Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 December 2025Main stream

EMRAT-VIDEO/ Goditet grupi kriminal me 33 anëtarë në Tiranë, 22 të arrestuar! Zbulohet skema e shpërndarjes së “mallit”

By: Fax Web
24 December 2025 at 15:52

Identifikohen 33 shtetas, pjesëtarë të grupit kriminal, të cilët, individualisht ose të organizuar në grupe, ushtronin veprimtarinë e paligjshme të shitjes së lëndëve narkotike, në trajta të ndryshme.

Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg” për 22 prej tyre.

5 shtetas janë arrestuar gjatë periudhës hetimore, ndërsa vijon puna për kapjen e 6 shtetasve të tjerë të identifikuar si pjesë e këtij grupi kriminal.

Si rezultat i operacionit u sekuestruan rreth 500 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë; 10 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe 100 doza të kësaj lënde; 5 automjete; 28 celularë; 6 peshore elektronike dhe 3 000 euro.

Në pranga kanë rënë:

Renaldo Dalipi, Engelbert Pjetri, Armandi Hajdini, Olsi Mici, Fatjon Cela (Çela), Xhon Boci, Laert Murataj, Artan Pullazi, Erald Sina, Blerim Mali, Gentjan Vercani, Valerjos Bushi, Olkid Hajdari, Dylber Alijaj, Angjelos Mema, Majdi Musa,Jurgen Hekurani, Erdison Gjella, Abdurahman Bollati, Klodian Rrucaj, Indri Nakaj dhe Genti Kraja

Nga hetimet rezultoi se aktiviteti kriminal i shitjes së lëndëve narkotike shtrihej në disa zona të qytetit të Tiranës, kryesisht në: Bllok, Kamëz, Laprakë, Selitë, Tiranë e Re, Shkozë, Ali Demi, Xhamllik, Pazari i Ri, Shkolla e Kuqe, Astir, Myslym Shyri dhe Komuna e Parisit.

Lëndët narkotike shiteshin në lokale, tabakino, mjete taksi, si dhe të kamufluara si shpërndarje porosish të ndryshme.

6 shtetas të tjerë të identifikuar si pjesë e këtij rrjeti janë shpallur në kërkim. Vijon puna për kapjen e tyre dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Krishtlindje të gjata për administratën/ E premtja, ditë pushimi zyrtare

By: Fax Web
24 December 2025 at 15:47

Këshilli i Ministrave ka vendosur që edhe dita e premte, më 26 dhjetor, të jetë ditë pushimi për administratën publike.

Sipas vendimit, pushimi vjen si zgjatje e festës së Krishtlindjes, pasi administrata nuk do të punojë as ditën e enjte, më 25 dhjetor, e cila është festë zyrtare.

Në këtë mënyrë, punonjësit e administratës përfitojnë dy ditë rresht pushimi, ndërsa institucionet publike do t’i rikthehen normalisht aktivitetit të hënën.

VIDEO/ E pabesueshme në Superiore, portieri braktis ekipin. Protesta që nuk ishte parë ndonjëherë

By: Fax Web
24 December 2025 at 15:46

Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në sfidën e kësaj të mërkure në Kategorinë Superiore mes Vorës dhe Bylisit të zhvilluar në stadiumin ‘Selman Stërmasi’ në Tiranë.

Portieri i Bylisit, Jeremy Vachoux vendosi të braktisë skuadrën e tij në minutën e 42 kur rezultati ishte 2-0 për Vorën, një protestë kjo që nuk ishte parë ndonjëherë në Kategorinë Superiore.

Gjithçka ka ndodhur pas një rasti të humbur nga skuadra e Vorës, me portierin francez që u nervozua dhe hoqi dorezat nga duart për të lënë fushën e lojës me kokën e tij.

Arbitri i ndeshjes, Ermir Celaj e ndëshkoi 31 vjecarin me karton të verdhë për largimin e tij nga fusha e lojës me Vachoux që më pas hoqi edhe fanelën pasi doli nga vijat kufizuese.

Në këtë pikë Bylisi aktivizoi portierin e dytë, Renato Beqaj që u kap i papërgatitur.

Investime të reja në QSUT, Rama: Të ndjehesh sikur shkon në një vend për tu rigjeneruar, jo sikur shkon në pazar

By: Fax Web
24 December 2025 at 15:22

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ku po zhvillohen paralelisht disa kantiere të rëndësishme, të cilat synojnë modernizimin e infrastrukturës spitalore, rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për pacientët, mjekët dhe studentët e mjekësisë.

Ndër projektet kryesore janë ndërtimi nga e para i Pediatrisë Infektive, rikonstruksioni i disa shërbimeve spitalore, si dhe ndërtimi i parkingut të ri multifunksional me kapacitet rreth 1 400 vende parkimi, i shoqëruar me hapësira për konferenca, trajnime dhe shërbime mbështetëse.

Kryeministri Rama vlerësoi projektin si një lehtësim të madh për funksionimin e QSUT-së, duke theksuar se modeli i partneritetit publik-publik mes QSUT-së dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit siguron ,jo vetëm zgjidhje funksionale dhe urbane, por edhe gjenerim të ardhurash në funksion të vetë institucionit shëndetësor. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e hartimit paralel të projektit të parkut, me synimin për ta kthyer QSUT-në në një hapësirë të gjelbëruar, të qetë dhe miqësore, ku qarkullimi i automjeteve do të jetë i kufizuar vetëm për nevojat emergjente dhe shërbimet e domosdoshme.

“Ky është shpëtim i madh shumë. Faktikisht, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka tashmë gjithë eksperiencën ka dhe bilancin shumë pozitiv me këto struktura parkimesh, sepse janë edhe fitimprurëse në funksion të institucionit dhe në funksion të fondit si investitor, natyrisht bëhet një ndarje midis atyre që janë punonjësit dhe që kanë një trajtim të veçantë, të atyre që vijnë pastaj nga jashtë që e përdorin dhe ndërkohë ka dhe një akses nga jashtë spitalit, po që bëhet një parkim edhe për zonën. Në një pjesë të caktuar të strukturës, akomodohen makina të zonës, të cilat paguajnë edhe bëhet gjenerator të ardhurash. Duhet bërë paralelisht projekti i parkut, se kjo ka qenë ideja që ta transformojmë gjithë QSUT-në në një park. Park me godina spitalore, kuptohet. Gjithë këto pjesë që janë këtu, nga shumë vite, të rikualifikohen, të rishikohen me këtë sy edhe vetë gjithë sistemi i rrugëve të rishikohet në syrin që s’ka më makina që hyjnë e dalin. Janë vetëm ambulanca, janë korsitë e dedikuara, pastaj një pjesë mund të jetë në kalldrëm për këmbësorët. Të bëhet diçka që realisht të ndjehesh sikur shkon në një vend për tu rigjeneruar, jo sikur shkon në pazar”, u shpreh ndër të tjera Rama.

“Shqipëria rrezikon përjashtimin nga Traktati i Energjisë”, reagon MIE: Sajim i pastër mediatik, nuk ka asnjë vendim

By: Fax Web
24 December 2025 at 15:00

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë reagon pas disa shkrimeve në media dhe deklaratës së deputetit të PD-së, Eno Bozdo, sipas të cilave, Shqipëria ka marrë një paralajmërim zyrtar nga Komuniteti i Energjisë për përjashtim nga Traktati, për shkak të dështimit në përafrimin e legjislacionit me BE-në, mungesës së reformave dhe mosraportimit për dy vite radhazi.

Kjo është hedhur poshtë nga MIE, e cila përmes një deklarate për media shprehet se, “nuk ka ekzistuar, nuk ekziston dhe nuk është marrë asnjë vendim i BE-së (organeve të saj) ndaj Shqipërisë. Çdo pretendim në këtë drejtim është një sajim i pastër mediatik”.

Reagimi i plotë i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpreh shqetësimin e saj të thellë për dezinformimin keqdashës dhe lajmet tërësisht të pavërteta dhe të qëllimshme për sa i përket sektorit energjitik.

Sqarojmë prerazi se nuk ka ekzistuar, nuk ekziston dhe nuk është marrë asnjë vendim i BE-së (organeve të saj) ndaj Shqipërisë.

Çdo pretendim në këtë drejtim është një sajim i pastër mediatik. Diskutimet e zhvilluara së fundmi kanë qenë vetëm në nivelin e Sekretariatit të Energjisë, një strukturë teknike e krijuar posaçërisht për të asistuar vendet jo-anëtare dhe nxitur zhvillimin e sektorit energjetik në linjë me standardet e vendeve te BE.

Shqipëria, është një nga vendet me performancën më të qëndrueshme dhe pozitive në zbatimin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, vlerësim i reflektuar qartë në raportet ndërkombëtare përkatëse. Përpjekjet për ta paraqitur vendin si problematik janë të rreme dhe dashakeqe.

Gjatë mbledhjes së Sekretariatit të Energjisë të mbajtur javën e kaluar, janë identifikuar masa të përgjithshme që duhet të përmbushen nga të gjitha vendet anëtare (të këtij Traktati) deri në korrik 2026. Në rastin e Shqipërisë, kërkesa konsiston në përafrimin e ligjit për sektorin e energjisë me Rregulloret e BE-se, një proces normal dhe i planifikuar, për të cilin projektligji dhe aktet e tjera janë përfunduar, publikuar për konsultim publik dhe disa të miratuara. Paraqitja e kësaj procedure si “ndëshkim” apo “përjashtim” është manipulim i hapur i fakteve dhe sulm i pastër, i qëllimshëm, dhe i koordinuar ndaj sektorit energjitik shqiptar.

Deklaratat dhe shkrimet e publikuara në orët e fundit përbëjnë shpifje të qëllimshme, me synim baltosjen e një prej sektorëve më të suksesshëm të Shqipërisë. Ky sukses është i dokumentuar qartë edhe nën Kapitullin 15 të negociatave me Bashkimin Europian, ku sektori i energjisë konsiderohet ndër fushat me progres real dhe të matshëm.

Theksojmë me forcë se në asnjë raport zyrtar të Komunitetit të Energjisë nuk përmenden ndëshkime apo shkaqe për mospërmbushje detyrimesh për TEC-in e Roskovecit, termocentralet lundruese, rrjetin e interkonjeksioni apo të tjera. Përfshirja e tyre në këto lajme përbën një manipulim të qëllimshëm, i cili nuk ka asnjë bazë faktike dhe synon vetëm dëmtimin e imazhit të Shqipërisë në fushën energjetike dhe në procesin e integrimit europian, duke realizuar qartazi planin dashakeqës të faktorëve të ndryshëm që janë aktive në këto momente.

Institucionet përgjegjëse nuk do të tolerojnë keqinformimin dhe do të reagojnë ndaj çdo përpjekjeje për dezinformim publik dhe baltosje, duke garantuar transparencë, korrektësi dhe vijimësi të reformave në sektorin energjetik.

“Arrestimi i paligjshëm”/ Lirohen 4 protestuesit e PD-së, Noka: Rama është destabilizuesi i vetëm i vendit

By: Fax Web
24 December 2025 at 14:50

Gjykata e Apelit e Tiranës ka liruar katër protestuesit që morën pjesë në protestën kombëtare të opozitës, të hënën e 22 dhjetorit përpara godinës së Kryeministrisë.

Gjyakata vendosi:

1. Konstatimin e paligjshmërisë së arrestimit të katër protestuesve.

2. Urdhërimin e lirimit të menjëhershëm të tyre.

3. Rrëzimin e kërkesës për vendosje mase sigurimi.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, në një prononcim për mediat, tha se qytetarët protestuan kundër korrupsionit, krimit dhe lidhjeve të tij me pushtetin.

“Këta qytetarë kanë dalë për të protestuar kundër korrupsionit qeveritar, krimit dhe lidhjeve të tij me pushtetin, Gys Agasit dhe karteleve, ndërsa në gjykatë akuzoheshin si destabilizues. Realiteti është se Edi Rama sot dhe banda e tij po bëjnë gjithçka për të destabilizuar Shqipërinë. Sot kam nxjerrë një provë me zë e figurë, që ndërkohë që qytetarët protestonin, Gysi lëvizte me makinën e kryeministrit”.

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për veprime që, sipas tij, synojnë destabilizimin e vendit, ndërsa konsideroi se qeveria teknike është zgjidhja e vetme.

“Protestat e nisur me datë 22 do të vazhdojnë deri në largimin e kësaj qeverie. Ata janë destabilizuesit e vetëm të këtij vendi dhe zgjidhja e vetme është qeveria teknike. Gjykata rrëzoi narkopolicinë. Asnjë provë, asnjë fakt, thjesht mllef ndaj qytetarëve që protestojnë, thjesht panik ndaj kryengritjes së qytetarëve që do ta pastrojnë Shqipërinë. Gjykata vendosi që arrestimi është i paligjshëm. Policia vepron si një bandë politike e mirëfilltë që shfryn dufin e mllefin e narkosit.”, u shpreh Noka.

SHKRESA/ “Balluku”, anëtarët e PD kërkojnë mbledhje të Këshillit të Imunitetit të premten

By: Fax Web
24 December 2025 at 14:38

Anëtarët e Partisë Demokratike në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin i kanë kërkuar Kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi, të thërrasë ditën e premte, mbledhje të këshillit për të diskutuar çështjen “Balluku”.

Në një shkresë zyrtare drejtuar kryetarit të Kuvendit, anëtarët e PD-së propozojnë që mbledhja të zhvillohet më 26 dhjetor, në orën 11:00.

 

 

Mbledhja e Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve u zhvillua më 19 dhjetor, me pjesëmarrjen e 10 deputetëve, (5 nga PD dhe 5 nga PS) dhe nën prezencën e 3 prokurorëve të posaçëm, drejtuesit të ri të SPAK Klodian Braho dhe dy prokurorëve të çështjes Dritan Prençi dhe Dorina Bejko.

Diskutimet u zhvilluan rreth USB-së me mbi 10 mijë faqe prova kundër Ballukut e dorëzuar nga SPAK ku argumentohet kërkesa e depozituar. Kjo USB iu shpërnda të gjithë anëtarëve, ndërsa palët nuk ranë dakord për caktimin e një date fikse për mbledhjen e ardhshme pas njohjes me provat konkrete. Anëtarët e PD kërkuan që mbledhja të mbahej brenda 5 ditëve të javës së ardhshme, ndërsa pas 20 minutave pushim, drejtuesi i Këshillit të Mandateve, Niko Peleshi nuk dha një datë për thirrjen e seancës së radhës.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama ka bërë të qartë se Këshilli nuk do të mblidhet deri sa Gjykata Kushtetuese të shprehet përfundimisht më datë 22 janar për pezullimin e Ballukut nga detyrat qeveritare.

EMRAT/ Ndryshime në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, largohen drejtori i ARRSH dhe KESH. Ja kush vjen

By: Fax Web
24 December 2025 at 14:23

Ndryshime në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, në ARRSH dhe KESH.

Gentian Gjyli, i marrë i pendehur nga SPAK, është larguar nga drejtimi i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH).

Në vend të tij është emëruar Ami Kozeli, i cili është liruar nga detyra si zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe është emëruar në krye të ARRSH-së,

Ndërkohë Viola Haxhiademi, Nga Sekretare e Përgjithshme e MIE, është emëruar në krye të KESH, institucion që drejtohej nga Erald Elezi, i cili gjithashtu ndodhet në “arrest shtëpie” me vendim të GJKKO-së.

Ndryshimet e vendosura në mbledhjen e fundit të qeverisë:

Ami Kozeli, largohet nga Zv.mimister dhe emërohet drejtor i ARRSH

Besjan Kadiu, lagohet nga Zv.ministër dhe emërohet Sekretar i Përgjithshëm në MIE

Viola Haxhiademi, emërohet administrator i KESH.

Ibrahimaj: Ekonomia u rrit me 3,75% në tremujorin e tretë, turizmi motori kryesor

By: Fax Web
24 December 2025 at 14:18

Ekonomia shqiptare ka vijuar rritjen e qëndrueshme gjatë vitit 2025, duke reflektuar performancë pozitive në shumicën e sektorëve kryesorë dhe një interes të shtuar të investitorëve vendas e të huaj.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi sot gjatë një konference në medie treguesit më të fundit ekonomikë, si dhe pritshmëritë për vitin 2026, me fokus rritjen ekonomike, inovacionin dhe përafrimin me standardet europiane.

Duke iu referuar raportit të publikuar nga INSTAT, ministrja informoi se Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) në tremujorin e tretë të vitit 2025 u rrit me 3,75%, një nivel që sipas saj, është brenda parashikimeve të qeverisë dhe dukshëm më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian prej 1,6%, si edhe mbi mesataren e vendeve të Ballkanit Perëndimor prej 3,4%.

Në nivel nëntëmujor, ministrja tha se rritja ekonomike arriti 3,73%, ndërsa pritshmëritë janë që në fund të vitit 2025 rritja të përmbushë objektivin prej 3,9%.
Ministrja renditi edhe sektorët kontribues në rritje.

“Analiza sipas sektorëve tregon se ekonomia është mbështetur kryesisht nga shërbimet dhe investimet publike e private. Ndërtimi shënoi një rritje prej 4,75%, ndërsa tregtia, transporti dhe akomodimi, sektorë të lidhur ngushtë me turizmin, u rritën me 2,62%”, tha ajo.

Më tej, ministrja shtoi se sektori i informacionit dhe komunikacionit vijoi të forcojë rolin e tij në ekonomi, me një rritje të ndjeshme prej 10,4%, ndërsa aktivitetet e pasurive të paluajtshme u rritën me 10,55%.

Një kontribut të rëndësishëm dhanë edhe administrata publike, arsimi dhe shëndetësia, të cilat së bashku kontribuuan me 1,68 pikë përqindje në rritjen ekonomike prej 3,75%, duke reflektuar efektet pozitive të investimeve dhe rritjes së pagave në këta sektorë.

Nga ana tjetër, ministrja informoi se bujqësia, pyjet dhe peshkimi shënuan një rënie prej 1,73%, ndërsa industria në tërësi u ngadalësua me 4,75%, e ndikuar kryesisht nga industria nxjerrëse dhe ajo përpunuese e tekstileve.

Ministrja Ibrahimaj e cilësoi turizmin si motori i rritjes ekonomike.

“Turizmi vijon të mbetet një nga motorët kryesorë të ekonomisë shqiptare. Për 11-mujorin e vitit 2025, hyrjet e shtetasve të huaj arritën në rreth 12 milionë, me rritje të vazhdueshme krahasuar me vitet e mëparshme. Netqëndrimet u rritën nga viti në vit, ndërsa një turist që viziton Shqipërinë qëndron mesatarisht 9 ditë”, tha Ibrahimaj.

Akomodimi, hotelet dhe restorantet shtoi Ibrahimaj, shënuan rritje prej 16% në terma nominalë dhe 3,43% në terma realë.

Ndër të tjera ministrja nënvizoi se në nivel nëntëmujor, shërbimet sollën në ekonomi 6,5 miliardë euro, me rritje 14%, ndërsa shërbimet e udhëtimit gjeneruan 4,4 miliardë euro të ardhura.

Duke u ndalur në treguesit e konsumit, ministrja shpjegoi se konsumi i familjeve u rrit me 1,25%, duke reflektuar stabilitet dhe inflacion të kontrolluar, nën objektivin e Bankës së Shqipërisë.

Nga ana tjetër, vijoi Ibrahimaj, kemi një përmirësim të pozicionit të jashtëm të ekonomisë.

“Importet neto dhe eksportet neto janë rritur respektivisht eksportet me 12.55 5% ndërsa importet me 5.47%. Kjo do të thotë që pra përmirësimi i pozicionit të jashtëm dhe rezultati pozitiv për për tremujorin e tretë të vitit i cili ka rezultuar me sufiçit prej 658 miliard eurosh, do të thotë që në Shqipëri është gjeneruar më shumë valutë sa më parë. Në nivel nëntë mujor jemi gjithashtu në sufiçit rreth 50 miliard euro. Sufiçiti në nivel munjor. ë ndodh për herë të parë nëntë mujor pasi në mujorin e katërt të vitit të kaluar në nivelin nëntëmujor neve vijonim të ishim me një defiçit. Megjithatë sa i takon tregtisë së mallrave defiçiti i mallrave është i ndikuar nga rritja kryesisht nga rritja e importeve të energjisë dhe nga rënia e eksporteve të metaleve bazë. Ndërkohë që në total siç e shpjegova dhe më parë eksportet e shërbimeve janë ditur dhe kanë dhënë një kon kontribut të madh pozitiv duke i dhënë peshën kryesore në pozicionin e jashtëm të ekonomisë shqiptare, shërbimeve dhe turizmi”, deklaroi ministrja

Po ashtu sipas saj, investimet shënuan rritje prej 4,78% në tremujorin e tretë, duke treguar besim të qëndrueshëm në ekonominë shqiptare.

“Investimet e huaja direkte për nëntëmujorin e vitit 2025 arritën në 1,2 miliardë euro, me rritje prej 51 milionë euro krahasuar me një vit më parë. Sektorët kryesorë përfituese janë pasuritë e paluajtshme me 31%, ndërmjetësimi financiar me 16%, hidrokarburet, energjetika dhe komunikacioni”, u shpreh ministrja.

Në tregun e punës, ministrja bëri të ditur se papunësia zbriti në 8,1%, ndërsa paga bruto mesatare arriti në 83,300 lekë, me rritje 7,25% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Ministrja Ibrahimaj theksoi se të dhënat flasin për një ekonomi të qëndrueshme, me tregues makroekonomikë të fortë dhe perspektivë pozitive edhe për vitin 2026.
Ajo nënvizoi se, pavarësisht pasigurive globale, ekonomia shqiptare ka treguar rezistencë, ndërsa raporti i fundit i FMN-së konfirmon stabilitetin dhe rritjen e qëndrueshme të vendit.

“Nga ana tjetër sot është publikuar gjithashtu dhe raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili gjithashtu nënvizon një rritje ekonomike të qëndrueshme të ekonomisë shqiptare dhe tregues makroekonomik të fortë dhe të qëndrueshëm. Si risk kryesor për ekonominë jo vetëm shqiptare, por të rajonit theksohet paqëndrueshmëria e situatës globale dhe risqet që mund të vijnë nga kërkesa e huaj, të cilat për tremujorin e tretë të vitit nuk janë materializuar”, deklaroi ministrja.

Përplasen 4 makina në aksin Maqellarë-Peshkopi, ka të plagosur

By: Fax Web
24 December 2025 at 14:10

Një aksident është regjistruar mesditën e kësaj të mërkure në aksin Maqellarë-Peshkopi, në afërsi të fshatit Dovellan.

Katër automjete janë përplasur me njëra-tjetrën, në rrethana ende të paqarta, ndërsa raportohet se ka edhe persona të plagosur.

Nuk dihet ende si paraqitet gjendja e të plagosurve, ndërkohë paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë mjegulla e dendur dhe lagështira në rrugë, të cilat kanë vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e mjeteve.

Policia ndodhet në vendngjarje.

Berisha: Ergys Agasi me fitime “përrallore”, brenda pak muajve tejkaloi kapitalin fillestar në 234 mln euro

By: Fax Web
24 December 2025 at 12:57

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se protagonisti kryesor në dosjen e SPAK për Agjencinë Kombëtare të Informacionit (AKSHI) është “baxhanaku i kryeministrit Edi Rama”.

Nga selia blu, në konferencën e sotme për mediat, Berisha tha se atë e ka denoncuar shumë herë edhe në parlament. Ai hodhi akuza edhe ndaj Ergys Agasit, ndaj të cilit SPAK ka lëshuar urdhër arrest për skandalin në AKSHI.

Duke e cilësuar si “intim Agasi”, duke iu referuar lidhjeve të ngushta të tij me zyrtarë, Berisha tha se ai tejkaloi shifra marramendëse brenda pak muajve nga kapitali fillestar i kompanisë së tij me 1 mijë euro.

“Edhe më e zezë është dosja e AKSHI ku në të vërtetë kopshti privat i Edi Ramës, ka patur si protagonist kryesor në hije baxhanakun, peshkaqenin Armand Frangu. Natyrisht patronazhisten e AKSHI-t Linda Rama, siç është faktuar me dokumente. Frangu, ky mafioz i denoncuar para jush edhe në parlament, e dinë më mirë se unë se Ermal Beqiri është Armand Frangu, Geron Meçe dhe Daniel Shima është Armand Frangu.

AKSHI është agjenci që varet direkt nga kryeministri. Së dyti, që njeriu më intim po të mbyllni e hapni sytë i të gjithë zyrtarëve në Shqipëri është Ergys Agasi, i faktuar. Ndaj edhe ky intim Agasi na rezulton në librat e shtetit me fitime përrallore që nuk i ka njohur në historinë e njerëzimit. Fitime që tejkalojnë brenda 5 muajve kapitalin fillestar 22 milionë herë. Është futur në 15 shtator me 1 mijë euro dhe ka dalë në dhjetor me 234 milionë euro.”, u shpreh Berisha.

Mori para për 7 ndërhyrje në zemër pranë QSUT, SPAK kalon për gjykim dosjen e mjekut Edvin Prifti

By: Fax Web
24 December 2025 at 12:44

Në kohën kur agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit ushtruan kontrolle në banesën dhe zyrën e Priftit, gjetën fizikisht 1.1 milionë euro, shumë të cilën SPAK thotë se mjeku nuk e justifikonte në mënyrë të ligjshme.

Rreth dy vite pas përfundimit të hetimeve nga SPAK për mjekun Edvin Prifti, Gjykata e Posaçme vendosi këtë të mërkurë të kalojë çështjen në proces gjyqsor.

Prokuroria e Posaçme ka ngritur ndaj Priftit akuzat, “korrupsion pasiv kryer në 7 raste”, “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “pastrim parash” dhe “fshehje të ardhurash”.

Sipas hetimeve të kryera nga prokurori Sotir Kllapi, është ngritur dyshimi i arsyeshëm se Edvin Prifti në 7 raste ka marrë përfitim të parregullt në shuma monetare nga pacientët e operuar pranë Pavionit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Në kohën kur agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit ushtruan kontrolle në banesën dhe zyrën e Priftit, gjetën fizikisht 1.1 milionë euro, shumë të cilën SPAK thotë se mjeku nuk e justifikonte në mënyrë të ligjshme.

Nga ana tjetër, që prej vitit 2018 e në vijim, organi i akuzës dyshon se i pandehuri ka kërkuar nga subjekte të ndryshme tregtare të cilët ushtrojnë veprimtarinë në fushën e ofrimit të shërbimeve mjekësore, fatura tatimore fiktive, të cilat më pas janë paraqitur pranë organeve tatimore, me qëllim jo vetëm për të justifikuar shumat monetare, por edhe për të rritur fiktivisht shpenzimet me qëllim shmangien nga detyrimet tatimore.

E-Albania, platforma e digjitalizimit shtetëror, ka dalë jashtë funksioni

By: Fax Web
24 December 2025 at 12:40

E-Albania, platforma e digjitalizimit shtetëror, ka dalë jashtë funksioni pikërisht në momentin kur Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit po përjeton një nga skandalet më të rënda të ndonjë qeverie shqiptare.
Institucioni nga i cili varet e-Albania është goditur nga hetimet e SPAK-ut, me drejtoreshen e tij në arrest për grup të strukturuar kriminal dhe me emra të tjerë kyç, si Ergys Agasi, të përfshirë në dosje që flasin për kapje tenderash dhe lidhje me krimin. Në këtë klimë tronditëse, mosfunksionimi i e-Albania-s nuk shihet më si problem teknik i rastësishëm, por si pasojë direkte e kalbëzimit të një strukture që kishte në dorë miliona euro dhe infrastrukturën digjitale të shtetit.

Akuza për korrupsion dhe pastrim parash, kalon për gjykim dosja e kardiologut Edvin Prifti

By: Fax Web
24 December 2025 at 12:40

Dosja penale ndaj mjekut kardiolog Edvin Prifti ka kaluar për gjykim. Ai dyshohet se ka marrë rryshfet në këmbim të kryerjes së ndërhyrjeve kardiake. Sipas Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Prifti akuzohet për “korrupsion pasiv” në shtatë raste, si dhe për veprat penale “vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “fshehja e të ardhurave” dhe “pastrimi i parave”.

Hetimet e SPAK pretendojnë se pagesat e paligjshme janë kryer në lidhje me shtatë ndërhyrje kardiake, gjatë kohës që Prifti ushtronte detyrën si mjek.

Nga ana e tij, Prifti i ka mohuar të gjitha akuzat, duke deklaruar se është i pafajshëm.

Kryepeshkop Joani uron besimtarët për Krishtlindje: Festa vjen si rreze shprese, ngushëllimi e paqeje

By: Fax Web
24 December 2025 at 12:25

Kryepeshkop Joani ka përcjellë një mesazh urimi për të gjithë besimtarët me rastin e Festës së Krishtlindjes.

Në një mesazh, Kryepeshkop Joani thotë se duhet të mbushim zemrat me përulësi dhe dritën e Krishtit. Ai shprehet se kjo festë nuk ka të bëjë vetëm me “lindjen e një mësuesi, profeti apo ligjvënësi”, por vjen si rreze shprese, ngushëllimi e paqeje për këdo.

Sipas tij, sot më shumë se kurrë bota ka nevojë për dritën e Krishtit.

“Është detyra e çdo të krishteri ta përhapë dhe ta bashkëndajë këtë dritë me të gjithë botën, sepse vetëm duke e ndarë atë me të tjerët, drita mund të ruhet dhe të rritet, përndryshe ajo do të zbehet dhe përfundimisht do të zhduket. Tani, më shumë se kurrë, bota ka nevojë për dritën e Krishtit. Është e nevojshme, sepse një jetë pa praninë e Zotit bëhet e mjerueshme, kthehet në një jetë pa dashuri, pa gëzim, pa dritë: një jetë në errësirë.”

Gjirokastër/ Po trafikonte 48 pako kanabis drejt Greqisë, arrestohet 30-vjeçari, e kishte fshehur në shasinë e makinës! Në kërkim i vëllai dhe 2 të tjerë

By: Fax Web
24 December 2025 at 12:18

30-vjeçari u ndalua nga policia në vendin e quajtur “Shkalla e Zezë” duke transportuar me automjet tip “Nissan”, 48 pako me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa drejt Greqisë me peshë totale 51 kilogramë e 25 gramë.

Një 30-vjeçar është arrestuar nga Policia e Gjirokastrës teksa u kap duke transportuar kanabis me peshë 51 kg drej Greqisë, ndërsa 3 persona të tjerë janë shpallur në kërkim.

Nelson Pashka është personi i arrestuar, i cili u ndalua nga policia në vendin e quajtur “Shkalla e Zezë” duke transportuar me automjet tip “Nissan”, 48 pako me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa drejt Greqisë me peshë totale 51 kilogramë e 25 gramë.

Në kërkim u shpallën Elidon Pashka, vëllai i 30-vjeçarit të arrestuar, Dorjan Cilingari dhe Sheme Agaj, organizatorë dhe bashkëpunëtorë të Nelson Pashkës.

“DVP Gjirokastër/Finalizohet operacioni policor antidrogë, i koduar “Black Scale”.

Sekuestrohen rreth 51 kg Cannabis Sativa, të ndarë në 48 pako, me qëllim trafikimin në Greqi.

Arrestohet 30-vjeçari që transportonte lëndën, fshehur në një hapësirë të improvizuar tek shasia e automjetit.

Identifikohen dhe shpallen në kërkim 3 shtetas (njëri prej tyre, vëllai i të arrestuarit), bashkëpunëtorë për këtë rast, dyshohet me rolet organizator dhe ndihmës.

Si rezultat i një pune të mirorganizuar hetimore dhe operacionale, të kryer nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin Operacional dhe me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, me qëllim goditjen e një tentative për të trafikuar në Greqi, sasi të madhe lënde narkotike Cannabis Sativa, u finalizua operacioni “Black Scale”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi N. P., 30 vjeç, banues në fshatin Rusan, Delvinë, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit E. P., 38 vjeç (vëllai i shtetasit N. P.), banues në fshatin Rusan, D. C., 41 vjeç, banues në Sarandë dhe Sh. A., 30 vjeç, banues në Tepelenë.

30-vjeçari u kap në flagrancë, në vendin e quajtur “Shkalla e Zezë”, duke transportuar me automjet tip “Nissan”, 48 pako me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa (me peshë totale 51 kilogramë e 25 gramë), me qëllim trafikimin në Greqi.

Shtetasi N. P. e kishte fshehur lëndën narkotike tek shasia e automjetit, në një hapësirë të improvizuar.

Nga hetimet e mëtejshme të kryera nga strukturat hetimore të DVP Gjirokastër, në drejtimin e prokurorit të gatshëm dhe në bashkëpunim me strukturat e DVKM Gjirokastër dhe me ato të DVP Vlorë, dyshohet se 3 shtetasit e shpallur në kërkim, në rolet organizator dhe ndihmës, kanë bashkëpunuar me 30-vjeçarin, për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale.

Lënda narkotike u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin tip “Nissan” dhe me 3 celularë të të arrestuarit.

Punohet për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe vijojnë hetime me qëllim individualizimin dhe dokumentimin e përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të përfshirë në këtë rast.

Materialet proceduarale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim”, njofton policia.

Durrës/ Shkaktoi aksident në gjendje të dehur, arrestohet 32-vjeçari në Sukth! I dënuar për mashtrim

By: Fax Web
24 December 2025 at 12:14

Një 32-vjeçar i shpallur në kërkim është arrestuar nga Policia e Durrësit pas një aksidenti të shkaktuar nga vetë ai.

Durrës– Një 32-vjeçar u arrestua në Sukth, pasi shkaktoi aksident, me automjetin që drejtonte në gjendje të dehur.

Sipas hetimeve Alfred Dumi rezulton ishte në kërkim, i dënuar me 2 vite burg.

Para 3 vjetësh i riu, lëshoi fatura fiktive te subjekti tregtar që administronte, me qëllim shmangien e TVSh-së.

Subjekti i 32-vjeçarit dhe 12 të tjera, duke shmangur detyrimin tatimor, i shkaktuan shtetit, 300 000 000 lekë dëm.

“Menjëherë pas njoftimit për një aksident rrugor, në Sukth, ku një automjet ishte përplasur me disa pemë, shërbimet e Policisë Rrugore shkuan në vendngjarje, për të kryer veprimet procedurale të nevojshme. Në vijim, iu bë test alkooli, drejtuesit të automjetit, shtetasit A. D., 32 vjeç, rezultat i të cilit, herën e dyte ishte 1.29 mg/l.

Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se 32-vjeçari ishte aktualisht në kërkim, sepse Gjykata e Tiranës, në vitin 2024, e ka dënuar me 2 vjet burgim, për veprën penale “Krijimi i skemave të mashtrimit lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.

Në vitin 2022, ky shtetas ka administruar një subjekt, për llogari të të cilit janë lëshuar fatura fiktive, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore.

Nga aksidenti u dëmtua lehtë, pasagjeri në automjetin që drejtonte 32-vjeçari. Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi A. D. u vu në pranga dhe do t’i dorëzohet Policisë së Tiranës, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme.

Ndërkaq, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë.

Korçë/ Mallra kontrabandë nga Greqia, arrestohet në Kapshticë 49-vjeçari

By: Fax Web
24 December 2025 at 11:56

Në gjendje të lirë do të hetohet një doganier, pasi dyshohet se nuk ka kryer procedurat për zhdoganimin e mallrave.

Korçë – Një 49-vjeçar u arrestua në pikën kufitare të Kapshticës pasi u kap duke transportuar mallra të dyshuara të kontrabanduara nga Greqia.

Ndërkohë në gjendje të lirë do të hetohet një doganier, pasi dyshohet se nuk ka kryer procedurat për zhdoganimin e mallrave.

Mallrat dhe makina u sekuestruan si provë materiale.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kontrabandës, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë goditur një rast të kontrabandës së mallrave.

Shërbimet e Policisë kanë ndaluar në lagjen nr. 6, Korçë, automjetin me drejtues shtetasin V. T. Gjatë kontrollit në automjet, janë gjetur veshje të ndryshme pa faturat përkatëse, të cilat dyshohet se ky shtetas i ka futur në Shqipëri, pa kryer procedurat e zhdoganimit.

Në vijim të veprimeve për këtë rast:

-u arrestua në flagrancë shtetasi V. T., 49 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”;

-u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasin R. M., 40 vjeç, banues në Pogradec, doganier në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, pasi dyshohet se nuk ka kryer detyrën për të kontrolluar automjetin”, njoftoi sot policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Spiropali nga Shkupi: Gjuha shqipe, gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, të respektohet në ligj dhe në praktikë

By: Fax Web
24 December 2025 at 11:48

Në vijim të vizitës së saj zyrtare në Maqedoninë e Veriut, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali u ndal në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Sipas Spiropalit, puna e Institutit është një pikë referimi jo vetëm për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, por për gjithë hapësirën mbarëshqiptare, veçanërisht në studimet mbi gjuhën shqipe, trashëgiminë kulturore dhe kujtesën historike.

Gjuha shqipe, tha Spiropali, është gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut dhe duhet mbrojtur e kultivuar.

“Të respektohet në ligj dhe në praktikë, të mësohet me dashuri brez pas brezi, si pasuri e përbashkët e mozaikut multietnik. Ajo na bashkon si zë historie dhe rrënjë identiteti. Në çdo shkronjë mban kujtesë, dritë dhe sakrificë që ende jeton”, thekson Ministrja e Jashtme.

Postimi i Spiropalit:

Vizita në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup është një ndalesë me peshë të veçantë në rrugëtimin e kujtesës sonë kombëtare.

Në këtë qytet ku historia shqiptare ka lënë gjurmë të thella — nga Shën Tereza te Pjetër Bogdani, nga Hasan Prishtina e shumë figura të tjera — gjejmë themelet mbi të cilat është ndërtuar identiteti, dinjiteti dhe vizioni ynë si komb.

Puna e Institutit është një pikë referimi jo vetëm për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, por për gjithë hapësirën mbarëshqiptare. Studimet mbi gjuhën shqipe, trashëgiminë kulturore dhe kujtesën historike e bëjnë atë një shtyllë të rëndësishme të vetëdijes sonë kolektive.

Gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut dhe duhet mbrojtur e kultivuar.
Të respektohet në ligj dhe në praktikë, të mësohet me dashuri brez pas brezi, si pasuri e përbashkët e mozaikut multietnik.

Ajo na bashkon si zë historie dhe rrënjë identiteti.

Në çdo shkronjë mban kujtesë, dritë dhe sakrificë që ende jeton. 🦅

Shkodër/ Shiste kapsolla, nis hetimi për pronaren e dyqanit! Sekuestrohen 44 kuti me lëndë piroteknike

By: Fax Web
24 December 2025 at 11:43

Kapsollat dhe fishekzjarrët janë të ndaluara për tregtim, ndërsa në prag të festive të fundvitit, policia ka nisur një aksion për të goditur subjektet e paautorizuar.

Shkodër  44 kuti me lëndë piroteknike u sekuestruan gjatë kontrollit të policisë në një dyqan në Shkodër, ndërsa pronarja po hetohet në gjendje të lirë.

Kapsollat dhe fishekzjarrët janë të ndaluara për tregtim, ndërsa në prag të festive të fundvitit, policia ka nisur një aksion për të goditur subjektet e paautorizuar

“Si rezultat i kontrolleve intensive që po kryhen nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në zbatim të planit të masave për ndalimin e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike, nga subjekte të paautorizuara, në prag të festave të fundvitit, është goditur një rast i shitjes së këtyre lëndëve, në një dyqan në lagjen “Tre Heronjtë”.

Gjatë kontrollit në dyqanin e shtetases S. P. u gjetën 44 kuti me lëndë piroteknike (kapsolla), të ndaluara për tregtim, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen S. P.

Kontrollet për parandalimin e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike do të vijojnë në të gjithë qarkun”, njoftoi sot Policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme

❌
❌