Ministri i Jashtëm turk paralajmëroi Teheranin se Izraeli po kërkon një mundësi për ta sulmuar Iranin
Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, paralajmëroi të premten se ekzistojnë shenja që Izraeli po kërkon një mundësi për të sulmuar Iranin, dhe tha se gjatë vizitës së tij të fundit në Teheran i ka shprehur udhëheqësve iranianë shqetësimin e Ankarasë për një sulm të mundshëm dhe destabilizim të përgjithshëm të rajonit.
Fidan, në një intervistë për televizionin turk NTV, theksoi se ka tregues që Izraeli “veçanërisht po kërkon një mundësi për të goditur Iranin”.
Në pyetjen shtesë nëse kjo vlerësim i referohet edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ai nënvizoi se veçanërisht Izraeli shihet si aktor që kërkon një mundësi të tillë.
- YouTube www.youtube.com
Shefi i diplomacisë turke tha se shqetësimi për një sulm të mundshëm iu është shprehur drejtpërdrejt zyrtarëve iranianë gjatë vizitës së tij të fundit në Teheran.
“Kur shkova këto ditë në Teheran, si mik i tyre u thashë gjithçka për këtë proces. Dhe e dini, miku thotë të vërtetat e hidhura”, tha kryediplomati turk.
Paralajmërimet e Fidanit erdhën pas bisedës telefonike të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, me homologun iranian, Masoud Pezeshkian, gjatë së cilës Erdogan theksoi se Turqia është kundër çdo ndërhyrjeje të huaj në Iran dhe se vlerëson paqen dhe stabilitetin e fqinjit të saj.
Nga ana tjetër, të premten një zyrtar i lartë iranian i tha agjencisë Reuters se Teherani çdo sulm nga armiqtë e tij do ta konsiderojë “si luftë totale kundër nesh”. Kjo ka ashpërsuar më tej retorikën në një luftë fjalësh gjithnjë e më të tensionuar mes Uashingtonit dhe udhëheqësve iranianë. /Telegrafi/
