Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 December 2025Main stream

Zelensky publikon për herë të parë 20 pikat e planit të paqes

24 December 2025 at 10:58

Për herë të parë që nga nisja e negociatave, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka vendosur të bëjë publike të gjitha 20 pikat e planit të paqes, duke hedhur dritë mbi një dokument që synon jo vetëm fundin e luftës, por edhe rindërtimin e rendit të sigurisë në Evropë.

Zbulimi u bë gjatë një takimi me gazetarët dhe u raportua nga RBC-Ukraine.

Në thelb të planit qëndron një vijë e kuqe e panegociueshme: sovraniteti i Ukrainës.

“Nuk është objekt diskutimi”, theksoi Zelensky, duke e vendosur këtë si bosht politik të gjithë dokumentit. Nga kjo pikë nis edhe arkitektura e sigurisë që Ukraina dhe aleatët perëndimorë synojnë të ndërtojnë pas përfundimit të luftës.

Plani parashikon një pakt mos-agresioni me Rusinë, të shoqëruar me mekanizma monitorimi përgjatë vijës së frontit, por thelbi i vërtetë mbeten garancitë e sigurisë, të cilat presidenti ukrainas i cilëson si çështjen kryesore.

Sipas propozimit, SHBA, NATO dhe vendet evropiane do t’i ofronin Ukrainës garanci të ngjashme me Nenin 5 të NATO-s: çdo agresion i ri rus do të shkaktonte përgjigje ushtarake dhe rikthim të sanksioneve.

Ukraina nuk pranon çmilitarizim, ndërsa forcat e saj të Armatosura parashikohen të kenë 800 mijë trupa edhe në kohë paqeje. Rusia do të angazhohej ligjërisht për një politikë mos-agresioni jo vetëm ndaj Ukrainës, por edhe ndaj Evropës.

Dimensioni evropian i planit është po aq i qartë: anëtarësimi i Ukrainës në BE kërkohet me një datë të përcaktuar, jo si premtim i pacaktuar. Plani përfshin një plan global zhvillimi, i mbështetur nga një marrëveshje investimesh dhe një fond rindërtimi prej 800 miliardë dollarësh për rikthimin e ekonomisë së shkatërruar.

Marrëdhëniet me SHBA-të zënë një vend të veçantë, përmes një marrëveshjeje të përshpejtuar për tregti të lirë, ndërsa Ukraina riafirmon statusin e saj jo-bërthamor, pjesë ky e stabilitetit rajonal.

Një vijë e kuqe tjetër është centrali bërthamor i Zaporizhzhias. Zelensky bën të qartë se nuk ka kompromis mbi këtë çështje. SHBA ka propozuar një administrim trepalësh, ndërsa Ukraina ofron modelin 50–50 me amerikanët.

Plani përfshin gjithashtu elementë arsimorë dhe kulturorë, përfshirë programe që nxisin tolerancën dhe luftojnë racizmin dhe paragjykimet, në përpjekje për të ndërtuar një paqe afatgjatë dhe jo vetëm një armëpushim formal.

Territoret mbeten pika më e ndërlikuar. Një opsion parashikon tërheqjen e Rusisë nga rajonet Dnipropetrovsk, Mykolaiv, Sumy dhe Kharkiv, ndërsa për Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson propozohet formula “qëndrojmë aty ku jemi”. Rusia kërkon tërheqjen e Ukrainës nga Donetsku, ndërsa SHBA-të sugjerojnë krijimin e një zone të lirë ekonomike si kompromis. Nëse nuk arrihet marrëveshje, çështja mund të shkojë në referendum, së bashku me të gjithë dokumentin.

Plani parashikon gjithashtu: Angazhim të Rusisë dhe Ukrainës për të mos ndryshuar marrëveshjen me forcë;

Garantimin e lindjes së lirë në lumin Dnipro dhe Detin e Zi;

Shkëmbim të të burgosurve, kthimin e civilëve, fëmijëve dhe të burgosurve politikë;

Zgjedhje në Ukrainë menjëherë pas nënshkrimit;

Mbikëqyrje ligjore nga Këshilli i Paqes i udhëhequr nga Donald Trump;

Armëpushim i plotë dhe i menjëhershëm sapo të gjitha palët bien dakord.

Publikimi i plotë i këtyre 20 pikave zhvendos debatin nga deklaratat e përgjithshme te detajet konkrete, duke bërë të qartë se rruga drejt paqes është e mundur, por e mbushur me dilema të thella politike, territoriale dhe gjeostrategjike.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Zelensky publikon për herë të parë 20 pikat e planit të paqes appeared first on Sinjali.

Shkodër: Goditen 7 ambiente të kultivimit të bimëve narkotike, 22-vjeçari arrestohet në flagrancë

24 December 2025 at 10:45

Shërbimet e Drejtori së Vendore të Policisë Shkodër kanë finalizuar fazën e katërt të operacionit policor të koduar “Neonët 4”, duke goditur 7 ambiente të dyshuara për kultivim të bimëve narkotike me anë të llambave.

Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kontrolleve intensive në ambiente të mbyllura u arrestua në flagrancë shtetasi Gj. B., 22 vjeç, banues në Laç, Vau i Dejës, i cili kishte marrë me qira një banesë në Velipojë dhe e kishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike.

Gjithashtu, u ndalua R. V., 25 vjeç, banues në Shkodër, ndërsa dy punonjës të OSHEE-së, A. U., 50 vjeç dhe Gj. T., 59 vjeç, u proceduan penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.

Nga kontrolli i banesës së Gj. B., policia sekuestruar: 308 bimë të dyshuara kanabis, 85 gramë kanabis të tharë, 122 pajisje elektrike për kultivim, 4 celularë.

Në banesën e shtetasit R. V. u sekuestruan: 3 llamba dhe 1 përforcues grushti.

Gjithsej janë sekuestruar 300 bimë të dyshuara kanabis, një sasi kanabisi, 125 pajisje elektrike, 4 celularë dhe një përforcues grushti.

Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër dhe me mbështetjen e Forcës Operacionale dhe grupit “Shqiponjat”. Kontrollimet intensive u fokusuan në evidentimin, kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike për shitje, si dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale.

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme, ndërsa policia vazhdon punën intensive për goditjen e këtij aktiviteti kriminal.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Shkodër: Goditen 7 ambiente të kultivimit të bimëve narkotike, 22-vjeçari arrestohet në flagrancë appeared first on Sinjali.

Ndërpritet seanca fillestare për sulmin në kanalin Ibër-Lepenc, kërkohet përjashtimi i prokurorit

24 December 2025 at 10:32

Seanca fillestare për tre të akuzuarit në rastin e sulmit në kanalin Ibër Lepenc në Zubin Potok është ndërprerë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas kërkesave të paraqitura nga palët mbrojtëse për përjashtimin e prokurorit të rastit.

Kërkesat u parashtruan me arsyetimin se gjatë fazës hetimore nuk janë ndërmarrë veprime të plota për mbledhjen dhe administrimin e provave të propozuara nga mbrojtja.

Sipas gjykatës, seanca është ndërprerë derisa të merret vendim nga Kryeprokurori kompetent lidhur me kërkesën për përjashtim të prokurorit publik, Bekim Kodraliu.

Avokati Nebojsha Vllajiq, mbrojtës i të akuzuarit Jovan Viqentijeviq, deklaroi se ka vërejtje serioze ndaj mënyrës së veprimit të prokurorisë dhe se ka kërkuar zyrtarisht përjashtimin e prokurorit.

Ai tha se kërkesa për mbledhje të provave ishte parashtruar që më 6 dhjetor 2024, vetëm disa ditë pas arrestimit të të akuzuarit, por sipas tij asnjë nga provat e propozuara nuk është administruar.

Vllajiq theksoi se janë marrë vetëm disa incizime nga një kamerë dhe se ato janë paraqitur në mënyrë selektive, pa sqaruar kohën, e cila sipas tij është element thelbësor për rastin. Ai shtoi se mosveprimi i prokurorisë ka sjellë humbjen e disa provave përgjithmonë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Dragisha Viqentijeviq, avokati Millosh Deleviq, u bashkua me kërkesën e kolegut të tij, duke deklaruar se edhe ai kishte kërkuar që në dhjetor të vitit 2024 dëgjimin e katër dëshmitarëve dhe mbledhjen e incizimeve nga disa objekte, përfshirë banka dhe stacioni policor në Zubin Potok, por se deri më tani prokuroria nuk ka vepruar sipas këtyre kërkesave.

“Më duhet t’i bashkangjitem kolegut, pasi edhe unë më 11 dhjetor 2024 ia kam parashtruar kërkesën që të dëgjohen katër dëshmitarë. Kam kërkuar që të mblidhen video-incizime nga kamerat e dy objekteve, nga banka KEP në Zubin Potok dhe nga stacioni policor në Zubin Potok, një orë pas sulmit. Deri në ditën e sotme, prokurori special nuk ka vepruar sipas kërkesës. Në mënyrë të pakthyeshme e ka dëmtuar të drejtën në mbrojtje të Dragisha Viqentijeviqit. Kërkojmë që të ndërpritet kjo seancë deri sa kryeprokurori të deklarohet për këtë kërkesë”, tha ai.

Ndërkaq, avokatja Jelena Krivokapiq, mbrojtëse e të akuzuarit Igor Dimoviq, tha se rasti i klientit të saj është i ndryshëm dhe se mbrojtja nuk ka vërejtje ndaj prokurorisë, duke shtuar se dokumentacioni është pranuar dhe se nuk mund të deklarohet për shkelje në këtë pjesë.

Prokurori Bekim Kodraliu, duke iu përgjigjur kërkesave të mbrojtjes, tha se hetimi është zhvilluar në mënyrë profesionale dhe të koordinuar. Ai theksoi se provat e propozuara janë analizuar dhe se për komunikimet telefonike janë bërë kërkesa për bashkëpunim ndërkombëtar me autoritetet serbe, por se nuk është pranuar përgjigje. Kodraliu shtoi se ligji përcakton qartë bazat mbi të cilat mund të kërkohet përjashtimi i prokurorit dhe se, sipas tij, këto baza nuk janë përmbushur në këtë rast.

“Unë i dëgjova me vëmendje kërkesat e palës mbrojtëse. E di që ndoshta nuk ju pëlqen hetimi që unë kam zhvilluar në këtë rast, por i njoftoj palët që hetimi ka qenë profesional dhe ka qenë i koordinuar në mënyrë të përsosur. Provat që i kanë propozuar i kam analizuar dhe i dëgjova edhe sot. Komunikimet telefonike, të pandehurit Jovan kanë qenë në komunikim përmes telekomit të Serbisë dhe ne autoriteteve serbe u kemi drejtuar dy herë me kërkesë për bashkëpunim ndërkombëtar, por nuk kemi pranuar përgjigje. Kolegu Vllajiq ka qenë prokuror në sistemin jugosllav dhe besoj që e di se kur mund të kërkohet ndërrimi i prokurorit në një rast penal. Kërkesa për përjashtim është nëse pala e dëmtuar apo familjari me të pandehurin, kujdestari ligjor apo prindi i të pandehurit ose i dëmtuari, nëse ka marrë pjesë si gjyqtar dhe nëse kam konflikt interesi. Këto janë bazat që prokurori duhet të largohet nga procedura. Këto janë pesë bazat ligjore mbi të cilat mund të kërkohet përjashtimi”, tha ai.

Gjyqtari i çështjes, Vesel Ismaili, deklaroi se me paraqitjen e kërkesës për përjashtim, ligji obligon ndërprerjen e çdo veprimi procedural deri në marrjen e vendimit përfundimtar.

Ai njoftoi se seanca e sotme ndërpritet dhe se gjykata do të presë vendimin e kryeprokurorit special lidhur me kërkesën e parashtruar.

“Nuk i kontestoj fare, por kjo i bie në kompetencë të prokurorit. Neve na obligon dispozita që, me rastin e paraqitjes së kërkesës për përjashtim, qoftë të gjyqtarit apo të prokurorit, menjëherë duhet të ndërpritet çdo veprim procedural në një çështje juridiko-penale, deri sa të shqyrtohet dhe të merret vendim. Seanca e sotme ndërpritet dhe presim vendimin e kryeprokurorit special”, tha ai.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ndërpritet seanca fillestare për sulmin në kanalin Ibër-Lepenc, kërkohet përjashtimi i prokurorit appeared first on Sinjali.

Ambasadori amerikan në NATO thotë se topi është në fushën e Rusisë për negociatat e paqes në Ukrainë

24 December 2025 at 10:23

Përfaqësuesi i përhershëm i Shteteve të Bashkuara në NATO, Matthew Whitaker ka deklaruar se pozicioni i Ukrainës është i njohur mirë, ndërsa SHBA-ja po përpiqet të kuptojë se cilat kompromise është e gatshme të bëjë Rusia.

Topi është tani në fushën e Rusisë. Mendoj se ata kanë një ofertë. Aktualisht ka rreth katër dokumente në tryezë: një plan paqeje me 20 pika së bashku me garanci sigurie multilaterale, garanci sigurie të ofruara specifikisht nga Shtetet e Bashkuara, një plan për rritje ekonomike dhe prosperitet pas arritjes së paqes.

Të gjitha këto po diskutohen në kohë reale. Tani kemi të qartë çfarë dëshiron Ukraina.

Po përpiqemi të kuptojmë maksimumin që është e gatshme të bëjë Rusia. Ata vazhdojnë të kryejnë sulme masive gjatë natës kundër Ukrainës, çka flet vetë për veten në një farë mase.

Por Presidenti Trump është i vetmi, si ndërmjetësuesi kryesor, që mund t’i sjellë të dyja palët në tryezën e negociatave dhe të shohë nëse mund të arrijë një marrëveshje. Ekipi i tij po bën përpjekje të jashtëzakonshme”, tha Whitaker në një intervistë për Fox News.

Ai theksoi se i vetmi që nuk pranon se viktimat janë shumë të larta dhe se negociatat janë të nevojshme është Putini.

Por Rusia kurrë nuk ka qenë e gatshme të pranojë këtë. Ata gjithmonë kanë qenë të gatshëm të vuajnë më shumë se shumica e vendeve të tjera.

Humbje të tilla dhe miliona viktima nuk do të toleroheshin kurrë nga asnjë vend tjetër përveç Rusisë. Megjithatë, kjo është ajo që po bëjnë për fitime shumë të vogla, nëse ka fare, në fushëbetejë”, shtoi Whitaker.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ambasadori amerikan në NATO thotë se topi është në fushën e Rusisë për negociatat e paqes në Ukrainë appeared first on Sinjali.

Rrëzimi i kërkesës së Veselit për lirimin me kusht, si e arsyetoi vendimin Gjykata Supreme në Hagë?

24 December 2025 at 10:16

Me dhjetëra, ndoshta edhe qindra kërkesa për lirimin nga paraburgimi të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë janë paraqitur deri më tani, por asnjëra nuk është miratuar.

Shpresa e fundit për Kadri Veselin për lirimin me kusht është gjithashtu shuar, pasi Gjykata Supreme në Hagë i ka refuzuar kërkesën.

Sipas vendimit të Supremes, ku në panel është edhe kryetarja e Gjykatës Speciale, nuk është konstatuar asnjë shkelje në vendimet e mëparshme që i kishin mohuar lirimin Veselit.

“Paneli vëren se Z. Veseli nuk tregon për një shkelje thelbësore të një procedure specifike në Ligj ose në Rregullore. Siç është theksuar tashmë në Pikën 1, një kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë duhet të pretendojë një shkelje thelbësore të procedurave të përcaktuara në Nenin 48(7)(b) të Ligjit. Megjithatë, dhe duke pasur parasysh se Mbrojtja argumenton konkretisht se Paneli i Apelit nuk i rivlerësoi siç duhet rreziqet sipas Nenit 41(6)(b) të Ligjit dhe në vend të kësaj u mbështet në gjetjet e mëparshme pa shqyrtuar nëse ato mbeten të mjaftueshme në këtë fazë të procedurës”, thuhet në vendim.

Gjykata thekson se Kadri Veseli paraqet rrezik të ndërhyrjes në procedura dhe të tentojë të ndikojë në dëshmitarë, duke justifikuar kështu vazhdimin e paraburgimit.

“Ndërsa Paneli pranon dhe pajtohet me Panelin e Apelit se një bazë specifike, siç është rreziku i pengimit, mund të zvogëlohet me kalimin e kohës, kjo nuk është automatike dhe varet nga rrethanat e çështjes. Nuk është e nevojshme, siç sugjeron Z. Veseli, që diçka e jashtëzakonshme të jetë e nevojshme për të treguar se rreziku nuk është zvogëluar. Ajo që është e nevojshme është që arsyet e vazhdueshme të justifikojnë paraburgimin e vazhdueshëm”, thuhet në vendim.

Gjykata gjithashtu aludon në zbulimin e informatave konfidenciale nga Veseli, pavarësisht se gjykimi është në fazën përfundimtare.

“Trupi kujton se Apeli iu referua sjelljes së mbështetur më parë si treguese të ekzistencës së rrezikut të pengimit, duke përfshirë zbulimin e supozuar të informacionit konfidencial. Duke vepruar kështu, Trupi i Apelit konsideroi se kjo sjellje ilustron gatishmërinë dhe aftësinë ‘e mundshme’ të Z. Veseli për të përhapur informacion konfidencial, dhe vuri në dukje se kjo kishte rezultuar në mbikëqyrje shtesë në Njësinë e Paraburgimit. Trupi i Apelit e konsideroi këtë të rëndësishme për vlerësimin e vazhdueshëm të rrezikut të pengimit dhe kujtoi se standardi i zbatueshëm kishte të bënte me mundësinë, në vend të pashmangshmërisë së një ngjarjeje në të ardhmen”, thuhet në vendim.

Gjykata Supreme thekson se nuk ka asnjë shkelje në procedurë dhe se rreziqet për vazhdimin e paraburgimit janë të justifikuara:

“Në dritën e sa më sipër, Trupi i Supremes konstaton se Trupi i Apelit nuk e ka keqzbatuar standardin përkatës në rrethanat e çështjes në përputhje me Nenin 41(6)(b) të Ligjit. Nuk ka asgjë në shqyrtimin e paraburgimit që sugjeron se procesi është ndërmarrë në një mënyrë kuazi-automatike. Ai vlerësoi siç duhet ekzistencën e vazhdueshme të rreziqeve përkatëse në kohën e shqyrtimit dhe ofroi arsye të mjaftueshme për të justifikuar vazhdimin e paraburgimit të z. Veseli”, thuhet në vendim.

Veseli ishte ankuar se nuk kishte asnjë provë që justifikonte vazhdimin e paraburgimit të tij, por paneli e konsideroi këtë argument të pabazuar:

“Paneli vëren se parashtrimet e Z. Veseli, në lidhje me nëse provat që favorizojnë lirimin janë shqyrtuar mjaftueshëm, janë tërësisht të natyrës faktike. Për shembull, Z. Veseli argumenton se nuk është paraqitur asnjë provë. Megjithatë, Paneli i Apelit shqyrtoi sa vijon: (i) përfshirjen e mundshme të Z. Veseli në zbulimin e paautorizuar të provave; (ii) aftësinë e tij për të marrë informacion konfidencial duke pasur parasysh pozicionin e tij në Kosovë; (iii) dhe njohuritë e tij të shtuara për informacionin konfidencial në lidhje me dëshmitarët. Për më tepër, argumentet e tij përbëjnë një mospajtim me vlerësimin diskrecionar të fakteve nga Paneli i Apelit, i cili nuk mund të merret në konsideratë brenda procedurës për mbrojtjen e ligjshmërisë”, thuhet më tej.

“Paneli vëren që në fillim se Z. Veseli nuk tregon për një shkelje të konsiderueshme të një procedure specifike në Ligj ose në Rregullore në parashtrimet e tij. Sipas Nenit 48(7)(b) të Ligjit, një palë që kërkon mbrojtje të ligjshmërisë duhet të identifikojë një shkelje të konsiderueshme të procedurave të përcaktuara në këtë Ligj dhe në Rregullore”, thuhet në vendim.

Si rrjedhojë, Kadri Veseli do të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Rrëzimi i kërkesës së Veselit për lirimin me kusht, si e arsyetoi vendimin Gjykata Supreme në Hagë? appeared first on Sinjali.

Rusia synon të ndërtojë një central bërthamor në Hënë

24 December 2025 at 10:07

Rusia planifikon të ndërtojë një central bërthamor në Hënë në dekadën e ardhshme për të furnizuar programin e saj hapësinor hënor dhe një stacion të përbashkët kërkimor ruso-kinez, teksa fuqitë e mëdha po nxitojnë të eksplorojnë satelitin e vetëm natyror të Tokës.

Që nga koha kur kozmonauti sovjetik, Yuri Gagarin, u bë njeriu i parë që shkoi në hapësirë më 1961, Rusia e ka paraqitur veten si një fuqi udhëheqëse në eksplorimin e hapësirës, por në dekadat e fundit ka mbetur prapa Shteteve të Bashkuara në këtë drejtim, dhe gjithnjë më prapa edhe Kinës.

Ambiciet e Rusisë pësuan një goditje të madhe në gusht të vitit 2023, kur misioni i saj pa ekuipazh Luna-25 u përplas me sipërfaqen e Hënës gjatë përpjekjes për t’u ulur, teksa miliarderi Elon Musk ka revolucionarizuar lëshimin e mjeteve hapësinore, gjë që dikur ishte një specialitet rus.

Korporata shtetërore ruse e hapësirës, Roscosmos, njoftoi se planifikon të ndërtojë një central energjetik në Hënë deri në vitin 2036, duke shtuar se ka nënshkruar një kontratë me kompaninë e industrisë hapësinore, Lavochkin Association për ta realizuar këtë projekt.

Roscosmos tha se qëllimi i centralit është që të furnizojë me energji programin hënor të Rusisë, përfshirë automjetet robotike, një observator dhe infrastrukturën e Stacionit e Përbashkët Ndërkombëtar Kërkimor Ruso-Kinez, njofton rel.

“Ky projekt është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një stacioni të përhershëm hënor dhe kalimin nga misionet që zhvillohen vetëm një herë në një program afatgjatë të eksplorimit të Hënës”, tha Roscosmos.

Roscosmos nuk tregoi në mënyrë eksplicite nëse centrali do të ishte bërthamor, por njoftoi se ndër pjesëmarrësit në projekt janë korporata shtetërore ruse e energjisë bërthamore Rosatom dhe Instituti Kurchatov, që është instituti kryesor i Rusisë për kërkime bërthamore.

Kreu i Roscosmos, Dmitry Bakanov, tha në muajin qershor se një nga synimet e korporatës është të ndërtojë një central bërthamor në Hënë dhe të eksplorojë Venerën, që njihet si “planeti motër” i Tokës.

Hëna, e cila ndodhet 384.400 kilometra larg nga Toka, ndikon në stabilizimin e lëkundjes së Tokës rreth boshtit të saj, duke siguruar një klimë më të qëndrueshme. Ajo po ashtu shkakton baticat dhe zbaticat në oqeanet e botës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Rusia synon të ndërtojë një central bërthamor në Hënë appeared first on Sinjali.

Të akuzuarit për sulmin terrorist në Ibër-Lepenc dalin para Gjykatës

24 December 2025 at 09:56

Të akuzuarit në rastin e sulmit në kanalin Ibër Lepenc në Zubin Potok, janë sjellur të mërkuren në Gjykatën Themelore në Prishtinë nën masa të rrepta sigurie, ku pas pak pritet të filloj seanca fillestare ndaj tyre.

Sulm pati ndodhur më 29 nëntor të vitit 2024 në fshatin Varagë të Zubin Potokut.

Më 9 dhjetor të këtij viti, pak më shumë se 1 vit nga sulmi, Prokuroria Speciale pas një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtoria Kundër Terrorizmit, dhe me partnerët evropianë ka ngritur aktakuzë ndaj vëllezërve Jovan Viqentijeviq e Dragisha Viqentijeviq, dhe Igor Dimoviq për veprat penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga neni 122 lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Armëmbajtje pa leje”, dhe “Spiunazh”.

Sipas aktakuzës, më 29.11.24 në fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, në pjesën e kanalit “Ibër Lepenc”, të pandehurit Viqentijeviq, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshje paraprake, kanë vendosur eksploziv (rreth 20 kilogramë të llojit Trinitrotoluene “TNT”) në brendësi të kanalit.

Vëllezërit Viqentijeviq akuzohen se lëndën shpërthyese e kanë aktivizuar përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, ku si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit të kanalit, “Ibër Lepenc”, është shkaktuar ndërprerje e furnizimit me ujë të pijshëm, është rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike, dhe ndërmarrjes “Ibër Lepenc”, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 376,774.70 eurosh.

Sipas aktakuzës, me këto veprime, të pandehurit Viqentijeviq kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve publike” nga neni 122 në lidhje me “Kryerjen e veprës terroriste”.

Dy të pandehurit akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje, së bashku edhe me të akuzuarin tjetër Igor Dimoviq.

Ndërsa, i pandehuri Jovan Viqentijeviq akuzohet edhe për veprën penale “Spiunazhi”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri deri në momentin e arrestimit, në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Informativ Ushtarak të Serbisë, Kolonel, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që të njëjtat ti përdor gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Të akuzuarit për sulmin terrorist në Ibër-Lepenc dalin para Gjykatës appeared first on Sinjali.

Ekskluzive | Ky është i arrestuari për kokainë në Istog – kapet me mbi 25 gramë narkotikë në BMW X6, dërgohet në ndalim

24 December 2025 at 09:51

Një aksion i njësive antidrogë në Istog ka rezultuar me arrestimin e Fatmir Dacit, rreth 30-vjeçar, i cili dyshohet për posedim të paautorizuar të narkotikëve dhe mbajtje të paautorizuar të armëve.

Ngjarja ka ndodhur më 23 dhjetor 2025, rreth orës 22:00, kur njësitet e DHTN-së nga Peja, në kuadër të një plani operativ, kanë ndaluar për kontroll një veturë BMW X6, ngjyrë vishnje, e cila drejtohej nga i dyshuari.

Gjatë kontrollit të automjetit, zyrtarët policorë kanë gjetur një qese plasmasi me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë totale 25.5 gramë, si dhe një brisk me gjatësi rreth 8 centimetra, i cili dyshohet se ishte në posedim të të dyshuarit.

Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht se në veturë ndodhej edhe një pasagjer, Arlind Tahiri, rreth 21-vjeçar, i cili është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit dhe më pas është liruar me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

Ndërkohë, Fatmir Daci është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa ndaj tij është iniciuar procedurë penale për veprat: “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” , “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar të armëve”

Hetimet për rastin po vazhdojnë nga DHTN – Pejë, në koordinim me Prokurorinë kompetente, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e zgjerimit të hetimeve edhe në pista të tjera.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ekskluzive | Ky është i arrestuari për kokainë në Istog – kapet me mbi 25 gramë narkotikë në BMW X6, dërgohet në ndalim appeared first on Sinjali.

Ekskluzive | Kapet me kokainë dhe armë të ftohtë në Istog – në pranga i dyshuari

24 December 2025 at 09:45

Një aksion policor i zhvilluar mbrëmjen e 23 dhjetorit 2025, rreth orës 22:00, në qytetin e Istogut, ka përfunduar me arrestimin e një personi të dyshuar për posedim të paautorizuar të narkotikëve dhe armëve.

Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht se njësitë e DHTN-së në Pejë, në kuadër të një plani operativ, kanë ndaluar për kontroll një veturë të tipit BMW X6, me ngjyrë vishnje, të cilën e drejtonte F. D., rreth 30-vjeçar, ndërsa si pasagjer ndodhej A. T., rreth 21-vjeçar.

Gjatë kontrollit të automjetit, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar: 25.5 gram kokainë (peshë bruto), të paketuar në një qese plastike, një brisk me gjatësi tehu 8 cm, i konsideruar armë e ftohtë

Burimet bëjnë me dije se për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që dëshmitari të intervistohet dhe më pas të lirohet, ndërsa ndaj F. D është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Me urdhër të Prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti penal për: “Posedim të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”

Hetimet lidhur me këtë rast po vazhdojnë nga DHTN – Pejë, ndërsa priten edhe veprime të tjera procedurale nga organet e drejtësisë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ekskluzive | Kapet me kokainë dhe armë të ftohtë në Istog – në pranga i dyshuari appeared first on Sinjali.

Ekskluzive | I mituri kapet me marihuanë në Klinë – policia sekuestron drogë, rizlla dhe grinder

24 December 2025 at 08:59

Një i mitur është arrestuar pasditen e së martës në Klinë, pasi u kap në posedim të substancave narkotike.

Ngjarja ka ndodhur më 23 dhjetor 2025, rreth orës 15:30, në rrugën “Ilir Merturi”, ku patrulla policore gjatë patrullimit ka ndaluar të dyshuarin F.G., rreth 17-vjeçar. Gjatë kontrollit, policia ka gjetur një qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, e cila pas matjes nga njësia antidrogë ka rezultuar me peshë 8.4 gramë, si dhe një pako rizlla dhe një grinder.

I dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor në Klinë dhe është intervistuar në prani të prindit dhe avokatit mbrojtës. Pas konsultimit me Prokurorin Kujdestar të Shtetit, rasti është iniciuar si “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, ndërsa i mituri është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti mbetet në trajtim të mëtejmë nga organet kompetente.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ekskluzive | I mituri kapet me marihuanë në Klinë – policia sekuestron drogë, rizlla dhe grinder appeared first on Sinjali.

Dy persona të lënduar në aksidentin mes dy veturave tek Mensa e Studentëve në Prishtinë

24 December 2025 at 08:48

Një aksident mes dy veturave ka ndodhur mbrëmë, rreth orës 23:30, në rrugën ‘Eqrem Çabej’, në Prishtinë, raporton Sinjali.

Si pasojë lëndime kanë pësuar dy persona, të cilët kanë pranuar tretman mjekësor.

Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar, zëdhënësi i policisë për kryeqytet, Enis Pllana.

“Me rastin po merret Trafiku i Kryeqytetit.”, tha ai tutje.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Dy persona të lënduar në aksidentin mes dy veturave tek Mensa e Studentëve në Prishtinë appeared first on Sinjali.

Superliga e Kosovës: Drita dhe Prishtina përballen në Gjilan

24 December 2025 at 08:39

Skuadrat e Dritës dhe Prishtinës do të përballen sot në ndeshjen e mbetur të Superligës së Kosovës.

Takimi do të zhvillohet nga ora 13:00 në Gjilan dhe ishte shtyrë javë më parë.

Drita, e drejtuar nga Zekirija Ramadani, synon t’i rikthehet fitoreve pas tri barazimeve radhazi, ndërsa Prishtina e Afrim Tovëranit vjen në këtë përballje pas fitores së parë të arritur javën e kaluar, pas një periudhe të gjatë pa fitore.

Në renditjen tabelore, Prishtina mban pozitën e dytë me 30 pikë, ndërsa Drita ndodhet në vendin e pestë me 26 pikë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Superliga e Kosovës: Drita dhe Prishtina përballen në Gjilan appeared first on Sinjali.

Sot varroset Shemi i grupit “Ilirët”

24 December 2025 at 08:34

Sot do t’i jepet lamtumira e fundit Shemsi Krasniqit, solisti i grupit të rock-folk-ut vendor “Ilirët”, i njohur më shumë si Shemi, i cili vdiq në moshën 64-vjeçare.

Varrimi i tij do të bëhet në ora 14:00 në varrezat e qytetit në Arbëri (Dragodan) Prishtinë.

‘‘Kolegë e dashamirë, varrimi i Shemit bëhet nesër me 24 Dhjetor , në ora 14:00 me namazin e Ikindisë në varrezat e qytetit në Arbëri (Dragodan) Prishtinë’’, thuhet në njoftim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Sot varroset Shemi i grupit “Ilirët” appeared first on Sinjali.

Pa pritje të gjata këtë mëngjes në pikat kufitare – maksimumi deri në 10 minuta për të hyrë në Kosovë

24 December 2025 at 08:27

Mërgimtarët që po hyjnë në Kosovë këtë mëngjes të së mërkurës nuk po përballen me pritje të gjata në pikat kufitare.

Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, të përditësuara në orën 06:00, pritjet deri në 10 minuta janë regjistruar në hyrje të Merdarës.

Në të gjitha pikat e tjera kufitare, pritjet janë edhe më të shkurtra dhe nuk kalojnë pesë minutat.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Pa pritje të gjata këtë mëngjes në pikat kufitare – maksimumi deri në 10 minuta për të hyrë në Kosovë appeared first on Sinjali.

Dy policë të vrarë nga një shpërthim në Moskë

24 December 2025 at 08:24

Tre persona – përfshirë dy policë – kanë humbur jetën pas një shpërthimi në Moskë, kanë bërë të ditur autoritetet ruse.

Sipas Komitetit Hetimor të Rusisë, dy policë të trafikut kishin vërejtur një “person të dyshimtë” pranë një veture policore në rrugën Yeletskaya të kryeqytetit. Në momentin kur ata iu afruan për ta ndaluar, u aktivizua një mjet shpërthyes, raporton BBC, transmeton Sinjali.

Dy policët ndërruan jetë si pasojë e plagëve të marra, ndërsa viktimë mbeti edhe një person tjetër që ndodhej pranë vendit të shpërthimit.

Ky sulm ndodh vetëm dy ditë pasi një gjeneral i lartë rus u vra në Moskë nga një bombë e vendosur në veturë, të hënën.

Gjeneral-lejtnanti Fanil Sarvarov humbi jetën pasi u shpërthye një mjet eksploziv i vendosur nën automjetin e tij. Zëdhënësja e Komitetit Hetimor, Svetlana Petrenko, deklaroi në Telegram se në Moskë është hapur një rast penal “lidhur me tentativën për vrasjen e policëve të trafikut”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Dy policë të vrarë nga një shpërthim në Moskë appeared first on Sinjali.

Antoine Semenyo gjithnjë e më afër Manchester Cityt

24 December 2025 at 08:14

Manchester City po punon intensivisht për të mbyllur marrëveshjen në ditët e ardhshme për sulmuesin e Bournemouth, Antoine Semenyo.

Gazetari i njohur për transferime, Fabrizio Romano, ka thënë se brenda dymbëdhjetë orëve të fundit klubi ka përshpejtuar bisedimet, pasi Semenyo ka treguar që City është destinacioni i tij i preferuar. Sipas tij, Semenyo ka thënë se preferon të luajë për skuadrën e Pep Guardiola, dhe klubi po punon për të përmbyllur marrëveshjen sa më shpejt.

Gjithashtu Manchester United ka qenë në garë, por nuk ia ka dalur.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Antoine Semenyo gjithnjë e më afër Manchester Cityt appeared first on Sinjali.

YouTube mbyll dy kanale për video mashtruese të krijuara me inteligjencë artificiale

24 December 2025 at 08:02

YouTube ka fshirë dy kanale të njohura që publikonin video të shkurtra të rreme për filma, të krijuara me ndihmën e inteligjencës artificiale (AI).

Platforma ka vendosur ta ndalë këtë përmbajtje mashtruese duke mbyllur dy kanale të mëdha, screen culture nga india dhe kh studio nga shtetet e bashkuara, të cilat së bashku kishin mbi 2 milionë abonentë dhe më shumë se një miliard shikime.

Sipas YouTube-it, këto kanale nuk e përdornin AI-në vetëm për qëllime argëtuese, por kombinonin skena të krijuara me inteligjencë artificiale me materiale reale nga filma ekzistues. Si rezultat, publikoheshin video jozyrtare që krijonin konfuzion dhe mashtronin publikun.

Një nga shembujt më domethënës është kanali screen culture, i cili publikoi 23 versione të ndryshme të një traileri për filmin “fantastic four: first steps”. Disa prej këtyre videove kishin arritur më shumë shikime sesa traileri zyrtar i filmit.

Vendimi i YouTube-it vjen në një kohë kur përdorimi i inteligjencës artificiale në industrinë e filmit është në rritje, përfshirë edhe krijimin e përmbajtjeve që mashtrojnë publikun, duke simuluar personazhe ose skena që në realitet nuk kanë ekzistuar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post YouTube mbyll dy kanale për video mashtruese të krijuara me inteligjencë artificiale appeared first on Sinjali.

Gjykata Supreme e ndalon të dërgojë Gardën Kombëtare në Çikago

24 December 2025 at 07:54

Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara ka refuzuar të martën t’i japë dritën jeshile presidentit Donald Trump për dërgimin e trupave të Gardës Kombëtare në zonën e Çikagos, duke i dhënë kështu një ndalesë të përkohshme zgjerimit të përdorimit të ushtrisë për qëllime të brendshme në qytete të drejtuara nga demokratët.

Vendimi i gjykatës lë në fuqi urdhrin e një gjyqtari federal që bllokon dislokimin e qindra trupave të Gardës Kombëtare, pas padisë së ngritur nga autoritetet e Illinois-it dhe drejtues lokalë. Departamenti amerikan i Drejtësisë kishte kërkuar që dislokimi të lejohej ndërkohë që çështja po shqyrtohej në gjykata.

“Në këtë fazë paraprake, qeveria nuk ka arritur të identifikojë një burim autoriteti që do t’i lejonte ushtrisë të zbatojë ligjet në Illinois”, thuhet në vendimin e shumicës së gjykatës, i cili është nxjerrë pa firmë. Gjykata shtoi se autoriteti i presidentit për të marrë nën kontroll federal Gardën Kombëtare ka të ngjarë të vlejë vetëm në rrethana “të jashtëzakonshme”.

Tre gjyqtarë konservatorë, Samuel Alito, Clarence Thomas dhe Neil Gorsuch, shprehën mospajtim me këtë vendim.

Nga Shtëpia e Bardhë, zëdhënësja Abigail Jackson deklaroi se Trump “u ka premtuar amerikanëve se do të punojë pa u lodhur për të zbatuar ligjet e emigracionit dhe për të mbrojtur personelin federal nga trazirat e dhunshme”, duke shtuar se vendimi “nuk e zbeh këtë axhendë thelbësore”.

Në anën tjetër, guvernatori i Illinois-it, JB Pritzker, e cilësoi vendimin si “një hap të rëndësishëm për të frenuar abuzimin e vazhdueshëm me pushtetin nga administrata Trump dhe për të ngadalësuar marshimin e tij drejt autoritarizmit”.

Ky vendim përbën një nga pengesat e rralla për administratën Trump në Gjykatën e Lartë, e cila ka një shumicë konservatore 6 me 3 dhe që, që nga rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë, ka mbështetur shpesh pretendimet e tij të gjera për autoritet presidencial.

Garda Kombëtare përbëhet nga forca militare të bazuara në shtete, që normalisht i përgjigjen guvernatorëve, përveç rasteve kur federalizohen nga presidenti.

Trump kishte urdhëruar dërgimin e trupave në Çikago, qyteti i tretë më i madh në SHBA, si dhe në Portland të Oregonit, pas dislokimeve të mëparshme në Los Angeles, Memphis dhe Uashington DC.

Çështja ka nxjerrë në pah përplasje të forta mbi natyrën e protestave kundër politikave të ashpra të emigracionit të Trump në zonën e Çikagos. Presidenti dhe aleatët e tij i kanë përshkruar qytetet e drejtuara nga demokratët si të paligjshme dhe të përfshira nga dhuna, ndërsa autoritetet lokale dhe kritikët e Trump i kanë hedhur poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si pretekst për dërgimin e ushtrisë dhe si abuzim me pushtetin.

Gjykatësit federalë kanë shprehur skepticizëm ndaj përshkrimit dramatik të situatës nga administrata, duke theksuar se protestat kanë qenë të kufizuara, kryesisht paqësore dhe të menaxhueshme nga forcat lokale të rendit.

Proceset ligjore mbi këtë çështje pritet të vazhdojnë, ndërsa administrata Trump kërkon ende mënyra për të zgjeruar rolin e ushtrisë në zbatimin e ligjit brenda vendit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Gjykata Supreme e ndalon të dërgojë Gardën Kombëtare në Çikago appeared first on Sinjali.

Horoskopi 24 dhjetor, parashikimi i yjeve për shenjën tuaj

24 December 2025 at 07:40

Dashi (21 Mars – 20 Prill)

Mos u përpiq të japësh kohën dhe energjinë tënde për gjithçka, nuk ia vlen. Sot është e rëndësishme të lësh gjërat që të bëjnë të ndihesh keq dhe të përqendrohesh tek ato që të sjellin mirësi. Ke forcë, por nëse nuk je i kujdesshëm, mund të shpërndahesh shumë. Bëhu i mençur me zgjedhjet e tua. Kushtoji vëmendje asaj që ka vërtet rëndësi në jetën tënde dhe lër pas njerëzit apo planet që të mbajnë mbrapa. Ruaj paqen tënde. Mos harxho energji për gjëra që nuk të çojnë askund, lëviz drejt asaj që të bën të lumtur.

Demi (21 Prill – 20 Maj)

Fillo ditën duke u kujdesur për veten para se të ndihmosh të tjerët. Planetët të kujtojnë se është e rëndësishme të kujdesesh edhe për nevojat e tua. Ke bërë shumë për njerëzit rreth teje, por tani është në rregull t’i lejosh ata të të mbështesin. Përqendrohu tek ajo që të ushqen shpirtin pa ndjerë faj. Pak kujdes për veten mund të sjellë qartësi dhe paqe të brendshme. Mënyra se si trajton veten përcakton se si të tjerët do të të trajtojnë ty.

Binjakët (21 Maj – 21 Qershor)

Sot lëri gjërat të rrjedhin vetë, mos u përpiq t’i bësh me zor. Beso se mirësia mund të ndihmojë në përparimin e situatave. Mërkuri mund të të ndihmojë të flasësh me qetësi, edhe kur gjërat bëhen të vështira. Merr një moment frymë para se të reagosh. Fjalët që shërojnë janë më produktive se ato që ndajnë. Një qasje e qetë pranohet më lehtë sesa përpjekja për të provuar se ke të drejtë. Prania jote paqësore do të hapë zemrat që presioni nuk mundet.

Gaforrja (22 Qershor – 22 Korrik)

Lëre pas atë që ndodhi dje dhe përqendrohu tek ajo që vjen më pas. Ti meriton një fillim të ri, pa faj apo frikë nga e kaluara. Është në rregull të reflektosh, të mendosh sërish ose thjesht të marrësh frymë thellë dhe të ecësh përpara. Ndryshime të qeta po ndodhin, sidomos në jetën personale. Hapat e vegjël tani mund të sjellin ekuilibër të qëndrueshëm. Të jesh i mirë me veten është forcë. Mënyra se si e trajton veten pas një momenti të vështirë tregon sa shumë je shëruar.

Luani (23 Korrik – 23 Gusht)

Nuk ke pse të presësh derisa gjithçka të bëhet e qartë për të ecur përpara. Qartësia shpesh vjen kur bën hapat e vegjël para. Disa ditë mund të duken të paqarta, por besimi tek vetja ndihmon të largosh mjegullën. Fillo me atë që tashmë e di dhe ndërto mbi të. Edhe nëse gjërat duken të pasigurta, ti je i destinuar të ecësh përpara. Bëj zgjedhje bazuar në vlerat e tua, jo në humorin e ndryshueshëm. Sa më shumë të dëgjosh të vërtetën tënde të brendshme, aq më e qartë do të bëhet gjithçka, dhe paqja do të vijë vetvetiu.

Virgjëresha (24 Gusht – 23 Shtator)

Jeta jote nuk është e bllokuar, ajo sapo ka filluar. Është në rregull nëse gjërat marrin kohë dhe rezultatet nuk vijnë menjëherë. Ka një proces natyral që po zhvillohet, edhe kur nuk mund ta shohësh ende. Disa ditë mund të kalojnë qetë, dhe kjo është pjesë e udhëtimit. Durimi dhe përvoja po punojnë në favorin tënd. Edhe nëse duket sikur asgjë nuk po ndodh jashtë, një rritje e brendshme e rëndësishme po ndodh. Ajo që ke ndërtuar brenda po del ngadalë përpara dhe do të shfaqet në kohën e duhur.

Peshorja (24 Shtator – 23 Tetor)

Nuk është e nevojshme të jesh i zhurmshëm për të ndjerë besim. Forca nuk vjen vetëm nga fjalët që thua. Ajo vjen nga dëgjimi dhe mendimi para se të veprosh. Nuk ke nevojë që dikush të të thotë se je në rregull, ti tashmë je. Mos dysho në të vërtetën tënde për shkak të mendimeve të të tjerëve. Ec me besim. Nuk ka nevojë të ngresh zërin për t’u vënë re. Lëri veprimet e tua të flasin për ty.

Akrepi (24 Tetor – 22 Nëntor)

Ajo që po pret mund të mos ndodhë ashtu siç e ke planifikuar. Përpiqu ta shohësh këtë si një hapje për diçka të re. Të mos dish drejtimin e ardhshëm mund të duket frustruese, por mund të jetë edhe çlirim. Lëri gjërat të zhvillohen në mënyrë të qetë. Qëndro i hapur ndaj çdo rruge që shfaqet përpara teje. Ajo që duket si vonesë ose problem i vogël mund të të ndihmojë të kuptosh më mirë qëllimin tënd të vërtetë. Ndrysho mënyrën se si e sheh situatën, jo mënyrën se si e sheh veten.

Shigjetari (23 Nëntor – 21 Dhjetor)

Ti udhëheq më mirë kur lëshon dhe lejon paqen të udhëheqë zgjedhjet e tua nesër. Veprimet e qeta funksionojnë më mirë se forca. Mos vepro nga frika dhe mos u nxito në vendime. Ec përpara me besim, edhe nëse gjërat duken të pasigurta. Nuk ka nevojë të jesh pjesë e çdo debati, dhe nuk ke pse t’i rregullosh të gjitha menjëherë. Disa gjëra trajtohen më mirë duke dëgjuar fillimisht dhe duke folur vetëm kur ka vërtet rëndësi. Merr kohën tënde. Përparimi ndodh ngadalë, hap pas hapi, jo duke i forcuar gjërat.

Bricjapi (22 Dhjetor – 21 Janar)

Mosbesimi tek vetja mund të ndikojë ngadalë në mënyrën se si ndihesh dhe vepron. Ky është momenti për të folur hapur dhe për të kujtuar se komunikimi i qartë ka rëndësi. Heshtja nuk do të ndihmojë që dëshirat apo nevojat e tua të bëhen realitet. Nëse diçka duhet thënë, thuaje tani. Mund të kesh mundësinë të shprehësh kufijtë ose dëshirat e tua pa ndjerë faj, dhe kjo do të të ndihmojë të ndihesh më i qetë me vendin ku qëndron. Ji i sinqertë dhe i qartë në fjalët e tua, por qëndro i qetë dhe i mirë.

Ujori (22 Janar – 19 Shkurt)

Vëri re modelet që përsëriten në jetën tënde dhe pyete veten pse. Nesër të jep ndërgjegjësimin për t’i ndryshuar. Nuk ke pse të kalosh të njëjtin cikël sërish. Ky është një moment i mirë për të lënë zakonet që nuk të ndihmojnë më. Provo të bësh diçka ndryshe, edhe nëse nuk do ndihesh rehat në fillim. Një ndryshim i vogël në mënyrën se si reagon mund të thyejë një model të vjetër. Ndërgjegjësimi është çelësi i lirisë.

Peshqit (20 Shkurt – 20 Mars)

Mbaje mend, edhe nëse e djeshmja duket afër, ti nuk je i njëjti person që ishe muajin e kaluar apo javën e kaluar. Ke ndryshuar, dhe kjo është gjë e mirë. Lejo që ky ndryshim të udhëheqë zakonet, zgjedhjet dhe njerëzit që mban rreth vetes. Bëje këtë pa ndjerë faj. Nëse ndihesh pak i larguar ose emocional, mund të jetë shenjë që diçka në jetën tënde duhet të përshtatet më mirë me atë që je tani. Kështu ndodh rritja.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Horoskopi 24 dhjetor, parashikimi i yjeve për shenjën tuaj appeared first on Sinjali.

Rrëmbehen 28 udhëtarë myslimanë nga persona të armatosur në Nigeri

23 December 2025 at 23:47

Një tjetër akt dhune ka tronditur Nigerinë qendrore. Persona të armatosur kanë rrëmbyer 28 udhëtarë myslimanë që po shkonin drejt një aktiviteti islamik vjetor në shtetin Plateau.

Sipas autoriteteve, autobusi ku ndodheshin viktimat, mes tyre gra dhe fëmijë, u zunë pritë të dielën në mbrëmje ndërsa udhëtonte mes fshatrave. Zëdhënësi i policisë, Alabo Alfred, tha se forcat e sigurisë janë dislokuar në zonën e prekur për të shpëtuar të rrëmbyerit.

Një gazetar nga Plateau raportoi se familjet e viktimave kanë filluar të marrin kërkesa për shpërblim. Policia nuk ka dhënë ende detaje mbi autorët e mundshëm. BBC shkruan se rrëmbimet për shpërblim nga bandat kriminale, të njohura si “banditë”, janë bërë fenomen i zakonshëm në veri dhe qendër të Nigerisë.

Ky incident vjen vetëm një ditë pas lirimit të 130 nxënësve dhe mësuesve të rrëmbyer muajin e kaluar në një shkollë katolike në shtetin Niger. Ndryshe nga kryengritja islamiste në verilindje të vendit, ku grupet xhihadiste po luftojnë shtetin prej më shumë se një dekade, rrëmbimi në Plateau lidhet me bandat kriminale që veprojnë për përfitime financiare.

Pasiguria në Nigeri ka tërhequr vëmendjen e re ndërkombëtare, sidomos pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump në nëntor, i cili kërcënoi se do të dërgonte trupa në Nigeri duke pretenduar se të krishterët po shënjestroheshin. Qeveria federale e Nigerisë ka mohuar se komuniteti i krishterë po veçohet, duke pranuar megjithatë problemet e sigurisë.

Ministri i Informacionit, Mohammed Idris, deklaroi të hënën se tensionet me SHBA-të mbi pasigurinë dhe pretendimet për persekutimin e të krishterëve janë “kryesisht të zgjidhura”, duke sjellë marrëdhënie më të forta me Washington-in. Ai shtoi se roje pyjesh të trajnuar dhe të pajisur do të dislokohen për të siguruar zonat e largëta të përdorura si strehime nga grupet kriminale, në mbështetje të operacioneve të ushtrisë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Rrëmbehen 28 udhëtarë myslimanë nga persona të armatosur në Nigeri appeared first on Sinjali.

❌
❌