Sot seanca ndaj tre të akuzuarve për sulmin në kanalin Ibër Lepenc
Sot do të mbahet seanca fillestare për tre të akuzuarit në rastin e sulmit në kanalin Ibër Lepenc në Zubin Potok, ndaj vëllezërve Dragisha e Jovan Viqentijeviq si dhe ndaj Igor Dimoviq.
Seanca mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në ora 09:30.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj vëllezërve Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe ndaj Igor Dimoviq, të cilët ngarkohen për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50, në fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, kanë vendosur eksploziv në pjesën e kanalit të “Ibër Lepenc”, infrastrukturë publike e cila shërben për furnizimin me ujë të pijshëm dhe nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për prodhim të energjisë elektrike.
Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshje paraprake, me qëllim të frikësimit serioz të popullsisë së vendit dhe rrezikimit të rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës se Kosovës, e kanë vendosur një sasi të konsiderueshme të eksplozivit që shërben për përdorim ushtarak, (rreth 20 kilogram te llojit Trinitrotoluene “TNI”) në brendësi të kanalit.
Këtë, sipas PSRK-së e kanë bërë përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, duke e pozicionuar në atë mënyrë që të shkaktojë dëmtim serioz të infrastrukturës kritike të furnizimit me ujë dhe me energji elektrike, ku me atë rast të pandehurit përmes ndezjes së një fitili zjarr-përcjellës me ndezje të ngadalshme e kanë aktivizuar lëndën shpërthyese duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm që si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit e kanalit të “Ibër Lepenc”.
E kjo, në aktakuzë thuhet se kishte shkaktuar ndërprerje furnizimi me ujë të pijshëm për qytetarët e disa komunave veriore dhe qendrore te Kosovës, është penguar furnizimi me ujë për KEK-un, si dhe kanë rrezikuar edhe prodhimin e energjisë elektrike në nivel vendi.
Me këto veprime, sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë shkaktuar një rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e popullsisë dhe dëmtimin e infrastrukturës kritike të shtetit, ku në këtë rast të dëmtuarës- Ibër Lepencit i janë shkaktuar dëme materiale në vlerë prej 376 mijë e 774 euro e 70 centë. /Telegrafi/
