Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 31 December 2025Main stream

15:00 Rreth 4600 punonjës të policisë së burgjeve përfitojnë sigurimin e jetës dhe shëndetit për 3 vite, Klevis Qose: Jo dhuratë fundviti, por angazhim i vazhdueshëm

By: Kesjana
31 December 2025 at 15:00

Qeveria ka garantuar sigurim jete për 4595 punonjës të sistemit të burgjeve për një periudhë trevjeçare, duke ofruar mbrojtje shëndetësore dhe financiare si për punonjësit, ashtu edhe për familjet e tyre.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve theksoi se ky sigurim përfaqëson jo vetëm një dhuratë të fundvitit, por edhe një angazhim të vazhdueshëm për mirëqenien, sigurinë dhe dinjitetin e atyre që shërbejnë çdo ditë në një nga sistemet më sfiduese të vendit.

Çdo punonjës i siguruar pajiset me policë individuale sigurimi jete dhe shëndeti dhe kartë individuale të sigurimit.

Mbulimi i shpenzimeve mjekësore në raste aksidenti përfshin trajtim spitalor, ndërhyrje kirurgjikale/mikrokirurgjikale, medikamente të rekomanduara, vizita dhe ekzaminime, transport mjekësor të nevojshëm.

Procedurat e përfitimit janë me garanci paraprake: Punonjësi njofton kompaninë e sigurimit, e cila menjëherë dërgon garancinë e pagesës pranë klinikës ose spitalit ku kryhet shërbimi si dhe me rimbursim; Në rast se shërbimet merren jashtë rrjetit mjekësor, shpenzimet rimbursohen nga kompania e sigurimit menjëherë pas paraqitjes së dokumentacionit përkatës.

Drejtori i përgjithshme i Burgjeve, Klevis Qose shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin më të lartë për përkushtimin, profesionalizmin dhe sakrificën e përditshme të të gjithë punonjësve të Sistemit Penitenciar.
Postimi i plotë: 

Në prag të festave të fundvitit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin më të lartë për përkushtimin, profesionalizmin dhe sakrificën e përditshme të të gjithë punonjësve të Sistemit Penitenciar
Me këtë rast, Qeveria Shqiptare ka bërë të mundur garantimin e policave të sigurimit për 4,595 punonjës të sistemit të burgjeve për një periudhë trevjeçare
Një mbështetje e rëndësishme që ofron mbrojtje shëndetësore dhe financiare, duke garantuar siguri dhe qetësi për punonjësit dhe familjet e tyre.
Ky sigurim nuk është thjesht një dhuratë fundviti, por një angazhim i vazhdueshëm për mirëqenien, sigurinë dhe dinjitetin e atyre që shërbejnë çdo ditë në një nga sistemet më sfiduese të vendit .
Gëzuar festat e fundvitit!
Me urimet më të mira për shëndet, paqe dhe suksese në vitin e ri që po vjen/kb

14:50 Mesazhi i Vitit të Ri, Xi Jinping-u bën thirrje për ndërtimin e një bote më paqësore dhe me zhvillim të përbashkët

By: Kesjana
31 December 2025 at 14:50

Në prag të Vitit të Ri, presidenti i Kinës Xi Jinping dërgoi një mesazh urimi për Vitin e Ri 2026, nëpërmjet Grupit Mediatik të Kinës dhe internetit, duke bërë thirrje për ndërtimin e një bote më paqësore dhe me zhvillim të përbashkët.

Në këtë fjalim ai theksoi që 2025-a ishte viti i fundit i Planit të 14-të Pesëvjeçar. “Kemi kapërcyer vështirësitë dhe kemi punuar shumë, duke arritur me sukses objektivat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror,” u shpreh Xi.

Më tej ai vuri në dukje që, pas pesë vjet përpjekjesh, forca ekonomike, forca shkencore dhe teknologjike, forca e mbrojtjes kombëtare dhe forca e përgjithshme kombëtare e Kinës kanë arritur nivele të reja. Malet e gjelbra dhe ujërat e kthjellëta janë bërë një sfond i bukur i zhvillimit, dhe ndjenja e lumturisë, e përmbushjes dhe e sigurisë e njerëzve është forcuar vazhdimisht.

Prodhimi i përgjithshëm ekonomik i Kinës ka vazhduar të rritet përgjatë viteve dhe PBB-ja pritet të arrijë afërsisht 140 trilionë juanë(mbi 19.99 trilionë dollarë amerikanë) në vitin 2025.

“Këtë vit ne përkujtuam solemnisht 80-vjetorin e fitores së Luftës së Rezistencës të Popullit Kinez kundër Agresionit Japonez dhe Luftës Antifashiste Botërore dhe vendosëm Ditën Përkujtimore të Rikthimit të Tajvanit, duke mbledhur fuqinë e madhe të të gjithë popullit kinez për të promovuar rilindjen kombëtare,” vuri në dukje ai.

Sipas tij, inovacioni fuqizon zhvillimin me cilësi të lartë të Kinës. Inovacioni teknologjik dhe zhvillimi industrial janë të integruar thellësisht. Zhvillimi i modeleve të inteligjencës artificiale në shkallë të gjerë po përparon me shpejtësi, dhe janë bërë përparime në kërkimin dhe zhvillimin e pavarur të mikroçipave. Sonda“Tianwen-2”ka filluar “udhëtimin për të ndjekur yjet”; aeroplanmbajtësja e parë kineze e pajisur me katapultë elektromagnetike ka hyrë zyrtarisht në shërbim. Ndërkohë, në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s u shtuan përsëri objekte kineze./kb

14:40 Duka: Viti 2025, historik për futbollin shqiptar

By: Kesjana
31 December 2025 at 14:40

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, e ka konsideruar vitin 2025 si një vit historik për futbollin shqiptar dhe jo vetëm për rezultatet në fushën e lojës. Në fjalën e tij përshëndetëse për Vitin e Ri, kreu i futbollit shqiptar rreshtoi disa arritje.

“Shqipëria u konfirmua si një vend dhe partner i besueshëm për futbollin europian, duke pritur me sukses finalet e Kampionatit Europian U-17 dhe duke mikpritur për herë të parë në Tiranë Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Këto ngjarje treguan se futbolli ynë ka arritur një nivel të ri profesionalizmi dhe organizimi”.

Një vëmendje të veçantë pati sigurisht edhe suksesi i Kombëtares shqiptare që siguroi “Play Off”-in e Botërorit.

“Emocionet më të forta na i dhuroi Kombëtarja, e cila për herë të parë në histori siguroi kualifikimin në fazën play-off të Botërorit 2026. Një arritje që na bëri krenarë dhe që dëshmon se ëndrrat e mëdha janë të arritshme kur punohet me seriozitet dhe besim. Uroj shumë që ky rrugëtim i bukur të kurorëzohet me kualifikimin për herë të parë në finalet e Botërorit”.

Edhe gjatë këtij viti, nuk munguan projektet e Federatës për rritjen e futbollit shqiptar.

“Gjatë këtij viti kemi vijuar të investojmë në bazat e së ardhmes: në fëmijët dhe të rinjtë, në futbollin e vajzave, në infrastrukturë dhe në mbështetjen e klubeve. Futbolli shqiptar po rritet në numra, në cilësi dhe në ndikim shoqëror”.

Në fund të fjalës së tij, presidenti Duka shprehu edhe një herë tjetër dëshirën që Kombëtarja shqiptare të kualifikohet për herë të parë në Kampionatin Botëror./kb

14:30 Spiropali mesazh urimi për shqiptarët: 2025, vit sfidash dhe arritjesh për Shqipërinë drejt BE-së

By: Kesjana
31 December 2025 at 14:30

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka përcjellë një videomesazh për fundvitin, ku ka vlerësuar vitin që po mbyllet si një periudhë sfidash, por edhe arritjesh të rëndësishme për Shqipërinë.

Në mesazhin e saj, Spiropali theksoi se një nga sukseset më të mëdha të vitit ishte hapja me sukses e të gjithë grupkapitujve të negociatave me Bashkimin Evropian brenda vetëm 13 muajsh. Sipas saj, kjo është një dëshmi e qartë e vendosmërisë së Shqipërisë për t’u integruar në familjen evropiane.

 

 

“Shqipëria ecën sot më e vendosur drejt familjes evropiane. Sfida më e madhe vjen tani, ku shpejtësia e hapjes së grupkapitujve duhet të shoqërohet me të njëjtën shpejtësi në zbatimin e reformave,” u shpreh ministrja.

 

 

Spiropali theksoi gjithashtu se viti që po mbyllet do të mbahet mend si viti kur u miratua ligji për votën e diasporës, duke e cilësuar këtë një hap të rëndësishëm për përfshirjen e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit në proceset demokratike.

Ministrja e Jashtme e mbylli mesazhin me urimin për një vit të ri me më shumë progres dhe përmbushje të objektivave strategjikë të Shqipërisë/kb

14:20 Probleme me zemrën, Roberto Carlos dërgohet me urgjencë në spital. Legjenda e Real Madrid i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale

By: Kesjana
31 December 2025 at 14:20

Ikona braziliane e Real Madrid, Roberto Carlos është shtruar me urgjencë në spital.

The Sun raporton se ish-mbrojtësi legjendar i Real Madrid dhe kombëtares së Brazilit, i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale, pasi u diagnostikua me një sëmundje në zemër.

Roberto Carlos, 52 vjeç, ishte duke kaluar kohë me bashkëshorten dhe një nga fëmijët e tij në Brazil, përpara se të dërgohej me urgjencë në spital./kb

14:10 “Shpërdorim detyre”/ AMP pezullon punonjësin e policisë në Vlorë

By: Kesjana
31 December 2025 at 14:10

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka pezulluar nga detyra një punonjës policie në Vlorë. Efektivi me iniciale Xh.Xh., dyshohet për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”.

Në njoftimin e AMP-së thuhet se caktimi i masës së sigurisë u bë pasi punonjësi i policisë nuk ka përmbushur detyrat funksionale gjatë kryerjes së veprimeve në lidhje me një procedim penal të vitit 2024.

Njoftimi i plotë:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë – Gjirokastër) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” parashikuar në nenin 242 të Kodit të Pr. Penale, ndaj punonjësit të policisë Xh.Xh., me detyrë Specialist Hetimi në Seksionin kundër Trafiqeve pranë DVP Vlorë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.

Caktimi i masës së sigurisë u bë i mundur pasi punonjësi i policisë nuk ka përmbushur detyrat funksionale gjatë kryerjes së veprimeve në lidhje me një procedim penal të vitit 2024.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën ankesa@amp.gov.al. /Kb

14:00 2026 nis me stuhi dimërore, Porja: Ngricat dhe dëbora pushtojnë gjithë Shqipërinë

By: Kesjana
31 December 2025 at 14:00

Pas një dhjetori të pazakontë, thuajse pa reshje dhe me mungesë dëbore edhe në zonat e thella malore, janari pritet që të vijë krejt ndryshe.

Sinoptikania Lajda Porja, e ftuar në emisionin “Aldo Morning Show” në Tv Klan, tha se ditët në vijim do të shoqërohen fillimisht nga temperatura shumë të ulëta dhe mot i kthjellët, si pasojë e një mase ajrore të ftohtë që vjen nga Poli i Veriut.

Megjithatë, ky episod i acartë nuk do të zgjasë shumë, pasi në fillim të janarit pritet një ndryshim i menjëhershëm i kushteve atmosferike, me rikthim të reshjeve, dëborë në zonat malore dhe më pas shira të dendur e erë të fortë në pjesën më të madhe të vendit.

“Nuk ka reshje dëbore edhe zonat e thella kanë pasur shumë pak në një episod të shkuar, duke qenë se dhjetori ishte një muaj shumë i thatë, pa reshje. Kemi pasur dy episode me reshje të papërfillshme, ose shumë të pakta. Parashikohet që sot edhe nesër moti të jetë i kthjellët pa reshje dhe shumë i ftohtë. Është masë që vjen nga Poli i Veriut dhe po përpiqet që të depërtojë dhe të qëndrojë në Ballkan, është futur tashmë. Nuk do të qëndrojë shumë gjatë, por do të kthehet shumë shpejt. Me pak fjalë sot edhe nesër do të kemi temperatura shumë të ulëta në të gjithë territorin. Ka edhe një shtim të lagështirës. Tirana i është afruar sot temperaturave 0 gradë, sonte gjatë natës temperaturat do shkojnë -8 dhe -9 në zonat malore, në Korçë temperaturat do shkojnë në -6.

Më pas kemi një ndryshim total në datën 2 janar,  futet një sistem që sjell reshje të pakta, kryesisht dëborë dhe reshje akoma më të forta në datat 4 dhe 5. Në datën 2 rikthehet dëbora në të gjithë zonën malore, do të afrohet dëbora në qarkun e Shkodrës, në Krujë dhe në Elbasan. Zbret dëbora deri në zonat e ulëta, por duke qenë se reshjet janë në sasi të ulëta. Më pas në datat 4 dhe 5 do të ketë reshje shiu me intensitet të lartë, do të jenë kryesisht reshje shiu pasi rriten temperaturat. Dita e diel dhe e hënë do të ketë erë shumë të fortë, Ultësira Perëndimore do të ketë edhe rrebeshe shiu.”

Sa i takon muajit janar, Porja tha se do të jetë me një mot të paqëndrueshmë, ku do të ketë temperatura ekstreme të të ftohtit, reshje shiu dhe dëbore, erë të fortë dhe shumë pak ditë me diell.

“Parashikohet deri në datën 15 janar moti të jetë shumë i paqëndrueshëm, pritet të ketë shi, erë dhe dëborë. Janari do të jetë një muaj i ftohtë, një muaj tipik dimri ndryshe nga dhjetori. Parashikohet që reshjet të jenë shumë më prezente. Do të jetë i pasur dhe mjaft i bollshëm edhe me reshje shiu, por edhe reshje dëbore. Gjatë kësaj kohe, do të ketë ndonjë ditë që do të ketë ndërprerje të reshjeve, pak diell. Pothuajse 15 ditëshi i parë i janarit do të jetë i paqëndrueshëm. Në datën 7 do të depërtojnë përsëri një masë e ftohtë, e cila do të qëndrojë pak më gjatë dhe do të sjellë sërish temperatura të ulëta. Janari do të jetë muaji më i ftohtë i dimrit.”/kb

13:50 Presidenti Begaj mesazh urimi për Vitin e Ri: Më shumë besim dhe mirëkuptim te njëri-tjetri

By: Kesjana
31 December 2025 at 13:50

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj uron qytetarët dhe bashkëkombësit për festën e Vitit të Ri 2026.

Kreu i shtetit i ka uruar qytetarët përmes një mesazhi ku thekson se “e ardhmja nuk ndërtohet me fjalë të mëdha, por me angazhim të përditshëm”.

“Nata e ndërrimit të viteve është koha e reflektimeve, momenti kur ndalemi për të parë çfarë lamë pas dhe për të projektuar shpresat tona për motmotin e ri. Kjo është, mbi të gjitha, festa e familjes. Vlerat që rriten brenda saj janë pikërisht ato që i japin forcë dhe qëndrueshmëri mbarë shoqërisë sonë”, thekson Begaj.

Mesazhi i Begajt

Të dashur qytetarë,
Të dashur bashkëkombës,

Sonte, teksa jeni mbledhur rreth tryezës festive me familjen dhe njerëzit tuaj të dashur, dëshiroj t’ju marr vetëm pak çaste për t’ju uruar përzemërsisht Vitin e Ri!
Nata e ndërrimit të viteve është koha e reflektimeve, momenti kur ndalemi për të parë çfarë lamë pas dhe për të projektuar shpresat tona për motmotin e ri. Kjo është, mbi të gjitha, festa e familjes.

Vlerat që rriten brenda saj janë pikërisht ato që i japin forcë dhe qëndrueshmëri mbarë shoqërisë sonë.

Kujdesi për brezin e ri nuk është thjesht një ndjenjë, por një zgjedhje e mençur për të ardhmen. Investimi te fëmijët dhe të rinjtë tanë është gur themeli i Shqipërisë evropiane që aspirojmë.

Shqiptarët kanë treguar se dija, përkushtimi dhe puna e ndershme janë forca jonë më e madhe. Kemi dëshmuar arritje. Pas çdo suksesi, ka punë e sakrifica familjare që dëshmojnë se e ardhmja nuk ndërtohet me fjalë të mëdha, por me angazhim të përditshëm.

Të dashur shqiptarë,

Puna juaj e ndershme, angazhimi dhe suksesi juaj forcojnë besimin dhe shpresën tek e ardhmja.

Motra dhe vëllezër,

Viti që po mbyllet ishte një vit përpjekjesh dhe sfidash, ku Shqipëria dëshmoi sërish vullnetin për të ecur përpara. Kemi ende punë për të ngushtuar pabarazitë dhe për të forcuar besimin tek institucionet. Forcuam rolin tonë ndërkombëtar dhe hodhëm hapa konkretë drejt Bashkimit Evropian. Kemi shënuar progres në forcimin e shtetit të së drejtës, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në pavarësinë e sistemit të drejtësisë.

Të inkurajuar nga sukseset dhe të përulur nga mosarritjet, viti 2026 duhet të jetë viti i një përpjekjeje të përbashkët për ta kthyer standardin evropian në një realitet të prekshëm në jetën e çdo familjeje shqiptare.

Interesi kombëtar dhe dialogu duhet të udhëheqin veprimet tona për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të begatë, sepse ajo që na bashkon është më e fortë se çdo interes që na ndan.

Ndaj, në vigjilje të Vitit të Ri 2026, urimi im i parë është për bashkëpunim dhe bashkërendim rreth qëllimeve e interesave mbarëkombëtare!

Përshëndetjet më të ngrohta dhe urimet më të mira kam sot për  shqiptarët kudo ndodhen në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginën e Preshevës, arbëreshët dhe Diasporën tonë! Ju jeni pjesë e pandarë e këtij kombi dhe energji vitale për të ardhmen tonë të përbashkët.

Një urim të veçantë kam sonte për të gjithë mjekët, infermierët, pjesëtarët e Forcave të Armatosura, punonjësit e rendit, zjarrfikësit dhe gazetarët, si dhe të gjithë ata që sot janë në krye të detyrës dhe larg familjeve të tyre!

Mendimi ynë shkon edhe për ata që këtë natë e kalojnë në spitale apo në kushte të vështira, larg ngrohtësisë së shtëpisë.

Çdo familje shqiptare, nga fëmijët, te gjyshërit, pastë shëndet, gëzime dhe mbarësi!

Mbi të gjitha, uroj për Vitin e Ri 2026 më shumë besim te njëri-tjetri dhe më shumë mirëkuptim, sepse Shqipëria është shtëpia jonë e përbashkët, përgjegjësia jonë e përditshme dhe e nesërmja që ndërtojmë bashkërisht!

Me përulësi për sfidat që kemi përpara, me besimin te vlerat e punës, solidaritetit dhe përgjegjësisë qytetare, dhe me vendosmëri për të  ndërtuar të ardhmen tonë evropiane, ju uroj nga zemra: Gëzuar Vitin e Ri 2026!

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët!

Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!

Gëzuar!/kb

13:40 “Kujdesemi për sigurinë tonë”, Merz: E vendosim ne se kush do ikë apo do rrijë në Gjermani

By: Kesjana
31 December 2025 at 13:40

Në fjalimin e tij të fundit për vitin 2025, Kancelari gjerman Friedrich Merz bëri thirrje për më shumë unitet dhe optimizëm në këto kohë krize. Në të njëjtën kohë, ai kërkoi durim në lidhje me projektet e reformës dhe paralajmëroi kundër “nxitësit të frikës” dhe “pesimistëve”. Ai foli për luftën në Ukrainë dhe përplasjet më Shtetet e Bashkuara.

“Sulmi rus ndaj Ukrainës është vetëm pjesë e një plani të drejtuar kundër të gjithë Evropës. Është një luftë që kërcënon drejtpërdrejt lirinë dhe sigurinë tonë. Gjermania po i nënshtrohet gjithashtu sabotimit, spiunazhit dhe sulmeve kibernetike çdo ditë. Në të njëjtën kohë, Rusia po vazhdon sulmet e saj ndaj Ukrainës me egërsi të pazvogëluar. Për të katërtin vit radhazi, ukrainasit do ta festojnë Vitin e Ri në rrethanat më të pafavorshme – shumë prej tyre pa energji elektrike, nën një breshëri raketash dhe duke pasur frikë për miqtë dhe familjet e tyre”, tha Merz, përcjell A2.

“Në të njëjtën kohë, partneriteti ynë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë qenë prej kohësh garantues të besueshëm të sigurisë sonë, po ndryshon”. “Për ne evropianët, kjo do të thotë që ne duhet të mbrojmë interesat tona shumë më fuqishëm vetë. Qeveria gjermane ka nisur një ndryshim në politikë në nivel evropian. Ne po avokojmë që Bashkimi Evropian të rifokusohet në detyrat e tij kryesore: lirinë, sigurinë dhe prosperitetin. Ne po e zvogëlojmë sistematikisht burokracinë dhe po e vendosim promovimin e konkurrueshmërisë në krye të listës sonë të prioriteteve politike. “Ne po vendosim përsëri vetë se kush vjen në vendin tonë dhe kush duhet të largohet”. “Ne kemi krijuar stimuj të rinj për migrimin e ligjshëm dhe të rregullt dhe në të njëjtën kohë kemi mbyllur rrugët për migrimin e paligjshëm dhe të çrregullt”. Njerëzimi dhe rendi janë dy anët e së njëjtës medalje”./kb

12:50 “Troket” në Zelandën e Re Viti i Ri 2026/ Pritet me spektakël fishekzjarrësh

By: Kesjana
31 December 2025 at 12:50

Zelanda e Re mirëpret Vitin e Ri 2026, duke shënuar momentin me një spektakël madhështor dritash dhe fishekzjarrësh. Qytetarët dhe turistët u mblodhën në qendrat kryesore të qyteteve për të ndjekur këtë traditë të veçantë, e cila simbolizon fillimin e një viti të ri me shpresë dhe gëzim. 

Spektakli i fishekzjarrëve ndriçoi qiellin e qyteteve kryesore të vendit, duke krijuar një atmosferë festive dhe plot emocione. 

Familjet, por dhe vizitorët u bashkuan për të festuar, ndërsa muzika dhe ngjyrat e ndritshme “stolisën” natën e ndërrimit të viteve.
Zelanda e Re ka krijuar një traditë tashmë, që tërheq mijëra vizitorë nga e gjithë bota. Ajo njihet si një prej destinacioneve më të bukura për të pritur Vitin e Ri/kb

12:40 Nuk paguan dot qiranë, aktori i madh rrezikon të mbetet i pastrehë

By: Kesjana
31 December 2025 at 12:40

ktori i njohur amerikan Mickey Rourke po përballet me një tjetër problem serioz personal dhe financiar, pasi rrezikon të dëbohet nga banesa e tij në Los Angeles për shkak të një shume të konsiderueshme qiraje të papaguar. Sipas dokumenteve të depozituara në Gjykatën e Lartë të Los Angeles-it dhe të siguruara nga Daily Mail, Rourke, 73 vjeç, i detyrohet pronarit të shtëpisë afro 59 mijë dollarë.

Aktori kishte nënshkruar kontratën e qirasë më 30 mars, për një shtëpi me tre dhoma gjumi dhe 2.5 banjo, me qira fillestare 5200 dollarë në muaj. Më pas, qiraja është rritur në 7000 dollarë. Më 18 dhjetor, atij iu dorëzua një njoftim tre-ditor për të shlyer detyrimin ose për të liruar banesën, por sipas padisë, pagesa nuk është kryer.

Pronari i banesës, Eric T. Goldie, kërkon gjithashtu përfundimin e kontratës dhe pagesën e shpenzimeve ligjore. Shtëpia, e ndërtuar në vitin 1926, ndodhet në zonën Beverly Grove dhe ka vlerë historike, pasi në vitet ’40 ka qenë e banuar nga shkrimtari i famshëm Raymond Chandler.

Më herët këtë vit, Rourke, u përjashtua nga Celebrity Big Brother më herët këtë vit për sjellje dhe gjuhë të papranueshme ndaj një konkurrenteje. Dikur yll i Hollivudit, karriera dhe jeta personale e aktorit vazhdojnë të shoqërohen nga polemika dhe vështirësi./kb

12:30 “Pushtuan” faqet e mediave botërore në 2025, ja cilët janë pesë personazhet

By: Kesjana
31 December 2025 at 12:30

Nga xhihadisti i shndërruar në burrë shteti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, te Virginia Giuffre, akuzuesja e amerikanit të dënuar për abuzim seksual, Jeffrey Epstein: këto janë pesë figura që definuan vitin 2025.

Ahmed al-Sharaa

Nga një ish-xhihadist i njohur si Abu Mohammed al-Jolani në president të përkohshëm të Sirisë, Ahmed al-Sharaa ka përjetuar një ndryshim të jashtëzakonshëm qëkurse sundimtari i kamotshëm, Bashar al-Assad, u rrëzua nga pushteti.

Më 8 dhjetor 2024, Sharaa hyri në Damask pasi udhëhoqi ofensivën e rrufeshme të aleancës së tij islamiste nga bastioni i tyre në veriperëndim të Sirisë, duke i dhënë fund luftës civile që zgjati gati 14 vjet.

Duke e shkurtuar mjekrën dhe duke ndërruar uniformat ushtarake me kostume, Sharaa u vendos në pallatin presidencial ku Assadi – i cili u arratis në Rusi – dhe dinastia e familjes së tij sunduan për dekada.

Sharaa e mbërtheu shpejt pushtetin: ai u emërua president për një periudhë kalimtare pesëvjeçare dhe formoi një qeveri në të cilën aleatët e tij mbajnë poste kyç, megjithëse disa pjesë të vendit mbeten ende jashtë kontrollit të tyre.

Komuniteti ndërkombëtar e ka pritur kryesisht me krahë hapur, pavarësisht episodeve të dhunës sektare kundër pakicave alavite dhe druze gjatë këtij viti.

Shtetet e Gjirit, aleati kryesor Turqia dhe Franca janë ndër vendet që e kanë pritur Sharaan, i cili iu drejtua Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator.

Kush është udhëheqësi militant sirian që rrëzoi Assadin?

Vizita e tij në Shtëpinë e Bardhë në nëntor ishte njohja kulmore për një njeri, për të cilin dikur jepej shpërblim prej 10 milionë dollarësh për ta kapur.

MrBeast

Në vitin 2025, krijuesi më me ndikim i përmbajtjes online në botë ndërmori projekte të reja ekstravagante, nga një park argëtimi, një serial i animuar, deri te një markë lodrash.

Në vendin e parë në YouTube me mbi 450 milionë ndjekës, Jimmy Donaldson – ose MrBeast – drejton një perandori të ndërtuar rreth personalitetit të tij, e cila përfshin një markë çokollate, një zinxhir restorantesh dhe madje edhe një serial në Amazon Prime.

Krijuesi amerikan 27-vjeçar u pozicionua madje si një pretendent për blerjen e rrjetit social TikTok në Shtetet e Bashkuara.

Duke filluar me video udhëtimesh ose shakash, marka e tij dalluese tani është bërë gara popullore me çmime që shpesh arrijnë shifra shtatëshifrore. Në një rast, ai riprodhoi konceptin e serialit televiziv të suksesshëm “Squid Game”.

Në shtator, videoja e tij “A do ta rrezikoje jetën për 500.000 dollarë?”, që përfshinte një kaskader në një ndërtesë që digjej, u dënua nga disa, pasi kritikët e akuzuan e vuri në rrezik jetën e njerëzve për argëtim.

I shpallur në vitin 2023 nga revista Time si një nga njerëzit më me ndikim në botë, MrBeast ka një pasuri prej rreth gjysmë miliardi dollarësh, sipas Forbes.

Maria Corina Machado

Udhëheqësja e opozitës venezuelase e fshehur, Maria Corina Machado, është sfiduese e guximshme e një qeverie me dorë të hekurt. Ky rol ia siguroi asaj Çmimin Nobel për Paqen 2025.

Pra, 58-vjeçarja nuk ka hequr dorë kurrë nga kritikat ndaj presidentit Nicolas Maduro – i cili akuzohet për manipulimin e zgjedhjeve të njëpasnjëshme për të qëndruar në pushtet dhe për burgosjen e kundërshtarëve – apo ndaj paraardhësit të tij socialist, Hugo Chavez.

Megjithatë, ajo është kritikuar për për lidhjet e saj me të djathtën ekstreme në Evropë./kb

12:20 Mbërrin 2026! Festohet Viti i Ri në ishullin e vogël në Paqësor

By: Kesjana
31 December 2025 at 12:20

Ishulli i vogël i Kiritimati, u bë vendi i parë në Tokë që priti Vitin e Ri 2026. Ishulli është pjesë e shtetit të Kiribatit, që ndodhet ne Oqeanin Paqësor. Mikroshteti përbëhet nga disa ishuj të vegjël që ndodhen në jug të Havait dhe në verilindje të Australisë.

Mbërrin 2026! Festohet Viti i Ri në ishullin e vogël në

Kiribati shpalli pavarësinë nga Mbretëria e Bashkuar në vitin 1979. Sot shumë prej ishujve, që janë të pabanuar, janë në rrezik zhdukjeje, nga rritja e nivelit të detit./kb

12:10 Urgjenca kombëtare për festa, Brataj: Masa dhe ekipe të shtuara, kujdes me alkoolin dhe fishekzjarrët

By: Kesjana
31 December 2025 at 12:10

Qytetarët po bëhen gati për natën e ndërrimit të viteve, ndërsa spitalet dhe shërbimi i urgjencës ka gati planin për çdo situatë dhe emergjencë në ditët e festave. Kreu i urgjencës kombëtare, Skënder Brataj tregon për masat e shtuara të ekipeve të urgjencës ku grupe të posaçme do të ketë edhe pranë shesheve festive natën e vitit të ri.

“Janë forcuar ekipet, janë shtuar, janë shtuar materialet, janë shtuar medikamentet dhe sigurisht ne si urgjencë kemi dhe detyrë për gjithë sheshet e qyteteve që kanë festën, që shtojmë nga një ekip shtesë vetëm për sheshet ku do të bëhen këto koncerte dhe sidomos ai ndërrimi i viteve në orën 12:00 që është pak kritik edhe për ne veç faktit që njerëzit fatmirësisht dalin në shesh dhe festojnë edhe me nga një shishe shampanjë, por dalin dhe me fishekzjarrë dhe me kapsolla, gjë që mund të shkaktojë dhe aksidente”, thotë Brataj për A2 CNN. “Kështu që janë marrë të gjitha këto masa. Është vënë dhe një listë gatishmërie për personel shtesë në rast se do të ketë nevojë”.

Nëse vendosni të konsumoni alkool me miqtë apo me familjarët, mos merrni më pas drejtimin e makinës.  Brataj këshillon veçanërisht të rinjtë të bëjnë kujdes që ditët e festave mos kthehen në tragjedi. “Duhet të mendojmë përballë ke një prind, ke një fëmijë apo ke një të ri që po udhëton dhe gjendet në aksident duke humbur jetën për fajin tonë. Kështu që në qoftë se pi mos përdor makinën ose një nga kolegët apo nga shokët të mos pijë, të përdorë pije freskuese ose qëndro aty ku e ke organizuar ose përdor mjete të tjera, taksi apo në çfarëdolloj qoftë ajo”, thotë Brataj.

Referuar urgjencave dhe situatave vitet e kaluara, kreu i urgjencës kombëtare një mesazh të veçantë e ka edhe për prindërit. Bëni kujdes nga fishekzjarrët dhe mos i lini në duart e fëmijëve. “Mos e lër fëmijën vetëm me asnjë mjet piroteknik. Gjatë ndezjes duhet të jenë të rriturit që t’i shoqërojnë dhe drejtimi duhet të jetë drejt qiellit, sepse mund të shkojë te dritarja ose ballkoni përballë te komshiu. Mos u bëj kureshtar në qoftë se u ndez apo s’u ndez mos e drejto asnjëherë nga fytyra sepse aksidentet më të zakonshme janë këto: djegiet, qorrimi, deri në humbjen e komplet të shikimit, djegiet e gjymtyrëve në duart që ato i mbajnë, plagë të ndryshme nga shpërthimi i tyre”.

Djegiet nga fishekzjarrët dhe traumat nga aksidentet në rrugë janë urgjencat që ndodhin më shpesh në natën e ndërrimit të viteve ndërsa në shërbimin e toksikologjisë fluksi i urgjencave nga përdorimi i pijeve alkoolike të përziera shpesh me substanca narkotike ndihet në ditët e para të Vitit të Ri./kb

12:00 Në prag të ndërrimit të viteve/ Ilir Proda: Jemi në gatishmëri për përmbushjen e detyrave, në çdo cep të vendit!

By: Kesjana
31 December 2025 at 12:00

Në prag të Vitit të Ri 2026, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, uroi qytetarët dhe punonjësit e policisë, duke vlerësuar përkushtimin dhe sakrificën e treguar gjatë vitit që po lëmë pas.

Në mesazhin e tij, Proda theksoi sfidat dhe përgjegjësitë e mëdha të vitit 2025, si dhe angazhimin e vazhdueshëm të policisë për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Ai shprehu mirënjohje të veçantë për familjarët e Dëshmorëve të Policisë, qytetarët, mediat dhe partnerët kombëtarë e ndërkombëtarë për bashkëpunimin dhe besimin.

Ai përfundoi urimin me dëshirën për shëndet, paqe dhe mbarësi për të gjithë, duke theksuar se vetëm me përgjegjësi dhe besim mund të ndërtohet një vend më i sigurt në vitin 2026.

Mesazhi  i Ilir Prodës:

Në prag të ndërrimit të viteve, shpreh mirënjohjen time të thellë për çdo punonjës të Policisë së Shtetit, për angazhimin, përkushtimin dhe sakrificën e treguar çdo ditë, duke vënë shpesh në plan të dytë familjen dhe sigurinë e tyre.

Viti që po lëmë pas nuk ka qenë i thjeshtë, ka qenë sfidues, një vit përgjegjësish të mëdha dhe sakrificash, të cilat na kanë lidhur më fort me njëri-tjetrin, me qytetarët dhe me partnerët, na kanë forcuar dhe na kanë bërë më të qartë se si duhet të jemi dhe çfarë duhet të bëjmë, për të qenë të denjë për misionin tonë.

Me përzemërsi të thellë uroj familjarët e Dëshmorëve të Policisë, të cilët kanë në tryezë një pjesëtar më pak, por në historinë e kombit, një hero më shumë.

Një falënderim dhe urim të sinqertë për qytetarët, për rolin e tyre të rëndësishëm, të cilët, nëpërmjet besimit dhe bashkëpunimit, kanë përforcuar pozitën e tyre si aleati ynë kryesor; për gazetarët dhe mediat, për rolin e tyre të rëndësishëm në informimin e publikut dhe forcimin e transparencës; si dhe për partnerët tanë kombëtarë e ndërkombëtarë, bashkëpunimi me të cilët ka qenë sinergji kapacitetesh, investimesh, angazhimi dhe profesionalizmi, në funksion të garantimit të sigurisë.

Policia e Shtetit është në gatishmëri për përmbushjen e detyrave, në çdo cep të vendit, për të garantuar një ndërrim vitesh të sigurt dhe të qetë.

Gëzuar Vitin e Ri! Shëndet, paqe dhe mbarësi! Bashkë, me përgjegjësi dhe besim, për të ndërtuar përgjatë vitit 2026, një vend edhe më të sigurt!/kb

11:50 Çfarë dihet për sulmin e dyshuar ndaj rezidencës së Putin-it?

By: Kesjana
31 December 2025 at 11:50

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, akuzoi Ukrainën të hënën (29.12.) se sulmoi një rezidencë presidenciale në rajonin e Novgorodit gjatë natës me 91 dronë sulmues me rreze të gjatë veprimi. Ai tha se askush nuk u plagos dhe njëkohësisht njoftoi kundërpërgjigjen ruse.

Moska nuk do të ndërpresë bisedimet për t’i dhënë fund luftës, tha Lavrov, por shtoi, se pozicioni i saj negociues do të “rishikohet” pas sulmit, të cilin e përshkroi si terrorizëm shtetëror. Lavrov nuk paraqiti prova për akuzën, por kërcënoi se Rusia tashmë kishte “identifikuar objektiva në Ukrainë”.

Si reagoi Kievi?

Presidenti Zelensky i hodhi poshtë akuzat ruse si “një raund i gënjeshtrash”. Ai tha se qëllimi i Rusisë ishte të justifikojë sulme të mëtejshme ndaj Ukrainës dhe të zgjasnin luftën që ka vazhduar që nga pushtimi në shkurt 2022. “Kjo histori për ‘sulmin ndaj rezidencës’ të supozuar është një trillim i plotë”, tha ai.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Sybiha u bëri thirrje liderëve botërorë të dënojnë Rusinë për pretendimet e saj: “Ka kaluar një ditë dhe Rusia ende nuk ka paraqitur asnjë provë të besueshme për akuzat e saj. Dhe nuk do ta bëjë. Sepse nuk ka asnjë. Asnjë sulm i tillë nuk ka ndodhur.”

Ku ndodhet rezidenca?

Rezidenca Valdai, e njohur edhe si “Ushin” ose “Dolgiye Borody”, është një kompleks i ruajtur me masa të rrepta në brigjet e liqenit Valdai.

Ndodhet afërsisht 360 kilometra në veri të kryeqytetit, Moskës. Nuk është e qartë se ku ndodhej Vladimir Putin-i për kohën në fjalë. Putin-i ende nuk ka komentuar publikisht situatën.

Si reagoi Trump?

Putin e informoi presidentin amerikan për incidentin të hënën. “Nuk më pëlqen kjo. Kjo nuk është mirë”, u tha Donald Trump gazetarëve.

“Është një gjë të ofendosh. Është diçka tjetër të sulmosh shtëpinë tënde. Nuk është koha e duhur për diçka të tillë. Dhe sot dëgjova për këtë nga Presidenti Putin. Isha shumë i zemëruar për këtë.”

Ku duhet të kenë qenë dronët?

Pas deklaratës së Lavrov-it, Ministria ruse e Mbrojtjes raportoi se 91 dronë ishin rrëzuar gjatë udhës për në rezidencën presidenciale. Këto përfshinin 49 mbi rajonin e Bryansk, 450 kilometra nga Valdai, një mbi rajonin e Smolensk dhe 41 mbi rajonin e pyllëzuar të Novgorodit.

Në raportet e saj të mëparshme mbi operacionet ushtarake, ministria nuk kishte përmendur ndonjë sulm ndaj rezidencës. Në vitin 2023, Rusia akuzoi Ukrainën për sulmin ndaj Kremlinit me dronë në një përpjekje për të vrarë Putin-in, por Ukraina mohoi çdo përfshirje.

Çfarë pritet?

Fillimisht nuk u shtrua për diskutim ndërprerja e bisedimeve për një paqe të mundshme. “Pasoja diplomatike do të jetë një forcim i pozicionit negociues të Federatës Ruse”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Peskov. Ai nuk specifikoi se cilët objektiva mund të sulmonte Rusia, por tha se ushtria e dinte se kur dhe si të reagonte. /DW/kb

11:40 Sekuestrohen sasi të mëdha lëndësh piroteknike në Tiranë/ Tre të arrestuar dhe 9 të proceduar

By: Kesjana
31 December 2025 at 11:40

Tre persona janë arrestuar në Tiranë dhe 9 të tjerë janë proceduar penalisht në kuadër të operacionit “Fireworks” për ndalimin e tregtimit të jashtëligjshëm të lëndëve piroteknike.

Gjithashtu në kuadër të këtij operacioni policia ka sekuestruar sasi të madhe lëndësh piroteknike që mbahej/shitej në 7 raste, në markete, në automjete ose në rrugë.

Njoftimi i policisë:

DVP Tiranë/Vijon intensivisht zbatimi i planit të posaçëm operacional të koduar “Fireworks”.

Sekuestrohet sasi e madhe lëndësh piroteknike që mbahej/shitej në 7 raste, në markete, në automjete ose në rrugë, duke cenuar kriteret.

Arrestohen 3 shtetas dhe procedohen penalisht 9.

Si rezultat i kontrolleve të pandërprera që po kryhen gjatë këtyre ditëve, në kuadër të planit operacional “Fireëorks”, në subjekte/ndaj shtetasve që shesin pa autorizim, lëndë piroteknike, veprimtari e cila rrezikon shëndetin e qytetarëve dhe qetësinë publike, shërbimet e Policisë së Tiranës evidentuan 7 raste të tjera të kësaj paligjshmërie.

Konkretisht:

-specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Finanaciare, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, arrestuan shtetasin I. Xh., 28 vjeç, si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. H., 25 vjeç, pasi gjatë kontrollit në automjetin e tyre, u gjetën lëndë piroteknike që posedoheshin nga 28-vjeçari, me qëllim shitjen, si dhe një sasi e vogël Cannabisi që posedohej nga shtetasi i proceduar;

-specialistët për Hetimin të Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin B. L., 22 vjeç, pasi gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit të tij, u gjet sasi të konsiderueshme fishekzjarresh;

-shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit M. B., 18 vjeç dhe L. P., 20 vjeç, pasi nga kontrolli në bagazhin e automjetit të tyre, nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, u gjet një sasi lëndësh piroteknike;

-specialistët për Hetimin të Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasit F. J., 55 vjeç, si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit B. J., L. T. dhe E. V., pasi nga kontrollet u konstatua se shtetasi F. J. dhe djali i tij, shtetasi B. J. shitnin fishekzjarre në marketin e tyre në rrugën “Myslym Keta”, ndërsa 2 të proceduarit e tjerë u kapën duke blerë lëndë piroteknike;

-specialistët për Hetimin të Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit A. P., 25 vjeç, A. H., 30 vjeç dhe R. Ll., 25 vjeç, pasi iu gjetën sasi fishekzjarresh.

Kontrollet vijojnë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Policia e Tiranës apelon sërish për të gjithë qytetarët që të mos përdorin dhe tregtojnë lëndë piroteknike në kundërshtim me rregullat dhe kriteret e përcaktuara, pasi kjo veprimtari, me rrezik për jetën dhe shëndetin e tyre, ndëshkohet konform ligjit. /kb

11:30 Tension në Karaibe, cisterna e sanksionuar përpiqet t’i shpëtojë SHBA-ve

By: Kesjana
31 December 2025 at 11:30

E ndjekur nga Roja Bregdetare amerikane në Karaibe, cisterna e naftës Bella 1, e sanksionuar nga Washingtoni, ka ndërmarrë një veprim të pazakontë në përpjekje për t’iu shmangur ndalimit: ka pikturuar në anijen e saj flamurin rus, duke pretenduar mbrojtjen e Moskës, më pas ka ndryshuar kurs dhe ka fikur sistemet e radarit.

Lajmi është bërë i ditur nga New York Times, sipas të cilit autoritetet amerikane kishin rreth një javë që përpiqeshin të interceptonin anijen, e nisur nga Irani dhe me destinacion Venezuelën për furnizim me naftë.

Ky episod i shtohet përshkallëzimit të tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Venezuelës, të cilat në orët e fundit janë shoqëruar me zhvillime të tjera domethënëse.

Sipas mediave amerikane, Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) ka kryer sulmin e parë tokësor ndaj objektivave në Venezuelë, me shumë gjasa më 24 dhjetor, duke goditur mjete lundruese të ankoruara në një mol. Nga sulmi nuk janë raportuar viktima. Konfirmimi vjen pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kishte refuzuar të tregonte se kush qëndronte pas operacionit, për të cilin kishte folur më 26 dhjetor në një intervistë radiofonike.

Dy ditë më vonë, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në rezidencën e tij në Mar-a-Lago, Florida, Trump përmendi një “shpërthim të madh në zonën e molit” dhe përmendi bandën kriminale Tren de Aragua, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Në të njëjtën kohë, ka dalë ajo që konsiderohet prova e parë e pavarur e sulmeve ajrore të kryera nga Pentagoni kundër trafikut të drogës në Karaibe. Këtë herë nuk bëhet fjalë për pamje nga dronët ushtarakë, por për një video të regjistruar me telefon celular. Më 6 nëntor, në gadishullin e Guajiras në Kolumbi, një banore e zonës filmoi tym të dendur që ngrihej në horizont pas një shpërthimi të dëgjuar në distancë. Dy ditë më vonë, në të njëjtën zonë u gjet një mjet lundrues i dëmtuar rëndë, brenda të cilit ndodheshin trupa të pajetë dhe gjurmë që lidhen me trafik droge.

Sipas New York Times, ky zbulim përbën provën e parë fizike të fushatës amerikane kundër narkotrafikut, e cila gjatë më shumë se tre muajve ka çuar në shkatërrimin e rreth 30 mjeteve lundruese në Karaibe dhe në Paqësorin Lindor, si dhe në vdekjen e mbi 100 personave.

Presidenti Trump ka akuzuar presidentin venezuelian Nicolás Maduro se qëndron pas rrjeteve të trafikut të drogës. Nga ana e tij, Maduro ka deklaruar në Telegram se forcat venezueliane kanë shkatërruar nëntë avionë të trafikut të drogës në shtetin Amazonas, pranë kufirit me Brazilin, si një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj Uashingtonit. Edhe pse për këtë operacion nuk ka pamje të pavarura, për të paktën një sulm amerikan tashmë ekziston dokumentim vizual.

Pamjet e regjistruara në Guajira përkojnë me deklaratën e bërë po atë ditë nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili në rrjetin X njoftoi për një operacion kundër trafikantëve të drogës në ujëra ndërkombëtare, duke thënë se tre persona kishin humbur jetën. Sipas Times, sulmi ka ndodhur në Gjirin e Venezuelës, një zonë ku Kolumbia dhe Venezuela kanë prej kohësh mosmarrëveshje për kufirin detar. Mjeti lundrues mund të ketë qenë kolumbian dhe jo domosdoshmërisht i lidhur me Tren de Aragua.

Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, shkroi në X se SHBA-të kishin bombarduar një strukturë në Marakaibo, e cila dyshohet se përdorej për përpunimin e lëndëve narkotike. Ai sugjeroi se objekti mund të ketë qenë i lidhur me Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare (ELN), një grup gueril kolumbian që ka ndikim në rajonin e Katatumbo-s, pranë kufirit me Venezuelën./kb

Yesterday — 30 December 2025Main stream

10:46 Përgjimet dhe dëshmitë, si ushqim për gjyqin popullor

By: Kesjana
30 December 2025 at 10:46

Last Updated on 30/12/2025 by Kesjana

Nga Ylli Manjani

Vendimet e masave të sigurisë janë ushqimi bazë për “drejtësinë popullore”.

Nuk di të ketë raste të tjera të ngjashme në perëndim, ku gjykatat për të justifikuar një masë arresti shkruajnë 200, 300, 400 e deri 500 faqe vendim.

Në fakt, gjykata në këto raste ka për detyrë të shpjegojë thjesht arsyet përse duhet aplikuar masa e sigurisë dhe përse kjo masë është në proporcion me nevojën, rrezikun e dështimit hetimor dhe lirisë  individit.  Sa faqe doni ti japim kësaj gjëje? 5, 10 ja maksimumi 20. Por kurrsesi 200 faqe e lart.

Në vendimet e gjykatave të masave të sigurisë do të gjeni çdo gjë, çdo thashethem apo hamendësim nën pretekstin “dyshim i arsyeshëm”, por vetëm arsyet përse njeriu duhet siguruar nuk thuhet, ashtu siç kërkon ligji me prova e arsye bindëse.

Tani pyetja lind, përse kaq shumë faqe të shkruara për një detyrë shumë më të thjeshtë?!

Gjykatat tona, veçanërisht GJKKO, mbush faqe të tëra vendimi me tekste përgjimesh; me thënie dëshmitarësh; me foto provash të cilat duhet të ruhen nga prokurori i çështjes në dosje si sytë e ballit.

Këto materiale hetimore, jo gjykatësit të masës po as gjykatësit që gjykojnë themelin e akuzës nuk duhet ti shikojnë paraprakisht. Të paktën përgjimet e dëshmitë jo.

Atëherë përse i shkojnë gjykatësit të masës?!  Përse ky i fundit i përfshin në mënyrë krejt të panevojshme në tekstin e një vendimi i cili sado ta ruash prap bëhet publik?! Se vendimet e gjykatave nuk sekretohen, siç sekretohet dosja hetimore dreqi e mori!

Sigurisht ka edhe të dhëna të tjera që nxjerrin prokurorët për të dëmtuar mbrojtjen e të hetuarve apo pandehurve, po shumica e atyre që thonë se “kam lexuar dosjen” në fakt lexojnë vendimet absurde të gjykatësve të masave të sigurisë, të cilat në thelb bëjnë përmbledhje të montuar përgjimesh, apo thënie të shkëputura dëshmish.

Përgjimet dhe dëshmitë janë super interesante për të bërë gjyq popullor. Dhe gjyq që nuk i jep asnjë shanc viktimës të mbrohet më publik jo e jo që s’mbrohesh dot se të shqyejnë, por as në sallën e gjyqit nuk mbrohesh sepse gjykata e ka dhënë verdiktin e saj që në fazën e hershme hetimore.

Pra ti gjykohesh nga një gjykatë që e ka paragjykuar bashkë me popullin(turmën) çështjen.

Kjo që ndodh sot në realitet nuk ka asnjë lidhje me proçesin e rregullt ligjor. Asnjë lidhje me hetimin e gjykimin e paanshëm e të drejtë. Asnjë, po asnjë lidhje!

Kjo është një situatë që kërkon saktësime ligjore shtesë që rrigin garancitë për proçes të rregull gjyqsor në sallën e gjyqit dhe jo në studiot e lajmeve.

Por ligji nuk mjafton.  Kërkohet saktësim i praktikës gjyqsore nga Gjykata e Lartë, duke vendosur kufinj të qartë të rolit të gjykatës dhe të mënyrës së administrimit të provave dhe të dhënave hetimore.

Dhe po, duhet të ketë edhe masa disiplinore për gjykatës që me vetëdije të plotë lejojnë nxjerrjen në publik, dmth vendimi i tyre është dokument publik, të të dhënave hetimore.

Drejtësia Popullore është dëmi më i madh që i vjen publikes. Edhe shkatërrimi popullor i individit është pjesë e dëmit publik./kb

10:30 Nis hetimi/ Gara kthehet në tragjedi, u mbyt nga shalqiri, 37-vjeçari vdes në sy të gruas

By: Kesjana
30 December 2025 at 10:30

Një garë argëtuese për ngrënien e shalqirit në Brazil u shndërrua në tragjedi, kur një burrë 37-vjeçar humbi jetën pasi u mbyt gjatë konkurrimit, para syve të bashkëshortes së tij. Sipas mediave lokale, ngjarja ndodhi më 11 dhjetor në një vendpushim në Sao Pedro. Viktima, Carlos Cerasoma, kishte marrë pjesë në një konkurs ku pjesëmarrësit duhej të hanin sa më shpejt një copë shalqiri, pa përdorur duart, për të fituar një çmim simbolik – një porcion patate të skuqura.

Vetëm pak minuta pas nisjes së garës, 37-vjeçari filloi të shfaqte shenja mbytjeje. Një roje plazhi u thirr menjëherë, ndërsa disa persona të pranishëm tentuan t’i jepnin ndihmën e parë dhe të kryenin reanimim kardiopulmonar (CPR).

Pavarësisht përpjekjeve, Cerasoma u dërgua me urgjencë në spital, ku fatkeqësisht ndërroi jetë. Shkaku i vdekjes u regjistrua si asfiksi, si pasojë e bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes.

Bashkëshortja e tij, Kimberly Santos, deklaroi për mediat se tavolina e përdorur në garë ishte shumë e ulët për gjatësinë e burrit të saj, duke e detyruar atë të përkulej më shumë se normalisht, çka sipas saj mund të ketë ndikuar në incident. Ajo theksoi gjithashtu se në vendngjarje nuk kishte ekip mjekësor dhe se ndihma u ofrua vetëm nga kalimtarë të rastësishëm.

Sipas raportimeve lokale, Kimberly Santos ka shprehur synimin për të ndërmarrë veprime ligjore, me qëllim hetimin e plotë të rrethanave në të cilat ndodhi kjo tragjedi./kb

❌
❌