Bulevardi “Zahir Pajaziti” në qendër të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, këto ditë është i ndriçuar me drita festive të Vitit të Ri. Shtëpiza të vogla prej druri, të zbukuruara me ornamente shumëngjyrëshe, ftojnë qytetarët të pinë verë të ngrohtë ose të hanë hot-dog.
Zona këmbësore e Prishtinës është shumë e frekuentuar edhe gjatë dimrit. Kosovarët takohen këtu për shëtitje të qeta, sidomos në këto ditë kur dritat festive ndriçojnë mbrëmjet e gjata.
Ndriçim – këtë e dëshirojnë shumë qytetarë të Republikës së Kosovës edhe për politikanët e tyre. Sepse më 28 dhjetor votuesit janë thirrur për herë të dytë brenda vetëm dhjetë muajsh për të zgjedhur një parlament të ri. Për dhjetë muaj me radhë, sipas mendimit të shumë kosovarëve, ka pasur vetëm teatër politik dhe tani shumica janë të lodhur.
Studenti 28-vjeçar Liridon Spahiu, i cili po takohet me miqtë pranë shtëpizave festive në bulevardin “Zahir Pajaziti”, thotë se ai në fakt interesohet për politikën. “Duhet të interesohemi, duam apo s’duam,” thotë ai. Për të është e qartë se kështu si deri tani nuk mund të vazhdohet më. “Muajt e fundit, gjithnjë e më shumë po pyesim veten: Çfarë po ndodh me këtë vend dhe me këtë politikë?”
Rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 i solli partisë deri atëherë qeverisëse me shumicë absolute, Lëvizjes Vetëvendosje (VV), vetëm 42 për qind të votave. Në anën tjetër, blloku i qendrës së djathtë, i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), mori gjithsej 46 për qind. Votat e mbetura iu shpërndanë komuniteteve pakicë në vend. As VV dhe as blloku i qendrës së djathtë nuk arritën shumicën prej 61 votash në Kuvendin e Kosovës me 120 deputetë.
Si fraksioni më i madh, Vetëvendosje me kryeministrin në detyrë Albin Kurti kishte të drejtën të propozonte kandidatin për kryetar të Kuvendit. Por u deshën më shumë se gjashtë muaj, mbi 50 votime dhe një vendim i Gjykatës Kushtetuese që në fund të gushtit të zgjidhej Dimal Basha, politikan që mori edhe disa vota nga blloku i qendrës së djathtë.
Kryetari i Kuvendit në Kosovë është figurë kyçe për vënien në lëvizje të procesit politik pas zgjedhjeve, sepse vetëm ai mund të caktojë rendin e ditës dhe të nisë punën parlamentare. Nga fundi i gushtit filluan përpjekjet për formimin e një qeverie me shumicë, por negociatat e Albin Kurtit me opozitën mbetën pa sukses. As raundet e shumta të bisedimeve në zyrën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, nuk sollën rezultat. Më 20 nëntor 2025, presidentes nuk i mbeti tjetër rrugë veçse ta shpërndante Kuvendin dhe të shpallte zgjedhje të reja për 28 dhjetor.
Sipas politologes kosovare Donika Emini, duket qartë se “interesat e shtetit dhe të qytetarëve janë dytësore për elitën politike”, siç i tha ajo DW-së.
“Është e rëndësishme që partitë të tregojnë pjekuri politike duke qenë të gatshme të formojnë koalicione qeverisëse,” thotë Emini. Ajo sheh megjithatë një fije shprese për ndryshim – Kurti dhe Vetëvendosja janë treguar më të hapur ndaj partive të tjera javët e fundit, gjë që mund të tregojë një fund të bllokadës pas zgjedhjeve.
Viti që po mbyllet ishte i humbur për Kosovën për shkak të bllokadës politike – në një kohë kur vendi ka nevojë urgjente për reforma sociale, ekonomike dhe në sundimin e ligjit. Shteti më i ri i Evropës mbetet një nga më të varfrit në kontinent. Papunësia zyrtare është mbi 25 për qind, ndërsa tek të rinjtë edhe më e lartë. Rreth një e pesta e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë, nuk ekziston një sistem i përgjithshëm i sigurimit shëndetësor, ndërsa arsimi vuan nga mungesa e stafit të kualifikuar dhe pajisjeve. Të gjitha këto kanë çuar vitet e fundit në një emigrim masiv të të rinjve – dhe ky trend vazhdon.
Dërgesat financiare nga diaspora, nga të cilat Kosova varet shumë, kanë përbërë gjatë dekadës së fundit nga 12 deri në 18 për qind të BPV-së; në vitin 2024 ishin rreth 13 për qind. Për shkak të bllokadës politike, fondet e BE-së në vlerë rreth 820 milionë euro nuk kanë mundur të shfrytëzohen. Kosova nuk arriti të miratojë as buxhetin për vitin 2026, as reformat në drejtësi dhe ligje të rëndësishme ekonomike.
Situatën e rëndon edhe konflikti i pazgjidhur me Serbinë. BE-ja prej vitesh i bën presion Kosovës për një “kompromis”, i cili për Kosovën shpesh ka përfshirë kushte të papranueshme, si krijimi i një statusi kolektiv për pakicën serbe. Sipas shumë politikanëve kosovarë, kjo do t’i hapte rrugë bllokimit të shtetit nga Beogradi, pasi institucionet e pakicës serbe kontrollohen nga qeveria serbe.
Përballë kësaj, kryeministri Kurti dhe Vetëvendosje kanë ndjekur prej vitesh një “politikë sovraniteti”, që synonte shuarjen e strukturave paralele të Beogradit në veri të Kosovës. Kjo politikë, ndonëse legjitime, shpesh u zbatua në mënyrë konfrontuese dhe jo të mençur. Në fund, Kurti dhe qeveria e tij u shfaqën si pala fajtore në konfliktin me Serbinë. Në mënyrë absurde, Kosova u sanksionua – edhe sepse BE-ja nuk donte të rrezikonte një konflikt me Serbinë.
Vetëm pak ditë më parë, BE-ja njoftoi lirimin e fondeve të ngrira për Kosovën. Arsyeja: pas zgjedhjeve lokale të tetorit 2025, në komunat në veri të vendit janë rikthyer kryetarë nga partia e drejtuar nga Beogradi, “Lista Serbe”, e cila kishte bojkotuar zgjedhjet lokale të vitit 2023.
Mes shëtitësve në zonën këmbësore të Prishtinës, këto tema luajnë rol më të vogël. Pensionisti 65-vjeçar Nuhi Asllani ankohet: “Jemi të gjithë të pakënaqur – si të mos jemi?!” Ai nuk beson se zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit do të sjellin përmirësim. “Bllokada do të vazhdojë me siguri,” mendon ai.
Tregtari 50-vjeçar Nazmi Gashi u jep politikanëve një këshillë për pas zgjedhjeve: “Nuk janë rezultatet gjëja më e rëndësishme – e rëndësishme është që të krijohet vetëdija për t’u marrë vesh.”
Edhe Liridon Spahiu shpreson që partitë e kanë kuptuar lodhjen politike të votuesve: “Njerëzit nuk duan më të shohin ego politikanësh, por punë, angazhim për vendin dhe një jetë më të mirë për secilën dhe secilin prej nesh./DW/