Diana Aliji nga Tetova fituese e çmimit prestigjioz në SHBA me aplikacionin e saj "Mama's feelings tracker"
Inxhinierja e IT-së, Diana Aliji, është e ftuara e radhës në emisionin "PodGo". Ajo është themeluese e një aplikacioni për nënat e reja dhe me fëmijë të vegjël, për të cilin ka fituar edhe një çmim prestigjioz në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Diana tregoi specifikat e aplikacionit "Mama's feelings tracker", për të cilin tha se i ka shkuar një vit i tërë për ta themeluar dhe se është konsultuar me psikologët më të mirë amerikan.
"Kam themeluar aplikacionin "Mama's feelings tracker", është aplikacion që e kam krijuar për gati një vit të tërë. Është një hapësirë ku nënat e reja, ose nënat me fëmijë të vegjël mund të gjejnë mbështetje emocionale. Në aplikacion nënat mund të shprehen lirshëm atë që ndjejnë dhe të mos gjykohen nga njerëzit e jashtëm. Në aplikacion kemi ushtrime mendore, artikuj, grafikone. Të gjitha këto janë bërë me konsultime me psikologë amerikan, që janë të specializuar për periudhën pas lindjeve të nënave. Aplikacioni ka një bazë të fortë shkencore. Ushtrimet mendore janë shumë të vlefshme, pra nënat për 10 minuta në ditë mund të ndihen më mirë", tha Diana.
Ajo më tutje tregoi se aplikacioni mund të shkarkohet në të gjithë vendet e botës dhe i njëjti është falas.
"Aplikacioni është live në mbarë botën. Në çdo shtet të botës mund të shkarkohet, është falas për t'u përdorur. Kemi edhe pjesë për pagesën, të cilat janë ushtrimet mendore për meditim, për relaksim të muskujve dhe grafika vizuale. Grafikut janë formula matematikore, ku mund të shohësh rrugëtimin e mëmësisë. Të shohin sa herë kanë ndjerë një emocion, cilët kanë qenë shkaktarët, e të tjera".
"Kam marrë çmimin 'Women in Tech Community Award'. Çmimi është ndarë nga Women Tech Network dhe ka pasur mbi 1650 kandidatë, të gjitha gra me produkte të mira. Nuk është çmim vetëm për mua, por është çmim për të gjithë komunitetin e grave dhe nënave", tha Diana.
E pyetëm për planet për të ardhmen, ajo tha se qëllimi i saj është që aplikacionin ta zhvillojë në më shumë gjuhë, ndërsa prioritet e ka gjuhën shqipe./Telegrafi/
