Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 10 January 2026Main stream

Dy aksidentet e para disa dite, vdesin në spital dy persona

10 January 2026 at 09:51


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se si pasojë e lëndimeve të marra në dy aksidente (raste të ndara) të para disa dite kanë ndërruar jetë në spital dy persona.

Njëri aksident kishte ndodhur në rrugën “Sokol Sopi” në Prishtinë, më 30 dhjetor 2025, ndërkaq aksidenti tjetër kishte ndodhur në fshatin Slivovë të Prishtinës, më 3 janar.

Raporti i policisë:

Rr. Sokol Sopi, Prishtinë 30.12.2025 – 16:45. Më 09.01.2026 është raportuar se viktima mashkull kosovar, gjersa ishte në tretman mjekësor, si pasojë e lëndimeve të marra në aksident ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion.

Fsh. Slivovë, Prishtinë 03.01.2026 – 14:33. Lidhur me rastin është raportuar se viktima femër kosovare, e cila ka qenë duke u trajtuar në QKUK, më 10.01.2026 ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. /Telegrafi/

Prania e madhe e ujit në rrugë, në një segment të rrugës nacionale Ferizaj–Prishtinë ndalohet qarkullimi i automjeteve

10 January 2026 at 09:29


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se për shkak të sasisë së madhe të ujit në rrugën nacionale Ferizaj–Prishtinë, konkretisht në segmentin që kalon nëpër fshatin Llapnasellë, segmenti nga rrethi i “Prishtina Mall” në drejtim të Prishtinës dhe segmenti nga rrethi i “Marigona” në drejtim të Ferizajt është bllokuar plotësisht qarkullimi i automjeteve në këtë segment rrugor për një kohë të caktuar.

Policia njofton se qarkullimi i automjeteve do të devijohet dhe orientohet përmes autostradës.

“Për shkak të sasisë së madhe të ujit në rrugën nacionale Ferizaj–Prishtinë, konkretisht në segmentin që kalon nëpër fshatin Llapnasellë, segmenti nga rrethi i ‘Prishtina Mall’ në drejtim të Prishtinës dhe segmenti nga rrethi i ‘Marigona’ në drejtim të Ferizajt, në koordinim me zyrtarë nga Ministria e Infrastrukturës dhe kompaninë përgjegjëse për mirëmbajtje të rrugës, është marrë vendim që të bllokohet plotësisht qarkullimi i automjeteve në këtë segment rrugor për një kohë të caktuar”, thuhet në njoftim.

Policia thekson tutje se ky veprim është ndërmarrë si masë e domosdoshme për mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve dhe parandalimin e rrezikut në trafik. /Telegrafi/

Makina bie në përrua në Klos, drejtuesi i mjetit nuk gjendet

10 January 2026 at 09:04


Një automjet ka rënë në një përrua në qytetin e Klosit, në orët e para të së shtunës. Mjeti është konstatuar nga banorët e zonës, por në vendngjarje nuk është gjetur asnjë person.

Paraprakisht dyshohet se drejtuesi i mjetit mund të jetë marrë nga rrjedha e ujit. Sipas informacioneve të para, shoferi dyshohet të jetë një 30-vjeçar me inicialet J.K, raporton euronews.al.

Në vendin e ngjarjes ndodhen forcat e Policisë, si dhe banorë të zonës, të cilët po ndihmojnë në kërkimet për gjetjen e drejtuesit të mjetit.

Operacioni i kërkimit vijon, ndërsa priten informacione të mëtejshme nga autoritetet.

Sulm fizik ndaj zyrtarëve policorë në Ferizaj, dy policë dhe i dyshuari marrin tretman mjekësor

10 January 2026 at 08:50


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një person është arrestuar pasi i njëjti ka ofenduar, kanosur dhe sulmuar fizikisht zyrtarët policorë.

Rasti ka ndodhur në Stacionin policor në Ferizaj, të premten në ora 15:40.

“Stacioni Policor Ferizaj 09.01.2026 – 15:40. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti i ka ofenduar, kanosur dhe sulmuar fizikisht zyrtarët policorë”, thuhet në raport.

Si pasojë lëndime trupore kanë pësuar dy zyrtarë policorë dhe i dyshuari të cilët kanë pranuar tretman mjekësor.

Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/

Dy të lënduar në Sllapuzhan të Suharekës, u therën me thikë nga një person

10 January 2026 at 08:39


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se dy persona kanë pësuar lëndime të lehta trupore pasi të njëjtit ishin ther me thikë nga një person.

Rasti ka ndodhur në fshatin Sllapuzhan, Suharekë, të premten në ora 03:20.

“Lëndime të lehta trupore kanë pësuar dy viktimat meshkuj kosovarë, pasi të njëjtit ishin therë me thikë nga i dyshuari mashkull kosovar”, thuhet në raport.

Viktimat janë dërguar në tretman mjekësor, ndërkaq i dyshuari gjendet në arrati. /Telegrafi/

Mot me shi në Shqipëri

10 January 2026 at 08:32


Shqipëria të shtunën do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, gjersa moti parashikohet me vranësira mesatare e të dendura.



Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se do të ketë reshje shiu të herëpashershme me intensitet mesatar në formën e shtrëngatave në pjesën më të madhe të vendit që në orët e para të 24-orëshit.

Në zonën e veriperëndimit dhe jugperëndimit reshjet parashikohen me intensitet hera-herës deri të lartë.

Gjatë ditës reshjet e shiut priten të jenë prezentë me intensitet mesatar në pjesën më të madhe të territorit dhe në mënyrë të izoluar shtrëngata afatshkurtra shoqëruar me shkarkesa elektrike.

Në zonën e Alpeve reshje bore në formën e stuhive të dëborës, në veri-verilindje në lartësitë mbi 100 metër dhe jug-juglindje në lartësinë mbi 200-300 metër reshje dëbore me intensitet deri mesatar.

Në pjesën tjetër të vendit në orët e pasdites reshje bore me intensitet të ulët (flokë bore). Mjegull e dendur/mjegullinë dhe shikim i reduktuar për shkak të reshjeve të shiut dhe dëborës.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim – jugperëndim me shpejtësi mesatare 8 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore era pritet të fitoi shpejtësi deri në 24 m/s.

Deti - Valëzimi forcës 4-6 ballë. /Telegrafi/

E shtuna me shi, e diela me ngrica – java e ardhshme më ftohtë

10 January 2026 at 08:11



Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se fundjava në Kosovë parashikohet të jetë kryesisht vranët, shoqëruar me reshje shiu dhe bore.

IHK për të shtunën njofton se fillimisht do të ketë shi, ndërkaq me rënien e temperaturave, do të shndërrohen në reshje bore, veçanërisht në zonat më të larta.

Ndërkaq, të dielën të dy vlerat ekstreme të temperaturave mbeten në vlera negative.

IHK bën apel për kujdes gjatë qarkullimit nëpër rrugë, pasi ngricat janë evidente gjatë gjithë kohës.

Temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet -6 dhe -1°C ndërsa temperaturat maksimale të ditës ndërmjet: 0 deri 5°C

Do të fryjë erë kryesisht nga juglindja dhe veriperëndimi, me shpejtësi prej 1 deri në 12 m/s.

Si pasojë e reshjeve, u bëhet apel komunave dhe agjencive përgjegjëse që të jenë vigjilente, veçanërisht në zonat me infrastrukturë të dobët dhe në vendbanimet përreth rrjedhave lumore, pasi lokalisht mund të paraqiten vështirësi në qarkullimin normal të ujërave dhe në komunikacion

Java e ardhshme pritet të jetë më e ftohtë, me rënie të mëtejshme të temperaturave dhe paraqitje të acarit. /Telegrafi/

Yesterday — 9 January 2026Main stream

Marrëveshja me Danimarkën, Dibrani: Të burgosurit e parë pritet të vijnë në Kosovë më 2027

9 January 2026 at 14:34


Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani thotë se në vjeshtën e vitit 2027 do të pranohen të burgosurit e parë nga shteti danez.

Ai njofton se ka filluar trajnimi i grupit të parë të stafit me rregulla të sistemit të burgjeve në Danimarkë. Në intervistën për KosovaPress, ai thekson se nuk kanë interes për marrëveshje me shtete të tjera për transferimin e të burgosurve në Kosovë.

Ai gjithashtu flet për rastet e parandalimit të kontrabandës brenda burgjeve, por edhe përfshirjen e zyrtarëve korrektues në këto raste.

Në këtë intervistë, drejtori Ismail Dibrani thekson se drejtor i burgut në Gjilan do të jetë Rasim Selmani, po ashtu njofton se është zgjedhur edhe guvernatori nga shteti danez.

“Është vjeshta e vitit 2027 kur do të pranohen të burgosurit e parë nga shteti danez. Kështu që atje janë duke bashkëpunuar ngushtë grupet teknike të dy shteteve, sepse janë të themeluara dy komitete drejtuese nga shteti i Kosovës dhe shteti i Danimarkës, të cilët janë duke hartuar planet se si do të funksionojë ky burg. Ka filluar trajnimi i stafit, sepse ju e dini që atje do të respektohet rendi shtëpiak danez, ka filluar trajnimi i grupit të parë... Shumica e stafit që do të punojnë në këtë burg do të trajnohet në Danimarkë sipas rregullave dhe sistemit danez të burgjeve. Përveç aspektit të përfitimit të praktikave më të mira të sistemit danez, ne do të kemi mundësi që këto praktika t’i implementojmë edhe në burgje të tjera, ato praktika që janë edhe në përputhje me legjislacionin tonë”, deklaron ai.

Dibrani thotë se në këtë burg nuk do të vendosen të burgosur me rrezikshmëri shumë të lartë, persona të dënuar për terrorizëm apo të burgosur me probleme të rënda të shëndetit mendor.

KosovaPress mëson edhe Belgjika, Franca dhe Britania e Madhe kanë bërë kërkesë për marrëveshje për transferimin e të burgosurve në Kosovë.

Megjithatë, Dibrani shpreh kundërshtinë e tij, duke thënë se “nuk do të ishte e rrugës që në këtë situatë ta ngarkojmë vetën”.

“Si Shërbim Korrektues nuk kemi interes që të lidhim marrëveshje të tjera për shumë arsye. Po, ka pasur shumë kërkesa prej shumë shteteve të Bashkimit Evropian, por që rekomandimi i Shërbimit Korrektues të Kosovës do të jetë jo marrëveshje të reja sepse kemi mjaft punë për të bërë me këto institucione, me këta të burgosur që kemi të shtetasve tanë. Dhe nuk do të ishte e rrugës që në këtë situatë ta ngarkojmë vetën edhe me të burgosur të shteteve të tjera”, shton ai.

Buxheti i vitit të ardhshëm parasheh rreth tetë milionë euro për investime kapitale për Shërbim Korrektues të Kosovës.

Drejtori i ShKK-së, Ismail Dibrani thotë se kanë planifikuar ndërtimin e burgut të Lipjanit dhe Qendrës Korrektuese në Prizren.

“Planifikohet ndërtimi i burgut të Lipjanit, Qendrës Korrektuese për gram por që është projekt tre vjeçar. Ndërtimi i Qendrës së Paraburgimit dhe Qendrës Korrektuese në Prizren, për momentin është vetëm Qendër e Paraburgimit, por atje është planifikuar që të ndërtohet edhe një qendër por që do të jetë me disa nivele ku atje do të kenë mundësi vendosen edhe të burgosurit që kanë dënim të plotfuqishëm, kjo për të lehtësuar edhe lëvizjet e familjarëve nga Dragashi, Prizreni, Gjakova, Rahoveci dhe komuna të tjera”, tregon Dibrani në intervistën për KosovaPress.

Në anën tjetër, Dibrani bën të ditur se gjatë tri viteve të fundit janë regjistruar mbi 600 raste të parandalimit të kontrabandës brenda institucioneve korrektuese.

“Kemi pasur numër më të vogël të kontrabandës që kemi hasur brenda institucioneve korrektuese dhe kemi pasur rritje të numrit të parandalimeve. Vetëm në tri vitet e fundit kemi mbi 600 raste të parandalimit të kontrabandës krahasuar me vitet tjera, në periudhën e njëjtë ku kemi pasur 100 raste të parandalimit të kontrabandës. Natyrisht rezultat dhe sukses i jashtëzakonshëm ka qenë edhe mbështetja e madhe që kemi pasur edhe qeveria.

Siç e dini është themeluar edhe institucioni pëe trajtimin e personave me nevoja të veçanta, me mbështetjen e qeverisë, Ambasadës Amerikane, partner kryesor strategjik gjatë kësaj periudhe kemi pasur EULEX-in, Këshillin e Evropës, OSBE-n që na kanë ndihmuar në shumë trajnime, hartimin e legjislacionit sekondar dhe në ngritjen profesionale të stafit, sepse organizohen me dhjetëra punëtori apo pjesëmarrës janë me qindra zyrtarë të cilët ju kanë nënshtruar këtyre trajnimeve”, thotë ai.

Të burgosurit përdorin metoda të ndryshme për futjen e kontrabandës, përfshirë përmes familjarëve, trupit, ushqimit, por edhe mjeteve më të sofistikuara si dronët.

Në disa raste ndihmohen edhe nga zyrtarë korrektues, por sipas Dibranit këto raste janë në ulje.

“Fatmirësisht viteve të fundit ky numër ka ardhur duke u zvogëluar edhe si rezultat i masave, kemi pasur raste kur edhe mbikëqyrësit e lartë, por edhe oficerë, jo në numër të madh janë arrestuar, janë edhe sot në vuajtje të dënimit por ka raste që edhe janë në procedura. Por, fati i mirë që ky numër ka ardhur në vazhdimësi duke u zvogëluar dhe numri më i madh tash ju e dini që ka shumë metoda. Kemi problemin e dronëve, metoda më të sofistikuara përmes të cilave të burgosurit tentojnë të fusin kontrabandën brenda. Po ashtu, edhe kur nga jashtë tentojnë të hedhin kontrabandë brenda mureve, ku ata pastaj gjatë aktiviteteve arrijnë t’i fusin edhe brenda.

Por, natyrisht janë shumë mënyra dhe metoda ku të burgosurit arrijnë dhe gjejnë rrugë edhe në burgjet me sigurinë më të lartë në botë ka kontrabandë. Por neve jemi duke bërë përpjekje maksimale që kjo dukuri të zvogëlohet. Jemi në konsultim edhe me institucionet tjera të sigurisë që të sigurojmë edhe anti-dron por edhe pajisje të tjera të penguesve të valëve, të cilët na i mundësojnë shumë më lehtë që siguria në institucionet tona të ngritet edhe më tepër”, shprehet Dibrani.

Shërbimi Korrektues i Kosovës gjatë vitit të kaluar është vlerësuar me Çmimin Ndërkombëtar të Ekselencës nga Organizata Ndërkombëtare e Burgjeve dhe Shërbimeve Korrektuese (ICPA), për projektin “Rehabilitimi Gjithëpërfshirës dhe Kujdesi Shëndetësor”.

Dibrani thotë se të burgosurit po përfshihen në programe rehabilituese, të cilat ndikojnë risocializimin e tyre.

“Kemi fituar çmimin e ekselencës ndërkombëtare që radhitemi në vendin e parë, krahas Singaporit, krahas Kanadasë, krahas Finlandës, në trajtimin shëndetësor dhe në reformën e programeve rehabilituese. Kemi arritur rekorde sa i përket programeve rehabilituese sepse vetëm vitin që po e përfundojmë tani [viti 2025], kemi arritur të nënshkruajmë me dhjetëra marrëveshje të bashkëpunimit me shumë organizata vendore dhe ndërkombëtare dhe si rezultat i kësaj është rritur edhe numri i pjesëmarrjes së të burgosurve në këto programe rehabilituese.

Vetëm gjatë këtij viti [viti 2025] kemi afër 600 persona që janë të përfshirë në programe rehabilituese, për herë të parë kemi listë të pritjeve, ku të burgosurit janë në pritje për të marrë pjesë në programe rehabilituese”, përfundon ai.

Në gjitha qendrat korrektuese në Kosovë janë mbi 1750 të burgosur, prej tyre janë 1100 të dënuar dhe 600 të paraburgosur. Ndërkaq, kapaciteti në të gjitha burgjet e Kosovës është 2200 shtretër. /KP/

Vdes Ali Sadriu, ish-ministër i Financave

9 January 2026 at 14:22


Ka ndërruar jetë ish-ministri i Financave, Ali Sadriu në moshën 75 vjeçare.

Lajmin për ndarjen nga jeta të ish-ministrit Sadriu e kanë bërë të ditur familjarët e tij.

Ali Sadriu ishte nga fshati Davidovc, komuna e Shtimes. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme në Ferizaj. Studimet universitare i përfundoi në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë.

Ali Sadriu ishte gjithashtu iniciator, bashkëthemelues dhe aktivist i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Shtime, që nga themelimi gjatë viteve 1989–2000.

Ai ishte deputet i Kuvendit të Kosovës në disa legjislatura si dhe ministër në Qeverinë e parë të pasluftës, në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave (2002–2004). /Telegrafi/

Durrësi i përmbytur “skenë krimi”!

9 January 2026 at 14:07


Një pikë loti i shkon ndër mjekër për t’i rënë në ujin e ndotur që përplaset valë-valë në katin e parë të shtëpisë së saj. “E zeza unë. Më iku mundi, djersa familjes. Në atë shtëpi kam edhe jetën e burrit që më vdiq në Greqi duke punuar. Erdhi e më mori uji gjithçka. E zeza unë, e mjera unë”, përsërit nën traumën e dukshme, Lumie Muçaj, gruaja 57-vjeçare që jeton prej 26 vitesh në zonën e ish-kënetës në Durrës.

“Përmbytja nuk na erdhi nga Zoti, por nga shteti, unë jam Socialiste”, ndërhyn nga ballkoni i katit të dytë një e moshuar, që pas çdo fjalie ankese ripërsërit se socialiste është dhe se tani “shteti të vendosi dorën në zemër”, shkruan Faktoje.al

Mbi 840 familje në zonën e ish-kënetës janë nën ujë, me dëme të mëdha kryesisht në elektroshtëpiake, pasi vërshimi i ujërave të ndotur (ujërat e shiut të bashkuara me ujërat e zeza dhe mbetje nafte) ndodhi në harkun kohor 15-20 minuta, duke mos u lënë mundësi që të lëviznin orendi dhe pajisjet e tjera. Nga Porto-Romano, deri në thellësi të qytetit të Durrësit përmbytjet janë katastrofike.

Pyetja që kërkon përgjigje më shumë se nga ekspertë duhet të vijë nga Prokuroria e Durrësit, e cila po diskuton hapjen e hetimeve kryesisht për akuzën: “shkatërrim i pronës me pasoja të rënda; dhe shpërdorim detyre”. Kjo nisur edhe nga fakti se në duar ka një rast të rëndë për t’i dhënë përgjigje. Një 54-vjeçar punonjës i ndërmarrjes komunale Plazh Durrës, u gjet i mbytur nga polumbarët në një kanal kullues pranë zonës së Plepave.

Hidrovor mbi kuota

Ankesa kudo, bashkë me pikëpyetjen nga erdhi kjo fatkeqësi, nga Zoti, natyra të cilët Durrësin e përmbytën nga padija apo interesat e vogla të treshes; pushtet qendror-pushtet lokal-biznes?!. “Mbyllja e hidrovorit të vjetër dhe spostimi i hidrovorit të ri në një kuotë më të lartë kanë sjellë këtë pasojë katastrofike”-thotë për Faktoje.al, inxhnieri hidro dhe i porteve, Tomor Spahiu.

Dalja jashtë funksionit e hidovorit të vjetër u bë për t’i hapur rrugë ndërtimit të portit të ri tregtar, që sot shërben kryesisht për çisternat e naftës. Për ekspertin Spahiu, por edhe shumë studiues të tjerë, kjo solli pasojën katastrofike që po kalon Durrësi sot, por me gjasë do e përjetojë në çdo kohë. “Spostimi i hidrivorit u bë për t’i krijuar fasilitet Kastratit”, thekson Spahiu.

Historiku i hidrovorit të vjetër

Durrësi është një zonë që preket nga përmbytjet dhe jo pa qëllim që nga viti 1928 funksiononin dy kanale të mëdha kulluese. I pari shtrihej nga Vila e Zogut deri në Porto Romano, ndërsa i dyti nga Shën Avlashi deri në Plepa. “Të dyja këto kanale janë bllokuar. Nuk di me çfarë logjike, me çfarë ekspertize e me çfarë qëllimi ka ndodhur kjo situatë”, thotë inxhinier Spahiu. Sipas tij, studimet e mëparshme inxhinierike ishin të sakta dhe efikase, fillimisht nga austriakët ndërmjet luftës së Parë Botërore, më pas nga italianët, sistemi komunist dhe vijuar deri katër vite më parë. “Durrësi nuk duhej të përmbytej. Përveç dy kanaleve kryesore që u bllokuan një tjetër arsye madhore e përmbytjeve është spostimi i hidrovorit”, sugjeron Spahiu. Hidrovori i vjetër ishte në kuotën më të ulët të Durrësit dhe tërhiqte të gjithë sasinë ujore, por tre vite më parë hapësira e hidrovorit i kaloi kompanisë Kastrati që do të niste aty ndërtimin e portit të ri tregtar, i cili sot shërben kryesisht për ankorimin dhe më pas shkarkimin e cisternave të naftës dhe nënprodukteve të saj.

Hidrovori i ri është gati jo funksional

Pasi dhanë për zhvillim portual hapësirën e hidrovorit të vjetër, në nëntor 2021, Bashkia Durrës hapi garën për ndërtimin e hidrovorit të ri. Me fondin 20.5 milionë euro tre kompani, bashkim operatorësh, morën përsipër ndërtimin e kësaj vepre, por vendi ku do ngrihej edhe sot sjell çudi, sidomos në aspektin inxhinierik. “Hidrovori i ri është bërë në kuotë të lartë, është pothuajse jo funksional”, thekson eksperti Spahiu. Gazetari Geri Emiri, drejtues i medias Afora dhe banor i Durrësit, tha për Faktoje.al se investimet për hidrovorin e ri, apo devijimi i kanaleve kulluese solli përkeqësim të situatës së përmbytjeve.

“Investimet kanë sjellë devijime të kanaleve ekzistuese që megjithëse ishin ndërtuar për ujërat e shiut nga kodrat dhe tokat bujqësore, shërbejnë edhe si “kanalizime të hapura” për ujërat e përdorura të zonave periferike të qytetit”, thotë Emiri.

Investimet kanë sjellë devijime të kanaleve ekzistuese që megjithëse ishin ndërtuar për ujërat e shiut nga kodrat dhe tokat bujqësore, shërbejnë edhe si "kanalizime të hapura" për ujërat e përdorura të zonave periferike të qytetit”

Më tej shton se: “Ndërtimi nga qeveria shqiptare dhe vendosja në funksion e një hidrovori të ri po në zonën e Porto-Romanos, nuk ka sjellë përmirësime të dukshme në përballimin e përmbytjeve në qytet, përkundrazi që prej vitit 2025 ato po vijnë dhe po zgjerohen në hartën e zonave që prekin”. “Në disa hulumtime në Median Amfora ne kemi dokumentuar sesi Ujësjellësi i Durrësit që prej vitit 2013 ka marrë mbi 150 milion euro kredi për të investuar në rrjetin e ujësjellësit dhe të kanalizimeve, por dukshëm nuk ka arritur që ta përmirësojë situatën në terren”, thotë Emiri.

Pasoja

Si për ironi, rruga “Shën Asti” (kleriku i parë martir, i kryqëzuar nga Romakët në vitin 78 pas krishtit, në Durrës), është aq e përmbytur sa pasojat notojnë kudo. Uji i shiut, përzier frikshëm me ujëra të zeza dhe naftë, ka nxjerrë në sipërfaqe shapka fëmijësh dhe lodrat e tyre, si shenjë domethënëse se përveç pasojave ekonomike, përhapja e infeksioneve të ndryshme nuk do jetë në kohë të largët.

“Ka pasur përmbytje edhe më parë por kurrë si tani. Kam 30 vite këtu dhe nuk ka pasur përmbytje të tillë. Nuk ka mbetur më asgjë. Kanë dalë jashtë përdorimit gjithë mobiliet, lavatriçe, frigorifer, sobë, kuzhina e gjitha është dëmtuar. Bleva dhe divane të reja para vitit të ri, tani nuk përdoren më. Katastrofë”, shprehet me dhimbje Albin Muçaj me origjinë nga Kukësi, i ardhur që në vitin 1996 në Durrës, teksa përsërit “shi ka rënë gjithnjë, edhe më shumë se këto dy ditë dhe nuk jemi përmbytur kështu”.

Ndodhemi në rastet kur nuk ka nevojë të trokasësh në dyert e lagura, pasi banorët të kërkojnë secili për hesap të tij për të treguar me ngulm dëmet. Halli është i përbashkët. Arsyeja që dëmet janë vërtetë shumë të mëdha lidhet me shpejtësinë e përmbytjes ku brenda 20 minutash uji kapërceu mbi 60 centimetra në të gjithë katet e para.

“Kam dëme shtëpie komplet. Dhjetë mijë euro mobilie më janë shkatërruar. Makina iku, shtëpia iku, kush do mi shpërblejë mua këta? U përmbytëm se bashkia hapi rezervuarin që të mos përmbytej një lokal dhe ujin e hodhi nga banesat. Po ashtu mbyllën edhe hidrovorin e vjetër”, flet plot acarim Altin Priftit, ndërsa këmbëzbathur vërtitet sa në oborrin e shtëpisë aq edhe buzë rrugës duke kërkuar me ngul: “të vijnë atë të bashkisë, ku janë”?. Në një nga daljet e fundit, kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako dhe Ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu ia faturuan problemin reshjeve të dendura të shiut.

Qyteti nën ujë

Në çdo rrugicë që futesh përballesh me të njëjtat probleme. Vetëm ata banesa që kanë qenë të ngritura të paktën 2 metra nga toka kanë pësuar më pak përmbytje, nga ish-këneta, deri në afërsi të Burgut të Durrësit, përmbytja vijon për të tretën ditë radhazi, ndërsa qyteti i Durrësit njohu një përmirësim të vogël të mërkurën, por prania e ujit edhe në zonën më të ngjeshur urbane vijon të jetë problem. “Kam shumë dëme në shtëpi, se e kam në kat të parë. Makinat janë dëmtuar dhe nuk e merr me mend se çfarë dëmesh na ka shkaktuar kjo përmbytje”, thotë një qytetar pranë zonës së Stadiumit të Durrësit.

“Kam të shkatërruar gjithë dhomën e gjumit të djalit me lavatriçe, frigorifer, televizor dhe çdo gjë. Jemi në katastrofë të madhe. Nuk kemi as ujë të pijshëm”, thotë për Faktoje, Bektash Shahini, një tjetër banor i Durrësit. Dëmtime të shumta janë kryesisht në automjete dhe bizneset e kateve të para, ndërsa ish-këneta ndodhet në situatë katastrofike. Hidrovori nuk ka punuar deri në orën 12 dhe këtë e dinë të gjithë. Kjo përmbytje është bërë me nxjerrë jashtë komunitetin nga këtu dhe me e bërë si 5 Majin në Tiranë, apo komunitete të tjera. As bashkia, as qeveria, as emergjanca nuk kanë ardhur. Zoti vuftë dorë mbi ne, se për shtet kemi mbaruar”, thotë për Faktoje, Mark Ndrea.

Zgjidhja pa zgjidhje

Për inxhinierin e njohur Tomor Spahiu zona e ish-kënetës, por edhe e gjithë pjesa urbane e Durrësit do kalojë katastrofë pas katastrofe edhe në vijim. “Duhet të rikthejnë në funksion hidrovorin e parë. Ai e mbante gjithë Durrësin. Po ashtu emergjente është hapja e dy kanaleve kryesore kulluese. Mënyra sesi është ndërtuar hidrovori i ri nuk vlen. Situata është shumë e rëndë, flas edhe si ekspert por edhe si banor i këtij qyteti”, thotë Spahiu, ndërsa e mbyll: “Ai që po e paguan është populli”.

“Ai që po e paguan është populli”

Prokuroria Durrësit pritet syrtarisht të dalë me njoftim për hapje të hetimeve, ndërsa situata vijon të jetë mjaft e rëndë, pavarësisht angazhimit të strukturave lokale dhe disa mjeteve të ushtrisë.

Gjenden mbetje eshtërore që dyshohet se u përkasin personave të zhdukur gjatë luftës

9 January 2026 at 13:42


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë gjetur mbetje eshtërore që dyshohet se u përkasin personave të zhdukur gjatë luftës.

Në raportin policor thuhet se mbetjet eshtërore janë tërhequr nga IML për ekzaminime të mëtutjeshme mjeko-ligjore.

“Gjakovë / 1998-1999. Ekipet policore në koordinim me IML-në dhe njësitet tjera kompetente kanë hasur në mbetje eshtërore, të cilat dyshohet se i përkasin së paku një individi-personi, që figuron në listën e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë 1998-1999”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Sindikata e Policisë: Familjet e policëve të rënë në detyrë kanë mbetur pa pagesë për muajin dhjetor

9 January 2026 at 12:08


Sindikata e Policisë së Kosovës ka shprehur shqetësimin lidhur me siç thonë mos-pagesën e familjeve të policëve të rënë gjatë kryerjes së detyrës për muajin dhjetor.

Në reagim thuhet se përkundër që Drejtoria e Financave ka bërë kërkesa zyrtare për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 290,000 euro, deri më tani këto mjete nuk janë ekzekutuar nga Ministria e Financave.

“Si pasojë, familjet e policëve të rënë në detyrë, të cilët janë një kategori e shenjtë dhe e respektuar për vendin tonë, kanë mbetur pa pagesë edhe pas përmbylljes së vitit.

Kjo situatë është e papranueshme dhe e dhimbshme, duke marrë parasysh sakrificën sublime të këtyre familjeve, të cilat kanë dhënë bijtë dhe bijat e tyre për sigurinë e vendit tonë, ruajtjen e rendit publik dhe mbrojtjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sindikata e Policisë së Kosovës u bën thirrje institucioneve përgjegjëse, në veçanti Ministrisë së Financave, që sa më parë të gjejnë zgjidhje dhe të realizojnë pagesat e mbetura, në mënyrë që të mos cenohet dinjiteti dhe mirëqenia e këtyre familjeve.

“Sakrifica e policëve të rënë në detyrë nuk duhet dhe nuk guxon të harrohet”, thuhet tutje. /Telegrafi/

OEK: Zjarri në Comodita, humbje e madhe për ekonominë

9 January 2026 at 12:01


Oda Ekonomike e Kosovës ka shprehur keqardhjen e thellë për zjarrin që përfshiu një pjesë të objektit të kompanisë 'Comodita Home' në Gjakovë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

OEK thotë se ky incident përbën një humbje të madhe jo vetëm për kompaninë 'Comodita' dhe 'Devolli Corporation', por edhe për ekonominë e Gjakovës dhe të gjithë Republikës së Kosovës, duke marr parasysh rolin e rëndësishëm që ky grup ka në zhvillimin ekonomik, punësimin dhe kontributin fiskal në vend.

“Duke pasur parasysh se Devolli Group është ndër taksapaguesit më të mëdhenj në Kosovë dhe një nga shtyllat kryesore të sektorit privat, Oda Ekonomike e Kosovës i bën thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që të ofrojë mbështetje institucionale dhe financiare, në mënyrë që kjo kompani të rikuperohet sa më shpejt dhe të vazhdojë aktivitetin e saj afarist.

Oda Ekonomike e Kosovës qëndron pranë kompanisë Comodita dhe Devolli Group, duke shprehur mbështetje të plotë në përpjekjet për rikuperim dhe vazhdim të aktivitetit të tyre afarist. OEK është e bindur se kjo kompani do ta tejkalojë këtë situatë të vështirë dhe do të vazhdojë të kontribuojë fuqishëm në zhvillimin ekonomik të vendit”, thuhet në reagim.

OEK rithekson rëndësinë e mbrojtjes së bizneseve dhe infrastrukturës ekonomike si faktorë kyç për stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës. /Telegrafi/

Zgjedhjet e 28 dhjetorit, këta janë 120 deputetët e legjislaturës së re

9 January 2026 at 11:51


Tashmë ka përfunduar numërimi i pjesës së fundit të fletëvotimeve nga votimi me postë, jashtë Kosovës, duke shënuar kështu përfundimin e procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor, por sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët mund të parashtrojnë ndonjë ankesë në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje ka marr 51.11 për qind të votave dhe do të ketë 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK 20.19 për qind dhe do të ketë 22 ulëse, LDK 13.23 për qind (15 ulëse) dhe AAK 5.5 për qind (6 ulëse).

Partitë minoritare i kanë 20 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Më poshtë mund t’i gjeni emrat e 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të legjislaturës së 10-të.

Deputetët e LVV-së: ALBIN KURTI; GLAUK KONJUFCA; ALBULENA HAXHIU; HEKURAN MURATI; DONIKA GËRVALLA- SCHWARZ; XHELAL SVEÇLA; HAJRULLA ÇEKO; AVNI DEHARI; MIMOZA KUSARI LILA; EJUP MAQEDONCI; SHQIPE MEHMETI SELIMI; ANDIN HOTI; ARBEN VITIA; SARANDA BOGUJEVCI; EDONA LLALLOSHI; ALBAN BAJRAMI; MEFAIL BAJQINOVCI; NEZIR KRAKI; ARMEND MUJA.

RUFKI SUMA; ADRIANA MATOSHI; JETA STATOVCI; ARDIAN GOLA; HAXHI AVDYLI; ADELINA GRAINCA; BLERIM GASHI; ALBENA RESHITAJ; FATOS GECI; AGIM BAHTIRI; TAULANT KELMENDI; ARTANE RIZVANOLLI BERISHA; FITORE PACOLLI DALIPI; DIMAL BASHA; ARBËR REXHAJ; LABINOTË DEMI MURTEZI; ARBËRESHË KRYEZIU HYSENI; ARTAN ABRASHI; ARJETA FEJZA; HYSEN DURMISHI; ARBËRIE NAGAVCI; ENVER HALITI; LIZA GASHI; VALON RAMADANI; ADNAN RRUSTEMI; JETON RAKA; FATMIRE KOLLÇAKU; ARSIM ADEMI; DRITA PAJAZITI; ROZETA HAJDARI; SALIH ZYBA; FITIM HAZIRI; FJOLLA UJKANI; ILIR KËRÇELI; SYLEJMAN MEHOLLI; VIGAN QORROLLI; VALON HOTI; NAIM BARDIQI.

Deputetët e PDK-së: BEDRI HAMZA; ARIAN TAHIRI; PËRPARIM GRUDA; URAN ISMAILI; SALA JASHARI; VLORA ÇITAKU; ENVER HOXHAJ; ARBEN MUSTAFA; NAIT HASANI; RRAHMAN RAMA; GANIMETE MUSLIU; EMAN RRAHMANI; KUJTIM GASHI; ELMI REÇICA; ARTAN BEHRAMI; XHAVIT HALITI; BESA KABASHI RAMAJ; MERGIM LUSHTAKU; FERAT SHALA; BLERTA DELIU KODRA; ARIANA MUSLIU SHOSHI; ARBNORE SALIHU.

Deputetët e LDK-së: LUMIR ABDIXHIKU; HYKMETE BAJRAMI; UKË RUGOVA; AVDULLAH HOTI; DOARSA KICA XHELILI; KUJTIM SHALA; ANTON QUNI; ARMEND ZEMAJ; LUTFI HAZIRI; JEHONA LUSHAKU SADRIU; JANINA YMERI; BESIAN MUSTAFA; ADELINA THAQI META; FADIL HADERGJONAJ; ERMAL SADIKU.

Deputetët e AAK-së: RAMUSH HARADINAJ; DAUT HARADINAJ; BESNIK TAHIRI; BEKË BERISHA; TIME KADRIJAJ; ALBANA BYTYQI.

Deputetët e Listës Serbe: SLAVKO SIMIQ, IGOR SIMIQ, LILJANA STEFANOVIQ, MILAN KOSTIQ, NEMANJA BISHEVAC, ZLATAN ELEK, MILJANA NIKOLIQ, SRDJAN POPOVIQ, VERICA ÇERANIQ.

Deputeti i Partisë “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”: NENAD RASHIQ.

Deputetët e komuniteteve tjera joserbe: FIKRIM DAMKA, FATMA TAQI, RASIM DEMIRI, EMILIJA REXHEPI, ELBERT KRASNIQI, DUDA BALJE, VETON BERISHA, ARTAN ASLLANI, ADEM HOXHA, ERXHAN GALUSHI. /Telegrafi/

AUV izolon 15 kilogramë djathë Mozzarela, i dyshuar për praninë e mundshme të aflatoksinës

9 January 2026 at 10:55


Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njofton opinionin se, në prani të zyrtarëve të AUV-së dhe të palës përkatëse, dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi, është realizuar izolimi i produktit djathë Mozzarella Bufalo në peshë prej 15 kilogramë, i prodhuar nga qumështi i buallicës me origjinë nga Italia, i dyshuar për praninë e mundshme të aflatoksinës M1.

Në njoftimin e AUV-it thuhet se ky produkt është prodhuar nga kompania Caseificio Coop "La Contadina" në Itali dhe importuar nga Premio SHPK, Sllatinë e Madhe dhe së shpejti do të fillojë procesi i asgjësimit të këtij produkti.

“Ky veprim ndërmerret me qëllim garantimin e sigurisë shëndetësore të konsumatorëve dhe për të siguruar respektimin e standardeve të cilësisë ushqimore.

Edhe pse Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë po ballafaqohet me një mungesë të inspektorëve, ajo mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe zinxhirit ushqimor. AUV-ja vazhdon të zbatojë masa parandaluese dhe kontrolluese për të garantuar që konsumatorët në Republikën e Kosovës të kenë në dispozicion ushqim të sigurt, të shëndetshëm”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Zjarri në fabrikën e Comodita-s, Sveçla: Dëme të konsiderueshme materiale, AME pritet të përcaktojë saktë shkakun

9 January 2026 at 10:47


Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla sot theksoi se gjatë ditëve të fundit vendi është ballafaquar me vërshime në disa komuna.

Sveçla në një postim në Facebook ka përmendur edhe zjarrin në fabrikën e dyshekëve të Comodita-s në Gjakovë, gjersa tha se falë angazhimit të zjarrfikësve nga gjashtë komuna shtesë, përveç atyre të Gjakovës, si dhe përkushtimit dhe angazhimit të tyre vetëmohues, zjarri u lokalizua.

Ai tha se Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave mbetet të përcaktojnë saktë shkakun e këtij zjarri, i cili shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale.

Lexoni të plotë postimin:

Gjatë ditëve të fundit, vendi ynë është ballafaquar me vërshime në disa komuna. Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave është mobilizuar me kapacitetet e saj maksimale për ta tejkaluar këtë situatë sa më shpejt dhe sa më lehtë.

Përveç vërshimeve, zjarrfikësit janë ballafaquar edhe me zjarre të përmasave të ndryshme. Një ndër to ishte edhe zjarri në fabrikën e dyshekëve në Gjakovë. Falë angazhimit të zjarrfikësve nga gjashtë komuna shtesë, përveç atyre të Gjakovës, si dhe përkushtimit dhe angazhimit të tyre vetëmohues, zjarri u lokalizua. Tashmë mbetet që ekipet profesionale të AME-së të përcaktojnë saktë shkakun e këtij zjarri, i cili shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale.

Shfrytëzoj rastin të falënderoj secilin pjesëtar të AME-së, secilin zjarrfikës dhe anëtar të ekipeve të kërkim-shpëtimit, secilin pjesëtar të FSK-së, institucionet lokale, si dhe secilin qytetar për angazhimin dhe solidaritetin e treguar këto ditë, në ndihmë të të prekurve dhe në minimizimin e dëmeve nga këto fatkeqësi. /Telegrafi/

Raportoi se ia grabitën çantën ku kishte 3 mijë euro, Policia heton rastin

9 January 2026 at 10:29


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një person ka raportuar se i është grabitur çanta me forcë.

Në raportin policor bëhet e ditur se rasti ka ndodhur në Prishtinë, të enjten në ora 20:00.

“Ankuesi mashkull kosovar ka informuar se persona të pa njohur nga vetura me forcë i kanë grabitur çantën e krahut”, thuhet në raport.

Sipas ankuesit, në çantë kishte 3000 euro, 180 dollarë dhe disa kartela telefonike.

Rasti është duke u hetuar nga ekipet relevante policore. /Telegrafi/

Dy shtetas të Shqipërisë ia kërkuan 40 mijë euro, Policia heton rastin e detyrimit në Prishtinë

9 January 2026 at 10:15


Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të detyrimit në Prishtinë.

Në raportin policor bëhet e ditur se rasti ka ndodhur më 4 janar në ora 18:30.

“Më 08.01.2026 ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se dy persona të dyshuar shtetas të Shqipërisë me datën e cekur kanë shkuar tek shtëpia e tij dhe i kanë kërkuar që brenda një afati kohor (deri me 11.01.2026) t’i dërgoj 40.000 € para të gatshme në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit”, thuhet në raport.

Rasti është duke u hetuar nga ekipet relevante policore. /Telegrafi/

Shtetasi i Kolumbisë sulmoi dy gra në Prishtinë me mjet të mprehtë

9 January 2026 at 10:03


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një shtetas të Kolumbisë, me dyshimin se i njëjti ka sulmuar fizikisht me një mjet të mprehtë dy viktimat femra kosovare.

Rasti ka ndodhur në Prishtinë, të enjten në ora 05:25.

“Është arrestuar i dyshuari shtetas i Kolumbisë, nën dyshimin se i njëjti ka sulmuar fizikisht me një mjet të mprehtë dy viktimat femra kosovare. Njësitet policore te i njëjti kanë gjetur dhe konfiskuar mjetin-thikën dhe 2.4 gramë substancë të dyshuar narkotike”, thuhet në raport.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/

Gjashtë deputetët e AAK-së në legjislaturën e re

9 January 2026 at 08:57


Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë gjithsej 5.50 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, që i bie 52,370 vota.

Nga ky rezultat, AAK do të ketë 6 deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Më poshtë mund ta shihni listën e deputetëve të AAK-së në legjislaturën e re:

RAMUSH HARADINAJ 43,997 Vota

DAUT HARADINAJ 26,610 Vota

BESNIK TAHIRI 26,423 Vota

BEKË BERISHA 19,789 Vota

TIME KADRIJAJ 16,927 Vota

ALBANA BYTYQI 9,830 Vota. /Telegrafi/

❌
❌