me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe me ndikimin e tyre në rritje, duket se Ivanka Trump dhe Jared Kushner do të vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në ndërthurjen e politikës, biznesit dhe diplomacisë globale. (A2 CNN)

Pas 27 vitesh u gjet trupi i Rasim Kocit, flet vëllai: Tani jemi më të çliruar, e dimë ku e ka varrin

29 January 2026 at 18:52


Pas më shumë se dy dekadash pritjeje dhe pasigurie, familja Koci ka marrë lajmin e shumëpritur, trupi i Rasim Mehmet Kocit, i cili ishte zhdukur më 1 prill 1999 gjatë luftës në Kosovë, është identifikuar.

Sadik Koci, vëllai i Rasim Mehmet Kocit, ka ndarë emocionet e tij në televizionin Dukagjini, duke treguar se gjetja e trupit për familjen është një lehtësim i madh.

“Është një lehtësim i mirë për neve, se e dimë ku e ka varrin. Edhe shumë jemi më të çliruar se tash e dimë ku. Se janë shkuar shumë vite e shpresat kanë qenë të vogla. E dashtë Zoti shyqyr që është bërë kjo…”, ka thene Koci.

Rasim Mehmet Koci ishte vrarë gjatë luftës dhe, sipas familjarëve, ndërsa trupi i tij u zhduk. Familja Koci ka pësuar humbje të rënda gjatë luftës, duke dhënë gjithsej tre martirë, përfshirë Afrim Idriz Kocin dhe Besim Idriz Kocin, të vrarë në mars të vitit 1999.

Homazhet për Rasim Mehmet Kocin do të mbahen më 31 janar, nga ora 12:00 deri në 13:00 në Pallatin e Kulturës në Gjakovë, ndërsa varrimi do të zhvillohet në ora 13:30 në Varrezat e Dëshmorëve në Qabrat./TV Dukagjini

- YouTube youtu.be

Dogana dhe AKI godasin kontrabandën e barnave në Pejë dhe Gjakovë

29 January 2026 at 17:55


Sot, më 29 janar 2026, Dogana e Kosovës, në koordinim të ngushtë me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë (AKI), ka realizuar një operacion të përbashkët kontrolli në Pejë dhe Gjakovë, ndaj disa barnatoreve për të cilat ekzistonin dyshime të bazuara për posedim dhe tregtim të barnave të kontrabanduara.

Në kuadër të këtij aksioni janë angazhuar shtatë njësi operative, prej të cilave një njësi ka kryer kontrolle në territorin e Gjakovës, ndërsa gjashtë njësi të tjera kanë realizuar kontrolle në territorin e Pejës.

Gjatë kontrolleve në disa lokacione janë evidentuar parregullsi në posedimin e medikamenteve, konkretisht mungesë e dokumentacionit përkatës dhe e banderolave fiskale, ndërsa në disa lokacione të tjera nuk janë konstatuar shkelje.

Si rezultat i operacionit, janë sekuestruar gjithsej 988 pako medikamente, vlera e përafërt e të cilave vlerësohet të jetë rreth 10 mijë euro.

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se aksioni është zhvilluar në përputhje të plotë me procedurat standarde operative dhe përbën një tjetër angazhim konkret në luftimin e kontrabandës, mbrojtjen e shëndetit publik dhe forcimin e sundimit të ligjit.

Institucioni ka theksuar se, në bashkëpunim me institucionet e sigurisë dhe inteligjencës, do të vazhdojë kontrollet dhe veprimet operative ndaj çdo aktiviteti të kundërligjshëm./Telegrafi/


Kurti: Eksporti i shërbimeve të TIK-ut është rritur për 386% në katër vitet e fundit

29 January 2026 at 17:41


Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se sektori i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK) është sektori me rritjen më të shpejtë në ekonominë e vendit.

Sipas Kurtit, eksporti i shërbimeve të TIK-ut është rritur për 386% gjatë katër viteve të fundit, duke u rritur pothuajse pesëfish, çka dëshmon potencialin e këtij sektori për t’u shndërruar në motor kyç të rritjes së mëtejshme ekonomike.

Ai theksoi se sektori i TIK-ut, së bashku me shërbimet profesionale dhe mbështetëse, kontribuon me rreth 6% në Bruto Produktin Vendor (BPV) të Kosovës.

Po ashtu, Kurti nënvizoi se punësimi në teknologji ka efekt multiplikues, duke nxitur hapjen e vendeve të reja të punës edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë.

"Andaj, mbështetja ndaj këtij sektori mbetet prioritet i qartë i Qeverisë sonë edhe në mandatin e ardhshëm, veçanërisht përmes Fondit të Inovacionit, si dhe Kullës TIK (ICT Tower), ka deklaruar Kurti.

Këto deklarata Kurti i bëri gjatë vizitës së tij në Qendrën e Inovacionit në Kosovë (ICK), ku u prezantua edhe Pasqyra e Ekonomisë Digjitale, e përgatitur nga platforma Data4X./Telegrafi/


❌
❌