Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 December 2025Main stream

Clinton sfidon Trump/ Ish-presidenti: Publiko dosjen e plotë “Epstein”, nxirr çdo foto që kam me të

23 December 2025 at 14:27

Presidenti amerikan Donald Trump reagoi për herë të parë pas publikimit të një pjese shumë të vogël të dosjeve të Jeffrey Epstein.

Në materialet që u bënë publike kishte foto të personazheve të njohur, mes tyre edhe ish presidenti Bill Clinton, por vetë Trump nuk dukej gjëkundi, edhe pse lidhjet e tij me Epstein janë të njohura.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë i doli në mbrojtje ish presidentit demokrat duke thënë se ka shkuar gjithmonë mirë me të., e madje shtoi se e respekton.

Trump tha se nuk i pëlqen fakti që fotot e shumë njerëzve të njohur po shfaqen, por tha se Clinton është i rritur dhe mund ta përballojë. Por sipas presidentit, ka njerëz të tjerë që e kanë takuar Epstein pa e ditur për krimet e tij dhe tashmë po dalin edhe fotot e tyre.

Reagimi i Trump erdhi pasi Bill Clinton në një deklaratë kërkoi publikimin e plotë të dosjeve. Demokrati sfidoi Departamentin e Drejtësisë që të nxjerrë çdo foto apo çdo rast që atij i përmendet emri. Clinton dënoi faktin se dosjet nuk u publikuan të plota dhe me redaktime të shumta dhe ngriti dyshime se në këtë mënyrë emri i dikujt po mbrohet.

Publikimi i pjesshëm i dosjeve të Epstein solli reagim të ashpër nga demokratët dhe viktimat e abuzimit, të cilët akuzojnë administratën republikane se po përpiqet të fshehë informacionin.

Shumë nga fotot më të diskutuara nga dosjet tregojnë ish-presidentin demokrat Clinton, i cili e ka pranuar se ka udhëtuar me avionin privat të Epstein, por ka thënë se nuk ishte në dijeni për krimet e tij.

Nga ana tjetër Trump, i cili ishte mik për vite me radhë me Epstein ndërroi disa herë qëndrim, duke thënë fillimisht se dosjet nuk ekzistonin dhe më pas se ato ishin një mashtrim demokrat.

Presidenti aktual shfaqet krah Epstein në foto të publikuara më herët dhe emri i tij përmendet në mijëra emaile që dolën në dritë para publikimit të dosjeve, ku madje aludohet se Trump e dinte për vajzat, pra viktimat e trafikimit të ish financierit që ndërroi jetë në burg në vitin 2019 në pritje të gjyqit.

Kim Kardashian kopjon motivuesin e njohur shqiptar? Një padi në “ajër” për miliarderen

23 December 2025 at 13:53

Fitim Brahimi, folës motivues dhe trajner personal zhvillimi, në studion e “ABC e Mëngjesit” hodhi dyshime serioze mbi ngjashmëritë mes programeve motivuese të Kim Kardashian dhe metodologjisë së tij të punës.
Sipas Brahimit, ngjashmëritë janë të dukshme, sidomos në temat e komunikimit, ndikimit dhe transformimit personal.
“Për mua kjo nuk është çështje emocioni, por çështje faktike”, u shpreh ai, duke theksuar se aktualisht është në konsultim me avokaten e tij.
Pas zërave për ngjashmëri dhe kopjim nga emra të mëdhenj ndërkombëtarë, përfshirë Kim Kardashian, ai zgjodhi të flasë qetë, me tone të matura, duke e vendosur theksin jo te zhurma, por te faktet dhe përvoja personale.
“Kjo për mua nuk është çështje emocioni, por çështje faktike”, u shpreh Brahimi, duke sqaruar se është në konsultim me avokaten e tij për të analizuar nëse ka përputhje reale në përmbajtje dhe nëse hapat ligjorë janë të arsyeshëm dhe të justifikuar.
Ai theksoi se çdo veprim do të ndërmerret vetëm në mënyrë të drejtë dhe profesionale, nëse faktet e konfirmojnë këtë.
Brahimi, dikur një refugjat nga Kosova, që shkoi në gjermani ndërtoi një metodë të thjeshtë dhe njerëzore për komunikim, ndikim dhe transformim personal, pa teori boshe, pa premtime të rreme.
Sot, ai ndan përvojën e tij përmes katër mënyrave konkrete për vetëshërim dhe forcim, duke u folur njerëzve që janë të lodhur, të thyer apo të humbur jo si ekspert mbi ta, por si dikush që ka kaluar vetë nëpër errësirë.
Fitim Brahimi është drejt përfundimit të librit të tij më të ri, “Nga refugjat në speaker-star – fitorja ime në 4 minuta”, një rrëfim i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë, ku synimi kryesor është qartësia, cilësia dhe përmbajtja e pastër.

Dy ish-prokurorë merren të pandehur/ SPAK i akuzon për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm

23 December 2025 at 13:52

Prokuroria e Posaçme ka nisur komunikimin e akuzave  për dy ish-prokurorë.

Kledian Llaho akuzohet për korrupsion, ndërsa ish-prokurori tjetër, Çlirim Shahini, që ushtron profesionin e avokatit, për ushtrim të ndikimit të paligjshëm.

Ish-prokurorët e Sarandës dyshohen se u përfshinë në një aferë korrupsioni për zbutjen e masës së sigurimit ndaj shtetasit Pando Papuçi, i cili ishte shpallur në kërkim për ndërtim pa leje.

Ky i fundit, pasi arriti t’i shmangej drejtësisë për dy vite, u arrestua dhe doli para gjykatës për vlerësimin e masës e cila u gjykua dhe u ndryshua brenda 1 ore nga gjyqtarja Edona Vajushi me kërkesë të prokurorisë.

Dyshohet sipas SPAK, se ish-prokurorët i kanë kërkuar para Pando Papuçit në këmbim të ndërhyrjes në procedurat gjyqësore, me qëllim zbutjen e masës së sigurimit ndaj tij.

Këto veprime, të dokumentuara nga organi i akuzës, provojnë ekzistencën e një skeme korrupsioni të organizuar, ku funksionarë të drejtësisë kërkonin përfitime monetare për favorizim në trajtimin e çështjeve penale.

Ndërkohë, Gjykata e Apelit, e përbërë nga gjyqtaret Edlira Petri, Fatri Islamaj dhe Marsela Pepi, ka konkluduar se Pando Papuçi nuk kishte konsumuar asnjë vepër penale lidhur me ndërtimin pa leje, duke rrëzuar në thelb pretendimet mbi të cilat ishte ngritur çështja ndaj tij. Ky përfundim lë të nënkuptohet se procedimi penal i nisur nga Prokuroria e Sarandës ka qenë i pajustifikuar dhe i mbështetur në baza të dobëta ligjore, duke ngritur dyshime mbi mënyrën se si është iniciuar dhe ndjekur hetimi ndaj tij.

 

Llaho, sipas prokurores Manjola Kajana, dyshohet se ka marrë 30 mijë euro nga miku i tij, biznesmeni Vasil Bakalli. Ky i fundit provohet se vlerat monetare i ka marrë në shtetin grek. Ndërsa ish-prokurori Çlirim Shahini, provohet se ka marrë 25 mijë euro në këmbim që t’i kërkonte gjykatës masën “detyrim paraqitje”, ndërsa në total dyshohet se janë paguar 55 mijë euro për një masë sigurimi.

Llaho e kërkoi këtë masë në gjykatë dhe ajo u miratua nga gjyqtarja Edona Vajushi, por për këtë të fundit nuk u provua akuza. Nën akuzë është edhe biznesmeni Vasil Bakalli për korrupsion, i cili dyshohet se ka luajtur rolin e sekserit me prokurorin Llaho.

Kujtojmë se më 8 gusht të këtij viti, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vlerësoi se prokurori i Sarandës, Kledian Llaho, kishte kryer deklarime kontradiktore, të pasakta dhe të pamjaftueshme për pasurinë, si dhe kishte mangësi profesionale, duke vendosur shkarkimin e tij nga detyra.

 

Moti “trondit” fundvitin: Shi, borë dhe stuhi në Shqipëri. Krishtlindje të bardha?

23 December 2025 at 13:42

Ditët e fundit të vitit do të shoqërohen me përkeqësim të ndjeshëm të kushteve atmosferike, ndërsa vendi ynë pritet të përfshihet nga reshje shiu dhe dëbore, duke rikthyer plotësisht skenarin dimëror.
Sipas meteorologes së IGJEUM, Anira Gjoni, reshjet do të nisín fillimisht në jug të territorit, për t’u shtrirë më pas në të gjithë vendin gjatë orëve të natës. Sot, nesër dhe pasnesër, Shqipëria do të përjetojë reshje të vazhdueshme, me shi në zonat e ulëta dhe borë në zonat malore.
Ultësira perëndimore do të përfshihet nga reshjet e shiut, ndërsa zonat malore, veçanërisht juglindja, do të shohin reshje dëbore. Intensiteti i reshjeve pritet të jetë i ulët deri mesatar, me kulmin e tij ditën e mërkurë.
Qarqet Vlorë dhe Gjirokastër do të kenë shtrëngata, ndërsa në qarqet e tjera reshjet do të jenë më të dobëta. Era do të fryjë e lehtë deri mesatare, pa krijuar problematika të mëdha.
Ndërsa viti po mbyllet, dimri duket se po jep “goditjen” e tij të parë, duke sjellë një fundvit të lagësht, të ftohtë dhe të paqëndrueshëm.
Pyetja që mbetet është: a do të zbardhet Shqipëria për Krishtlindje?

Kanosi me armë zjarri një person, kapet 31-vjeçari në Durrës

23 December 2025 at 12:31

DURRËS- Një 31-vjeçar është arrestuar nga policia. Sipas policisë i riu ka kanosur me armë zjarri një person. Ngjarja ka ndodhur më 16 tetor në 2025, në rrugë në fshatin Fllakë.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me vendimin e datës 01.11.2025, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

/abcnews.al/

Në “arrest shtëpie” me urdhër të SPAK/ Mirlinda Karçanaj delegon kompetencat drejtuese të AKSHI

23 December 2025 at 12:22

Drejtoresha e Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit Mirlinda Karçanaj ka deleguar kompetencat drejtuese,. Kjo pasi SPAK caktoi ndaj saj masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Mësohet se kompetencat i delegohen Romina Kostanit

 

 

Paqja fiskale/ “Për çdo ‘pasqyrë’ të korrigjuar, fitimi tatohet vetëm 5%”, Rama: Asnjë problematike burokratike. Fokusi i sipërmarrjes mbetet puna

23 December 2025 at 11:37

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me bizneset këtë të martë, ku është fokusuar te paqja fiskale.

Kryeministri Rama tha se për çdo pasqyrë të korrigjuar, fitimi tatohet vetëm 5%.

“Ndihmon një proces ku sipërmarrja fokusohet më shumë te puna. Kjo shkon në paralel me një adresim të përgjithshëm të gjobave që sipas periudhave dhe vjetërsisë së tyre shkojnë nga fshirja totale tek pagimi përmes disa kësteve…Nuk ka më asnjë lloj inspektimi apo kontrolli që rëndon shpesh shumë më tepër se sa vetë barra fiskale. Ne presim një energjizim më tepër të sipërmarrjes. Presim një lehtësim të mëtejshëm të proceseve të punës për sipërmarrjen që duke i çliruar nga barra e të metave të së djeshmes, do të ketë shumë më tepër energji për t’u marrë me punën e vet. Dhe për të mos u konsumuar me procedura burokratike apo inspektime dhe kontrolle që kanë ngarkesën e tyre…”, tha ai.

Paqja fiskale 2026/ Rama takim me bizneset: Nga janari i vitit të ardhshëm mund ta zbatojmë këtë nismë. Nuk cënohet integriteti ligjor

23 December 2025 at 11:28

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me komunitetin e biznesit.

Në këtë takim është diskutuar për nisjen e një kapitulli të ri bashkëpunimi, që synon formalizimin dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike duke përgatitur sipërmarrjen për procesin e integrimit europian.

“Me Paketën Fiskale 2026 nuk rrisim taksat, por synojmë të garantojmë një kuadër më të drejtë fiskal dhe të përgatisim sipërmarrjen për procesin e integrimit europian. Mbajmë premtimin për zero taksa për biznesin e vogël deri në vitin 2029”, nënvizoi Rama.

“Paqja fiskale është një zotim i yni i fushatës elektorale dhe sot është ligj. Pavarësisht disa debateve që nuk e adresuan dot thelbin e kësaj nisme, ne sot jemi në kushtet ku duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm mund ta zbatojmë këtë nismë. Kjo është për të ndërtuar një urë të re besimi mes administratës tatimore dhe sipërmarrjes. Nuk është shpikje e jona. Është nj instrument i përdorur me mijëra vjet tani më. Është një instrument për t’i dhënë mundësi sipërmarrjeve që nuk janë në konflikt me ligjin dhe që figurojnë në regjistrat e shtetit si kontributorë legjitimë që të rishikojnë pasqyrat e tyre fiskale. Ky rishikim jep mundësi sipërmarrjeve të vetë-korrigjohen, duke ribërë deklarime të viteve të shkuara dhe duke pasur si motivim një tatim shumë më të ulët mbi fitimin”, tha ai.

Protesta me molotov e opozitës, policia: 4 të arrestuar. 7 persona nën hetim, mes tyre sekretari organizativ Ervin Minarolli

23 December 2025 at 10:06

Policia e Tiranë ka reaguar me një njoftim zyrtar lidhur me protestën e zhvilluar mbrëmë para Kryeministrisë. Gjatë tubimit të zhvilluar dje janë identifikuar 11 shtetas, ndërsa 4 prej tyre janë arrestuar dhe 7 të tjerë janë proceduar. Në protestë u hodhën molotovë, gjithashtu protestuesit kundërshtuan punonjësit e policisë.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin Ervin Minarolli, me detyrë sekretar organizativ i subjektit politik Partia Demokratike, pasi në cilësinë e përfaqësuesit organizativ të këtij subjekti, nuk ka zbatuar detyrimet për identifikimin e personave përgjegjës për mbarëvajtjen e tubimit, në bazë të ligjit Nr. 8773, “Për tubimet”, neni 10.

3 punonjësit e Policisë që mbetën të dëmtuar gjatë tubimit morën mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund te kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Protesta, 4 të arrestuar dhe 7 të tjerë nën hetim. Ja si është gjendja shëndetësore e protestuesit që u përfshi nga flakët

23 December 2025 at 09:16

Katër persona janë arrestuar nga komisariati nr.1 dhe 7 të tjerë janë vënë nën hetim në gjendje të lirë në lidhje me protestën e opozitës përpara Kryeministrisë, për hedhje molotovi dhe sendesh të forta.

Ndërkohë protestuesi i cili u përfshi nga flakët në tentativë për të shkelmuar një molotov drejt policisë, ka pësuar djegie të lehta në fytyrë dhe gjymtyrë por pa probleme serioze, pasi ka marrë mbrëmë ndihmë nga djegie-plastika është larguar për në banesë.

Edhe efektivët e policisë që mbetën të lënduar pasi kanë marrë ndihmë mjekësore nuk kanë shfaqur problematika të tjera.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin Ervin Minarolli me detyrë sekretar organizativ i subjektit politik Partia Demokratike, pasi në cilësinë e përfaqësuesit organizativ të këtij subjekti, nuk ka zbatuar detyrimet për identifikimin e personave përgjegjës për mbarëvajtjen e tubimit, në bazë të ligjit Nr. 8773, “Për tubimet”, neni 10.

Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund te kënë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

DW: A do të jetë fundi i bllokadës politike nga zgjedhjet e reja në Kosovë?

23 December 2025 at 08:36

Bulevardi “Zahir Pajaziti” në qendër të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, këto ditë është i ndriçuar me drita festive të Vitit të Ri. Shtëpiza të vogla prej druri, të zbukuruara me ornamente shumëngjyrëshe, ftojnë qytetarët të pinë verë të ngrohtë ose të hanë hot-dog.

Zona këmbësore e Prishtinës është shumë e frekuentuar edhe gjatë dimrit. Kosovarët takohen këtu për shëtitje të qeta, sidomos në këto ditë kur dritat festive ndriçojnë mbrëmjet e gjata.

Ndriçim – këtë e dëshirojnë shumë qytetarë të Republikës së Kosovës edhe për politikanët e tyre. Sepse më 28 dhjetor votuesit janë thirrur për herë të dytë brenda vetëm dhjetë muajsh për të zgjedhur një parlament të ri. Për dhjetë muaj me radhë, sipas mendimit të shumë kosovarëve, ka pasur vetëm teatër politik dhe tani shumica janë të lodhur.

Studenti 28-vjeçar Liridon Spahiu, i cili po takohet me miqtë pranë shtëpizave festive në bulevardin “Zahir Pajaziti”, thotë se ai në fakt interesohet për politikën. “Duhet të interesohemi, duam apo s’duam,” thotë ai. Për të është e qartë se kështu si deri tani nuk mund të vazhdohet më. “Muajt e fundit, gjithnjë e më shumë po pyesim veten: Çfarë po ndodh me këtë vend dhe me këtë politikë?”

Rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 i solli partisë deri atëherë qeverisëse me shumicë absolute, Lëvizjes Vetëvendosje (VV), vetëm 42 për qind të votave. Në anën tjetër, blloku i qendrës së djathtë, i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), mori gjithsej 46 për qind. Votat e mbetura iu shpërndanë komuniteteve pakicë në vend. As VV dhe as blloku i qendrës së djathtë nuk arritën shumicën prej 61 votash në Kuvendin e Kosovës me 120 deputetë.

Si fraksioni më i madh, Vetëvendosje me kryeministrin në detyrë Albin Kurti kishte të drejtën të propozonte kandidatin për kryetar të Kuvendit. Por u deshën më shumë se gjashtë muaj, mbi 50 votime dhe një vendim i Gjykatës Kushtetuese që në fund të gushtit të zgjidhej Dimal Basha, politikan që mori edhe disa vota nga blloku i qendrës së djathtë.

Kryetari i Kuvendit në Kosovë është figurë kyçe për vënien në lëvizje të procesit politik pas zgjedhjeve, sepse vetëm ai mund të caktojë rendin e ditës dhe të nisë punën parlamentare. Nga fundi i gushtit filluan përpjekjet për formimin e një qeverie me shumicë, por negociatat e Albin Kurtit me opozitën mbetën pa sukses. As raundet e shumta të bisedimeve në zyrën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, nuk sollën rezultat. Më 20 nëntor 2025, presidentes nuk i mbeti tjetër rrugë veçse ta shpërndante Kuvendin dhe të shpallte zgjedhje të reja për 28 dhjetor.

Sipas politologes kosovare Donika Emini, duket qartë se “interesat e shtetit dhe të qytetarëve janë dytësore për elitën politike”, siç i tha ajo DW-së.

“Është e rëndësishme që partitë të tregojnë pjekuri politike duke qenë të gatshme të formojnë koalicione qeverisëse,” thotë Emini. Ajo sheh megjithatë një fije shprese për ndryshim – Kurti dhe Vetëvendosja janë treguar më të hapur ndaj partive të tjera javët e fundit, gjë që mund të tregojë një fund të bllokadës pas zgjedhjeve.

Viti që po mbyllet ishte i humbur për Kosovën për shkak të bllokadës politike – në një kohë kur vendi ka nevojë urgjente për reforma sociale, ekonomike dhe në sundimin e ligjit. Shteti më i ri i Evropës mbetet një nga më të varfrit në kontinent. Papunësia zyrtare është mbi 25 për qind, ndërsa tek të rinjtë edhe më e lartë. Rreth një e pesta e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë, nuk ekziston një sistem i përgjithshëm i sigurimit shëndetësor, ndërsa arsimi vuan nga mungesa e stafit të kualifikuar dhe pajisjeve. Të gjitha këto kanë çuar vitet e fundit në një emigrim masiv të të rinjve – dhe ky trend vazhdon.

Dërgesat financiare nga diaspora, nga të cilat Kosova varet shumë, kanë përbërë gjatë dekadës së fundit nga 12 deri në 18 për qind të BPV-së; në vitin 2024 ishin rreth 13 për qind. Për shkak të bllokadës politike, fondet e BE-së në vlerë rreth 820 milionë euro nuk kanë mundur të shfrytëzohen. Kosova nuk arriti të miratojë as buxhetin për vitin 2026, as reformat në drejtësi dhe ligje të rëndësishme ekonomike.

Situatën e rëndon edhe konflikti i pazgjidhur me Serbinë. BE-ja prej vitesh i bën presion Kosovës për një “kompromis”, i cili për Kosovën shpesh ka përfshirë kushte të papranueshme, si krijimi i një statusi kolektiv për pakicën serbe. Sipas shumë politikanëve kosovarë, kjo do t’i hapte rrugë bllokimit të shtetit nga Beogradi, pasi institucionet e pakicës serbe kontrollohen nga qeveria serbe.

Përballë kësaj, kryeministri Kurti dhe Vetëvendosje kanë ndjekur prej vitesh një “politikë sovraniteti”, që synonte shuarjen e strukturave paralele të Beogradit në veri të Kosovës. Kjo politikë, ndonëse legjitime, shpesh u zbatua në mënyrë konfrontuese dhe jo të mençur. Në fund, Kurti dhe qeveria e tij u shfaqën si pala fajtore në konfliktin me Serbinë. Në mënyrë absurde, Kosova u sanksionua – edhe sepse BE-ja nuk donte të rrezikonte një konflikt me Serbinë.

Vetëm pak ditë më parë, BE-ja njoftoi lirimin e fondeve të ngrira për Kosovën. Arsyeja: pas zgjedhjeve lokale të tetorit 2025, në komunat në veri të vendit janë rikthyer kryetarë nga partia e drejtuar nga Beogradi, “Lista Serbe”, e cila kishte bojkotuar zgjedhjet lokale të vitit 2023.

Mes shëtitësve në zonën këmbësore të Prishtinës, këto tema luajnë rol më të vogël. Pensionisti 65-vjeçar Nuhi Asllani ankohet: “Jemi të gjithë të pakënaqur – si të mos jemi?!” Ai nuk beson se zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit do të sjellin përmirësim. “Bllokada do të vazhdojë me siguri,” mendon ai.

Tregtari 50-vjeçar Nazmi Gashi u jep politikanëve një këshillë për pas zgjedhjeve: “Nuk janë rezultatet gjëja më e rëndësishme – e rëndësishme është që të krijohet vetëdija për t’u marrë vesh.”

Edhe Liridon Spahiu shpreson që partitë e kanë kuptuar lodhjen politike të votuesve: “Njerëzit nuk duan më të shohin ego politikanësh, por punë, angazhim për vendin dhe një jetë më të mirë për secilën dhe secilin prej nesh./DW/

Trump reagon sërish: SHBA-së i duhet Greonlanda për sigurinë kombëtare

23 December 2025 at 08:15

Donald Trump ka shkaktuar sërish tension me deklaratat e tij, duke ritheksuar edhe njëherë se SHBA-të “duhet ta kenë” Groenlandën. Ai pretendon se territori i duhet SHBA për sigurinë kombëtare.

Kjo deklaratë e Trump vjen menjëherë pasi presidenti amerikan emëroi guvernatorin e Luizianës, Jeff Landry, si të dërguar special në Groenlandë, duke thënë se ai do të “udhëhiqte sulmin” në avokimin e pjesës gjysmë-autonome të Danimarkës për t’u bërë pjesë e Shteteve të Bashkuara.

“Ne kemi nevojë për Groenlandën për sigurinë kombëtare, jo për mineralet… Nëse i hidhni një sy Groenlandës, shikoni lart e poshtë bregdetit, do të shihni anije ruse dhe kineze kudo. Na duhet për sigurinë kombëtare. Duhet ta kemi… Groenlanda është një çështje e madhe.”

Nga ana e saj kryeministrja daneze Mette Frederiksen dhe kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, thanë në një deklaratë të përbashkët se Groenlanda u përket banorëve të Groenlandës, duke theksuar se SHBA-të nuk do ta marrin atë.

“Nuk mund të aneksosh një vend tjetër. As me një argument për sigurinë ndërkombëtare”, thanë ata.

Vendi ka thirrur tashmë ambasadorin e SHBA-së në shenjë proteste, me ministrin e jashtëm që tha se ky veprim tregon se SHBA-të janë ende të interesuara në territorin e gjerë danez.

Rusia përshkallëzon sulmet ndaj Odesës, shkakton ndërprerje të energjisë

23 December 2025 at 08:11

Rusia ka shtuar sulmet e saj në rajonin jugor të Ukrainës, Odesa, duke shkaktuar ndërprerje të gjera të energjisë elektrike dhe duke kërcënuar infrastrukturën detare të rajonit.

Zëvendëskryeministri ukrainas Oleksiy Kuleba tha se Moska po kryente sulme “sistematike” në rajon.

Javën e kaluar ai paralajmëroi se fokusi i luftës “mund është zhvendosur drejt Odesës”.

Presidenti Volodymyr Zelensky tha se sulmet e përsëritura ishin një përpjekje nga Moska për të bllokuar aksesin e Ukrainës në logjistikën detare.

Më herët në dhjetor, presidenti rus Vladimir Putin kërcënoi të ndërpresë aksesin e Ukrainës në det si hakmarrje për sulmet me dronë ndaj anijeve cisternë të “flotës në hije” të Rusisë në Detin e Zi.

Spiropali nderime te monumenti i heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu në Shkupin e vjetër: Simbol i qëndresës, dinjitetit dhe shpirtit europian

23 December 2025 at 08:01

SHKUP- Mbrëmjen e djeshme, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, sëbashku me Zëvendëskryeministrin Arben Fetai, morën pjesë në një ceremoni nderimi pranë monumentit të heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu në Shkupin e vjetër.

Në ceremoni u bashkuan edhe Kryetari i Çairit Izet Mexhiti, si dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit lokal në Komunën e Çairit.

Spiropali shkruan se “në zemër të Shkupit të vjetër, guri flet me histori dhe koha merr frymë krenarie,
ndaluam për të nderuar simbolin e qëndresës, të dinjitetit dhe të shpirtit europian, duke vendosur kurorën e nderit pranë monumentit të Gjergj Kastriot Skënderbeut.”

Postimi i Spiropalit:

🇦🇱🇲🇰Sonte, në zemër të Shkupit të vjetër, aty ku guri flet me histori dhe koha merr frymë krenarie,
ndaluam për të nderuar simbolin e qëndresës, të dinjitetit dhe të shpirtit europian, duke vendosur kurorën e nderit pranë monumentit të Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Në këtë moment kujtese dhe respekti ishim së bashku me Zëvendëskryeministrin Arben Fetai dhe Kryetarin e Çairit Izet Mexhiti, si dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit lokal në Komunën e Çairit, të bashkuar me nderim dhe krenari.

Pas ceremonisë, dita u mbush me ngjyra dhe emocione: shfaqja artistike, ritmi i tupanëve dhe fëmijët me veshje e simbole kombëtare e bënë këtë çast edhe më të gjallë.

Një kujtesë e përbashkët për rrenjët tona të forta dhe përkatësinë tonë natyrore në Europë.

Çmimi i arit në tregjet ndërkombëtare arrin rekord të ri

23 December 2025 at 07:45

Është rekordi i parë që nga çmimi më i lartë deri tani i shënuar në tetor, kur kursi kapi shifrën pak mbi 4.380 dollarë për onse (31,1 gram): Ari sot mbërriti çmimin 4.420 dollarë. Kësisoj ky metal i çmuar pak para fundit të vitit shënon një plus vjetor prej gati 70 përqind.

Eshtë një nga klasat më të fuqishme të depozitave të vitit dhe rritja më e madhe e çmimit që nga vitit 1979. Kjo rritje konsiderohet se ka të bëjë kryesisht me pasiguritë gjeopolitike dhe ekonomike si dhe me luftrat dhe doganat. Shumë depozitues në kohë të tilla preferojnë të ashtuquajturit porte të sigurta si ar dhe argjend. “Ari prej shekujsh ka një stabilitet të madh tek fuqia blerëse – pavarësisht sistemeve politike, apo krizave monetare dhe ekonomike”, shpjegon York Tetzlaff, shef i shoqatës së degës se shoqatave profesionale të metaleve të çmuara, me seli në Pforzheim.

Në rritjen e kursit të arit ka ndikuar edhe zhvillimi i normave reale të interesit si dhe dobësimi i dollarit. Gjithashtu kërkesa e bankave të rezervave ka të bëjë me shtimin e rezervave të tyre të arit gjatë këtij viti. Sipas Bankës Qendrore Europiane (BQE) bankat qendrore kombëtare më 2024 mbulonin mbi 20 përqind të kërkesës globale për ar.

Kërkesa e bankave qendrore për ar, sipas ekspertëve do të mbetet konstante e sigurt në sfondin e pasigurisë gjeopolitike dhe të politikave tregtare si ajo e doganave World Gold Council në një raport për perspeoktivën vëren, se nëse ngadalësohet rritja ekonomike ose ka një rënie të fuqishme, janë të mundura fitime të moderuara ose të mëdha.

“Në të kundërt nëse një sukses i politikës që po ndjek administrata e presidentit të SHBA-së Donald Trump do të përshpejtonte rritjen ekonomike duke ulur reziqet gjeopolitike, kjo do të çonte në rritje e intereave dhe fuorcimin e dollarit që do të ndikonte në uljen e çmimit të arit.”

Media britanike: Shqipëria mes destinacioneve kryesore për të udhëtuar në 2026

23 December 2025 at 07:43

Pallate të lashta, dete të kristalta dhe plazhe të pazbuluara me çmime të përballueshme – ekspertët tanë të udhëtimit rekomandojnë destinacionet më të mira për pushime në vitin 2026, shkruan Elle Hammond në të përditshmen britanike “Saga”.

Po kërkoni alternativa të përballueshme për të kaluar pushimet tuaja në vitin 2026, ekspertët e “Saga Holidays” ju sugjerojnë shtatë destinacionet kryesore për të vizituar këtë vit.

Nëse ju pëlqejnë aventurat e guximshme në një vend të largët apo një vendpushim i qetë diku më familjar, këto shtatë destinacione të rekomanduara ofrojnë diçka për çdo lloj vizitori!

Shqipëria

Shqipëria rekomandohet si një nga destinacionet më të mira për pushime në vitin 2026, falë plazheve të pazbuluara, ujërave ngjyrë bruz dhe çmimeve të përballueshme.

Ekspertët e udhëtimit e kanë krahasuar Shqipërinë me Kroacinë.

Shqipëria po bëhet me shpejtësi një nga vendet më të njohura në Evropë.

Vendi i bukur mesdhetar i ka të gjitha – nga plazhet te kultura bizantine por me një çmim të shkëlqyer.

Vendet kryesore përfshijnë:

  • Plazhet me ujërat ngjyrë bruz të Ksamilit – të cilin mund ta vizitoni duke bërë një udhëtim me traget nga Korfuzi.
  • Berati – i njohur si “Qyteti i një mbi një dritareve” është i famshem për arkitekturën e tij osmane dhe shqiptare.
  • Gjithashtu, mos humbisni një vizitë në kryeqytetin plot jetë të Shqipërisë, Tiranën.

Ndërsa popullariteti i Shqipërisë rritet, kjo është koha e përkryer për ta eksploruar atë përpara se vendi të përfshihet nga turizmi masiv.

Pse duhet ta vizitoni Shqipërinë në vitin 2026?

Interesi për Shqipërinë vazhdon të rritet, ku sipas një raporti, turizmi u rrit me 5% në fillim të vitit 2025 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Shqipëria është aktualisht një nga vendet më të lira në Evropë.

Vendi mesdhetar tërheq turistë nga e gjithë bota falë akomodimit, ushqimit dhe transportit cilësor dhe të përballueshëm.

Revista britanike e udhëtimeve “Saga” e ka renditur Shqipërinë ndër shtatë vendet më të mira për pushime në vitin 2026:

1. Shqipëria
2. Japonia
3. India
4. Afrika e Jugut
5. Kosta Rika
6. Uzbekistani
7. Italia

❌
❌