Rriten me 25% çmimet e referencës për zhdoganimin e automjeteve të përdorura në Shqipëri
Rriten me 25% çmimet e referencës që përdoren nga doganat për zhdoganimin e automjeteve të përdorura për kategorinë e autoveturave, kamionët, kamionçinat dhe furgonët.
Çmimet e referencës përdoren për zhdoganimin e automjeteve të përdorura me vit prodhimi më të hershëm se viti i fundit i publikuar në buletinet zyrtare të çmimeve që përdorin Doganat si: “Quattroroute”, “Tuttotrasporti”, “Schwackeliste” etj., të cilat pasqyrojnë çmimet e shitjes në tregjet evropiane.
Rritja parashikohet në udhëzimin e ri të Ministrisë së Financave, “Për disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin nr. 3, datë 23.1.2018, ‘Për vlerësimin e mallrave për qëllime doganore’”, i cili ka hyrë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Sipas udhëzimit, për automjetet me cilindratë nga 1400 deri në 1900 cc, pragu minimal i zhdoganimit rritet nga 200 mijë lekë (2,000 euro) në 250 mijë lekë (2,500 euro), duke shënuar një rritje prej 25%.
Për automjetet me cilindratë nga 1900 deri në 2500 cc, vlera e referencës rritet nga 325 mijë lekë (3,250 euro) në 406 mijë lekë (4,060 euro), ose rreth 25% më shumë.
Për automjetet me cilindratë nga 2500 deri në 3000 cc, çmimi minimal i zhdoganimit rritet nga 400 mijë lekë (4,000 euro) në 500 mijë lekë (5,000 euro), me një rritje prej 25%.
Për automjetet me cilindratë nga 3000 deri në 4500 cc, pragu minimal rritet nga 500 mijë lekë (5,000 euro) në 625 mijë lekë (6,250 euro), që përfaqëson një rritje prej 25%.
Ndërsa për automjetet me cilindratë mbi 4500 cc, vlera minimale e referencës mbetet e pandryshuar, në nivelin 1 milion lekë (10,000 euro).
Rritja prej 25% është miratuar edhe për çmimet e referencës për kategorinë e mjeteve si kamionçina, furgonë dhe kamionë.
Për kamionçinat dhe furgonët me kapacitet deri në 1.5 tonë, vlera minimale e referencës për zhdoganim rritet nga 400 mijë lekë (4,000 euro) në 500 mijë lekë (5,000 euro), ose 25% më shumë.
Për mjetet me kapacitet nga 1.5 deri në 3.5 tonë, pragu minimal i zhdoganimit rritet nga 600 mijë lekë (6,000 euro) në 750 mijë lekë (7,500 euro), duke shënuar një rritje prej 25%.
Për kamionët me kapacitet nga 3.5 deri në 10 tonë, vlera minimale e referencës rritet nga 850 mijë lekë (8,500 euro) në 1,062,500 lekë (10,625 euro), ose rreth 25% më shumë.
Për kamionët me kapacitet nga 10 deri në 15 tonë, çmimi minimal i zhdoganimit rritet nga 1 milion lekë (10,000 euro) në 1,250,000 lekë (12,500 euro), me një rritje prej 25%.
Për kamionët me kapacitet mbi 15 tonë, pragu minimal rritet nga 1.2 milion lekë (12,000 euro) në 1.5 milion lekë (15,000 euro), duke reflektuar gjithashtu një rritje prej 25%.
Ishte
UDHËZIM Nr. 3, datë 23.1.2018
PËR VLERËSIMIN E MALLRAVE PËR QËLLIME DOGANORE
Për autoveturat:
- Deri 1400 cc: jo më pak se 130,000 lekë (1,300 euro)
- Mbi 1400–1900 cc: jo më pak se 200,000 lekë (2,000 euro)
- Mbi 1900–2500 cc: jo më pak se 325,000 lekë (3,250 euro)
- Mbi 2500–3000 cc: jo më pak se 400,000 lekë (4,000 euro)
- Mbi 3000–4500 cc: jo më pak se 500,000 lekë (5,000 euro)
- Mbi 4500 cc: jo më pak se 1,000,000 lekë (10,000 euro)
Kamionçina, furgona dhe kamionë:
- Deri në 1.5 tonë: 400,000 lekë (4,000 euro)
- 1.5–3.5 tonë: 600,000 lekë (6,000 euro)
- 3.5–10 tonë: 850,000 lekë (8,500 euro)
- 10–15 tonë: 1,000,000 lekë (10,000 euro)
- Mbi 15 tonë: 1,200,000 lekë (12,000 euro)
Bëhet
UDHËZIMI Nr. 26, datë 17.12.2025
PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË UDHËZIMIN NR. 3, DATË 23.1.2018,
“PËR VLERËSIMIN E MALLRAVE PËR QËLLIME DOGANORE”
Për autoveturat:
- deri në 1400 cc: 162,500 lekë (1,625 euro)
- mbi 1400–1900 cc: 250,000 lekë (2,500 euro)
- mbi 1900–2500 cc: 406,000 lekë (4,060 euro)
- mbi 2500–3000 cc: 500,000 lekë (5,000 euro)
- mbi 3000–4500 cc: 625,000 lekë (6,250 euro)
- mbi 4500 cc: 1,000,000 lekë (10,000 euro)
Për kamionçina, furgona dhe kamionë:
- deri në 1.5 tonë: 500,000 lekë (5,000 euro)
- 1.5–3.5 tonë: 750,000 lekë (7,500 euro)
- 3.5–10 tonë: 1,062,500 lekë (10,625 euro)
- 10–15 tonë: 1,250,000 lekë (12,500 euro)
- mbi 15 tonë: 1,500,000 lekë (15,000 euro)
Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
